Kreu Blog Faqe 1297

Lufta e Dardanës e vitit 1389, midis mitit dhe realitetit

2
Jusuf BUXHOVI, shkrimtar dhe historian nga Prishtina
___
Sipas shumë burimeve historike, Beteja e Dardanës filloi më 15 qershor të vitit 1389 dhe përfundoi po atë ditë, diku në orët e mbrëmjes me humbjen e forcave të lidhjes së krishterë ilirike. Por, ka edhe të dhëna të tjera që atë e shohin më 19 qershor e deri te ato që e lidhin me datën 28 dhe 29 qershor. Mospërputhja në datë ka të bëjë me pranimin nga ana e Serbëve të Kalendarit gregorian më vonë se Europa; për Osmanët data është 19 Jumada II 791, pra 15 qershor 1389. Edhe përkundër kësaj dallimet vazhdojnë. Kështu, K. Frashëri përmend datën 27 qershor ndërkohë që edhe një pjesë e mirë e historiografisë serbe përmend datën 27 dhe 28 qershor.
Në betejë gjetën vdekjen Sulltan Murati I, që thuhet se u vra nga Milesh Kopili, një fisnik dardan, nga Sllavët i quajtur Milloš, fillimisht Kobilić, ndërsa më vonë Obilić. Mileshi ishte dhëndër i princit Llazar, dukuri kjo e njohur e martesave në rrethanat mesjetare midis familjeve feudale. Vdekjen e gjeti edhe Llazari, pasi që ishte zënë rob lufte. I njëjti fat e gjet edhe Milesh Kopilin, i cili diku në shekullin XIX, kur do të ndërtohet miti i Kosovës për qëllime hegjemoniste serbe, do të kremtohet “hero nacional serb”. Ndërkohë që shqiptarët, duke u mbështetur mbi vazhdimësinë historike të etnisë së tyre në këto pjesë nga antikiteti e këndej, do ta trajtojnë “të tyre”.
Nga prijësit Arbërorë në betejë mbeti edhe Muzaka. Po atë ditë, sulltanin e vrarë, e zëvendësoi i biri, Bajaziti I, i njohur me nofkën “Jëlldërëm” (Rrufeja).
Edhe pse nga këndvështrimi i fakteve historike kjo luftë mbetet me shumë të panjohura, veçmas për nga përmasat e njëmendta (shumë e shumë më të ngushta nga ato të përshkrimeve të shfaqura në shekullin XIX), dhe rolit të faktorëve vendor në të (jashtë ndonjë aleance të gjerë ushtarake, të shumtën me njësi vullnetarësh), megjithatë disa të dhëna për ato që solli kjo luftë, tregojnë se Osmanët kaluan në një fazë të re të konsolidimit të pushtimeve në Ilirik, duke krijuar parakushte për pushtimet e mëtutjeshme në drejtim të qendrës së Europës. Kështu, nga këto burime bëhet e ditur se Bajaziti, pasi që i theu forcat e lidhjes së krishterë, nuk u tregua ndëshkues ndaj humbësve, siç pritej. Përkundrazi, bëri vasal Vuk Brankoviqin, feudalin nga Dardania, për të cilin disa burime thonë se i iku betejës, pse gjoja kishte disa mospajtime me vjehrrin e të ngjashme të krijuara nga në shekullin XIX nga historiografia serbe për qëllime hegjemoniste me të cilat bëhet përpjekje të vazhdueshme që tribalët dhe arbrit e përkatësisë ortodokse t’i konvertojë në serbë, me çka gjoja “tradhtia e dhëndrit” bëhet shkas i humbjes deri te kremtimi në vasal “të armikut”, gjë që kjo për një serb “të njëmendët” nuk mund të thuhet.
Duke u thirrur në burime nga fusha e folklorit dhe pa argumente të mjaftueshme historike, të cilat mund të gjenden pikërisht te çmitizimi i kësaj lufte me anën e trajtimit shkencor të faktorëve të gjithmbarshëm etnik dhe shoqëror e politik të kohës në përputhje me rrethanat që sollën te agonia e Bizantit dhe fuqizimi i osmanëve e të tjera të kësaj natyre, edhe disa studiues shqiptarë, duke u mbështetur mbi faktorin e etnosit autokton me vazhdimësi dardane, mbrojnë qëndrimin për përkatësinë dardane-arbërore të Milesh Kopilit dhe të tjerëve si një vetëdije autoktone të një etnie të përbashkët, qoftë ortodokse ose katolike në kuadër të përkatësisë së krishterë, e cila shfaqet në shekullin XIX.
Pavarësisht kundrimeve të ndryshme, rreth përkatësisë se atyre që epika historike e njërit apo tjetrit popull do t’i shfrytëzojë si mite në shërbim të kujtesës historike dhe kthimit të saj në një frymëzues të vetëdijes nacionale, siç ishte ajo e shekullit XIX e mbrapa, megjithatë, mund të thuhet se ndeshja kyçe historike midis të krishterëve të Ilirikut dhe Osmanëve, gjatë qershorit të vitit 1389 apo aty diku afër, pa marrë parasysh përmasave të saj të njëmendta dhe mitizimeve që e kanë përcjellë për qëllime të caktuara, pra gjithsesi se duhej të ndodhte në Dardani, ngaqë ajo ishte përcaktuese për ecurinë e mëtutjeshme të pushtimeve osmane në Europë, në një hapësirë gjeografike, e cila, nga antikiteti shfaqej nyje prej nga mbikëqyrej hapësira euro-aziatike. Ndaj, një perandori, që pretendonte të arrinte përmasat botërore, siç ishte asokohe ajo osmane, duhej të vendosej aty, siç kishte ndodhur edhe me fatin e perandorive paraprake dhe të ndarjes së krishterimit madje.
Rreth Betejës së Dardanës ( betejës së Kosovës në historiografinë sllave dhe europiane) dhe rëndësisë së saj ka vlerësime të ndryshme shpesh kundërthënëse: nga ato që e zmadhojnë (“Kjo fitore e stabilizoi fuqishëm sundimin e turqve në Ilirik” – Inalxhik, H: “Perandoria Osmane”, Shkup 2010; ose: “Beteja që do të vendosë për pesë shekuj fatin e Gadishullit Ilirikut” – Miller, William; “The Balkans ) e deri te ato që e zvogëlojnë fare, siç janë vlerësimet e historianit rumun Jorga kur thotë se “1389-a nuk pati qenë veçse një incident i stërmadhuar prej legjendës” . Zmadhimit të namit të kësaj beteje jashtë çdo mase gjithsesi se i kanë ndihmuar disa nga kronikanët osmanë, duke filluar nga bejtet e e Ahmeditut të shekullit XV “Kuajt çapiteshin mbi kufomat që ishin kat-e-kat mbi njëri tjetrin” (shih te Ahmedi: “Dastan ve Tevarih”, 50 ) si dhe kronikat e Shukurullahut, për të cilat Pulaha thotë se “Shukurullahu dhe të gjithë kronikët osmanë pas tij, me qëllim që të rrisin sa më shumë fitoren e turqve osmanlinj në Kosovë më 1389, thonë se koalicionin e feudalëve të Ilirikut morën pjesë edhe vëllehët, çekët, hungarezët, Bullgarët e venedikasit. Në të vërtetë ky pohim është i gabuar, sepse në këtë koalicion morën pjesë vetëm sllavët, boshnjakët dhe Shqiptarët”. Për Pulahën të ekzagjeruara janë gjithashtu edhe shifrat që japin këta për ushtrinë e koalicionit. (Shih “Lufta shqiptaro-turke”, 31 shën.10).
Andaj, ngritje e Osmanëve drejt Perëndimit, ishte e natyrshme të fillonte në kurriz të të krishterëve të Ilirikut, por njëherësh edhe me ndihmën e tyre, që ndonëse qenë të parët që do t’i kundërvihen (në luftën e Maricës e pastaj në Fushë-Dardani), pas humbjes në këtë të fundit, do të kthehen në vasalë të osmanëve, gjendje kjo që do t’i ndihmojë forcimit dhe shtrirjes së pushtimeve të tyre drejt botës perëndimore.
Ndër këta ndihmës, të parët dhe më të dobishmit për sulltanët ishin pikërisht Rasianët, të cilët fazën e fundit të dobësimit dhe të shthurjes së Bizantit e shfrytëzuan për t’u forcuar në kurriz të tij. Me ta do të lidhen aleancat më të qëndrueshme, të cilat nga koha e Bajazitit I e këndej, të shumtën, do të shkojnë në dëm të të krishterëve të Ilirikut, por edhe të krishterimit katolik në përgjithësi.
Ç’është e vërteta, lidhjet e Rasianëve me Osmanët kishin filluar më herët. Kjo tumir vlerësimin se historia e ekspansionit osman në Ilirik ishte një histori e bashkëpunimit të tyre me të krishterët e ritit ortodoks, që mbështetej mbi shëmbëllesën e perandorëve bizantinë (Kantakuzeninit) si dhe përvojën e tyre me Osmanët në pjesët lindore të Perandorisë nga fillimet e shekullit XIII e këndej, që ua hapën rrugën pushtimeve të tyre të mëtejshme që u dinamizuan nga fillimet e shekullit XIV e deri në atë XV. Kështu, njësitë turke të mercenarëve në këto pjesë shfrytëzohen nga despoti rasian Millutin, duke i përdorur kundër ushtrisë bizantine. Disa burime flasin për rreth njëmijë e pesëqind ushtarë turq të fisit kuman që u vendosën në Rashë.
(Më gjerësisht rreth mercenarëve osmanë në shërbim të despotit Millutin shih: Oikonomides, N: “The Turks in Europe 1300-1315 and the Serbs in Asia Minor 1313”, faqe 159-62 në E. Zachariadou, bot, “The Ottoman Emirate 1300-1389”, 1993; Jireček, C: “Staat und Gesellschaft in mittelalterischen Serbien”II, faqe 58).
Përvojën e përdorimit të mercenarëve turq do ta shfrytëzojë edhe Stefan Dushani. Bëhet e ditur se Dushani kishte disa njësi kumanësh në ushtrinë e tij, me anën e të cilave bënte hesapë ta fitonte “kurorën” e Bizantit. Kjo nuk do të ishte jashtë një hesapi me Osmanët, të cilët mund të kishin interesa që në planet e tyre për të depërtuar këndej drejt zemër së Europës të fusnin në lojë lojtarë të përdorshëm, por të rëndësishëm njëherësh, siç ishin Rasianët, të njohur për veprime të tilla. (Shih: Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2001, faqe 61; Mavramitis, L: “La Fondaton de l’empire serbe: le kralj Milutin”, Salonica 1978; faqe 72, Jireček, C:”Staat und Gesellschaft in mittelaterischen Serbien”, I, faqe 78).
Madje, disa burime të vonshme flasin për paralojën e atij hesapi, me të cilin duhej të ndikohej edhe në epilogun e Betejës së Dardanisë, ose një të ngjashme që do të kishte ndodhur para ose pas, në dobi të Osmanëve, që pastaj të përfitohet prej saj me lidhjen e një marrëveshjeje paqësore me Osmanët, me ç’rast, gjithnjë nën ombrellën Rasiane me të cilën do të zëvendësohet ajo e Bizantit, princat ortodoksë të Ilirikut, në përbërje të Perandorisë Osmane, do të mund t’i ruanin disa nga privilegjet e tyre, pa çarë kokën se çfarë do të bëhej me vendet katolike.
(Rreth lidhjeve të Rasianëve tribalë me Osmanët para se të kenë filluar konfrontimet ushtarake me ta, por që do të vazhdojnë edhe pas betejës së Fushës së Dardanës, shih autorët e shumtë, ndër të cilët Jozef von Hamer: “Geschichte des Osmanischen Reiches”, 1827; Zinkesen J. W: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa”, Hamburg-Gota 1840-1863; Jorga, N: “Geschihte des osmanischen Reiches”, Gotha 1908-13; Dölger F:“Regester der Kaiserurkunden des oströmischen Reiches von 565-1453”, München-Berlin, 1965; Babinger, F: ”Geschihtsschreiber der Osmannen und ihre Werke”, Leipzig 1927; Forretr, L:”Handschriften osmanishscher Historiker in Instambul”;Ferjanočić B-Maksimovič, Lj: “Vizantijci i turci u vreme Kosovske bitke”, 1957;Новакович, С: “Срби и Турци XIV и XV века“, Београд, 1960;Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2002, faqe 63-69; Bastov,S: “Die Türkischen Quellen des Laonikos Chalkandyrles”, München 1960, faqe 34-42; Chalcocondylae, Leonici: “Historarum Demonstrationes” I, Budapestini, 1922 dhe të tjerë, që hapjes së kësaj teze si dhe mbrojtjes së saj do t’i referohen me sjelljen e të birit të Lazarit, despotit Stefan, i cili qe ndër të parët që pranoi vasalitetin e Sulltanit dhe madje me ushtritë e tij mori pjesë në betejat e ardhshme të Osmanëve kundër Hungarezëve dhe Polakëve. Ngjashëm do të shfrytëzohet edhe sjellja e Gjurad Brankoviqit kur do të sabotojë Betejën e Dytë të Dardanës, siç do të shfrytëzohet më vonë edhe sjellja e Kraleviq Markut).
Para historisë nuk mund të fshihet as fakti se po në betejën e Dardanës, forcat e një bujari rasian, të quajtur Dejanoviq, luftuan në anën e Osmanëve, siç pati edhe shumë vllahë nga principata e tij në anën e Osmanëve, praninë e të cilëve e vërtetojnë edhe burimet osmane.
Nga kjo sjellje mund të nxirret përfundimi se te Osmanët, feudalët dhe despotët ortodoksë dhe të tjerët që i takonin kësaj vetëdije, të përfshirë në luftëra të vazhdueshme me katolikët gjatë shekullit të fundit, jo rastësisht, shihnin “shpëtimtarin” e vetëm që mund t’i mbronte “nga rreziku katolik”, i cili nuk reshte së vepruari kundër tyre.(Më gjerësisht shih te Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927).
Pa marrë parasysh ato që do ta përcjellin disfatën e të krishterëve të Ilirikut në Dardani, gjatë asaj beteje të stërmadhuar deri te përmasat e mitit në shekullin XIX, që gjithsesi ka ndodhë, sjellja e Bajazitit ndaj të krishterëve të Ilirikut (Tribalëve rasianë, Bullgarëve, Rumunëve, Arbërve, Sllavëve, Grekëve dhe të tjerëve), tregon fare qartë se ai ishte i përqendruar te ata që ta shfrytëzonte forcën e tyre për vete, si kufi ndarës me Hungarinë. Kështu, Bajaziti, e ndiente si nevojë të domosdoshme që në Ilirik, në pjesën më vitale, të ketë një aleat në politikën e tij aktive ushtarake, në kohën kur synonte principatat selxhuke-turke në Azinë e Vogël, stabiliteti i të cilave po ashtu ishte i rëndësishëm, për t’u përqendruar në drejtim të Perëndimit.(Gjerësisht shih te Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927.
Për këtë Bajaziti I u pajtua që të dy djemtë e princit tribal Lazarit, i cili u pre nga shpata e tij, të jenë udhëheqës të principatës rasiane dhe të sundojnë sipas ligjeve, traditave dhe zakoneve të tyre. Mirëpo ata detyroheshin t’i nënshtroheshin atij dhe të paguanin xhizjen (taksën e caktuar ndaj shtetit osman) dhe të kishin një numër të caktuar ushtarësh, në njësi të veçantë, që do të merrnin pjesë së bashku me ta (Osmanët) në Harujë. Sulltani, po ashtu u martua me vajzën e princit Lazar, Oliverën, e quajtur edhe Despina.
Kjo krushqi u bë me miratimin e patriarkut dhe të klerit ortodoks dhe u dërgua në haremin e madh në Brusë, ku takoi bashkëshorte të panumërta me prejardhje fisnike, greke, franke dhe selxhuke.
(Shih:Jiriček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, pjesa e dytë, Tiranë, 2010, faqe 153.)
Stefani dhe Vuku u detyruan të paraqiteshin çdo vit në oborrin e Bajazitit dhe t’i shkonin në ndihmë me ushtri sa herë t’u kërkohej, siç bënin despot Konstantini, despoti Esau i Janinës, Angeli i Thesalisë dhe bashkëperandori i Bizantit, Manuel Paleologu.
Burimet e kohës bëjnë të ditur se Zigismundi i Hungarisë një pjesë të mirë të forcave të veta i kishte mobilizuar që të mbrohej nga “ekskursionet” e herëpashershme të trupave osmane dhe rasiane, të cilat bashkërisht vepronin në pjesët kufitare. Bëhet e ditur se në vitin 1390, Pani i Severinit dhe Magjistari Ladislav zunë plaçkë në Branicevë flamurë osmanë dhe rasianë.
Sjellje të ngjashme zuri të tregonte edhe Vuk Brankoviqi, zotërimet e të cilit shtriheshin në pjesën nga Zveçani, Prishtina e deri në Shkup, gjë që nuk është e rastësishme që në burimet folklorike shqiptare njihet Ujkan, ndërsa në ato osmane (defterët Vlk), që i përgjigjet trajtës shqipe Uk-Ujkan. Pasi që nga Raguza të ketë kërkuar azil për veten, gruan Mara dhe tre djemtë (Gjuradin, Gjergjin dhe Lazarin, në rast se “do ta dëbonin Hungarezët ose Turqit apo dikush tjetër” dhe do t’i jepet në maj të vitit 1390), Brankoviqi ua dorëzoi Shkupin Osmanëve, si dhe Zveçanin, Prizrenin dhe një pjesë të mirë të zotërimeve në këto anë. (Shih:“Acta Albaniae, II, 467, burime II, nr 131; Da Lezze: “Historia turchesca”, f.8; Jireček, K: “Historia e Serbëve“, faqe 155.)
Kështu, qyteti i vjetër dardan, që vetëm para dy brezash kishe qenë pikënisje e pushtimeve rasiane në Dardani dhe Maqedoni, u bë një mbështetje kryesore e pushtimeve osmane kundër Veriut, por edhe Jugut.
Në këtë rrugë, më 1394, Osmanët u morën Gropajve Ohrin. Rrënuan thuajse të gjitha kështjellat që mbanin ata në këto anë (të Strugës, të Pogradecit e të Starovës). Osmanët u sollën kështu edhe gjatë pushtimit të Janinës, të Korçës dhe të Përmetit.
Edhe pushtimet e tyre në Veri (nga Zveçani për në Shkodër e Ulqin, pastaj për në Dejë e Krujë), ndoqën thuajse të njëjtën mënyrë veprimi, por këtu Osmanët kishin parasysh ruajtjen e pasurive (minierave), të cilat duhej t’i shfrytëzonin për nevojat e tyre. Në kështjellën e Zveçanit, u vendos një “kefali” turk, ndërsa në minierën e hekurit në periferi të Rashës, u emërua kadiu i parë që ta mbikëqyrte dhe drejtonte atë.
Megjithatë, pushtimet osmane në Veri nuk kaluan pa vështirësi dhe pa konfrontime ushtarake, gjë që nuk kishte ndodhur në pjesët që zotëronte Vuku, për të cilin, siç u tha më herët kishte lidhur vasalitet me Osmanët për të ruajtur zotërimet e tij në Dardani, por edhe pse fitonte peshë shumë më të madhe seç e kishte nën mbikëqyrjen e Rasianëve, sado që ky hesap nuk do t’i dalë, pasi që Osmanët për arsye të njohura që lidheshin me organizimin e pushtetit perandorak në pjesët e pushtuara, vendosën që nga vitit 1420 t’i shuanin që të gjitha lidhjet e tilla vasale në këtë pjesë. (Shih: Fine: “Late Medival Balkans”, faqe 411-12; Čirković:“Kosovo u srednjem veku“, faqe 45; Babinger, F: „Die Geshichtschreiber der Osmanen und ihre Werke“, Leipzig 1927; Enmmert, T.A: „Serbian Golgotha: Kosovo, 1389“, New York, 1990).
Kështu, Osmanët u desh të konfrontohen me Balshajt para se ta merrnin Ulqinin, ku ata kishin rezidencën e tyre si dhe Shkodrën. Bëhet e ditur se në vitin 1391 Gjergj Balsha kërkoi mbështetje nga Papa Bonifici IX, por kjo nuk i ndihmoi shumë. Meqë kishte rënë peng në duart e Bajazitit, do të lirohet një vit pasi që ai ta dorëzojë Shkodrën, Drishtin dhe portin e Shëngjinit. (Shih: Hamer, Jozef von: “ Geschichte des Osmanischen Reiches”, vëllimi II, faqe 175 dhe 183; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, f.179-181).
Fisniku tjetër, Dimitër Jonina, nuk ndoqi rrugën e Balshës. Pranoi vasalitetin osman dhe kështu ia doli të ruante zotërimet e tij midis Shkodrës dhe Durrësit, të cilat, për pushtuesit e rinj, kishin një rëndësi të madhe.
Krahas Gjergj Balshës, që u detyrua dhunshëm të pranonte vasalitetin dhe Jonimës, i cili nëpërmes tij ruajti zotërimet e veta, ishin Dukagjinët (vëllezërit Progon dhe Tanush), të cilët, në verën e vitit 1393, Lezhën ia dorëzuan një admirali venedikas, i cili vendosjes së Osmanëve në Bunë, iu përgjigj me pushtimin e grykëderdhjes së Drinit.
Kjo do të zgjasë deri në vitin 1402, kur pushtimet osmane në vendet e Arbrit ndalen për dhjetë vjet. Shkas për këtë ishte beteja e Ankarasë e atij viti, me ç’rast trupat osmane pësuan disfatë të thellë nga ushtritë mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Në këtë betejë, me Bajazitin ishin edhe vëllezërit Stefan dhe Vuk Lazareviq dhe nipërit e tyre, vëllezërit Brankoviq, vasal të sulltanit. (Shih: Chalconcandylae, Leonici: “Historiarum Demonstrationes”, ed. S. Darko, Budapestini, 1922; Giese, F: “Die Altosmanischen Anonymen Chroniken”, II, Leipzig 1925; Kandić, J: “Despot Stefan Lazarević i turci“, Beograd, 1982 Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).
Pas vdekjes së Bajazitit I sapo i kthyer nga robëria njëvjeçare nga Timuri në Aksheher të Frigjisë së vjetër, për një dekadë të tërë Osmanët u përfshinë në një luftë të brendshme për fron të të bijve të sulltanit. Në atë luftë u përfshinë edhe vasalët e tyre: Lazareviqët në anën e Musait, ndërsa Brankoviqë në anën e Mehmetit I me nofkën “kyrishxhi” (mundësi), i cili nga Azia do t’i drejtohet pjesës europiane të Perandorisë, ku edhe do të dalë fitimtar, pasi që do ta vrasë vëllanë, Musanë në betejën Filipojës në korrik të vitit 1413.
(Shih: Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).
Nën drejtimin e Mehmetit I (1413-1421), Osmanët sërish iu kthyen Ilirikut për të vazhduar ku kishte mbetur Bajaziti I. Mehmeti I, i këshilluar nga ndihmësit e tij kryesorë në Ilirik, Brankoviqët dhe feudalët tjerë ortodoksë, që e ndiqnin atë, e kishte të qartë se vendet e Arbrit duhej paqësuar në tërësi, meqë ato kishin një pozitë të rëndësishme për krijimin e kohezionit të brendshëm antiosman në Ilirik siç kishin edhe aftësi dhe prirje për lidhje me perëndimorët, me të cilët mund të lidhnin aleanca për t’u kthyer në mbështetës të tyre në këtë pjesë. Kjo, Osmanëve, do t’ua rrezikonte qëllimet që kishin drejt Europës Qendrore.
Se disa nga Arbrit ishin në gjendje që gjërat t’i ndryshonin ashtu që të mos u shkonin përshtati Osmanëve, kjo tashmë ishte parë gjatë dekadës së krizës që kishte përfshirë Osmanët pas humbjes nga Timurlengu, kur ata kishin filluar t’i zgjeronin feudet e tyre, siç ishte rasti i Niketas Thopias, i cili, pas fundit tragjik të Konstantin Balshës, kishte vënë në zotërim pronat e tij, që si vasal i venedikasve zotëronte Krujën (1402-1415). Po ashtu në Mat, shfaqej feudali Gjon Kastrioti, i cili ia kishte dalë që brenda një kohe të shkurtër të bëhej zot i tokave nga kepi i Rodit në Durrës, Lezha dhe Shkodra si dhe të mbikëqyrte rrugët për në Prizren dhe Shkup. Si qytetar i Venedikut dhe Raguzës, si shumica e fisnikëve dhe feudalëve Arbërorë të Veriut, Gjon Kastrioti, lëkundej midis dy kishave, asaj katolike dhe ortodokse, me të cilat mbante lidhje të mira. Kështu, krahas mbështetjes klerikëve dhe abacive katolike, njëherësh me dhurata mbulonte edhe manastiret e Hilandarit me të cilin kishte edhe lidhje të hershme.(Shih: Jireček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 173.)
Gjon Kastrioti, në fillim ishte vasal i Venedikut, por shpejt iu desh t’u nënshtrohej Osmanëve (1410), të cilët, sapo iu kthyen Ilirikut, vunë në shënjestër princat arbërorë dhe lidhjet e tyre me Venedikasit dhe Perëndimin. Kështu, Mehmeti I, duke ruajtur aleancën me princat ortodoksë (rasianë, bullgarë dhe grekë), të cilët jo vetëm që i kishte vasalë të besueshëm, por edhe bashkëveprues në të gjitha fushatat kundër Hungarezëve, Bosnjës dhe të tjerëve, nuk e kishte të vështirë që edhe princat dhe feudalët Arbërorë t’i fusë në radhën e vasalëve. Tek e fundit, edhe arbërorët ishin pjesë e kozmosit të paqëndrueshëm politik të Bizantit.
Në këtë fushatë, krahas nënshtrimit të Arbërve, Mehmeti I kishte parasysh që edhe më tutje t’i forconte aleatët dhe vasalët kryesorë, Rasianët pa përjashtuar këtu edhe Paleologun dhe Grekët. Kështu, Mehmeti I, despotit Stefan ia dhuroi Koprianin në Nish, krahinën Znepolje në Tërn, në malet midis Nishit dhe Sofjes dhe disa pjesë të tjera. Po kështu perandorit vasal të Bizantit, Manuel iu kthyen qytetet e marra prej Musait. (Shih: Schreiner, P: “Die Byzantinischen Kleinkroniken und die Anastik beri den Südslaven”, Bulgarian Historicval Rewiew 6-1978, faqe 45-54).
Edhe midis Rasianëve tribalë dhe Grekëve u krijuan lidhje edhe më të ngushta. Nipi i despotit, Gjergj, u martua për të satën herë me Irenën nga familja e Kantakuzenëve. Kështu, Grekë të panumërt hynë në shërbim të Rasianëve, ndër të cilët edhe vëllai i Irenës, Tomas Kantakuzeni. (Shih: Serb. Annalen, Glasnik 53, 80; dhe Новакович, С: “Срби и Турци XIV i XV века“, Београд, 1960.)
Por, dinastët ortodoks rasianë, që tashmë ishin mbështetësit kryesorë të Mehmetit I dhe dora e djathtë e tij, po ashtu ishin të interesuar që fushata osmane, që tashmë ishin forcuar, të rrënonin edhe aleancat me Venedikun, ose që kur kësaj nuk i dilej, atëherë ata të shfaqeshin mbikëqyrës të këtyre aleancave, gjë që kishin edhe përkrahjen e Osmanëve, të cilët aleatët e tyre rasianë, tashmë i kishin kthyer në partnerë kryesorë në Ilirik.
Në këtë mënyrë, Osmanët vepruan në Novobërdë. Në vitin 1412 e sulmuan atë dhe e mbajtën të rrethuar, por së fundit ia lanë në pronësi një pinjolli të familjes së Lazarit. Me vdekjen e Niketë Thopisë, në fillim të vitit 1415, Osmanët pushtuan Krujën. Gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës. Kurse në vitin 1418, pushtuan Gjirokastrën, qendrën e Zenebishëve.
Këto pushtime u bënë në kohën kur Mehmeti I, edhe pse pësoi humbje nga venedikasit në një betejë detare para Galipolit (1416) dhe u detyrua të bënte një paqe me ta. Kjo len për të kuptuar se Osmanët kishin arritur një marrëveshje me venedikasit rreth shtrirjes së tyre në viset e Arbrit, me ç’rast ata do të mbanin pjesët në brendi, ndërsa venedikasit qytetet bregdetare.
Pinjolli i fundit i familjes Balsha, i cili tashmë kishte humbur shumë nga zotërimet, nën mbështetjen e dajës, despotit Stefan Lazareviq dhe njerkut Sandaljit, u hodh në luftë kundër Venedikasve, të cilët u përfshinë në një luftë për zgjerimin e pushtimeve në Adriatik me Zigmundin e Hungarisë, me ç’rast Hungarezët dolën humbës, ndërkohë që Republika e Adriatikut u vendos në Split,Trogir dhe në ishujt Braç, Korçula dhe Lesina në mënyrë që kështu të fusë nën mbikëqyrje edhe Kotorin. (Shih: Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia Balshaj”, Tiranë 2029, faqe 173-170).
Balsha u detyrua të sulmojë Venedikun pas shtatë vjetësh dhe të rrethojë kështjellën e Drishtit. Venedikasit u kundërpërgjigjën me pushtimin e Budvës. Kështu, lindi nevoja për bisedime paqësore, por ato, siç ishin paraparë nga despoti, Stefan Lazareviq, të cilin Balasha që nuk kishte djalë, e kishte caktuar si trashëgimtar, do të zhvillohen pa Balshën dhe nën drejtimin e Rasianëve, pasi që Balsha i sëmurë, vdiq më 28 prill 1421 dhe u varros solemnisht nga Stefani.
(Shih: Stanojević: Arch. Slav. Phil. 18 (1896), 459; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, faqe 322-341; K. Jireček: “Historia e Serbëve”, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 186.)
Vdekja e Balshës sikur i dha fund lavdisë së njërës ndër dyert më të fuqishme princore arbërore nga veriu, e cila për më shumë se gjysmë shekulli ishte e pranishme në një skenë politike ku kryqëzoheshin interesat e Bizantit dhe të Perëndimit në njërën anë dhe ato me Osmanët në tjetrën anë.
Edhe pse Balshajt nuk ia dolën që të përballojnë sfidat e kësaj përpëlitjeje ndër më të mëdhatë e kohës, megjithatë me veprimet që të luhet nga njëra anë në tjetrën, qoftë edhe si humbës, ia dolën që faktorin arbëror, ta fusin në një lojë të madhe, në të cilën, feudalët dhe princat tjerë, kush më shumë e kush më pak, u përfshinë në të. Dhe kjo do të paraqesë aktin e fundit të një ndeshjeje historike që do t’i paraprijë pushtimit shumëshekullor osman.
Ky akt, të cilit, vulën e fundit do t’ia japë Sulltan Mehmeti II pushtuesi pak më vonë, do të pasohet nga Murati II, që erdhi në pushtet pas vdekjes së të et, Mehmetit I (1421). Murati II, i bindur se beteja vendimtare për të depërtuar tutje në Perëndim duhej të kalonte nëpër Arbëri, u vu vetë në krye të fushatës ushtarake, ndër më të mëdhatë e kohës. Ushtria e tij komandohej nga gjenerali i sprovuar Isa Bej Evrenozi. Pas disa luftimeve, me humbje të dyanshme, Osmanët fituan. Kjo bëri që në pjesët e jugut të vendosej regjimi i timareve, me çka i jepej fund autonomisë së deriatëhershme feudale, që kishte karakterizuar rrethanat bizantine, mbi të cilat ishin ngritur edhe feudet dhe principatat e pavarura jo vetëm te Arbrit, por edhe në pjesët e tjera.(Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954; Fashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 45).
Rrënimi i principatave të pavarura të Arbrit (Balshajve, Thopijave dhe Muzakave), megjithatë, u përcoll me ngritjen e të tre zotimeve të tjera të mëdha feudale: të Dukagjinëve, Arianitëve dhe Kastriotëve. Këto zotime përfshinin krahina malore dhe në gjirin e tyre kishin një popullsi me tradita të lashta luftarake, ku bujkrobërit përbënin pakicën, kurse shumicën dërmuese e formonin fshatarët e lirë, të cilët nuk i njihnin marrëdhëniet feudale dhe kishin gjetur një modus vikendi me bujarët vendorë. (Shih: Frashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 46).
Si rrjedhim, fshatarët e lirë të Arbërisë ishin më të interesuar se bujk-robërit të luftonin kundër invazionit feudal-ushtarak. (Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954.)
Edhe Dukagjinët, Arianitët dhe Kastriotët me zotimet e tyre, ndonëse do të kalojnë nëpër një fazë kur Osmanët tashmë ndodheshin në procesin e mbylljes së vasalitetit dhe të vendosjes së pushtetit të plotë, u përpoqën që të përfitojnë edhe nga rrethanat e tilla, të cilat ishin jo premtuese. Atyre nuk u ndihmoi as “arti” i përpjekjeve të lidhjeve të vazhdueshme me perëndimorët (veçmas me Venedikun), të cilët përfitonin edhe në këto rrethana.
Megjithatë, nga gjithë kjo, Dukagjinët ia dolën që të ruajnë disa zotime “të pavarura” në pjesët malore të veriut, nën emrin “Krahina e Dukagjinit” në Dardaninë antike. Ngjashëm ndodhi edhe me Arianitët, të cilët humbën shumë nga zotimet por, ruajtën namin e fisnikërisë, që do të bartet edhe më vonë në kujtesën historike nga kronika të jashtme.(Rreth Arianitëve dhe historisë së tyre shih gjerësisht te Babinger, Franz: “Fundi i Arianitëve”, Tiranë 2004; “Kronika e Gjon Muzakës” te Xhufi, Pëllumb: “Nga Paleologët te Muzakajt”, Tiranë 2009, faqe 365-457).
Ngjashëm ishte edhe me Kastriotët dhe zotërimet e tyre, që sado të rrudhura, do të zënë vend kyç në historinë e Arbërve dhe të Arbërisë në saje të ngjarjeve që në atë trevë do ta kenë nga viti 1443, kur aty do të zë fill epopeja e lavdishme skënderbegiane, që do të zgjasë për çerek shekulli, kur Skënderbeu me luftën kundër osmanëve, ktheu në histori shtetin e Arbrit, të vetmin asokohe në Europë.
Fushata për nënshtrimin e Arbërve do të ishte jo e plotë pa fundin e Dardanisë, pjesës kyçe që lidhte lindjen me Perëndimi, ku gjendeshin edhe xeheroret e shumta. Atje, nën drejtimin e mbetjeve të fundit të despotëve të Rashës dhe me ndikimin e tyre do të vendoset edhe fati i një pjese të madhe të Dardanisë, që Osmanët ua kishin lënë aleatëve të tyre, Brankoviqëve (Vukut) në përbërje të despotatit të tij që kishte pranuar vasalitetin osman, prej tyre i quajtur Vlk-oglu. Historianët turq Sadedini, Neshri dhe Ashikpashazade, në kronikat e tyre, flasin për “Vilajetin Vlk” dhe vasalin VLK-oglu, të cilët historiografia serbe e shekullit XIX i fikson si Lazareviq dhe Brankoviq, sidomos këtë të fundit, me ç’rast “Vilajetin VLK” (Kosovën), e quan “Oblast Brankoviqa”, që po të zbërthet gjuhësisht “Vlk” do të thotë “Ujk” ose “Ukë”, që i përgjigjet patronimit “Ujkan”, të përhapur në gjuhën shqipe. Rasti i “Vilajetit VLK” dhe emërtimi i tij “Oblast Brankoviqa”, duke e përkthyer emrin “Ujk” ose “Ukë” në “Vuk”, tregon më së miri përmasat e falsifikimit të historiografisë serbe për ta sajuar me çdo kusht të ashtuquajturin shtet mesjetar serb me qendër në Kosovë me “despotë serbë”, gjoja të legjitimuar edhe nga osmanët, kur e gjitha flet për një feudal ortodoks nga Dardania, nga shumë burime të kohës i cilësuar si tribal, emri i të cilit shpjegohet me gjuhën shqipe! (Shih te Nikolić, Maja: “The byzanine Writers on Serbia 1402-1439“, Beograd, 2010, faqe 41).
Megjithatë, në këto vende, që kishin një rëndësi të veçantë ekonomike, pasi që në to gjendeshin minierat e njohura të Novobërdës dhe Zveçanit, gjatë viteve 1394 -1444, Osmanët vendosën nëpunësit dhe ushtarët e tyre për t’i mbikëqyrur prodhimet e tyre, të cilat nuk mund të shkonin, si më parë në drejtim të Raguzës apo Venedikut, por t’i dorëzoheshin arkës së shtetit osman. Në këto pjesë, deri sa do të bëhet pushtimi përfundimtar nga Osmanët, në vitin 1455, “bashkëjetonin” pushteti vendor i Vukut (Vlk-oglut) me atë osman, por ky i fundit kishte fjalën kryesore.(Shih: K. Jiriček-J. Radonić: „Istorija Srba“, I, Beograd, 1952, faqe 369,422).
Pjesa më e madhe e Dardanisë, në veri të Shkupit dhe të Tetovës, ra nën sundimin osman në kohën e Sulltan Mehmetit II Pushtuesit (1451-1481), ndonëse asokohe Kruja e Skënderbeut mbahej. Natyrisht, cak i pushtimeve osmane ishin xeherorët e njohura të Novobërdës, Zveçanit dhe të Gllahovicës (kjo e fundit e pasur me hekur). Disa burime bëjnë të ditur se “sulltani kishte grumbulluar ushtrinë islame dhe ishte nisur në luftë të shenjtë nga Shkupi, prej nga do të kalojë kah mali Kara Tonlu (Karadaku i Shkupit) për në Novobërdë. Novobërda, të cilën xehetarët sasë e quanin Neuberge, ndërsa Italianët Novomonte, kishte një kështjellë të fortë dhe disa vendbanime xehetarësh përreth. Aty gjendej kolonia kryesore e raguzianëve, por banohej edhe nga Italianët, sidomos venedikasit. Aty banonin edhe shumë bujarë vendorë, të cilët prej andej mbikëqyrnin nxjerrjen e xeheve dhe përpunimin e tyre, por edhe dërgimin në vendet e tjera.
Meqë këto xeherore ishin të rëndësishme, sulltani kishte vendosur që t’i vinte nën mbikëqyrje të plotë, kështu që këtë duhej ta bënte me ushtri, edhe pse bujarët vendorë edhe më tutje dëshironin t’u përmbaheshin marrëveshjeve që kishin lidhur me Osmanët në vitin 1441 për shfrytëzimin e përbashkët. Isa-beu, i cili me një pjesë të ushtrisë kishte arritur përpara sulltanit aty, thirri komandantin vendor që të dorëzohej me vullnet. Pasi kjo nuk u bë, sulltani u nis vetë me pjesën tjetër të ushtrisë të sulmojë Novobërdën. Menjëherë filloi rrethimi, që zgjati dyzet ditë. Pas disa bombardimeve, kur po rrënoheshin muret mbrojtëse të kështjellës, më një qershor 1455, qyteti u dorëzua. Një pjesë e mirë e parisë së qytetit u shua, ndërsa një pjesë e të rinjve, 320 sish, u morën për jeniçerë. (Shih: Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 145.)
Thuhet se aty osmanët kishin gjetur thesar të shumtë (sasi e madhe e argjendit) që e ruante i biri i Vukut, thesar ky që ishte dërguar në arkën e Stambollit.(Shih:Rizaj, Skënder: “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVIII”, Prishtinë, 1982, faqe 20.)
Rënia e Novobërdës, që merrej si fortesë e botës së krishterë katolike, në Itali dhe në Hungari u prit me përshtypje të hidhura. Dhespot Gjuragj Brankoviqi mësoi lajmin e humbjes më 21 qershor në Hungari, në tubimin e bujarëve në Rab, ku përgatiteshin plane të mëdha për një fushatë të forcave të krishtera kundër Osmanëve.
(Shih:Zachariadou, E.A: „Süleman çelebi in Rumili and dhe Ottoman chronicles“, Der Islam, 60/ 1983, faqe 269-296 dhe Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 146.)
Pa çarë kokën se çfarë kishin ndërmend të krishterët, Sulltan Mehmeti me forcat e tij kishte vazhduar në drejtim të kështjellës së Trepçës, e pushtuar pa ndonjë mund të madh. Edhe aty ishte gjetur pasuri e madhe. Me Trepçën ishin pushtuar edhe xeheroret e tjera të argjendit. Pasi që kishte qëndruar për pak kohë në (shehitllëk) – vendin ku ishte vrarë Sulltan Murati I, Sulltani Mehmeti ishte kthyer në Selanik dhe prej andej në Edrene.
___
(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë 2021).

Gazetta di Venezia (1913) / “Nesër do të nisem për në Romë së bashku me Isa Boletinin, ku do t’i bashkohemi shefit tonë Ismail Qemali dhe më pas do të vazhdojmë të gjithë për në Londër…”

0

Biseda me Luigj Gurakuqin në Hotel Cavour, në Bari. Luigj Gurakuqi (1879 – 1925)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Qershor 2022

“Gazetta di Venezia” ka botuar, të premten e 4 prillit 1913, në ballinë, intervistën ekskluzive të realizuar asokohe me Luigj Gurakuqin në “Hotel Cavour”, në Bari, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Bisedë me një ministër shqiptar

Burimi : Gazetta di Venezia, e premte, 4 prill 1913, ballinë

Telegrami i shqiptarëve për Sir Grey

(Korrespondenca jonë e veçantë)

Bari, 1 prill.

Mbrëmë, me trenin nga Brindizi, në stacionin tonë mbërriti Shkëkqesia e Tij Ismail Qemal beu, kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare, i shoqëruar nga djemtë e tij Et’hemi dhe Qazimi, nga ministri i arsimit publik Luigj Gurakuqi dhe nga revolucionari i njohur Isa Boletini, po ashtu me dy djemtë e tij.

Ata u mirëpritën nga kolonia e madhe shqiptare e Barit nëpërmjet duartrokitjeve të gjata e entuziaste.

Ismail Qemali përshëndeti të gjithë i emocionuar dhe shprehu menjëherë keqardhjen e tij që duhej të vazhdonte menjëherë për në Romë, duke pasur parasysh urgjencën e çështjeve me të cilat duhej të merrej në kryeqytet. Ndërsa qëndruan në Bari ministri Gurakuqi dhe Isa Boletini dhe nesër në mëngjes do të nisen për në Romë.

I shoqëruar këtu nga një mik prej Shkodre, shkova në Hotel Cavour dhe munda të realizoj një intervistë me ministrin Gurakuqi.

 Ai flet në mënyrë perfekte italisht pasi ka përfunduar studimet në Napoli; me sjellje të dashur dhe të dalluar, nuk është më shumë se 33 vjeç dhe ka lindur në Shkodër të Shqipërisë.

E pyeta menjëherë se çfarë përshtypjeje kishte lënë tek ai dhe kolegët e tij në qeverinë e përkohshme qëndrimi i Italisë në favor të autonomisë shqiptare.

— Ne, u përgjigj ministri, duhet t’u jemi mirënjohës qeverive italiane dhe austro-hungareze së bashku, sepse ato ishin faktorët e parë dhe të vazhdueshëm të pavarësisë së Shqipërisë kur vendi ynë heroik dhe i trazuar kërcënohej të ndahej midis katër shteteve ballkanike. Ne ende duhet t’u jemi mirënjohës fuqive të Evropës, që ftuan Malin e Zi të ndalojë bombardimet e Shkodrës dhe të vërtetojë në çdo rast se ky qytet i përket shtetit të ri shqiptar. Për ne Shkodra është absolutisht e nevojshme dhe nuk do të mund të imagjinohej një Shqipëri e lirë dhe e pavarur, pa Shkodrën si kryeqytet.

— Cila do të jetë forma e qeverisjes dhe cili do të jetë udhëheqësi i saj? — e pyeta zotin Gurakuqi.

— Epo, u përgjigj ministri, forma e qeverisjes sigurisht që do të jetë kushtetuese dhe do të qeveriset me ligje civile dhe moderne, por për momentin nuk mund t’ju them asgjë, as të mundshme, sepse edhe këtu gjithçka do të varet nga vendimet që do të marrin më vonë fuqitë evropiane.

— Por Duka i Montpensierit, që ju transportoi me jahtin e tij nga Vlora në Brindizi, nuk ka mundësi?

— Edhe ai, si shumë të tjerë, është një nga kandidatët, por e përsëris se nuk ka asgjë pozitive.

— Dhe për ku do të niseni nesër ?

— Do të nisem për në Romë së bashku me Isa Boletinin, ku do t’i bashkohemi shefit tonë Ismail Qemali dhe më pas do të vazhdojmë të gjithë për në Londër, ku synojmë të jemi pranë ambasadorëve për të paraqitur dëshirat tona në lidhje me kufijtë e shtetit të ri.

Gjatë intervistës hyri i famshmi Isa Boletini, vrasja e të cilit nga serbët u njoftua disa herë, ai flet vetëm gjuhën shqipe, ndaj më duhej t’i përcillja përshëndetjet dhe urimet e mia më të mira për çështjen shqiptare, përmes përkthimit të vetë ministër të sjellshëm Gurakuqi.

Ndërkohë, munda të lexoj telegramin e mëposhtëm, i cili do t’i dërgohet Sir E. Grey në Londër :

Armiqësia e qeverisë xhonturke kundër shqiptarëve na kishte detyruar t’u rezistonim me armë në dorë për ruajtjen e ekzistencës sonë kombëtare. Kjo luftë, e cila vazhdon për katër vite radhazi, ka kushtuar shumë burra dhe para. Fqinjët tanë në Ballkan, të prekur nga fatkeqësitë tona, në disa raste na kishin treguar simpatinë e tyre dhe na kishin premtuar edhe mbështetjen e tyre. Në fund të katër viteve, verën e kaluar, më në fund arritëm të merrnim njohjen e pjesshme të të drejtave tona nga qeveria. Në një moment rraskapitjeje, Shqipëria u pushtua nga fqinjët e saj, pa qenë fare përgjegjëse për luftën ballkanike. Agjitatorët e dërguar në Shqipëri dhe të lidhur me elementët shqetësues të vendit kanë kryer mizori të tilla që e bëjnë njerëzimin të dridhet nga tmerri. Të bindur për drejtësinë e Konferencës së Ambasadorëve, ne presim çlirimin e ardhshëm të tokës sonë kombëtare dhe besojmë se përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të ruajnë të drejtat tona legjitime si dhe ekzistencën tonë kombëtare. Rezultati i luftës së tanishme, një luftë për të cilën përgjegjësia nuk mund të binte mbi popullin shqiptar, nuk duhet të ndikojë veçanërisht në fatin e integritetit të vendit tonë. E përfundojmë duke iu lutur botës së qytetëruar që të mos lejojë ndarjen e territorit tonë në të cilin kemi jetuar për dyzet shekuj.

Para se të largohesha, kërkova mendimin e ministrit Gurakuqi për qëndresën e Shkodrës dhe për rënien e mundshme në duart e ushtrive serbe e malazeze.

— Qyteti, u përgjigj ai, do të mund të rezistojë për një kohë të gjatë, sepse garnizoni përbëhet pothuajse tërësisht nga shqiptarë që e kuptojnë mirë se si fati i shtetit të ri varet nga rezistenca e tyre heroike; në çdo rast, nëse ushtritë rrethuese do të mund të kishin për momentin epërsinë, të jeni të sigurt se populli shqiptar nuk do t’i linte pushtuesit të qetë dhe masakra të tjera nuk do të ishin krejtësisht të pamundura.

 *  Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/gazetta-di-venezia-1913-neser-do-te-nisem-per-ne-rome-se-bashku-me-isa-boletinin-ku-do-t-i-bashkohemi-shefit-tone-ismail-qemali-dhe-me-pas-do-te-vazhdojme-te-gjithe-per-ne-londer-biseda-me-luigj-gurakuqin-ne-hotel-cavour-ne-bari/

23 qershori-Dita e të dëbuarve dhe zhvendosurve shqiptarë nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva

0
Shkruan: Refik HASANI
___
Në përkujtim të 23 vjetorit,  kur nga disa lokalitete të tri Komunave, banorët shqiptarë u dëbuan dhe i lanë trojet e tyre nga presionet, dhuna, ku kulmi i të zhvendosurve ishte pikërisht në këtë datë. 
Disa vendbanime shqiptare të brezit kufitarë u zbrazën tërësisht, nga presionet e shumta të forcave serbe që ti lëshojnë trojet e tyre.
Ndodhi largimi i popullatës autoktone në mënyrën e detyrueshme nga kjo hapsirë, në format më të dhimbshme .
Veçmas disa lokalitetet apo zona kufitare të Komunës së Bujanocit dhe Medvegjës pothuajse u zbrazën tërësisht. Vetëm nga qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2002 nga tri Komunat u zhvendosën 11.783 banorë shqiptarë, një pjesë e tyre u kthyen nepër shtëpit e tyre, por se sa u kthyen e sa mbetën nuk ka shenime të sakta. Dita e mërkurë e 23 qershorit 1999, për banorët e shqiptarë të tri Komunave e pësuan dhe mbetën shkretë pa banorëtë e vetë për shkak që në këto anë filluan të arrijnë forca të mdha të ushtrisë, policisë dhe gjandarmërisë që tërhiqeshin nga Kosova.
Deri më sot nuk është bërë asgjë edhe pas 23 viteve, për këto familje, për krijimin e kushteve për kthim. Deri më sot askush nga përgjegjësit institucional qendror të Republikës së Serbisë nuk i ka vizituar e le të afroj ndonjë projekt a program serioz për kthim apo integrim aty ku janë.
Tema për kategorin e të dëbuarve, zhvendosurve dhe të shpërngulurve nuk goxon të jet e anatemuar dhe sikur të jen qytetarë të askujt.
*Autori, ka disa kumtesa në konferenca shkencore për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, por edhe punime të publikuara, për diskriminim, pasivizimin e adresave,formimi i komitetit për bashkëpunim ndërkufitarë,ka trajtuar e propozur,si: Reciprocitetin, rikonfirmimit të Referendumit datë 1 e 2 mars 1992, shqyrtimi i realizimit të Marrëveshjes së Konçulit,rexhistrimin e popullatës,inicimin që të miratohet një rezolut,ngritja e një fondi të përbashkët nga dy qeverit, formim i një Komisioni mikst nga Parlamenti Shqipëri-Kosovë, etj.

Vështrim rreth librit publicistik “Ecje nëpër kujtime” të autorit Adem Lushaj

0

Shkruan: Blerim Bajraktaraj

Ishin vitet dymijë, kur pas studimeve fillova një angazhim të lehtë në zhvillimet e asaj kohe në komunën e Deçanit, si pjesë e jetës politike dhe shoqërisë civile. Aty dalëngadalë fillova edhe njohjen me Adem Lushaj, autorin e librit “Ecje nëpër kujtime”.

Unë, me profesion jam arkitekt, dhe puna ime profesionale është krejtësisht e lidhur me ketë fushë, por si shumë të rinj të asaj kohe, dëshira që të kontribuoj në të mirën e përgjithshme shoqërore, më shtyu që nga viti 2005 e tutje, të jem pandashëm edhe pjesë e zhvillimeve politike dhe shoqërore që ndodhnin në komunën tonë dhe më gjerë.

Autorin e librit publicistikë, “Ecje nëpër kujtime”, nga dy dekada më parë, gjithmonë e kam parë në nivelin e lartë të një intelektuali, i cili ashtu edhe siç duhet të jetë obligim qytetar i gjithsecilit nga Ne. Ishte zë i fuqishëm i shoqërisë civile dhe demokratizmit të jetës në komunën e Deçanit. Nuk ishte e lehtë kjo gjë, ani pse tashmë mendojmë së gjithmonë ishte kështu niveli i vetëdijesimit qytetarë rreth pozicionimeve politike dhe aspekteve tjera që koha e pas çlirimit kishte sjellë. Por jo, ishte pak më ndryshe. Euforia shpeshherë e mundte arsyen! Inercioni iI njëanshmërisë kishte edhe restrikcionet e saj, gjë që një intelektual i njëmend, nuk duhet të heshtë, punë të cilën e bëri Lushaj, kuptohet jo vetëm, por edhe me shumë bashkëpunëtor dhe aktivistë tjerë.

Libri “Ecje nëpër kujtime” është pjesë e botimeve publicistike, që jo vetëm se kanë vlerën e vet në planin e parë si fjalë e shkruar, por dimensioni i rëndësisë rritet edhe më shumë, kur e tërë materia e tij lidhet me zhvillimet e rëndësishme që kryesisht kanë për bazë komunën e Deçanit. Nuk ka gjë më të mirë, se sa shkrimet të cilat mbesin si dëshmi e një kohe të shkuar, mbi të cilën nesër dikush do të krijoj bindjen dhe përfundimin se, ne si shoqëri e kohës, bashkë me ata që kishin pozitat udhëheqëse, a e bëmë gjënë e duhur, apo ishim aty në mes. Pra, mu këtu është rëndësia pothuajse kryesore se botimet do të mbesin si dëshmi e arkivuar e fakteve dhe rrethanave, që më mire se çdo gjë tjetër, do të krijoj tablonë e saktë mbi të kaluarën.

Unë, si ndër lexues e parë të librit “Ecje nëpër kujtime”, të autorit Adem Lushaj, pa qenë profesionist i fushës së shkrimeve, por më shumë si qytetar aktivë i këtij ambienti politiko-shoqërorë, mund ta them pa mëdyshje se paraqet vlerë të madhe për publicistiken e kësaj ane. Kuptohet, se asnjë libër e as shkrim, nuk mund e as që është i kompletuar në çdo aspekt, gjë që as autori me siguri se nuk e ka ketë pretendim, por strukturimi i tij në kapituj, temat dhe shkrimet e përzgjedhura, reportazhet dhe figurat e cituara, japin një bollëk të materialit i cili me siguri se lexuesin do ta ndajë të kënaqur. Autori, me mjeshtri e trajton situatën nga zhvillimet politike, sfidat dhe trysnit e kohës, jetën kulturore dhe sportive, e deri te shqetësimet dhe reagimet e tij dhe të akterëve tjerë të komunës së Deçanit, ndaj sfidave me jetike siç janë raportet me asetet zhvillimore të cilat si rezultat i rrethanave politike, vendimet e niveleve qendrore, e pozicionuan mjaftë keq komunën tonë.

Te autori Lushaj, duket se edhe studimet e tij të thelluara, në fushat e ekonomisë dhe ambientit, përveç matematikës si profesion, në ketë libër kanë lenë gjurmë, qoftë në cilësinë e gazetarit, qoftë si aktivist i shoqërisë civile, gjë që me të drejt me dëshpërim e pohon, se komunës së Deçanit po i mohohet e drejta elementare që të zhvillohet qëndrueshëm duke shfrytëzuar resurset që natyra i’a dhuroi.

Andaj, shtrohet pyetja fundamentale logjike, pas çdo pune që njeriu benë, a i’a vlejti apo Jo. Unë i them me bindje të plotë autorit të librit “Ecje nëpër kujtime”, Adem Lushaj, se i’a ka vlejtë, dhe se botimet e tilla e rritin vlerën e publicistikës në vendin tonë.

Monolog i Adem Jasharit, poezi nga Atdhe Geci

0
Atdhe Geci
MONOLOG I ADEM JASHARIT
___
Poezi
Kosovë, dita e arbërorëve ka për të aguar
shtëpia ime e di udhën sesi bëhemi të lirë
shtypja këputet prej s´trashi thotë populli
e kaluara na la shumë çështje të pakryera
mbi gjysmën e atdheut e kemi t`pushtuar.
pyes, si ta shoh kështu Kosovën dardane,
në shtetrrethim,n`arrest, dhe të plagosur!
Shtëpia  me  njerëz  shumë është sulmuar
sovraniteti  etnik  i shtëptisë do përgjigjet
luftën me asnjë çmim nuk  do  ta humbim,
përderisa të ketë njerëz, armë  dhe  barut.
Trima, jam  lindur  ditën  e  flamurit, ditën
e  lindjes  së tij, ditën  e festës së flamurit
kjo është arsyeja që  e  kam hijen e burrit.
Kosovë,  një  zë  më  vjen nga  toka ,  më
vjen të kryengritem, shtëpia  s`dorëzohet,
Serbia, do ta kuptoj s´e këtu është e huaj.
Nënë, babë Shaban, Hamëz dhe xha Rifat,
shtëpia  me  njerëz shumë do të qëndrojë,
nuk nënshtrohemi. Vendbanimi  ynë  toka,
janë ëndrra dhe vullneti ynë  për  pavarësi.
Grusht, por dhe plumb  atij  që  vret dhe i
ndjek djemtë tanë. Kosovë  e  kohës sonë
larg nga dilemat  si  ti përgjigjemi armikut.
Trima, lëvizeni frymën e UÇK-së  për  luftë
shtëpisë me shumë njerëz  nuk  dorëzohet
UÇK-ja, trimja e të gjithë neve  ju  fton, të
mblidheni, të bashkoheni, të  kryengriteni!
Unë besoj te lufta dhe, besoj  tek dhimbja,
ndonjëherë pyes, sa armiq duhet ti vrasin
këto duar, që serbi ta kuptoj se në Kosovë
është i huaj! Është pushtues! Është armik!
___
Atdhe Geci – poezi nga dorëshkrimet, 1997

60 vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-amerikane në New York

0
Nga Frank Shkreli

(Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes katoliko-Shqiptaro-Amerikane

“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.’’ – Dom Zef Oroshi, New York, 1962

Të dashur e të nderuar klerikë,Shkelqësi Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranë-Durrësit Dom Pjetër, Dom Viktor, Dom Marjan… të nderuar zonja e zotëri, anëtarë të vjetër e të ri të famullisë Zoja e Shkodrës, miqë e dashamirë. Si njëri që ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit të LKSHA në fillim të 1970-ave, e ndjejë veten të nderuar me ftesën për të thënë dy tri fjalë dhe i privilegjuar që jam këtu sot për të shënuar këtë datë historike – jo vetëm për Kishën Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare – për të shënuar 50-Vjetorin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 Qershor, 1962.

Është këjo një datë historike, pasi i parapriu asaj që sot është famullia e parë katolike shqiptare në Amerikë, Famullia e Zojës së Shkodrës këtu në Hartsdale të Nju Yorkut, dhe në të njëjtën kohë shënon fillimin e një veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ideja largpamëse e krijimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane ishte e meshtarëve të atëhershëm të komunitetit katolik, Dom Zef Oroshit dhe At Andru Nargaj, të përkrahur nga një grup i vogël por entuziast bashkpuntorësh, disa prej të cilëve janë këtu, të pakën një e di se është këtu, Z. Tonin Mirakaj.

Për qëllime historike, meriton të përmendet fakti se në mbledhjen e parë të përgjithëshme të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u zgjodh Këshilli i parë prej shtatë anëtarësh, e që përbëhej prej Dr. Enrik Gurashi, Kryetar, Tonin Mirakaj, Sekretar, Loro Stajka Arkatar dhe anëtarët Zef Çupi, Mark Bajraktari, Zef Pashko Deda dhe Zef Hasani. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj njërin prej këtyre aktivistëve dhe anëtarëve origjinal të LKSHAs, Z. Tonin Mirakaj për ndihmën që më dha – me dokumentacion dhe dëshmi personale, me burime të dorës së parë, në rrëfimin e historisë dhe të veprimtarisë së Lidhjes Katolike gjatë 50-vjetëve të kaluara, veprimtari këjo në të cilën, në një mënyrë ose në një tjetër, ai ishte vet pjesëmarrës i drejtë për drejtë.

New York/Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres”

Anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u lëshohej një librezë (si kjo, të cilën unë e ruaj qysh se jam bërë anëtar me 8 Mars, 1971), me një kuotë anëtarësie prej një dollari në muaj. Si anëtar i denjë i Lidhjes Katolike me qëllimin përpara, me moton e punës për objektivin e rëndësishëm në të ardhëmen “Për Fe e Atdhe”, të lidhura e të bashkuara me unazën “Përparim” trashëguar nga para-ardhësit kishtarë atdhetarë shqiptarë, – çdonjëri që dëshironte të bëhej anëtar i kësaj lëvizjeje të re në Amerikë, vullnetarisht i vënte vetes detyrë për të qenë: a) ‘’Katolik i mirë, praktikues i fesë; b) Shqiptar Amerikan i ndershëm; c) Vijues i Traditave të mira Kombëtare, të gërshetueme me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane.” Themelimi i LKSHA dhe i kishës eventualisht ishte më urgjent, po të merrej parasyshë në atë kohë politika e regjimit komunist të Tiranës kundër Kishës Katolike, që kishte në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, të cilin brutalisht e vrau, e burgosi dhe e torturoi deri në zhdukje. Mbylli kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë morën vendimin absurd me shpalljen e Shqipërisë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe të Madhin Zot. Themelimi i LKSHAs u bë me vetdije të plotë nga klerikët Dom Zef Oroshi dhe At Nargaj me bashkpuntorët e tyre të ngushtë se sipas fjalëve të At Shtjefën Gjeçovit, “Atdhetarë vllazën, mos kjoftë thanun prej kujt se pa besim të vërtetë, mund të bahena atëdhetarë të vërtetë! Ku t’ zhduket emni i madhnueshëm i besimit, mos pyetni për atë komb, se nana e zezë do ta haje, e vendin e vet e qet në flakë… dhe se ai që përbuzë besimin, i del i pabesë si besimit si atdheut…pasi ata që punojnë këso dore nuk kanë farë dashnije as për njënin as për tjetrin…”

Katolike e krijuar në bazë të parimeve të lartpërmendura, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi politik, favorizonte dhe vazhdon edhe sot të bashkpunojë me çdo grup a individ që përpiqet t’i shërbejë interesave të Atdheut dhe kombit shqiptar pa dallim feje e krahine. Ajo fillimisht përbëhej nga anëtarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, shumica të arratisur për të shpëtuar nga këthetrat e komunizmit, të ardhur nga malet e nga fushat, nga trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, ruajtës të traditave tona shekullore, por dhe njerëz të shkollës. Vështirsitë ishin të mëdha, por një ndër hapat më energjetikë dhe frymëzues të Dom Zef Oroshit ishte apeli që ai i bëri, më 1968, të gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan pa dallim feje, krahine a ideje që të përkrahnin krijimin e një qëndre fetaro-kombëtare. Kësaj thirrrjeje iu përgjigjën shqiptarët katolikë, muslimanë e ortodoksë, me ndihma morale dhe materiale, duke shënuar si gjithmonë një dëshmi të gjallë e konkrete tolerance, bashkpunimi e vëllazërimi midis shqiptarëve.

Duke folur për përpjekjet vendimtare të krijimit të qëndrës së re, Dom Zef Oroshi pat thënë se kishte mësuar nga përvoja e Peshkop Fan Nolit vite më parë dhe se ajo përvojë e kishte bindur atë, se nëqoftse komuniteti shqiptar në Amerikë nuk duhej të shkrihej – duke humbur gjuhë, kulturë e tradita – atëherë ishte e nevojshme ndërmarrja e çdo sakrifice për të përballuar çdo sfidë e çdo pengesë për themelimin e qëndrës katolike.

Ky përvjetor ka një rëndësi historike, pasi shënon fillimin e një fushate që pat mbjellë farën e parë duke mbledhur fillimisht 4000 dollarë për blerjen e Qendrës Katolike Shqiptare, e që tre vjetë më vonë u pasua me botimin e rëvistës Jeta Katolike Shqiptaro-Amerikane, pasi Lidhja Katolike kishte nevojë për një botim zëdhënës, por për më tepër këjo ishte edhe revista e vetme katolike shqiptare në botë, që shërbeu për të mbajtur gjallë lidhjet me të afërm dhe me të largët. Para se të fillonte botimi i revistës Jeta Katolike, popullarizimin e Lidhjes së re në komunitet dhe më gjërë, e kishte marrë përsipër Tonin Mirakaj me artikujt e tij të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë. Kështuqë në një mënyrë Tonini, si sekretar i parë dhe gazetat Shqiptari i Lirë dhe Dielli ishin propaganduesit e parë të veprimtarisë fetare dhe patriotike të Lidhjes së re Katolike.

Megjithëse gjatë kësaj periudhe, shërbimet fetare të komunitetit katolik shqiptar bëheshin nepër kisha të ndryshme amerikane, puna e rëndë e Kryetarit Dom Zef Oroshit dhe anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane si dhe serioziteti i kësaj nisme të komunitetit të vogël katolik, 50-vjetë më parë, u kurorëzua natën e Krishtlindjes të Dhjetorit 1969, kur u tha mesha e parë në Qëndrën Katolike Shqiptare në 4221 Park Avenue të lagjës Bronks. Kryetari i Lidhjes Katolike Dom Zef Oroshi, në predikimin e tij me këtë rast përshëndeti grigjën e tij duke u thënë: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej. Siç pat thenë vite më parë, në krijimin e Lidhjes Katolike me 1962, Dom Zefi rithkesoi edhe me ketë rast se “Këjo sot është një shkëndi e vogël që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë edhe votrat e errësueme në Atdhe” – duke shtuar se ‘’Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.”

Kishës së parë katolike shqiptare në Nju Jork, me dekret të Arqipeshkvit të atëhershëm të Nju Jorkut, Eminences së tij Terence Kardinal Cooke, iu njohën të gjitha të drejtat si famulli e plotë, me përjashtim të emërtimit famulli, përfshirë të drejtën e rezidencës së famullitarit në Qëndër, si dhe të drejtën për të pasur vulën zyrtare dhe të drejtat për të kryer shërbimet fetare si pagëzime, kurorëzime dhe funeralet.

Akordimi nga Kardinali Terence Cooke, Qendrës Katolike Shqiptare i të drejtave kanonike për të kryer të gjitha shërbimet fetare aty, ishte shumë i rëndësishëm pasi me këtë të drejtë, shqiptarët katolikë nuk ishin më të detyruar të shkonin nga një kishë amerikane në tjetrën për nevojat e tyre shpirtërore e fetare, duke emëruar Mons. Zef Oroshin Administrator të Qëndrës dhe bashkpuntor të tij Dom Rrok Mirditën, i ardhur nga Arqipeshkvia e Tivarit, i cili me entuziazmin e tij sjellë një bashkpunim të zellëshëm e të frutshëm duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë. Por, ndërsa komuniteti i besimtarëve katolikë sa vinte e shtohej gjatë viteve, nevoja për një kishë më të madhe po bëhej më urgjente. Nga shënimet historike mbi jetën dhe veprimtarinë e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane del se meshtarët, në marrëveshje me Këshillin e Kishës vendosën t’i lëshojnë një thirrje të re mbarë popullit të komunitetit shqiptaro-amerikan për një ndihmë të posaçme për të bërë të mundur ndërtimin e një kishe të re, më të madhe, pasi numëri i emigrantëve sa vinte e shtohej sidomos i atyre nga trojet tona në ish-Jugosllavi. Pas lejeve dhe aprovimeve të nevojshme nga autoritetet shtetërore dhe kishtare amerikane, më 24 Shtator, 1978 bëhet inaugurimi i kishës së re me një meshë madhështore dhe pjesëmarrje të madhe bashkatdhetarësh nga i mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, me përfaqsues të të gjitha feve dhe nga mbarë viset shqiptare. Nuk ishte këjo një ndërmarrje aspak e lehtë. Në një editorial të gazetës Dielli të asaj kohe, Kryeredaktori Xhevat Kalljaxhiu përshëndet hapjen e kishës katolike shqiptare në Bronks, si “një vepër me të vërtetë të madhe”, dhe uron e përgëzon ‘’iniciatorin e vjetër e kryesor, Monsinjor Zef Oroshin, të Përndershmin Rrok Mirditën, këshillat dhe besimtarët, që nuk kursyen prej shumë vjetësh, ndihmën morale dhe materiale për këtë vepër të shenjtë fetare e kombëtare’’, si “ndërgjegjës të misjonit të tyre jo vetëm si predikues të fjalës së Zotit, por edhe si predikues të Shqiptarizmit e të vëllazërimit midis shqiptarëve’’, përfundoi editorialin ish-gazetari i njohur i Zërit të Amerikës Xhevat Kallajxhiu.Në këtë ndërkohë, shqiptarët katolikë të Nju Jorkut kishin ndezur edhe një shkëndi tjetër atë të ‘’ Shën Pjetrit e Palit’’, nën udhëheqjen e meshtarit Dom Lazër Shëldija, e cila në Shkurt të vitit 1987, me miratimin e këshillave dhe të meshtarëve të tyre, Dom Rrok Mirdita dhe At Andrew Nargaj ndërmorën vendimin për bashkim historik, në një kishë të përbashkët, kushtuar Pajtores së Shqiptarëve, Zojës së Shkodrës. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha që vetëm pjesmarrësit dëshmitarë të asaj periudhe i njohin mirë, Komisioni fillestar dhe komisionet e këshillat e kishës në vazhdim, kapërcyen kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe ia dolën më në fund objektivit të lartë fetar e kombëtar.

Mbas shumë përpjekjeve, u gjet vendi i përshtatshëm prej 12 hektarësh e gjysëm, në 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, këtu ku jemi sot. Kontrata e blerjes u nënshkrua me datën 26 shtator 1989, në zyrën e avoketënve “Piro & Mansell” në White Plains. Kisha përfaqësohej nga avokati George A. Phillips i firmës, “Cusack & Styles”, në emër të cilës kontrata u nënshkrua nga i Përndershmi Dom Rrok Mirdita, në prani të anëtarëve të komisionit të bashkimit të dy kishave, zotërinjve Tonin Mirakaj, Lekë Gojçaj, Prelë Sinishtaj dhe Ndue Shala.

E gjithë këjo veprimtari prej disa dekadash e shumë mundimesh, nga klerikët dhe komuniteti katolik shqiptar në Amerikë përfundon më në fund në kurorëzimin e ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale. Por është me rëndësi historike të përmendet fakti se vetëm dy ditë mbas blerjes së tokës, me 28 shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O’Connor i Nju Jorkut njoftoi themelimin e “Famullisë së parë Katolike Shqiptare në Amerikë me emërin e bukur “Zoja e Shkodrës” dhe emëroi famullitar të Përndershmin Dom Rrok Mirdita dhe bashkfamullitar të përndershmin Dom Pjetër Popaj. Në vend që të pushonte krahët mbas një pune jashtzakonisht të rëndë, Dom Rroku, merr thirrjen e shëjntë për tu këthyer dhe për të ndezur në Atdhe atë “shkëndinë e vogël” nga Amerika, për të cilën pat profetizuar Dom Zef Oroshi me krijimin e LKSHA me 1962, që falë punës së rëndë dhe sakrificave të vet Imzot Rrok Mirditës dhe Konferencës së ipeshkvijve shqiptarë, sot “është bërë dritë e madhe, që shëndritë votrat e errësueme në Atdhe” nga dekadat e ideologjisë komuniste, që kishte zhdukur çdo dukuri fetare me shpalljen absurde të Shqipërisë si vendi i parë ateist në botë. Emërimi dhe shugurimi i Dom Rrok Mirditës Arqipeshkëv për Durrës- Tiranë nga Shëjtënia e tij Papa Gjon Pali i Dytë solli pra, largimin e tij nga Amerika për në Atdhe, duke pranuar kështu privilegjin historik që veprën e filluar në Amerikë ta vazhdonte në Atdhe, – për të filluar atë që gazeta New York Catholic e cilësoi si “A New Dawn for Albania” (Një Agim i Ri për Shqipërinë)-për hir të dashurisë për të Madhin Zot dhe Kombin e tij, si edhe për hir të dinjitetit dhe në falënderim të përjetëshëm të para-ardhësve të mëdhej të klerit katolik shqiptar të përsekutuar dhe të martirizuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Por barra e rëndë për shërbimet fetare dhe për mbarimin e punimeve të kishës së re, ra mbi krahët e të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, një prifti të ri e energjetik, i edukuar dhe i shuguruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i cili me përpjekje të palodhëshme njerëzore, me dedikim, sakrifica dhe vetmohim iu përvesh punës për të realizuar objektivin madhor të filluar 50-vjet më parë, dmth, të realizimit të misjonit të lartë fetar e kombëtar, që sot është famullia “Zoja e Shkodrës”. Dom Pjetri iu përvesh punës me vrull e vendosmëri të pashoqtë për fillimin dhe mbarimin e këtij objekti fetar e kombëtar, të cilin Kardinali John O’Connor e pat quajtur një gur i çmueshëm, një diamant ose xhevahir, me fjalë popullore me të vërtetë një vepër madhështore, pat thënë ai — dhe që sot — fal aktivitetit të saj fetar e kombëtar – është jo vetëm krenaria e komunitetit katolik por e mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan.

Me datën 3 dhjetor, 1995 bekohet guri i parë i themelit të kishës së re, në prani të një numëri të madh besimtarësh dhe udhëheqsish nga tri besimet. Ndërtimi dhe inaugurimi i kishës ‘’Zoja e Shkodrës’’ shënoi përmbylljen e një kapitulli të lavdishëm të komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe fillimin e një veprimtarie të gjithanëshme aktivitetesh fetare, kombëtare e kulturore, jo vetëm për komunitetin katolik, por për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, pa marrë parasyshë përkatësinë fetare.

Arqipeshkvi i Nju Jorku, John Kardinal O’Connor, një mik i vërtetë i shqiptarëve, me rastin e shugurimit të kishës së re, të cilën, siç thashë më lartë e quajti një diamant i çmueshëm, tha se konsekrimi i kishës ‘’Zoja e Shkodrës’’ ishtë me të vërtetë një celebrim e gëzim po të marrim parasyshë historinë e kombit shqiptar dhe dëshirën e tij për të qenë i lirë për t’iu lutur Perendisë.

Është e pamundur që mbrenda një kohe të shkurtë prej disa minutash të përfshihet një historik aq i pasur siç është veprimtaria e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane gjatë 50-vjetëve të fundit, e sidomos e 20-vjetëve të fundit nën udhëheqejn e Dom Pjetër Popaj dhe bashkpuntorëve të shumtë. Por do të përpiqem që në pika kryesore dhe shkurtimisht të nënvijoj ato aktivitete fetare, kombëtare e kulturore që e kanë dalluar dhe e dallojnë Famullinë Zoja e Shkodrës, këtu në Hartsdale të Nju Jorkut. Një Qëndër këjo, me veprimtari të larmishme në shumë fusha, ku po mësohet dhe thellohet besimi në të Madhin Zot, por në të njëjtën kohë e si gjithmonë – dhe në traditën më të mirë të klerikëve tanë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, që gjatë të gjithë historisë së kombit tonë ka vazhduar të ruaj dhe të promovojë zakonet dhe traditat tona si edhe ndjenjat kombëtare për të gjithë edhe këtu në botën amerikane në të cilën jetojmë. Rëndësinë e përurimit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, e shprehu më së miri në atë kohë, Ernest Koliqi, i cili në revistën ”Shëjzat” pat shkruar me atë rast se përveç dobisë shpirtërore, ‘’Na tue u nisë nga pikëpamja shqiptare dëshirojmë të theksojmë këtu, vlerën e një organizimi i cili në flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhnore e njerëzve sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon të mbajë gjallë zakone e doke thjeshtë kombtare, dmth të ruaj në vend të huaj pasuninë ethnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon m’u quejtë Shqiptarë në botë.’’

Përveç shërbimeve fetare dhe në përputhje të plotë me traditën historike të rolit që Kisha Katolike Shqiptare ka luajtë gjatë shekujve, në mbrojtjen dhe në kultivimin e vlerave të historisë kombëtare, gjuhës, kulturës, folklorit dhe të traditave tona shekullore, Kisha Zoja e Shkodrës dhe udhëheqsit e saj klerikë dhe laikë vazhdimisht, kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme duke organizuar folklore, seminare e akademi. Kështuqë, këjo kishë e ka bërë këtë qëndër gjithashtu një mjedis ku të rinjtë e të rejat e tri besimeve tona zhvillojnë edukimin e tyre patriotik dhe me qëllim të ruajtjes dhe të zhvillimit të mëtejshëm të traditave dhe të ndërgjegjes kombëtare të fisit shqiptar.

Është me vend që të përmenden disa prej tyre -më të rëndësishmet – siç ishte akademia e mbajtur me rastin e 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit, kur u ftua Dr. Ibrahim Rugova për të mbajtur ligjëratë. Këjo ishte vizita e parë e Ibrahim Rugovës në Amerikë dhe mund të thuhet lirisht se Kisha Zoja e Keshillit të Mirë mund të marrë kredinë se me këtë ftesë, konsiderohet që ai të ketë filluar karjerën e tij politike, që pak më vonë e konsolidoi atë si udhëheqsin e Kosovës që e njihte e gjithë bota, si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më vonë si President i atij vendi.

Ndër të tjera, janë organizuar gjithashtu edhe seminare në përkujtim të At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës. Çdo vit me 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë organizohej dhe organizohet meshë dhe aktivitete për të përkujtuar dëshmorët e kombit dhe për t’iu lutur Perendisë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. “Dita e trashëgimisë shqiptare”, edhe këjo një nga veprimtaritë e shumta vjetore të organizuara nga Kisha Zoja e Shkodrës, është këthyer tashti në një aktivitet masiv që synon të mbaj gjallë traditat kulturore dhe të forcojë lidhjet e miqësisë midis gjithë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata krenarë për prejardhjen e tyre.

Shqipëria nën regjimin komunist kishte marrë një emër të keq në Amerikë, ishte gjithmonë qëllimi i klerikëve katolikë, që botës amerikane t’i paraqiteshin vlerat pozitive të shqiptar duke paraqitur kulturën, kostumet dhe traditat më të mira, duke filluar me pjesëmarrjen e komunitetit në Festivalin e Arteve të Ballkanit në mesin e 1970-ave. Festivali muzikor që kisha organizon për çdo vit, nën drejtimin e të palodhëshmit Mark Koliqit-Shkreli është bërë si të thuash një institucion kulturor e kombëtar—në të cilin marrin pjesë mijëra shqiptarë nga mbarë komuniteti, por edhe më gjërë, pa dallim feje, krahine apo ideologjie – e që mbulohet jo vetëm nga media shqiptare, por edhe nga ajo amerikane, përfshirë, ndër të tjera edhe gazetën me famë botërore Nju Jork Tajms. Grupi Rozafati që ekziston pranë kishës për më shumë se 30-vjetë ka përfaqsuar komunitetin shqiptar në organizime e çfaqje të ndryshme artistike e kulturore të komuniteteve etnike në Amerikë. Folklori i Kishës Zoja e Shkodrës ka zbukuruar paradat vjetore në bulevardet e Nju Jork si edhe darkat e festimet kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan, siç ishte kohët e fundit festimi i 100-vjetorit tëthemelimit të organizatës mbarëshqiptare Vatra. Dom Rroku e Dom Pjetri, mbi të gjithë angazhimet që kishin mbi supet e tyre, disi kishin gjetur kohë që të përgatisnin dhe të drejtonin edhe radio programin ‘’Zëri Katolik Shqiptar’’, që transmetohej çdo të shtunë në mengjes.

Aktiviteti i gjithanshëm i famullisë ka përfshirë edhe organizimin e udhëtimeve ose shtegtarive me karakter fetar, si për shembull vizita në Vatikan dhe Gennacano, ku grupi nga Zoja e Shkodrës u prit në audiencë nga vet Papa Gjon Pali i dytë. Të rëndësishëm ishin shtegtimi në Tokën e Shenjtë dhe udhëtimi në Shqipëri me rastin e vizitës historike të Papës Gjon Palit të dytë, me ç’rast ai shuguroi katër ipeshkvijë, përfshirë edhe ish famullitarin e kishës tonë, tashti Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolitan i Tiranë-Durresit duke e ringjallur kështu hierarkinë e Kishës Katolike Shqiptare, e cila ishte zhdukur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Përveç veprimtarive fetare, ekumenike, kulturore dhe atdhetare, komuniteti katolik shqiptar nepërmjet kishës, e me ndihmën e klerikëve dhe të këshillave të ndryshme drejtuese, shpesh është marrë edhe me veprimtari humanitare në shërbim të bashk-atdhetarëve tanë në Shqipëri, Kosovë e vise të tjera. Vlenë të përmendet se gjatë 1990-ave, Kisha Katolike Shqiptare ka organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijera dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova. Megjithëse larg nga atdheu dhe trojet tona në Ballkan, besimtarët katolikë të kësaj famullie– gjatë këtyre 50-vjetëve histori të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane – nuk kursyen kurrë dhe asgjë për bashk-atdhetarët tanë në vendlindje duke dërguar, sipas mundësive këtu dhe nevojave atje, ndihma për ndërtimin e rrugëve, shkollave e qendrave fetare e kulturore, përfshirë edhe ndihmën e konsiderueshme dhënë për ndërtimin e Katedralës ‘’Nënë Tereza’’ në kryeqytetin e shtetit sovran e të lirë të Kosovës – dhe kur thirri Atdheu për mbrotjen e interesave kombëtare nuk munguan as ndihmat materiale e madje-madje as ato njerëzore.

Përveç veprimtarisë kombëtare, fetare e kulturore, Kisha Katolike nga koha në kohë organizonte, me ndihmën e mjekëve shqiptarë të kryesuar nga Dr. Agim Leka, edhe përkujdesje shëndetsore për fëmijtë e emigrantëve të ri të çdo feje e krahine, duke hapur hapësirat e kishës për imunizime dhe nevoja të tjera shëndetsore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Megjithëse sot ka lloj lloj organizatash politike e kulturore të komunitetit, ishte Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane, ajo që u parapriu këtyre kur në fillim të 70-ave mori iniciativën, që së bashku me qëndrat si motra myslimane dhe ortodokse të formohej Organizata ethnike shqiptaro- amerikane që do të përfaqsonte interesat e komunitetit pranë Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut.

është pra këjo një “qyqesh”, siç i cilësonin apologjetët e regjimit të Enver Hoxhës, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, që shumë prej të cilëve patën fatin të shpëtonin nga terrori i egër i stalinistëve të Tiranës komuniste, e që disa prej të cilëve, 50-vjetë më parë morën guximin dhe themeluan këtë Lidhje Katolike Shqiptaro-Amerikane. Ky pra, është një komunitet i cili shpirtërisht dhe fizikisht, gjithmonë ka qenë dhe është afër dhe i gatëshëm të mbrojë interesat kombëtare dhe të punojë për “Fe e Atdhe”. Është ky komunitet i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, me Kishën ‘’Zoja e Shkodrës’’ – i cili pa marrë parasyshë se ç’thanë kritikët dashakeqës atëherë, e ndoshta edhe sot – ai që po shkruan historinë e diasporës shqiptare në Amerikë dhe që është bërë pjesë e pa-ndashme edhe e historisë së Kishës Shqiptare në Atdhe. Si i tillë, ky komunitet meriton një kapitull të denjë edhe në historinë e kombit shqiptar, ashtu siç zë vend edhe historia e arbëreshve të Italisë, të cilët gjatë 500-vjetëve ç’prej largimit të tyre nga Atdheu për të shpëtuar nga otomanët, ruajtën fenë, dashurinë për Atdheun, traditat, gjuhën shqipe dhe kulturën. Ashtu si edhe arberëshët e Italisë, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, pjesë përbërse dhe e rëndësishme e të cilit është edhe komuniteti katolik i Nju Jorkut me rrethe, me aktivitetin e tij të palodhshëm 50-vjeçar, të udhëhequr nga klerikët tanë që kemi privilegjin t’i kemi këtu sot, si dhe ata që kanë shkuar në atë jetë – vazhdon të jetë flamurtar i përhapjes dhe i forcimit të idesë kombëtare, i ruajtjes së vlerave fetare e morale si edhe i kulturës dhe traditave të bukura shqiptare, e që nepërmjet shembullit të Nënë Terezës e kanë bërë kombin tonë të njohur anë e mbanë botës.

Roli i famullisë Zoja e Shkodrës në jetën fetare, kulturore, shoqërore, humanitare dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo dhe pa dallim është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë edhe udhëheqsit politikë dhe diplomatë nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera shqiptare, të cilët e kanë bërë vizitën në këtë qendër si një ndalesë të doemosdoshme gjatë qendrimit të tyre në Amerikë. Famullia Zoja e Shkodrës është shpesh edhe në qëndër të aktiviteteve ekumenike duke marrë iniciativën dhe duke organizuar lutje ndërfetare me udhëheqës të besimeve të tjera për qëllime mbarëkombëtare, si për shëmbull lutjet që mbaheshin për pavarësinë e Kosovës, dhe për fatin e shqiptarëve në përgjithësi. Një ndër ndërmarrjet më me rëndësi të kësaj qendre, siç thashë edhe më përpara, ka qenë botimi i revistës Jeta Katolike ku shkruanin e vazhdojnë të shkruajnë jo vetëm intelektualë e shkrimtarë të famullisë, por ajo është e hapur për të gjithë, dhe e cila ka siguruar respektin e meritueshëm, përmbajten e së cilës e ka vlerësuar edhe shkrimtari Ismail Kadare. Këshilli redaktues nën drejtimin e Dom Pjetrit dhe të Mark Koliqit meriton lëvdata për një punë të mbrekullueshme edhe në fushën gazetareske.

Rëndësia e këtij përvjetori, e vërteta është, qendron në faktin se themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane 50-vjetë më parë, kur të shikohet nga këndveshtrimi i sotëm, ishte gur themeli, ishte hyll i dritës dhe agimi i parë i mengjezit që zbardhi ditën dhe të ardhmen e Kishës Katolike Shqiptare në përgjithësi. Kur të marrim parasyshë historinë e vuajtjeve e të mundimeve të klerit dhe të Kishës Katolike në Shqipëri gjatë diktaturës hoxhiste komuniste, është e qartë se Shpirti Shënjtë kishte dorë të drejtë për drejtë në këtë krijesë të re, në këtë vend të madh të lirisë e demokracisë, me qëllim jo vetëm për të mirën e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan , por edhe për fatin e Kishës në Shqipëri dhe për të mirën e mbarë kombit shqiptar. I Madhi Zot vepron në mënyra misterioze. Siç thashë lartë, nga kjo famulli doli një arqipeshkëv, në personin e Imzot Rrok Mirditës, dy meshtarë Dom Pjetri e Dom Nikolin Përgjini, si dhe diakoni Marash Shkreli të cilët shërbyen për disa vjetë në këtë famulli.

Historia 50-vjeçare e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është një periudhë evenimentesh historike siç ishte, ndër të tjera, edhe organizimi i meshës solemne në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork më1997 në kujtim të Nënë Terezës, bijës që Kombi shqiptar i ka dhuruar njerëzimit, e ku mori pjesë një mori e madhe shqiptarësh dhe të huajsh, pa dallim. Me ç’rast Profesor Sami Repishti, i emociounar nga këjo çfaqje fetare e kombëtare e organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës, e përmblodhi më së miri misjonin dhe aktivitetin e kësaj veprimtarie duke shkruar me atë rast: “Këtu në Katedralën e Shën Patrikut u duk fëtyra pak e njohur e popullit tonë të vjetër e fisnik, u duk i qartë besimi jonë në vetvehten, besnikëria ndaj traditave tona kombëtare, dashuria jonë e madhe për gjuhën tonë amtare, toleranca jonë fetare (i cili popull fton imamin mysliman të flasë nga altari i Katedralës) dhe vendosmëria jonë për të qenë pjesëtarë të një kombi që na jep nder dhe na jep emërin shqiptar…Megjithë sakrificat e shumëta që keni bërë, o vëllëzër e motra shqiptarë katolikë, për fe e atdhe’’ vazhdon Profesor Repishti, “ju jeni një grup fetar e kombëtar që do të mbijetoni çdo provë e vështirsi në të ardhmen… dhe në këtë rrugë ju keni përkrahjen e miljona shqiptarëve myslimanë e ortodoksë që ju kuptojnë dhe ju duan”, ka përfunduar artikullin e tij Profesor Sami Repishti.

i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është pra, një kurorëzim i denjë dhe i mbrekullueshëm i një veprimtarie në fushën e fesë dhe të shqiptarizmit. Me urimet e mia i lutëm të Madhit që Qëndra Nënë Tereza dhe famullia e Zojës së Shkodrës, nën drejtimin e famullitarit Dom Pjetër Popaj, të vazhdojë punën e saj frymëzuese bazuar në binomin Fe e Atdhe me Përparim, të trashëguara nga parardhësit kishtarë shqiptarë, në misjonin e saj për të ndihmuar Kishën e shumë vuajtur dhe institucionet fetare të cilat gjithmonë kanë qenë qendra, jo vetëm e vlerave fetare por edhe vatër e promovimit të patriotizmit të pastër, të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare këtu në Amerikë dhe në të gjitha trojet tona shqiptare në Ballkan.

Ju falenderoj për durimin, (Ribotim me rastin e 60-vjetorit)

Frank Shkreli*

*Autori ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare’’, për periudhën 1971-1974.

Image

(Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes katoliko-Shqiptaro-Amerikane

Image

(Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes katoliko-Shqiptaro-Amerikane

FOTO GALERI

Image

(Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes katoliko-Shqiptaro-Amerikane

Image

Darkë e shtruar nga Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për në Washington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, Qershor, 1974

Image

Frank Shkreli falënderon me këtë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshin për ndihmën dhe këshillat e tija dhe njëkohësisht edhe Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare për bashkpunimin dhe ndihëmesën e tyre gjatë periudhës që kishte shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike, të themeluar nga Monsinjor Dr. Zef Oroshi.

E vërteta e hidhur e Jusuf Buxhovit

0
Nga: Sofokli Mekshi, Sarandë
___
Ditë më parë,në Sarandë, shkrimtari Jusuf Buxhovi,shpalosi krijimtarinë e tij,nder vite,por më prodhimtarë,çfaqet tash sefundmi.Nuk isha takuar,kurrmëpare me ate burrë imcak,por zjarr ështe në ecje,në fjalë në perqafime,në dituri ,po se po.Një ftese prej Poetit të zeshem,Hekuran Halili,më dha fatin ta perqafoj Jusufin,madje të përfitoj me autograf librin e tij të zeshem”Shenimet e Gjon Nikoll Kazazit”,i cili s’di pse morri vemendje të madhe në ate takim midis miqsh dhe krijues-sfidant të mikut Jusuf Buxhovi.(Kur ta lexoj do ta zbuloj edhe këtë fakt)Isha pergatitur t’i bëja një surprize…Prej vitit 1992, të botimit,nga shtypshkronja jonë “8 Nëntori ” Libri i te Mallkuarve” ishte në biblioteken time,qëndronte si një deshmi e asaj që i bashkon më shumë popujt:Arti dhe Letersia.Kur u takuam fizikisht,unë mbaja në dorë,ate, librin e “vjeter” të tij.U shtang prej kesaj befasie e më tha”Si mor burrë, ma solle kete liber,qysh prej 30 vjet më parë,sa nuk e kisha harrue…”U ndal,e shfletoi ,sikur u takue me femijën e vetë,ndaj aty për aty më fali me autograf një liber tjeter.
Një ditë më pare,”Libri i të Mallkuarve “zbriti nga raftet e bibliotekes sime,dhe më yshti ta
rilexoj,duke ndalur më
gjate tek ajo qe eshte teper aktuale :raporti i lirisë te krijimtarise letrare e artistike me autokracinë e pushtetit .Kjo përbenë ashtin e romanit,rreth të cilit kronisti i romanit ,përmes personazheve të tij, debaton bukur e me sens filozofik.Shkruan Jusuf Buxhovi,30 e ca vjet më parë:…”Kur më emeroi Kryevezir, Lartmadhenia më tha:nga ty Sami Pasha kerkoj forcën e tyt eti dhe mendjen e gjysh Ahmetit.Në fakt unë isha një gjysemgjyse,një trup që barte dy pjesë të kunderta,të njerit që ishte i butë,i heshtur,i qete dhe i tjetrit që ishte i ashper,i vrullshem.Si t’i pajtoja keto skajshmeri…?!”U ndala tek ato paragrafe ,edhe per faktin se i kisha nenvizuar qysh në leximin e parë të romanit.Aso kohe,Shqipëria,sa kishte nisur tranzicionin e pushtetit,atë lufte midis lirise së krijimtarisë dhe asaj të pushtetit.Mendonim se,ky raport do të hepohej nga e para,ku mendimi i lirë nuk do të fliste me veten por do të “qortonte” pushtetin e ri demokratik,qe ai të ruante ekuilibrat e premtuara ,nëpër takimet elektorale .Shkrimtari këtu i vjen në ndihmë,miletit tonë,mbase edhe andej nga Kosova, prej nga është poeti.Unë,gjatë leximeve dhe krijimtarisë time publicistike,tashmë kam një ide të qarte se krijimtaria letrare e artistike ,ka tri kohë në kuptimin gramatikor: koha e tanishme ,kur çdo autor shkruan,koha e shkuar prej nga merr ,kryesisht lenden e parë për të gatuar” buken” e lexuesit,si dhe kohen e ardheshme të cilës i drejtohet.Gjithkush shkruan për te ndihmuar të nesermen e njerëzimit.Në këtë hulli lëviz mendimi shkencor dhe filozofik i autorit Jusuf Buxhovi .Diku më tej,shkruan përseri autori:…kur u ula në fron vendosa të beja kompromis duke u lenë veprim të lirë, mëndjes dhe forces…mbase një ditë arrijmë pushtetin ideal….por më pas konstatova se forca eci më shpejtë dhe shkoi shumë më larg,ndersa mendimi ngeci…”Këtu autori dialogon me veten që të degjojnë njerzit,që të mësojnë prej letersisë që ai boton.Në kete terexhe është liria e mendimit edhe pas 30 e ca vjetesh tranzicion politik .Duke folur me fjalët e Jusuf Buxhovit,do të shkruaj se injoranca eshte bere e papermbajteshme nga pushteti,ajo po i rri në pritë mendimit të lirë dhe po e gjykon rendë .Kjo doemos, që një ditë të çon në ate
qe mendimi i lirë të ndrydhet përfundimisht dhe shoqeria të bëhet autokratike.Këta lloj pushtetaresh ,autori që në titull i quan të “mallkuar”Për këtë përfundim,romani flet me zë të larte për të sotmen dhe te ardhmen e njerezimit mbarë .Edhe pse shoqeria njerezore çdo ditë e më shumë rrëshket drejt autokracisë,autori poet,shkrimtar a gazetar,është optimist se arti ka forcë më të madhe se forca e pushtetit,se fitorja,në mos barazpesha,do të triumfojnë në këtë botë qe jetojmë.Kjo është e verteta e hidhur, që na vjen prej shkrimtarit,tash 30 e ca vjet më parë.Ashtu siç shkruan edhe Jusufi ,në këtë liber,”Nga e verteta nuk kemi dem.Është koha qe ca gjera t’i shohim edhe ashtu siç nuk na pëlqejnë….”Në këtë kontekst ,shkrimtari e ka kryer misionin e tij,na ka folur haptaz,na ka hapur sytë ,që rrugëtimi ynë historik të zgjatet drejt të mirës,drejt lirisë mendimit dhe të krijimit.
Sarandë më 19.05.2022.

Lufta ruse do të sjellë fundin e Carit të Kremlinit, Europa e përçarë për anëtarësimin e Ukrainës në BE 

0

Shkruan: Eneida Jaçaj 

 Ukraina është shndërruar në arenë lufte për afro katër muaj, ndërsa makineria ushtarake e Rusisë po vret të pafajshëm duke cënuar të drejtën legjitime të ekzistencës së një shteti sovran, që ka miratimin e popullit. Duket se konflikti Rusi-Ukrainë nuk do të shuhet shumë shpejt, edhe pse lufta e hapur nga vetë Cari i Kremlinit, Vladimir Putin, do të shënojë fundin e tij dhe sistemit autokrat në një kohë të afërt, pas 23 viteve të mbretërimit në pushtet, për shkak edhe të sanksioneve shtrënguese që i ka vendosur Perëndimi. Konflikti Rusi-Ukrainë e ka ndarë botën sërish në dy blloqe ashtu si në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore; SHBA dhe Europa pro ruajtjes së sovranitetit të shtetit të Ukrainës, ndërsa shtetet si Kina, Kuba, Irani, Venezuela janë rreshtuar pro Rusisë. Turqia ka mbajtur një qëndrim neutral, por që ka shtuar deklaratat për paqe dhe konsensus mes dy vendeve. Populli i pafajshëm ukrainas po vuan në lëkurën e tij kapriçot dhe dalldisjet e fundit të Putinit, ku makineria ushtarake e “vdekjes” nuk po kursen as fëmijët, duke ua ndërprerë në mes të drejtën për të jetuar dhe duke minuar të ardhmen. Kjo situatë të kujton luftën e Kosovës, genocidin serb, kur makineritë ushtarake të Millosheviçit kryen krime nga më makabret mbi popullin e Dardanisë. Pasojat e ideologjive fashiste, komuniste, uzurpuese, gjithmonë i kanë vuajtur të pafajshmit. 

Superfuqia dominuese, SHBA-të, garantja e demokracisë dhe sigurisë në botë, dhe kontinenti plak, Europa, ndihen në presion përballë një agresori të pabindur si Putin, i cili nuk njeh konsensus dhe limite, por u qëndron stoik pretendimeve të tij ndaj Ukrainës, duke kërcënuar botën me armët bërthamore në rast se do të hyjnë në luftë kundër Rusisë. Kjo situatë të kujton Luftën e Ftohtë pas Luftës së Dytë Botërore, ku SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, si dy superfuqi, ndaheshin në shumë pikëpamje. Shkaku kryesor i kësaj lufte është siguria që ka kërkuar Putin për mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO. Madje, Putin ka qenë ai që ka akuzuar SHBA-të se janë ato që provokuan konfliktin në Ukrainë, pasi, sipas tij, NATO ka afruar infrastrukturën e saj ushtarake gjithnjë e më pranë kufirit rus. Por, Putin kërkon të vrasë me një “gur” dy zogj. Cari i Kremlinit përpiqet të gjejë një fajtor, në këtë rast SHBA-të, për t’ia atribuuar peshën e luftës, dhe ta nxjerrë jashtë loje si superfuqi, duke rikthyer BRSS dhe duke dominuar në Ballkan së bashku me Serbinë, një projekt i vjetër ky, por që do të mbetet veç një ëndër. Gjithashtu, edhe pse “Perdja e Hekurt” ka rënë në 1989, Putin kërkon t’i rikthejë peshën dominuese Rusisë si në kohën e ekzistencës së Bashkimit Sovjetik, i cili shërbeu si model frymëzimi për instalimin e regjimit komunist në vendet e Europës Juglindore. Përpos kësaj, lufta e Rusisë kërkon të zhvendosë SHBA-të si superfuqi botërore dhe Putin t’i rikthejë Rusisë “lavdinë” dhe “dinjitetin” e munguar. 

SHBA-të dhe Europa kanë dërguar në Ukrainë ndihma ushtarake për llogari të luftës, madje një paketë e re do të miratohet për Ukrainën, për të modernizuar ushtrinë e saj. Kjo ndihmë përfshin armë të rënda dhe sisteme raketore me rreze të gjatë. Gjithashtu, Gjermania ka dërguar shumë armë në Ukrainë. Konflikti Rusi-Ukrainë është një konfikt delikat, ndërsa SHBA-të dhe BE-ja po tregohen disi të pjekur për të mos zhytur botën në një luftë të tretë botërore. A duhet të vazhdojë SHBA-ja dhe BE-ja të mbajë këtë qëndrim duke parë se si makineria e “vdekjes” ruse po vret fëmijë?! Komandanti i Forcave të Aleancës në Europë, gjenerali Ëesley Clark, në një deklaratë u shpreh se pushtimi rus i Ukrainës nuk do të ndalet pa ndërhyrjen e NATO-s, duke sjellë në vëmendje konfliktin në Bosnje, i cili u shua vetëm me ndërhyrjen e NATO-s. Por situata nuk është e njëjtë, pasi Rusia mbetet një nga shtetet më të fuqishme bërthamore. “Nuk duhet të ketë dyshim për askënd se çdo agresor potencial do të përballet me disfatë dhe pasoja ogurzeza nëse sulmon drejtpërdrejt vendin tonë”, ka kërcënar Putin. Thyerja e Rusisë në konfliktin me Ukrainën do të shpëtojë shumë shtete të tjera që mund të kenë të njëjtin fat si Ukraina; shtetet satelite të Rusisë, shtete të tjera si Bosnja dhe Hercegovina, kur Millosheviçi kishte në plan të krijonte “Serbinë e Madhe”. Pra, dështimi i luftës ruse do të mbante të ngrirë edhe shumë konflikte të tjera, që do të mjaftonte vetëm një shkëndijë të sillte përfshirjen e gjithë Ballkanit në luftë.  

Përpos ndihmave për të modernizuar ushtrinë e Ukrainës, SHBA-të dhe Perëndimi i kanë vendosur sanksione shtrënguese Rusisë, ekonomia e së cilës shumë shpejt do të dobësohet. Së fundmi, Egjipti, Izraeli dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen për të rritur shitjet e gazit natyror të lëngshëm për vendet e BE-së, të cilat synojnë të reduktojnë varësinë e tyre nga furnizimet nga Rusia. Edhe Presidenti Amerikan, Joe Biden, ka ndaluar të gjitha importet e naftës dhe gazit rus. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të ndalojë gradualisht importet e naftës ruse, deri në fund të vitit 2022. Por që kjo situatë ka sjellë rritjen e çmimit të gazit natyror dhe të lëngshëm në të gjithë botën. Pasojat e luftërave nuk janë të mira për asnjë vend, ashtu siç kemi eksperiencën me Luftën e Madhe 1914-1918, që solli shkatërrime, dëme materiale dhe ekonomike, e humbje të mëdha në njerëz. Megjithatë, këto sanksione do të ndikojnë negativisht në ekonominë e Rusisë, duke pasur parasysh edhe shëndetin jo të mirë të Putin, që, të gjitha, të marra së bashku do të sjellin dobësimin e pushtetit të tij. Dobësimi i Rusisë, ku ka pothuajse të gjithë botën kundër, është një moment i duhur për t’i ushtruar presion Serbinë për njohjen e Kosovës. Kjo është një çështje tjetër. 

Tashmë, për të normalizuar situatën dhe për të sjellë stabilitetin në Ukrainë, është hedhur ideja që Ukraina të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Europian. Por, familja e madhe europiane është e përçarë sa i takon dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, Ukrainës. Gjermania është pro zgjerimit, ndërsa Franca, si gjithmonë është skeptike në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vjen për shkak të demokracisë së dobët dhe problemeve të brendshme që kanë këto vende. Madje, Presidenti Francez, Emmanuel Macron, ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk mund të jetë e vetmja përgjigje për stabilitetin e vendeve fqinje si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Derisa kjo situatë të normalizohet, ai që do të vuajë më shumë pasojat është populli i Ukrainës, ku përditë po shënohen vdekje, shkatërrime, dëme materiale dhe ekonomike. Arritja e një marrëveshjeje në tavolinë, mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e zyrtarëve më të lartë të SHBA-së dhe BE-së, nëpërmjet dialogut dhe botëkuptimit, do të sillte paqen dhe stabilitetin.  

Kosova Lindore, vija e parë e frontit me Serbisë fashiste

0

Nga MA. Agim ALIÇKAJ 

Në New York dhe Washington delegacioni patriotik i Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) në përbërje Shaip Kamberi, Ardita Sinani, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi paraqitën javën e kaluar të vërtetën për pastrimin etnik dhe sjelljet anti-njerëzore të  Serbisë shoviniste në takimet e shumta e të rëndësishme, me Ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Z. Ferit Hoxha, me Bordin Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro-Amerikane në New York, në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit në Washington. 

          Vizita u organizua nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në krye me liderët historik të Ligës, Joseph J. Dioguardi dhe Shirley Cloyes Dioguardi. Meritë e veçantë dhe falënderim i takon  Kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij për financimin e kësaj vizite me rëndësi për çështjen kombëtare dhe kundërvënjen armikut serb. 

-Shteti fashist serb vazhdon me sjelljet armiqësore anti-shqiptare dhe destabilizim të Evropës. I shtypë shqiptarët e Kosovës Lindore duke proklamuar “open Ballkan” me qëllim të plotësimit të aspiratave ruso-serbe për dominim në Evropën Juglindore dhe dalje në detin Adriatik. 

-Të gjithë pjesëmarrësit në “Ballkanin e hapur” janë në shërbim të përpjekjeve për  rehabilitimin e kriminelëve serb në krye me Vuçiq. Ata në mënyrë të drejtpëdrejtë janë duke e shtyer dhe pamundësuar njohjen e Kosovës nga Serbia. Ata do të dështojnë me turp. 

-Gjenocidi serb 2 shekullorë kundër popullit shqiptar nuk mund të fshihet, as të harrohet, as të falet kurrë dhe nga askush. Kriminelët serb të cilët kalërojnë hapur nëpër Beograd duhet të përballen me drejtësinë. Kërkesa për drejtësi nuk konsiderohet hakmarrje në botën e civilizuar. 

– Qeverisja aktuale e Kosovës e ka kuptuar gabimin trashanik të qeverisjes së kaluar të cilët nuk insistuan që plani i Ahtisarit t’i përfshijë të drejtat e popullit shqiptar që jeton në tokat e veta në Serbi. Reciprociteti në të drejta është formula e vetme për ta mundur Serbinë. Konfliktin me të duhet ç’vendosur nga Kosova në Kosovën Lindore. Aty duhet të organizohet rezistenca, aty është vija e parë e frontit të konfrontimit me Serbinë fashiste. 

– Serbëve  të Kosovës nuk ju takon asnjë e drejtë më shumë se shqiptarëve që jetojnë në tokat stërgjyshore të okupuara nga Serbia. Dhe, pikë. 

-Kombi shqiptar i bashkuar dhe i përkrahur nga Amerika është më i fortë se Serbia dhe Rusia fashiste. Fitorja është e jona dhe varet vetëm nga ne.  

Në shenjë përkujtimi mikut dhe kolegut tim të nderuar Femzi Braha

0

Hamzë Morina

Femziu na la, ishte ky një lajm i hidhur dhe i papritur për mikun tim të mirë dhe kolegun e dashur, i cili një jetë të tërë ja kushtoi arsimit dhe shkollës shqipe, duke sakrifikuar gjithçka nga vetja. Vdekja i erdhi atëherë kur se priste dhe i la përgjysmë ëndërrat dhe projektet. Iku në amshim duke lënë pas bashkëshorten e tij të dashur Vjollcën që nuk ju nda tërë jetës në aktivitetin e tij të bujshëm si mësuese e gjuhës dhe kulturës amtare në Zvicër dhe tre djemtë, nipat dhe mbesat të cilët e deshën shumë babain dhe gjyshin e tyre të dashur e shpirtmirë.
Tashmë që mbetëm Femziun duhet t i khehemi ngushllimit, për të gjetur shpëtim në veprat e ndritshme që na la pas dhe ta përkujtojmë atë që s është më në mesin tonë.
Ashtu si familja edhe ne koleget/ët e tij mbetëm pa mikun tonë të dashur që na shoqëronte në jetë e në profesion. Derisa po prisja të takohemi si zakonisht për kafenë e radhes, e pata të vështirë të pranojë lajmin e vdekjes, por jeta është e tillë.
Shpirti yt në parajsë miku im i nderuar Femzi Braha!
Të qoftë i lehtë dheu i Atdheut që aq shumë e deshe!

Mësuesi dhe shkrimtari, Femzi Braha u lind më 17.07.1962 në fshatin Skromë, Komuna e Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Vushtrri, ndërsa Gjimnazin, Drejtimin Kulturologji, e përfundoi në Zveçan të Mitrovicës. Me 1985 i përfundon studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Kosovës në Prishtinë. Familja Braha ishte një familje me tradita arsimdashëse. Babai i tij Sokoli ka qenë mësuesi i parë i fshatit dhe veteran i nderuar i arsimit. Pas diplomimit Femziu ushtron profesionin e mësuesit në vendlindje. Për arsye ekonomike dhe politike, në vitin 1987 u detyrua të emigrojë në Zvicër. Aktivitetin patriotik e vazhdoi edhe në mërgim, ku tërësisht iu përkushtua arsimit të fëmijëve shqiptarë. Në vitin 1991 hapi shkollën e parë shqipe të mësimit plotsues në Sion të kantonit Valis, ku punoi dy vjet bashkë me bashkëshorten e tij mësuesen Vjollca Aliçkaj – Braha nga Irzniqi i Deçanit.


Në Listën e mësuesve të parë në Zvicër me nr 10. Femzi Braha dhe 11.Vjollca Braha fillimisht paralelet e gjuhës shqipe në Sion të Zvicrës

Që nga viti 1991 ishte antarë i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër. Poashtu Femziu më vonë kishte aderuar edhe në Lidhjen Arsimtarëve Zvicëranë LCH. Në vitin 1994, krahas punës si mësues në Kantonin e Aargaut së bashku me Vjollcën, hartuan fletoren e punës “Shpresat tona”, e cila u shtyp në Stamboll. Kjo fletore pune atë kohë ishte libri i parë që u botua për nevojat e nxënësve fillestarë për mësimin e alfabetit shqip në mërgim, në fakt ajo ishte një Abetare në mërgatë.
Më 1996, së bashku me Prof. Dr. Basil Schader është bashkautor i librit pedagogjik me përmbledhje të materialeve shkollore me udhëzime didaktike. I titulluar “Shqip”, ky libër në vitin 1997 u vlerësua si libri më i mirë pedagogjik i vitit dhe mori çmimin e parë nga Fondacioni “Peter Hans Frey” në Zvicër.

“Shpresat tona” e punuar bashkë me bashkëshorten e tij Vjollca Braha dhe libri i parë me materiale didaktike “Shqip” bashkë me Prof. Basil Shader

Më 1994 hartoi dhe botoi revistën për nxënësit shqiptarë “Shqiponjat” në Aargau, që u dedikohej nxënësve shqiptarë në Zvicër. Revistë e cilla fillimisht do të jetë organ i Lidhjes së arsimtarëve në Kantonin e Aargaut derisa më vonë shëndrrohet në organ të LAPSH “N. Frashëri” në Zvicër dhe ishte zë i çmuar për kultivimin e gjuhës dhe kulturës së Atdheut, i pasur me shkrime të nxënësve, mësimdhënësve e prindërve shqiptarë që ndihmoi mjaft në motivimin dhe masovizimin e mësimit shqip në Zvicër.
Në vitin 2001 botoi në gjermanisht librin për fëmijë “Kutia e çudirave”, Zyrih. Për dy vite 2001/02 ishte redaktor i radios shqipe “Zëri i mërgimtarëve”, pranë valeve të radios Kanali K në Aarau. Në vitin 2004 botoi librin shqip – gjermanisht “Besniku, Qeni Guximtar” në Tiranë. Ky libër u bë dy gjuhësh pasi në gjermanisht e përktheu Basil Shader, njeriu që ndihmoi shkollën shqipe në Zvicër e më gjërë. Derisa libri i Femziut u sherbeu nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë dhe ishte një lehtësim i mësimit të gjuhës shqipe.

Revista “Shqiponja” dhe libri “Besniku, qeni guximtar” i përkthyer në gjermanisht nga Prof. Dr. Basil Shader

Gjatë luftës së Kosovës ka pasur Klubin e tij “ODA” në Baden të kantonit të Aargaut, ku janë zhvilluar shumë aktivitete e veprimtari atdhetare, në përkrahje të luftës së drejtë të popullit shqiptar për çlirim. Po ashtu ishte iniciator dhe bashkëthemelues i Shoqatës humanitare “Ruzhdi Hyseni” me seli në Baden të Zvicrës, shoqatë e themeluar nga mërgimtarët Vushtrrias me banim në Zvicër.
Veprimtaria e Femziut pasurohet më tutje. Libri “Për popull e atdhe” pjesa e parë, i botuar në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe pjesa e dytë e botuar në vitin 2013 në Prishtinë, ishte një dhuratë për mërgimtarët afaristë në Zvicër, në të cilën paraqitet shpirti human dhe solidariteti i këtyre mërgimtarëve që kontribuan gjatë viteve dhe kontribuojnë edhe sot për popull e atdhe. Ai boton edhe pjesën e tretë të këtij libri, i cili shef dritën e botimit me kontributin e mërgimtarëve afaristë në Zvicër. Autori, me mjetet që ka marrë nga këta burra e gra, veç botimit të librave, në emër të të gjithë atyre që janë pjesë e tyre ndërtoi një shtëpi komplet me çelësa për një familje minatori dhe ish ushtari të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës në Shalë të Bajgorës, në fshatin Bare. Me pjesen e dytë të librit poashtu në emër të gjithë atyre që kontribuan, ndërtoi një shtëpi komplet me çelsa në dorë një ish ushtari të Ushtrisë çlirimtare të Kosoves në fshatin Palaj të komunës së Obiliqit. Ky libër projekt do të vazhdojë me pjesen e tretë me titull “Libri që ndërton shtëpi” familjeve skamnore në Atdhe.

Gjatë promovimit të librit ” Për popull e atdhe” të Femzi Brahes ( në foto Femzi Braha, Abas Fejzullahu dhe Hamzë Morina)

Femzi Brahën e ndihmoi shumë edhe bashkëshortja Vjollca Aliçkaj Braha e cila s ju nda kurrë në aktivitet atdhetare në Zvicër si mësuese e shkollës shqipe.
Me vdekjen e Femziut familja humbi me të dashurin e tyre derisa koleget/ët humbën njeriun që kontribuoi në mësimdhënjen e gjuhës dhe kulturës amtare dhe autorin e shumë teksteve mësimore, letrare e publicistike që u dha krah shumë nismave në Kantonin e Aargaut dhe në Zvicër në përgjithësi.
Jeta dhe vepra e tij do të jetojë gjatë në kujtesen e mergimtarëve.
I çoftë i lehtë dheu i Atdheut!

Foto te Vlollca Brahës dhe Femzi Brahës me nxënësit e tyre në një program TV

Botimet e revistave dhe librave te Femzi Brahes, te cilat e ndihmuan shkollën shqipe në Kantonin e Aargaut dhe në përgjithesi ne Zvicër e Diasporë

Shtypi i kohës e përcolli dhe i dha publicitet punës dhe botimeve të Femzi Brahës