ARKIVI:
12 Korrik 2026

Historia nuk shkruhet me legjenda politike!

Shkrime relevante

Milazim Krasniqi e paraqet historinë kombëtare shqiptare si histori fetare

Basri Beka, Prishtinë Kundër narrativës serbe të Milazim Krasniqit: Historia shqiptare nuk...

Historia nuk shkruhet me legjenda politike!

Kolë Krasniqi, Pejë Deklarata se Turqia i kishte paralajmëruar Shtetet e Bashkuara...

Historia nuk është privilegj, është e drejtë !

Nga Frank Shkreli Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të...

Zjarri me model të xhamisë digjet në Irlandën e Veriut

Christian Skaug / Document.no Zjarri me një model xhamie e Moygashel në...

Mendime të Xhevat Gjinit për “mërgatën e qyqeve të reja”…!

Gjevat Gjini, Viti Mërgata e qyqeve të rejaNeve, kësaj here më shumë...

Shpërndaj

Deklarata se Turqia i kishte paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë “pa e pyetur askënd” është bërë publike pa sqaruar se kush e kishte përcjellë këtë mesazh, cilit përfaqësues amerikan i ishte drejtuar, kur dhe ku ishte zhvilluar komunikimi, si dhe në cilin dokument, procesverbal diplomatik apo dëshmi të verifikueshme mbështetet ky pretendim.
Në formën e paraqitur, nuk kemi të bëjmë me një fakt historik të dokumentuar, por me një rrëfim personal, të pakonfirmuar dhe tërësisht të paargumentuar. Pretendime të kësaj natyre nuk mund të pranohen si të vërteta historike pa u mbështetur në burime autentike, dokumente zyrtare dhe dëshmi të verifikueshme. Përndryshe, ato shndërrohen në mite politike që shtrembërojnë të kaluarën dhe i shërbejnë një narrative të caktuar ideologjike.
Literatura akademike mbi politikën e Turqisë ndaj Kosovës paraqet një qendrim krejtesisht tjetër. Deri në përshkallëzimin e konfliktit, qëndrimi i Ankarasë karakterizohej nga kujdesi i theksuar diplomatik, pasiviteti relativ dhe shmangia e çdo përfshirjeje të njëanshme, gjë që kishte shkaktuar zhgënjim edhe te populli dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës.
Në atë periudhë, Turqia mbështeste ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë dhe nuk kishte artikuluar publikisht ndonjë kërcënim për ndërhyrje të pavarur ushtarake. Për më tepër, në vitin 1998, presidenti turk Süleyman Demirel i kishte dërguar Sllobodan Millosheviqit një letër, në të cilën theksonte se edhe Turqia përballej me problemin e “terrorizmit” në territorin e saj. Ky qëndrim dëshmon se politika turke e asaj kohe ishte shumë më e përmbajtur dhe më e orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit rajonal sesa sugjeron pretendimi se Ankara ishte e gatshme të ndërhynte në Kosovë “pa e pyetur askënd”.
Turqia më pas mori pjesë në fushatën ajrore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, por veproi në kuadër të NATO-s dhe nën strukturën e përbashkët komanduese të Aleancës, jo përmes ndonjë ndërhyrjeje të njëanshme apo të pavarur ushtarake.
Kontributi i Turqisë si shtet anëtar i NATO-s duhet njohur dhe respektuar në përmasat e tij reale dhe të dokumentuara. Mirëpo, ky kontribut nuk mund të shndërrohet në një mit, sipas të cilit Turqia ishte e gatshme ta çlironte Kosovën e vetme, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja paraqiten pothuajse si aktorë dytësorë.
Narrativa të tilla nuk përbëjnë vetëm pasaktësi historike. Ato krijojnë terren për kultivimin e një nostalgjie perandorake, nëpërmjet së cilës periudha osmane idealizohet, ndërsa roli politik, ushtarak dhe diplomatik i Perëndimit në çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës relativizohet.
Në një kuptim më të gjerë, kjo qasje përputhet me elemente të diskursit neoosman, i cili synon ta paraqesë Turqinë jo vetëm si një shtet mik dhe partner të Kosovës, por edhe si trashëgimtare – jo vetem të një autoriteti historik, kulturor dhe politik por edhe etnik në hapësirat e dikurshme të Perandorisë Osmane. Për këtë arsye, zmadhimi artificial i rolit të Stambollit në luftën e Kosovës nuk duhet parë thjesht si një rrëfim emocional apo i pafajshëm, por si një narrativë që mund të ndikojë në riformësimin e kujtesës kolektive dhe të orientimit politik të shoqërisë kosovare.
Kjo nuk nënkupton mohimin e marrëdhënieve miqësore me Turqinë dhe as të kontributit të saj në kuadër të NATO-s dhe KFOR-it. Kosova duhet të kultivojë marrëdhënie të mira me Turqinë, sikurse me të gjithë partnerët e saj. Por miqësia ndërmjet shteteve nuk mund të ndërtohet mbi mite te rreme, shtrembërime historike apo mbi zëvendësimin e fakteve me nostalgji perandorake.
Padyshim se ky lloj mitologjizimi prodhon tri pasoja të dëmshme: 1- zmadhon artificialisht rolin e Turqisë,
2- relativizon rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s dhe,
3- në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ushqen disponime antiperëndimore në Kosovë.
Kosova nuk duhet të shndërrohet në hapësirë të konkurrencës ndërmjet nostalgjive perandorake. Orientimi i saj historik, politik dhe strategjik është euroatlantik. Pikërisht falë ndërhyrjes së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, populli i Kosovës sot e gezon lirine.
Prandaj, historia e Kosovës nuk duhet të rishkruhet për t’iu përshtatur ambicieve ideologjike të qarqeve te caktuara. Ajo duhet të mbështetet në dokumente, në fakte dhe në një kulturë të përgjegjshme të kujtesës historike.
Kosova ka nevojë për miqësi me Turqinë, por jo për neoosmanizëm; ka nevoje për bashkëpunim, por jo për nostalgji perandorake; ka nevoj për të vërtetën historike, e jo për legjenda te trilluara politike.
Prandaj, para se deklarata në fjalë të paraqitet si e vërtetë historike, z. Shala eshte mire t’i bëjë publike provat: Cili udhëheqës turk e dha këtë paralajmërim? Cilit përfaqësues amerikan iu drejtua? Kur dhe ku u përcoll ky mesazh? Në cilin dokument është regjistruar ky ultimatum etj.?
Padyshim se ky lloj mitologjizimi ka efekt të qartë propagandistik, ngase zmadhon artificialisht rolin e Turqisë, relativizon rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s dhe ushqen një narrativë neoosmane dhe antiperëndimore në Kosovë.
Kosova nuk ka nevojë për legjenda të reja perandorake. Ajo ka nevojë për të vërtetën historike, për mirënjohjen ndaj aleatëve që kontribuuan realisht në lirinë e saj dhe për ruajtjen e orientimit të palëkundur euroatlantik.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu