
Gjon Keka, Vjenë
_____
Ata që nuk kanë lënë kazan pa i futur hundët e për të ngrënë, sot e kanë ngritur zërin kundër Lëvizjes së Deçanit, jo se ata e bëjnë këtë për ta ruajtur qenien tonë kombëtare apo atë „tolerancë“ vetëm me fjalë, e me vepra aspak, dhe që ata e përdorin këtë fjalë vetëm sa për të hedhur baltë dhe për të paragjykuar lëvizjen dhe themeluesit e saj. Të gjithë, ama të gjithë që janë kundër Lëvizjes së Deçanit, nuk e njohin këtë lëvizje dhe as misionin e saj kombëtar. Shumica e atyre që e sulmojnë dhe janë kundër saj janë ose mbetje otomane, ose injorantë, ose renegatë.
Të dalësh sot kundër Lëvizjes së Deçanit, që në deklaratën e saj tepër liberale kërkon që secili të vendosë të besojë ku të dojë dhe që mbron identitetin dhe figurat kombëtare, është ose injorantë, ose mbetje otomane, ose armik i brendshëm i atdheut. Në Kosovë dhe në tërë kombin tonë ka kohë që kanë hyrë si trup i huaj i helmuar disa ideologji fetaro-politike shkatërrimtare, që jo vetëm e kanë dëmtuar imazhin, por edhe e kanë bërë Kosovën dhe tërë kombin shqiptar si një vend që prodhon radikalë islamikë dhe që mohon të kaluarën, plagët dhe figurat themeltare historike e humane të kombit tonë dardano-arbëror, siç janë: Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Nënë Tereza, Idriz Seferi etj.
Kurrë asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik shkombëtarizimi atdheu ynë, kombi ynë, Kosova jonë se sa përgjatë këtyre viteve, ku hoxhallarë, individë dhe grupe radikale islamike me tërë helmin e tyre, madje edhe duke sulmuar, njollosur e kërcënuar, kanë tentuar të shkatërrojnë jo vetëm identitetin tonë kombëtar, gjakun vëllazëror dardano-arbëror pa dallim feje e partie që na ka bashkuar, gjuhën dhe figurat kombëtare, por edhe kanë tentuar të hyjnë në brendësi të trupit shtetëror për të ndryshuar laicitetin dhe kushtetutën, duke propaganduar ideologjinë e tyre të errët si zgjidhjen e të gjitha problemeve të shoqërisë dhe shtetit. Shteti, shoqëria dhe elita, nëse ka elitë intelektuale e akademike, nuk kanë qenë në nivelin e duhur të kundërvënies ndaj kësaj të keqeje, por ka ndodhur që partitë, disa si më parë edhe tani, kanë koketuar me ideologjinë fetare islamike dhe përfaqësuesit e saj, edhe nëse ata kanë qenë të gjykuar, të dënuar, apo nën syrin e inteligjencës së sigurisë së Kosovës dhe organeve të rendit.
Ata për vota dhe qëllime egoiste e partiake kanë koketuar dhe kanë futur individë të kësaj ideologjie fetare brenda partive, madje deri edhe në kuvend e institucione të tjera, gjë që e ka rrezikuar shtetin, sigurinë e tij dhe imazhin përballë botës demokratike perëndimore që na ndihmoi të çlirohemi, e jo që Kosova të bëhet një shtet islamik, kur dihte se Kosova ka në kushtetutën e saj ka laicitetin si bazë, ndërsa brenda saj ka individë që e prishin këtë shtyllëmbajtëse të kësaj shoqërie të lirë demokratike, të mbështetur nga vendet mike si SHBA dhe vendet e tjera mike europiane dhe NATO/KFOR.
Sot, si ato hienat nga të gjitha anët, por jo të gjithë, por disa që kanë ngrënë me dy lugë dhe jetojnë nga të fryjë era, dhe që identitetin kombëtar, figurat, atdheun e qenien kombëtare e europiane nuk i kanë as në gjak e as në interes jetik për t’i mbrojtur e ruajtur, por jetojnë sa për sy e faqe dhe kush u ofron më shumë aty edhe bërtasin e hedhin baltë kundër të tjerëve, kundër Lëvizjes së Deçanit që nuk e njohin, por e paragjykojnë dhe e sulmojnë, sikur tani sulmet e orkestruara nga disa që dihet se kush qëndron prapa këtyre orkestrave, pra dora e armiqve të jashtëm e lidhur me dorën e armiqve të brendshëm, që duan ta shkatërrojnë shoqërinë, shtetin laik dhe orientimin europian të Republikës së Kosovës.
Prokuroria dhe secili institucion i sigurisë dhe i rendit le të dalë e le t’i tregojë kësaj shoqërie e popullit se kjo lëvizje, pra Lëvizja e Deçanit, nuk ka sulmuar askënd, nuk ka nxitur asnjë urrejtje, por ka dalë me deklaratë se nga sot nuk duan të jenë myslimanë dhe kushdo e secili ka të drejtë të besojë e të mos besojë në ndonjë fe, por askush nuk ka të drejtë të urrejë askënd. Zërat e tyre se prokuroria duhet të hetojë këtë lëvizje tregojnë qartë se ata duan ta pengojnë këtë mision kombëtar të Lëvizjes së Deçanit.
Unë do t’i sugjeroja prokurorisë që të hetojë personat apo individët që po e sulmojnë Lëvizjen e Deçanit dhe do të shohin se burimi që ata kanë nxjerrë për ta sulmuar e njollosur qëndron te dora e armiqve që kanë për qëllim ta bëjnë shtetin e Kosovës islamik, ashtu që një ditë bota perëndimore të zhgënjehet e të kthehet kundër, gjë që do të ishte fatale për kombin dhe të ardhmen e Kosovës.
Unë nuk jam anëtar i asaj Lëvizje dhe i asnjë lëvizje, por Lëvizjen e Deçanit e mbështeti moralisht e atdhetarisht,sepse kanë në ballë Gjergj Kastriotin(Skënderbeun),pra që tregon se kanë një mision atdhetar, mbrojtës të civilizimit të përbashkët europian e human, prandaj në këtë shkrim po flas për Lëvizjen e Deçanit, jo për lëvizjet e tjera që pastaj kanë dalë pas asaj, sepse unë e njoh njërin nga themeluesit e kësaj lëvizjeje; lëvizjet e tjera nuk i njoh mirë dhe për aq sa e njoh edhe mund të flas se ata qëllimin e kanë të mirë, janë atdhetarë, madje edhe profesorë e mësues që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në breza e për atdhe.
Duke i njohur ata, mendoj se sulmet janë jo vetëm njollosje e tyre, por edhe me qëllime të qarta për ta penguar që shoqëria, populli dhe shteti të ringjallen e të rikthehen në rrugën e tyre të natyrshme kombëtare e europiane, siç u takon historikisht dhe rrënjësisht, sepse Dardania (Kosova) është gjeografikisht në Europë, nuk mund askush ta bëjë apo ta ndryshojë këtë, as të mbjellë një copë Turqi, Arabi apo ndonjë vend tjetër vetëm pse ideologjia fetare është e tillë, por është dhe do të jetë Kosova jonë europiane, ashtu siç e ka falur Zoti.
Krejt në fund mund të them se Lëvizja e Deçanit është një lëvizje atdhetare që ka për qëllim shpëtimin e popullit nga shkombëtarizimi dhe mbajtjen e udhës së natyrshme të kombit e të shtetit të Kosovës drejt rikthimit në familjen europiane.
Ajo është lëvizje që ka në ballë figurën e Gjergj Kastriotit dhe për atë po sulmohet e njolloset nga të gjitha anët, por të gjithë e kanë kot, ashtu siç e kishin kot ata që edhe sa ishte gjallë Gjergj Kastrioti e sulmonin, ndërsa pas vdekjes së tij ia kërkonin eshtrat për t’i mbajtur si hajmali mrekullibërëse dhe mbrojtëse. Kështu do të vijë një ditë që lëvizja, ndonëse sot sulmohet, nesër mund të jetë një vend që e preferojnë të gjithë, sepse do ta tregojë veten se është në shërbim të atdheut dhe jo të armiqve të ndryshëm të kombit tonë.
Po e përmbyll këtë shkrim me fjalët e Gjergj Fishtës: „O Perëndi, a ndjeve, Tradhtarët na lanë pa Atdhe, E Ti rri e gjuen me rrufe, Lisat nëpër male kot.“


