Kreu Blog Faqe 1570

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin Kosnett

0

Prishtinë, 13 shtator 2021 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përshëndetës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Philip S. Kosnett.

Duke e falenderuar për punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë, Presidentja Osmani tha se puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-ve.

Palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast Presidentja Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fort dhe i pakontestueshëm.

Në takim palët vlerësuan lartë edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike. Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i insitucioneve kosovare për mikëpritjen e qytetarëve afgan, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane,

si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit.

Në shenjë të mirënjohjes së thellë, Presidentja Osmani e dekoroi ambasadorin Kosnett me urdhërin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Rektori Nimani priti në takim humanistin dhe veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, z. Ramiz Tafilaj

0

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, i shoqëruar nga Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, prof. asoc. dr. Haxhi Kamberi, pritën në takim humanistin dhe veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, z. Ramiz Tafilaj me bashkëveprimtarë.

Në takim, rektori Nimani i njoftoi për ecurinë e zhvillimeve në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, të arriturat në projektet ndërkombëtare, anëtarësimet, bashkëpunimet me institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, si dhe planin strategjik të zhvillimit të universitetit. Rektori Nimani e përgëzoi z. Tafilaj për kontributin e dhënë në veprimtarinë e tij rreth çështjes kombëtare, humanizmin, dhe për miqësinë e tij të mirë me presidentin amerikan, Joe Biden.

z. Tafilaj shprehu falënderim për pritjen dhe e përgëzoi rektorin, prof. ass. dr. Artan Nimani për arritjet me UFAGJ-në. Po ashtu, u shpreh i gatshëm të iniciojë marrëveshje të bashkëpunimit me universitetet në ShBA, si dhe të ndihmojë studentë të interesuar për studime në ShBA.

Në fund të takimit, në shenjë respekti për Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, z. Tafilaj dhuroi botimin anastatik të koleksionit të plotë të gazetës “LIRIJA” (1908-1910), themeluar e botuar nga Mit’hat Frashëri (i njohur me pseudonimin Lumo Skëndo).

Shkruar nga: Adem Lushaj

Fotot e lajmit

Kryeministri Kurti: Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë në rajon dhe më tej, parime të politikës sonë të jashtme

0

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, e cila organizohet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.

Në edicionin e sivjetmë, që do të trajtojë temën “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë” kryeministri Kurti, i shoqëruara edhe nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

Ai fillimisht uroi Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Diplomatike, Sabri Kiçmari dhe Drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, Rene Schlee,  për organizimin e këtij edicioni dhe falënderoi diplomatët që kanë udhëtuar distanca të gjata për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, janë parimet e politikës sonë të jashtme, u shpreh kryeministri Kurti.

Me besimin se nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale në mes diplomatëve tonë do të mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim në mes vendeve dhe qeverive tona, kryeministri Kurti i uroi edhe një herë mirëseardhje të pranishmëve në Kosovë dhe punë  të mbarë gjatë qëndrimit të tyre në vend.

Gërvalla në hapjen e Shkollës Diplomatike, promovon vlerat dhe veçoritë e vendit

0

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj.Donika Gërvalla, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Albin Kurti dhe drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES) për Kosovë z.René Schlee, morën pjesë sot në hapjen e edicionit të shtatë të Shkollës Diplomatike që po zhvillohet në Pejë. 

Ky edicion i bashkë organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe FES, ka mbledhur diplomatë nga 16 shtete të botës të cilëve ministrja Gërvalla u ka shprehur mirëseardhje, gjatë ceremonisë së hapjes së punimeve pesëditore të kësaj shkolle. 

Me këtë rast ajo ka vlerësuar se në një botë ku ndryshimi dinamik është një prej dukurive kryesore, është thelbësore që të mblidhen përfaqësues të fushave të ndryshme nga vende të ndryshme, për shkëmbim përvojash dhe dialog mbi botën në të cilën po jetojmë, sfidat aktuale  dhe të ardhshme. Në veçanti ka theksuar se është tepër i vlefshëm shkëmbimi në rrafshin diplomatik. 

Gërvalla tutje u ka shpjeguar diplomatëve të huaj traditat dhe veçantitë e vendit. 

“Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne nuk jemi vetëm vendi më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullsinë më të re sipas moshës. Asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në sondazhet e fundit ne regjistruam mbështetje për këto dy struktura kryesore ndërkombëtare me më shumë se 90% të qytetarëve. Kjo është unike, dhe kjo përfaqëson vullnetin e njerëzve tanë dhe strategjinë e qeverisë sonë”, ka thënë ajo. Gjithashtu ka folur për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës për integrim në strukturat Euro-Atlantike. 

Ministrja Gërvalla, ka theksuar para pjesëmarrësve se Republika e Kosovës në të njëjtën kohë po punon me shumë partnerë të tjerë në të gjithë globin për të zhvilluar dhe thelluar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë. Me më shumë se njëqind vende ka thënë se ekzistojnë marrëdhënie zyrtare. Po ashtu ka bërë të ditur angazhimin qeveritar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. “Duke zbatuar një sërë reformash, mbi të gjitha me fokusin e saj të qartë në vendosjen e sundimit të ligjit, Qeveria e re po demonstron ndryshimin, i cili ka ardhur në Kosovë dhe që do të kontribuojë në rrugën tonë evropiane”, ka nënvizuar ajo. 

Donika Gërvalla me Albin Kurtin

Po ashtu politika e jashtme e Kosovës ka thënë se synon identifikimin gjithnjë e më të fortë të Kosovës me kulturën  e saj, si dhe promovimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik të Republikës së Kosovës me investitorë të huaj. 

Ndër të tjera ka përmendur bukuritë natyrore, pikat turistike, jetën shumë të gjallë dhe elemente të tjera që karakterizojnë vendin. 

Një roman – katarsë

0
Ramadan MUSLIU*
Romani „Jeniçeri i fundit“ pikën nistore narrative e ka në ngjarjen e njohur të fundiviteve te tridhjeta të shekullit XIX-të, kohën kur jo vetëm se bëhet çthurjja e formacionit të jeniçervë, por edhe zhdukja fizike e elementeve të fundit, të cilave i takon edhe personazhi i romanit
Vepra letrare e Jusuf Buxhovit, që nga fillimi e deri tek botimet me të reja, merret me relievizim tematik të historisë. Duke qenë se historia paraqitet si një matricë tematike dhe se e mbizotëron tematikisht pjesën më të madhe të veprës së këtij autori, ajo shkon përtej masës tematizuese, sepse inkorporimi i historisë brenda një narracioni kaq të gjerë doemos se vjen duke u shtrirë përmes modaliteteve të tjera strukturore dhe kuptimore brenda tekstit letrar. Trajtimi i temës së historisë nga vepra në vepër dhe thellimi në historinë, qoftë si dokument apo ngjarje nga kontinuumi kohor, historia bëhet edhe si një lloj i arkitektonikës mendore, që zakonisht priremi ta quajmë „filozofi të historisë“. Prania e një arkitektonike të tillë e të menduarit ka bërë që ajo të jetë si një çelës në interpretimin e fenomeneve, madje edhe një si lloj mekanizmi anticipiues për kontunuumin historik për fenomenet e ardhshme.
Edhe romani më i ri „Jeniçeri i fundit“ po ashtu ne qëndër të narracionit ka historinë, një insert nga historia, çfarë është çthurja e formacionit të njohur ushtarak roman, jeniçerëve, dhe rolin e shtresës shqiptare brenda këtij formacioni.
Roman për vetën dhe për historinë që përsëritet
Romani „Jeniçeri i fundit“ pikën nistore narrative e ka në ngjarjen e njohur të fundiviteve te tridhjeta të shekullit XIX-të, kohën kur jo vetëm se bëhet çthurjja e formacionit të jeniçervë, por edhe zhdukja fizike e elementeve të fundit, të cilave i takon edhe personazhi i romanit. Nëse përjashtohet perkufizimi tjetër i romanit që vjen nga titulli i dytë, „Libër për vetveten“, romanin edhe kohë edhe si narracion e vë në një bazë alegorike, atëherë segmenti kronologjik i rrëfimit shtrihet brenda një periudhe të shkurtër, faza e fundit jetësore e jeniçerit që kthehet në vendlindje në moshën e thyer, duke u transformuar nga një ushtarak në një mendimtar. Tjetër gjë është se autori bën digresione në rrëfim , përdor mekanizma të shumtë që shërbejnë si katalizatorë narrativë, herë duke e vënë në perspektiva të ndryshmë narrative, ku më shumë mbizotëron rrëfimi nga perspektiva e sinkronicitetit, domethënë bartje lienare e veprimit në kohën aktuale, por që përshkohet më shumicë nga introspekcioni, retrospekcioni dhe aspektet dhe trajtat e tjera kohore të narracionit.
I gjithë romani rrëfehet nga e ashtuquajtura „ich-form“ kajzeriane, që domethënë një rrëfim në vetën e parë, e cila i mundeson personazhit-narrator të rrëfejë për aktualitetin e kohës kur zhvillohet ngjarja, për shthurrjen e rendit të jeniçerëve dhe për vazhdimin e krizës, së pari me plojën e madhe që bëhet ndaj përfaqësuesve të formacioneve të fundit, për të vazhduar me procesin e dekompozimit të perandorisë otomane, të shkaktuar nga një krizë që nxitet nga fuqitë e mëdha sa edhe nga paaftësia e një sajese të vjetruar perandorake, e cila e kishte mbaruar misionin e vet në historinë e botës.
Personazhi narrator kthehet në vendlindje, në nje teqe të rrethinës së Gjakovës, ku duhet të merret me riorganizimin e strukturës administrative të rendit të bektashinjve. Kështu që rendi i ri, ai i proviniencës shpirtërore, që i zë vendin atij ushtarako-administrativ, është ambienti i ri brenda të cilave krijohen raporte të reja dhe zbërthehen raportet e vjetruara, duke gjetur analogjitë dhe diferencat, analogjitë në planin e ideve dhe të mendësisë, që i ka karakterizuar edhe formacionin e jençerëve, dhe, diferencat në mjetet e ekzekutimit të ideve.
Nga personazhi narrator mësojmë ndikimin e politikës edhe në botën shpirtërore, në gjithë strukturën organizative të jetës së teqesë dhe në nivelet e ndryshme të këtij organizimi. Prandaj, analogjikisht me situatën e sotme, të cilën e jetojmë, si një situatë e një gjendjeje të ndërmjeme apo, si jemi mësuar ta quajmë tranzicion, edhe rendi i jeniçerëve i nënshtroihet një gjendjeje të tillë, ku konfuziteti prodhon situata të paparashikuara aq që sa më shumë zhvillohet narracioni aq më shumë diferencohen karakteret dhe shtresëzimet e ndkimeve politike dhe procesi i militarizimit të ndërgjegjes: profilet e karaktereve që kanë kuotimin e një vazhdimësie të një kontinuiteti të dijes dhe të një morali suprem. Brenda këtij konstelacioni raportesh duhet vështruar personazhet: (krye) personazhi-narrator, Sheh Bani, Baba Qazimi, kryepersonazhi referencial Baba Bektashi, etj., në një anë, dhe përfaqësuesit e formacionit të ri: Sadri Çaushi, Sheh Nura, Sheh Hima, etj, që përfaqsojnë formacionin e ndërgjegjes së politizuar dhe të instrumentalizuar politkisht.
Retrospekcioni historik
Rrëfimi romanor i „Jeniçerit të fundit“ dallon për një rrëfim paralel apo binar: në njërën anë është kredhja, shtëgëtimi i personazhit narrator nëpër ndërgjegjen e tij, nëpër domenet e njohjes dhe të empirisë që e ka fituar në jetë. Kur bredh nëpër ndërgjgjen e vet zakonisht ato janë nëpër kujtimet e fëmijërisë dhe ky shtëgëtim dallon për një identifikim të shenjave të mbetura nga kujtimet e hershme, ku shfaqen pamje të ndryshme, imazhe që lidhen me situata të fuqishme, gjendje që mbase një studiues të kritikës tematike të tipit te Zhan Pol Veberit, do të cilësonte si një „motiv obsesiv“ në përsëritje. Zakonisht këtoi janë shenja të ambientit, por edhe shenja të kujtesës, domethënë të brendshme, shenja të komunkimit, çfarë është gjuha si fenomen. Kthimi në këto gjendje e bën personazhin narrator që të kridhet në një refleksion, në një preokupim obsesiv, si ndodh obsesionimi meç gjuhën, që duke u kredhur sa më thell në këtë fenomen aq më shumë zbret tek thelbi i saj, duke e shndërruar këtë refleksion në një lloj filozofie të gjuhës. Kështu autori i kthehet shenjave të para të perceptuara në fëmijëri dhe kuptimeve të tyre, duke kërkuar atë agjensin e brendshëm që shpjegon pse janë ato të tilla. Shenja të kësaj burimësie janë: guri, gjarpëri,shtëpia, ëma, vëllau etj. duke veçuar ndër to edhe shenjat e tjera primordiale, indiciet e para të kupotimit në shenjë. Duke hulumtuar ndër këto sedimente të gjuhës autori shkon në lashtësi , në historinë e gjuhës, në aktin e saj të lindjes dhe duke ndjekur indiciet e kuptimeve të para ai ndjek edhe krijimin e rethit të simboleve.
Mirëpo kërkimi i thelbit të gjuhës, kuptimin e thellë të saj dhe shtresimeve të aspekteve simbolike ai do ta gjejë identitetin individual po aq sa edhe kolektiv ngase gjuha e kalon kufirin individual, meqë është mjet social në komunkim.
Në rrëfim nuk kemi një shfaqje simpliciste të temës, por një shtresëzim idesh, një shpalim paralel edhe të historisë së gjuhës, edhe të historisë së organizimit të shoqërisë, por gjithnjë duke iu referuar një pike nistore: prirjen evokative të njeriut të sotem dhe sentimentin për një koha të shkuar e cila është karakterizuar për dijen e lashtë, të asaj dijeje që një kohë ishte e komunikueshme për njeriun, por së voni të përjashtuar rreptësisht nga shkaku i mbylljes së atij kanali të komunkimit.
Morfologjia e rrëfimit
Romani „Jeniçeri i fundit“ dallon edhe për morfologjinë narrative, domethënë për trajjtat e rrëimit dhe funksionin e tyre brenda rrëfimit integral. Fabulimi romanit zhvillohet në një, do të thoshim, eneterier të minimalizuar, që domethënë se aksoni romanor është i rudimentuar deri në maksimum. Pjesa më ë madhe e dramës, që ndodh në roman është drama e brendshme e presonazhiot-narrator, drama e ndërgjegjes. Dilemat e tij morale shoqërohen me përpjekjet për ta aktivizuar një mbetje sado të vogël të dijeve të lashta, të besimeve të vjetra, të historisë dhe të identitetit të lashtë etnik që ka kaluar në procese të ndryshme, duke qenë njëkohësisht një identitet etnik komplementar, ngase nga çdo kohë merr nga dicka dhe jep nga vetja shumëçka. Prandaj personazhi kridhet në evokacionin e fënijërisë, ku kërkon identitetin vetiak, por me shumë se gjithe kjo, refuzimi i një rendi të ri mendor, emocional, moral, refuzim ky i një gjendjeje të krizës, që tashmë është permanencë e sjelljes kolektive, përbën atë boshtin fabular të romanit. Pra në pah del një rrëfim sinkretik, i gërshetuar, ku bashkëdyzohen pikëpamje të ndryshme, por që bazamenti është ai i vjetri, një rrëfim që herë bëhet i drejtpërdrejtë e herë kalon në rrafshin e simbolizues, sa nga ajo simbolikë që me të parën bien në sy gërshetimi i reales me irealen, domethënë shkëputja e simboleve nga një realitet konkret empirik dhe gjuhësor. Nuk ka ndryshe se si të kuptohen simbolet e tipit: Kështjella e Pasqyrave, e Territ, e Rrethit, e Hijes etj. Në këtë roman, që është një reflkeksion në sinkronicitet, në rrjedhë dhe në ngutje për ta kapur kohën vijuese, autori ka arritur të shkrijë një dije kolosale të fushave të ndryshme, që nga filozofia e historisë, filozofia e gjuhës, teosofia, kosmogonia, paleolinguistika, por edhe nga dijet e lashta , gjurmet rudimentare e të cilavë kanë mbetur që nga „Opus hermetica“ të Hermes Trismegistit.
Alegoria e rrëfimit
8
Romani „Jeniçeri i fundit“ ka edhe një titull të dytë, që e thamë diku më herët, :“Libër për vetveten“, që është narracionin e vë në një paralelizëm, nga një refleksion të tipit të gërshetuar e zbret në një plan përsonalzues, ngase na thotë se ky është rrëfim për veten, rrëfim nga shpirti, në fakt një alegori që bën të identifikohet në disa pika përsonazhi narrator me vetë autorin. Vija e protestës ndaj një gjendje të ndërmjeme, ndaj një tranzicioni që do të përmbyllet me një të keqe të re, por jo më një të re produktive, ku vlerat dijeve të vjetra të „gjakut të dijes“ dhe „dijes së gjakut“ do të jenë në vendet e veta që e kanë krijuar në kontinuitetin e gjatë të ekzistences historike të etnisë shqiptare, përfundon në një ekstrem tragjik: në përjashtimin e gjithë asaj trashëgëmie e veçanërisht të përsonazhit nga jeta shoqërore, madje me anatemën e të çmendurit. Prandaj ky rrëfim duhet të lexohet edhe si një alegorezë politike që lidhet me një realitet konkret çfarë është ky yni, i përditshmi.
Thënë shkurt; i gjithë refleksioni dhe narracioni i këtij romani është thellësiht një përpjekje për ta ndërtuar një rrefim – katarsë, domethënë të bëjë një katarsis moral të lexuesit, por edhe të shoqërisë, me shpresë se i pastruar moralisht do të hapë një përcepcion të ri e me këtë edhe një faqe të re të historisë.
(Recension i lexuar Konferencën Ndërkombëtare „Mbi Letërsinë dhe Krijimtarinë Letrare“ në Universitetin e Europës Jug-Lindore (UEL), Tetovë, 25. 04. 2014, në kuadër të së cilës u bë edhe promovimi i romanit më të ri të Jusuf Buxhovit ‚Jeniçeri i fundit‘)
_______________
* Shkrimtari dhe kritiku letrar Ramadan Musliu, ka vdekur si pasojë e Covid19 kah fundi i vitit të kaluar.

Serbët në Shqipëri ??? Për hair flamuri serb !

0

Nga Fahri Xharra

( Vuçiqi paska urdhëruar: aty ku ka serbë të ngrihet flamuri i Serbisë “ Dhe ja ku jemi me “Ballkanin e Hapur” – S`ka besë te serbi , na thoshin të parët ) (Nuk ka serbë në Shqipëri, ka politikan të shitur )

Përpjekja e palodhshme e qarqeve te ndryshme për njollosjen e figurave tona kombëtare është e qëllimshme dhe ajo bëhet për një qellim të vetëm i cili krijon një proces zinxhiror që në fund e ka për detyrë shkombëtarizimin tonë! Kjo bëhet me qëllim që shqiptarët të humbin mbamendesinë kolektive dhe te humbin rrjedhën normale të origjinës së tyre. Qëllim i fundit është që të krijohet një popullatë amorfe që nuk di dhe nuk ka asgjë të përbashkët me qytetërimin Evropian. Me ketë , ne humbim gjithçka, më e rëndësishme e humbim ndjenjën për tokën tonë .

“Pas Betejës së Kosovës (1389) ,serbët e këtushmit u shpërndanë. Një numër i madh i tyre përfunduan në Shqipëri ku filloi vala e madhe e islamizimit të tyre. Të bijtë dhe nipërit e atyre serbëve të cilët kishin luftuar në Kosovë gjithmonë e paskan pas ruajtur kujtimin e tyre për gjyshërit e dikurshëm- shpjegon historiani Gjuretiq duke shtuar se mbi 80% të shqiptarëve të sotëm ,nga burimet relevante historike, janë me origjinë serbe, dhe janë po ata serbë të islamizuar pas Betejës së Kosovës”. ”Por islamizimi më i madh i serbëve, sipas burimeve të tyre ,qenka rritur shumë në shek.XVII dhe në fillim të shek.XVIII-të se pse si arnautashë ata paskan pas më shumë të drejta ose sipas burimeve tjera shumë serb e paskan pas pranuar islamizimin si një domosdoshmëri të dreqit duke pritur gjithmonë që një ditë do të kthehen në rrjedhën e të parëve të tyre. Shumë gjenerata të para të konvertuara në islam e paskan pas ruajtur gjuhën e tyre dhe festat e tyre fetare.” . ( (Shënime serbe)

Por për çudi ata “ arnautashët” ( shqiptarët fxh ) nuk e paskan pas ndier veten as si turq e as si shqiptarë ; por ato sot nuk po e ndiekan veten më as si Serbë. Deri në fundin e shekullit 19-të arnautashë të shumtë i mbanin mbiemrat e tyre të vjetër. Në Drenicë paskan pas qenë Dokiqt, Veliqt, Marushiqt, Zoniqt, Raçiqt ,Geciqt, të cilët shihen që ishin me origjinë serbe. Situatë e njejtë ishte edhe në Pejë dhe rrethinën e saj ku jetonin shumë serbë të islamizuar dhe albanizuar: Stepanoviqt, Bojkoviqt, Dekiqt, Lekiqt ,Stojkoviqt etj. (Knjiga o Kosovu, Dimitrije Bogdanoviq1985),

Dhe ja ,një gjë është e vërtetë se serbët atë që e shkruajnë edhe e jetësojnë ; e duan vetën Ata, nga një grup ardhacakësh të pa origjinë e krijuan shtetin e tyre. E krijuan kombin e tyre, e rritën. Dhe po e rrisin vazhdimisht, me ne.

”Në Fier u çel zyra e komunitetit serb. Në këtë ceremoni, veç përfaqësuesve të shoqatës së komunitetit “Jedinstvo”, merrnin pjesë përfaqësuesi i Ministrisë së Diasporës si dhe ambasadori i Serbisë në Shqipëri, Miroljub Zariq. Po, po, mu në Fier , në Shqipëri. Me pas ambasadori dhe përfaqësuesi i Ministrisë Serbe të Diasporës vizituan pjesëtarët e komunitetit ” serb” ne fshatin Rreth-Libofshë të Fierit. Kryetari i shoqatës serbe “Jedinstvo”, Eqerem Duleviq, ka deklaruar se në këtë qark numërohen 2 500 ( nuk është e vërtetë , ata janë vetëm 450 veta fxh) anëtarë të këtij komuniteti.” ( agjencitë e lajmeve)

”Jemi në zemër të kohës së paradokseve i nderuar, mos të na duket çudi ende nuk është thënë më e madhja, prandaj le të gëzohemi për momentin (Bujar Koçi) ” Athua çka na pret , çka është ajo më e madhja që ende nuk na është thënë ?

Është shqetësues se si mbijnë këto shoqata sllavësh ne Trupin e Shqipërisë (Dalip Greca).
Sot shoqate e nesër pakica e pas nesër autonomi . Sot shoqata të ardhurish , e nesër serb autokton: ” Serbia deri në Tokio” thoshte kryekrimineli Sheshelj..

”Serbët”( shqiptarët e sanxhakut fxh) e Libofshës së Fierit , erdhën në vitet 1924 pas krimeve serbe që bëheshin mbi ta në Sanxhakun e Novi Pazarit. Të gjallët e mbetur i kishin hipur në anije për t`i dërguar diku në Anadoll ,por edhe deshën t`i mbysin duke fundosur anijen. Falë ndihmës së Mbretit Zogu ata u shpëtuan dhe iu bë e mundur të vijnë në Shqipëri. Iu dhanë dokumente shqiptare dhe toka dhe jetë … por tani gjërat ndërruan dhe bijtë e tyre e shohin vetën si serb . U bë, po pse në Shqipëri, pse jo në Turqi ku janë me qindra mijëra shqiptarë të atij Sanxhaku? Thjesht aty nuk guxojnë. Diçka po zihet.
Po Shqipëria , tani lodër e lodrave të kurdisura.!
Këtu janë rrëmiqet që e lejuan këtë paqavër të rastit e me pasoja shumë të rënda.
Pra të vërtetën shikoni në këtë video.
Dhe loja me ne vazhdon.

Por dëshira e Serbëve për ta futur në grusht Shqipërinë nuk njeh kohë, as metodë e as rrethana .Të vazhdojmë: ” Banorët me prejardhje sllave në Shqipëri” , ishte tema e një simpoziumi ndërkomëtarë që ishte mbajtur në Cetinë ( Mali i Zi , në vitin 1990) (“Становништво словенског поријекла у Албанији” – Зборник радова са међународног научног скупа одржаног на Цетињу 21, 22. и 23. јуна 1990. године)

Çka u tha në atë simpozium? ,të shohim se serbët nuk flasin kot ,atë që e shkruajnë edhe e bëjnë , e ne historikisht kemi qenë kontribuuesit më të mëdhenj në realizimin e planeve të tyre. Heshtje në vetëdijen tonë, por bubullimë e vetëtimë në planet serbe.

” Për gjurmët e popullatës më të vjetër sllave në territorin e Shqipërisë së sotme deri më tani shënimet më të thukta na i ka shkruar slavisti rus Atanasije Selishqev në librin e tij:
“Славянское население в Албании” (Софија, 1931) ( Vendbanimet sllave ne Shqipëri).
Duke i analizuar (Profesori Radmilo Marojeviq ) slavizmat në gjuhën shqipe dhe në dialektet e saj në perspektivën e të gjitha e të folmeve sllave si dhe huazimeve sllave në gjuhet ballkanike jo sllave na e jep mundësinë e formimit të një rekonstruimi të vërtetë të një ”pejsazhi” etnik dhe gjuhësor sllav të kohës së hershme të sllavëve në Ballkan.” .
Gjuhëtar ,ku jeni ? Gjuhëtar ,mos rri po duku gjuhëtar.!

Këngëtari i njohur Dervish Shaqa këndonte: “ E kem pas` fatin e zi , qysh se na erdh dreqi kojshi” – ai ,që moti na e kishte tërhequr vërejtje. Po na sot , ku jemi? E dini Hipotezën e “Gravacit_ Brataniqit “mbi gjuhën shqipe?

Një brengë të madhe që e kam pasur gjithmonë që të shprehi mendimin tim për shqiptarët ortodoks të Vrrakës ( t`ahtuquajturit nga ne : shkijet e Vrrakës).Duke bërë krahasime , ngjasime, kryqëzim mendimesh; lexim të literaturës serbe e cila dihet që është përvetësuese; analogji me shqiptarët ortodoks të Gjakovës dhe lidhjet e tyre farefisnore me ata të Vrrakës; pastaj qëndrimi shumë i mençur dhe shumë largpamës i Mbretit Zogu ndaj vrrakasve ne kohën e tij të sjellin një përfundim se ata ishin asgjë më pak se shqiptarë ortodoks. Një ”grumbullim “i tyre në fshatrat përgjatë Lumit Vrrakë në veri të Shkodrës është i ngjyrave të ndryshme të ardhjes ; përveq ortodoksëve të vendit të nëçmuar dhe të vequar nga rrethi aty kanë gjetur strehim edhe ardhacakët tjerë shqiptar nga tokat e shqiptarëve në Mal të Zi ,të detyruar nga motivet e ndryshme e më së shpeshti nga gjakmarrja. Kësaj radhe nuk dua të shpjegoj , si dhe pse ata u bënë shumë agresiv dhe të mashtruar nga sllavët fqinj ishin shpesh edhe vrasësit tonë. E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët ortodoks të Kosovës ( apo si i kemi quajtur ne me përbuzje :shkije) të cilët në luftën e fundit të Kosovës kishin dalë nga rrethi i tyre normal duke iu bashkangjitur serbëve në krime. Shikoni , shkrimi nuk ka lidhje me dhimbsuni është thjesht historik dhe kundëvenje propagandës serbe të përvetësimit.

Në simpoziumin e përmendur më lartë ishte edhe tema : Prejardhje e Vrrakasve të sotëm (Poreklo savremenih Vračana). “Pjesa e Vrrakës ,në veri të Shkodrës gjatë shekullit 19 përbehej nga fshatrat :, Raš, Kule, Stari ili Vezirov Borič, Mladi ili Muhtarov Borič Kotrobudan, Gril i Omara sa zaseocima Turajlija i Begove ili Kranjske kuće. ( me qëllim mbeta në emrat ashtu si i kanë shkruar në simpozium), në të cilat ka jetuar kryesisht popullata sllave e fesë ortodokse ( ???fxh) gjendet në krahinën e Koplikut mbi të cilën kishin mbretëruar Dukagjinajt. Nëpër Vrrakë kalonte rruga që e lidhte mbrendinë me Detin Adriatik.. Qendra e Vrrakës në fund shekullin 19 dhe fillimi e të 20-it ,qendra e saj ishte në fshatin Boriq me seli të xhandarmërisë ,me kishë dhe shkollë. (Zapisi, maj 1939, 304-305,; T. Trpić, “Nikola Musulin”, “Bratstvo”, XIV.4. F. M. Protić, nav. rad 5; I. S. Jastrebov, “Podaci za istoriju srpske crkve”, Beograd 1879, 180-181, 304-308.)

“ Vrrakasit gjatë shek.19 i takonin Parohisë së Shkodrës të mitropolisë së Rashkës dhe Prizrenit e cila i përfshinte të gjithë serbët (? Fxh) në tokat e sotme të Shqipërisë dhe nën juridikcionin e Kishës Pravosllave Serbe”. Pastaj vazhdohet:” Në vitin 1856 u themelua Konsullata Ruse në Shkodër e cila i mbronte interesat e popullatës serbe në Vilajetin e Shkodrës ( Sa zemërgjerë Perandoria Osmane e kohës!)
Serbët me dhembje ankohen për kohën e sundimit të Mbretit Zog Ata në fillim u këndellën ekonomikisht dhe lirisht i kryenin dhe i çfaqnin ndjenjat e tyre fetare . Fëmijët shkonin në shkollë dhe nësimin e vazhdonin në gjuhën e tyre amtare(?) serbe.

“Por kur Zogu ,rreth vit 1928 e pa veten të fortë në sundimin e tij , atëherë goditja e pare i qëlloi Vrraksit. Në mënyrë ultimative u që mesha dhe të gjitha shërbimet fetare si gjatë festave shpirtërore ,pagëzimi i fëmijve ,kurorëzimet e martesave dhe ceremonitë e varrimit të kryhen në gjuhën Shqipe si dhe marrja e kalendarit Gregorian si të gjithë ortodoksët tjerë që kisha Autoqefale Shqiptare e kishte pranuar. Në shkollën fillore të Vrrakës u fut gjuha shqipe. Prifti ortodoks Velisha Popoviqi ( nga Mali i Zi) u largua dhe erdhi udhëheqësi shpirtëror shqiptar” përfundon së ankuari simpoziumi i përmendur.(2013)

Miq dhe dashamirë, pse politikanët e Shqipërisë janë p…dha të vërteta ?

Fahri Xharra,13.09 21
( Gjakovë )

Angjelin Prelocaj …, vazhdim i rileximeve nostalgjike

0

Nga:  Bajram Sefaj, Prishtinë 

Rilexime nostalgjike (2) 

Edhe një kreacion i ri… 

 (i a. prelocajt )

 Paris, dhjetor 

Koreografi me origjinë shqiptare, z. Angjelin Prelocaj (emri i të cilit në frëngjishte shqiptohet Anxhele Prelzhokazh, duke pësuar kështu transformim të plotë!), është emër i njohur, i çmuar lartë dhe i admiruar fort, jo vetëm midis ithtarëve të artit skenik të baletit, por të një rrethi të artdashësve në përgjithësi. Para se të shënohet se spektakli i tij i fundit, pjesa e baletit modern “L`Anourre” (kreacion për njëmbëdhjetë valltarë) u shfaq me sukses të jashtëzakonshëm, ditë më parë në Teatrin Municipal Popullor në Paris, le të thuhet se Angjelin Prelocaj, ky ish valltar i shquar, sot është një nga koreografët më të njohur dhe më të çmuar të baletit bashkëkohës në botë. Teatrot e mbarë botës, skenat më të njohura e më ambicioze në botë, sikur janë në garë të përhershme për të angazhuar këtë mjeshtër – “hulumtuesin më të mirë të hapit në botë” – sikur e kanë pagëzuar me kohë kritikët autoritarë dhe njohësit e tjerë të artit të tij. Por duke qenë se, ky artist i falshëm me origjinë shqiptare, tani e disa vjet është pronar i trupës “Baletit Prelocaj”, që punon e krijon në Chateauvallon (afër Toulonit), këtyre ftesave e kërkesave u përgjigjet me “prodhime” të gatshme të përgatitura me trupën e vet të baletit, në të cilën janë të angazhuar më të mirët valltarë jo vetëm nga Franca por edhe më gjerë. Mjeshtrin e artistin Prelocaj, veprimtarinë e tij të frytshme, sukseset kulmore të tij në këtë botë artistike, angazhimet e tij praktike, por dhe vrojtimet e tij teorike e meditative mbi këtë art, do t`i njohim afër përmes një bisede të gjatë, enkas për lexuesit e gazetës sonë (bisedë kjo tanimë e “kontraktuar”!, prandaj, kësaj radhe, le të shënohet se spektakli koreografik “L`Anoure” (term zoologjik që ka të bëjë me një shtazë të egër, por që, nga ana tjetër, lidhet diku edhe me një kuptim dashurie!), ditë më parë u shfaq në Paris me sukses të jashtëzakonshëm. Si të tillë, këtë spektakël, publiku e pëlqeu shumë ndërkaq kritika autoritare parisiane, këtë kreacion të ri të Prelocajt e krahasoi me baletin legjendar “Liqeni i mjellmave”, duke nënvizuar se këtu fjala është për një tjetër liqen, atë bretkosave. Pra, për një shfaqje të re e moderne të baletit ashtu si Prelocaj di ta krijojë dhe ta interpretojë me trupën e tij, Baletin Prelocaj. 

(Rilindja, e shtunë, 9 dhjetor 1995) 

——————————  

Legjenda: Në faqen pesë, të botimit të katërt (sa ishin gjithsej!), të librit, me pak fletë e, me shumë vlerë, “Kushëriri i engjëjve” (Onufri, Tiranë – 2012), Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar me nam botëror, sjell këtë shënim sqarues: Sprova “Kushëriri i engjëjve është shkruar në Marbella të Spanjës, më 1991. 

“Kushëriri i engjëjve” përbën pjesën e parë të një libri të botuar nga Qendra e Baletit Europian, kushtuar balerinit dhe koreografit të madh francez me zanafillë shqiptare, Angjelin Prelocaj. Gjysma e dytë e librit përbëhet nga dialogu midis Prelocajt dhe Roman Polanskit, kineast i klasit botëror. 

Rrjedhë e pastër dhe e pasur mbresash udhëtimi

0

Nga: Skënder Zogaj, Fushë – Kosovë  

Bajram Sefaj:  PISHUN – (Portugali, Istri, Shqipëri, Ulqin, Nju Jork). SB “Faik Konica”, Prishtinë – 2021. 

Autor i një gjerdani të gjerë veprash letrare e publicistike, i mirënjohur sidomos për brezin e lexuesve të moshës mesme dhe të tretë, të cilët këtë krijues e kanë ndjekur që nga fillimet e tij, si gazetar e publicist, poet e shkrimtar, Bajram Sefaj, ka bërë emër veçmas me reportazhet e bukura nëpër revista e gazeta dhe në ekranin e vogël televiziv, ku ka lënë gjurmë të forta e të rëndësishme për historikun e krijimtarisë radiotelevizive të Kosovës, si njëri nga pionierët e këtij mediumi. Veçantia e shkrimeve publicistike të Bajram Sefajt është e theksuar në dy plane: estetik dhe etik, që realizohen në shembullin e modeleve më elitare të publicistikës shqipe, prandaj e ka të merituar epitetin e mjeshtrit prijatar. Është e rëndësishme të dihet se, në kulmin e angazhimeve krijuese, ndodhiqë regjimi i Millosheviqit të aplikonte masate dhunshme ndaj RTV të Prishtinës dhe të përjashtonte nga puna profesionistët më të mirë, ndër ta edhe Bajram Sefajn, i cili, për t’iu shmangur ndjekjes, arratiset në Francën e aseve botërore të lapsit, që ishte dhuratë e madhe për vazhdimin e jetës dhe të punës krijuese.  

*  

Ndonëse i arratisur nga halli, jeta në Paris për Bajram Sefajn është fatbardhësi, sepse vazhdon punën krijuese dhe realizon disa nga veprat e tij më të mira, ku bën pjesë edhe ky dorëshkrim me mbresa udhëtimi nga Portugalia, Istria, Shqipëria, Ulqini, Nju-Jorku. Me shkronjat e para të këtyre vendeve autori e ka sajuar titullin e librit “PISHUN”, që është një gjetje e thjeshtë, por e bukur, interesante dhe e veçantë, sikurse edhe përmbajtja e pesë kapitujve të librit. Kjo tregon se Bajram Sefaj është një mjeshtër i vërtetë i gjetjeve interesante të formës dhe përmbajtjes së krijimeve, një vrojtues i spikatur i veçantive dhe i trajtimit të tyre, që të gjitha shkrimet i karakterizon përkushtimi maksimal për mbresëlënie sa më efektive tek auditori. Kjo është shenja thelbësore autoriale në të gjitha llojet e shkrimeve. Duke lexuar dorëshkrimin “PISHUN” m’u kujtua një vjershë për fëmijë e Sefajt: “Letra e Donës nga Mareci” (“Rilindja për fëmijë” 22.08.1989, f. 4-5), e cila, ndonëse është një krijim artistik në vargje, mbrun elemente të udhëshkrimit: Dona shkruan letër nga fshati Marec dhe poeti sqaron: “Është ky fshat/ larg as ngat/ shtrihet lart/ shpat më shpat” dhe, në vazhdim, me gjithsej 8 fjalë, e jep  portretizimin e plotë të fshatit: “Therra, kaça/ kulumbri/ keca, edha/ dhe – shumë dhi”. Një përshkrim i plotëkuptimtë, mbresëlënës, për realitetin e fshatit. E theksuam këtë vjershë për të ilustruar pikëpamjen vetjake shkrimore të autorit, i cili di të fiksojë mbresën përmes faktesh të zgjedhura dhe domethënëse për temën që e trajton.  Prandaj, lexuesi kënaqet me rrjedhën e pastër e të pasur rrëfimtare dhe me përmbajtjen e angazhuar mësimore, që shijohet mirë dhe lehtë, pa pasur nevojë për kallauz!  

Këtë lexuesi do ta vërtetojë edhe me librin “PISHUN”, që hapet me mbresat nga Lisbona, aty ku lumi Tejo derdhet në Atlantik. Autori ka në shënjestër disa porte të këtij vendi. Pse portet? Sepse profesionisti me përvojë të gjatë dhe i pasionuar për t’i eksploruar atraksionet më karakteristike të botës që na rrethon, Portugalinë e zgjedh për dy arsye: të kaluarën pak të njohur historike portugeze dhe, e dyta, sepse ky vend ndër të parat shtete të Evropës e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Autori e nis udhëtimin në Porto, për të vazhduar në Lisbonë, kryeqytetin e poetit më të madh portugez Fernando Pessoa, që Bajrami i Prishtinës ia ndjek hijen: e nis ditën me kafenë e mëngjesit që e pi “gju më gju me Pessoan”, mu në lokalin ku poeti Pessoa dikur e pinte kafenë e mëngjesit! Zhbirimet e këtilla, jashtëzakonisht atraktive dhe kërshëruese, për lexuesin janë të panumërta, në çdo faqe të librit, që vërtet të impresionojnë, sepse, nga mbresat e Sefajt, lexuesi ndihet sikur është duke shëtitur nëpër Lisbonë dhe duke i parë me sy bukuritë dhe pasuritë madhështore materiale e shpirtërore portugeze. Interesimeve të Sefajt nuk i shpëton as prania e shqiptarëve në kryeqytetin e Portugalisë dhe gjen Fatmir Alijajn nga Dukagjini i Kosovës dhe Filomena Maria Martins Tavares da Silva, që përbëjnë një histori të jashtëzakonshme dashurie e jete nga më të rrallat, si në përralla, që Bajram Sefaj e tregon me mbresa impresive, që shpalosen si tregime të mirëfillta artistike. 

Kapitulli i dytë – Istria e Kroacisë, që autori e viziton përsëri, pas një çerek shekulli, por njësoj i entuziazmuar, sepse e lidhin mbresa të jashtëzakonshme të mëhershme, nga Kroacia e monumenteve të jashtëzakonshme, siç është në Dubrovnik fortesa Lovrijenac, mbi  portikun e së cilës shkëlqen thënia: “Non bese pro toto libertas venditur auro” (Për tërë arin e botës nuk shitet liria!”). Tri dekada më parë monumentet e Dubrovnikut Sefaj i quan “Drita e syve!” (“Rilindja” 18.08.1998, f. 11), ku bën pjesë edhe kulla tremijëvjeçare Vespazion, që është emblemë e Pulës, sepse amfiteatri i saj bën pjesë në bukuritë e rralla të botës dhe është e mirënjohur për Festivalin tradicional të filmit. Autori shkon në Pulë me rastin e 62-të të mbajtjes së Festivalit Pula 2015, të cilin e trajton me nostalgji, duke krahasuar rrjedhën e kohës dhe ndryshimet nga festivali i para 30 vjetëve, kur Sefaj me mbresat e tij joshte lexuesit e Kosovës, duke i informuar për bukuritë e rralla të arenës dhe ndodhive përrallore të manifestimit më të madh ballkaniktë filmit. Ndonëse koha ka ndryshuar, Istria mbetet e bukur dhe interesante, sikurse edhe e gjithë Kroacia, e cila, pas shkëputjes nga fede-rata jugosllave, i është rikthyer seriozisht traditës së vet autoktone.  

Pas qëndrimit përrallor, me kënaqësi të shumtadisaditore në Pulë, ku “çdo gur, çdo mur, çdo dru, çdo gjë është punë artistike’, mbresat ngatërrohen gjatë rrugës së kthimit, e cila autorit i del “dardhë me bisht” dhe heq të zitë e ullirit derisa arrin në Shkup e në Prishtinë. Autori e quan “udhëtim i keq, i mbrapsht, i mallkuar…”, dhe e përfundon shkrimin me rënkim: “Mos rëntë të harrohet, jarebi!”  

Kapitulli i tretë – ka të bëjë me Shqipërinë, ku Bajrami ka hyrë e ka dalë me qindra herë dhe në qindra mënyra, sikurse mijëra shqiptarë të tjerë para dhe gjatë luftës së Kosovës, që kanë shumë kujtime, nga më të çoroditurat, sepse Shqipëria e sapoçliruar nga diktatura e Enver Hoxhës, nuk po mund të çlirohej nga logjika e bunkerëve, nga ethet e  birucave të burgjeve dhe intrigat e burokracisë së ndryshkur administrative, keq të lënduar deri në thellësinë gjenetike. Sado që autori mundohet të jetë i kursyer, mbresat s’mund ta anashkalojnë realitetin e hidhur, kaosin e shoqërisë shqiptare, pakënaqësitë e qytetarëve të saj… Sefaj e ka zemrën plot helm, kur shikon nostalgjikët e diktatorit, që ende janë mjaftë të zhurmshëm, madje edhe në Ferizaj të Kosovës, mirëpo, kur flet me miqtë e tij, e ndryshon temën e bisedës dhe me fjalë të zjarrtashpreh mbresat e bukura për ndryshimet e dukshme infrastrukturore në gjithë Shqipërinë, e ndër to sidomos shpreh gëzimin e madh për Rrugën e Arbrit, Tiranë-Elbasan,  që kalohet për 20 minuta.  

Edhe me entuziast autori është kur flet për botën e librit, teatrin, filmin, operën dhe baletin shqiptar, që zotërojnë standarde të mirëfillta vlerash, që ngrohin shpresën e hedhjes në harre-së të epokës së bunkerëve. Sukseset kulturore ngjallin optimizëm, mirëpo agresiviteti politik, në anën tjetër, e ka të vështirë të jetojë pa sajim të problemeve dhe ballafaqime të ashpra. Këto Sefaj i thotë me skofiaritet, duke qeshë e duke ngjeshë, por me ndjenja të buta e qëllimmira, sepse e mban vëth në vesh, thënien e Ernest Koliqit: “Çdo shqiptar krijon nji Shqipni mbas qejfit të vet”. Prandaj në “Valixhen me libra” janë veprat e autorëve, pa dallim përkatësie politike, sepse Sefaj i do të gjithë njësoj, derisa ndonjëri syresh të mos e zhgënjejë artistikisht dhe ta nxjerrë nga valixhja. Por, kjo mund të ndodh tepër-tepër rrallë, sepse libri është si buka, vetëm kur myket, duhet të hidhet. Bajram Sefaj nga Shqipëria del gjithmonë me zemrën plot Shqipëri, dhe e ka shumë për qejfi Urën e MbretitZog, sepse i ka harqet të bukura…  

Kapitulli i katërt – i kushtohet Ulqinit, ku autori shkon me gëzim sepse, n‘Ulqin “dega e ullirit ka një mijë unaza” të Basri Qapriqit e shumë e shumë poetëve të tjerë, që ia kanë kushtuar vargjet më të mira këtij qyteti të lashtë e të rëndësishëm historik, që vazhdon të jetë kërthizë e margaritartë e shqiptarizmit, me emra të mëdhenj në të gjitha fushat e dijeve. Edhe në politikë, ku Bajram Sefaj jo rastësisht e zë goje Musa Ulqinin. Në fakt, Sefaj asgjë nuk thekson rastësisht, veçmas me gojën plot godet “Ko(r)bin e zi mbi Rumi”, që atje ndodhet me misionin e “serbizimit të majës së Rumisë nga KOS-i, që nuk ka epilog tjetër, pos dëshirës së flaktë të kësaj kishe, që t’i serbizojë shqiptarët e të dy konfesioneve që jetojnë në trojet e veta etnike në këtë anë të Malit të Zi”, e thotë troç Bajram Sefaj, për ta demaskuar çështjen e përdhosjes së bjeshkës së shenjtë të pelegrinazhit shpirtëror të botës shqiptare, nga ana e përhapësit të errësirës, mitropolitit Amfillohije Radoviq.  

Autori demaskon fuqishëm Kishën Ortodokse Serbe dhe vazhdon me arritjet dhe perspektivën optimiste zhvillimore të shqiptarëve të Malit të Zi dhe të Ulqinit, si qendra kryesore e shqiptarëve, të cilët, pas rrënimit të diktaturës komuniste, i janë rrekur punës seriozisht dhe gjasat janë për arritjen e sukseseve të dëshiruara, duke qenë se Ulqini është preokupim i të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, që shihet nga interesimi në rritje për pushimet verore në bregdetin e Ulqinit. Përmes faktesh konkrete dhe përshkrimesh të realitetit “Nga Ulqini deri në Bunë” jepet perspektiva e perlës turistike, Ishullit Ada, që është prekur nga uzurpuesit e ndryshëm, por që mbetet të shpresohet se dora e shtetit të shpallur ekologjik do t’i ruajë autonominë edhe kësaj pjese të shpallur park nacional.  

Gjithsesi që autori nuk mund të mos e kujtojë Oso Kukën e Lahutës së Malcisë: “Ka dalë fjala n’për Cetinë, se i’shkodran ka ra n’Vraninë, n’atë Vraninë po, n’atë rrazë suket, thonë ka ra i farë Oso Kuket…” 

Kapitulli pestë – ka të bëjë me mbresat nga vizita në Nju-Jork, që Bajram Sefaj e realizon me njëmbëdhjetë qasje, që ndërlidhen e gërshetohen dhe përmes mbresave me një artikulim jashtëzakonisht të ndërgjegjshëm, autori vë në spikamë gjëra që, askush deri më tash nuk i ka parë, ose i ka parë, por nuk i ka përjetuar si të tilla, ose-ose, i ka parë dhe i ka përjetua, por nuk ka ditur t’i paraqesë si Bajram Sefaj, që në shkrimet e tij nuk ka asgjë të rastësishme, nuk ka asgjë koti, që nga pika e presja e deri të fjala dhe periudha. Gjithçka është e sintetizuar në kuadër të intencës së tij tematike dhe qëllimit të përmbajtjes së shkruar, e cila shquhet për ca finesa krej-tësisht të holla e të lehta, mirëpo që vendosen sikur etiketa të hekurta, me ca fjalë të ngulituraforcërisht dhe me domethënie të pastër, siç është titulli i pjesës hyrëse të kapitullit të pestë: “Gjuha e Zotit”, ku autori e ka fjalën për gjuhën angleze, mosnjohja e  së cilës në Amerikë krijon vështirësi të mëdha që në hyrje, kur i nënshtrohesh kontrollit të sikletshëm doganor me sqarime të domosdoshme dhe kush nuk e njeh, ose siç thotë autori, së paku nuk e belbëzon gjuhën angleze, vaj halli për të. Autori nuk e di gjuhën e Zotit, mirëpo sikletin e kalon me ndihmën e Bobit, përkthyesit i cili qëllon që ta kuptonte frëngjishten e Sefajt dhe ia lehtëson hyrjen në qytetin Nju-Jork.   

Pas kësaj janë edhe nëntë nënkapituj mbresash, që titullohen: Taksi; Kosovë; Çatia e tagjia; Malli për miqtë; Adresar, dëshmitar; Libri-flitet për të; Mediat hynë në mikpritje; Broadway dhe S’erdhe, erdha. Të gjithë këta tituj përmbajnë mbresa të mëndafshta, që autori i shpreh me mjeshtëri të hollë rrëfyese, përmes impresionesh që syri i njeriut të rëndomtë nuk i vëren, e aq më pak di t’i shprehë me pasionin e Bajram Sefajt, që nga Nju-Jorku kthehet me një eksperiencë të re dhe, ndryshe nga ata që kanë thënë “Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, Sefajt i rrëshqet vargu dhe bindshëm thotë: “Mbahu Kosovë, e mos ki frikë, se ke gocat (çikat) n’Amerikë”. 

Mbresat autori i ka shumë të lumtura, sepse në vendin e mrekullive shikon  shqiptarët që janë pjesë e integruar shumë e rëndësishme e shoqërisë amerikane dhe gëzojnë konsideratë të çmueshme. Këtë autori dëshmon me dhjetëra emra e shembuj konkretë personalitetesh të shquara, djemve dhe vajzave shqiptare, me pozita e role të rëndësisë së jashtëzakonshme. Lexuesi do të ndihet i gëzuar për ta dhe si pjesë të tyre edhe për autorin e këtij libri të mirë e të bukur. 

(Prishtinë, 20 korrik 2021) 

“Ato që nuk u arritën me topa, do të arrihen me popa!”

1

Ali Mehmeti, 13 shtattor 2021 

Mbi çfarë parimesh po edukohet sot kombi serb?  

Flet Vuk Drashkoviq, prijës i Lëvizjes për Përtëritjen Serbe, ish ministër i punëve të jashtme në Republikën Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mali i Zi) dhe shkrimtar, që u shndërrua(?) nga një shovinist serb në një luftëtar të paqes dhe propagandues për përballje me krimet, në një intervistë dhënë televizionit boshnjak N1 me 8 shtator. Ai jep disa mendime interesante, edhe pse shumë i kufizuar dhe frikësuar sepse, siç e pranoi edhe vet, çdo ditë merë me dhjetëra kërcënime me jetë. Të përkujtojmë se mbi të u bënë dy atentate të pasuksesshme në kohën e Millosheviqit.  

Megjithatë, në lidhje me situatën në Serbi jep një tablo mjaft reale ku mes tjerash konstaton: 

“Në Serbi ka shumë njerëz që mendojnë se ato që nuk u arritën me topa do të arrihen me popa”, pastaj se “Formulimet rreth “botës serbe” po na kthejnë në kohën tragjike të viteve 90-ta”  

Gjithsesi pjesa më interesante është ajo ku flet mbi “shëndetin mendor” të popullit serb: 

“Thjesht, kombi serb është i helmuar. Helmimi i kombit serb, shkatërrimi i tij moral po vazhdon nga vitet e 90-ta dhe nuk ka ndaluar për asnjë minutë, asnjë sekondë. Shumica e popullit në Serbi është e indoktrinuar dhe helmuar, i është bërë lobotomia e tmerrshme (shpëlarje truri v.i.) nga shërbimet e sigurimit, UDB-së, propagandës së UDB-së, sidomos pas 5 tetorit të vitit 2000. Absurd. Shihni, në kohën e bombardimeve të Serbisë nga NATO, ne kemi pasur më shumë njerëz që janë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO se që i kemi sot. Edhe pse zyrtarisht Serbia është për anëtarësim në BE, edhe pse Serbia ka një bashkëpunim solid me NATO. Është  e nevojshme një ofensivë shpirtërore, intelektuale, propaganduese e cila nuk do zgjaste gjatë, por ne nuk kemi mediume të qasshme që të mund t’i drejtohemi Serbisë, t’ia sqarojmë, nuk kemi fuqi t’i hapim dosjet sekrete mbi krimet e shërbimeve sekrete dhe që popullin e Serbisë ta përballim me këto krime.  

Sikur t’ia shpalosnim popullit të vërtetën, sikur populli ta dinte të vërtetën, por e vërteta është e mbuluar, kanë lindur gjenerata të reja që nuk mbajnë mend vitet e 90-ta dhe të cilat i besojnë asaj që publikohet për çdo ditë me një stil të tmerrshëm, ndoshta me stil edhe më të tmerrshëm sesa stili që kanë përdorur mediumet e Millosheviqit në vitet e 90-ta, përralla mbi heronj serb, mbi fitore, mbi komplote botërore kundër serbëve, mbi kriminelët myslimanë, kroat dhe shqiptarë, mbi botën e keqe që i urren serbët sepse janë më të mirët dhe që në këtë botë vetëm nëna Rusi i do. Mbi këto parime po edukohet kombi”     

   

Në lidhje me situatën në Malin e Zi dhe fronëzimin e dhunshëm në Cetinje me 5 shtator, të mitropolitit të Malit të Zi dhe Bregdetit Joanikije, duke dashur ta amnistoj Serbinë dhe Vuçiqin, nga frika apo bindja, e akuzon Rusinë për ndërhyrje të drejtpërdrejt: 

“Në orën 23 të katër shtatorit mediumet lajmërojnë që fronëzim të dhunshëm në Cetinjë nuk do të ketë. Gjatë natës ka ardhur një presion i fuqishëm nga një vend i fuqishëm, që sipas meje nuk është Beogradi, por sipas të gjitha gjasave edhe vet Beogradi ka qenë i ekspozuar këtyre presioneve” cili është ai vend? – ndërhynë gazetari “Por shihni, Kryetari i Qeverisë së MZ bie vendim që me forcë të shkohet në Cetinje, në momentin kur ka përkrahje të pa rezervë të bllokut prorus brenda Kuvendit malazez, nuk po them bllokut  proserb, sepse prijësit e këtij blloku prorus para dy viteve kur Putini ishte në Beograd dhe i pranoi në takim, publikisht kanë deklaruar se shteti amë për serbet e Malit të Zi është Rusia, jo Serbia, kurse kryetari i tyre nuk është Vuçiqi as Gjukanoviqi, por Putini”  

Kur nuk bëhët dallimi i shtetit nga regjimet

0

Skënder MULLIQI

Nuk u kuptua më kohë dallimi i shtetit nga regjimet, dhe kjo e vështirësojë shumë punën në konsolidimin e tij.Mund edhe të jam gabim, por më duket mua së në këtë pikëpamje kan ndikuar edhe ideologjitë, që është e pa pranushme, kur dihet së është koha e sistemit shumë partiak pluralist.Të pranojmë së shtetin sipas kutit të tyre e ndërtojë elita politike 20 vjeqare në pushtet.Ky pushtet u privatizua , duke bërë ndarjën në qytetarë të rendit të parë dhe në qytetarë të rendit të dytë! Patëm disa figura kontraverse politike të cilat , nuk u treguan shumë të sinqerta , duke ia mundësuar një kategorie shoqërore që të jetojnë në nivel shumë të lartë, në krahasim më shumicën që po jetojnë dobët!

E përdorën mirë si levë politike patriotzimin për ti arritë objektivat e tyre karrieriste jo parimore për pushtet apsolut.Ky diskurs politikë atyre ju solli primate shoqërore dhe politike për një kohë të gjatë.Sjellja më shumë arshina karshi interesave shtetërore , bëri që të kemi gjendje te keqe politike , institucionale dhe gjendje gjithnjë e më të rëndë ekonomike dhe sociale.Kjo ishte sikur e qëllon dike më plumb për vdekje .Ishin një mori faktorësh të cilët bënë që marrdhënjët shoqërore dhe politike të marrin më shumë kahe negative së sa pozitive . Nese kthehemi pak në retrospektivë , regjimet të cilat u ndërruan por në fakt mbetën më figura të njejta politike, i zvetnuan shumë institucionet e shtetit . Kosova po ngjanë më shumë në klub. Kjo strategji e regjimeve të vjetra prodhuan radhazi shumë të liga .

Duket së më pushtetin e ri ka filluar eliminimi edhe pse I ngadaltë i tyre. Duhet të gjithë të kemi ndijesi më të madhe për shtet dhe për kultivimin e vlerave të interesit nacional. Është imediate ndërrimi strategjisë për ti arritur objektivat e dëshiruara të krijimit të shtetit ligjor dhe demokratik, të inkuadruar në strukturën e BE-së.Të krijohet një kamp i forcave progresive politike, të cilat do të hapnin përspektiva të reja zhvillimore në Kosovë. Të fillojmë të gjithë së bahku më në fund të merremi vesh si njerëz , së kjo do të ishte në të mirën e shtetit të Kosovës…