____
Gjatë qëndrimit tim në Kosovë, pata kënaqësinë të marr pjesë në përurimin e pllakës përkujtimore kushtuar Gjekë Stanishës së Koshutanit të Rugovës, të ngritur nga pasardhësit e tij, koshutanasit.
Për ne, pasardhësit e familjeve të Koshutanit, kjo pllakë ka një domethënie të veçantë: ajo nderon të parët tanë dhe ruan lidhjen me rrënjët tona. Njëkohësisht, na kujton përgjegjësinë për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm historinë, qëndresën dhe sakrificat e paraardhësve.

Sipas mbishkrimit të pllakës dhe të dhënave të përcjella në librin «Rugova kreshnike dhe e kaluara e saj historike» të Fazli Sh. Muriqit – alias Bajraktari, Gjekë Stanisha kujtohet si një ndër qëndrestarët e hershëm të Rugovës kundër pushtetit osman. Rrëfimet e ruajtura ndër breza tregojnë për kundërshtimin e tij ndaj nënshtrimit, kapjen dhe ekzekutimin pa gjyq, si dhe mohimin e një varrimi dinjitoz.

Mirënjohje të gjithë atyre që u angazhuan për ngritjen e kësaj pllake dhe për ruajtjen e kujtesës historike të Koshutanit të Rugovës.

Në vijim, këto janë disa nga fotografitë prej përurimit të pllakës përkujtimore dhe disa fragmente nga libri i lartpërmendur.


