ARKIVI:
3 Gusht 2026

Për pashallarët Gjinolli dhe më të tmerrshmin nga ta Jashar Pashën

Shkrime relevante

Lëvizja e Deçanit ka në ballë figurën e Gjergj Kastriotit e jo të sulltanit prandaj po sulmohet

Gjon Keka, Vjenë _____ Ata që nuk kanë lënë kazan pa i futur...

Mjaft më, Naim Tërnava!

Muhamet Kelmendi, Prishtinë Z. Tërnava, mjaft! Z. Tërnavën e njoh personalisht. Jemi takuar...

Për pashallarët Gjinolli dhe më të tmerrshmin nga ta Jashar Pashën

Blerim Latifi, Prishtinë ____ Familja e pashallarëve Gjinolli, për një kohë të gjatë,...

Ferit Hoxha, ja detyrat e konsullit të emëruar në qytetin e një shteti

Gani Mehmeti Ndihma për qytetarët: Mbron të drejtat e shtetasve të...

Shpërndaj

Familja e pashallarëve Gjinolli, për një kohë të gjatë, nga gjysma e dytë e shekullit XVIII deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, do të ishte sundimtare e një pjese të madhe të Kosovës, që shtrihej nga Vushtrria në veri deri në Kaçanik në jug.
Pashallarët Gjinolli ishin autokratë, por më zullumqari mes tyre ishte Jashar Pasha. Edhe në këtë punë ai ishte selektiv. Me serbët ishte shumë miqësor. Kisha serbe e Shën Ilisë në Vushtrri dhe ajo e Shën Nikollës në Prishtinë ishin ngritur me lejen dhe ndihmën e tij. Të dyja ekzistojnë edhe sot.
Kur drenicasit kishin refuzuar t’i paguanin taksat për shkak të verës së thatë që kishte marrë në vitin 1839, Jashar Pasha ishte nisur t’i ndëshkonte.
Por jo vetëm kaq. Ai donte edhe t’i poshtëronte: “Nëse nuk keni mundësi me i pagu taksat, atëherë duhet t’i sillni gratë.” Një këngë e ardhur nga ajo kohë e ruan ende kujtimin e atij veprimi terrorist:
“N’daq t’i keni shpijat me kashtë,
n’daq t’i keni maxhet thatë,
urdhni i Pashës me i pru gratë.”
Por Jashar Pasha i kishte bërë llogaritë gabim. Një kushtrim i lëshuar nga krenët e Drenicës dhe mijëra burra, shumica të armatosur me sopata e sfurqe, do të hidheshin mbi ushtrinë e Jashar Pashës. Revoltës do t’i prinin Tahir Gradica dhe Zeqir Kiqina. Kasaphana e madhe do të bëhej në fushën e Çikatovës, aty ku sot ndodhet Ferronikeli. Në fund të ditës Pasha do t’ia mbathte për në Prishtinë. Thuhet se ndarja popullore në “Drenicë të Kuqe” dhe “Drenicë të Pashës” lidhet pikërisht me ato ngjarje.
Duke parë tolerancën ndaj serbëve të familjes sundimtare Gjinolli, katolikët e fshatrave të Vitisë, që prej shekujsh e ruanin fshehtas besimin e tyre, menduan se kishte ardhur koha që edhe ata të gëzonin lirinë e besimit.
Por ishin gabuar. Atë që Gjinollët ua njihnin serbëve, nuk kishin ndërmend t’ua njihnin shqiptarëve katolikë. Pasardhësi i Jashar Pashës, Maliq Bej Gjinolli, do të fillonte terrorin mbi ta: arrestimin dhe internimin në Anadoll të qindra familjeve shqiptare të besimit katolik. Shumë prej tyre do të vdisnin nga uria, sëmundjet dhe mundimet e rrugës.
Nga ato ngjarje kanë kaluar gati dy shekuj, por mentaliteti i atyre zullumqarëve, me gjasë, ende ekziston aty-këtu: mirëkuptim për kishat serbe, por reagim agresiv kundër kishave dhe katolikëve shqiptarë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu