
Fehmi Ajvazi, Prishtinë
Përballë dokumentit
PUSHTIMI NË VETEN E PARË
Kur pushtuesi shkruan për lavdinë e vet, ajo shkresë do të bëhet dokument i cili pastaj merr peshën e dëshmisë më të fortë kundër vetë atij-pushtuesit! Libri “Kur flet ‘historia’ serbe” sjell në shqip ditarin e oficerit serb Dragoljub M. Diniq “Hera e parë nëpër Shqipëri” dhe e lexon (studion) atë përtej miteve të krijuara nga politika e kohës.
Historia ka një mënyrë të veçantë për t’i sfiduar ata që përpiqen ta shkruajnë atë vetëm nga këndvështrimi i tyre. Jo rallë ka ndodhur që dokumentet që lindin me synimin për të dëshmuar madhështinë e një ushtrie, lavdinë e një shteti apo drejtësinë e një projekti politik, me kalimin e kohës marrin një kuptim tjetër. Ato dalin përtej qëllimit të autorit dhe fillojnë të flasin për gjëra që ai nuk ka dashur ose nuk ka mundur t’i shohë. Në këtë kuptim, dokumenti historik ka një jetë të dytë: ai nuk mbetet vetëm rrëfim i atij që e ka shkruar, por shndërrohet në dëshmi të një kohe, të një mentaliteti dhe të një realiteti më të gjerë se vetë autori i tij.
Pikërisht në këtë hapësirë ndërmjet synimit të shkruesit dhe kuptimit historik të dokumentit, vendoset libri “Kur flet ‘historia’ serbe” i autorit Avni Halimi, i cili sjell për lexuesin shqiptar ditarin e oficerit serb Dragoljub M. Diniq me titull “Hera e parë nëpër Shqipëri”, një dokument i shkruar gjatë vitit 1912, në periudhën kur zhvillimet politike dhe ushtarake në Ballkan po hynin në një fazë vendimtare.
Ditari si dëshmi e pushtimit
Ky libër nuk është vetëm një përkthim dokumenti. Ai është një përpjekje për ta vendosur dokumentin në vendin e vet historik dhe për ta lexuar përtej sipërfaqes së tij të parë. Një ditar ushtarak nuk është thjesht një varg shënimesh personale të një oficeri, por është edhe pasqyrë e kohës që e ka prodhuar, e ideologjisë që e ka udhëhequr autorin, e bindjeve politike të ushtrisë ku ai shërbente dhe e mënyrës se si një fuqi ushtarake e shihte veten përballë një territori dhe një populli tjetër.
Në këtë kuptim, ditari i oficerit serb Dragoljub M. Diniqit ka një rëndësi të veçantë. Ai nuk është shkruar nga një historian që më vonë analizon ngjarjet në distancë, por nga një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në to. Ai është zëri i një oficeri që ecën bashkë me trupat e tij, që sheh rrugët, vendbanimet, njerëzit dhe hapësirën shqiptare përmes syrit të një ushtrie në lëvizje. Ai është dëshmitar i një marshimi ushtarak, por njëkohësisht edhe dëshmitar i një mentaliteti politik që e shihte zgjerimin territorial si pjesë të një misioni historik.Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i madh i këtij dokumenti: oficeri shkruan për një rrugëtim që, në vetëdijen e tij, lidhet me fitoren, por dokumenti që ai lë pas na flet për një realitet tjetër. Ai na tregon mënyrën se si një ushtri e huaj hyn në hapësirën e një populli tjetër, si ndërtohet gjuha e justifikimit të veprimeve ushtarake dhe si një projekt politik përpiqet të paraqitet si një proces i natyrshëm historik.
Titulli i librit të autorit Halimi, bart pikërisht këtë tension. “Kur flet ‘historia’ serbe” nuk është vetëm një referencë ndaj një mënyre të caktuar të shkrimit të historisë. Është një përballje ndërmjet një narrative të ndërtuar nga politika dhe narrativë e dokumenteve që ajo vetë i ka prodhuar. Është momenti kur një histori e ndërtuar mbi mite, interpretime politike dhe justifikime kombëtare detyrohet të ballafaqohet me zërat e ruajtur në burimet e kohës.
Në këtë rast, burimi është veçanërisht domethënës, sepse vjen nga vetë pala që merr pjesë në ngjarje. Një dëshmi e tillë ka peshë të veçantë, sepse nuk është krijuar për të mbrojtur kujtesën e palës tjetër. Ajo lind nga një këndvështrim tjetër, me një sistem tjetër vlerash dhe me një tjetër kuptim të zhvillimeve historike. Por pikërisht për këtë arsye ajo mund të zbulojë elemente që nuk do të shfaqeshin në rrëfimet e ndërtuara më vonë për qëllime politike.
Viti 1912 ishte një vit kthesash të mëdha për shqiptarët dhe për Ballkanin në tërësi. Ishte koha kur Perandoria Osmane po përjetonte krizën e saj përfundimtare në këtë pjesë të Evropës, ndërsa shtetet ballkanike kishin hyrë në një garë për zgjerim territorial. Në këtë vorbull interesash politike dhe ushtarake, shqiptarët ndodheshin përballë një sfide historike: të shpallnin pavarësinë e tyre dhe njëkohësisht të përballeshin me pretendimet territoriale të fqinjëve.
Marshimi i skuadrës së Shumadisë drejt brigjeve të Adriatikut shqiptar nuk mund të lexohet jashtë këtij konteksti. Ai nuk ishte vetëm një lëvizje ushtarake në hartën e luftës. Ai ishte pjesë e një projekti më të gjerë strategjik, ku dalja në Adriatik përbënte një objektiv të rëndësishëm politik për Serbinë. Në këtë kuadër, ditari i Diniqit merr një vlerë të jashtëzakonshme, sepse na lejon të shohim jo vetëm lëvizjen e një ushtrie, por edhe mënyrën se si ajo ushtri e konceptonte praninë e saj në hapësirën shqiptare.
Këtu duhet vlerësuar veçanërisht puna e Avni Halimit. Analiza dhe studimi që ai i bënë librit të Diniqit! Ai nuk e sjell dokumentin si një relikt arkivor dhe as nuk e lë lexuesin vetëm përballë një teksti të vjetër. Ai e shoqëron atë me një lexim autorial që synon t’i zbërthejë shtresat e fshehura të dokumentit. Pikërisht kjo e dallon një botim dokumentar nga një punë e mirëfilltë kulturore dhe historike: aftësia për ta kthyer burimin në kuptim.
Një përkthim i thjeshtë do ta sillte tekstin në gjuhën shqipe, por nuk do ta ndihmonte domosdoshmërisht lexuesin ta kuptonte peshën e tij. Dokumentet historike nuk flasin gjithmonë vetë. Ato kërkojnë kontekst, krahasim dhe interpretim. Një fjali e shkruar nga një ushtarak në vitin 1912 mund të ketë një kuptim për autorin e saj dhe, një kuptim tjetër për lexuesin një shekull më vonë. Pikërisht në këtë hapësirë ndërhyn studiuesi dhe autori.
Një nga vlerat më të rëndësishme të këtij botimi është fakti se ai e vendos lexuesin përballë një pyetjeje themelore: a mund të flasë dokumenti ndryshe nga autori i tij? Përgjigjja e këtij libri është: po. Madje, pikërisht këtu qëndron fuqia e dokumentit historik. Autori mund të ketë bindjet e veta, mund të jetë i ndikuar nga propaganda e kohës dhe mund t’i shohë ngjarjet përmes interesit të palës ku bën pjesë, por dokumenti që ai lë pas ruan edhe gjurmët e realitetit që ai përpiqet t’i interpretojë sipas këndvështrimit të vet.
Dragoljub M. Diniqi nuk shkruan si kundërshtar i projektit politik të shtetit të tij. Përkundrazi, ai është pjesë e atij projekti. Ai është oficer i një ushtrie që marshon me një bindje të caktuar historike. Por pikërisht ky pozicion e bën ditarin e tij të rëndësishëm. Ai na tregon jo vetëm çfarë ndodhi, por edhe si mendonin ata që e realizonin atë proces. Historia nuk përbëhet vetëm nga ngjarjet; ajo përbëhet edhe nga mënyrat se si njerëzit e kohës i kuptonin, i justifikonin dhe i përjetonin ato. Në këtë aspekt, ditari i Diniqit është një dokument i mentalitetit politik të fillimit të shekullit XX në Ballkan. Ai e dëshmon një kohë kur shtetet kombëtare përpiqeshin të zgjeroheshin, kur kufijtë nuk përcaktoheshin vetëm nga realitetet etnike dhe historike, por edhe nga fuqia ushtarake dhe ambiciet strategjike. Ai është një dritare për të parë një botë ku konceptet e territorit, kombit dhe shtetit përplaseshin në mënyrë dramatike.
Kujtesa përballë mitit
Leximi i këtij dokumenti sot nuk ka rëndësi vetëm për të kuptuar një episod të kaluar. Ai ka rëndësi sepse na ndihmon ta kuptojmë mënyrën se si ndërtohen narrativat historike. Çdo shtet, sidomos në periudha konfliktesh, përpiqet ta tregojë historinë nga këndvështrimi i vet. Në këtë proces, disa ngjarje theksohen, disa harrohen, disa interpretohen sipas interesave politike të kohës. Ballkani ka qenë shpesh një hapësirë ku historia nuk është diskutuar vetëm si e kaluar, por edhe si instrument për të ndërtuar identitete politike.
Pikërisht për këtë arsye, kthimi te dokumentet burimore është një domosdoshmëri. Një shoqëri që nuk lexon dokumentet e saj historike rrezikon ta njohë të kaluarën vetëm përmes versioneve të të tjerëve. Ndërsa një shoqëri që i rikthehet burimeve fiton mundësinë për ta kuptuar historinë në kompleksitetin e saj, me konfliktet, kundërthëniet dhe interesat që e kanë formësuar atë.
Në këtë kuptim, libri “Kur flet ‘historia’ serbe” nuk është një përpjekje për të zëvendësuar një mit me një mit tjetër. Ai nuk synon ta shohë historinë vetëm përmes emocionit kombëtar. Vlera e tij qëndron pikërisht në faktin se e vendos debatin mbi një bazë më të fortë: dokumentin.
Dallimi ndërmjet kujtesës historike dhe mitologjisë historike qëndron këtu. Kujtesa kërkon të dijë; miti kërkon të bindë. Kujtesa i pranon edhe pjesët e vështira të së kaluarës; miti përpiqet t’i fshehë ato. Kujtesa ndërtohet mbi dëshmi; miti mbi përsëritje. Dhe në këtë përballje, dokumenti mbetet një nga mjetet më të fuqishme të së vërtetës historike.
Në këtë pikë, libri i Avni Halimit merr edhe një dimension tjetër: atë të një pune kundër harresës. Harresa historike nuk ndodh vetëm kur dokumentet zhduken. Ajo ndodh edhe kur dokumentet ekzistojnë, por nuk shqyrtohen, nuk analizohen, nuk studiohen, me një fjalë nuk lexohen! Një burim që mbetet i mbyllur në arkiva, i panjohur për publikun dhe jashtë debatit kulturorë, është pothuajse një dokument i heshtur. Vetëm kur ai sillet te lexuesi dhe vendoset në një kornizë interpretimi, ai fillon të jetojë përsëri.
Prandaj, “Kur flet ‘historia’ serbe” duhet parë edhe si një kontribut në kulturën e kujtesës dhe të vetëdijes. Ai na kujton se historia nuk është vetëm ajo që është shkruar në librat shkollorë apo ajo që është përsëritur për dekada me radhë. Historia është edhe ajo që ruhet në ditarë, në letra, raporte ushtarake, dokumente administrative dhe dëshmi personale. Pikërisht në këto materiale të vogla, të shkruara në momente të caktuara, gjenden të vërteta të mëdha!
Një nga elementet më interesante të ditarit të oficerit serb është se ai nuk është një tekst i shkëputur nga realiteti njerëzor. Përtej dimensionit ushtarak dhe politik, aty shfaqen edhe vëzhgime mbi njerëzit, vendet, atmosferën dhe përditshmërinë e një hapësire që për autorin ishte e huaj. Kjo e bën dokumentin edhe më kompleks. Ai nuk është vetëm një raport lufte; ai është edhe një dëshmi e kontaktit ndërmjet dy botëve, ku njëra hyn në territorin e tjetrës me forcën e armëve dhe me bindjen se historia është në anën e saj.
Por historia ka treguar se asnjë ushtri nuk mund ta kontrollojë përgjithmonë kuptimin e veprimeve të veta. Mund të fitohet një betejë, mund të shkruhet një raport fitoreje, mund të ndërtohet një narrativë politike, por dokumentet mbeten. Dhe me kalimin e kohës, ato fillojnë të lexohen në dritën e përvojave të mëvonshme. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i rëndësisë strategjike historike shkencore që autori Halimi i bënë librit të Dimiqit. Autori shfaqet pa krahasimisht i motivuar dhe konsistent në idenë e tij: e trajton librin e Dimiqit jo vetëm me një ‘debat’ të shkruar, jo vetëm me një analizë sipërfaqësore, madje as edhe me një tekst seminarik apo me një tekst konference eksluzive por: me libër.
Ashtu si edhe ideja, pastaj koha e ndarë dhe sidomos konsistenca serioze për t’u pozicionuar rreth një zbërthimi dhe analize të gjerë shkencore, saktësisht të rrallë në hapësirat etno albanofone, e rangon autorin Halimi në një krijues po ashtu të rrallë sepse, në fund të fundit, duhet t’jenë historianët, publicistët, filozofët ata që e kanë për detyrim profesional të merren me të këtilla vepra. Prandaj, s’i e analizon dhe sistematizon thelbin e librit të tij z. Halimi, forcën, mesazhin e librit “Kur flet ‘historia’ serbe”?
Autori, nuk i kërkon dokumentit të flasë në vend të historisë, por i jep mundësi dokumentit të hyjë në dialog me historinë. Ai nuk e përdor të kaluarën për të ushqyer urrejtje, por për të i kuptuar mekanizmat përmes të cilëve janë krijuar konfliktet, mitet dhe interpretimet që vazhdojnë të ndikojnë edhe sot. Në këtë kuptim, puna e Avni Halimit shkon përtej një akti të zakonshëm botues. Ai nuk është vetëm ndërmjetësues ndërmjet një dokumenti të vjetër dhe lexuesit të sotëm. Ai është një interpretues që e vendos dokumentin në një hapësirë më të gjerë, ku historia, kujtesa dhe përgjegjësia kulturore takohen. Një dokument i sjellë nga një gjuhë tjetër nuk është thjesht një tekst i përkthyer: ai është një pjesë e një kujtese historike që kërkon të lexohet me qetësi, me njohuri dhe me vetëdije kritike.
Në një kohë kur historia shpesh kthehet në instrument të politikës së ditës, rikthimi te dokumenti merr një rëndësi të veçantë. Politika mund ta ndryshojë gjuhën e saj sipas interesave të momentit, ndërsa dokumenti ruan gjurmën e kohës kur është krijuar. Dokumenti ose libri i oficerit të ushtrisë serbe Diniq nuk është i çliruar nga kufizimet dhe paragjykimet, por pikërisht për këtë arsye është i vlefshëm. Një dokument historik nuk duhet lexuar si një e vërtetë absolute, por si një dëshmi që duhet vendosur në kontekstin e saj, duke u analizuar në raport me kohën, rrethanat dhe interesat që e kanë prodhuar.
Kjo është edhe arsyeja pse “Kur flet ‘historia’ serbe” ka një vlerë të veçantë: sepse nuk na sjell vetëm një tekst të kohës goxha të largët të vitit 1912, por na jep edhe një mënyrë leximi të tij. Ai na mëson se dokumentet nuk janë fjalë të ngrira në kohë. Ato janë dëshmi të gjalla që kërkojnë interpretim. Një ditar ushtarak është një tekst i shkruar nga një individ, por në të njëjtën kohë është edhe produkt i një epoke, i një ideologjie dhe i një strukture politike.
Kjo vlen veçanërisht për dokumentet e periudhave të konfliktit. Në luftë, secila palë krijon gjuhën e saj. Ushtria që avancon flet për mision, rend, siguri apo të drejtë historike; populli që përballet me të e përjeton atë si kërcënim, humbje dhe cenim të hapësirës së vet. Midis këtyre dy perceptimeve qëndron dokumenti, i cili ruan gjurmët e realiteteve të kohës. Dhe pikërisht aty fillon puna e studiuesit dhe e lexuesit të ndërgjegjshëm: të dallojë ndërmjet asaj që autori dëshiron të thotë dhe asaj që dokumenti, në tërësinë e tij, dëshmon.
Një botim në shërbim të kujtesës kombëtare
Në këtë pikë, titulli “Kur flet ‘historia’ serbe” merr një kuptim edhe më të thellë. Ai nuk nënkupton vetëm një histori të shkruar nga pala serbe, por një përballje me mënyrën se si është ndërtuar një narrativë historike, në këtë rast serbe, mbi shqiptarët dhe hapësirën shqiptare. Për shumë dekada, histori të ndryshme kombëtare në Ballkan janë ndërtuar duke nxjerrë në plan të parë të drejtat e veta dhe duke heshtur ose minimizuar përvojën e tjetrit. Pikërisht për këtë arsye, leximi i dokumenteve është një mënyrë për të rikthyer ekuilibrin në kujtesën historike.
Por vlera e këtij libri nuk qëndron vetëm te fakti se sjell një dokument që lidhet me një periudhë të rëndësishme të historisë shqiptare. Vlera e tij qëndron edhe në parimin që përcjell: historia nuk mund të ndërtohet mbi heshtjen! Një popull nuk mund ta kuptojë plotësisht të kaluarën e tij duke iu shmangur dokumenteve të vështira, duke mos lexuar zërat e kundërshtarëve apo duke pranuar vetëm ato dëshmi që i përshtaten një versioni të dëshiruar të historisë.
Një meritë e veçantë e këtij botimi me titull “Kur flet ‘historia’ serbe” e autorit Avni Halimi i takon edhe Shtëpisë Botuese “DRINI”, e cila ka zgjedhur ta botojë këtë vepër duke e kuptuar peshën e saj dokumentare dhe kulturore. Në një kohë kur botimi shpesh udhëhiqet nga kriteret e tregut dhe nga siguria e suksesit apriori të menjëhershëm, vendimi për të investuar në një libër të tillë dëshmon një përgjegjësi të veçantë ndaj kulturës dhe kujtesës historike.
Botimi i “Kur flet ‘historia’ serbe” nuk është thjesht nxjerrja në qarkullim e një libri, por një kontribut në pasurimin e literaturës dokumentare historike shqiptare dhe në ofrimin e mundësive që lexuesi të përballet me burime që ndihmojnë për ta kuptuar më thellë të kaluarën. Me këtë botim, sh.b. “DRINI” dëshmon se roli i një botuesi serioz nuk kufizohet vetëm në publikimin e teksteve, por shtrihet edhe në përzgjedhjen e veprave që kanë rëndësi për kujtesën, kulturën dhe vetëdijen historike të një shoqërie.
Në fund, nuk mund të mos konstatojmë se mbështetja e një libri me përmbajtje të tillë është një zgjedhje ekskluzive për t’i dhënë hapësirë dokumentit, argumentit dhe kërkimit, përballë harresës dhe thjeshtimeve të historisë. Dhe kur dokumenti fillon të flasë, ndodh ajo që historia e ka dëshmuar shumë herë: zëri që ishte menduar të lavdëronte një veprim, kthehet në dëshminë më të fuqishme të tij. Sepse ndonjëherë, historia nuk zbulohet nga ata që duan ta tregojnë, por nga dokumentet që nuk mund të heshtin.


