
Nga: Adem Lushaj
____
Promovimi i librit “Ditari i një mësuesi në flakët e luftës – Kujtime, përjetime dhe dëshmi nga ditët e luftës”, i autorit të ndjerë Metë Nimani, përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore, arsimore dhe historike.
Kjo vepër nuk është thjesht një përmbledhje kujtimesh personale. Ajo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e një kohe të rëndë për popullin tonë, kur lufta vuri në sprovë jetën, familjen, shkollën dhe vetë ekzistencën tonë. Në ato rrethana, mësuesi nuk ishte vetëm bartës i dijes, por edhe ruajtës i shpresës, i gjuhës dhe i identitetit kombëtar.
Vlera e këtij libri qëndron pikërisht në faktin se autori ka shënuar përjetimet dhe ngjarjet e kohës, duke lënë një burim të rëndësishëm për kujtesën kolektive dhe për brezat që vijnë.
Është për t’u përgëzuar familja e autorit, në veçanti djali i tij, Artan Nimani, për angazhimin që dorëshkrimi i të atit të bëhej vepër e botuar dhe të mos mbetej vetëm një kujtim familjar.

Një mësues që shkroi në flakët e luftës, la pas një dëshmi që nuk duhet të shuhet me kalimin e kohës. Sepse historia nuk ruhet vetëm në dokumentet zyrtare, por edhe në kujtimet, ditarët dhe dëshmitë e njerëzve që e përjetuan atë.

Respekt për kujtimin e Metë Nimanit dhe mirënjohje për ata që kujdesen që fjala dhe dëshmia e tij të jetojnë ndër breza.


