Mburren si “luanë”, por i frikësohen edhe një milingone

Shkrime relevante

Mburren si “luanë”, por i frikësohen edhe një milingone

Lirim Gashi, Prishtinë _____ SHQIPTARI MBURRET SE ËSHTË LUAN, POR I FRIKËSOHET EDHE...

„A po të vjen inati që s’ke hyrë në Parlamentin e Serbisë?…”, më shkroi…në mesazh!

Amina Nuraj, Novi Pazar (Tregu i Ri) _____ Një person më ka shkruar...

Çfarë e pret Kosovën pas dy Aktgjykimeve të Gjykatës në Hagë?

Ismet M. Hasani-ekspert gjyqësor, Suedi Kush kush e tradhëtoi dhe e ”shiti”...

Shqipëria po synon raketa me rreze të gjata të veprimit

Temsi Semi, gazetat hulumtues Shqipëria po synon raketa me rreze të gjatë...

Kur feja del nga shtrati i saj, fut hundët aty ku nuk i takon dhe shndërrohet në mision antikombëtar

Blerim Nika, Zvicër Projektin Islami Otoman, kur e publikova para disa muajsh,...

Shpërndaj

Lirim Gashi, Prishtinë
_____
SHQIPTARI MBURRET SE ËSHTË LUAN, POR I FRIKËSOHET EDHE NJË MILINGONE – SKANDINAVI E KONSIDERON VETEN MILINGONË, POR SHTETIN E NDËRTON SI LUAN!
Në psikologjinë politike shqiptare ekziston një fenomen tepër i çuditshëm :
Sa më pak guxim të ketë një politikan për të bërë diçka të dobishme, aq më shumë bërtet, me shpresën se do t’i bindë të tjerët se është njeri i vendosur.
Sikur decibelët të mund të shndërroheshin në zhvillim ekonomik, Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët do të ishin sot fuqitë më të mëdha industriale të planetit.
Fatkeqësisht, zhurma nuk prodhon as fabrika, as shkolla dhe as drejtësi. Ajo shkakton vetëm dhimbje koke.
Skandinavët e kanë kuptuar prej kohësh një të vërtetë që ne ende po përpiqemi ta zbulojmë:
Shteti nuk ndërtohet duke bërtitur për patriotizëm, por duke i paguar taksat, duke e respektuar ligjin, duke e kryer punën me përgjegjësi dhe duke mos e futur dorën në atë që u përket të gjithëve.
Politikani ynë shqiptar, ndërkaq, mund t’i mbajë paradite tri fjalime patriotike, ndërsa pas drekës të negociojë me ndërgjegjen e vet se sa përqind të pasurisë publike mund ta shpallë trashëgimi familjare.
Prandaj kemi kaq shumë burracakë, të cilët para kamerave sillen si luanë, por do të kërkonin azil politik edhe sikur një milingonë e vetme juridike t’i thërriste për përgjegjësi ligjore për veprat e tyre të paligjshme.
Partitë tona politike janë themeluar për t’i përfaqësuar qytetarët, por disa prej tyre kanë përfunduar duke i trajtuar qytetarët thjesht si personel ndihmës për interesat e veta.
Sepse krerët e këtyre partive mandatin publik e kanë shndërruar në një mundësi ideale për të ndërtuar karriera të suksesshme personale përmes krimit të organizuar, korrupsionit, sabotimit, oportunizmit, tradhtisë dhe pasurimit të paligjshëm.
Në këtë menyrë Kuvendin e Kosovës e kanë shndërruar në një dhomë pritjeje për privilegje, ndërsa buxhetin e shtetit në një frigorifer prej të cilit mendojnë se kanë të drejtë të marrin çfarë të duan, para se të shfaqet pronari i vërtetë: qytetari.
Në Skandinavi, një ministër mund të përballet me pasoja serioze ligjore edhe për shpenzimin e pajustifikuar të vetëm një centi nga paratë publike.
Tek ne, një politikan mund ta shpenzojë pasurinë e një lagjeje të tërë dhe pastaj të organizojë konferencë për shtyp për të shpjeguar se sa shumë e do popullin.
Madje, në disa prej rajoneve tona, transparenca konsiderohet një nga veset më të rrezikshme.
Kushdo që bën pyetje për tenderët, privatizimet, pronën publike apo donacionet e zhdukura rrezikon të shpallet tradhtar. Jo sepse ka vjedhur, por sepse ka pyetur se kush ka vjedhur.
Ky është një zbulim madhështor i mendësisë sonë politike:
Hajduti e gëzon prezumimin e pafajësisë, ndërsa ai që kërkon përgjegjësi duhet së pari të dëshmojë se nuk është tradhtar!
Kështu funksiononte edhe familja tradicionale shqiptare:
Edhe kur brenda mureve të shtëpisë ndodhte ndonjë incest i turpshëm seksual, kryefamiljari i urdhëronte të gjithë anëtarët e familjes ta ruanin nderin familjar duke e fshehur ndyrësinë morale.
Edhe nëse oborri kundërmonte nga imoraliteti si nevojtoret e vjetra fushore, të ndërtuara me dërrasa dhe të mbuluara me pllaka azbesti, rëndësi kishte që fotografia familjare të dukej e pastër.
Mafia tradicionale siciliane e kishte, të paktën, atë grimcë ndershmërie profesionale që nuk paraqitej si shoqatë humanitare për zhvillimin e demokracisë.
Mafia jonë politike është shumë më e përparuar:
Ka zyra, vula, konferenca, borde drejtuese, parulla patriotike dhe fotografi me flamuj kombëtarë.
Mirëpo, në vend që të investojë në prodhim, punësim, teknologji, arsim dhe industri, ajo e shpenzon energjinë në tenderë të dyshimtë, në privatizime të kurdisura, në shitje mafioze të pronës publike dhe në pasurimin e njerëzve me lidhje të privilegjuara.
Nëse prona publike shitet me çmime qesharake, ndërsa rreth asaj shitjeje qarkullojnë dyshime për marrëveshje të fshehta, qytetarit nuk i mbetet asgjë tjetër veçse ta pyesë veten nëse shteti e ka lidhur një marrëveshje biznesi apo e ka organizuar një panair dhuratash për miqtë e pushtetit.
Nëse praktika të tilla nuk hetohen, dokumentohen dhe ndëshkohen, atëherë shteti nuk po e lufton korrupsionin. Përkundrazi, po i ofron atij shërbime administrative.
Në Skandinavi, një ministër mund ta humbasë postin për një shkelje etike që në pamje të parë mund të duket krejt e parëndësishme.
Politikani shqiptar, përkundrazi, mund të mbijetojë politikisht edhe pasi t’i ketë humbur pothuajse të gjitha argumentet, përveç atij se dikush tjetër është edhe më i keq se ai.
Kjo është logjika e famshme e standardit tonë mizor :
Nuk ka rëndësi se sa keq qeveris unë, përderisa mund të arsyetohem se dikush ka qeverisur edhe më keq.
PSE SKANDINAVËT KANË SHTRESË TË MESME, NDËRSA NE VETËM SHTRESA TË SHKATËRRUARA NERVORE?
Në shoqëritë skandinave, edukimi fillon me respektin ndaj tjetrit, me përgjegjësinë personale dhe me bindjen se prona publike nuk është pronë pa zot.
Tek ne, disa prindër, sapo fëmija del nga barku i nënës, fillojnë ta mësojnë se si ta kuptojë se kush ka lidhje në komunë, në vend që t’ia mësojnë dallimin ndërmjet së drejtës dhe së padrejtës.
Në shoqëritë skandinave, fëmijët edukohen që të bëhen qytetarë të pavarur.
Në shoqërinë shqiptare, fëmijët mësohen të pyesin se cilës parti duhet t’i përkasin për ta gjetur një vend pune.
Kjo nuk është çështje gjenetike dhe as ndonjë e metë e lindur e shqiptarëve. Është çështje institucionesh, edukimi, kulture politike dhe modelesh shoqërore.
Ne nuk kemi lindur më pak të aftë se skandinavët.
Por ne nuk mund të presim rezultate skandinave përderisa vazhdojmë të kultivojmë zakone primitive, hipokrite dhe cinike shqiptare, të cilat e shpërblejnë servilizmin dhe e ndëshkojnë meritën.
Në shoqëritë skandinave, njeriu që punon mirë mund të përparojë në karrierë pa pasur nevojë të bëhet kushëri i drejtorit.
Në shoqërinë shqiptare, konkursi publik nganjëherë duket sikur shpallet vetëm për të përcaktuar se cili kandidat e njeh më mirë kryetarin e komisionit.
Pastaj çuditemi pse të rinjtë largohen, pse ekonomia nuk prodhon asgjë, pse shtresa e mesme po zhduket dhe pse qytetarët që nuk kanë lidhje me vendimmarrësit politikë duhet ta numërojnë dhjetë herë çdo cent para se t’i blejnë gjërat më elementare.
Ja arsyeja:
Pala skandinave ndërton mirëqenie për brezat e ardhshëm, ndërsa pala shqiptare ndërton vila për mafiozët aktual politikë.
Ne e kemi një besim pothuajse mistik te ligjet e reja.
Sapo shfaqet ndonjë problem, e propozojmë një ligj të ri, një komision hetimor dhe një strategji zbatimi. Sikur korrupsioni të ishte një qen që do të largohej vetëm po t’ia ndryshonim emrin në regjistrin e kafshëve.
Por ligji nuk mund ta edukojë vetvetiu shqiptarin e poshtër që është rritur me bindjen se mashtrimi është zgjuarsi, se nepotizmi është solidaritet familjar dhe se vjedhja e shtetit është sukses personal.
As universiteti nuk mund të prodhojë automatikisht intelektualë të ndershëm vetëm duke u dhënë diploma, nëse më parë nuk i ka mësuar të mendojnë në mënyrë kritike dhe t’i vënë në pikëpyetje bindjet e veta.
Skandinavët e kanë kuptuar se arsimi nuk është thjesht grumbullim diplomash, por ndërtim i karakterit, i përgjegjësisë dhe i aftësisë për të bashkëjetuar me njerëzit e tjerë.
Ne duhet ta kuptojmë se shoqëria jonë nuk mund të prodhojë qytetarë të përgjegjshëm nëse i edukon fëmijët me bindjen se më e rëndësishme është ta njohësh njeriun e duhur, sesa të bëhesh vetë njeri i duhur.
Ligjet mund të ndryshohen brenda një nate. Mendësia kërkon punë, arsimim, shembuj të mirë dhe guxim për të mos e toleruar të keqen, sidomos kur ajo vjen nga njerëzit tanë.
DIAGNOZA PËRFUNDIMTARE:
MOS E MBRO SËMUNDJEN VETËM SEPSE TI E KE ZGJEDHUR MJEKUN!
Megjithatë, përgjegjësia nuk u takon vetëm politikanëve. Ajo na takon edhe neve, qytetarëve, që e mbrojmë hajdutin vetëm pse e mban flamurin e partisë sonë, ndërsa e sulmojmë njeriun e ndershëm vetëm pse nuk mendon si ne.
Dhe për ta arritur këtë nivel të vetëdijes duhet të pushojmë së qeni tifozë të partive politike, por vetëm njerëz që mbrojnë ndërgjegjen e tyre.
Sepse nuk është patriotizëm ta mbrosh politikanin tënd të preferuar kur vjedh.
Patriotizëm është të mos ia falësh vjedhjen, edhe nëse në zyrën e tij e ka vendosur fotografinë e heroit tënd më të preferua kombëtar.
Burrëri nuk është të bërtasësh më fort se kundërshtari. Burrëri është ta pranosh gabimin, ta respektosh të vërtetën dhe të mos i frikësohesh përgjegjësisë.
Demokraci nuk është t’i fitosh zgjedhjet dhe pastaj ta trajtosh shtetin si pronë private. Demokraci është ta pranosh se edhe kundërshtari politik i ka të njëjtat të drejta dhe se askush nuk është mbi ligjin.
Ndoshta do të duhej ta bënim një eksperiment të thjeshtë:
Për një vit të tërë, asnjë politikan të mos e pyesim se sa shumë e do kombin, por a i paguan detyrimet e veta, a e respekton ligjin, a punëson sipas meritës dhe a jep llogari për çdo cent të parasë publike.
Nëse dikujt një kërkesë e tillë i duket tepër skandinave për shijen e tij shqiptare, mund t’ia ofrojmë një kompromis:
Le të fillojë së paku duke mos vjedhur.
Sepse nuk kemi nevojë të bëhemi skandinavë për të qenë njerëz të ndershëm. Mjafton të mos e konsiderojmë më pandershmërinë pjesë të identitetit tonë kombëtar.
Një popull nuk bëhet i madh pse ka politikanë që sillen si luanë, por pse ka qytetarë që nuk gjunjëzohen para tyre.
Skandinavët nuk e ndërtuan mirëqenien duke bërtitur se janë më të mirë se të tjerët.
Ata e ndërtuan duke bërë çdo ditë atë që ne ende e konsiderojmë të jashtëzakonshme:
Duke punuar, duke mësuar, duke e respektuar ligjin, duke mos vjedhur dhe duke mos e tradhtuar kombin apo shtetin.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi më i madh ndërmjet një shoqërie që ndërton shtet dhe një shoqërie që ende kërkon shpëtimtarë.
Ne kemi mjaft njerëz që dëshirojnë të bëhen dikushi dhe diçka.
Ajo që na duhet janë më shumë njerëz që kanë guximin të jenë dikushi, pa e shndërruar askënd tjetër në asgjë.

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu