ARKIVI:
3 Gusht 2026

Mjaft më, Naim Tërnava!

Shkrime relevante

Lëvizja e Deçanit ka në ballë figurën e Gjergj Kastriotit e jo të sulltanit prandaj po sulmohet

Gjon Keka, Vjenë _____ Ata që nuk kanë lënë kazan pa i futur...

Mjaft më, Naim Tërnava!

Muhamet Kelmendi, Prishtinë Z. Tërnava, mjaft! Z. Tërnavën e njoh personalisht. Jemi takuar...

Për pashallarët Gjinolli dhe më të tmerrshmin nga ta Jashar Pashën

Blerim Latifi, Prishtinë ____ Familja e pashallarëve Gjinolli, për një kohë të gjatë,...

Ferit Hoxha, ja detyrat e konsullit të emëruar në qytetin e një shteti

Gani Mehmeti Ndihma për qytetarët: Mbron të drejtat e shtetasve të...

Kur profesori e ngatërron fakultetin me faltoren dhe fenë me kombin

Luan - Asllan Dibrani, Durrës ____ Reagim ndaj shkrimit të Prof. Milazim Krasniqit Në...

Shpërndaj

Z. Tërnava, mjaft!
Z. Tërnavën e njoh personalisht. Jemi takuar disa herë dhe mes nesh nuk ka pasur asnjëherë fërkime. Kemi pasur respekt reciprok dhe dëshiroj që ky respekt të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Megjithatë, kjo nuk më pengon të shpreh publikisht disa shqetësime që lidhen me z. Tërnava dhe me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
Së fundmi, z. Tërnava i ka quajtur disa organizata dhe individë “falanga” dhe “arliqe” të fesë islame. Madje deklaroi se:
“Disa falangra po veprojnë kundër fesë islame dhe BIK-u nuk do t’i lejojë të veprojnë. Ata po krijojnë konflikte në popull.”
Askush nuk mund t’ua mohojë qytetarëve të drejtën për të pasur bindjet e tyre. Liria e ndërgjegjes, liria e besimit, e drejta për të qenë agnostik apo ateist, si edhe e drejta për të kaluar nga një besim në tjetrin, janë të drejta themelore të njeriut. Këto janë vlera mbi të cilat ndërtohen shtetet demokratike dhe liberale, si Kosova dhe Shqipëria.
Prandaj, largimi i dikujt nga një fe nuk mund të trajtohet si tradhti apo si armiqësi. Në një shoqëri demokratike, kjo është një zgjedhje personale që mbrohet nga Kushtetuta dhe nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Por, përpara se të kërkojë fajtorët te të tjerët, z. Tërnava duhet të shohë edhe brenda institucionit që drejton.
BIK-u, ndër vite, ka toleruar ose nuk është distancuar qartë nga një sërë veprimesh që kanë dëmtuar rëndë autoritetin e tij publik. Po përmend vetëm disa prej tyre:
1. Nga radhët e imamëve dhe strukturave të lidhura me BIK-un u rekrutuan shqiptarë për t’iu bashkuar organizatës terroriste të vetëshpallur “Shteti Islamik”. Shumë prej tyre humbën jetën dhe nuk u kthyen më.
2. BIK-u nuk u distancua qartë nga imamët që fyen figurat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
3. Nuk u mor asnjë qëndrim serioz ndaj imamëve që e quajtën Skënderbeun figurë kriminale, antiislamike dhe antishqiptare vetëm pse luftoi kundër Perandorisë Osmane.
4. Nuk pati reagim institucional ndaj atyre që flamurin kombëtar shqiptar e quajtën “leckë”, “bezë” apo “copë pa vlerë”.
5. Nuk pati diferencim të qartë ndaj imamëve për të cilët janë ngritur akuza apo dyshime publike për lidhje me shërbimin sekret serb (BIA).
6. Vazhdon të tolerohen imamë që, në emër të fesë, ofendojnë familjen shqiptare, traditat dhe mënyrën e jetesës së saj.
7. Nuk është dëgjuar një distancim i prerë nga predikues që promovojnë praktika të papranueshme për shoqërinë shqiptare, si martesat e imponuara apo martesat ndërmjet kushërinjve.
8. Nuk është dënuar mjaftueshëm sulmi që elementë të caktuar brenda qarqeve fetare u bëjnë gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Këto nuk janë çështje të vogla. Janë plagë që kanë lënë pasoja në shoqërinë tonë.
Z. Tërnava i di këto raste. I ka parë. Megjithatë, rrallëherë kemi dëgjuar prej tij një distancim të qartë, qoftë personalisht, qoftë në emër të institucionit që drejton.
Në vend që të kërkojë përgjegjësinë brenda BIK-ut, ai e drejton gishtin nga ata qytetarë që, të zhgënjyer nga zhvillimet brenda këtij institucioni, zgjedhin të largohen nga feja islame ose të përqafojnë bindje të tjera.
Por largimi i njerëzve nuk është shkaku. Ai është pasoja.
Nëse besimtarët humbin besimin te një institucion fetar, përgjegjësia duhet kërkuar para së gjithash te vetë ai institucion.
Tolerimi i ekstremizmit, i gjuhës përçarëse, i sulmeve ndaj figurave kombëtare dhe i elementëve që cenojnë identitetin shqiptar ka krijuar zhgënjim të madh edhe te shumë besimtarë myslimanë. Shumë prej tyre po largohen, jo sepse urrejnë fenë islame, por sepse nuk pranojnë që në emër të saj të fyhet kombi, historia dhe identiteti i tyre.
Prandaj, z. Tërnava duhet ta kërkojë përgjegjësinë së pari te vetja dhe te institucioni që drejton.
Ka ardhur koha që BIK-u të ndahet qartë nga çdo element që nxit ekstremizëm, përçarje, urrejtje ose veprime që bien ndesh me interesin e Kosovës, të shqiptarëve dhe të vetë fesë islame.
Vetëm kështu mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe autoriteti moral i institucionit.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu