Kreu Blog Faqe 165

Zbulohën planet e fshehta ”politike” të opozitës në Kosovë!

1
Ismet M. Hasani, Suedi
Pak politikë
Kriza politike në Kosovë dhe dështimi i vazhdueshëm për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit tregojnë një mungesë serioze të pjekurisë politike dhe të aftësisë për kompromis mes partive, duke krijuar një situatë që mund të përsëritet edhe pas zgjedhjeve të reja pa sjellë ndryshime thelbësore.(autori)
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, gjatë një takimi të zhvilluar të hënën, i cili ishte pritur me interes të madh nga opinioni publik dhe faktorët politikë në vend.
Ky takim konsiderohej si një mundësi e rëndësishme për të tejkaluar dallimet mes dy subjekteve dhe për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje që do të stabilizonte situatën politike.
Pavarësisht diskutimeve të gjata dhe shkëmbimit të qëndrimeve mes përfaqësuesve të të dyja palëve, nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete që do të siguronte konsensus për kreun e ri të shtetit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional.
Burime brenda takimit bëjnë të ditur se dallimet kanë qenë të thella, veçanërisht rreth emrave të propozuar dhe mënyrës së arritjes së një kompromisi të pranueshëm për të dyja palët.
Mungesa e një marrëveshjeje rrezikon të thellojë më tej krizën politike dhe të vonojë proceset e rëndësishme institucionale në vend.
Image
      Prof. Universitar – Enver Bytyçi
 Me zgjedhje nuk mund të zgjidhet kriza e zgjedhjes së presidentit të vendit
Profesori thekson se kriza politike në Kosovë dhe dështimi i vazhdueshëm për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit tregojnë një mungesë serioze të pjekurisë politike dhe të aftësisë për kompromis mes partive, duke krijuar një situatë që mund të përsëritet edhe pas zgjedhjeve të reja pa sjellë ndryshime thelbësore.
Kjo gjendje jo vetëm që bllokon funksionimin normal të institucioneve, por gjithashtu dëmton rëndë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke u dhënë argumente kundërshtarëve të saj dhe duke i vënë në pozitë të vështirë aleatët që përpiqen ta mbështesin dhe ta promovojnë njohjen e saj.
Pas një maratone takimesh, më së shumti me Lumir Abdixhikun dhe më pak me Bedri Hamzën, kreu u mazhorancës në Kosovë, pra Albin Kurti, deklaroi se bisedimet për emrin e presidentit të ardhshëm me këto dy parti opozitare nuk kanë shkuar mirë dhe se vendi përgatitet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Edhe Kurti e pranon se këto zgjedhje nuk sjellin ndonjë zhvillim të ri elekroral e politik, ndaj dhe nuk mund ta zgjidhin krizën e zgjedhjes së presidentit të vendit. Që do të thotë se kjo histori e bisedimeve pa marrëveshje mund të përsëritet pafund.
Çfarë do të thotë që psh edhe pas zgjedhjeve të tjera të parakohshme rezultati zgjedhor të jetë i njëjtë ose i përafërt me atë të sotmin dhe për pasojë të dështojnë sërishmi bisedimet për zgjedhjet e kreut të shtetit? Çfarë do të thotë edhe dështimi i këtyre bisedimeve sot? Do të thotë paaftësi e klasës politike në Kosovë për t’u vetëqeverisur. Këtë lexim nuk do ta bëjnë vetëm dashkëqinjtë e Kosovës, por edhe miqtë e saj. Miqtë dhe aleatët e Kosovës do të ndjehen të turpëruar, sepse vetë shqiptarët po ia japin shansin Serbisë t’u thotë atyre: – E shihni! A nuk ju thamë se Kosova nuk mund të vetëqeveriset, sepse shqiptarët nuk janë të përgatiitur për këtë? A ju thamë ne prej Pashishiqit e këtej se Kosova dhe shqiptarët në Kosovës kanë nevojë për “kujdestarinë tonë”?!
Këtë lexim nuk e bëjnë vetëm politikanët në Kosovë, ndërkohë që kjo ndjehet gjithandej, sidomos te vendet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Këto vende po kundërshtojnë njohjen edhe në ditët e sotme duke u bazuar pikërisht në këtë situatë të krijuar në Kosovë prej më shumë se një viti. Prandaj dhe miqtë e Kosovës po e kanë të vështirë të gjejnë argumente të pakundërshtueshme për njohjen e Kosovës nga mos-njohësit e saj. Politika në Kosovë ndërkohë bën leximin e saj. Abdixhiku dhe Hamza thonë se “Albini dhe mazhoranca e tij janë fajtorë për bllokadën që bëhet për zgjedhjen e presidentit”! Sipas tyre nuk i takon mazhorancës zgjedhja e kreut të shtetit. Madje shkojnë në akuzën se “Mazhoranca dëshiron t’ë kontrollojë të gjitha pushtetet”.
 
Albin Kurti nuk lëshon pé
 
Duke vazhduar bisedën prof. Bytyçi thotë se Kurti ka treguar gatishmëri për kompromis duke ofruar poste për opozitën, por insiston që posti i presidentit t’i takojë mazhorancës si një e drejtë që vjen nga vota e qytetarëve, ndërsa kërkesa e opozitës për ta marrë këtë post përmes presionit shihet si jo e drejtë.
Nga ana tjetër, profesori nënkupton se opozita synon të kontrollojë presidentin për të ndikuar ose bllokuar qeverinë, duke e përdorur këtë si mjet për rikthim në pushtet.
Megjithatë Kurti ka lëshuar pushtet në këto bisedime. Ia ka ofruar Lidhjes Demokratike ose edhe PDK-së, katër ministri, pozicionin e kreut të parlamentit si edhe atë të zv. kryeministrit. Kjo do të thotë se Kurti dëshiron bashkëqeverisje, nuk dëshiron t’i ushtrojë vetë “të gjitha pushtetet”. Por ai dëshiron që postin e presidentit ta ketë vetë, sepse për këtë është mandatuar nga sovrani. Në fund të fundit kjo është krejt normale, nëse kemi parasysh se edhe në vende të tjera demokratike, si në Gjermani, është zbatuar si kriter. A mundet që Albin Kurti t’ia japë njërës prej këtyre dy partive opozitare postin e presidentit. Edhe mundet! Por nuk është e drejtë që opozita t’ia imponojë këtë përmes bojkotit. Pse opozita nuk jep propozime emrash, me qëllim që ta vendosë Kurtin para përgjegjësisë morale e politike, nëse dështon zgjedhja e presidentit?! Pse psh Partia Demokratike e Kosovës nuk e mbështet dhe nuk e jep emrin e akademik Arsim Bajrami, i cili u vetëofrua për postin e kreut të shtetit? Ose pse Abdixhiku nuk del e thotë: – Po, ne jemi dakord që Vjosa Osmani ta ketë edhe një mandat të dytë?!
Sepse pjesa e korruptuar dhe ekstreme e PDK-së nuk e kontrollon dot Arsim Bajramin, edhe pse ai ka qenë tri herë ministër i kësaj partie. Sepse Lumiri nuk ka besim te Vjosa Osmani! Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se LDK dhe PDK duan president, të cilin e kontrollojnë ata. Duan që këtë metodë imponuese për Kurtin ta përdorin përmes kreut të shtetit. Duan që ta bllokojnë qeverisjen e vendit me një president ideologjik që vepron sipas interesave të partisë dhe jo interesave të Kosovës. Shkurt, duahn dështimin e qeverisjes së sotme dhe rikthimin në pushtet me metoda gati puçiste”, shpjegon tutje profesori.
Në fund Bytyçi përfundon se vendi mund të shkojë në zgjedhje për shkak të moskompromiseve, por përgjegjësia nuk është vetëm e një pale dhe qytetarët priren të fajësojnë më shumë opozitën dhe thekson se pa vendosur interesin e shtetit mbi pushtetin, kriza nuk zgjidhet as me zgjedhje.
“Albin Kurti i lexon të tilla qëndrime. Për pasojë “nuk lëshon pe”! Por duke mos lëshuar pe, Kosova shkon sërishmi në zgjedhje të reja. Kush do ta mbartë përgjegjësinë për këtë? Përgjegjësia nuk është dru që i përket njërës ose tjetrës palë. Eshtë diçka abstrakte dhe përceptohet te qytetarët sipas argumentit që përdorin palët. Në këtë rast sërishmi argumenti do të shkojë në favor të mazhorancës. Që do të thotë se qytetarët e Kosovës në shumicë do të fajësojnë dy partitë opozitare më të mëdha, pasiqë me AAK-në nuk ka patur asnjë tentativë për këto bisedime. Nëse politika i bën llogaritë në interes të Kosovës, ka ende kohë për zgjidhje. Deri në minutën e fundit. Nëse i bën këto llogari në interes të liftës për pushtet duke e dëmtuar imazhin e vendit të vet, atëherë zgjidhje duket se nuk ka, përveçse zgjedhjeve, të cilat edhe ato nuk jano e nuk mund të jenë zgjidhje”, përfundoi profesori universitar Enver Bytyçi.
Shënoi: IMH

Mathieu Aref rreth asaj se si disa Shqiptarë po merren me «plagiaturë», domethënë, kopjojnë atë që them dhe shkruaj pa më cituar

1
Jam i hidhëruar (konsternuar) kur shoh se disa Shqiptarë (JO të huaj) po merren me « PLAGIATURË », domethënë, KOPJOJNË atë që them dhe shkruaj pa cituar autorin, Mathieu Aref. Ata padyshim bëjnë të njëjtën gjë për shkencëtarë ose shkrimtarë të tjerë pa cituar burimet e tyre… thjesht për të përvetësuar « fjalët, shprehjet, tekstet, idetë, datat ose çdo gjë tjetër » që nuk gjendet në tekste nga shkolla, universitete, enciklopedi, inteligjencë artificiale ose kudo tjetër… TË CILAT JANË RREPTËSISHT TË MIAT dhe që më morën mbi 50 vjet punë të palodhur dhe të pamëshirshme, djersë, netë pa gjumë dhe një tezë të paraqitur në Sorbonë. Si mund t’i përshkruajë të gjitha ata Hajdutë ? Vjedhje, tradhti, një ego i tepruar, pandershmëri, xhelozi, mungesë respekti dhe edukimi, apo, së fundmi, « mbivlerësim i vetes » në mënyrë që të mos ngatërrohen me atë që janë në të vërtetë ?!
Kjo nuk ka të bëjë fare me pretendime apo lavdi personale, por për shkak të gjithçkaje që sapo thashë, dhe për më tepër, për shkak të punës së stërholluar në Parahistori, Pelazgologji, Histori të lashtë, Gjuhësi, Antropologji, Etnologji… ose thjesht « Quae Sunt Caesaris, Caesaris » , që do të thotë « Jepjani Cezarit gjërat që janë të Cezarit ! ». Romakët ishin sigurisht në dijeni të këtij problemi vjedhjeje !
Kjo përbën një shkelje të pronësisë intelektuale dhe të drejtës së autorit : « çdo përfaqësim ose riprodhim i plotë ose i pjesshëm pa pëlqimin e krijuesit ose pasardhësve të tij në titull është i ndaluar dhe i paligjshëm ». Është i dënueshëm sipas organeve zyrtare dhe ligjore të të gjitha shteteve demokratike dhe të lirë (në Francë, “Kodi Penal i Pronësisë Intelektuale”, nenet L335-1 deri në L335-9; L711-2, L716-9) dhe organeve ndërkombëtare (WIPO, etj). Kjo mund të marrë format e mëposhtme :
• Kopjimi fjalë për fjalë i një dorëshkrimi (libër, revistë shkencore, faqe interneti, Facebooku,…) të riprodhuar fjalë për fjalë ose në një mënyrë të shtrembur.
• Përdorimi i tekstit, fjalisë, fjalës, datës ose idesë së një shkrimtari pa përmendur burimet e tij (emri i autorit dhe titulli i veprës…).
• Vendosja e imazheve, grafikëve dhe materialeve të tjera nga burime të jashtme pa i dhënë kredi krijuesit.
• Përmbledhja e idesë së një autori me fjalët e veta, por pa treguar burimin.
• Përkthimi i një teksti pa përmendur origjinën e tij (emri i autorit ose burime të tjera).
• Përdorimi i veprës së një personi tjetër dhe paraqitja e saj si e vetja, edhe nqs është me leje, etj.
Çfarë duhet të bëj ? A duhet të merrem me avokatin tim për t’u kujdesuar këtij problemi ? Sikur thonë anglezët « Wait an see » !
Français
Je suis consterné de constater que de nombreux Albanais (et TRES PEU d’étrangers) font des « PLAGIATS » c’est-à-dire COPIENT ce que je dis et écrits sans citer l’auteur Mathieu Aref, ils le font sans doute pour d’autres scientifiques ou écrivains sans citer leurs sources…pour simplement s’approprier « les mots , les expressions, les textes, les idées, les dates ou tout ce que l’on ne sait pas dans les textes des écoles, des universités, des encyclopédies, de l’IA , ni partout ailleurs…et QUI ME SONT STRICTEMENT PROPRES et qui m’ont pris plus de 50 ans de travail assidu et acharné, des sueurs, des nuits blanches et une thèse soumise à la Sorbonne. Comment peut-on qualifier tout cela ? De vol, de trahison, d’un ego surdimensionné, de malhonnêteté, de jalousie, de manque de respect et d’éducation ou, enfin, de « surestimation de soi-même » pour qu’on ne puisse pas les prendre pour ce qu’ils ne sont pas véritablement ?!
Ce n’est absolument pas par prétention ni pour la gloire mais c’est en raison de tout ce que je viens de dire et de surcroit en raison d’un travail affiné « de Préhistoire, de Pélasgologie, d’Histoire, de Linguistique, d’Anthropologie, d’Ethnologie…ou tout simplement « Quae Sunt Caesaris, Caesaris », c’est-à-dire « Rendre à César ce qui lui appartient » » ! Les Romains connaissaient déjà ce vice.
Il s’agit d’une violation de la propriété intellectuelle et des droits d’auteur : toute représentation ou reproduction intégrale ou partielle sans le consentement du créateur ou ses ayants droit est interdite et illicite. Il est condamnable par les instances officielles et juridiques de tous les Etats dignes de ce nom (en France « Code pénal de la propriété intellectuelle » Articles L335-1 à L335-9 ; L711-2, L716-9) et des instances internationales (OMPI). Il peut prendre formes suivantes :
• Copie textuelle d’un manuscrit (livre, revue scientifique, page web) reproduit mot pour mot.
• Reprendre le texte, la phrase, le mot, la date ou l’idée d’un écrivain sans mentionner ses sources (nom de l’auteur et titre de l’ouvrage).
• Insertion d’images, graphiques, et autres provenant de sources externes sans créditer le créateur.
• Résumé de l’idée d’un auteur avec ses propres mots, mais sans en indiquer la source.
• Traduction d’un texte sans mentionner la provenance (nom de l’auteur ou autres sources).
• Usage du travail d’une autre personne et présentation de ce travail comme le sien, même avec accord, etc.
Que dois-je faire ? Appeler mon avocat pour qu’il s’en occupe ? Wait and see !

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli

(Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha grave që përballuan burgjet dhe internimet e diktaturës komuniste)

Ndarja nga jeta e Klora Mirakaj Merlikës disa ditë më parë në moshën 93-vjeçare, rikthen në vëmendje një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë shqiptare: fatin e grave në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Jeta e saj, me plot 47 vite të kaluara në burgje dhe internime, përfshirë edhe kampin famëkeq të Tepelenës, është një dëshmi e gjallë e një realiteti që nuk duhet harruar.

Gratë shqiptare nën diktaturën komuniste përjetuan një dhunë të shumëfishtë — jo vetëm si kundërshtare të regjimit, por edhe si nëna, bashkëshorte dhe bija të familjeve të shpallura “reakcionare”, “armike”, e lloj-lloj eptitetesh tjera. Në burgje dhe kampe internimi, ato u përballën me kushte çnjerëzore jetese: uri të vazhdueshme, mungesë të theksuar të kujdesit shëndetësor dhe punë të detyruar në kushte ekstreme. Jeta e tyre reduktohej në një luftë të përditshme për mbijetesë.

Por vuajtja e grave kishte një dimension edhe më të thellë. Ato u nënshtruan poshtërimeve sistematike, kontrollit trupor degradues dhe presioneve të vazhdueshme për të mohuar bindjet apo familjet e tyre. Në shumë raste, ato përjetuan edhe forma të rënda dhune psikologjike, duke jetuar nën frikë dhe pasiguri të përhershme. Një nga plagët më të mëdha mbetet drama e nënave. Shumë gra lindën në internim, pa asnjë kusht minimal, ndërsa fëmijët e tyre u rritën mes varfërisë ekstreme, sëmundjeve, vdekjeve të foshnjave dhe mungesës së çdo përkujdesjeje minimale njerëzore. Sipas dëshmive të të mbijetuarave, fenrat vepçanërsiht përballeshsn me poshtërim dhe çnjerëzime të papërshkruashme, trajtoheshin me një brutalitet të veçantë: kontroll trupor poshtërues dhe dhunë psikologjike, kërcënime dhe presion për të mohuar familjen apo bindjet poltike ose fetare dhe në disa raste, fatkeqsisht, edhe abuzime dhe shfrytëzim seksual nga rojet e kampit ose oficerë të Sigurimit të Shtetit.  Ka histori nënash që nuk arritën kurrë t’i shihnin më fëmijët e tyre–një tragjedi e heshtur që rëndon ende mbi ndërgjegjen kolektive të të politikës dhe shoqërisë shqiptare, që, kokëfortsisht dhe paturpësisht,  ende refuzon të kthej kokën mbrapa e të pyes veten se si shqiptari mund të kryente krime të tilla kundër shqiptarit/shqiptares?

Megjithatë, në këtë terr të thellë, gratë shqiptare, si Klora Mirakaj-Merlika, dëshmuan një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Ato mbështetën njëra-tjetrën, ruajtën dinjitetin dhe, mbi të gjitha, refuzuan të dorëzoheshin përballë një sistemi çnjerzor që synonte t’i shkatërronte ato moralisht dhe fizikisht. Megjithkëtë, qëndresa e tyre ishte e heshtur, por e pathyeshme.  Klora Mirakaj Merlika mbetet simbol i kësaj qëndrese të heshtur, një dëshmi e gjallë e forcës së gruas shqiptare përballë padrejtësisë dhe terrorit shtetëror.

Sot, kur dëshmitarë të tillë si Klora Mirakaj Merlika po largohen nga kjo botë, përgjegjësia për të kujtuar dhe për të treguar historinë e tyre bëhet edhe më e madhe.  Sepse kujtesa nuk është vetëm nderim për të shkuarën, por edhe garanci që padrejtësi të tilla të mos përsëriten më kurrë. Por klasa politike “post-komuniste” 35-vjeçare në Shqipëri duket se ka vendosur që të vdesin edhe ata pak ish-të burgosur e të përndjekur nga komunizmi, që për fatin e tyre kanë mbijetuar barbarizmat e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. ttps://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-nuk-mund-te-hesht-per-krimet-e-komunizmit/

Përballimi i shtetit shqiptar me të kaluarën komuniste dhe,  veçanërisht, me trashëgiminë e krimeve të komunizmit ka qenë i pjesshëm dhe shpesh i ngadaltë, ose më mire të themi ko-ekzistent, sidomos në krahasim me vende të tjera ish-komuniste. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf

Pas rënies së regjimit të Enver Hoxha, pati disa hapa simbolikë, si hapja e dosjeve në mënyrë të kufizuar, dënime të disa figurave të larta të regjimit dhe krijimi i institucioneve si Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Megjithatë, shumë kritikë theksojnë se këto masa nuk kanë qenë as nuk janë aspak të mjaftueshme.  Për familjet e persekutuara shqiptare — si Mirakaj, Merlika dhe mijëra të tjera –mungesa e një ballafaqimi të plotë me krimet e komunizmit dhe të kaluarën e diktaturës komuniste, nënkupton jo vetëm mungesë drejtësie, por edhe mungesë njohjeje të plotë të vuajtjeve të tyre. Kujtesa historike shpesh mbetet e fragmentuar dhe e debatueshme në shoqëri.  Çështja nuk është vetëm historike, por edhe morale dhe institucionale e që kërkon një përgjigje zyrtare të shtetit shqiptar: sa është shoqëria shqiptare e gatshme, politikisht, moralisht dhe kombëtarisht të përballet me të kaluarën e saj komuniste, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë shqiptarët, pa dallim?

Me dhimbje dhe respekt të thellë, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për kalimin në amshim të Klora Mirakaj-Merlika dhe për të gjitha familjet e persekutuara nga regjimi komunist. Kujtimi i vuajtjeve, sakrificave dhe qëndresës së tyre mbetet pjesë e ndërgjegjes kombëtare. Ato familje përballuan padrejtësi të mëdha, por ruajtën dinjitetin, besimin dhe identitetin shqiptar në kohë, shumë të errëta.  Natyrisht se në këtë moment ndarjeje nga jeta të të dashurve të tyre, dhimbja bëhet edhe më e madhe, por edhe më e fortë mbetet trashëgimia morale që ata kanë lënë pas — një thirrje për të kujtuar me qëllim për të mos harruar dhe për të vlerësuar lirinë dhe demokracinë, sado të brishtë të Shqipërisë së tranzicionit të pafund.

Klora Mirakaj Merlika mbetet simbol i kësaj qëndrese të heshtur, një dëshmi e gjallë e forcës së gruas shqiptare përballë padrejtësisë dhe terrorit shtetëror.  I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Lavdi Klora Mirakaj-Merlika dhe të gjitha grave të internuara nga komunizmi barbar gjysëm shekullor në trojet shqiptare.

Me ngushellime për familjet e persekutuara nga komunizmi, Mirakaj dhe Merlika!

Shënim!

Fotot janë marrë nga faqja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) 

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

0

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale, miratoi një Rezolutë për shqiptarët Autokton, që jetojnë në trojet e veta në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Kosova me këtë Rezolutë, në raport me Serbinë, do të ia lehtësojë në bisedimet që do të zhvillohen, dhe është një Reciprocite, që do të duhej të vlejë  ku të gjithë të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzojn pakica Serbe në Kosovë, do të duhej së paku që të njëjtat të drejta t’i gëzojnë edhe shqiptarët etnik  në Preshevë, Medvegj dhe Bujanoc.

Kjo rezolutë, me propozimin e paraqitur disa ditë më parë, me arsyetimin e bazuar, e adresuar Kryeminstrit Albin Kurti, Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe Arbërie Nagavci, Shefe e Grupit  të LVV, si Grupi më i madh Parlamentar  në këtë Legjislatur.

Më vjen mirë që propozimi i adresuar është përkrahur plotësisht, edhe nga subjektet tjera të kësaj Legjislature.

Si propozues, dhe si pjesëmarrës në seancën e rregulltë, në pikën që është diskutuar dhe miratuar kjo Rezolutë, vlen të përshendetët.

Miratimi tregon dhe paraqet një akt se Republika e Kosovës, edhe më tej do të vazhdon të afroj mbështetje, angazhim e përkushtim duke investuar në projekte tjera për shqiptarët e kësaj Krahine.

Jam tejet falenderues që propozimi im tanimë Rezolut e miratuar…! 

Prishtinë,datë 24 prill 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 73 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, salla plenare e Parlamentit, seanca e rregullt-diskutuar dhe miratuar sipas pikës 13-të nga rendi punës të Legjislaturës së 10-të.

https://www.facebook.com/share/p/1GqiTot7vi/

*Fillimisht propozimi mbi Rezolutën me shkrim i adresuar me arsyetim të bazuar, më 20 korrik 2022, drejtuar instancës  më të lartë të Republikës së Kosovës, pastaj propozimi mbi miratimin e Rezolutës i përsëritur me shkrim si  adresim me arsyetim të bazuar, më 12 prill  2026, drejtuar instancës  më të lartë të Republikës së Kosovës, për shqiptarët Etnik-Autokton, që jetojnë në trojet e veta në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për caktimin e një pike të posaqme nga Parlamenti i Kosovës, dhe pas  draftimit dhe shqyrtimin përmesë diskutimit, në miratimin e një-Rezolute për avancimin e përkujdesjes institucionale. Rezoluta e propozuar është miratuar, datë 24 prill 2026.

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

0

Gani I. Mehmeti

(A.P / 25 April 2026 – 17:34, Kosova Sot Online)

Aleksander Vucic, në Konferencën Globale të Politikës ka folur për fuqitë e mëdha, SHBA-në dhe Kinën, dhe për atë se ku është Evropa në raport me to sa i përket zhvillimit të teknologjisë dhe aspekteve të tjera.

Ai këtu flet edhe për Kosovën dhe mospajtimin e tij me botën.

“Për shkak të mohimit të shkeljes së integritetit territorial të Serbisë, arrijmë në papajtueshmërinë tonë me politikën botërore”. – thotë Vuçiq, duke aluduar për Kosovën si pjesë të Serbisë! Sikur ka harruar ky Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, prej së cilës vetë Serbia ka kërkuar gjykimin. Dhe, disi, është shumë e pakuptueshme sesi nuk marrin vesh serbët, se është  e drejtë e Kosovës të jetë e lirë, e pavarur, të jetë shtet. Si nuk mendon fare Vuçiqi se Kosova ka qenë vetëm si e pushtuar “pjesë e Serbisë”, dhe nuk ka qenë asnjëjherë pjesë e saj. Edhe shtete të tjera të mëdha e të forta kanë pasur koloni, por ato janë lënë të lira. Mandej, që kur ka dhënë Vendimin e vet GJND-ja, Serbia është dashur ta njohë Kosovën të lirë, për çka edhe e kanë njohur afër 2/3 e shteteve në botë.

“Dikush duhet të krijojë mundësi dhe mundësi për popullin serb dhe dikush duhet ta kuptojë pozicionin tonë”. – vazhdon Vuçiq. Këtu mbetet të analizohet se çfarë kërkon ky shovenist gjenocidal se çfarë duhet të krijojë për popullin serb, i cili, është plotësisht i shtrirë në tokat shqiptare, dhe nëse nisemi nga pozicioni serb, vetëm duhet t’i thuhet se duhet ta pranojë njohjen e Kosovës, që edhe ajo  (Serbia) të jetë e lirë.

“Duhet të punojmë për zgjidhjen e problemit.  Na duhen vendime të guximshme, përndryshe do të luftojmë dhe nuk do të arrijmë asgjë”, ka thënë Vuçiq. Sipas tij, u duhen vendime të guximshme, çka do të thotë e  të kuptohet për njoihjen e Kosovës, ose për zgjidhjen e problemit të Kosovës, duhet të luftohet, por këtu është i vetëdijshëm se nuk do të arrihet asgjë!

Nuk bëhet i sinqertë dhe të pranojë se ajo bota, me të cilën sot nuk pajtohet, Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, ia kishte dhënë Serbisë që nga shekulli XIX e sidomos nga viti 1878 e 1912. Për çka Europa dhe Bota vetëm se e ka bërë një  korrigjim ndaj shumë gabimeve ndaj shqiptarëve.

Bllokim të deputetevë në Kuvend deri në zgjedhjen e Presidentit!

0

Florim Zeqa

Në demokraci sovrani (populli) është forca mbrojtëse e shtetit dhe avangarda e ndryshimeve pozitive përmes veprimeve ligjore dhe demokratike. Të zgjedhurit e popullit duhet të jenë zëri i qytetarëve në Kuvend! Mirëpo kur të zgjedhurit e popullit shndërrohen në pengje të liderëve partiakë dhe nuk përfillin interesin e shtetit dhe të qytetarëve, atëherë populli duhet të mobilizohet për të dalë në mbrojtje të instuitucioneve shtetërore!

Çka mund të bëjë populli?!

Në demokraci populli mund të bëjë shumë, pasi është forca dhe është mbi të gjitha partitë politike, e ka të drejtën legjitime të ushtrimit të presionit ndaj të zgjedhurve të vet kur ata e lëshojnë ‘rrugën e Zotit’!

Në të kundërtën, mos reagimi i popullit ndaj politikanëve që shpërdorojnë vullnetin e qytetarëve është heqje dorë nga shtetndërtimi dhe sovraniteti!

Mos interesimin e popullit për t’i mbrojtur institucionet e shtetit nga rrënimi dhe demokracinë nga abuzimi, politikanët e papërgjegjshëm janë duke e shfrytëzuar maksimalisht heshtjen e qytetarëve karrshi lojrave të ndyra për pushtet!

Një popull që heqë dorë nga interesi i shtetit i harron të gjitha mjetet demokratike për mbrojtjen e shtetit siq janë: protestat dhe demonstratat, bojkoti dhe padëgjueshmëria qytetare e deri tek bllokimi i institucioneve shtetërore, ai kthehet në servil i politikanëve!

Duke e njohur mirë shpirtin liridashësh së popullit tim, rezistencën e gjatë titanike për çlirim dhe luftën heroike kundër pushtuesve serbë, kam besim të plotë se kësaj radhe nuk do të rrijnë duarkryq, por do të veprojnë në mbrojtjen e shtetit.

Bllokimi i deputetëve në Kuvend më 28 Prill deri në zgjedhjen e Presidentit të ri duhet t’iu jepë fund lojrave të ndyra politike, ofertave të pasinqerta dhe refuzimeve abuzive të liderëve partiakë, të cilët po sillen sikur Kosova të ishte pronë private e tyre e jo shtëpi e të gjithë qytetarëve të devotshëm të këtij vendi!

Ftesë publike qytetarëve dhe gardianëve të shtetit (policëve dhe ushtarëve)

Të dashur vëllezër dhe motra, qytetarë të zakonshëm dhe të uniformuar, intelektual dhe punëtor, mjek dhe profesor, artist dhe krijues letrar, me 28 Prill 2026 bashkohuni si një trupë e vetme para Kuvendit të Kosovës për të ndihmuar institucionet dhe për të mbrojtur ekzistencën e shtetit!

Paraprakisht rekomandoni deputetët para hyrjes në Kuvend se nuk nuk të ketë dalje nga objekti i Kuvendit pa zgjedhjen e Presidentit qoftë edhe nëse seanca zgjedhore zgjatë me ditë e netë të tëra, me javë apo muaj!

Vetëm bllokimi hermetik i Kuvendit (të gjitha hyrje-daljet dhe dritaret), qoftë nevoja edhe me murosje të përkohshme, do t’i detyronte deputetet t’i thërrasin mendjes dhe t’i unifikojnë qëndrimet në gjetjen e zgjiidhjes për Presidentin, si kusht i vetëm i daljes nga Kuvendi!

Po ashtu, kësaj radhe inspektorati i punës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës duhet që ta mbyllë edhe byfenë e Kuvendit, në mënyrë që të zgjedhurve të popullit mos t’u lejohet të konsumojnë pije dhe as ushqim nga brendia e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit!

Këto masa të rrepta paralajmëruese do t’i vetëdijësonin deputetët dhe padronët e tyre (liderët partiakë) në marrjen e vendimeve të drejta dhe të shpejta në dobi të shtetit dhe qytetarëve!

Lufta e hapur e liderëve partiakë për t’ia hedhur fajin njëri-tjetrit në gjetjen e një emri konsensual për President, që moti do duhej të kthehej në garë, se cili prej tyre do ta ofrojë kandidatin më serioz dhe më të mirë, më të përshtatshëm dhe më unifikues të skenës së trazuar politike.

Nëse edhe këto masa rekomanduese nuk përfillen, atëherë duhet të pasohet me hapin e radhës për caktimin e një qeverie të shpëtimit kombëtar jashtë këtyre forcave parlamentare!

Vetëm në këtë mënyrë, qytetarët e ndershëm dhe atdhetarët do ta shlyejnë borgjin që kanë ndaj vendit. Në të kundërtën me heshtje, pa ndërmarrjen e asnjë veprimi demokratik do të bëhemi të gjithë bashkërrënues të shtetit që e fituam me gjak dhe sakrifica të mëdha.

Në Lucern më 26 prill 2026

Pyetja kryesore është për institucionet: çfarë mesazhi po dërgohet kur aktivitete të tilla turkomëdha – neoosmane lejohen apo mbështeten në Prizren?

0

Alberto Leka, Prishtinë

Sot në Prizren u mbajt një paradë që lidhet me periudhën osmane. Kjo ngre pyetje serioze: a po e trajtojmë historinë tonë me vetëdije, apo po rrëshqasim në romantizim të një periudhe që për shqiptarët ka qenë edhe periudhë sundimi dhe vuajtjeje?
Respekti për historinë nuk do të thotë glorifikim i pushtimeve. Askush nuk e mohon që periudha e Perandorisë Osmane ka lënë gjurmë por kjo nuk duhet të kthehet në nostalgji pa kritikë. Një shtet serioz duhet të ketë qartësi: promovimi i identitetit kombëtar dhe kujtesës historike duhet të jetë prioritet, jo relativizimi i saj.
Pyetja kryesore është për institucionet: çfarë mesazhi po dërgohet kur aktivitete të tilla lejohen apo mbështeten në Prizren e gjetiu? A kemi një strategji të qartë për identitetin dhe historinë, apo veprojmë pa filtër?
Debati është i shëndetshëm, por duhet të jetë i bazuar në fakte dhe vetëdije historike—jo vetëm në emocione.
Shih videot:

Palestra e “trurit të mbyllur”, Drenica e Sami Lushtakut !

0
DRENICA E SUPËS POLITIKE TË SAMI LUSHTAKUT, ËSHTË PALESTËR E TRURIT TË MBYLLUR
Një lexues dembel dhe mosmirënjohës nga Drenica e Sami Lushtakut, i cili – sipas rrëfimit të tij – e përçmon Drenicën e Adem Jasharit, m’u ankua se nuk kishte kuptuar asgjë, edhe pse gjatë ushtrimeve në palestër e kishte detyruar një shok të gjorë t’ia lexonte shkrimin tim për profesoreshën Ganimete Musliu, e cila, po e mëson dhe po e nxit popullin e Kosovës që edhe një herë ta “pijë dhe ta shijojë” atë supën e vjetër, helmuese dhe të djegur politike, të cilën krerët hajdutë dhe tradhtarë të partisë së saj bandite ua kanë servirur për gati dy dekada fshatarëve dhe qytetarëve të mjerë të Kosovës.
I thashë: stërvite pak edhe trurin, jo vetëm trupin.
Ai më pa sikur sapo i kisha kërkuar të ngrinte pesha me tru, gjë që për disa njerëz është po aq e pamundur sa ta lexosh një libër pa e përdorur gishtin për t’i ndjekur rreshtat.
Pastaj më tha me seriozitetin e një njeriu që sapo ka zbuluar se Wi-Fi nuk funksionon me lutje: “Unë e lexova tekstin… por nuk kuptova kush është fajtor.”
I thashë: “Kjo është arritje e madhe. Ke hyrë në filozofi pa e ditur.”
Ai u mendua për një çast dhe shtoi: “Po unë mendova se ishte për ushqim… ajo supa e vjetër, e djegur…”
Në atë moment e kuptova se tragjedia nuk ishte politike. Ishte kulinare.
Sepse në këtë vend, çdo metaforë përfundon në stomak.
Nëse i thua dikujt “sistemi është i kalbur”, ai pyet: “A pihet me kos apo pa kos?”
Pyetja e duhur do të ishte kjo :
“A kalbet me koordinim, apo pa koordinim me Milan Radojçiqin?”
Dhe pastaj, natyrisht, vjen palestra — vendi i shenjtë ku njerëzit nga Drenica e Sami Lushtakut ngrenë pesha për trupin, por e lënë trurin në shtëpi, të mbyllur me çelës në dollap.
Miku im i paftuar vazhdoi: “Po kjo profesoresha… a e ka recetën e saktë të supës?”
I thashë: “Po. Receta është shumë e thjeshtë: premtimeve të vjetra i shtohen dy lugë harrese kolektive, pastaj ato përzihen me pak nervozizëm elektoral dhe lihen të zihen për 20 vjet.”
Ai tundte kokën me admirim: “Pra është gatim politik…”
“Jo,” i thashë, “është ushtrim i durimit kombëtar.”
Në atë moment vendosi të mos lexojë më tekste politike gjatë stërvitjes.
Tha se i krijojnë konfuzion mes bicepsit dhe mendimit kritik.
Dhe e kuptoj.
Sepse në fund të fundit, është më lehtë të ngresh 100 kilogramë hekur sesa 2 gramë dyshim në kokë.
Dhe ky, fatkeqësisht, është sporti ynë më i zhvilluar kombëtar në Drenicën e Sami Lushtakut.
I kërkoj falje mikut tim të çmuar Isa Xhemajlajt, që vlen sa gjysma e Dukagjinit.

A jemi vërtet në Prizren apo në Turqi? Ç’janë këto skena që na rikujtojnë 500 vitet e robërisë nën pushtimin e Perandorisë Osmane?

0
Çfarë po ndodh në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në Prizren tonë të dashur, me një histori të lavdishme shqiptare?
A jemi vërtet në Prizren apo në Turqi?
Ç’janë këto skena që na rikujtojnë 500 vitet e robërisë, të shoqëruara me dhunë, gjenocid dhe shkatërrim kulturor nga Perandoria Osmane?
Sa miliona shqiptarë jetojnë sot në Turqi pa të drejtën elementare për arsimim në gjuhën amtare shqipe, shumë prej tyre tashmë të asimiluar?
Çfarë miqësie është kjo, kur Kosova mbushet me xhami, të cilat po perceptohen gjithnjë e më shumë si instrumente të ndikimit neo-osman?
A janë këto zhvillime shenja të një ndikimi kulturor, apo diçka më shumë?
Skena të tilla në Prizren, që përkujtojnë një të kaluar të dhimbshme, ngjallin shqetësim dhe hapin pyetje serioze për drejtimin që po marrim si shoqëri.
Zgjohu, shqiptar! Përmes instrumentalizimit të fesë dhe ndikimeve të jashtme, rrezikon të rikthehet hija e një historie tragjike.
Thuaj “ndal” sot, sepse nesër mund të jetë vonë.
Ngjarje të tilla nuk duhet të kenë vend në trojet tona, kur ato na kujtojnë vetëm vuajtje dhe robëri.
Shih videon:

(1) Facebook

(3) Facebook

(3) Facebook

Fjalimi i Profesorit Rexhep Qosja në takimin e shkrimtarëve në Novi Sad, viti 1985

____

Po ju drejtohem në gjuhën serbe që të mos më quaj dikushi si shkrimtar autoqefal, sepse besoj që asgjë autoqefale në këtë botë nuk ka, dhe jo që eventualisht ta marr ndonjë duartrokitje, sepse që më parë e di që kur ta dëgjoni fjalimin tim, s’do të ketë duartrokitje, por përkundrazi… Por me këtë rast do t’ju drejtohem në serbisht që të më kuptoni që të gjithë…

Në kohë të fundit në gjuhën serbo-kroate janë botuar intervista, feljtone, memoare, vepra publicistike dhe shkencore, vjersha, këngë, tregime, romane, drama dhe monodrama, në të cilat shkruhet për popullin shqiptar, kulturën dhe traditën e tij.
Për dekada të tëra ishte injoruar albanologjia dhe temat shqiptare, dhe tani papritmas ato bëhen interesante dhe preokupim i një numri gazetarësh, shkencëtarësh dhe poetësh.

Si historian i letërsisë shqiptare, i cili e njeh shumë mirë historinë shoqërore të popullit të tij, mund të them që në të gjitha ato shkrime dhe libra ka shumë gjëra të papritura dhe të pamundshme. Mund të thuhet kështu, sepse në ato shkrime vërehet mosnjohja e një populli, një kulture, mosnjohja e ngjarjeve historike, e figurave historike, duke i seleksionuar sipas interesave, duke përdorur teza të gabuara të bazuara në shpifje, ku disa të vërteta që paraqet shtypi serb thjesht falsifikohen, dhe të gjitha këto mund të quhen si një anakronizëm intelektual.

Kur të gjitha këto të lexohen, do të shohim se sa të pavërteta ka, sa gjëra diletante të shkruara dhe të thëna, dhe të pavërteta për prejardhjen e vet shqiptarëve, historisë së Mesjetës, lëvizjeve të popujve, rreth Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve, rreth Lidhjes së Prizrenit, përkatësisë fetare, rreth shkrimtarëve tanë të Rilindjes Kombëtare, rreth shkrimtarëve të mëdhenj të shqiptarëve si Naim Frashëri, Ndre Mjeda ose Fan Noli, rreth krijimit të gjuhës letrare të shqiptarëve, rreth dialekteve…

Në të gjitha librat dhe punimet e botuara nga shkencëtarët serbë ka gjëra të cilat me asgjë s’janë dokumentuara, të cilat madje janë edhe të falsifikuara, qëllimkëqija, të cilat mund të karakterizohen si një mësymje ndaj shkencës shqiptare për ta asgjësuar, sikurse edhe kulturën dhe historinë e tyre.

Është e qartë që pas gjithë kësaj propagande për të shkatërruar shkencën shqiptare nuk mund të jenë në pyetje kurrfarë punimesh shkencore, por përkundrazi, qëllime tjera. Këtu kemi të bëjmë me synimet e tmerrshme për të njollosur popullin shqiptar dhe kundër vet popullit.

Dje kemi dëgjuar këtu në këto takime disa nga ato shpifje dhe gënjeshtra, ku u tha që shqiptarët kanë bërë gjenocid mbi serbët në Kosovë! Gjenocid?!
Për Zotin, në kë kanë mundur të bëjnë gjenocid shqiptarët, të cilët prej që kur dihet historia janë duke luftuar për të mbijetuar gjer në ditët e sotme? Edhe ai që e tha dje një gjë të tillë e di që kjo është vetëm një fantazi e Zhilvernerit.

Por disave u lejohen edhe krijime të tilla në të cilat tregohen heronj të hipur mbi gomar apo edhe njerëz me katër gishta. Le ta thotë edhe këtë gjë ai që e tha dje atë gënjeshtër, pse mos ta thotë? Për disa që të shkruajnë për shqiptarët, t’i shajnë e njollosin ata, është një punim shumë rentabil, me profite dhe shitje të mëdha tirazhi.
Ajo që unë shkruaj, flas dhe e mbroj, kulturën shqiptare, ka të bëjë me këto shkrime qëllimkëqija që vijnë nga një pjesë e njerëzve qëllimkëqij, të cilët nuk i njohin sa duhet shqiptarët.

Nga shkencëtarët shqiptarë kërkohet që të bëhet diferencimi, dhe jo vetëm këtë, por shkohet aq larg sa që kërkohet që të hiqen nga programet shkollore vjershat e Naim Frashërit, Ndre Mjedës, Fan Nolit. Në njërën anë kërkohet që të jenë në programe shkrimtarë si Njegoshi, Mazhuraniqi.

Lejimi i kritereve të tilla si dhe represioni shtetëror, intelektualët shqiptarë i ka sjellë në një pozitë shumë të pavolitshme. Në fakt, të jesh krijues shqiptar, poet dhe shkrimtar, s’ka qenë kurrë e lehtë. Por të jesh krijues shqiptar në kushtet e sotshme është me të vërtetë shumë e vështirë.

E them këtë sepse të jesh sot krijues, poet dhe shkencëtar shqiptar do të thotë:

të kesh kujdes se për cilën temë do të shkruash
të kesh kujdes të mos përdorësh ndonjë simbol siç është, ta zëmë, ai i shqiponjës
të mos bësh krahasime historike
të kesh kujdes të mos e përmendësh emrin e “SHQIPËRISË”, përpos nëse atë e përmend në kontekstin negativ.

Ti i frikohesh fjalës diferencim ashtu siç i frikoheshin intelektualët në mesjetë fjalës inkuzicion

të kesh kujdes se me kënd po flet, sepse edhe muret kanë vesh
t’u frikësohesh përdorimit të shkronjave KR, sikur në të kaluarën që njerëzit u frikësoheshin thonjve të lënë nën pragun e derës
të kesh kujdes që mos rastësisht vesh një pallto të zezë me ndonjë shall të kuq
të jesh i detyruar të dalësh para ndonjë komisioni për të treguar se cilat kanë qenë bindjet e tua, dje, sot dhe nesër
të jesh i detyruar për t’i kritikuar ata që s’kritikohen dhe t’i falënderosh ata që s’e meritojnë këtë gjë
të votosh për të paaftit dhe t’i injorosh të aftit
të dëgjosh çka nuk të dëgjohet dhe të mos guxosh të dëgjosh çka të dëgjohet

Të jesh intelektual shqiptar, poet dhe punëtor shkencor, do të thotë të jesh i njëjtë si personazhi Jozef K i Franc Kafkës te “Procesi”, që do të thotë se në çdo kohë mund të të thërrasin…
Të jesh intelektual shqiptar sot do të thotë të bëhesh çka nuk je dhe të jesh ai që s’je. Por të jesh intelektual shqiptar sot, megjithatë, do të thotë të besosh që megjithatë gjithmonë nuk mund të jetë kështu!

Ju faleminderit për vëmendjen.

Shënim: Po e risjellim fjalën e Profesor Rexhep Qosja mbajtur në takimin e shkrimtarëve të hapësirës jugosllave mbajtur në Novi Sad [1985], në vend të një përkujtimi me rastin e shkurjes së Tij në amshim.