Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare shkrimtari Naum Prifti, një nga emrat më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare

Shkrime relevante

Çfarë po “gatuajnë” protestat kosovare, kombëtarizim apo rimbëkëmbje ideologjike?

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Hyrje (Ky shkrim nuk synon të...

Bravo Zelenski!

Lis Bukuroca, Gjermani ____ Të shpallësh pavarësi të njëanshme është rezultat i guximit...

Pse me deklaratë për Aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Hagës, pse ky Kuvend nuk i përmendi kurrë viktimat? A ishin ata “tradhëtar”, a jo?...

Shaqir Shala, Solothurn     ____ UNË, SI MJEK, HUMANIST, INTELEKTUAL DHE PJESË E MËRGATËS,PYSË...

Kuvendi i tretë i Shoqatës “Nisma e Deçanit” në Zvicër

Në foto: Saim Tahiraj ___ Në Schöftland të Zvicrës, mbrëmjen e 26 shtatorit...

Shpërndaj

nga Flori Bruqi, PHD
NË VEND TË PËRKUJTIMIT
* Shkrimtari mësohet se është ndarë nga jeta në SHBA, ku jetonte prej vitesh. 
 
Naum Prifti, novelisti, tregimtari, dramaturgu, skenaristi, kritiku, fabulisti, qëmtuesi i folklorit dhe mjeshtrit të shqipërimit, është një nga këto figura shumëdimensionale, që u rezistoi me dinjitet viteve të diktaturës dhe gjeti vendin e tij edhe pas saj. 
 

Lindi në Rehovë të Kolonjës, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. 

Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. 

Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. 

I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. 

Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. 

Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.

Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. 

Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. 

Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe.

 Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra.

 Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj si dhe ishte anëtar i AAAS-it në New York, TIranë, Prishtinë dhe Shkup.

Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. 

Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. 

Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi : “Dimri i Uris ” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005.

Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

TREGIMTAR DHE DRAMATURG
 
 Pas botimeve të disa vëllimeve me tregime si: “Tregime të Fshatit” (1956), “Lëkura e Ujkut” (1958), “Çezma e Floririt” (1960), “Tregime” (1962), Naumi lëvroi dramën. 
 
Në vitin 1964 me dramën e tij “Rrethimi i Bardhë” u përurua hapja e teatri “Skampa” të Elbasanit. 
 

Drama u vu njëkohësisht edhe nga trupa profesioniste e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Ndonëse u pëlqye shumë nga artistët dhe nga publiku, Enver Hoxha vërejti se grupit të gjeologëve të rrethuar nga bora në veri të vendit, nuk u erdhi në ndihmë aeroplani i dërguar nga autoritetet, por ata ia dalin mbanë vetë. Enver Hoxha dështimin e hedhjes së ndihmës nga aeroplani e mori si sfidë për politikën e tij. Drama dhe vetë autori do kishin pasur fat tjetër nëse punëtorët e kantierit do brohorisnin “Parti-Enver”. Me intuitën e tij, në dramë Naumi kishte pohuar se partia që e mbante veten si detashmenti pararojë i klasës punëtore, qe larg saj shpirtërisht e fizikisht dhe se askush nuk e ka shfrytëzuar më egërsisht këtë klasë se të vetëquajturit përfaqësuesit e saj, udhëheqësit e partive komuniste në vendet ku kishin në dorë pushtetin, kujton Naum Prifti. Riedukimi ishte një nga pasojat e hidhura të “dramës së gabuar”, “Rrethimi i Bardhë” që do ta shoqëronte shkrimtarin për më shumë se dhjetë vjet. Naumi kishte dhunti si dramaturg dhe repertori i tij në këtë gjini është shumë i pasur me vepra si “Mulliri i Kostë Bardhit” (1969), Plumbat e shkronjave” (1978), “Një verë e thatë”, “Zani-Partizani” (1981), “Lenini mes fëmijëve” (1981), “Luftëtari më i ri” (1981), komedia “Dasmë pa nuse” (1969), “Talent i rrallë” (1980). Naum Prifti është i vetmi autor, i cili ka parë një vepër të tij të vënë në të gjitha skenat e teatrove profesioniste të Shqipërisë. Me kërkesën e baletmaestros Agron Aliaj, Naum Prifti shkroi edhe një libret baleti me titullin “Bijtë e shqipes”. Libreti u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar në 1974. 

 SKENARIST I FILMAVE ARTISTIKË DHE VIZATIMORË 

  Mbi të gjitha, Naum Prifti shquhet në gjininë e tregimit. 

 Lista e botimeve përshin vëllime si “Një pushkë më shumë” (1969), “Litar i zjarrtë” (1970), “Tregime të zgjedhura” (1972), “Njerëz të kësaj toke” (1975), “Njëqind vjet” (1983), “Tre vetë kapërcejnë malin” (1972), “Yjet ndritin lart” (2002), “As Miço, as Muço” (2003).
 
Regjisorët mendonin njëzëri se tregimet e Naum Priftit konvertoheshin lehtë në skenarë të suksesshëm. Prandaj filmat kishin motive dhe subjekte të tij: “Pylli i lirisë” nga tregimi “Ndjekësi i kuajve” me skenar të Kiço Blushit, “Tokë e përgjakur”, bazuar te tregimi “Litar i zjarrtë”, me regji të Kristaq Mitro e Ibrahim Muça, “Tre vetë kapërcejnë malin”, prodhim i Kosovafilm me regjisor Besim Sahatçiu (gjyshi i Rita Orës) dhe skenar të Skënder Blakaj. 
 
Ky tregim u kthye në skenar filmi edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. 
 
Si skenarist u paraqit me filma në ekranin e TV apo të kinemasë. “Era e ngrohtë e thellësive” (TV) 1981, “Kush vdes në këmbë” me bashkëskenarist Vladimir Priftin (1984), “Fejesa e Blertës” me bashkëskenarist Roland Gjoza (TV) 1984. Filmi “Themistokli Gërmenji”, i cili shpalli Republikën e Korçës për ta shpëtuar nga aneksimi grek, megjithëse u aprovua nga Këshilli artistik i Kinostudios nuk arriti të xhirohej, se marrëdhëniet me Greqinë nuk duhet të ashpërsoheshin pas botimit të librit të Enver Hoxhës “Dy popuj miq”. Tregimi i tij “Pika e ujit” u punua në film multiplikativ nga një ekip i talentuar në Kinostudion “Shqipëria e Re”, që hodhën themelet e filmit vizatimor shqiptar. Përralla sjell disa dimensione, të cilat kanë arritur t’i realizojnë piktori Vlash Dobroniku, regjisori Bujar Kapexhiu dhe gjithë ekipi punues. Skenari i Naum Priftit fitoi Çmimin e Parë në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në 1976. SHKRIMTARI ANTIELITIST Emri i Naum Priftit spikat veçanërisht në letërsinë për fëmijë. Ndërsa për disa autorë nuk mund të quheshe shkrimtar për të rritur po të merreshe me botën e fëmijëve, Naum Prifti nuk besonte as në kategorizime dhe as në hierarki të gjinive letrare. Për të, mistifikimi i një fushe ishte shprehje apo pasojë e paditurisë për vlerat e artit. “Nuk ka gjini të lehta dhe të vështira në art, sepse arti në kuptimin e mirëfilltë është përpjekje e pareshtur, kërkim i përhershëm dhe rrekje për të arrirë shprehje të përkryer artistike”, thoshte Naum Prifti. Kaq e thellë është modestia e tij dhe vlerësimi për moshat e reja, sa Naum Prifti u angazhua si pjesëtar i ekipeve për tekstet shkollore, një punë me të cilën nuk do angazhohej asnjë “shkrimtar elitist”. MJESHTER I PËRKTHIMIT Dashuria për fjalën shqipe, për ruajtjen e tyre, për përdorimin me vend del në pah edhe më mirë në përkthimet mjeshtërore të Naum Priftit. Veprat e Roald Dahl “Gjiganti i madh i mirë”, 1990, “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami” (2018) janë shqipëruar prej tij në mënyrë të përsosur. Në to është Naum Prifti poet, sepse i është dashur të krijojë poezitë që përmban libri. Prof. dr. Majtime Dushallari, në vlerësimin e saj për këtë libër, shkruan: Naum Prifti në këtë përkthim shpalos pasurinë e gjuhës shqipe. Për një fjalë anglisht asnjëherë nuk përsërit fjalët shqip, por përdor fjalë sinonime ose shprehje të ndryshme me të njëjtin kuptim sipas situatës, që e bëjnë tregimin të rrjedhshme dhe gjuhën më të larmishme. Nga frëngjishtja, ai ka përkthyer “Princin e vogël” të Exuperisë e nga italishtja “Katër stinët” me përralla. Ai ka përfunduar disa përkthime të tjera nga Dahl dhe Singer.

Shkruan për shkrimtarin Naum Prifti : 

“Naum Prifti – zëri i të bukurës dhe i të vërtetës universale”

 

Arben Veselaj, RTK-Radio

Javën që shkoi letërsia shqipe humbi njërin nga autorët e saj më të shquar: tregimtarin, dramaturgun, skenaristin dhe polemistin e madh, Naum Priftin (Ersekë, 1932 – ShBA, 2023).

Naum Prifti qe shkrimtar me një veprimtari të shumanshme letrare, që nga letërsia për fëmijë, te poezia, romani, drama, satira, kritika letrare – mbi të gjitha shkëlqeu me tregimet dhe novelat e papërsëritshme si: “Njerëz të kësaj toke”, “Erë mali, erë fushe”,  “Nëna e diellit”, “Grigja e shpirtit” etj. 

Jetëshkrimi i Naum Priftit është një nga më të begatët e autorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, me mbi njëqind tituj veprash të botuara përgjatë një krijimtarie që kapë një periudhë më se 70-vjeçare.

Disa nga tregimet e tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme botërore,  si dhe disa kanë marrë çmime ndërkombëtare, siç është tregimi “Dimri i urisë” që ka rrëmbyer çmim “Honour Prize”, më 2005.

Studiuesi kanadez i letërsisë shqipe, Robert Elsie, në tekstin e tij “Historia e letërsisë shqipe” e radhit Naum Priftin në mesin e autorëve kryesorë të modernitetit letrar shqiptar, duke spikatur tek vepra e tij vlerat e dallueshme estetike si: skicimin e mprehtë të karaktereve, thellësinë e mesazheve artistike, gjuhën e pasur dhe të lëmuar, mendimin që herë-herë arrin deri në përsiatje filozofike, ngrohtësinë e ndjenjës dhe shkallën e lartë të humanitetit etj.

Naum Prifti i takon brezit të shkrimtarëve më të shquar të letërsisë shqipe të periudhës së realizmit socialist, me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Fatos Arapin, e të tjerë, por për dallim nga të parët vepra e tij jo rrallë u kritikua dhe për shkak të disa “gabimeve”. Për shkak të disa prej veprave të tij ai u ndëshkua nga regjimi totalitar.

Naum Prifti erdhi në letërsinë shqipe kur asaj i mungonin zërat e modernitetit letrar – ata zëra që guxonin ta shmangin temën nacionale për t’iu rrekur temave universale. Emri i Naum Priftit u nënshkrua në shumë vepra ku me mjeshtri u shkrinë tradita me modernen, burimorja me fantazinë.

Që në fillimet e krijimtarisë Naum Prifti ra në kundërshtim me dogmën socrealiste që ushtrohej asokohe mbi letërsinë shqipe. Drama “Rrethi i bardhë” pas shfaqjes, në vitin 1964, iu nënshtrua në fushate të egër kritikash e sulmesh nga eksponentë të regjimit komunist, për kinse “gabime ideologjike”,  aq sa bëri që autori ta pësojë  me“masa riedukuese” – që i biente: 10 vjet internim dhe punë të detyrueshme në fushat e Myzeqesë.

Përmbledhja me novela dhe tregime “Grigja e shpirtit” konsiderohet ndër veprat më të arrira të Naum Priftit. Ky libër përmban tregime e novela të shkruara gjatë disa dekadave, por ato u botuan në vitin 2003.

Nëprozëne librit “Grigja e shpirtit” autori ka shkrirë gjithë talentin e tij, mbështjell me humor e me dhimbje njëherësh, me vërtetësi ngjethëse për fuqinë shkatërrimtare të diktaturave mbi njeriun dhe shoqërinë.

Shumë vrojtues të veprës së Naum Priftit brenda përmbledhjes me novela dhe tregime “Grigja e shpirtit” kanë veçuar tregimin “Cungjet e kryetarit”, ky satira monumentale e këtij autori shpërfaqet aq natyrshëm dhe bëhet sarkazëm e gjallë.

Ashtu sikurse te tregimet e librit “Njerëz të kësaj toke”, të vitit 1975, gjuha e Naum Priftit është po ajo: thumbuesja, por pa helm – gjuhë që shndërrohet në letërsi, e cila natyrshëm vihet në funksion të kritikës ndaj dukurive negative në shoqëri.

Me dijen dhe kulturën shumë të gjerë, për të gjallë të tij Naum Prifti konsiderohej njëri prej zërave më autoritativë në fushën e mendimit shqiptar. Ai ishte intelektual me klas. Edhe pse ishte shkrimtar shpeshherë i ndaluar gjatë kohës së regjimit, kurrë nuk rrahu gjoks për këtë fakt, siç bënë shumë prej kolegëve të tij shkrimtarë.  

Vitet e pas rënies së diktaturës Naum Prifti i kaloi kryesisht në ShBA, ku qe bërëpjesë udhëheqjes sëorganizatës panshqiptare “Vatra”. Prej atje, herë pas here, me shkrime të ndryshme, ka marrë pjesë në debatet publike që zhvilloheshin në hapësirat shqiptare, sidomos me polemikat intelektuale mbi pasojat e komunizmit, pastaj për rikonsiderimin ose jo të historisë më të re të Shqipërisë etj.

Në shkrimet më të njohura polemizuese Naum Prifti shfaqet si një intelektual i madh, me gjykim të shëndosh kombëtar e universal; me një objektivitet të padiskutueshëm në gjykimet e tij kritike etj.

Polemikat e Naum Priftit godasin ashpër regjimin monarkist të Zogut, ashtu siç godasin dhe dënojnë ashpër edhe regjimin komunist të Hoxhës.

Për fund duhet thënë se krijimtaria e gjerë e Naum Priftit, në pothuajse të gjitha gjinitë letrare, në kujtesën e kombit shqiptar do të mbetet si një libër i madh ku rrojnë të gjalla vlerat që krijoji, mbi të bukurën dhe të vërtetën nacionale e universale.

Zani partizani është një film shqiptar i vitit 1976, me regjisor Pali Kuke dhe skenarist Naum Prifti.

Premiera e filmit ishte me 11 janar 1976. U prodhua nga TVSH.

Marta Burda lindi në Korçë në vitin 1906 dhe vdiq në vitin 1996, ishte aktore i njohur shqiptare.

Marta Burda lindi në një familje me tradita në kulturën tonë kombëtare, ishte. Ajo ishte e bija e fotografit të shquar të rilindjes Jani Burda. Duke u ndikuar nga lëvizja artistike teatrale amatore në qytetin e Korçës, në vitet e para të pasçlirimit Marta është aktore profesioniste pranë Teatrit Popullor, ku interpreton në role të vegjël deri në vitin 1954, vit që kalon në teatrin profesionist të qytetit të Durrësit, me të cilin u lidh deri në vitet e fundit të jetës dhe fitoi gjithçka. Ka interpretuar disa role ne filmin artistik.

Në këtë jetë të gjatë artistike është nderuar me diploma, çmime, si dhe me titullin “Artiste e merituar”.

Spiro Urumi (1928-1997) ishte një aktor i Teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit. Ka interpretuar në dhjetëra role në teatër dhe në kinematografi. Ka qenë volejbollist me skuadrën e “Teutës”. Për meritat e tij artistike Spiro Urumi është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Guljelm Radoja (2 Korrik 1945 – 5 Maj 2021) ishte nje aktor shqiptar i filmit dhe teatrit. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, pëfundon gazetari Arben Veselaj.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu