
Po “rrisim” shqiptarë me mjekrra e politikanë që u shërbejnë agjenturave e sekteve të huaja!

Telegram ngushëllimi i shoqatës ”Papa Klementi XI Albani” me rastin e vdekjes së veprimtarit dhe mësuesit Gani Nimani nga Suedia
Lajmi i hidhur se Gani Nimani, ndërroj jetë në Göteborg të Suedisë, e muarëm me shumë hidhërim shpirtëror për ne bashkëpunëtorët e Ganiut dhe për të gjithë shqiptarët që e njohën Ganiun.
Sot të pikëlluar me pijetet të lartë përkujtojmë figurën e Gani Nimanit si veprimtar i cili kurrë pa u lodhur iu përkushtua aktivitetit në organizimin e shqiptarëve, në aksione të ndryshme humanitare, në aksionin për mbledhjen e 3%-shit për Republikën e Kosovës, për fonde të tjera, në organizimin e demonstratave kundër shtypjes serbosllave, në mësimin plotësies në gjuhën amtare shqipe në Suedi, etj. dhe kështu vuri gurë të mëdhenj në themelet e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu ai ishte anëtar aktiv i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, ku dha kontributin e tij të çmuar në punën e kësaj Shoqate. Ai ishte i angazhuar në grupe të ndryshme pune e u mor edhe me shkrime dhe në librin e Shoqatës ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” botoi shkrime të vlefshme.
Ikja e tij në amshim do ta varfërojë komunitetin shqiptarë në Suedi, në veçanti do t´i mungojë familjes, Shoqatëss së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi dhe miqve të shumtë me të cilët bashkëvepronte rregullisht.
Do të na mungojë edhe humori i tij i lehtë e i këndshëm në të gjitha situatat e jetës.
Lamtumirë, Gani (Istref) Nimani!
Për dijeni, Ganiu ishte vëllai i Lah Nimanit, trajnerit më të suksesshëm i të gjitha kohrave
të boksit të Prishtinës.
Ndaj, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella familjes së anëtarit tonë të dashur Gani Nimani, i cili iku në amshim. Ne e ndajmë pikëllimin me familjen e Juaj dhe vuajmë së bashku me Juve.
Mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin me Ty o vëllai ynë i dashur Gani Nimani.
Në emër të Kryesisë dhe anëtarësisë së gjërë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi,
Z. Hysen Ibrahimi, Kryetar.
U formua Komisioni i ekspertëve që do t’i prijë punës profesionale të Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Në mbledhjen e dytë të Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” u formua Komisioni i ekspertëve që do të përgatisë bazën e nevojshme profesionale për vendimmarrjen e Komitetit, duke u siguruar që projekti për kompleksin memorial do të përmbushë të gjitha standardet ligjore dhe profesionale të vendit e ndërkombëtare.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se me themelimin e Komisionit të Ekspertëve, procesi që kemi nisur bashkë do të fitojë një tjetër dinamikë.
“Mbledhjet tona do të jenë të rregullta, vendimet e veprimet tona të bazuara në studim e profesionalizëm, diskutim e konsensus”, tha ai.
“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, tha kryeministri Kurti.
Ai propozoi që javëve në vijim, në koordinim me Kryetarin e Komunës së Skënderajt, z. Bekim Jashari dhe anëtarët e tjerë të familjes Jashari, Komiteti ndër-ministror në përbërjen e tij të plotë të zhvillojë një vizitë në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Duke folur për qëndrueshmërinë e ndërtesave brenda kompleksit memorial, kryeministri tha se janë angazhuar inxhinierët më të mirë të Kosovës, profesorët e nderuar të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku njoftoi Komitetin mbi Raportin e vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, që u miratua unanimisht.

Me miratimin e këtij raporti, përfshi të gjeturat dhe rekomandimet e tij, Komiteti mandatoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme, përkatësisht ndërhyrjet emergjente në ndërtesat përkatëse.

U miratua edhe lista e profesionistëve të fushave të ndryshme të propozuar për Komisionin e Ekspertëve në përbërje:

Arkitekt/e konzervatorë:
Merita Augustini Nrecaj: Arkitekte konservatore me përvojë rreth 10 vjeçare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. E diplomuar në Universitetin Katolik të Luvenit në Belgjikë. Në veçanti njihet kontributi i saj profesional në kuadër të punës së komisionit profesional për vlerësim të projekteve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore.
Kujtim Elezi: arkitekt, i diplomuar në Universitetin e Vjenës, me përvojë në fushën e teorisë së arkitekturës. Fokusi i veprimtarisë së tij qëndron në arkitekturën moderne. Është ligjërues i lëndës Historia e Arkitekturës në Universitetin e Tetovës.
Rand Eppich: Arkitekt konservator nga SHBA, me përvojë 30 vjeçare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në më shumë se 20 shtete, me fokus të veçantë në zhvillimin ekonomik shoqëror duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore. Rand kaloi 13 vjet në Institutin e Konservimit të Getty dhe ka ligjëruar në Muzeun Britanik dhe universitete në Evropë, SHBA dhe Lindje të Mesme.
José Manuel Pagés Madrigal: Arkitekt nga Spanja dhe doktor shkence në fushën e Planifikimit Urban me 30 vjet përvojë në Evropë, Amerikë të Jugut, Afrikë dhe Lindje të Mesme. Madrigal është profesor i asociuar në Universitetin e Xhenovës, profesor i rregullt në Universitetin Gjerman në Kajro dhe njëherit edhe dekan i fakultetit të arkitekturës dhe planifikimit urban në Kajro.
Amra Hadzimuhamedovic është PhD në arkitekturë nga Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës. Ajo ka qenë ekspertja e angazhuar në procesin e zbatimit të Aneksit 8 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit për Bosnjë dhe Hercegovinën për integrimin e trashëgimisë kulturore në rimëkëmbjen e pasluftës. Ajo ka punuar në 90 projekte të menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe ka botuar mbi 70 shkrime akademike.
Historian
Jahja Drançolli albanolog, historian, profesor i shkencave ndihmëse të historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, anëtar i komitetit të projektit të UNESCO-së “Memorialet e Botës”. Gjatë viteve ka qenë bartës i një sërë projekteve nga lëmi i historisë dhe trashëgimisë kulturore, autor i shumë monografive shkencore, dhe më së 100 studimeve shkencore të botuara në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Itali, Gjermani e më gjerë.
Historian/e të artit
Rrezarta Loxha Vitaku: etnologe antropologe, e specializuar në fushën e Historisë së Artit, me një përvojë të gjatë në fushën e mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Udhëheqëse e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.
Arsim Canolli: Profesor Arsim Canolli ligjëron katër lëndë të Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ka studiuar për antropologji në Mbretërinë e Bashkuar në Kolegjin Universitar në Londër (UCL). Profesor Canolli është autor i disa librave dhe eseve, përfshirë librat ‘Teoritë antropologjike – hyrje e shkurtër’ dhe ‘Flija: vrojtim etnografik’.
Muzeolog/e
Gilly Car: anëtare dhe drejtuese e studimeve të Arkeologjisë në kolegjin St. Katarinë të Kembrixhit. Fusha e hulumtimit të saj përfshin arkeologjinë, studimet e trashëgimisë, historia dhe studimet e Holokaustit, me interes të veçantë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Njihet për punën dhe interesimin e saj në hulumtimet rreth temave të burgosjes, internimit gjatë kohës së luftës, dhe aktualisht është duke punuar në një vëllim të redaktuar me Rachel Pistol mbi internimin civil nga 1939-1945. Studimet e kaluara të saj janë fokusuar në trashëgiminë e okupimit gjerman dhe historinë dhe memorien e rezistencës gjatë okupimit gjerman.
Erëmirë Krasniqi: hulumtuese dhe kuratore e diplomuar nga Kolegji Bard në Berlin. Ka një përvojë në fushën e muzeologjisë dhe praktikave kuratoriale, së fundmi përmes angazhimit në kuadër të Iniciativës për Histori Gojore, për dokumentim të historisë të gjysmës së shek. 20 në Kosovë.
Blerta Hoçia: e diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Florencë, ka një përvojë të gjatë në kurimin e ekspozitave artistike në Shqipëri, në veçanti në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Praktika e saj profesionale fokusohet në procesin kreativ të memories, duke punuar në arkiva personale si dhe ato analoge / digjitale publike.
Inxhinier/e e ndërtimtarisë por me përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore
Bujar Nela: Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë.
Fatos Tahiri: Inxhinier i ndërtimtarisë, i specializuar në inxhinieri sizmike, me përvojë në fushën e ndërtesave tradicionale.
Arkitektë të peizazheve historike
Carlo Bruschi: arkitekt nga Roma dhe anëtar i federatave, shoqatave dhe komiteteve të shumta në Itali dhe Evropë. Me gati katër dekada përvojë, Bruschi ka punuar në fushën e arkitekturës së peizazhit, përfshirë projektim dhe zbatim për zona të parqeve, zonave turistike, zona të arsimit të lartë, zona të banimit, zona të industrisë, zona të infrastrukturës së transportit, dhe zonave ushtarake. Ai ishte po ashtu ligjërues në universitete prestigjioze Italiane.
Luca Molinari: Molinari është PhD i filozofisë i specializuar në teorinë dhe historinë e arkitekturës në Universitetin Teknik të Delft-it në Holandë, është autor dhe fitues i çmimeve të arkitekturës. Ai është profesor në universitetin italian Luigi Vanvitelli dhe po ashtu drejtor shkencor i muzeut etnografik M9 në Mestre të Venecias. Molinari po ashtu ka studio private në Milano përmes së cilës zbaton projekte të rëndësishme muzeale dhe të fushave të tjera të kulturës.
Franco Zagari: Zagari është themelues dhe drejtor i departamentit të peizazhit dhe po ashtu profesor i arkitekturës së peizazhit në Universitetin Mediterranea në Reggio Calabria të Italisë. Përveç përvojës profesionale si arkitekt, Zagari ka realizuar dhe publikuar shumë ese dhe filma mbi peizazhin, si dhe është fitues i çmimeve prestigjioze evropiane.
Dakortësi me Gordon Brown dhe mendimin e tij se “Bota ka nevojë për një multilateralizëm të ri”
Nga: Fahri Dahri
Përpara kësaj situate që ndodhet mbarënjerëzimi, ku me të drejtë trajtohet edhe në shkrimin e botuar sot në revistën: “Fjala e Lirë”, të Z. Brown; pardje parashtrova shqetësimet e mia në shkrimin: Detyrim Botëror “Për planifikim familjar dhe karantinë të njëkohshme”, botuar në “Fjala e Lirë”, “revista “Drini”, “Zemra shqiptare” etj. dt. 20/09/2021.-
Është i saktë shqetësimi i Z. Brown: “.. Luftimi ndaj sëmundjeve infektive dhe shmangia e proteksionizmit mjekësor, janë fusha ku koordinimi global është i nevojshëm dhe shumë efektiv”.
Nuk është e nevojshme të renditen arritjet e shoqërisë njerëzore në dobi të të gjithëve, sepse dihen nga të gjithë. Por shqetësimet janë se ka një ngecje, një mos kapërcim në të kuptuarit e kombinimit të marrjeve të masave për të veçantat dhe nevojave të marrjes së masave për të përgjithshmet. Shoqëria njerëzore vazhdon ende të vuaj, ose më drejtë nuk arrin të çlirohet nga egoja personale, grupnjerëzit, apo ekstremizmat ndërshtërore, për të siguruar që çdo e mirë të jetë vetëm në përfitim të tyre. Përpara këtyre qendrimeve mediokre, mesa duket nuk arrihet të kuptojmë se epoka ku jetojmë (qënia jonë ndodhet në kohë shumë më përpara ndërgjegjes) këto mënyra sjellje të shekujve të shkuara, ngadalë dhe një nga një po i braktis me zëvëndësim globalizmin.
Nëse pandemia, që krijoi COVID-19, është problem i padiskutueshëm botëror, atëhere vetëm naivët, cingunët, “laborantët krijues” pa ndjenja njerëzore”, nuk arrijnë ta kuptojnë se kjo katastrofë botërore, luftohet me masa të njëkohshme, të menjëhershme dhe me koordinim në shkallë botërore.
Epoka jonë kërkon bashkërendim në të gjitha aspektet jetësore. Duhet të hiqet mendja dhe dora nga keqbërja ndaj të tjerëve, të mos pjellin, as të nxiten, qoftë dhe artificialisht shkaqe bajate për të krijuar konflikte, si ato të rendomta individuale, deri tek ato të fringëllimit të armëve shfarosëse. Kjo, sepse ndodhi të tilla, kanë sjellë katastrofa të cilat nuk kanë kursyer dhe vetë keqbërësit. Faktet janë të njohura dhe të shumta, që çdo veprim keqdashës ndaj tjetrit, apo të tjerëve, gjithëherat pasojat i kanë goditur të gjithë. Janë bumerang edhe për shkaktarë. Populli këshillon: “Po i bëre gropën tjetrit, do biesh edhe vetë brenda”. Kjo fjalë e urtë popullore, shumë kohë më parë, me vlera të mëdha edhe në kohë moderne!!.
Sot “çirremi” për katastrofat globale të planetit, por shkaqet përkeqësuese të zbuluaruara, mbeten në stadin e “zhurmës”, kanosjeve, pa veprimet e duhura. Pse? Përgjigja gjendet tek korrupsioni, tek egot industrialiste, tek mos ngopja pasurore dhe ekspansioni politik, territorial, etnik dhe fetar. Sa ndesh bien thirrjet për “Globalizmin” me të vërtetat e sjelljeve ndaj tij!. Të gjithë “çirremi”, mos këtu dhe mos atje, por keqësimet klimatike që i shkakton sjellja jonë vazhdojnë duke kërrcënuar vetë ekzistencën njerëzore. Janë shpeshtuar sunamet, tërmetet (bile edhe në të njëjtën datë dhe orë me vitet e tjera! Rastësi, mos u trondisni na këshillojnë sizmologët). Vërshojnë përmbytjet, shfaqen sëmundjet e reja, etj. etj; konfliktet nga më shfarosëse dhe lëvizëse, sa atje, sa këtu. Kudo ku ato godasin nuk i kanë kursyer as shkencëtarët, as politikanët, as shtetet, as të pasurit dhee as të varfërit.
Përfundimisht kërkohet që qenies ti përafrohet ndërgjegja. Kjo mundësi përafrimi arrihet nëse do kuptohet, trajtohet dhe veprohet nga të gjithë që, problemet katastrofike botërore, në rastin konkret, të zgjidhen me masa të njëkohshme, të menjëhershme, të mirëkordinuara dhe të detyrueshme në shkallë botërore.
Ndryshe çdo masë e marrë veçmas, vërtet ndikon në pengimin e përhapjes së të keqes, por duke qenë parciale dhe në vartësi të shteteve të ndryshëm (disa me mundësi disa me pamundësi) katastrofat vetëm ngadalsohen, por nuk zhduken.

Gordon Brown
OKB-ja,OBSH-ja dhe institucionet ndërshtërore, shoqëritë civile të mbrojtjes së klimës, ambjenteve, shëndetësore etj. duhet të kuptojnë dhe të veprojnë se globalizmi nuk është dhe nuk duhet të mbetet informim, por dhe marrja vendime botërore të detyrueshme.
Fahriu Dahri, Itali,më 22/09/2021
Kryeministri Kurti priti në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, me të cilën biseduan për situatën aktuale dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve.
Kryeparlamentarja Nikolla e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe i dëshiroi suksese në realizimin e vizionit të tij për një të ardhme më të mirë të qytetarëve.
Ajo e falënderoi kryeministrin për ndihmën që shteti i Kosovës ia ka ofruar Shqipërisë gjatë tërmetit të gati para dy viteve dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve që shpërthyen shkaku i temperaturave të larta.
Kryekuvendarja Nikolla tha se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Republikës së Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo tha se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët.
Kryeministri Kurti e përgëzoi znj. Nikolla për zgjedhjen kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe u pajtua që duhet intensifikim i bashkëpunimit, sepse siç tha ai, janë të gjitha mundësitë që të zëmë hapin si komb. Po ashtu tha se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

U diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti ritheksoi se vendimi është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt. Në asnjë vendkalim kufitar nuk ka pasur incidente, ndërsa Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase, tha kryeministri, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.
Lidhur me situatën aktuale kryeministri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it, dhe se Kosova është e gatshme për dialog, porse Serbia po refuzon.
____________________
Bashkëngjitur gjeni linkun me pamje nga takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Linku: https://we.tl/t-vk1OxmH4z6
Kisha ruse dhe ortodoksia bullgare

Nga: Fahri Xharra, Gjakovë
(Deri me ardhjën ose pushtimin e Bullgarisë nga otomanët 1386 , Buullgarinë ortodokse e udhëheqnin Carët e ndryshëm ( njëri pas tjetrit ) me origjinë turke dhe me fe ortodokse . (Ortodoksia u legalizua pas pagëzimit të Borisit I në Borsh të Shqipërisë). Nëse i vëreni figurat e carëve bullgar me prejardhje turke, prej Khan Asparuhit ( të birit të Khanit Kuvrat ( 631- 652 )( mbretëria e të cilit dështoi në azinë Qendrore ) e deri te Car Strazimiri ( 1356-1386 ) të gjithë kanë pamje turke përkundër matresave të përziera me gra vendore ose sllav të instaluar në Greqi .)
Të spjegojmë që Kisha Ortodokse në Rusi i shënon gjurmët e saja në kohën e Rusit të Kievit (Kievan Rus’ ) i icili ishte i pari që formoi shtetin e Rusisë .
E rëndësishme për ne të dimë se paraqitja e parë e rusëve në Bullgari ishte një ngjarje me rë rëndësi ( fatkeqësi për shqiptarët deri me sot fxh) e cila ndikoi në politikën bullgare deri më sot.
Në Gushtin e vitit 967, për herë të parë rusët shkelen në Ballgari. Flota ruse me me dhjet mijë ushtar arrijti në buzët e Danubit në Ballkan ( Ilirik ), dhe nga kjo ardhje do i vërejmë ndërhyerjet ruse në sllavët e Ballkanit Sviatislavi , një bishë njeri, i ushqyer me mish kali dhe qumsht pele, i veshur me lëkurë arushe deri në tokë e pushtoi qytetin e Silistres që ishte një qendër e fortë luftarake e Bullgarisë, sa që Perandori i Bizantit filloi të i frigohej fatit të më tutjeshëm të kryeqytetit të tij dhe u ngut të lidhë paqe me Carin e Bullgarisë U kryen martesa të dyfishta që lidhi aleanca në mes tyre.
Janë disa data të rëndësishme që na duhen. Në vitin 988 , princi i Kievit Vladimiri e krijoi Kishën Ortodokse, në varinatën e Bizantit të Konstantinopojes dhe bëri fenë ortodokse, fe të shtetit Rus.
Fuqia kishtare ruse nga Kievi në Moskë kaloi në shek. 14 –të dhe të gjitha autorizimet kishtare i mori Moska.

Por nga horta nuk shohim së në këto toka ku sundoi Bullgaria ishte edhe prania dh ndikimi rus i cili punoi për sllavizimin e popujve të nënshtruar.
Ne duhet të dimë që sllavizimin e emrave të fshatrave , qyteteve, maleve dhe lumenjve dhe disa fjalëve tona e kryen bullgarët mbrenda 200 vjeteve. Koja e Borisit me pagëzimin e tij pasoj me ardhje të rusëve të cilët së bashku me ndihmen e Bizantit u munduan të sllavizojnë çka ishte e mundur.
Sllavo- maqedonët e sotëm janë pasardhës të Bullgarisë së madhe mbi tokat e vërteta shqiptare- maqedone .A ta nuk janë pronar të takova ku sot ata jetojnë, janë ardhacak të pas shekullit 9-të.
Car Simenoni I neveritur nga dobësia e Pjetrit, një fisnik bullgar, i quajtur Shishman, një vendas nga Trnovo vendosi të krijojë një dinasti të tijin. Në pamundësi për të nënshtruar të gjithë vendin nën ndikimin e tij, ai u kënaq me gjysmën perëndimore. Ai shpejt e shtriu ndikimin e tij në Maqedoni dhe Shqipëri, dhe nga viti 963 kishte dy Perandori Bullgare të ndara, njëra në perëndim, tjetra në lindje. Shishmani vet vetën e kishte shpallur Car, dhe pasardhësit e tij e mbajtën veten për gjysmë shekulli pasi gjysma tjetër e Perandorisë kishte rënë nën zgjedhën bizantine.
Vetëm një shembull : Duhet të spjegohet jo vetëm neve por edhe serbëve që emrat sllav që i kemi nuk janë emra serb, serbët janë shumë të vonëshëm këndej pari. Të gjitha emrat sllav janë nga sllavishtja e vjetër – ajo bullgare. Bullgaria është shteti i parë sllav në Ballkan. Bullgarët ashtu si ishin u kenvertuan ne të krishter në shekullin 9-të nga Bizanti
Bullgaret, sunduan gati 200 vjet mbi tokat tona,lageshin ne katër detëra: Dei i Zi, Egje, Jon dhe Adriatik.
Të spjegojmë edhe këte se tek ne gjënden shumë vende me emrin Doll ( Dol ) e që në kuptimin sllav është Rrafshë, rrafshinë . që mos ngutemi dhe të lindë një përkthim i tillë ne duhet të dimë se si quhej nga të parët . Këte e spjegon etimologu Aleksander Hasanas:
“Alberto G. Areddu – profesor i lëndëve letrare -, në esenë e re “Mbiemrat në Sardenjë dhe prejardhja e tyre Ballkanike”, sjell një shembull mbi fjalën “Tola” – një mbiemër ky shumë i përhapur në Sardenjë i cili merr formë nga dy fushat e territorit të Moresë. Por, veç kësaj, ky studiues shpjegon më tej se gjen konfirmim edhe në fisin antik ilir të Tolenses, të cilët marrin këtë emër, sipas ballkanologëve, nga ilirishtja (dhe forma indo-evropiane) *tōlā, që do të thotë “fushë”.
Pra, vërejmë qartë se fjala ilire ‘Tolā = fushë’ i përket gjuhës shqipe me kuptimin e saj “vend i ulët”, i /t’ulët, vend i butë, i ulët; ultësirë.Kjo fjalë e pastër shqipe gjendet gjithashtu edhe në emërtimin e fiseve Ilire, banorë të ultësirës bregdetare nga Auloni – Vlora deri në Dyrrah. Në në Dukagjin ende e ruajmë këtë emër ndoshta edhe pa e ditur kuptim e tij shqip: Tolaj .
Pra, akademive nëse duan ti shpejtojnë gjërat në albanizimin e emrave sllav iu del një punë serioze në një angazhim të tillë
Në ditët e ardhshme: Shën Klementi i Ohrit, Cirili dhe Metodi dhe Shën Naumi, që krijuan alfabetin sllav , por jo serb
Referencat:
-(http://countrystudies.us/russia/38.htm
–https://depts.washington.edu/cartah/text_archive/miller/m2_c2.html
–Herbermann, Charles, ed. (1913). “The Religion of Russia” . Catholic Encyclopedia. New York: Robert Appleton Company. )
– Karl August von Hase. A history of the Christian Church. Oxford, 1855 )
-https://bnr.bg/en/post/100481527/was-boris-i-baptized-in-albania
Presidentja Osmani takoi shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York bashkë me kryetarë të disa shteteve të rajonit në një darkë joformale ka takuar shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Në këtë takim u diskutua për situatën në rajon dhe marrëdhëniet e shteteve të Ballkanit me BE-në.
Presidentja Osmani ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, ndaj në këtë kontekst ka përmendur faktin se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash. Për këtë shkak, ajo ka potencuar se i takon BE-së që t`i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës.
Presidentja Osmani ka folur edhe për situatën aktuale në Kosovës, duke përmendur përmbushjen e marrëveshjes për targat.

“Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat. Përpjekjet për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia duhet t`i gjykojë vetë BE-ja”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, porse ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin aktuale juridik.
Konjufca takon Nikollën: Jemi një komb e dy shtete
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, më të cilën diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë e Shqipëri, si dhe për mënyrat e forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat.
Të dy homologët ndanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me nevojën e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, në funksion të realizimit sa më të plotë të funksioneve kushtetuese të tyre dhe agjendave të përbashkëta integruese.
Kryekuvendari Konjufca u shpreh i nderuar të pres në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, në vizitën e saj të parë zyrtare jashtë shtetit dhe vetëm disa ditë pas marrjes së detyrës, duke e konsideruar Kuvendin e Kosovës shtëpi të saj.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se marrëdhëniet midis dy vende nuk mund të konsiderohen vetëm marrëdhënie miqësie e partneriteti, por vëllazërore.

Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën ndër vite dhe dekada, si në aspiratën për çlirim, ashtu edhe në arritjen e pavarësisë, konsolidimin e institucioneve demokratike, si dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetësisë së saj.
“Ne vazhdimisht kemi pasur marrëdhënie të mira me Republikën e Shqipërisë dhe ato diktohen për shkak të një fakti të qartë dhe të thjeshtë, për të cilin është i vetëdijshëm çdo qytetar i Kosovës dhe Shqipërisë. E ky është fakti që jemi një komb, i cili jeton sot në dy shtete por edhe përtej tyre”, theksoi Konjufca.

Kryekuvendari shtoi se meqenëse në çdo dimension ekziston një bashkëpunim i admirueshëm midis institucioneve tona, përfshirë edhe mbledhjet e rregullta të përbashkëta të të dyja qeverive, tani, siç tha ai, ekziston një hapësirë e konsiderueshme e thellimit të bashkëpunimit edhe midis dy parlamenteve.

“Deri tash kemi pasur në disa rrafshe një bashkëpunim më intensiv, sidomos në fushën e legjislacionit e të politikës së jashtme, por ne duhet të shkojmë drejt një platforme të takimeve të rregullta të komisioneve tona, në mënyrë që të bëjmë projekte të përbashkëta dhe të ulemi e të bashkëpunojmë në ato fusha të cilat na lidhin ngushtë dhe janë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve”.
Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi se Shqipëria dhe Kosova do të lidhen edhe më shumë njëra me tjetrën në vitet në vijim, për arsye se, siç tha ai, ky është në fakt thelbi i interesit të përbashkët kombëtar.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, u shpreh e nderuar që gjendet në Kosovë, duke shtuar se kjo vizitë tregon se nuk ka më kohë për të humbur dhe se duhet që me forca të shtuara të rriten bashkëpunimi dhe bashkërendimi, në mënyrë që rezultatet të jenë edhe më të prekshme.

Znj. Nikolla tha se veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një ndër prioritetet e saj në krye të legjislativit shqiptar.
Ajo tha se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë për të rivitalizuar procesin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë, të punojnë për ndaljen e ofensivës diplomatike e Serbisë për tërheqjen e njohjeve. Ajo po ashtu tha se duhet punuar më shumë në forumet ndërkombëtare që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht, duke ridëshmuar se Serbia ka bërë krime lufte, gjenocid dhe ka fshehur kriminelët.

Kryeparlamentarja Nikolla tha se integrimi evropian mbetet aspiratë e të dyja vendeve.
“Bashkimi Evropian është destinacioni ynë i përbashkët. Shpresojmë që brenda kryesimit slloven të BE-së, Shqipëria të organizojë konferencën e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave, ndërsa Kosova të marrë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave”.

Në fund të fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ftoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për vizitë në Tiranë.

Znj. Nikolla po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të kryekuvendarit Glauk Konjufca dhe gjatë ditës do të takojë edhe drejtues të tjerë të lartë shtetërorë.
Të gjthë në mbështetje të reciprocitetit për targat!

Nga: Florim Zeqa
Nga mëngjesi i së hënës, kur Qeveria e Republikës së Kosovës nisi zbatimi i reciprocitetit për targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës, serbët lokal në shënjë proteste bllokuan rrugët në Bërnjakë dhe Jarinjë, me vendosjen e kamionëve të ngarkuar me zhavor duke bllokuar çarkullimin e makinave në të dyja drejtimet.
Vendim i vonuar, por i qëlluar
Edhe pas tre ditësh, situata mbetet e tensionuar dhe njëjtë, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në pjesën veriore të vendit, por të pafuqishme për thyerjen e bllokadës së vënë nga serbët lokal!
Edhe pse vendimi i Qeverisë Kurti 2 për zbatimin e reciprocitetit për targat, i vonuar dhe jo në kohën e duhur (fushatë zgjedhore), është vendim i qëlluar dhe kërkon mbështetjen e të gjithë spektrit politik vendor në këtë momentum kohor shumë delikat dhe me rrezikshmëri të lartë shkaku i mundësisë së eskalimit të situatës nga provokimet e serbëve lokal dhe shtetit serb në veçanti.
Në asnjë rrethanë kërcënimet nga Serbia nuk duhet ta vënë në pikëpyetje vendosmërinë institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për targat dhe jo vetëm, duhet zbatuar në përpikmëri Kushtetutën për shtrirjen e plotë të sovranitetit në veri të vendit.
Kërkesë KFOR-it për largimin e barrikadave
Padyshim, se fjalët më të bukura që kam dëgjuar nga kryeministri Albin Kurti ishin ato në takim me përfaqësuesit e shteteve të Kuintit; “Për reciprocitetin e targave të përkohshme për vetura si Kosova dhe Serbia kanë të drejtë ,ose të dyjat e kanë gabim. Pra ose do t’i mbajmë këto lloje targash të dyja shtetet, ose do t’i heqim si Kosova dhe Serbia”.
Në situatën e krijuar, kur vendimi i qeverisë për reciprocitetin e targave nuk kundërshtohet nga vendet e Kuintit dhe as nga qendrat ndërkombëtare të vendosjes, kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë ndihmën e KFOR-it për largimin e barrikadave dhe kthimin e normalitetit, përkatësisht krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qyetarëve në të dyja drejtimet.
Ndryshe, çdo vazhdimi i situatës bllokuese mund të shkaktojë trazira në pjesën veriore dhe ajo çka është më e rrezikshmja, trysnija ndërkombëtare mund të kthehet ndaj Kosovës për tërheqjen e trupave të Njësisë Speciale të Policisë, e cila do t’na kthente në situatën e 10 viteve më parë, në atë të 25 Korrikut 2011, kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës në Jarinjë dhe Bërnjakë, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare e detyroj ish kryeministrin Hashim Thaçi të kthehej pas “me bisht nën shalë”, me një polic të vrarë (Enver Zymberi) dhe disa të tjerë të plagosur.
Të dëshmohemi si shtet dhe komb
Që kjo të mos ndodhë, kryeministrit të Republikës së Kosovës i duhet mbështetje e gjërë morale e spektrit politik vendor, nga autoritetet shtetërore shqiptare, shoqëria civile dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë pa dallime partiake apo rajonale.
Është momenti i fundit që të dëshmohemi si shtet dhe si komb sesa jemi të vendosur për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit të njohur ndërkombëtarsisht nga shumica e vendeve të botës.
Në të kundërtën rrezikojmë të trajtohemi akoma më keq sesa tani nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Përderisa ne nuk e mbështesim njëri-tjetrin në situata të tilla, nuk kemi pse të presim të na mbështesim të tjerët!
Në përfundim të këtij shkrimi, dëshirojë të shtojë edhe këtë, çdo tendencë e Lëvizjes Vetëvendosje për abuzim të situatës së krijuar për qëllime elektorale, jo vetëm që nuk do ta ndihmojë, do ta vëjë për tokë këtë subjekt politik.
Vjosa Osmani takohet me Jens Stoltenberg, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, e thekson synimin e Kosovës që sa më shpejtë të jetë pjesë e aleancës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë takuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Steltenberg.
Në këtë takim presidentja Osmani, theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO.
“Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, është shprehur Osmani.
Gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.
“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha gjithashtu, se Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë profesionale, e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.
“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”.
Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.
Ajo theksoi se Kosova i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.
Sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.
Presidentja Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut.
“Kosova, është e gatshme që edhe në të ardhmen të kontribuojë në misione të ngjashme humanitare, por edhe në ato të sigurisë”, ka shtuar presidentja Osmani.


