Kosovës nuk i duhen zgjedhje të reja, por një marrëveshje e re politike që e nxjerr vendin nga kriza

Shkrime relevante

Eksponentët e krimit, në rolin e pajtimit!

Idriz Zeqiraj, Gjermani      PDK-ja, me argatët e saj brenda strukturave të...

Kosovës nuk i duhen zgjedhje të reja, por një marrëveshje e re politike që e nxjerr vendin nga kriza

Pro. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan Kosova po përballet përsëri me një krizë...

Mitrovica feston, ura po ndërton – ndërsa Parlamenti po gjëmon!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Kosova po përjeton një nga ato...

Kuvendi ynë na tregon se çfarë kemi zgedhur…!?

Lekë Mrijaj, Klinë Pamja e djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës...

Shpërndaj

Pro. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Kosova po përballet përsëri me një krizë të rëndë politike dhe institucionale e cila ka tendencë të rrezikshme që të përshkallëzohet në një konflikt të ashpër në relacionin pozitë- opozitë. Pas një serie zgjedhjesh brenda dy vitesh, vendi ende nuk po arrin të krijojë institucionet funksionale që i duhen. Përplasjet partiake, mosbesimi dhe kalkulimet politike po e mbajnë shtetin peng, ndërsa qytetarët po presin që liderët e tyre të tregojnë përgjegjësi dhe pjekuri politike.
Kjo krizë nuk është më vetëm problem i partive. Është problem i Kosovës. Është problem i qytetarëve, i ekonomisë, i zhvillimit, i perspektivës së të rinjve dhe i pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, është bërë edhe çështje e imazhit dhe besueshmërisë së Kosovës para miqve dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë. Nuk mund të kërkojmë nga bota të na marrë seriozisht si shtet, ndërkohë që vetë nuk arrijmë t’i funksionalizojmë institucionet tona.
Në këto rrethana, zgjedhjet e reja nuk duhet të konsiderohen si zgjidhja e parë. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë, por ato nuk mund të përdoren vazhdimisht si alternativë ndaj kompromisit politik. Nëse një palë e re zgjedhjesh prodhon përsëri një rezultat të ngjashëm, pa shumicë të mjaftueshme për formimin e institucioneve, atëherë do të jemi kthyer përsëri në të njëjtën pikë, vetëm me një kosto edhe më të madhe për vendin.
Prandaj, para se të shkojmë në zgjedhje të reja, duhet të shfrytëzohet çdo mundësi për një marrëveshje politike për zhbllokimin e institucioneve.
Subjekti që ka marrë më shumë vota duhet ta ketë përgjegjësinë dhe mundësinë e parë për të formuar Qeverinë. Por fituesi nuk mund të sillet sikur ka marrë shumicë absolute kur ajo nuk ekziston. Duhet të bëjë hapin e parë drejt kompromisit dhe bashkëpunimit. Nga ana tjetër, opozita duhet ta kuptojë se detyra e saj nuk është vetëm ta kundërshtojë fituesin. Ajo ka gjithashtu përgjegjësi ndaj shtetit.
Të jesh opozitë e fortë është demokraci, por të bëhesh pjesë e bllokadës institucionale është papërgjegjësi.
LVV duhet të tregojë gatishmëri për kompromis, ndërsa PDK, LDK, AAK dhe subjektet e tjera duhet të tregojnë se mund të jenë opozitë e fuqishme pa e mbajtur Kosovën peng të krizës politike. Asnjëra palë nuk duhet të kërkojë të fitojë politikisht duke e bërë shtetin të humbasë.
Kjo është arsyeja pse Kosovës i duhet një marrëveshje e re politike. Jo një pazar për poste dhe privilegje, por një marrëveshje për funksionalizimin e shtetit: konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, zgjedhjen e Presidentit dhe garantimin e funksionimit normal të institucioneve.
Edhe zgjedhja e Presidentit duhet të shndërrohet nga burim përplasjeje në mundësi për kompromis. Kosovës i duhet një figurë me integritet, autoritet dhe kredibilitet, e pranueshme për një shumicë sa më të gjerë politike. Presidenti nuk duhet të jetë trofe i asnjë partie, por figurë e unitetit institucional.
Por nuk mjafton vetëm të krijohen institucionet. Kosova ka nevojë për një qeverisje cilësore. Nuk na duhet vetëm një Qeveri që ka 61 vota; na duhet një Qeveri që ka njerëzit e aftë për ta qeverisur vendin. Përvoja e viteve të fundit na mëson që Ministritë nuk duhet të jenë shpërblim për besnikëri partiake. Ato duhet të udhëhiqen nga njerëz kompetentë, me integritet dhe përgjegjësi profesionale.
Kosova ka nevojë për një qeveri të kompetencës, jo vetëm për një qeveri të matematikës parlamentare.
Koha për këtë marrëveshje politike është tani. Vendi nuk mund të humbë edhe më shumë kohë në përplasje politike. Ndërkohë, qytetarët presin punësim, zhvillim ekonomik, arsim më cilësor, shëndetësi më të mirë, sundim të ligjit dhe perspektivë për të rinjtë. Partnerët ndërkombëtarë presin një Kosovë të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe të aftë për të përmbushur obligimet e saj.
Prandaj, përgjegjësia bie mbi të gjithë liderët politikë për arritjen e një marrëveshje për funksionalizimin e shtetit.
Ajo duhet të përmbajë disa pika të qarta si:
● konstituimin e plotë të Kuvendit;
● formimin e Qeverisë;
● zgjedhjen e Presidentit përmes një kandidati që mund të bashkojë shumicën e spektrit politik;
● garantimin e funksionimit normal të institucioneve;
● një program minimal qeverisës për çështjet strategjike;
● respektimin e rolit të opozitës;
dhe zotimin që bllokada institucionale të mos përdoret më si instrument i luftës partiake.
Kjo nuk do t’i dobësonte partitë.
Përkundrazi, do t’i tregonte pjekurinë e tyre politike.
Si fituese e zgjedhjeve LVV-së i takon të bëjë hapin e parë. Opozitës i takon të bëjë hapin e dytë, sepse edhe ajo ka përgjegjësi për funksionimin normal të shtetit.
Të gjithë duhet ta kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: një parti mund të fitojë ose të humbë një betejë politike, por kur institucionet bllokohen, humbës është Kosova.
Prandaj, para se të mendojmë për zgjedhje të reja, le t’i japim një shans kompromisit. Le të ulen të gjithë në një tryezë, të heqin dorë nga maksimalizmi partiak dhe të gjejnë një marrëveshje që e nxjerr vendin nga kriza. Pastaj secila parti le të vazhdojë garën e saj politike, por brenda institucioneve dhe jo kundër tyre.
Kosova nuk ka nevojë sot për një fitues të ri politik. Ka nevojë për një fitues shtetëror.
Nuk ka nevojë për një tjetër përplasje. Ka nevojë për marrëveshje.
Nuk ka nevojë për një tjetër bllokadë. Ka nevojë për institucione.
Dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja vetëm për të prodhuar të njëjtin ngërç.
Liderë të Kosovës, ky është momenti të tregoni se e vendosni Kosovën mbi partinë, shtetin mbi pushtetin dhe interesin kombëtar mbi interesin personal.
Formoni institucionet. Zgjidheni krizën. Jepini Kosovës mundësinë të ecë përpara.
Pastaj, kur të vijë koha e zgjedhjeve, qytetarët do ta japin verdiktin e tyre.

Më 13 gusht 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu