Kundërpërgjigje kryeideologut të tjetërsimit- Haxhi Qamilit të kohës sonë – Akademik Milazim Krasniqit Reagimi i fundit dhe gjuha stigmatizuese ndaj iniciativave për rikthimin e identitetit rrënjësor të shqiptarëve nuk janë gjë tjetër veçse vazhdimësi e një projekti të vjetër: frikës nga vetëdijësimi kombëtar.
Kur nismat qytetare e atdhetare cilësohen si “probleme sigurie” apo “shoqata hibride”, bëhet e qartë se mbrojtësit e status-quo-së nuk kanë problem me sigurinë e shtetit, por me prishjen e rehatisë së tyre ideologjike. “Lëvizja për Rikthim” dhe lëvizjet e tjera atdhetare erdhën si pasojë dhe nuk u importuan nga jashtë.
Ato lindën si një reaksion natyror mbrojtës ndaj një procesi të rrezikshëm, i cili ka vite që vepron në heshtje: tentativës për tjetërsimin e kombit shqiptar nga një popull me identitet europian, në një “ummet” pa kufij kombëtarë dhe në shërbim të agjendave gjeopolitike neo-osmane, serbe dhe arabe. Për dekada me radhë, nën petkun e “lirisë fetare”, shoqëria jonë u përball me një agjendë agresive që tentoi të tjetërsonte narrativën tonë historike. Nuk ishin lëvizjet atdhetare ato që nxitën përçarjen, por ishin pikërisht rrymat ekstreme dhe predikimet e mjaft hoxhollarëve që me vite të tëra e helmuan mendjen e rinisë tonë.
A nuk ishin pikërisht këta hoxhollarë që i nxitën dhe i çuan djemtë tanë të luftojnë e të vriten për tokat e shkretëtirat arabe, duke i përdorur si mish për top për kauza të huaja?
A nuk punuan ata drejtpërdrejt në favor të Serbisë, duke e paraqitur Kosovën para botës si çerdhe të ekstremizmit fetar e jo si një popull liridashës e europian?
Kemi parë pa ndërprerë tentativa për të zbehur e baltosur figurat më supreme të kombit, duke filluar nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, te At Pjetër Bogdani e deri te Nënë Tereza – simbole këto që nuk i përkasin një feje të vetme, por janë vetë shtyllat mbi të cilat qëndron qenia jonë kombëtare.
Tjetërsimi i shqiptarit dhe shndërrimi i tij në një besimtar pa atdhe, është projekt antikombëtar që historikisht u ka shërbyer qarqeve serbe dhe neo-otomane për ta paraqitur faktorin shqiptar në Europë, jo si një popull autokton me të drejta të plota të vetëvendosjes, por si një mbetje orientale dhe pa rrënjë kulturore europiane. Në këtë kontekst, tentativat për ta paraqitur orientimin kombëtar si “krizë të Perëndimit” ose si “fantazi”, janë vetëm retorikë e lodhtë për të mbuluar regresin.
Të quash të drejtën e shqiptarit për t’iu kthyer rrënjëve të veta si një “akt idiotik”, është armiqësi dhe trashëgimi e pastër e ideologjisë haxhiqamiliste, e cila identitetin e lidhte me nënshtrimin ndaj pushtuesëve e dogmave të huaja, dhe jo me lirinë e Atdheut. Përpjekja për ta paraqitur Katolicizmin apo Krishterimin si diçka “të huaj” për Kosovën, e injoron të vërtetën më themelore historike: Krishterimi te shqiptarët nuk është import, është autoktoni.
Rilindja Kombëtare Shqiptare, gjuha shqipe, alfabeti i Manastirit dhe vetë nocioni i shtetit shqiptar u ngjallën e u ruajtën nga klerikë e intelektualë katolikë. Po ashtu, aleanca strategjike e Kosovës me Uashingtonin, me Brukselin dhe me botën perëndimore nuk u ndërtua mbi kalkulime teologjike, por mbi vlera të përbashkëta qytetëruese.
Mbështetja historike e Perëndimit për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe u ushqye nga vizioni i një Kosove demokratike, sekulare dhe europiane – vizion të cilin e promovuan me ngulm arkitektët e shtetit tonë, me në krye Presidentin Ibrahim Rugova.
Prandaj, Lëvizja për Rikthim nuk kërkon urrejtje e as përçarje, por çlirimin e hapësirës publike nga diktati i frikës dhe etiketimit. Nëse çdo individ ka të drejtë të zgjedhë besimin e tij, përse na qenka “kërcënim sigurie” kur një shqiptar vendos t’i kthehet besimit të të parëve të tij?
Përse ndërtimi i një kishe apo konvertimi i lirë i disa qytetarëve na qenka “provokim”, ndërsa ndërtimi i mijëra xhamive me financime të dyshimta lindore na qenkan “normale”? Përgjigjja është e qartë: sepse rikthimi te rrënjët tona ua shkatërron narrativën atyre që duan ta mbajnë shqiptarin peng të një identiteti të tjetërsuar.
Shqiptarët nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen komplekseve të ideologëve të vjetër. Rruga jonë është ajo që ka qenë gjithmonë: e vetmja rrugë ku feja i nënshtrohet Atdheut, dhe ku identiteti ynë është Një me atë të Perëndimit.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!
Lëvizja për Rikthim Prishtinë, 29.07.2026


