Kjo fotografi që vendoset më poshtë, si edhe shumë të tjera që po qarkullojnë, nuk janë thjesht fotografi. Ato janë dëshmi e një realiteti politik që nuk mund të fshihet më pas retorikës dhe kalkulimeve elektorale. Ato dëshmojnë se lidhjet dhe aleancat ndërmjet segmenteve të politikës dhe Islamit Politik vazhdojnë të funksionojnë mbi bazën e interesave të ndërsjella.

Fotoja flet vet, pa pasur nevojë për sqarime të tjera…Në këtë foto është poltikani Fatmir Limaj me Naim Tërnavën, duke e vendosë gurin themeltar të xhamisë në Malishevë, se pak po iu duken atij e tjetrit se kemi xhami. Malisheva dhe Kosova janë mjaft të varfëra, andaj edhe gjithë kjo ikje e rinisë nga vendi. Por, pasi nuk po munden ta ndalin gjithë këtë ikje, politikanët tonë po mendojnë njejt si Naim Tërnava me terma religjioz për vendin, pavarësisht se kush do të jetë ai “popull” që do t’i gëzoj xhamitë e tilla, pas ikjes kaq të madhe të rinisë sonë, që të tillët me grykësinë e pandjeshmërinë e tyre nuk po i lënë shteg në jetë.
___
Politikanët kërkojnë vota, ndërsa Islami Politik kërkon hapësirë dhe ndikim për agjendën e vet. Ky është një pazar politik që nuk duhet të bëhet në kurriz të identitetit kombëtar dhe të karakterit laik të shtetit.
Për një grusht votash nuk mund të sakrifikohen parimet. Për interesa të çastit nuk mund të lejohet që feja të shndërrohet në instrument politik dhe politika në instrument të agjendave fetare.
Dhe pyetja që duhet t’ua bëjmë të gjithë atyre që marrin këto vendime është e thjeshtë: çfarë mesazhi po i japim shoqërisë sonë kur ndërtojmë objekte fetare, ndërsa shkollat po mbyllen për mungesë nxënësish? Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture. Është çështje e vizionit që kemi për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
Ne nuk kemi asgjë kundër besimit dhe të drejtës së secilit për ta ushtruar atë. Por jemi kategorikisht kundër instrumentalizimit të fesë për qëllime politike dhe kundër çdo përpjekjeje për ta zëvendësuar identitetin kombëtar shqiptar me një identitet politik-fetar.
Shqiptarët e kanë dëshmuar ndër shekuj se mund të jenë të besimeve të ndryshme dhe, megjithatë, të jenë një komb. Kjo është pasuria jonë dhe kjo është forca jonë.
Identiteti shqiptar nuk është pronë e asnjë feje, partie apo grupimi politik.
Lëvizja e Deçanit dhe lëvizjet e tjera kombëtare e liberale do të vazhdojnë të qëndrojnë fuqishëm në mbrojtje të shqiptarisë, të shtetit laik, të lirisë së besimit dhe të orientimit euroatlantik.
Ata që sot bëjnë kalkulime me vota mund të fitojnë një mandat, një pozitë apo një palë zgjedhje. Por historia dhe qytetarët i mbajnë mend shumë gjatë ata që për interesa të ngushta politike sakrifikojnë parimet kombëtare.

Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë me bindjen se shqiptaria bashkon, ndërsa instrumentalizimi politik i fesë përçan.
„Feja e shqiptarit është shqiptaria.“
Kjo nuk është thirrje kundër besimit. Është thirrje për ta vendosur kombin, shtetin, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në vendin që u takon.
Shqiptarët kudo që janë, të bashkuar rreth shqiptarisë, shtetit laik, lirisë dhe vlerave euroatlantike!
Kurrë të qetë nuk duhet të rrijmë përderisa aleancat e padukshme antishqiptare të frymës së Vëllazërisë Myslimane”, me të cilat pajtohen Turqia, Serbia e Rusia, po e sfidojnë shqiptarizmën.



