Kreu Blog Faqe 1040

Shën GJONI XXIII (1881 – 1963), në kujtim të 60 – vjetorit të vdekjes

0

Nga: Don Lush Gjergji

(60 – vjetori i vdekjes: 3 korrik 1963 – 3 korrik 2023) 

         „Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve.“                        (Lk 6, 35)                                                                                                                                       

         „Të duhemi mes veti, të kemi kujdes ndaj njëri-tjetrit në takime, që të mund të pranojmë atë që na bashkon, kështu duke  shmangur atë që mund të na largojë. Me të kthyer në shtëpi përkëdhelni fëmijët tuaj dhe tëhuajuni se kjo përkëdhelje është e Papës… Fëmijëz, nuk duhet të mendohet më në të kaluarën. Hyji e din mirë atë që ndodhi, gjithë atë duhet besuar mëshirës së tij, mirësisë së tij të pafund. E juaja është vetëm e tashmja… Duhet mbrojtur shpirtin e paqes… Besoj se Zoti do t’iu përgjigjet shpresave dhe pritjeve të botës e cila ka dëshirë aq të madhe për paqe…“.              Shën   Gjoni XXIII                                                                                                                                    

         Të shkruhet apo flitet, sot, për papën Shën Gjonin XXIII, apo siç e quanin të gjithë “Gjoni i Mirë“, është shumë vështirë, mirëpo njëkohësisht edhe e nevojshme, e dobishme, e domosdoshme, sepse ky margaritar i Kishës dhe njerëzimit të shekullit njëzet nuk guxon të harrohet, si dhe kujtimi në te nuk guxon të humbet. Me të erdhi rrezja e dritës dhe diellit, shpresës, mirësisë, dashurisë dhe vëllazërisë, hapja e Kishës ndaj  gjithë botës. 

         Jeta e tij qe e gjatë, 82 vite, pontifikati i tij i shkurtër, vetëm 5 vite, porosia e tij e amshueshme, personaliteti i tij karizmatik, gjithnjë i gjallë në Kishë dhe botë. Kështu që duke përkujtuar atë do të thotë ta ringjallësh atë, të shkruash për të do të thotë t’ia ofrosh atë gjeneratave të reja, sepse siç dihet, dashuria nuk vdes kurrë. 

         Angelo Giuseppe Roncalli, papa Shën Gjoni XXIII, u lind në Sotto il Monte, fshat afër Bergamo-s, më 25 nëntor 1881 në një familje fshatare me shumë fëmijë si dhe varfëri të theksuar. Pikërisht aty, në rrethin familjar, mësoi artin e dashurisë, fesë, lutjes, flijimit, komunikimit me të tjerët, solidaritetin. 

         Prejardhje e varfër dhe e thjeshtë, mbetën karakteristika themelore të jetës së tij. Në shkollë ishte i mirë, kështu që famullitari  i këshilloi prindërit e tij që t’ia mundësojnë vazhdimin e mëtutjeshëm të shkollimit. 

         Hyri në seminar. Mirëpo edhe aty duhej të paguante, e para nuk kishte. I ati i tij Giovanni Battista dhe nëna Maria njëherë i thanë: „Je fëmijë i fshatarëve  skamnorë. Edhe nëse arrin të bëhesh meshtar, do të jesh gjithmonë meshtar i varfër…” 

         Mirëpo, për shkollimin e tij u kujdes Provania hyjnore. Një monsinjor mori për sipër kujdesin për pagesë të seminarit. Në mësime ishte i zellshëm, kurse në jetën e përshpirtërisë shumë i dalluar, me të tjerët i shoqërueshëm dhe i lumtur, gjithmonë i gëzueshëm. 

         I riu Angelo Giuseppe Roncalli kreu studimet filozofiko-teologjike në Begamo. Studimet posdiplomike i vazhdoi në Romë. Shërbimin ushtarak e kreu për 12 muaj. Qe shuguruar për meshtar në Romë me 10 gusht 1904, kurse Meshë e Parë kremtoi në vendlindje me 15 gusht 1904. 

         Ja dëshmia e tij rreth meshtarisë: „Zoti dëshiron të bëhem meshtar; për këtë më shpërbleu me mirësitë e tija, aq sa më dërgoi në Romë nën përkrahjen e Papës, zëvendësit të Jezu Krishtit, në Qytetin e Shenjtë, afër varrezave të shumë martirëve, shumë meshtarëve të shenjtë… Nuk u bëra meshtar për të qenë i nderuar, ose shakë i përfitimit, për të jetuar më lehtë, për të jetuar e shijuar nderin dhe kënaqësinë. Runa Zot, vaj për mua po të ishte kështu! Por para së gjithash dhe vetëm për këtë u bëra meshtar, t’i bëj mirë në të gjitha mënyrat botës skamnore.“ 

         Ishte vite të tëra sekretar i ipeshkvit të Bergamos mons. Radini-Tedeschia-s, e më pas shpirtëror  në teologjinë  e Bergamos. 

         „Themeli i apostolatit tim është jeta ime e brendshme. Do i dua të rinjtë sikur një nënë e mirë“ shkruante kështu don Angelo Roncalli. 

         Në vitin 1921 ishte i ftuar në Romë në Kongregatën Propaganda Fide, sot Kongregata për Ungjillëzimin e popujve, për kryetar të Zyrës  për përhapjen e fesë për Itali. 

         Nga Roma shkruan: „Me zemër të thyer kam lëshuar Bergamon, atë që e desha: seminarin, shtëpinë studentore…Ndihëm i hedhur me tërë shpirtin tim në shërbim të ri. Këtu dëshiroj dhe duhet të rri pa mëdyshje, pa shikuar apo dashur ndonjë gjë tjetër.“ 

         Në vitin 1925, emërohet argjipeshkëv dhe vizitator apostolik në Bullgari,  shugurohet më 19 mars po të njëjtin vit. Mons. Angelo Roncalli shkruan: „Në realitet të jesh i emëruar ipeshkëv apo të mbetesh meshtar i rëndomtë, nuk do të thotë shumë për atë shpirt i  cili kërkon lavdinë e Hyjit, e jo shkëlqimin e rrejshëm të kënaqësive të kësaj bote… Jam i dëgjueshëm dhe me këtë aftësohem për t’i braktisur disa gjëra dhe për t’i pranuar tjerat“.  

         DHJETË VITE NË BULLGARI  

         Menjëherë pas shugurimit ipeshkëvor, ai shkoi në Bullgari (25 prill 1925), ku qëndroi plotë dhjetë vite. Në meshën e parë publike tha këtë: „Thjesht do të tregoj mënyrën e trajtimit të cilën do duhej në të ardhmen të kanë katolikët bullgarë ndaj ortodoksëve: këta janë vëllezërit e juaj. Nuk mjafton vetëm të kesh ndaj tyre ndjenja të përzemërta. Nëse i doni vërtet, ju jepni shembull të mirë përmes dashurisë suaj në vepër!“. 

         Që të dëshmoj këtë dashuri në vepër, ai menjëherë filloi t’i vizitojë bashkësitë e vogla katolike në Bullgari në kufi me Greqinë dhe Turqinë. Pas vizitave tha para gazetarëve bullgarë: „Erdha këtu që t’iu sjell katolikëve bullgarë bekimin e Atit të Shenjtë, i cili gjithnjë ka nderim të thellë dhe dashuri të përzemërt ndaj popullit bujar bullgar…Pashë një pjesë të mirë të vendit tuaj. Isha i pushtuar me thjeshtësinë dhe mirësinë e popullit i cili na pranoi gjithkund me mirëpritje prekëse… Isha dëshmitar i tolerancës së plotë të popullit bullgar ndaj pakicave fetare dhe kombëtare.” 

         Mons. Angelo Roncalli në mënyrë të shkëlqyeshme kreu misionin e tij apostolik në Bullgari duke animuar, mbështetur dhe inkurajuar bashkësitë katolike që të jenë të bashkuara, të vetëdijshme  për rolit të cilin e kanë në mesin ortodoks.  

         DELEGAT APOSTOLIK NË TURQI DHE  NË GREQI  

         Por, ja sfida e re, prapë edhe një  ndërrim. Më nuk është i ri, tanimë është 53 vjeçar. Në vitin 1934 qe emëruar delegat apostolik në Turqi dhe Greqi. 

         Në predikimin e tij përshëndetës, tha: „Pas dhjetë vitesh në Bullgari, ajo më është bërë e dashur…Kudo të jam, po edhe në skaj të botës, kur do të kaloj ndonjë bullgar pranë shtëpisë sime, do ta gjejë në dritare qiriun e ndezur. Do trokasë në derën time dhe ajo do t’i hapet, pavarësisht është ai katolik apo ortodoks. Vëlla Bullgar: mjafton vetëm ky titull për të hyrë brenda e të gjej vërtet mirëpritje shumë të përzemërt në shtëpinë time…“ 

         Turqia atëherë ishte në pozitë shumë të vështirë. Mustafa Kemal-pasha Ataturk (1881- 1938) krijoi Republikën Turke laike (1922), me kryeqytetin e Ankarasë. Ai dëshiroi ta europanizonte Turqinë, duke ndërruar Kushtetutën, sipas shembullit të ligjeve italiane dhe zvicerane. Futi në përdorim alfabetin latin, kalendarin europian, shpalli të dielën ditë pushimi  dhe ditë feste në vend të premtes, ndërpreu poligaminë dhe shpalli Turqinë shtet laik, me të drejta dhe detyrime të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. 

         Gjitha këto ndryshime, i sollën popullatës turke vështirësi të shumta. Pas takimit të parë me këtë realitet mons. Roncalli shkruan: “Ndoshta do kam ditë të rënda e situata të vështira… Mirëpo, unë vazhdimisht shikoj në lartësi dhe në largësi…“ 

         Në Turqi mori lajmin mbi sëmundjen, më pas edhe mbi vdekjen e të atit, Giovanni Battista. Komentoi thjesht dhe fetarisht: „Në dhimbjen time e cila është edhe më e madhe shkaku i largësisë, më ngushëllon mendimi, si për të gjithë besimtarët, se do të gjendemi në qiell.“ 

         Mons. Giuseppe Angelo Roncalli dëshiron të jetë vëlla e atë i të gjithëve, dhe për këtë përpiqet të mësimin e gjuhës turke. Disa i thoshin se nuk i nevojitet, meqë bashkësia katolike lutet, kremton meshën dhe sakramentet në gjuhën frënge, me të cilën edhe shërbeheshin. Ai iu përgjigjet: „Po të isha unë turk, nuk do më tërhiqte feja e cila nuk e njeh gjuhën time.“ Dhe pikërisht për këtë e futi në liturgji edhe leximin e Ungjillit në gjuhën turke. 

         Edhe Greqia përjetonte vështirësi të mëdha në fusha të ndryshme. Mirëpo, njeriu i Zotit nuk dorëzohet askurrë, sepse në të gjitha rrethanat dhe kohërat jeton dhe dëshmon praninë dhe dashurinë e Zotit  mes nesh. Mons. Roncalli në Greqi arrin vitin në vitin1935. Së pari është dashur t’i tejkalojë dy mosbesime të mëdha: Qëndrimin e Kishës Orodokse Greke dhe mospajtueshmërinë e shtetit. Kushtet e jetës dhe punës për katolikët ishin shumë të rënda. Këtë gjendje menjëherë ia parashtroi mbretit Georgios II, por me pak sukses. Me kënaqësi dhe shpesh e viziton Athinën, takonte hierarkinë katolike, bënte gjithë atë që kishte mundësi.  

         Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai është ambasador i vërtetë i paqes, pajtimit dhe faljes. 

          DIPLOMAT I HYJIT  

         Pas luftës, ia edhe një sfidë e re. Në vitin 1945, Mons. Roncalli emërohet për nunc apostolik në Francë. Edhe një herë kjo ishte treguar si hap provanial, dha tani të gjithë do e quanin “Diplomat i Hyjit”. Gjatë dhjetë viteve ai përfiton të gjithë me zemrën e tij të madhe, me butësinë dhe thjeshtësinë që kishte. 

         Papa Piu XII i jep mirënjohje dhe e emëron kardinal vitin 1952. Mons. Roncalli është i hutuar, i befasuar,  i prekur, dhe në ditarin e tij shkroi këto fjalë: “Me të vërtetë krejt këtë e bëri Zoti, edhe atë pa mua, sepse nuk kisha mundur as të paramendoja, apo pretendoja për një mirënjohje kaq të madhe. Të jam i thjeshtë dhe përvuajtur nuk më ka krijuar problem të madh.  Për çka të krenohem apo lavdërohem, O Zot imi? Merita ime është mirësia e jote…” 

         PATRIK  I VENEDIKUT  

         Zoti tani më nuk po e le të qetë. Pas vdekjes së patrikut të Venedikut, Mons. Carlo Agostinit, Roncalli emërohet në vendin e tij  në vitin 1953. 

         Në bazilikën e Shën Markut, i prezantohet besimtarëve spontanisht dhe me përvujtëri: “Vij nga përvujtëria, isha i edukuar në varfërinë e lumtur dhe të bekuar e cila ka kërkesa aq të vogla…Provania më nxori nga fshati im i lindjes dhe bëri që të kaloj rrugëve të botës të Lindjes dhe të Perëndimit, duke u afruar me njerëz të religjioneve dhe ideologjive të ndryshme, në ballafaqime me probleme të ashpra dhe kërcënuese të shoqërisë, mirëpo duke ruajtur qetësinë dhe baraspeshën e kërkimit dhe vlerësimit: gjithmonë kam qenë më tepër i zënë rreth asaj që na bashkon, se sa asaj që na ndan… Mirëpo, para se gjithash i porositem mirësisë suaj unë njeriu i cili thjesht dëshiron të jetë vëllai juaj i dashur, i afërt, i kuptueshëm ndaj të gjithëve…” 

         Mendoi dhe shpresoi se do e përfundonte këtë „shtegtim“ tokësor në Venedik. U përgatiste për vdekje sa më të mirë, por jo në mënyrë pasive. Vërtet ishte gjithkund  vëlla dhe mik i të gjithëve, në veçanti i të varfërve dhe njerëzve të thjeshtë. Me kujdes dhe dashuri të madhe përcolli klerin e tij. Punoi, luti, meditoi, mendoi shumë, kurse me përpikëri natë e ditë shkroi ditarin e tij. Flinte pak, vetëm disa orë. 

         Mbi vdekjen shkroi këto fjalë: „Mendimi mbi vdekje më bënë shoqëri të pikëllueshme, por edhe të mirë, që nga dita kur u emërova për kardinal dhe patrik të Venedikut. Për mua ky mendim është i vështirë, por edhe shpëtues. Mirëpo pjesa e jetës që më ka mbetur nuk është asgjë tjetër përpos përgatitje e lumtur për vdekje.“ 

         Kishte zemër të madhe, ishte mikpritës i mrekullueshëm. Shpeshherë iu thoshte bashkëpunëtorëve të tij: “Kushdo mund të më vizitoj; ndoshta dëshiron të rrëfehet? Unë jam një meshtar i varfër, dhe po e refuzova kënd, kisha mundur ta humbas një shpirt i cili ka dashur të hapët me mua.” 

         Thjeshtësia dhe mirësia e tij së shpejti përfitoi të gjithë. Venediku i ishte sikur shtëpia e tij personale e lindjes Sotto il Monte, sepse ishte komunikativ dhe mik i të gjithëve.   

         PAPA GJONI XXXIII – GJONI I MIRË       

         Në vitin 1958 vdes papa Piu XII, i cili, me vendosmëri e udhëhoqi Kishën e Hyjit për 19 vite. Kardinali Roncalli u pikëllua shumë shkaku i kësaj humbjeje të madhe, mirëpo e përjeton në heshtje, në mënyrë të krishterë, sipas motos së tij: në dëgjueshmëri dhe  në heshtje!  

         Duke u nis për në Romë, në konklavë, tha:”Gëzimi më i madh imi i cila do të mund të më ndodhë do ishte të kthehem pas disa javëve në mesin tuaj.” Nxori  biletën kthyese, në tavolinën e tij të punës la të hapur shumë letra të rëndësishme dhe të besueshme, duke shpresuar se do kthehej së shpejti. 

         Kisha, bota, po edhe kolegji i kardinajve pritnin shumë nga konklava. Flitej se do zgjidhej një papë kalimtar. Shpesh është përmend edhe emri i kard. Roncallit, i cili tani ishte në moshën 77 vjeçare, mirëpo kishte mjaftë përvojë diplomatike dhe pastorale. Në Bullgari dhe Greqi njohu ortodoksizmin dhe sllavët, në Turqi botën islame. Qysh më herët në Propaganda Fide ishte njohur me botën misionare; në Francë takoi civilizimin dhe kulturën europiane; në Venedik udhëhoqi suksesshëm një Kishë të vogël, por shumë të gjallë. 

         Nga Roma, kardinali Rocalli i shkruante ipeshkvit të Bergamos: “Shpirti forcohet me besimin e Rrëshajave të reja të cilat do mund t’i jepte Kishës Shenjte ripërtwrirjen e tërësishme të Kreut dhe gjallërimin e gjymtyrëve. Nuk është me rëndësi se a është papa nga Bergamo. Lutjet e përbashkëta duhet të nxjerrin një njeri të shenjtë dhe të përkushtuar i cili me butësi dhe urtësi do të na drejtojë.” 

         Kardinali Angelo Giuseppe Roncalli është zgjedh papë me 28 tetor 1958. Pranoi këtë pas shumë mendimeve, pasigurisë, lutjeve, me këto fjalë: “Atë që di me varfërinë dhe vogëlinë time mjafton për të më hutuar. Mirëpo, shoh në fytyrat shembullore të vëllezërve të mi kardinaj shenjën e vullnetit të Zotit, pranoj zgjedhjen e tyre dhe uli kokën dhe krahët për barrën e kryqit dhe pirjen e  kelkut të hidhët… Do të quhem Gjon. Ky emër është i ëmbël, sepse është emër i babait tim. Jemi të kënaqur, sepse është mbrojtësi i famullisë modeste ku jam pagëzuar..” 

         Dhe menjëherë filluan brohoritjet e ngazëllimit, entuziazmit, lotët e gëzimit të Venedikut, të Bergamos, Sotto il Monte, Parisit…, gjithë atyre që e kishin njohur. Së shpejti e quajtën “Gjoni i Mirë”. Dhe i tillë, u tregua tërë jetën e tij duke i shërbye të gjithëve. 

         I befasoi të gjithë me shenjat dhe gjestet si dhe thjeshtësinë e sjelljeve të tija: Viziton spitalin Bambino Gesù në Romë, duke biseduar përzemërsisht dhe atësisht me fëmijët e sëmurë, me prindër, me personelin mjekësor. Më vonë vizitoi burgun Regina Coeli, ku mes të tjerave të burgosurve iu tha: ”Pra, ja Ne jemi këtu, bij të dashur… Erdha, më patë, i  kam drejtuar sytë e mi në sy tuaj, kam vendosur zemrën time afër zemrës suaj…” 

         Zemra e madhe – dashuria e papës Gjonit XXIII depërtoi edhe jashtë mureve të Vatikanit: 150 herë doli jashtë Vatikanit, duke ndërprerë kështu traditën e mëhershme shumëshekullore. Me shaka iu tha besimtarëve: “Lejoni që të dalë edhe Papa nganjëherë, sepse Papa jeton i mbyllur në dy tre hapësira. Lejoni të vijë te ju, që t’ju ngushëllojë pak!“                 

                              KONCILI I DYTË  I VATIKANIT   

         Mirëpo befasia më e madhe ishte paralajmërimi i Koncilit të Dytë të Vatikanit më 25 janar 1959. Në kuvendin e Shën Palit, afër bazilikës me emër të njëjtë, iu tha  kardinajve: „Për t’i ballafaquar problemet e sotme të njerëzve, duke qenë të frymëzuar me traditë dhe të drejtë shumë shekullore, shpallim mbajtjen e Koncilit të Përgjithshëm Ekumenik…Synim i tij nuk është vetëm për ndërtimin e popullit të krishterë, por është një ftesë  edhe për bashkësitë e ndara të ndara  – në kërkim të bashkimit… Këtu gjithsesi do jetë edhe Shpirti Shenjt. Unë nuk frikohem. Ta fillojmë punën…“ 

         „Vrapi“ i Papës nuk ndalet këtu. Në ekranet televizive me bindje dhe fuqi të thellë porosiste: „Botës i nevojitet Krishti dhe Kisha duhet të jetë ajo e cila do t’ia sjellë botës Krishtin.“ 

         Më 4 tetor 1962 Papa me tren shtegton në Loreto dhe në Assisi, një javë para fillimit të Koncilit. 

         Koncili Dytë i Vatikanit ishte lëvizje e madhe shpirtërore dhe fetare,  ngjarje shekullore, frymëzim i Shpirti Shenjt për Kishën dhe botën. Në hapje në Sheshin e Shën Pjetrit,ishin të gjithë, mbi 200.000 mijë besimtarë, 2400 ipeshkvij, argjipeshkvi, kardinalë, teologë, “vëllezërit e ndarë”. Gjoni i Mirë ka në zemër shumë dëshira, para së gjithave ta përditësojë Kishën – aggiomamento , të shërbente bashkimin e  të të gjithë të krishterëve, paqes në botë. 

         Papa Gjoni XXIII, tha: “nuk do të bëjmë ndonjë gjykim historik. Nuk do të hulumtojmë kush kishte të drejtë e kush kishte gabuar. Përgjegjësitë janë të shumta. Ne thjeshtë do të themi: të bashkohemi, t’i japin fund ndarjeve!” 

         Në kujdes për paqe ndërmjetëson dhe arrin sukses të shmangies së konfliktin mes SHBA dhe Bashkimit Sovjet rreth raketave ruse të vendosura në Kubë. 

         Sundimtarët botëror i porosiste: ”Bëni gjithçka është e mundur dhe në fuqinë e juaj për ruajtje të paqes: kështu bota do t’i shmanget tmerrit të luftës pasojat e së cilës askush nuk mund t’i parasheh… Të promovohen, përshpejtohen, të pranohen negociatat në të gjitha nivelet dhe në çdo kohë, ky është rregulli i urtisë dhe maturisë, e cila fiton bekimin qiellor dhe meriton kujdesin dhe mbështetjen njerëzore…” 

         Dy enciklikat e Gjonit XXIII patën kuptim shumë të madh për Kishën dhe botën: Mater et Magistra (1961) dhe Pacem in terris (1963). 

         Ja disa vlerësimet të rëndësishme rreth tyre. John F. Kennedy: “Si katolik jam krenar për ato, ndërsa si amerikan kam mësuar shumë nga prej tyre…” U Thant, Sekretari i OKB-së gjatë një fjalimi tha kështu: “Historia njeh shumë pak personalitete të cilët kanë pasur aq shumë nderim dhe aq dashuri sikur Papa Gjoni XXIII.” François Mauriac, nobelisti për letërsisë, dëshmon: “Papa Gjoni XXIII ka thënë fjalë të mëshirës të cilat unë gjithnjë kam dëshiruar t’i dëgjoja prej Romës, dhe i ka thënë në praninë e vëllezërve të ndarë… Për herë të parë, pas rinisë time, Shpirti dëshmohet, së paku për mua në mënyrë të dukshme”.     

     Gjoni XXIII jetoi dhe punoi për gjithë botën duke dëshiruar paqe, drejtësi, nderim mes njerëzve, dashuri, bashkim. Njëherë tha: “Enciklika Pacem in terris është dhurata ime për Pashkë për mbarë njerëzimin. Puna me këtë nuk ka përfunduar. Deri më tani kemi përparuar mirë, mirëpo duhet guximshëm të vazhdohet ky rrugëtim.”          

         “VUAJ ME DHEMBJE DHE ME DASHURI”   

         Gjoni i Mirë tani më është në moshë të shtyrë, me punë të vazhdueshme dhe me plot përgjegjësi, takime zyrtare, kujdesi për mbarë Kishën dhe për gjithë botën.  Ishte ky kryqi i përditshëm të cilin e bartte. Përpos këtyre halleve ishte e pranishme edhe sëmundja, mirëpo ai, si gjithnjë ishte i gëzuar, i qetë, optimist, pranonte vullnetin e Zotit. Mjekut i cili kujdesej për shëndetin e tij i tha: “E di se fati im është sikur i Radinit…Valixhet i kam gati për nisje.” Pas disa minutave të heshtjes dhe meditimit,  vazhdoi: ”Nëse Hyji kërkon sakrificën jetësore të Papës, atëherë kjo le të shërbejë për hire të shumta  të Koncilit Ekumenik,  të Kishës së  Shenjtë, të  njerëzimit i cili kërkon paqen.” 

         Sekretari personal Mons. Loris Capovilla, me lot në sy, ia kumtoi se gjendja  shëndetësore ishte keqësuar dhe se mjekët nuk mund të bënin më asgjë. Dhe qante. Gjoni i Mirë i tha: “Shihe, shihe, Sekretari im, i cili duket aq i fortë, tani shqetësohet dhe qanë kur erdhi tek unë për t’më kumtuar gjënë më të bukur e cila mund t’i thuhet meshtarit: ‘Sot do të shkosh në Parajsë…’ E tash, ejani…Unë jam ipeshkëv, duhet të vdes sikur ipeshkëv, thjeshtë, por edhe dinjitetshëm…” 

         Pas rrëfimit, vajimit të shenjtë dhe kungimit, në qetësinë më të madhe, në sigurinë e fesë, tha: “Ja, duart e shtrira të Jezusit, ishin program i pontifikatit tim…Kërkoj falje nga të gjithë qysh nga rinia ime e deri me sot që kam pasur ndonjë mangësi Kam kërkuar, dëshiruar t’i dua të gjithë, iu kam dashur të gjithëve të mirën. Paraqes çdo vuajtje që të jenë të gjithë një: ut unum sint!… Vuaj me dhembje dhe me dashuri. Po e përcjell vdekjen time hap pas hapi. Tani me butësi drejtohem kah mbarimi…Mater mea, fiducia mea!” 

         Vdiq në zë  të shenjtërisë  dhe  shenjtërisht më 3 korrik 1963, duke u lëshuar në duar të Zotit, në  Siguri të Jetës, të Ringjalljes. 

         Gjoni XXIII ishte i mirë, i dashur,  i përvuajtur, njeri i shpirtit dhe zemrës së madhe. Jetoi kohën e tij, mirëpo  atë edhe e ka tejkaluar, me fe dhe dashuri, si profet. Pikërisht për atë jeta dhe veprat e tija mbesin të vlefshme dhe gjithmonë aktuale për Kishën Katolike, për kishat e krishtera, për çdo besimtari, për  çdo njeri. 

         Shumë menduan se ai do të ishte një Papë kalimtar. Kurse ai, përkundrazi, ishte Papa i ndërrimeve, frymëzimeve, përtëritjeve, kthesave rrënjësore. Ai kishte zbatuar përditësimin për Kishën dhe në Kishë, kishte vizion profetik për ekumenizëm me botën e krishterë, dhe qëndrim të dialogut të hapur  me të gjithë. 

         Për Kishën njëherë tha: “Kisha katolike nuk është ndonjë muze arkeologjik. Ajo është burim i vjetër, i cili jep gjithnjë ujin e ri brezave të tanishëm, siç iu ka dhënë edhe atyre para nesh.” 

         Kurse duke bërë një përmbledhje të jetës së vet,  kishte thënë kështu: “Punuam, i shërbyem Kishës, nuk jemi ndalur duke mbledhur gurët të cilët na janë hedhur nga njëra apo ana tjetër… Dhe nuk kemi kthyer hedhjen e gurëve ndaj askujt… Një ditë Zoti, kur do të paraqitemi para tij, nuk do të na pyet a kemi bërë bashkimin, por do t’na pyet çka kemi bërë ne për bashkim… Kam nevojë për kryq. Jezusi Zot, më ndihmo ta barti me përvujtëri dhe dinjitet!” 

         Papa Gjoni XXIII na ka zbuluar “shenjat e kohës”, kurse vet ishte dhe mbeti “shenjë” e kohës sonë, dhe më tepër “shenjë” e Zotit. Në nder të elterit është ngritur në 2000 vjetorin jubilar të krishterimit, kur Papa Gjon Pali II më 3 shtator e shpalli të Lumtur, ndërsa shpallet Shenjt së bashku me të Lumin Gjon Pali II më 27 prill 2014.  

Prishtinë, 3 korrik 2023 

Personaliteti i shquar i medias, Frank Shkreli, shpallet “Qytetar Nderi” i Malsisë së Madhe

0
Kryetari i Bashkisë Tonin Marinaj i ka dorëzuar titullin: “Qytetar Nderi” personalitetit të shquar të medias z.Frank Shkreli, me motivacionin: “Për vlerat e larta në fushën e gazetarisë (sidomos tek media më e njohur ndërkombëtare “Zëri i Amerikës”-VOA). Publicist që me shkrimet e tij i ka bërë e i bën jehonë çështjes kombëtare shqiptare duke qenë edhe një faktor shumë i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në Amerikë, siç edhe për rolin e tij në lidhjet ndëkulturore mes shqiptarëve e popujve kudo nëpër botë duke forcuar vazhdimisht kontributin e tij atdhetar në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe e më gjërë“.

Pesë nga ata që shkëlqyen në turnirin ndërkombëtar të futbollit “MYERIN CUP 2023”

0

Nga: Arif Ejupi

Turneu tradicional i futbollit “Meyrin Cup” edhe sivjet i ka tubuar juniorët më të mirë U-11, nga Anglia, Italia, Franca, Spanja, Kosova dhe Zvicra.

Në këtë ngjarje të rëndësishme sportive Republikën e Kosovës e kanë përfaqësuar vogëlushët e Akademisë së futbollit FC. ”Kickin” nga Prishtina.

Ata edhe pse me një orar të ngjeshur të ndeshjeve gjatë dy ditëve, aq sa edhe ka zgjatur ky turnir, kanë shkëlqyer, me lojën e tyre atraktive dhe të bukur.

Të 15-futbollistët juniorë të FC. Kick-in, edhe pse ende të njomë kanë demonstruar cilësi prej talentesh të vërtetë.

Veçmas ka habitur përgatitja e tyre fizike, ngase pushimi nga njëra ndeshje në ndeshjen tjetër ka qenë shumë i shkurtër.

Sulmit të kësaj skuadre i ka prirë qendërsulmuesi Gent Munishi, i cili nga gjithsej 11-të, ndeshje të zhvilluara ka shënuar 12-të gola.

Loja e tij u përshkua me goditje të forta dhe precize. Genti po ashtu në zotërim të topit ishte i mrekullueshëm.

Ai nga pozita në dukje të pamundshme për të shënuar disa herë i ka befasuar portierët e skuadrave kundërshtare.

Veç kësaj driblimet të tij perfekte dhe shmangia me aq lehtësi e mbrojtësve kundërshtarë janë duartrokitur me dhjetëra herë nga shikuesit e shumtë.

Në lojën e këtij vogëlushi na shfaqet përpara syve legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri, kur si nxënës i 8-vjeçares “Naim Frashëri”dikur“ Gjuro Gjakoviq “ të Podujevës, pati paralajmëruar shkëlqimin e tij në fushat e futbollit në ish-Jugosllavi dhe ato ndërkombëtare.

Një futbollist tjetër i kësaj Akademie që me lojën e tij brilante ka fituar zemrat e të gjithëve është Diar Xhogoviq, me origjinë nga trojet tona në Mal të Zi.

Ai në të gjitha ndeshjet ka shmangur çdo rrezik serioz për portën e kolegut të tij Rene Kuqi.

Po ashtu me gjuajtjet e tij sikur prej katapulti nga një largësi bukur e madhe ka shënuar dy gola, që i kanë ngritur në këmbë të gjithë.

Leart Sinani nga Podujeva, futbollist i kësaj Akademie dhe pjesëmarrës në këtë turniri, i aktivizuar në të gjitha takimet ka tërhequr vëmendjen e sportdashësve shqiptarë dhe atyre të huaj, me stabilitetin e treguar.

Krosimet që vinin nga të ashtuquajturit kornerë me kërcime në ajër dhe goditje me kokë Sinani, shtathedhur dhe i zhdërvjellët i dëbonte me lehtësi në mesfushë.

Ndërkaq, Jon Goxhuli e ekuilibronte lojën në mesfushë dhe i furnizonte me topa të gjatë bashkëlojtarët e tij, të sulmit.

Ai impresiononte me përpjekjet për ta rimarrë çdo top të humbur. Befasonte për të mirë edhe me qëndrueshmëri fizike. Shihej në çdo cep të fushës. Thjesht gjatë 11-të ndeshjeve të luajtura u tregua energjik dhe i lëvizshëm.

Me një të ardhme premtuese nëse vazhdon të jetë i përkushtuar në punë do të jetë edhe prizrenasi Dren Krasniqi, lojtar i repartit të sulmit në FC. Kick-in të Prishtinës.

Ai ka hyrë në listën e golashënuesve me një gol të bukur kundër skuadrës FC Vevey të Zvicrës.

Këtë takim e kanë fituar me rezultat bindës 4-: 0 ,akademikët e vegjël të Kosovës.

Edhe 10-të futbollistët emrat e të cilëve nuk janë përmendur për arsye të hapësirës së kufizuar, i posedojnë të gjitha parametrat për të qenë emra të njohur të futbollit.

Ata me lojën e tyre të bukur na kanë nderuar të gjithëve, e veçmas Flamurin e Republikës së Kosovës, që valonte përkrah atij të Anglisë, Italisë, Zvicrës, Francës dhe Spanjës.

Nuk na kontestohet e drejta për ta shtri sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të vendit, por përdorimi i policisë speciale për shtrirjen e tij

1
Nga: Ibrahim Kelmendi, Gjermani
____
LUTJE PËR URTI RACIONALE
Nuk po na kontestohet e drejta kushtetuese për ta shtri sovranitetin në Veri, as nga Aleanca NATO, në krye me USA-të, por po kontestohet perdorimi i dhunës me polici speciale për ta shtri sovranitetin, gjithsesi.
Ndoshta ndihmon të kuptojmë më shpejt, se edhe Serbia mund të thirret në të drejtën e saj kushtetuese për ta shtri sovranitetin në Kosovë, gjithsesi, por fatmirësisht nuk po e lejojnë USA-të me aleatët e saj, prandaj po e mbrojnë Republikën e Kosovës edhe ushtarakisht.
Të urtit moti kanë thënë, jo çdo e drejtë është e zbatueshme në të gjitha rrethanat!
Me bashkështetas serbë duhet të merremi vesh për mënyrë të bashkëjetesës në harmoni e mirëkuptim reciprok. Gabimisht janë faktorizuar sundimtarët e Serbisë si përfaqësues të serbëve të Kosovës. Qysh në fillim të dialogut kryeministrat e Kosovës është dashtë të refuzonin “dialogun” me sundimtarë të Serbisë si përfaqësues të bashkështetasëve tanë serbë. [Nuk është dashtë të dialogohet me sundimtarë të Serbisë as si pronarë të kishave ortodokse në Kosovë (meqë kishat e xhamitë nuk janë pronësi shtetërore, por vetëm e besimtarëve përkatës fetarë).] Por gabimi ka ndodh dhe tashmë duhet të gjendet mënyra e bisedimeve për të gjet zgjidhje racionale të krizës, sepse Aleanca Perëndimore po i trembet Rusisë fashistoide, e cila nga qasti në qast do të mund të shpërthen edhe luftën atomike, prandaj sundimtarët e Serbisë po e keqpërdorin këtë ankth të Alancës NATO.
Edhe më idiotët tashmë e dinë që Rusisë fashistoide i intereson shumë të ndodh një konflikt i armatosur në Kosovë. Shteti i Kosovës ka potencial të vockël vetanak për ta penguar shpërthimin e konfliktit të armatosur, por të paktën, nuk do të duhet të krijojmë rrethana, me angazhimet tona destruktive, të shtynim edhe Alencën NATO për ta bë fajtore qeverinë e Kosovës, siç po ndodh gjatë ditëve të fundit.
KM Kurti nuk duhet të komunikon mujshtisht as “filozofisht” me funksionarë të USA-ve, përmes mediave, por me komunikim diskret. E nëse tashmë DASH i USA-ve nuk e akcepton KM Kurti si partner në gjetje të zgjidhjes pragmatike për deeskalim të shpejt të krizës, atëherë KM Kurti do të duhet të jap dorëheqje – si zgjidhje pragmatike në interes të Shtetit të Kosovës, edhe pse për momenti, në dukje, nuk e kemi alternativa funksionale, kush do të duhej ta pasonte KM Kurti.
Ka ndokush ide racionale tjetërfare, sepse ndonjëherë, pahiri ndodh, me ia qëllua edhe budallai?
Paraprakisht falënderime edhe për keqkuptime.

Pozicionet kontraverse të pushtetit dhe opozitës në Kuvend!

0

Florim Zeqa 

Unë si analist i pavarur politik, nuk jam ai që marr vendime. Detyra ime atdhetare është që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhë të paanshme zhvillimet politike që ndodhin në shtetin tim dhe përreth tij. Asnjërë nuk i vëjë pikë asnjë mendimi, por gjithnjë e lë derën hapur edhe për të tjerët që të kontribuojnë për të mirën e shtetit dhe vendit tonë të shënjt.

Pozita dhe opozita, dy botë të kundërta në Kuvend

I falenderojë të gjithë ata që i lexojnë dhe i kuptojnë drejt opinionet dhe analizat e mia politike, sikurse që i vlerësojë edhe ata të cilët nuk i kuptojnë, por asnjëherë nuk i vlerësojë ata që me qëllim iu kundërvihen opinioneve të mia për interesa të partive politike apo grupeve të interesit brenda tyre.

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës në të cilën u debatua rreth situatës së krijuar në veri të vendit, ishte jasht nivelit dhe qëllimit pse ishte thirrur.

Në vend të unifikimit të subjekteve politike në Kuvend për gjetjen e një zgjidhje për të dalur nga labirinthi politik, partitë politike e vazhduan kacafytjen e zakonshme verbale mes tyre duke mos e ndjerë peshën e rrezikut para të cilit ndodhet shteti ynë.

Zgjedhet e jashtëzakonshme në veri nuk janë zgjidhje e problemit pa gjetjen e një zgjidhje paraprake përmes dialogut të Brukselit, gjegjësisht pa arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obliguese për Kosovën dhe Serbinë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, për t’i dhënë fund një herë e mirë konfliktit shekullor mes serbëve dhe shqiptarëve ne Ballkan.

Pozicionet kontraverse të pushtetit dhe opozitës në Kuvend sikur të krijojnë përshtypjen e dy botëve të kundërta dhe dy poleve të kunderta të cilat asnjëherë nuk do të bëhen bashkë për të mirën e këtij vendi.

Gara për marrjen e bajrakut dhe vënjen e etiketës së tradhtarit

Kjo qasje e gabuar e skenës aktuale politike në Parlament nuk përkon aspak me të zgjedhurit e popullit, të cilët janë aty për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe qytetareve e jo të kauzave partiake.

Pushteti dhe opozita sikur po harrojnë, se çdo sukses apo deshtim në shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit është i përbashkët. Andaj meritat për sukseset e arritura dhe gjykimet për dëshimet janë të dyanshme dhe të ndërsjella, për shkak të rolit obligimeve kushtetuese që kanë pozita dhe opozita në Paralmentin e Kosovës.

Përderisa ka shumë pak deputet në Kuvend që e duan Republikën e Kosovës si atdhe të tyre, edhe pse paguhen mirë nga buxheti i shtetit, qytetarët dhe mergimtarët e duan shtetin e tyre si thesarin më të çmuar pa marr asgje prej tij.

Sjellja jo serioze e deputetëve në Kuvend është shqetësuese pas situatës së krijuar në veri të vendit, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.

Situata e krijuar në veri të vendit, nuk është për tu nënçmuar dhe as për tu sjellë në mënyrë kaq të relaksuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shkak se ajo tashmë ka dalë jashtë kontrollit të plotë të institucioneve tona shtetërore.

Sjellja arrogante dhe e papërgjegjshme e deputetëve në Kuvend ka bërë që qytetarët, jo vetëm ta humbin durimin, por edhe shpresën për një ardhmëri të sigurtë në vendin e tyre.

Kthimi i besimit në këtë vend asnjëherë nuk do të kthehet me politika ditore, lokaliste dhe primitive të kohës së bajraqeve e fiseve, në garën e pashëmbullt se cili do ta merr barjakun e shpëtimtarit, e kujt tjetër në të njëtën kohë t’i vihet etiketa e tradhtarit.

Ndëshkohet shumica për të mbuluar dëmet e pakicës

Përderia të vazhdohet me logjikën e një politik-bërje të tillë, çdo herë do të nxëmë n’thue në vetëveten tonë dhe asnjëherë nuk do të arrijmë të shkojmë drejt prosperitetit kulturor në radhë të parë, por as në drejtim të forcimit ekonomik dhe ushtarak të shtetit tonë.

Mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, përkatësisht i zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët dhe në tërë territorin e vendit ka krijuar situata anarkike, siq është ajo në pjesën veriore, ku serbët e veriut i shfrytëzojnë resurset e shtetit të Kosovës pa paguar asgjë. I shfrytëzojnë për 24 vjet rrsht resurset e shtetit që nuk e njohin dhe as pranojnë si të tyre pa e paguar asnjë faturë të energjisë elektrike, ujit, tatimit në pronë e deri tek mbeturinat.

Fatkeqësia tragjikomike dhe padrejtësia e madhe shtetërore po ju bëhet qytetarëve të pjesës tjetër të Kosovës dhe mërgimtarëve të cilët detyrohen paguajnë faturat me rritje 100% të energjisë dhe të tatimit në pronë për të mbuluar humbjet që po ia shkaktojnë buxhetit të shtetit të Kosovës serbët e veriut!

Largime nga vendlindja kemi pasur pothuajse në të gjitha periudhat historike, kemi pasur gjatë regjimit titist, kemi pasur edhe në vitet e ’90-ta si pasojë e dhunës sistematike dhe represionit të regjimit pushtues të Serbisë së Millosheviçit, por asnjëherë nuk ka pasur largime kaq masive dhe të dhimbshme të popullatës shqiptare në dekadën e fundit të shkaktuara nga keq-qeverisja e politikanëve shqiptarë në Kosovën shtet i pavarur dhe sovran!

Fotot e disa prej atyre që i përmendi Albin Kurti për protestën në Zveçan

0
Kryeministri Albin Kurti në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën me veri të vendit, evidentoi rreth 26 emra për të cilët pretendoi se janë të përfshirë në protestat e dhunshme ku mbetën të lënduar mbi 30 ushtarë të KFOR-it.
Kallxo.com sjell dosjen e dëshmive – fotografive të disa nga emrat për të cilët kryeministri Kurti pretendoi se kanë rol në trazirat në komunat veriore të Kosovës.

Ndër personat e parë që përmendi Kurti në seancën e sotme, janë Rajko Jevtiq e Miqko Jevtiq, për të cilët tha se janë babë e bir.

Kurti tha se Miqko Jevtiq është pjesëtar i formacionit ilegal ‘Mbrojtja Civile’.

“Miqko Jevtiq, pjesëtar i formacionit ilegal, i të ashtuquajturës Mbrojtje Civile në Zveçan bashkë më të, Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në Komunën e Zveçanit (babai i Miqko Jevtiq)”, tha Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Portali ka siguruar dëshmi-fotografi në të cilat shihet Miqko Jevtiq shihet në mesin e turmës së maskuar në Zveçan. Ai në kokë ka të vendosur një kapelë.

Kjo turmë e maskuar të hënën u përplas me paqeruajtësit e KFOR-it, përplasje nga e cila u lënduan rreth 30 pjesëtar, u hodh gaz molotovi, gur, shok-bomba e gurë në drejtim të kordonit ushtarak.

Kryeministri Kurti sot përmendi edhe Rajko Jevtiq, për të cilin tha se është ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në Komunën e Zveçanit.

Portali ka siguruar dëshminë-fotografinë në të cilën shihet se Rajko Jevtiq poashtu pjesëmarrës në protestën në Zveçan.

Në dëshminë e siguruar, ai nuk është i maskuar por qëndron në turmë.

Emri i tretë i përmendur nga Kurti është ai i  Danillo Josifoviq për të cilin tha se është i njohur me nofkën ‘Përki’ gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal ‘Mbrojtja Civile’.

Në mesin e 26 emrave, për të cilët kryeministri Kurti po pretendon se qëndrojnë mbrapa trazirave të veriut, është vetëm një grua, e ajo është Liljana Aksentijeviq.

“Liljena Akstentijeviq zëvendësuese e kryetarit të ashtuquajtur organ i përkohshëm në Zveçan ka urdhëruar të gjithë punëtorët ilegal të Komunës së Zveçanit që në 6:30 të dalin para komunës”- tha Kurti.

Në dëshminë e siguruar Aksentijeviq shihet në turmën protestuese.

Ajo është e vetmja grua që shihet në mesin e turmës e cila është nga burra të maskuar.

Pas denoncimit të emrave nga Kurti, para qytetarëve serb që janë duke protestuar në afërsi të objektit të komunës më Zveçan, u paraqit Ljiljana Aksentijeviq e cila tha ‘Unë këtu jam vetëm me punëtorët e kolegët e mi. As nuk jam terroriste e as organizatore. Duam të shkojmë në vendet tona të punës që na pengohen mu nga ata që na quajnë terroristë dhe organizatorë”.

Portali e ka pasur të pamundur të kontaktojë gjatë ditës me personat e tjerë të  përmendur nga Kurti në fjalimin e tij në Kuvend.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, listën e publikuar nga Kurti e konsideroi si listë për pushkatim”.

Serbët në komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut, janë duke protestuar që nga e hëna para objekteve të komunave.

Ata nuk duan që në këto objekte të vendosen kryetarët e ri të komunave.

Të hënë, protesta eskaloi në dhunë, ku rreth 30 pjesëtar të KFOR u lënduan, ndërsa që nga e hëna protestat kanë vazhduar të qeta me disa incidente e sulme kryesisht ndaj gazetarëve.

SHBA-të kanë kërkuar që të mos përdoret forca për të siguruar qasje kryetarëve të ri në komuna.

Të martën SHBA-të kanë përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi ‘Defender 23’ si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga Qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Ndërsa dje është hedhur në publik ideja që zgjedhjet në këto komuna të mbahen edhe njëherë.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga serbët, kryetari i ri i Zubin Potokut u zgjodh Izmir Zeqiri nga PDK, në Zveçan Ilir Peci, po ashtu nga PDK-ja, ndërsa në Leposaviq Lulzim Hetemi nga LVV-ja dhe në Mitrovicë të Veriut Erden Atiq nga LVV.

Kurti publikon emrat e personave dhe grupeve kriminale të përfshirë në protestën e dhunshme

Kurti publikon emrat e personave dhe grupeve kriminale të përfshirë në protestën e dhunshme
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka publikuar sot në Kuvendin e Kosovës emrat e personave dhe të organizatave kriminale të cilët kanë marr pjesë në protestën e dhunshme në veri.
Ai tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se deklarata e sakta dhe të vërteta për gjendjen në veri janë ato të organeve të sigurisë së Kosovës.

“Rolin kryesor në organizmin e protestave në terren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile’ dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës ku është parë prezencë e madhe e tyre në terren.

Këto protesta me gjithë dashakeqësinë e tyre neve na kanë shërbyer që të bëjmë identifikime të vlefshme”, tha ai, raporton Telegrafi

Kryeministri Kurti më tej bëri publike emrat e personave dhe të grupeve të përfshira në protestën e dhunshme në komunat në veri:

Mirollad Jevtiq është njëri udhëheqësit e këtij formacioni ilegale. Shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj strukture ilegale. Po ashtu prezencë të madhe të përfaqësuesve politik të Listës Serbe në atë shtëpi.

Po punojnë në mobilizimin e strukturave atje për prezencë më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme.

Miqko Jevtiq – pjesëtar i formacionit ilegal “Mbrojtja Civile” në Zveçan

Bashkë me të Rajko Jevtiq – ish këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish drejtor në komunë

Danillo Josifoviq – i njohur me nofkën “Prki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal “Mbrojtja Civile”

Liljana Aksintejiviq ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale së Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës.

Personat që po i shohim të maskuar janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandar Filipoviq që shtirej se është i integruar në shtetin tonë. Ky është personi kryesor që po i drejton ata.

Më 29 maj të këtij viti ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq sepse ka qenë duke iniciuar me telefon.

Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”

Millan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë.

Danillo Krivokapiq, Jovica Llazoviq, Nikola Radomiroviq, vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq.

Kjo organizatë kriminale në rrjete sociale ka postuar lajm që pjesëtar të grupit mercenar rus Wagner kanë arritur në Kosovë.

Po ashtu i njohur për lidhjet e tij me këtë grup paramilitar rus është edhe Damjan Knezheviq, i cili e drejton organizatën djathtiste “Narodna Patrolli”.

Personat e tjerë të përfshirë në sulm ndaj KFOR-it, siç tha Kurti janë:

Vladimir Radivojeviq, i cili ka njohje të drejtpërdrejt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq

Danijell Gjukiq, bashkë me një grup personash kanë gjuajtur shok bomba. Këta janë pjesë e grupit të Millan Radojeçiqit.

Millosh Gjukiq, vëllai i Danijellit, këta dy vëllezër kanë raporte shoqërore me djalin e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Millan Jugosllav Tomiq, i lindur në Obiliq e me banim në veri të Mitrovicës ka marr pjesë në shpimin e gomave të autoblindave të Policisë së Kosovës.

Millan Joviq, pjesëtar i formacionit ilegal të quajtur “Mbrojtja Civile” më 31 mars bashkë me një grup kanë shkuar për trajnim në përdorimin e armës në Rashkë të Serbisë.

Më tej, Peter Millosheviq, Dejan Jevtiq, Nikolla Baldini, Millan Zhivkoviq, Vuk Brankoviq, Lluka Vllaskoviq, Bozhidar Todoroviq dhe Radisha Denoviq.

Fotografia që mori vëmendjen e rrjeteve sociale ishte ajo e Danijell Shmigiqit, i cili ka qenë dhe mbase edhe tash është shofer dhe truprojë i nënkryetarit të Listës serbe, Igor Simiq.

Danijell Shmigiq ka ushtruar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Përveç pjesëtarëve të grupit ekstremist “Severna Brigada”, ka qenë prezentë edhe tifo grupi “Dellije” i “Ceverna Zvezdas”, të cilët kanë qenë të përgatitur për sulm ndaj KFOR-it.

“Kemi pa numër dëshmi, evidencë materiale për këtë gjë”, tha ai, raporton Telegrafi.

Pas eskalimit të situatës dhe lëndimit të ushtarëve të KFOR-it janë arrestuar Nebojsha Elezoviq, Radosh Mitroviq dhe Zhivijko Milentijeviq. /Telegrafi/

Ka përfunduar koha e pandëshkueshmërisë për kriminelët në veri të Kosovës

0
Sveçla: Ka përfunduar koha e pandëshkueshmërisë për kriminelët në veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke komentuar situatën e krijuar ditëve të fundit në veri të Kosovës, ka theksuar se “pandëshkueshmëria e kriminelëve në atë zonë ka përfunduar”.

Sveçla thotë se përgjigja e institucioneve të Kosovës ndaj këtyre kriminelëve do të jetë e shpejte e drejtë dhe e pakompromis.

“Shumica prej organizatore edhe prej dhunuesve të drejtë për drejt të ligjit janë të njohur për policisë e Kosovës dhe për AKI-në. Po punojmë jo vetëm në identifikimin e tyre, po edhe shkallën e fajësisë dhe lokacionin e tyre. Dhe unë lirisht mund të them se koha e pandëshkueshmërinë për kriminelët në këtë zonë (veri të Kosovës) ka përfunduar. Përgjigja e institucioneve të Republikës së Kosovës do të jetë e shpejtë. Do të jetë e drejtë dhe e pakompromis. Cilido që shkel ligjin, cilido që rrezikon zyrtarët policor, qytetarët, mediat, por edhe pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare do të vihet para ligjit”, ka thënë Sveçla, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini.

Ministri ka përmendur disa nga veprimet që janë ndërmarrë ndaj shkelësve të ligjit, por, ai ka theksuar se Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk do të ndalen pa përfunduar të gjithë kriminelët prapa grilave.

“Tash ju jeni dëshmitarë që Policia Kosovës ndërmerr arrestime, dërgon raste për në Prokurori. Ka raste kur ju vazhdohet paraburgimi, ka raste kur tash  jemi të gatshëm për procese gjyqësore. Por besoj që nuk është e mjaftueshme përderisa se kemi secilin kriminel të cilës do kohë, qoftë kohës së luftës, qoftë kohës pas luftës apo edhe kohëve të fundit nuk përfundon prapa grilave duke dhënë përgjegjësi për krimet e tyre as PK-ja, jam AKI-ja as MPB-ja nuk do të ndalen”, ka theksuar Sveçla.

/Dukagjini/

Policia e Kosovës publikon bilancin e sulmeve në veri duke treguar dëmet dhe lëndimet nga milicia fashiste e Serbisë

0
Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar të premten bilancin e asaj të cilën e ka quajtur “sulme të milicisë fashiste” në veri të Kosovës që në fund të javës së kaluar.Të premten, kryetarët shqiptarë të komunave veriore ia mësynë objekteve komunale për t’ia nisur punës. Por kjo hasi në rezistencë të serbëve në veri dhe u shkaktuan tensione. U desh ndërhyrja e KFOR-it për ta stabilizuar situatën, ndërsa vendet perëndimore e kanë dënuar këtë veprim të Qeverisë së Kosovës.

Sipas Ministris së Brendshme, “dhuna dhe terrori i ushtruar nga milicia fashiste ka prodhuar numra të konsiderueshëm të akteve kriminale në veri gjatë këtyre ditëve”.

“Kaosi që kanë tentuar të krijojnë bandat kriminale të dirigjuara dhe orkestruara nga Beogradi, kanë shkaktuar lëndime në njerëz, dëme materiale dhe tentim ndalimin e shprehjes së lirë e raportimit nga mediat. Nxitja e konflikteve dhe ndëretnike nga individë kriminal, ka qenë synim tjetër i tyre, i cili do të dështojë. Këto numra dëshmojnë që protestat nuk kanë qenë paqësore. Protestat nuk kanë qenë të qytetarëve. Protestat janë të milicisë fashiste”, thuhet në reagimin e MB-së.

Sipas Ministrisë që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, ka pasur 21 sulme ndaj mediave/gazetarëve, 6 zyrtarë të lënduar të Policisë së Kosovës, 30 ushtarë të KFOR-it të plagosur / 3 me armë zjarri, 2 qytetarë të rrahur brutalisht, 2 vetura të djegura tërësisht të Policisë së Kosovës dhe 7 vetura të dëmtuara të Policisë së Kosovës.

Të njohësh mekatin e të purifikohesh prej tij, është esenca e udhëtimit që Dante bën në ferr

0
Nga: Ervina Toptani, Tiranë
___
sepse, kur thellësija e mendimit
puqet me forcë brutale e ligësi,
asnjë shpëtim s’i mbetet njerëzimit.
(“Ferri”, kanga XXXI, vargjet 55-57) 
___
Ferri i Dantes
… për të mos përsëritur në spiralen e kohës sistematikisht rrathët e tij….
(e për dëshirën time të pafundme për t’u kredhur nëpër kryevepra)
Në fillim të 1300-tës Dante Alighieri, babai i gjuhës italiane, shkruan kryeveprën e jetës së tij (një ndër kryeveprat e njerëzimit ende sot) “Komedinë Hyjnore”.
Eshtë tmerrsisht e vështirë të shkruash disa fjalë rreth saj sepse Fjala vetë nuk mjafton. Por unë, mëkatare si çdo i vdekshëm tjetër në këtë botë, sa herë përballem me djallin që merr formë e fytyrë njerëzore e sa shpesh kërkoj e takoj Zotin brenda vetes, brenda shpirtit tim, e kam të pamundur të mos i rikthehem Dantes, specifikisht Ferrit të përshkrur prej tij.
Shpesh gjatë jetës gjendemi në udhëkryqe të vështira e kemi nevojë për një guidë, për një forcë të re për të luftuar e për të mos rënë prè e së keqes e kush është i pajisur me kulturë e njohjen e psikologjisë njerëzore e ka mundësinë të kuptojë përpara se e keqja të ndodhë.
Mëkat, obsesion, rilindje ….
Në qendër të kësaj kryevepre është njeriu, jeta, e sjellë me mjeshtërinë e një mendjeje brilante. Komedia Hyjnore është një dritare që hapet nga brenda, (nënkuptoj këtu kohën kur u shkrua, fillim shekulli i 14-të) që tregon botën jashtë e jetën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj. Dante arrin ta njohë njeriun e sotshëm sikurse dhe të atëhershmin më mirë sesa ne vetë mund ta njohim veten. Gjenia e tij konsiston në fytyrën dhe formën që i dha Ferrit dhe dimensionit të së keqes në rrathët e tij. Ai e sjell Ferrin real, të prekshëm, i dha formë përmasës së papërmasë të së keqes njerëzore.
Mëkatet e përshkruara janë akte në vetvete, veprime të kryera, e secili prej tyre ka një skenar të tijin, bashkë me ndërshkimin. Një botë apokaliptike e cila bëri të shpërthejë imagjinatën artistike të qindra artistëve të tjerë përgjatë kohës në historinë e artit botëror.
Dante vetë është personazhi kryesor, pelegrini i udhëtimit të tij fantastik. Tundimi i mëkatit e tërheq Danten në një marramendje të errët. Por nga terri del drita e mençurisë, Virgjili, autori i pavdekshëm i Eneidës, mjeshtri shpirtëror fort i dashur i Alighierit. Dante është një poet dhe sigurisht që është ndikuar nga Virgjili, i cili e ka përshkruar përtej-vdekjen në pjesën e 6-të të Eneidës, prej së cilës mendohet se Dante është frymëzuar. Virgjili është guida, mjeshtri por mbi të gjitha është personfikimi i mençurisë dhe urtësisë që Dante ia atribuon në personazh. Nxënës e mësues, në vepër vijnë të dy të përshkruar si refleksi i njëri-tjetrit. Nëse përgjatë vargjeve të veprës Dante duket konfuz dhe i përhumbur në rrugën që i duhet të përshkojë, Virgjili përfaqëson pjesën racionale të njeriut, në fakt të secilit prej nesh, atë pjesën e domosdoshme për t`i rezistuar mëkatit, arsyen.
Përse kemi frikë nga vdekja? Çfarë është mëkati? Këto pyejtje bën Dante, një njeri si gjithë të tjerët …. kur papritur zgjohet në botën e të vdekurve, një pyll i errët njësoj si mendimet që e konsumojnë atë. Përse Dante ndodhet aty?
Porta e Ferrit e pret. Kjo e fundit është një simbol. Në filozofi tejkalimi i saj nënkupton ndryshimin. Kur njeriu kalon një portë e di se po tejkalon një kufi të caktuar.
Ferri është cituar shpesh edhe ne librat e Shenjtë, por Dante për herë të parë e konceptoi atë si një vend fizik, të prekshëm, të detajuar, i banuar nga personazhe realë dhe demone mitologjikë, në skenarin e 134 këngëve që kompozojnë poemën në vargje. Ndërsa lexuesi zhytet thellë brenda rrathëve të Ferrit e frikës që e përshkon njeriun në këtë rast, kuptojmë se bota nuk ka ndryshuar aspak as sot, përkundrazi. E vetmja shpresë për të na afruar tek e mira është njohja e së keqes, është afrimi më të mirën, me Krijuesin, tek arsyeja për të qenë më shumë kërkues ndaj të mirës që secili nga ne di të prodhojë. Dante përballet me mëkatin në kuptimin e vërtetë të fjalës, në po të njëjtin kuptim siç përballet me vetveten.
Si në ënderr Dante e gjen veten në një pyll të errët, simbol i të gjithë mëkateve të botës. Ndërsa kërkon një rrugë-dalje si të shpëtojë, ndeshet papritur me 3 egërsirat: epshi, krenaria dhe lakmia (zilia), 3 mëkatet më të përhapura e më të shpeshta ndër njerëz edhe sot. Që prej fillimit të poemës Dante na katapulton në histori, në pyllin e errët, që simbolizon në thelb takimin dhe gjetjen me vetveten.
Në fillim të viteve 1300 Dante është një politikan dhe një poet mjaft i suksesshëm por në të vërtetë, në shpirtin e tij është njeri i shkatërruar. Sapo ka humbur dashurinë e madhe të jetës së tij, Beatriçen e cila vdiq shumë e re. Në komedinë hyjnore Dante e përshkruan Beatriçen si ëngjëllin e tij mbrojtës, është pikërisht ajo që përzgjedh Virgjilin si bashkëshoqërues të udhëtimit të të dashurit të saj në ferr në pritje për t`u bashkuar më pas me të në jetën e përtejme. Beatriçe është një grua reale por edhe simboli i shpengimit të Dantes. Nëse Virgjili është alegoria e arsyes dhe urtësisë Beatriçe është alegoria e teologjisë dhe shpëtimit.
Pas humbjes së dashurisë së madhe, Dante iu përkushtua plotësisht politikës. Ai akuzohet për korrupsion, ndoshta padrejtësisht siç del dhe nga dokumetet e kohës, por gjithsesi dënohet me ekzil. Pikërisht në këtë kontorno përhumbjeje dhe dhimbjeje Dante ndërmerr vendimin për të shkruar kryeveprën e të gjitha kohërave me një forcë shpërthyese të mendimit, imagjinatës e fantazisë. Ndoshta nëse do të kishte qëndruar në Firenze nuk do të kishte qenë e mundur që ai ta shkruante këtë kryevepër me këtë forcë e shkëlqim. Në ferrin e Dantes përfshihet e gjithë shoqëria dhe jeta e kohës, e cila për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk ka ndryshuar që atëherë, përkundrazi.
Ferri është provokues, i rëndë, i vështirë. Eshtë mënyra e Dantes për të paraqitur dhe padrejtësitë që i janë bërë atij vetë gjatë jetës. Dante ishte një njeri shumë krenar dhe pikërisht krenaria është një ndër mëkatet e rënda.
Takimet dhe skenat që Dante sheh gjatë udhëtimit janë të tmerrshme e mbresëlënëse. Takimi me Paolon dhe Françeskën, në stuhinë e dashnorëve (la tempesta degli amanti), dy shpirtra të apasionuar dhe të tronditur nga ndjenjat gjatë jetës që vazhdojnë të mbeten të njëjta edhe në vuajtjen e përjetësisë. Ata të dy u dashuruan marrëzisht, ndonëse të martuar me të tjerë njerëz dhe gjejnë vdekjen të vrarë nga bashkëshorti i Françeskës që ishte njëkohësisht dhe vëllai i Paolos. Në ferr ata paraqiten të përfshirë në një stuhi të vazhdueshme, një lloj kataklizme e dashurisë. Një dashuri kaq e zjarrtë që kthehet kështu në një torturë të përjetshme për shpirtrat e tyre.
Takimet e pamjet që Dante përshkruan gjatë udhëtimit të tij në ferr janë si momentet që përbëjnë luginën e një jete të tërë. Sa më shumë ai zbret në qendër të tokës aq më shumë është dëshmitar i ndërshkimeve të tmerrshme, duke nisur që nga grykësit (llupësat) që nuk kanë mundur gjatë jetës t`i vënë frè nepsit të papërmbajtshëm deri tek shiu i zjarrtë që bie mbi trupat e atyre që kanë mohuar Zotin. Ferri i Dantes përqëndrohet mbi dobësitë njerëzore e cila na fton ndërsa lexojmë, të kuptojmë cilat mëkate do të mundemi gjatë jetës t`i analizojmë e t`i shmangim nëpërmjet arsyes e cilat nuk do të mundim t`i kapërcejmë dot.
Gjithnjë e më i frikësuar Dante është i detyruar të vazhdojë rrugëtimin përgjatë lumit Stige. Papritur sulmohet nga të zemëruarit që të verbuar nga urrejtja tentojnë ta tërheqin drejt ujit për ta mbytur. Aty mes tyre Dante arrin të njohë dhe Filippo Argenti-n, njeriun që e kishte dënuar me ekzil. Për herë të parë gjatë të gjithë poemës, dëshira për hakmarrje del hapur në vargjet e Dantes, gjë që i nxit mëkatarët e tjerë kundër Argentit. Kjo pjesë i shton më shumë vlerë Ferrit të Dantes duke ditur që ai vetë është njeri i zakonshëm, mëkatar si gjithë të tjerët. Hakmarrja kundër Filipo Argentit është një eveniment i rëndësishëm personal për Danten sepse nga ky moment e tutje do të përballet me udhëtimin me një forcë të re e cila e bën atë të ndjehet protagonsti perfekt për piktorët romantikë.
Gjatë rrugëtimit përshkrimet e ndërshkrimet bëhen edhe më të rënda kur papritur Dante e gjen veten të mbështjellë nga akulli dhe ndjenja e tmerrshme e ngrirjes. Ai kupton se origjina e çdo te keqeje është tashmë shumë pranë. Të njohësh mekatin e të purifikohesh prej tij është esenca e udhëtimit që Dante bën në ferr. Kalon përmes mëkatarëve të tmerrshëm si tradhtarët ndaj atdheut me në qendër Kontin Ugolino si personazh ilustrues i cili ishte i dënuar të vdiste nga uria derisa hëngri fëmijët e tij. Tradhëtarët si Bruti apo Juda ishin të gjithë aty. Mëkatarë të tjerë, si ata që ishin vetëvrarë, duke u kthyer në drunj të atrofizuar brenda një pylli lemerisës ku vuanin dënimin e përjetshëm pa mundur t`i kërkojnë falje Zotit. Ferri mbetet një mesazh universal i kryeveprës së Dantes.
Ndoshta për ne njerëzit e sotshëm është paksa e paimagjinueshme të kuptojmë sesa e thellë ishte për bashkëhohësit e Dantes çeshtja e besimit dhe fesë. Ashtu siç i besonin Zotit ishin të bindur edhe në ekzistencën e Djallit.
Dante më në fund është përpara fundit të rrugëtimit të tij, në momentin e takimit të frikshëm me vetë Djallin, të keqen supreme. Dikur ai ishte ëngjëlli më i bukur i parajsës ndërsa tani është vetëm një rebel i dënuar me ekzil në errësirën e së keqes që ai vetë personifikon, tradhëtari më i tmerrshëm, mbreti i zi i ferrit, Lucifero. Ai është i bllokuar mes akullit së bashku me të mallkuarit e tjerë më të tmerrshëm. Përse akulli? Sepse aty është pika më e largët e takimit me zjarrin e dashurisë hyjnore, e kundërta ekstreme e tij.
Ajo që bie në sy tek përshkrimi i Djalli nuk është frika që Dante dëshiron të ngjallë tek lexuesi nëpërmjet përshkrimit por ai i jep rëndësi shumë me tepër elementit të egërsirës brenda kësaj figure, e posaçërisht mungesës së inteligjencës tek ai, mungesa e arsyes e cila e bëri të jetë i tillë. Mesazhi është qartësisht i kuptueshëm për secilin nga ne!
Djalli përshkruhet si një lloj trilogjie qesharake e cila ka tre gojë dhe me secilën kullufit mëkatarët që ka rreth e qark tij të cilët janë dhe mëkatarët më të tmerrshëm. Djalli nuk ishte i përfshirë nga flakë e llavë por i zhytur në një det akulli. Dante ka mbërthyer traditën duke e transformuar atë në diçka krejtësisht origjinale. Shumë kritikë mendojnë se përshkrimi i Djallit të Dantes është bërë qëllimisht i tillë, më shumë qesharak sesa i tmerrshëm sepse nuk është e rëndësishme pamja e egërsirës që shfaqet përpara syve tanë por impakti që sjell pamja rreth e përqark kësaj krijese të tmerrshme, mëkatarëve që duhet të paguajnë për mëkatet e bëra gjatë jetës. Këtu mund të ndalemi gjatë për reflektim, shumë gjatë!
Në shekullin që ne jetojmë sot, e keqja ndryshon fytyrë e formë me shpejtësi por vizioni dantesk ka hyrë në kulturën e çdo momenti të jetuar nga njerëzit, i konceptuar si i njëjtrajtshëm kur vjen puna tek përjetimi i së keqes dhe derivateve që ajo sjell. Dante është transformuar në mitologji. Ai ka kapur thelbin e njeriut që është prezenca e padiskutueshme e dyshimit që për bashkëkohësit e Dantes ishte dyshimi për shpëtimin e shpirtit ndërsa për ne sot mendoj se është dyshimi i mbijetesës pas vdekjes. E keqja ekziston e madje në shumë forma dhe një ndër detyrat e njeriut është të tentojë të gjejë rrënjët e saj, të përballet me të e të përpiqet ta shkatërrojë atë, sot njësoj sikur 7 shekuj më parë.
Me forcën që kishte fituar gjatë udhëtimit të tij Dante arrin t`i mbijetojë dhe takimit të fundit e të tmerrshëm me Djallin. E në fund vjen momenti i purifikimit, galeria e nëndheshme që do ta largojë nga makthi i përjetuar në ferr.
Komedia Hyjnore është një kryevepër që e merr lexuesin për dore dhe e drejton në një udhëtim të thellë brenda vetes. Një histori tmerri me përshkrime, emra, tortura e ndodhi të jetuara e të trilluara të cilat mbeten sot e kësaj dite kaq moderne e kaq të gjalla. Tejkalimi i kufinjve, idelogjisë e paragjykimeve është në thelb misioni i artit në përgjithësi dhe Dante këtë e ka bërë si askush tjetër në histori.
Në fund të galerisë së errët Dante arrin të shohë yjet, është bota e të gjallëve që ai tashmë e sheh me sy të rinj, pa frikën dhe zemërimin me të cilat nisi fillimisht udhëtimin e tij.
Sikur vetëm pak të mendonim për gjithçka bëjmë në ditët tona, për çdo veprim e fjalë që nxjerrim pa e menduar apo edhe duke dashur ta bëjmë tjetrin të vuajë më kot, ndoshta do i kursenim vetes një ditë, Ferrin e përjetësisë.
Asnjë mos të harrojë se asht njeri;
ju le nuk keni për t’gjallue si shtasë,
po për të ndjekë virtyt e dituni.
(“Ferri”, kanga XXVI, vargjet 118-120)
Mund të jetë një imazh i 1 person
Ervina Toptani

Zhaneta Tola, vajza nga Librazhdi e ftuar në Festivalin “Sanremo 2023”

0

nga  Çaush Kullafi , Elbasan

Një ndër qytetet e bukur, plot gjelbërim dhe freski është Librazhdi. Ky qytet shtrihet në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, në buzë të rrugës kombëtare Elbasan – Korçë.
Librazhdi në çdo kohë indentifikohet me rrugën “Egnatia”, ku gjurmët e kësaj rruge ende janë sot në fshatrat e tij.
Librazhdi, ky qytet me burime të shumta natyrore, të aventurës së agroturizmit, siç është Parku Kombëtar i Shebenikut. Në Librazhd, pikërisht në Bushtricë, është një ndër urat më të larta të vëndit, ura e Bushtricës. Poeti Koçi Petriti e gdhendi bukur në vargjet e tij:
…Unë i shoh gjith` urat

Nga urë e Bushtricës:
Ja urë e Qabesë,
Ja e Drashovicës……
Para disa viteve qyteti i Librazhdit ishte një nyje e rëndësishme linjës hekurudhore.
Librazhdi është vend i mrekullive dhe burimeve natyrore, qytet që zgjohet për çdo mëngjes me rrjedhën e lehtë të lumit Shkumbin, i cili shquhet për kulturën e tij të trashëguar në vite. Nga Librazhdi kanë dalë shumë artistë të zhanerve të ndryshme që kanë performuar në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Krenaria e Librazhdit, koregrafi Sadi Halili (Artist i Merituar), i njohur në Shqipëri dhe jashtë saj për vallet e tij që interpretohen në gjithë trevat e Shqipërisë; me madhështorja, “Vallja e Rrajcës”. Muhamet Muça, djali nga Librazhdi, aktori që me zërin e tij kumboi skenat e teatrit dhe filmave shqiptarë. Lumnie Çota, na ka bërë krenare me arritjet e saj në skenat botërore. Presidentja e sozive në Itali i ka besuar Lumnie Çotës nga Librazhdi detyrën e shtrirjeve të këtyre aktiviteteve dhe në Shqipëri. Asaj iu akordua çertifikata, si Sozia Klaudia Cardinales.. Juria e festivalit në Sanremo i dorzon Lumnie Çotës çertifikatën e nderit.

Shkrimi ynë sot nis udhën e tij për një vajzë tjetër nga Librazhdi, Zhaneta Benga Tola, lindur dhe rritur në qytetin e vogël të Librazhdit, që këtë vit u prit në Sanremo 2023. Zhaneta Tolës, vajzës nga Librazhdi ju akordua në Sanremo nga presidentja e Sozive Botërore Miranda Liz Taylor Giuffre çertifikata si Sozia e Sharon Ston. Ky vlerësim për Zhanetën është dhe një krenari për Librazhdin qytetin e saj të lindjes. Zhaneta, bijë e dy prindërve të mrekullueshëm, Nexhdet dhe Kushe, që në moshë të re ishte e apasionuar pas librit dhe artit. Pas lidhjes bashkëshortore me Arjanin, lindin dy fëmijë si drita, Artemis dhe Xhino, të rritur dhe edukuar me dashurinë për familjen dhe atdheun. Të dy fëmijët mbaruan studimet e larta në Bukuresht.

Që në moshë të re Zhaneta kishte pasion sportin. Ajo ishte bërë pjesë e ekipit të volejbollit të Librazhdit, i cili luante në Kategorinë e Parë. Kur bisedon me Zhanetën ajo përserit moton e saj: “Mëndja e shëndoshë në trup të shëndoshë!” Libri është pjesë e jetës së përditëshme të Zhanetës. Ajo ka bibliotekën e saj me një numër të konsiderueshëm librash. Ulesh dhe bisedon me Zhanetën dhe për një moment ajo të tërheq në bisedën e saj me atë buzëqeshjen e ëmbël, duke treguar për jetën e saj plot sfida dhe arritje. Nuk ndalem, vazhdon Zhaneta. Sanremo-ja më dha impulse që unë të hartoj plane të reja dhe të guximshme me tej në fushën e kulturës.
Zhaneta përfundoi me sukses studimet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Është bukur të vazhdosh studimet në moshë të re, tregon Zhaneta, por më bukur akoma është t’i vazhdosh ato në moshë të madhe ashtu sikurse i vazhdova unë. Një ndër sfidat më të rëndësishme të saj ishte kandidimi për në parlamentin shqiptar.

Krahas shumë sfidave të shumta në fusha të ndryshme, bashkë me Arjanin u morën me rritjen dhe edukimin e dy fëmijeve të saj të mrekullueshëm dhe me ngritjen e një biznesi në qytetin e Librazhdit, ku e zhvillojnë dhe sot si ndihmesë per ekonominë e tyre shtëpiake. Me duart e arta të Zhanetës janë zbukuruar me qindra nuse, në ditën e dasmës së tyre.
Zhaneta nuk ndalet në vënien në zbatim të synimeve të saj. Ajo fillon punë si mësimdhënëse në disa shkolla. Nxënësit dhe kolegët e saj për çdo ditë gjetën një mësuese dhe një kolege të shkëlqyer. Ajo sot vazhdon si profesoreshë në gjimnazin “Qemal Safa”, Tiranë ku jep lëndën gjermanisht.
Vite të arta Zhaneta quan vitet kur kreu studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, profili gjermanisht, histori. Vitin më të artë në jetën e saj Zhaneta quan vitin 2023 kur ajo u ftua në Snremo, në Grand Gala, në inagurimin e kalendarit të sosive në “Sanremo Festival 2023”, me presidente Miranda Luiz Talyor Giuffre. Ajo ndjehet krenare se ju bë realitet ëndërra për të shkelur mbi tapetin e kuq në Sanremo, si sozia e Sharon Ston. Kjo është një nga arritjet më të rëndësishme në gjithë prioritetet e Zhanetës në jetën e saj. Kurre s’kisha kaluar kaq emocione, tregon Zhaneta, se sa kur pashë veten në skenën e festivalit të Sanremos.
Zhaneta Tola e ftuar në festivalin e Sanremos është arritja më e lartë në jetën e saj. Ajo bëri krenare familjen e saj.
Zhaneta ndjehet krenare që u bë pjesë e veprimtarive artistike në Sanremo 2023.
Qyteti i Librazhdit është krenar që e rriti këtë vajzë plot pasion dhe dashuri dhe i fali asaj energjinë e gruas së guximshme dhe sfidave. Ajo në gjithë jetën e saj ka sakrifikuar në arritjen e çdo synimi dhe kurdoherë ka patur sukses.
Duke hulumtuar për jetën dhe veprimtarinë e Zhaneta Tolës nga Librazhdi them me shumë krenari se ky qytet ka rritur dhe edukuar djem dhe vajza që me arritjet e tyre e kanë bërë krenar në çdo kohë. Zhaneta tashmë shënon me germa të arta emrin e saj në krah të gjithë personaliteteve të Librazhdit
Urime dhe suksese Zhaneta Tola!