Sipas Bedri Tinzakut, Ganimete Musliut dhe motrës së saj Shoshes, “ekspertes” së pikave të shiut nga Trekëndëshi i Bermudës, nuk është fajtor ai që e kryen krimin, por populli që e kritikon krimin dhe policia që përpiqet ta arrestojë kriminelin.
Fatkeqësisht, në këtë kurth manipulues duket se kanë rënë të gjithë krerët e opozitës sonë, pa përjashtim.
Një skenar të tillë absurdi do ta kishte zili madje edhe skenaristi i “vuajtjeve inekzistente të serbëve të Kosovës” Mirosllav Sholjeviçi.
Sipas logjikës së disa veteranëve të pushtetit të vjetër, në Kosovë kurrë nuk ka pasur fajtorë politikë — vetëm fenomene misterioze kozmike.
Tenderët nuk i ka manipuluar askush. I kanë manipuluar UFO-t.
Privatizimet e dyshimta nuk i ka bërë politika mafioze. I kanë bërë ekzaltuesit erotikë të Trekëndëshit të Bermudës.
Punësimet partiake nuk i kanë organizuar shefat e pushtetit. I ka organizuar astrologjia ballkanike.
Prokuroria dhe gjyqësori nuk janë paralizuar nga ndikimi politik. Thjesht kanë rënë në një gjumë hipnotik kolektiv.
Ndërsa miliardat e zhdukura, për të cilat qytetarët kërkojnë përgjigje, me siguri i ka përpirë ndonjë vrimë e zezë mbi Prishtinën.
Dhe sa herë që ndonjë gazetar apo kundërshtar politik ngrinte pyetje për vrasjet politike, për krimin dhe korrupsionin e udhequr nga shteti, për koncesionet klienteliste, për pasurimet e menjëhershme apo për privatizimet që i lanë punëtorët në rrugë, ai ose zhdukej sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, ose menjëherë dilnin analistët e regjimit për të shpjeguar se problemi nuk ishte pushteti, por qytetari që “nuk e kuptonte shtetin”.
Në atë kohë, patriotizmi ishte shndërruar në deodorant politik: përdorej më së shumti nga ata që kishin më së shumti nevojë për ta mbuluar erën e rëndë të hajnisë, kërcënimit, mashtrimit, manipulimit, uzurpimit, dhunës, shantazhit, kidnapimit, krimit, korrupsionit dhe tradhtisë.
Historikisht, çdo elitë që qëndron gjatë pranë parasë publike fillon ta ngatërrojë shtetin me pronën private. Kjo nuk është vetëm histori kosovare, por sëmundje universale e pushtetit primitiv.
Filozofikisht, pushteti i pakontrolluar krijon një kastë njerëzish që nuk besojnë më se duhet të japin llogari. Ata fillojnë të besojnë se kritika është tradhti, se gazetaria e lirë është armiqësi dhe se drejtësia është një instrument i djallit që duhet të veprojë vetëm kundër kundërshtarëve politikë.
Psikologjikisht, njeriu i rrethuar për vite me militantë, me servilë dhe me duartrokitës profesionalë e humb kontaktin me realitetin. Ai fillon të besojë se çdo humbje është komplot, se çdo hetim është sulm ndaj shtetit dhe se çdo kritik është armik i kombit.
Por sociologjia politike thotë diçka tjetër: populli mund të heshtë për një kohë të gjatë, por kur fillon të qeshë me elitën, ajo ka humbur jo vetëm moralisht, por edhe realisht dhe përfundimisht.
Sot, shumë qytetarë nuk zemërohen më me propagandën e vjetër — ata qeshin me të. Qeshin siç qeshin shqiponjat me përpjekjet e bufave të errësirës për të fluturuar më lartë dhe më shpejt se ato vetë.
Qeshin sepse u premtua shtet ligjor, por u panë pazare politike. U premtua meritokraci, por mbizotëroi nepotizmi. U premtua drejtësi, por drejtësia ende çalon siç çalon magarica e plagosur nga duart e gjuetarëve politikë.
Prandaj “fatura” që do t’u vijë në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 nuk do të jetë hakmarrje. Do të jetë diçka shumë më e thjeshtë dhe më e rëndë për elitën e vjetër:
Do të jetë momenti kur populli do të vendos të mos ketë kurrë më frikë nga mitet e tyre.
Në kohën e “moralit elastik” politik, Kosova ishte vendi ku skandalet nuk kishin autorë, por vetëm “rrethana misterioze”.
Nëse zhdukej një tender — faji ishte i mjegullës. Nëse zhdukeshin dy tre miliarda euro — i kishte gëlltitur vrima e zezë e kozmosit. Nëse një drejtor bëhej milioner brenda natës me rrogë shtetërore — ai quhej “histori suksesi” që i frymëzon hajnat amatorëtë të shndërrohen në hajna profesionistë.
Sipas disa televizioneve të asaj kohe, krimi i organizuar nuk ishte vepër njerëzore, por aktivitet i UFO-ve diplomatike.
Politikanët dilnin me fytyra të trishtuara patriotike dhe betoheshin: “Ne nuk kemi lidhje me këto gjëra.”
Ndërsa pas tyre qëndronin analistët e oborrit, që çdo vjedhje e shpjegonin si “stabilitet institucional”.
Nëse vidhej buxheti, ata i sugjeronin qytetarëve : “mos e destabilizoni shtetin me kritika”.
Nëse kapeshin institucionet: “mos e sulmoni demokracinë”.
Nëse kritikohej pushteti: “po i ndihmoni armikut”.
Në fund, gjithçka reduktohej në një absurditet të vetëm: hajduti bëhej figurë e famshme publike, ndërsa qytetari bëhej fajtor pse e kishte parë.
Historikisht, kjo nuk është tragjedi e re. Perandoritë rrënohen gjithmonë kur besojnë se propaganda është më e fortë se kujtesa e popullit.
Filozofikisht, elitat gabojnë rëndë kur e ngatërrojnë duartrokitjen me dashurinë e vërtetë.
Psikologjikisht, ai që dëgjon çdo ditë se është “shpëtimtar” fillon të besojë se realiteti i bindet atij.
Sociologjikisht, populli nuk lodhet vetëm nga varfëria, por nga fyerja e inteligjencës.
Dhe kështu vjen dita kur populli fillon të qeshë.
Kur fillon të qesh me propagandën, me analistët, me moralizuesit e rremë dhe me opozitarët ceremonialë që flasin për drejtësi siç flasin piromanët për zjarrfikësit.
Dhe kur populli qesh me pushtetin, pushteti ka humbur — edhe para numërimit të votave.
Prandaj zgjedhjet e 7 qershorit 2026 mund të mos jenë revolucion kulturor.
Mund të jenë diçka më e thjeshtë dhe më e pashmangshme:
Fundi grotesk i një klase politike që për vite e trajtoi popullin si të verbër — derisa populli ia skanoi zemrën, zorrët dhe mushkëritë si skaneri më modern.


