Ribotohet e plotësuar “KOSOVA” I-V e Jusuf Buxhovit
“Parisi kot”, libër shumë origjinal
Nga: Nikolla Sudar
Letër miqsore nga Tirana
- Madje në këtë kuptim, befason në shumë drejtime!
Për mua ai është risi, jo vetëm për krijimtarinë tuaj, por edhe për letrat e sotme shqipe. Nga fillimi e deri në fund vepra ka thyer kornizat e ngurta e stereotipa të një romani, me ata parametrat e njohur klasikë.
Sipas meje, në të kemi një shkrirje organike të prozës poetike, me esenë, shpesh të gërshetuar me një metaforë tepër fine, jashtëzakonisht specifike, të cilat kanë dhënë një rezultante të mahnitshme dhe që e bëjnë lexuesin ta lexojë me një frymë.
Mos e merrni për superlativ vlerësimin tim, sepse ai është rezultat i një analize të mirëfilltë nga ana ime, ndonëse për fatin tim të keq nuk e di se si është pritur nga lexuesi shqipfolës ky libër i rrallë.
Bindja ime është se libri juaj, i arrirë në formë dhe përmbajtje, patjetër kërkon nivel intelektual për ta kuptuar dhe shijuar. Me këtë nuk dua të them se nuk mund të asimilohet nga masa e gjerë e lexuesve. Përkundrazi, por ama kërkon një përqendrim të veçantë dhe patjetër një nivel mesatar e sipër për të kuptuar mesazhin e mrekullueshëm që transmeton.
Nga thellësitë e shekujve kemi trashëguar atë thesar që të gjithë e quajmë mençuria popullore. Në këtë thesar bën pjesë edhe fjala e urtë: “I nginjuni nuk e beson të uriturin”. Libri juaj më ka bërë të meditoj thellë, sepse në të kam gjetur vetveten, jo në ato përmasa si Ndreci, por në mjaft përjetime, të cilat kanë lënë mbresa të pashlyeshme në jetën dhe formimin tim. Më ka bërë shumë përshtypje konsiderata juaj e jashtëzakonshme për gjeniun e letrave shqipe, të pazëvendësueshmin Kadare. Nuk ka mbetur që ta vlerësoj unë, një njeri i zakonshëm atë kolos, por u lumturova pa masë kur pena juaj e shquar e lakon me kaq respekt e dashuri këtë figurë të madhe të letërsisë mbarëkombëtare dhe botërore.
Madhështia e znj. Branka, e kësaj personalitete të shquar të kulturës franceze dhe ballkanike qëndron edhe në faktin se ajo qe e para në Paris që me përzemërsinë e saj karakteristike, i hapi derën çiftit të mrekullueshëm Kadare, në vitin ‘90, kur iu desh të bënin atë hap vigan kundër diktaturës. Jashtëzakonisht më bëhet qejfi që edhe sot e kësaj ditë ata mbajnë raporte për t’i pasur zili cilado sferë shoqërore, duke shtuar këtu edhe miqësinë e sinqertë midis jush.
Siç jeni i informuar, hobi im është përkthimi, se sa ia kam arritur atë le ta gjykojnë lexuesit. Ndihem shumë i nderuar për vlerësimin e lartë të bërë nga znj. E. Kadare edhe nga ju për përkthimin e librit të mrekullueshëm të znj. Branka, “Biseda në Paris”. Me shaka, znj. Elena i thashë: “Vlerësimi juaj i përkthimit të këtij libri për mua është baras me çmimin Nobel”.
Gjithashtu do të ndihesha shumë i nderuar nëse gjeni kohë të lexoni librin tim “Copëza jete” (në të do të gjeni edhe artikullin tim në mbrojtje të gjeniut të letrave, z. Kadare), të cilin po ia bashkëngjis këtij mesazhi, mbase pakëz të tejzgjatur, por që shpresoj se nuk do të ma merrni për të keq.
Ju uroj shëndet dhe të gjitha të mirat Juve, familjes suaj dhe zonjës së madhe Branka Bogavac. Paçi gjithnjë suksese në krijimtarinë tuaj të vyer.
- Autori është përkthyes e publicist nga Tirana.
Në 20 vjetorin e shkuarjes në amshim të luftëtarit të lirisë, avokatit Isat Mushkolaj-Cati

MSc. Adem Lushaj
Në 20 vjetorin e shkuarjes në amshim të intelektualit, veprimtarit të shquar për liri, pavarësi dhe demokraci, luftëtarit të lirisë, avokatit Isat Mushkolaj-Cati
“Cati” ishte njëri ndër intelektualët më të shquar të kohës
Lëvizja popullore për Liri, Pavarësi dhe Demokraci e viteve ’90-ta, në krye të së cilës qëndronte dr. Ibrahim Rugova, përkundër represionit të pandalshëm serbo-sllavë, gjeti shtrirje në gjithë Kosovën. Kjo lëvizje për çlirim dhe pavarësim, nga krijesa e quajtur Jugosllavi, gjeti mbështetjen e pa rezervë, edhe në komunën e Deçanit, e që në raste ishte prijatare e zhvillimeve intelektuale, politike e ushtarake. Si çdo komunë, edhe Deçani kishte nismëtarët dhe bartësit e palodhshëm të kësaj lëvizje, duke bërë që kjo periudhë të jetë ndër etapat më të lavdishme të historisë sonë. Këto figura të paharruara në karvanin e gjatë të atdhetarëve deçanas, kishin marrë barrën e organizimit institucional deçanas, shtyllat e pa rrëzuara nga furtunat e egra fashiste të regjimit millosheviçian.
Padyshim se ndër figurat kryesore të kësaj lëvizjeje mbetët nismëtari i të gjitha proceseve demokratike, Isat Mushkolaj, apo siç e thirrshim të gjithë në atë kohë, “Cati”. Ai, ishte ndër themeluesit e parë të Degës së LDK-së në Deçan; Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut; Shoqatës së Juristëve; si dhe shumë organizimeve tjera politike dhe jo politike të atyre viteve. Isati, çdo herë ishte nismëtar, por asnjëherë nuk shprehte ambiciet e tij, për të marrë lëvdata, as për të thënë se unë e kreva. Por, çdo herë ishte ideator dhe promotor i proceseve.
Reagimet e qytetarëve ndaj dhunës serbo-sllave, reagime edhe me demonstrata dhe protesta të natyrave të ndryshme, pasuan me vrasje, plagosje, arrestime, maltertime dhe burgosje të shqiptarëve. E, çdoherë në mbrojtje të tyre ishin vënë avokatët tanë. Ishte vënë avokati tashmë i ndjerë, Isat Mushkolaj.
Sali Çekaj, Isat Mushkolaj, Xhevdet Lataj, Pashë Kuçi, Rrustem Bruçi, Zeqir Ramosaj, Isa Demukaj, Njazi Hylaj, e juristë të tjerë deçanas, kishin themeluar Shoqatën e Juristëve, ku kryetar i Shoqatës ishte zgjedhur, Sali Çekaj, tashmë hero i Kosovës, kurse Isat Mushkolaj ishte zgjedhur sekretar i kësaj Shoqate. Këta, me kolegët e tyre, ishin të parët që jetësojnë shtetësinë e Kosovës, duke harmonizuar Statutin e Komunës së Deçanit, me Aktin më të lartë shtetëror të asaj kohe, me Kushtetutën e Kaçanikut. Nxjerrja e Statutit ishte vlerësuar si njëri ndër aktet më madhore të asaj kohe. Pas këtij akti të mbetur në analet e historisë se shtetit tonë, Isati me shumë kolegë të tij, ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykatat serbe. Isati dënohet me 4.5 vjet burgim, si njëri nga protagonistët kryesor. Hiq më mirë nuk kishin kaluar as kolegët e tij. Mirëpo, avokatit Isat Mushkolaj, nga torturat e shumta gjatë mbajtjes nëpër burgjet serbo-sllave, kriminelët ia dëmtojnë të dy veshkat, duke bërë që t’i nënshtrohet procesit të hemo-dializës, çka më vonë doli të jetë vdekjeprurës.
Edhe pse pa të dy veshkët, Isati nuk kishte pranuar të largohet nga Kosova, duke thënë se “i gjallë nuk e lëshoj vendin, nëse është e nevojshme, do jap edhe jetën”.
Cati, me veshkën e motrës së tij, iu bashkua radhëve të atyre që kapën armët për mbrojtjen e vendit. U rreshtua përkrahë shumë luftëtarëve të lirisë. Angazhimet e tij prej luftëtari, bëri që sërish t’a humb organin e shtrenjtë të dhuruar nga motra Lira, e cila ishte e gatshme të jap, jo vetëm veshkën, por edhe jetën për të vëllain.
“Cati”, ishte ndër të parët që kishte ngritur zërin kundër vendimeve diskriminuese të Qeverisë së Millosheviqit, e cila ua kishte falë pronat e ndërmarrjeve tona publike, APIKO dhe ILIRIA, manastirit të Deçanit, gjë që edhe sot është ndër shqetësimet më të mëdha për qytetarët dhe institucionet tona.

“Zhvlerësoni gjitha vendimet arbitrare të Serbisë”, iu kishte thënë anëtarëve të Kuvendit komunal të Deçanit, Isat Mushkolaj, i cili e shihte rrezikun nga pushtimi i këtyre pronave me vendime arbitrare të pushtetit të Millosheviçit.
Cati, ishte ideatori dhe hartoi Statutin e njërës nga shoqatat e para të pasluftës në komunën tonë, “Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur”, e cila për 22 vite është promotore e shumë proceseve demokratike, jo vetëm në Deçan.

Isati ishte i veçantë. Ishte njëri ndër intelektualët më të shquar të kohës. Veprimtar i palodhshëm dhe luftëtar i guximshëm. Ishte, çdoherë aty ku e kërkonte ç’ështja jonë kombëtare! Por, nuk duhet harruar edhe një gjë, se Isati nuk do ishte i tillë, pa përkrahjen e madhe që kishte nga bashkëshortja, Ajshja. Pa përkrahjen e vëllezërve të tij!
Cati, jo vetëm që i mungon familjes, por i mungon edhe shoqërisë. Edhe institucioneve të këtij vendi.
Shpërdorimi i pinjollëve të Jasharëve “duke e pritur iftarin”, komplot kundër shtetit të Kosovës!


Pasurim i thesareve albanologjike

Nail Draga, Ulqin
Mehmet Ahmetaj, FJALOR ONOMASTIK I TERRITOREVE SHQIPTARE NË MAL TË ZI, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2017
Hapësira etnogjeografike shqiptare në Mal të Zi, vazhdimisht ka qenë inspirim për autor dhe studiues të ndryshëm. Në këtë gamë të çështjeve areali hapësinor shqiptar nga Ulqini në jug dhe Rozhaja në veri ofron lëndë më interes nga fusha e gjuhësisë. Në këtë aspekt veçohet studiuesi Mehmet Ahmetaj i cili deri më tash ka botuar studime me vlerë nga fusha e gjuhësisë shqiptare siç janë: Fjalor i të folmëve shqiptare në Mal të Zi(1996), Studime gjuhësore II-dialektologji(1999), E folmja e Plavës dhe e Gucisë(2002), E folmja e Anës së Malit(2006), Gjurmime onomastike-përmbledhje punmesh(2009) si dhe Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi(2017).
Në sajë të angazhimit disa vjeçar dhe përkushtimit profesional M.Ahmetaj, nuk ka qenë statik por ka vizituar viset dhe vendbanimet shqiptare në Mal të Zi, duke mbledhur, sistemuar e përpunuar lëndën gjuhësore të vjelur në terren, duke dëshmuar seriozitet në hulumtimin gjuhësor të këtij trualli autokton shqiptar. Një angazhim i tillë dëshmon se ky studiues është njohës i mirë i të folmëve të atyre viseve, sepse dialektin e këtij mjedisi e ka të folme amtare. Dhe nga një hulumtim i tillë e folmja e Plavës e Gucisë si dhe të Anës së Malit janë botuar monografi të veçanta, ndërsa kësaj here opinionit i paraqitet me “Fjalor onomastiki territoreve shqiptare në Mal të Zi” që përfshinë lëndë të pasur shumëdimensionale.
Në këtë botim trajtohën çështje nga toponimia, duke analizuar në detaje: makrotoponime, mikrotoponime, oikonime, oronime, hidronime, emërtime të vendbanimëve, rrënojash, murishtash, kështjellash, gërmadhash etj.
Autori na ofron të dhëna etimologjike për disa vendbanime shqiptare të cilat dëshmojnë përkatësinë shqiptare të tyre, pavarësisht se në rrethana të ndryshme shoqërore janë sllavizuar, duke humbur gjuhën amtare të stërgjyshërve të tyre. Madje në ca vendbanime si në Rozhajë apo Plavë e Guci, banorët vendas tash deklarohën në aspektin e përkatësisë kombëtare si “mysliman” e dekadave të fundit si “boshnjakë”, edhe pse në aspektin historik, gjeografik, etnik e gjuhësor i përkasin etnosit të trungut shqiptar.
Ne këtë botim emrat vetjakë të bashkëpërmbledhur i përkasin traditës sonë kombëtare shqiptare, të cilët i karakterizon rëndom një sistem i tërë specifikash, përkatësisht prejardhja e tyre iliro-arbërore-shqiptare. E gjithë lënda toponomastike e prezantuar në këtë botim dëshmon në mënyrë rë dokumentuar për stërlashtësinë, origjinalitetin, koloritin dialektor atrentik, identitetin, vazhdimësinë autoktone të shqiptarëve në këto troje.
Duke lexuar këtë botim del qartë se toponimia e trojeve shqiptare sot në Mal të Zi, trajtuar nga rrafshi historik, gjeografik, etnik e gjuhësor që nga koha antike e deri në ditët tona ka ruajtur vazhdimësinë të pa shkëputur nga onomastikoni iliro-arbër-shqiptar, duke qënë burim i të dhënave me interes me qasje shumëdimensionale.
Nuk ka dilemë së përdoruesit të këtij Falori onomastik, e në veçanti ata të cilët janë nga këto territore kanë mundësi të zgjerojnë gamën e gjerë të emërtimëve duke plotësuar dhe kompletuar këtë botim të veçantë nga fusha e gjuhësisë shqiptare.
Uniteti është gur, përçarja është rërë
Aurel Dasareti, ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake, SHBA
Kushdo prej “intelektualëve” kokëtul shqipfolës që nga xhelozia e sëmurë ndaj ndonjë “rivali” ose shkaqe tjera idiote s`është në gjendje të mendojë dhe të marrë përgjegjësitë e veta kur vendit dhe kombit i kërcënohet rreziku i zhdukjes përfundimtare, ka nevojë për një car apo sulltan, e kërkon dhe e gjen atë. Me pasoja vetë-shkatërruese…
Të nderuar bashkëkombës, shkrimet e mia i dërgoj te disa qindra shqiptarë, shumica prej tyre i lexojnë ato dhe më paraqiten duke dhënë mendimin e vet për temën. Unë nuk jam gazetar prandaj nuk shkruaj se çka ka ndodhur, ku ka ndodhur, si ka ndodhur etj., por përpiqem të analizoj ndonjë temë aktuale nga këndvështrimi im, i profesionit tim, i personit që për shumë breza ka lindur dhe jeton larg trojeve të stërgjyshërve të mi, por gjenetikisht jam 100% me prejardhje shqiptare. Dhe, për ta thënë pa doreza, pa modesti: Nga mosha ime shumë e re (17-18 vjeçare) prej vitit 1994, në shumë mënyra, jam një prej atyre që kam dhënë më tepër kontribut për shqiptarinë në përgjithësi (Shqipërinë, Kosovën, FYROM-in, Kosovën Lindore dhe Malin e Zi) sesa shumë “intelektualë” që kanë lindur dhe jetojnë në tokat arbërore. Shembull: në vitin 1999 kur Serbia i masakronte shqiptarët e Kosovës, kam shkruar 2 letra goxha të serta në demaskimin e “popullit qiellor” serb, të cilat letra u botuan në 2 prej gazetave më të mëdha Perëndimore. Por, kishte një behane aty, redaksitë kërkuan të paguaj goxha shumë lek për shërbimin, nëse jo – zero botim. Pagova. Imagjinoni shumën…
Pse e them këtë? Armiqtë tanë u paguajnë shumë lek gazetave të mëdha Perëndimore të cilat pastaj i botojnë rrenat e tyre…Po shqiptarët? Duhet të reflektojnë.
PS:
Shkrimet e mia, të mira apo të këqija janë 10000% të pavarura dhe atdhetare. Por ama, shumë portale shqipfolëse nuk i botojnë. E dini pse? Sepse atyre “patriotëve” jo edhe aq të dobishëm për lexuesit (kombin dhe vendin), në radhë të parë nuk u pëlqen feja ime katolike (nuk jam praktikues) dhe ndoshta janë “mysliman jashtëzakonisht të moralshëm dhe devotshëm”. Dhe, të tillëve, përveç tjerash, ose u mungon tërësisht vetëdija kombëtare ose u prishen interesat private financiare nëse i botojnë (…). Unë nuk paguhem për shkrimet, dhe populli jonë i skllavëruar, i indoktrinuar dhe në terr informativ nuk ka aspak dëme nëse i lexon, përkundrazi, mund të ketë dobi.
Pa marrë parasysh se unë nuk i quaj zotëri dhe zonja hajdutët, servilët, mercenarët dhe tradhtarët që bashkëpunojnë me armiqtë tradicional dhe janë duke shkatërruar Vendin dhe Kombin. Si mund ta quaj një mi një zotëri?!
Ndryshe, mua më shkruajnë shumë atdhetarë dhe intelektualë të mirëfilltë të vendit dhe diasporës, prej më të shkëlqyeshëm që i kemi. Kam mësuar shumë prej tyre. Sot po e paraqes (jo në tërësi) letrën e njërit prej tyre, atdhetarit dhe intelektualit brilant, por duke mos e treguar identitetin e tij. Ishte një koment për artikullin tim të fundit: Karakteri i vërtetë i “Kryeministrit shqiptar” del në pah kur është i droguar.
***
Wed, 6 Apr at 4:30 am
Ju, me shumë të drejtë, shkruani:
“Një numër i konsideruar i popullit nuk duan të shohin se çfarë tregon kjo për Ramën si krijesë njerëzore. Ata thjeshtë duan të shohin atë që duan të shohin. Në fakt, kokëtulët e tillë që verbërisht i shërbejnë sulltanit, punojnë edhe kundër mirëqenies dhe ardhmërisë së fëmijëve, nipave dhe mbesave të veta. E pabesueshme, por fatkeqësisht e vërtetë”.
Pra, duhet të jemi të vetëdijshëm se vetë populli shqiptar, duke i lejuar vetes të ketë në krye një kryedrogar, një kryetradhtar, një kryeservil dhe kryeargat të serbosllavizmit, ai popull domosdo që po shkon me vetëdije drejt vetëshpërbërjes, drejt vetëshfarosjes, drejt vetëshuarjes. Prandaj nuk ia vlen të (…) një popull të tillë, i cili është i zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti personal dhe, për pasojë, nga vetëdija kombëtare (…)
Dita e e ngritjes se Flamurit në Deçiq

Feja!

Prof. Blerim Latifi, filozof nga Prishtina
Feja konsiderohet nga njerëzit e thjeshtë si e vërtetë, nga të mençurit si iluzion dhe nga sundimtarët si e dobishme, thotë një urti e lashtë romake. Saktësia e kësaj urtie është provuar me mijëra herë e vazhdon edhe sot të provohet. Njerëzit e thjeshtë nuk janë mendimtarë, sepse as nuk kanë kohë e as mundësi të jenë të tillë, kështu që ata mjaftohen me të besuarit në tregime të mira për fatin e tyre. Duhet të kuptohet nevoja e tyre për besim! Sidomos në kohët e krizave ekzistenciale nëpër të cilat kalojnë shoqëritë.
Të mençurit, të cilat e kanë kohën e nevojshme për refleksione logjike, e kuptojnë se shumëçka në këto tregime të bukura nuk i qëndron dot arsyetimit logjik. Prandaj ata mbajnë gjithmonë një distancë kritike me to. Ndërkaq, politikanët fenë e shohin gjithmonë si një instrument të dobishëm për t’i manipuluar ndjenjat e njerëzve të thjeshtë në llogari të pushtetit të tyre, gjëja e vetme që realisht u intereson. Por, kur bie rasti që politikanët të jenë shumë injorantë, atëherë ndodhë një përdorim tjetër: grupet fetare i përdorin ata për qëllimet e tyre. Këtu qëndron edhe arsyeja pse grupet me agjenda fetare gjithmonë investojnë në politikanë të këtij lloji.
_________
Mbi 6000 shqiptarë në Luginë të Preshevës nuk kanë mundur të votojnë në zgjedhjet e djeshme (03-04-22) në Serbi. Adresat e tyre janë pasivizuar dhe fshi nga administrata shtetërore serbe. Kështu spastrimi etnik në Luginë të Preshevës po vazhdon në mënyrë të heshtur, graduale dhe të pandalshme. Akti i fundit i dramës së Toplicës, të nisur me 1876, po luhet tani para syve tanë dhe ne nuk jemi të zotë të bëjmë asgjë, përveçse të bëjmë ndonjë deklaratë, e cila në fund të ditës përfundon në koshin e lajmeve të vjetra. Tirana zyrtare edhe më keq: asnjë deklaratë nuk është në gjendje ta lëshojë. Arsyeja është e qartë: bontoni i Ballkanit të Hapur nuk ia lejon. Kështu, fataliteti i historisë shqiptare që e ka emrin Tkurrje Territoriale, po vazhdon.
_________
Prej mijëra vitesh përsëritet i njëjti ligj: kur një agresor e ndjen se po e humbet luftën, ai bëhet edhe më mizor dhe më barbar në krimet e tij. Këto janë pamjet e rrugëve të qytetit Buça në Ukrainë: gjithandej civilë të masakruar nga pushtuesit rusë, para tërheqjes. Krejt njëjtë si në Kosovë: kur pushtuesit serbë po e ndjenin humbjen e luftës, filluan barbaritë e tyre më të mëdha, në Izbicë, Mejë, Suharekë, Gjakovë, Rezallë, Verboc, gjithandej fshatrave e qyteteve të Kosovës.Donin ta mbysnin në gjak gjithë Kosovën para kapitullimit.
Këto pamje mizore nga Buça na e qartësojnë edhe më shumë arsyen pse kriminelët serbë të luftës e adhurojnë Putinin. Është vëllazëria krimogjene ajo që i bën bashkë.

Ish presidenti i Rusisë dëshiron të “ndërtojë një Euroazi të hapur – nga Lisbona në Vladivostok”
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev. Foto: Ekaterina Shtukina / Sputnik, Foto Qeveritare përmes AP / NTB
Ish-presidenti dhe kryeministri i Rusisë Dmitry Medvedev shkruan në një postim të gjatë në Telegram se masakra në Butsja është e rreme dhe se qëllimi i Rusisë shkon përtej Ukrainës.
Rusia ka vrarë mijëra civilë në Ukrainë gjatë muajit të kaluar pasi pushtoi vendin më 24 shkurt. Ditët e fundit, pamjet e civilëve të likuiduar në periferi të Kievit , Butsja , kanë tronditur të gjithë botën. Në të njëjtën kohë, liderët rusë vazhdojnë të mbrojnë luftën në vendin fqinj.
– Qëllimi i çmilitarizimit dhe denazifikimit të Ukrainës është për hir të brezave të ardhshëm ukrainas dhe për të krijuar mundësinë për të ndërtuar përfundimisht një Euroazi të hapur – nga Lisbona në Vladivostok, shkruan Medvedev.
Eurasia është emri i dy kontinenteve të kombinuara të Azisë dhe Evropës, ku Lisbona është më e largët në perëndim.
Në postim, ish-presidenti shkruan gjerësisht edhe për atë që ai e quan propagandë ukrainase. Ndër të tjera, ai beson se masakra e civilëve në Butsja është e sajuar, pavarësisht fakteve të kundërta.
Medvedev gjithashtu bashkohet me një numër rusësh të tjerë të profilit të lartë që i quajnë ukrainasit nazistë dhe anti-rusë. Ai mendon se Ukraina nuk ka identitetin e saj kombëtar.
Medvedev ishte president i Rusisë nga viti 2008 deri në vitin 2012, përpara se të “ndërronte punë” me Vladimir Putin dhe të shërbente si kryeministër deri në vitin 2020. Sot, ai është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
Postimi bashkohet me disa tekste që trajtojnë planet e mëtejshme të Rusisë në lidhje me luftën e agresionit në Ukrainë.
Agjencia e lajmeve e kontrolluar nga shteti RIA Novosti botoi kohët e fundit një tekst që propozonte “spastrim total”, i cili përfshin likuidimin e të gjithë ushtrisë në Ukrainë dhe vrasjen ose burgosjen e disidentëve.
Propozohet gjithashtu të futet kontrolli total i informacionit dhe shtypja e plotë ideologjike.
Aftenposten
Përjetësohet emri i Fan Nolit në Amerikë

Nga: Frank Shkreli
- Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve ameriano-shqiptare
Aktivisti i komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, Mark Gjonaj, para disa ditësh, njoftoi komunitetin këtu në Nju Jork dhe anë e mbanë Amerikës se të shtunën me 9 prill në ora 12, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461, do të zhvillohet ceremonia e emërimit të një rruge në kujtim të Fan Nolit, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461. Në njoftimin për këtë ngjarje që më dërgoi Z. Mark Gjonaj, thuhet se ky është, vërtetë, “një rast i jashtzakonshëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa festojmë trashëgiminë tonë në këtë vend si edhe kontributet tona si qytetarë, në jetën dhe veprimtarinë e Shteteve të Bashkuara”. Njëri prej nesh, si emigrant në këtë vend, Fan Noli (1882-1965) ka qenë një udhëheqës shqiptar, kryeministër, shkrimtar, akademik, diplomat, politikan, historian, orator si dhe themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe bashkthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë, thuhet në njoftimin që më dërgoi Z. Gjonaj. Prandaj, është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë, thekson Mark Gjonaj në njoftimin e tij.
Ceremonia e emrimit të një rruge të Bronksit në emër të Fan Nolit – e mbështetur nga disa dyzina organizatash shqiptaro-amerikano — duhej të ishte zhvilluar fillim muajin e kaluar, në përvjetorin e vdekjes së Nolit (13 Mars 1965), por për arsye të disa çeshtjeve administrative u shty për këtë javë. Ishte caktuar muaji i Marsit edhe për arsye të datës 15 Mars, 19991, data e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të shënuar gjithashtu edhe 100-vjetorin, këtë vit, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Është me fat kjo koincidencë, sepse siç dihet, Fan Noli ka qenë promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i këtyre marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis dy kombeve tona. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve mbi të cilat ndërtuan e forcuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten pjesë e trashëgimisë së tij. Këta dy përvjetorë janë një rast që të mos harrohet roli dhe kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e diplomacisë midis dy kombeve tona.
Ia vlen të rikujtojmë, në kuadër të ceremonisë për emrimin e një rruge në nder të tij të shtunen në në Nju Jork, rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson, që Amerika të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar. Njihet tani gjerësisht fakti se Noli ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i fortë i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit, në fushën e diplomacisë, në mbrojtje të interesave shqiptare.
Arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare të Kombit shqiptar, janë gjithashtu të shumta dhe të mëdha. Rolin e tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetësimi i tij me Presidentin amerikan Uilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe pjesëmarrjen që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet — besoj se përbëjnë vepër kulminante të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar. Gazeta angleze ‘London Daily Mail’ kishte venë re, në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe si rrjedhim e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë, jo vetëm ndër shqiptarët, por të mbarë Ballkanit.

Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave. Ndërsa si anëtar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara ai ka shërbyer si zëdhënës dhe përfaqësues i denjë i të drejtave të shqiptarëve kudo ndërkohë që vet emri i tij reflekton edhe sot promovuesin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së këtyre marrëdhënieve.
Të shtunën me 9 prill, komuniteti shqiptaro-amerikan në Bronks të Nju Jorkut, me emrimin e një rruge në nder të tij, do të kujtojë njërin prej shqiptarëve më të njohur të këtij komuniteti, por edhe një burrështetas të dalluar dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare në të kaluarën, në vazhdimësi nderon edhe sot Kombin shqiptar në përgjithësi dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në veçanti. Kjo është edhe arsyeja që Z. Mark Gjonaj ka punuar aq gjatë dhe me aq vendosmëri për të nderuar këtë burrë të madh të Kombit shqiptar me emrimin e një rruge në Nju Jork, në emër të këtij shqiptaro-amerikani të njohur të botës shqiptare. “Të një burri me të cilin do krenohej çdo vend”, do shkruante gazeta britanike, ‘Manchester Guardian në vitin 1924. Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të Kombit shqiptar. Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, kishin vendosur Bostonin si kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme patriotike dhe diplomatike shqiptare në të njëjtin nivel me qendrat e lëvizjeve patriotike shqiptare të trojeve shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin. Ata e dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i kishin shpresat për të ardhmen e kombit të vet – në Amerikën e Washingtonit, Xhefersonit dhe Wilsonit, vendit të lirisë dhe të demokracisë.
Rruga me emrin e Fan Nolit në Nju Jork do ua kujtojë këtë fakt brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve në Amerikën tonë të dashur por edhe shqiptarëve kudo, e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Fan Noli citohet të ketë thënë se Shqipëria dhe shqiptarët i kanë shumë borxhe Amerikës. Në kuadër të këtij 100-vjetori të marrëdhënieve midis dy vendeve tona mike – të dyja të dashura shumë për të gjithë ne — komuniteti shqiptaro-amerikan, falë përpjekjeve të aktivistit të dalluar të komunitetit tonë Mark Gjonaj – po i këthen një borxh sado të vogël Fan Nolit për punën e tij si promovues i këtyre marrëdhënieve dhe i veprimtarisë së tij kombëtare dhe fetare, në përgjithësi gjatë shekullit të kaluar, këtu në Shtete e Bashkuara.

Fan Noli me udhëheqës të tjerë botërorë, të ftuar nga Presidenti Woodrow Wilson, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 Korrik, 1918.


