Shkrimi i Indrit Vokshit nuk është analizë historike. Është propagandë e islamit politik, e ndërtuar mbi përzgjedhje të njëanshme faktesh, interpretime tendencioze dhe disa gabime elementare.
Traktati i Parisit i vitit 1856 nuk e “pranoi Islamin si europian”. Pranoi Perandorinë Osmane në Koncertin Europian të Fuqive për arsye të ekuilibrit strategjik, sidomos për të frenuar Rusinë. Të kthesh një marrëveshje gjeopolitike në “certifikatë europianizimi të Islamit” është manipulim.
Pastaj përdoret Skënderbeu me një citat të diskutueshëm e të paverifikuar si burim primar, ndërsa harrohet fakti themelor: Skënderbeu luftoi për dekada kundër zgjerimit osman dhe ishte pjesë e projektit europian të rezistencës ndaj tij.
Edhe pretendimi se shtetet italiane nuk ndërmorën luftëra kundër osmanëve për 400 vjet është thjesht i pavërtetë. Venediku zhvilloi luftëra të shumta me Perandorinë Osmane.
Dhe kur një “historian i internetit” ngatërron Kongresin e Vjenës 1814–1815 me ngjarjet e vitit 1833, pastaj na jep leksione për historinë politike të Europës, problemi bëhet edhe më i qartë.
Fakti që Franca, Britania apo fuqitë e tjera europiane herë luftuan me osmanët e herë bashkëpunuan me ta nuk dëshmon “europianizimin e Islamit”. Dëshmon realpolitikën dhe interesin shtetëror.
Por propaganda ka një qëllim të qartë: të ndërtojë ekuacionin absurd Islam = Europë = Perëndim, dhe prej aty të nxjerrë përfundimin se kush kundërshton islamin politik qenka kundër Europës.
Jo, zoti Vokshi.
Feja është e lirë. Islami është i lirë. Por Islami politik nuk është Europa dhe nuk është laiciteti.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një identitet të importuar nga klerikë apo ideologë politikë. Kanë nevojë për shtet laik, qytetari europiane dhe liri të besimit pa pushtet fetar mbi shtetin.



