Këto ditë jemi dëshmitarë të shumë debateve, ku secili mundohet të gjejë si shkaqet, ashtu edhe arsyet e logjikshme (a)politike të vonesave rreth krijimit të institucioneve të reja të Republikës, që derivuan nga zgjedhjet e 6 qershorit. Shumica mundohen të gjejnë argumente pro et contra kësaj situate dhe terreni për disa edhe incognita, por, nëse analizojmë me kokë të ftohur dhe për imperativ kemi ekskluzivisht interesat e shtetit, padyshim që do të mund të japim përgjigje meritore në shumë pyetje. Dhe, nëse nisemi nga ajo më e thjeshta: përse z. Albin Kurti si fitues po heziton të krijojë institucionet e reja? Pra, si mund të interpretohet kjo sjellje e neglizhimit dhe vonesës, për disa e (pa)kuptueshme e për disa madje edhe absurde kur i njejti ishte fitues pothuajse absolut i tri palë zgjedhjeve demokratike?
Unë “dëshirën” apo sjelljen e Z. Kurtit për të (mos)pasur institucione, do ta trajtoja më shumë si një kalkulim strategjik për një marrëveshje që e relativizon dominimin e tij si lidership aktual karizmatik në skenën politike, se sa ndonjë zgjidhje të njëmendët për “kaosin” ku gjendemi.
Mirëpo, nëse këtë kureshtje tonën për frikën nga relativizimi, apo, thënë më shqip, “fobinë”nga gërryerja eventuale e karizmës së tij, tentojmë ta “dekonspirojmë” me ca parametra sociologjik, do arrijmë të kuptojmë shumëçka si për proceset aktuale brenda Kosovës, ashtu edhe për zhvillimet aktuale rajonale.
Që, shprehur me gjuhën sociologjike i bie se krejt narrativa e zvarritjes apo ngërçit dhe, tash së fundi, siç e kam quajtur, “kaosit të kontrolluar”, ka të bëjë jo edhe aq me dilemën se “kush do t’i krijojë institucionet?”, sa me atë se “kush do ta kontrollojë”arkitekturën e ardhshme të pushtetit pasi ajo të krijohet? Dhe, në këte gjykim mu po më duket se këtu qëndron “lepuri i vërtetë” i krizës aktuale. E themi kështu edhe për shkak se vizioni i Kurtit për ndryshimin e arkitekturës së vjetër kushtetuese (“ahtisariane”), tash me mjete demokratike, e jo me rebelime (rezistencë publike) dhe protesta të njëpasnjëshme, sikurse vepronte derisa ishte në opozitë (kontestimi i flamurit, mospranimi i Rambujesë, tymnaja në Kuvend, etj.), mund ta bëjë normativisht vetëm me “pushtimin” e pikave kyçe të pushtetit që i kishte ish-opozita dhe opozita e tanishme.
Kështu që, e gjithë kjo odisejadë e prolongimit, që, dorën në zemër, as opozita, as mediet, e as shoqëria civile nuk janë kah e kuptojnë sa dhe si duhet. Tani, nëse bëjmë një përpjekje për ta zbërthyer krejt këtë sjellje jo edhe aq “empatike” e do shtoja jo edhe krejt indolente e naive, e madje as irracionale (që opozita e dalldisur pas pushtetmbajtjes fare s’po e kupton!?), do të mund të kuptonim shumëçka.
E para, Albin Kurti ka shumë gjasa që nuk është shumë i interesuar e aq më pak i ngazëllyer pas nevojës së krijimit të shpejtuar të institucioneve, të cilat, edhe me numrat e 6 qershorit, ia japin komoditetin e rishtrirjes së pushtetit të tij në pothuajse të gjitha institucionet relevante të Republikës, sa me synimin dhe ambicien për ta maksimalizuar skajshmërisht këtë pushtet të ripërsëritur në të gjitha hallkat zgjedhore gjatë këtyre gati dy viteve. Dhe, nga ky këndvështrim, që prapë s’po e kupton fare opozita, Kurti 4 nuk ka asfarë interesi e synimi të krijojë një qeveri me çdo kusht, nëse çmimi është t’u japë PDK-së, LDK-së apo AAK-së ndonjë rol kyq në Projektin e nisur për “Republikën e tretë”. Arsyeja është shumë e thjeshtë: opozita të vetmen ambicie e synim e ka ruajtjen e status quo-së, që i bie “Republikën ahtisariane”, e cila edhe ua mundësoi pushtetmbajtjen gati dydekadëshe. Dhe hyrja në një bashkëqeverisje apo koalicion eventual me VV-në, në fakt nënkupton margjinalizim sistematik po edhe”vetëvrasje” definitive politike të opozitës. Këtu, duket që PDK-ja është shumë më vigjilente dhe e kujdesshme, ndërkaq LDK-ja po mendon dhe po shpreson se do të rritet me bashkëqeverisjen e ofruar nga Albin Kurti! Situata e ripërsëritjes së ngërçit përputhet në tërësi me logjikën, taktikat dhe edhe strategjinë afatgjatë të VV-së, se “më mirë një kaos i kontrolluar”, sesa një “koalicion i brishtë” që do të mund ta kufizojë, po edhe ta pengojë ate seriozisht ecjen e saj kah ndryshimi i arkitekturës së vjetër kushtetuese.
E dyta, jam shumë i bindur që një qeveri e krijuar me kompromiset në të cilat po insiston me ngulm (por, pa një artikulim dhe argument të duhur!) do ta reduktonte, po edhe do ta ngadalësonte shumë autonominë e vendimmarrjeve të ardhshme politike të LVV-së, në drejtim të “Republikës së tretë”. Ky element apo argument që po e themi, në fakt është edhe shkaku kryesor i neglizhimit apo zvarritjes që po ndodhë këto gati 20 muaj rreth rikrijimit të institucioneve të reja. Kur jemi te kjo hipotezë e njohur sociologjike, duhet potencuar se kriza e “kaosit të kontrolluar” e ushqen në vazhdimësi narrativën e “LVV kundër ish-establishmentit”, ku antagonizmi “populli kundër establishmentit” është ende ajo “lokomotiva” që “mirëmban” krejt identitetin e saj politik. Dhe, në momentin kur kjo narrativë futet në bashkëqeverisje apo koalicione klasike me cilindo subjekt opozitar (qoftë edhe LDK-ja e përçarë), kjo vijë ndarëse zbehet dhe LVV shndërrohet në një entitet të njëjtë apo “normal”sikurse opozita. Duket që tani për tani, ajo nuk e ka këtë luks. Është paradoksale për shumë studiues seriozë, po edhe politikan largpamës, që mosmarrëveshja eventuale me gjithë opozitën apo një pjesë të saj mund të jetë shumë më e leverdishme dhe më profitabile si kapital politik për mobilizimin e elektoratit, sesa kompromisi eventual me cilindo subjekt opozitar.
E treta, ajo në çfarë unë mendoj se janë duke kalkuluar strategët e LVV-së (nëse i ka!) ka të bëjë me pritjet, po edhe angazhimin e tyre për mënyrat se si dhe sa do të mund të konsumohet kriza e “kaosit të kontrolluar” për ta zgjeruar perceptimin jo vetëm tek elektorati i saj militant, vet, por tek gjithë votuesit kosovarë, se opozita duhet të konsumohet përmes fajësimit dhe papërgjegjësisë për t’u futur në koalicion me LVV-në. Në mënyrë që kjo opozitë në një të ardhme jo fort të largët, edhe të margjinalizohet tërësisht nga skena politike e Kosovës. Kjo strategji e “konsumimit” të skajshëm të kundërshtarit qoftë ai politik apo ideologjik, në sociologjinë e zhvillimit, njihet kaherë dhe aplikohet edhe në demokracitë e sotme të avansuara. Kështu, nuk janë të rastësishme pyetjet inteligjente e ngabdonjëherë edhe retorike të Albin Kurtit, kur insiston nga PDK-ja të tregojë arsyen e vërtetë se “përse nuk bashkëpunon?”, ose nga LDK-ja se “përse nuk bën kompromis?!”
Së fundi, narrativa rreth temës së Presidentit duket që është edhe më e komplikuar sesa puna e koalicioneve dhe bashkëqeverisjes. Kurti, në gjykimin tim sociologjik, është para një dileme “hamletiane”: të bëjë kompromis, pra të lidhë koalicion formal me ndonjë subjekt politik (në këtë rast me LDK-në e përçarë) dhe ta tejkalojë krizën e “kaosit të kontrolluar”, që, si duket, i ka lodhur që të gjithë aktorët e brendshëm, e sidomos ata të Washingtonit dhe Brukselit, pra, ta bëjë, siç thuhet, një “time-out” politik, përmes të cilit ai përkohësisht do ta shtynte Projektin e ndryshimit normativ të Kushtetutës “ahtisariane”, ose t’i ekspozohet rrezikut dhe presionit për paaftësi e papërgjegjësi (laku që opozita po mundohet, me mish e me shpirt, t’ia amputojë) për menaxhimin e krizës. Ai mund të besojë se zgjedhjet e reja do t’i japin rezultat më të mirë elektoral që, si hipotezë e “riskut elektoral” apo një bixhozi politik veç u testua në zgjedhjet e 6 qershorit, por, nuk duhet harruar se rritja e abstenuesëve, më as atij e as opozitës nuk u japin kurrfarë garancioni blanko qoftë edhe për ndonjë “fitore të Pirros”.
Prandaj, pyetja e vërtetë nuk është më vetëm se kur do të krijohen institucionet, por se çfarë çmimi politik është i gatshëm të paguajë Kurti për t’i krijuar ato…



