Realisht, fara jonë është shqiptare dhe mendoj që secili që e ndjen veten shqiptar do të duhej të shqetësohej kur në Kosovën tonë, që 27 vjet, investohet në xhamia nga shtete të Lindjes së Mesme, përfshirë edhe shtete që e luftojnë shtetësinë e Kosovës, si p.sh. edhe Serbia, sipas disa raporteve që qarkullojnë në media tash e sa kohë.
Si i rikthyer në katolicizëm, e them me bindje të plotë se njëjtë do të reagoja sikur të financoheshin edhe kishat tona katolike nga shtetet e lartpërmendura, e qebesa, atëherë as nuk do të pagëzohesha. Mos të flasim për diskursin anti-shqiptar të hoxhallarëve, se sikur të kishin atë lloj diskursi priftërinjtë tanë, unë sot, me garanci të madhe, e them që nuk do të isha bërë as katolik.
Pastaj, kur jemi te “fara” që ky picimuli na drejton: në kulturën shqiptare nuk mësojmë që shqiptarët ndahen sipas farës. Shqiptarët, në traditën e tyre autoktone, ndahen sipas fiseve; edhe të ndarë në fise, prapëseprapë janë vëllezër të një kombi.
Sipas farës ndahen kafshët, dhe këtu më kujtohet diskursi i të dënuarit për terrorizëm, hoxhë Zekerija Qazimit, i cili jomyslimanët, në një video-incizim, i quante kafshë. Pra, një lloj si farën në këtë rast. Pra, këtë diskurs e mëson organizata që është shpallur terroriste, e quajtur “Vëllazëria Myslimane”, nga Egjipti, e njëjta organizatë që ka shpikur edhe përralla si “islamofobinë” ose diskursin që shumica dominon mbi pakicën. Dhe, sipas këtij diskursi, neve na lodhin vazhdimisht hoxhallarët me një shifër që është nxjerrë nga një numërim i manipuluar, pa kurrfarë transparence: herë thonë 93%, herë 95% e herë 98% se gjoja janë myslimanë në Kosovë.
Nejse, sipas mendimit tim dhe asaj që shihet në terren (përjashto Bajramet e organizuara me autobusë për propagandë), unë mendoj që në Kosovë janë rreth 3% praktikues të islamit. Por, meqë hoxhallarët e gjejnë dëfrimin duke manipuluar me shifra, po ua them unë një shifër: nëse llogarisim se sa është pjesëmarrja e besimtarëve shqiptarë myslimanë në xhami, atëherë çdo ditë pagëzohen në kishën katolike aq myslimanë sa 20 xhamia të juaja.
Hoxhallarët do të bënin mirë sikur të dilnin vetë për të debatuar, por meqë atyre u mungon guximi dhe argumenti, ata i nxisin fëmijët kundër nesh, herë me emra e, në shumicën e rasteve, pa emra fare; e qebesa, shpesh futen edhe vetë hoxhallarët me profile fallco (sipas fakteve që posedojmë). Por një gjë që më bie në sy vazhdimisht në mesazhet që hoxhallarët ua mësojnë këtyre fëmijëve dhe fantomeve (bazuar në diskursin e hoxhallarëve), është se ato janë të nivelit më të ulët që ekziston. Me fyerje, sharje, kërcënime brutale, dhe me këtë etiketë mundohen t’ua fakturojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët ata i konsiderojnë komplet myslimanë.

Sikur të zhvillohej një debat i mirëfilltë, me respekt, unë do të isha fort i interesuar të debatonim. Si për histori, për teologji e për shumë tema të ndryshme. Por, meqë sjelljet e shkollës së BIK-ut janë aq brutale dhe perverse, patjetër që duhet t’i ndalojmë edhe komentet. E qebesa, kërcënuesit jemi të detyruar t’i dërgojmë edhe nëpër gjykata, e të njëjtit, kur pastaj dënohen, fillojnë duke qarë e duke u rrëfyer para trupit gjykues se dikush i ka marrë në qafë! Pra, mos na detyroni me dalë edhe me emra!
Për fund, i them këtij djalit të ri dhe shefave të tij, e deri te hierarkia më e lartë e BIK-ut: mos mbillni urrejtje, se shumë shpejt keni për të korrur vetminë në xhamitë tuaja, sepse shqiptarët që nuk ndahen në farë, e që nuk përqahen nga diskursi i juaj ideologjik, do t’ju braktisin, e po ju braktisin çdo ditë, dhe po u kthehen rrënjëve të veta arbërore. Prandaj, paniku i juaj vërehet nga qielli. Por kështu e ka demokracia: humbësi duhet ta pranojë lojën dhe jo të bëhet humbës i keq, se pastaj demokracia i ka edhe ligjet e veta.
10.08.2026
Blerim Nika



