Kundër narrativës serbe të Milazim Krasniqit: Historia shqiptare nuk është luftë fetare
Me shkrimin e tij, Milazim Krasniqi po promovon një narrativë që është pothuajse 100% në frymën dhe interesin e Serbisë. Tash, kur Serbia e ka humbur luftën me pretendimin se po mbron interesat e saj kombëtare dhe kur propaganda e saj se serbët po përsekutohen në Kosovë po humb besueshmërinë, ajo ka nisur një front të ri propagandistik: pretendimin se gjoja po përsekutohen të krishterët.
Kjo po ndodh pikërisht në kohën kur në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare ka filluar një proces i rikthimit të një pjese të shqiptarëve në krishterim (katolik, protestant dhe ortodoks), si një nevojë për të ruajtur kulturën dhe identitetin shqiptar nga tjetërsimi kulturor. Ky tjetërsim është nxitur përmes investimeve të mëdha të serbis dhe disa vendeve të lindjes në religjionin islam, me synimin për orientim kulturor dhe strategjik drejt Lindjes, gjë që bie ndesh me përpjekjet historike të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe integrim europerëndimor.
Unë nuk dua ta etiketoj individin me fjalor rrugësh apo me opinione të ulëta. Por kur dikush e konsideron veten intelektual dhe pretendon se ka qenë pjesë e proceseve të shtetndërtimit, ndërsa ndërton një narrativë kaq të rreme, të pavërtetë dhe të dëmshme për kombin dhe shoqërinë shqiptare, atëherë duhet të ekzistojë një motiv shumë i fortë. Sepse edhe interesi financiar, ndoshta, nuk do ta çonte një njeri deri në këtë shkallë absurditeti.

Prandaj njerëzve të tillë duhet t’u reagohet jo për shkak të peshës që kanë, por për shkak të helmit dhe gënjeshtrave që shpërndajnë.
Të reduktosh një proces shumë kompleks historik, politik dhe gjeostrategjik në një shpjegim të vetëm fetar, duke e paraqitur historinë si një konflikt të pandërprerë midis “Serbisë së krishterë” dhe “muslimanëve të Ballkanit”, është një shtrembërim serioz i realitetit historik.
Pretendimi i Milazim Krasniqit se Serbia kishte një “mision të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha për të disiplinuar dhe zhdukur muslimanët e Ballkanit” nuk mbështetet në asnjë dokument serioz historik. Fuqitë e Mëdha nuk vepronin mbi baza fetare, por mbi interesa gjeopolitike.
Në Kongresin e Berlinit (1878), në Konferencën e Londrës (1913) apo në Versajë (1919), vendimet nuk u morën si pjesë e një projekti evropian kundër islamit. Madje, i kujtoj Milazim Krasniqit se Kongresi i Berlinit shfuqizoi një pjesë të konsiderueshme të vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, të cilat do të kishin qenë edhe më katastrofike për shqiptarët. Vendimet e asaj kohe u morën mbi bazën e ekuilibrave të fuqisë, interesave strategjike dhe rivaliteteve mes perandorive.
Së dyti, viktimat shqiptare të politikës serbe nuk u persekutuan sepse ishin muslimanë, por sepse ishin shqiptarë. Kjo vërtetohet nga fakti se edhe shqiptarët katolikë kanë qenë objekt diskriminimi, dhune, dëbimi dhe masakrash. Projekti serbomadh ishte para së gjithash etnik dhe territorial, jo thjesht fetar. Nëse feja do të ishte faktori kryesor, atëherë Serbia nuk do të kishte bashkëpunuar në periudha të ndryshme me shtete apo grupe muslimane kur kjo i shërbente interesave të saj.
Së treti, lufta në Kosovë nuk u fitua sepse shqiptarët ishin muslimanë dhe serbët ortodoksë. NATO nuk ndërhyri për arsye fetare, por për shkak të spastrimit etnik, katastrofës humanitare dhe destabilizimit rajonal. Në aleancën që bombardoi Serbinë kishte shtete me shumicë katolike, protestante, ortodokse dhe laike. Ndërsa shtetet muslimane nuk ishin ato që vendosën fatin e luftës.
Së katërti, teza se vetëm SHBA-ja është kundër rolit hegjemonist të Serbisë është e pasaktë. Pavarësia e Kosovës është njohur nga dhjetëra shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë. Bombardimet e NATO-s nuk ishin vetëm politikë amerikane, por vendim i një aleance të gjerë perëndimore.
Së pesti, ky interpretim anashkalon faktin se shqiptarët historikisht kanë mbijetuar jo falë identitetit fetar, por falë identitetit kombëtar. Ideologët e Rilindjes Kombëtare, si Pashko Vasa, ndërtuan formulën “Feja e shqiptarit është shqiptaria” pikërisht për të shmangur ndarjen e kombit në baza fetare. Shqiptarët nuk u organizuan politikisht si komunitet islam, por si komb me muslimanë, katolikë dhe ortodoksë.
Prandaj dobësia themelore e shkrimit të Milazim Krasniqit është se ai e islamizon historinë shqiptare dhe konfliktin Kosovë–Serbi. Kjo qasje e zhvendos fokusin nga karakteri kolonial, nacionalist dhe ekspansionist i politikës serbe dhe e zëvendëson atë me një narrativë fetare, e cila nuk shpjegon as kompleksitetin e historisë shqiptare dhe as arsyet reale pse Perëndimi mbështeti lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në thelb, Serbia nuk luftoi kundër shqiptarëve sepse ishin muslimanë. Ajo luftoi kundër tyre sepse ishin shqiptarë dhe sepse i konsideronte pengesë për projektin e saj territorial. Ky është dallimi thelbësor.
Një tjetër narrativë e dëmshme që Milazim Krasniqi tenton të krijojë është identifikimi i shqiptarëve me Bosnjën dhe boshnjakët muslimanë, duke anashkaluar faktin se shqiptarët dhe boshnjakët kanë pasur përvoja historike, formime kulturore, zhvillime gjuhësore dhe procese shtetformuese krejtësisht të ndryshme.

Dhe në fund, këshilla ime për Milazim Krasniqin është e thjeshtë: të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj fjalës publike. Sepse kur prodhon vazhdimisht narrativa të shtrembëruara, nuk mund ta kontrollosh më se kush i përdor ato, si i përdor dhe çfarë pasojash mund të prodhojnë për shoqërinë dhe kombin shqiptar. E kur dikush tjetër, që e do vendin e vet, e fut thellë tërfurkun në këtë pleh të krijuar, herët a vonë e gjen edhe arsyen pse është prodhuar.



