Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë
1. Sipas të gjitha gjasave, edhe Kosova do të bëhet së shpejti me ambasador amerikan, ngase Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tashmë veç ka nominuar Mikhail Bogachekun për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Presidenti Trump, në fakt, duke ia përcjellë emrin Senatit amerikan për shqyrtim dhe konfirmim, po i hap rrugë rikthimit të përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori në Kosovë. Ajo çfarë e bën interesant këtë emërim nuk është atmosfera e nominimit formal, por akti i rikthimit të vëmendjes publike, jo aq kah raportet apo marrëdhëniet me administratën e Trumpit, sa me vetë shtetin amerikan, i cili, që nga themelet e shtetësisë së Kosovës, e ka marrë përsipër si njohjen, ashtu edhe procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Tani, meqë vakumi i mungesës së përfaqësuesit të shtetit ende më të fuqishëm në botë po përfundon edhe formalisht, ajo çfarë mund dhe duhet të debatohet në këtë rast janë sfidat që e presin ambasadorin Mikhail Bogachek, me të zbritur në tokën e Kosovës.
2. Sfida këto që, në shumë shkrime të mëhershme, i kam identifikuar si sfida ekzistenciale për identitetin e narrativës shtetërore. Midis tyre janë edhe dilemat rreth vazhdimit të mbështetjes amerikane ndaj Kosovës, pastaj tema e dialogut (lexo: negocimit) me Serbinë, ajo mbi sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, si dhe ajo që lidhet me interesat strategjike të Amerikës. Andaj them se ky emërim, që pritet të ndodhë, është edhe një shans, madje edhe një test i ri i rishqyrtimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, sidomos kur këto raporte trajtohen në kontekstin e rrethanave dhe prioriteteve të sotme gjeopolitike globale. Po ashtu, duhet kuptuar se ky emërim nuk nënkupton vetëm përfaqësimin diplomatik të Amerikës në Kosovë, por njëkohësisht edhe artikulimin dhe harmonizimin e interesave, pritshmërive dhe prioriteteve amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
3. Që nënkupton se, kur flasim për telashet që i ka pasur Republika jonë gjatë ngërçit, ku domosdoshmërisht zë vend edhe ajo e “time-out”-it apo e vakumit të krijuar nga mungesa e fokusit amerikan në këto dy vitet e fundit, duhet pasur parasysh gjithnjë aktin dhe faktin e mungesës së vëmendjes amerikane ndaj këtyre proceseve e zhvillimeve. Ndërkaq, nëse tani i adresohemi temës së vazhdimësisë së partneritetit strategjik, pastaj sfidës së dialogut Kosovë–Serbi e sidomos sfedës së aftësisë sonë për një qasje më pragmatike ndaj administratës Trump dhe rajonit, mendoj se sfida kryesore e ambasadorit të ri amerikan, nëse konfirmohet nga Senati, do të mbetet edhe për një kohë ajo e rindërtimit dhe konsolidimit të besimit politik, si mekanizmi më relevant ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.
4. Po them kështu edhe për shkakun se ambasadori Mikhail Bogachek është duke ardhur pikërisht në kohën kur marrëdhëniet Kosovë–SHBA kanë kaluar nëpër një periudhë jo fort të favorshme, sidomos pas pezullimit të Dialogut Strategjik në vitin 2025, të cilin Serbia e shfrytëzoi politikisht dhe diplomatikisht për ta avancuar pozicionimin e saj ndërkombëtar. Dhe, duke e analizuar ardhjen e tij nga ky këndvështrim, sfidë nuk do të jetë vetëm sfera diplomatike, por edhe ajo institucionale, e sidomos sfera e sigurisë dhe e stabilitetit rajonal. Këtu, me siguri, supozohet harmonizimi i pritshmërive dhe interesave tona me prioritetet e SHBA-ra. Nëse rëndësinë e emërimit të tij vazhdojmë ta trajtojmë edhe si vazhdimësi të mbështetjes amerikane për dialogun, sigurinë dhe padyshim edhe ekonominë, ku nuk qëndrojmë aspak mirë, ngase, duhet të jemi të gatshëm të kuptojmë se nominimi i tij do të jetë shumë më shumë një sinjal apo një referencë për vazhdimësinë e pranisë dhe angazhimit diplomatik amerikan në Kosovë, sesa ndonjë garanci automatike se të gjitha raportet politike do të kthehen në gjendjen e mëparshme të pasluftës.
5. Ndërkaq, kur është fjala te dialogu me Serbinë, jam shumë i bindur se ambasadori Mikhail Bogachek do të përballet me një dosje tejet komplekse, edhe për shkakun se interesat momentale gjeostrategjike të Uashingtonit janë të orientuara sidomos kah stabiliteti rajonal, ndërsa Kosova kah njohja e sovranitetit të saj dhe trajtimi i saj si subjekt i barabartë shtetëror me shtetet përreth. Kur jemi te kjo çështje e ndjeshme për ne, mendoj se do të ishte shumë e rëndësishme që stabiliteti rajonal të mos (keq)interpretohet si kompromis i njëanshëm i Kosovës ndaj pushtetit të ri politik opozitar në Serbi… Më lart përmendëm edhe aspektin ekonomik, i cili, në gjykimin tim, kur janë në pyetje marrëdhëniet tona me SHBA-në, që nga koha e pasluftës ka mbetur tejet në periferi. Dhe ky “periferizëm”, për të mos thënë i skajshëm, është shkaktuar pikërisht me fajin e të gjitha qeverive tona të pasluftës, për shkak se nuk ditën apo nuk deshën t’i sinkronizojnë interesat tona strategjike me ato amerikane. Të mos harrojmë se prapa çdo interesi politik, të cilit ne i kemi kushtuar më shumë vëmendje, fshihet edhe interesi ekonomik.
6. Fushat që do të mund të shndërroheshin në projekte investimesh të karakterit dhe interesit shtetëror janë ato të bashkëpunimit teknologjik, të sigurisë kibernetike dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ku Trepça do të mund të fillonte të ringjallej në perspektivë përmes një “Marrëveshje xhentëlmene” afatgjate. Po them kështu edhe për shkakun se Administrata Trump e ka dëshmuar se diplomacinë e sheh edhe përmes lentës së interesit dhe rezultateve konkrete ekonomike. Prandaj, Qeveria aktuale kosovare duhet ta kuptojë se partneriteti strategjik me SHBA-në nuk mund të mbështetet vetëm në kredencialet dhe kapitalin historik të së kaluarës, por duhet të jetë e gatshme që, përmes një diplomacie shumë më ofensive, më pragmatike e më praktike, të prodhojë edhe kapacitete të reja bashkëpunimi për të ardhmen. Pra, Kosova, në dioptrinë e sociologjisë politike, do të duhej definitivisht të artikulojë një “road map” të re kreative apo një strategji të qartë shtetërore përballë Uashingtonit. Sepse, në marrëdhëniet e reja ndërkombëtare, që ngadalë, por sigurt po marrin konturat e një rendi bipolar, miqësia historike e vitit 1999, ndonëse mbetet një kapital i rëndësishëm diplomatik, nuk mund të zëvendësojë politikën e mençur, komunikimin institucional dhe aftësinë për t’i harmonizuar interesat dypalëshe. Me fjalë të tjera, historia mund të na sigurojë respektin e partnerit, por vetëm aftësia për të prodhuar interesa të përbashkëta mund ta garantojë vazhdimësinë e partneritetit afatgjatë.
7. P.S. Qeveria, opozita, shoqëria civile, po edhe mediet sociale kosovare, ardhjen e ambasadorit të ri amerikan nuk do të duhej ta kundronin ekskluzivisht vetëm si garanci të plotë të mbështetjes amerikane, por shumë më shumë si një mundësi reale e pragmatike për ta rikthyer partneritetin strategjik në nivelin e një agjende konkrete, të matshme dhe, çka është më e rëndësishme, shumë më afatgjatë. Sepse, në diplomacinë e re globale, nuk mjafton vetëm të jesh mik historik i një fuqie të madhe, por, duhet të dish edhe si ta shndërrosh këtë miqësi të fituar me sakrificë, në interes të përbashkët strategjik për të ardhmen…




