
Lekë Mrijaj, Klinë
____
KOSOVA E BAZILIKAVE DHE E MOZAIKËVE PALEOKRISTIANE QË NGA ULPIANA DERI TE THESARET E DRESNIKUT TË KLINËS
____
E kam vizituar disa herë lokalitetin romak në Dresnik të Klinës, i cili më ka magjepsur me mozaikët e tij shumëngjyrësh dhe me gjurmët e ndërtimeve të lashta. Këto vizita më kanë nxitur të njoh më nga afër pasurinë arkeologjike të kësaj hapësire. Ndaj, duke u mbështetur edhe në të dhënat të fundit të Euronews Next dhe në të dhëna të tjera shkencore e arkeologjike, Kosova shfaqet si një vend i katedraleve, i bazilikave paleokristiane dhe i mozaikëve shumëngjyrësh, ku gjurmët e qytetërimeve të lashta ruhen ende nën tokë.
Zbulimi i bazilikës ipeshkvore në Ulpianë është një dëshmi konkrete e trashëgimisë paleokristiane në këtë hapësirë. Ndërkaq, mozaikët e Dresnikut të Klinës pasqyrojnë pasurinë artistike dhe arkitekturore të periudhës romake. Këto zbulime, secili me veçoritë e veta, na ndihmojnë ta njohim më mirë të kaluarën e Kosovës.

Në reportazhin e Euronews Next në gjuhën angleze, lokaliteti romak me mozaikë shumëngjyrësh, në fshatin e vogël të Dresnikut të Klinës, në veriperëndim të Kosovës, paraqitet si një ndër zbulimet më të mëdha arkeologjike në vend gjatë katër dekadave pararendëse. Gërmimet nisën në shtator të vitit 2012, nën drejtimin e arkeologut Masar Valla, i cili besonte se lokaliteti shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh. Në kohën e realizimit të reportazhit, ishte zbuluar një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, që mendohej se i përkiste katit përdhes të një ndërtese publike ose të një vile urbane. Arkeologët ende nuk e kishin përcaktuar periudhën e saktë të ndërtimit dhe as qëllimin e përdorimit të saj.

Masar Valla, arkeolog i Kosovës, shprehej për Euronews Next: “Mozaiku ka forma gjeometrike. Është shumëngjyrësh. Deri më tani kemi dalluar shtatë ngjyra. Është një ndër mozaikët më të bukur të gjetur në Kosovë. Besojmë se do të zbulojmë shumë më tepër kur të vazhdojmë punën në tetor”. Sipas reportazhit, zbulimi konsiderohej unik në Kosovë. Deri në atë fazë të gërmimeve, arkeologët kishin zbuluar katër hapësira, të gjitha me dysheme të shtruara me mozaikë.

Besohej se lokaliteti ndodhej përgjatë trasesë së një rruge të vjetër romake, të përmendur në tekst si Via Lysis Nysos, e cila lidhte Lezhën e sotme në Shqipëri me Nishin në Serbi. Arkeologët mendonin se Dresniku i Klinës fshihte edhe thesare të tjera magjepsëse, të cilat do të dilnin në dritë me vazhdimin e gërmimeve. Raportimet institucionale të mëvonshme për zbulimin e hapësirave të tjera me mozaikë shumëngjyrësh e përforcuan rëndësinë e këtij lokaliteti për trashëgiminë arkeologjike të Kosovës.

Dresniku i Klinës na kujton se e kaluara nuk jeton vetëm në faqet të fshehurave të librave, por ruhet, mbi të gjitha, edhe nën gurët e tokave Dardane, nën ngjyrat dhe në gjurmët e ndërtimeve që koha i ka mbuluar, por nuk i ka zhdukur. Pra, veq tjerash zbulimi i tyre na fton ta njohim dhe përfillim historinë me kujdes dhe ta mbrojmë trashëgiminë me përgjegjësi.

Ta ruajmë atë që na e ka dhënë Zoti dhe na e ka zbuluar toka jonë Dardane, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mund ta lexojnë historinë e vertetë aty ku ajo është shkruar. Ps: https://youtu.be/QXAoAY0coRw?si=iOBDvR1tcE8-8IGf
Kosovo Roman ruins: Archaeologists unearth a colorful mosaic in Dresnik
Archaeologists have unearthed a Roman site covered with multi-color…


