Kreu Blog Faqe 181

Proklamatë mbi natyrën e besimit, kulturës dhe origjinës njerëzore të fesë

0
Unë nis nga një pikë e thjeshtë, por vendimtare: shkenca, në kuptimin e saj të pastër pozitiv, nuk njeh asnjë “Zot” si entitet të verifikueshëm, të matshëm apo të provueshëm. Ajo nuk e mohon dhe nuk e pohon në mënyrë metafizike; ajo thjesht nuk e gjen në fushën e saj të studimit. Në këtë kuptim, “Zoti” nuk është autoritet shkencor, por objekt i studimit të religjionit, i antropologjisë dhe i historisë së ideve. Ai ekziston si fenomen kulturor, si përjetim njerëzor, si strukturë mendimi — jo si fakt laboratorik.
Vetë fjala religjion, që rrjedh nga latinishtja religio dhe shpesh lidhet etimologjikisht me idenë e “lidhjes” apo “ajo që lidh”, përputhet në mënyrë domethënëse me natyrën e vetë fenomenit që përshkruan. Në këtë kuptim, religjioni nuk është as “Zoti” si entitet më vete, as njeriu si subjekt i izoluar, por një hapësirë ndërmjetëse që i bashkon këto dy pole: botën materiale dhe atë që njerëzimi e koncepton si hyjnore apo transcendente. Ai është një urë simbolike dhe psikologjike midis përvojës së brendshme njerëzore dhe projeksionit të idealit të së shenjtës. Rrjedhimisht, çdo formë e imagjinimit të hyjnores, në momentin që kalon përmes gjuhës, kulturës dhe mendjes njerëzore, bart domosdoshmërisht një element interpretimi subjektiv — dhe në këtë kuptim, mund të thuhet se çdo pamje e hyjnores është gjithmonë e ndërmjetësuar, pra e “filtruar” përmes ndërgjegjes njerëzore që e koncepton atë.
Në të njëjtën mënyrë, asnjë tekst i shenjtë nuk mund të trajtohet nga shkenca si i zbuluar në kuptimin hyjnor të fjalës. Bibla, Kurani dhe tekstet e tjera të shenjta janë produkte të historisë njerëzore: të gjuhës, të përvojës kolektive, të konflikteve, të pushtetit dhe të frymëzimeve shpirtërore të kohës së tyre. Kjo nuk ua heq rëndësinë kulturore; përkundrazi, i vendos ato në vendin e tyre të vërtetë: si pasqyrime të mendjes njerëzore në periudha të caktuara historike.
Prej kësaj rrjedh një e vërtetë më e gjerë: çdo fe është, në thelb, një produkt i kulturës së vet. Ajo nuk lind jashtë popullit, por brenda tij. Krishterimi, islami, budizmi apo çdo sistem tjetër besimi janë formuar në kontekste specifike historike dhe shoqërore, duke reflektuar botën e atyre grupeve etnike që i krijuan dhe i përhapën.
Dhe nëse shikojmë më thellë në kohë, shohim një model edhe më të qartë: në epokat e hershme, feja nuk ishte universale, por etnike. Çdo popull kishte kozmosin e vet shpirtëror. Ilirët, romakët, grekët, keltët, nordikët, persianët, indusët, kinezët dhe japanët kishin sisteme besimi që ishin të lidhura ngushtë me gjuhën, me tokën, me mënyrën e jetesës dhe me strukturën shoqërore të tyre. Feja ishte një shtresë e kulturës, jo një institucion i ndarë prej saj.
Në këtë botëkuptim, morali nuk vinte i shkëputur nga qielli, por formohej në mënyrë të njëjtë në shumë fusha njëkohësisht: në të drejtën zakonore, në epikën popullore, në besimin fetar e në fush të tjera. E njëjta ide për nderin, drejtësinë, mikpritjen apo hakmarrjen shfaqej në ligj, në këngë dhe në mit. Hyjnitë nuk ishin të huaja për gjuhën e popullit — ato flisnin atë gjuhë, mbanin emra të asaj gjuhe dhe mishëronin botën e saj. Kjo shihet madje edhe në vetë religjionet që sot pretendojnë universalitet: Krishterimi i ka vendet e shenjta brenda kufijve të Izraelit, Islamizmi brenda kufijve të Arabisë.
Mitet dhe legjendat nuk janë vetëm letërsi popullore. Ato janë arkiva simbolike të një bote të brendshme kolektive dhe mënyra se si një popull e ka shpjeguar vetveten para se të ekzistonin shkencat moderne. Në këtë kuptim, antropologjia moderne e mbështet idenë e religjionit si produkt kulturor, duke e parë atë si strukturë shoqërore që lind nga nevoja për kuptim, rend dhe kohezion.
Në të njëjtën kohë, arkeologjia nuk zbulon një fe të vetme botërore në lashtësi, por një shumësi sistemesh lokale simbolike dhe rituale, çka tregon se pluraliteti fetar është gjendja origjinale e njerëzimit, jo përjashtimi i tij.
Po ashtu, gjuhësia historike e lidh mitin me gjuhën, duke treguar se emrat e hyjnive, termat ritualë dhe vetë struktura e rrëfimeve mitologjike evoluojnë brenda komuniteteve gjuhësore dhe nuk janë entitete të pavarura nga to. Feja, në këtë kuptim, flet gjithmonë në gjuhën e popullit që e krijon.
Ndërsa psikologjia e fesë e shpjegon përjetimin e së shenjtës si strukturë mendore universale, jo si provë të një objekti të jashtëm të verifikueshëm. Përvoja e “hyjnores” mund të jetë reale si përjetim, por interpretimi i saj ndryshon sipas kulturës (etnisë), kohës dhe sistemit simbolik ku ajo vendoset.
Më tej, sinkretizmi historik tregon se fetë nuk lindin si blloqe të pastra dhe të pandryshueshme, por si shtresime dhe transformime të vazhdueshme, ku elemente të vjetra lokale bashkohen, përshtaten ose riformulohen në sisteme të reja universale. Kjo dëshmon se historia e fesë është histori e adaptimit, jo e shpalljeve të izoluara nga konteksti.
Ndryshimi i madh ndodh më vonë, kur besimet fillojnë të kalojnë kufijtë etnikë dhe të shndërrohen në religjione universale. Konvertimi masiv i popujve — si përhapja e budizmit në Lindjen e Largët, e krishterimit në Mesdhe dhe Evropë, dhe e islamit më vonë — është një fenomen historik relativisht i vonshëm në shkallën e historisë njerëzore. Për mijëra e mijëra vite më parë, feja ishte e pandashme nga identiteti etnik; ajo ishte njësoj si gjuha, veshja, zakonet, muzika dhe e drejta: trashëgohej nga prindërit tek fëmijët brez pas brezi.
Kur këto shtresa të ndryshme kulturore fillojnë të përzihen, lindin tensione të pashmangshme. Ligje dhe sisteme të ndryshme morale vendosen përballë njëra-tjetrës: një sistem juridik modern mund të bazohet në burgim, ndërsa tekste të vjetra fetare mund të parashtrojnë ndëshkime fizike (p.sh. prerje dore); një shoqëri moderne kërkon uniformitet institucional dhe neutralitet publik, ndërsa traditat fetare shpesh kërkojnë rregullim të hollësishëm të jetës së përditshme (p.sh. burqa etj.). Ky është konflikti i epokave të ndryshme të mendimit, jo domosdoshmërisht i së vërtetës absolute.
Në këtë pikë lind pyetja thelbësore: a është më e qëndrueshme një shoqëri që importon vazhdimisht modele të huaja kulturore e shpirtërore, apo një shoqëri që rikthehet tek shtresat e saj më të hershme të identitetit?
Unë nuk e shoh këtë si një refuzim të botës, por si një kërkesë për koherencë historike. Asnjë kulturë nuk mund të kuptohet pa rrënjët e saj. Edhe vetë fjala “Zot”, në hapësirën tonë gjuhësore, bart një vjetërsi të thellë indoevropiane dhe ekzistonte shumë përpara përhapjes së religjioneve monoteiste. Kjo sugjeron se ideja e të shenjtës nuk erdhi si import i vonshëm, por si vazhdimësi e një perceptimi shumë më të lashtë të botës.
Në të njëjtën mënyrë, shumë nga elementët e besimeve popullore të ruajtura deri sot — festat ciklike të vitit, ritualet familjare, besimet mbi natyrën, legjendat dhe epika — nuk janë të shkëputura nga e kaluara, por janë jehona të një sistemi më të hershëm botëkuptimor që ka mbijetuar në forma të fragmentuara. Ato lidhen ngushtë apo janë të gërshetuara plotësisht me besimin e lashtë ilir.
Kështu, historia nuk është një vijë e drejtë zëvendësimesh, por një shtresim i gjatë ku e vjetra nuk zhduket plotësisht, por transformohet dhe mbijeton. Pra ardhja e feve monoteiste në truallin tonë nuk është aspak evoluim siç pretendojnë disa por asimilim kulturor në dëm të kulturës tonë dhe në favor të një kulture të huaj.

Mendime për Amfiteatrin “Kodra” në Drelaj

0
AMFITEATRI “K O D R A”
– Rugovë, Drelaj
Nga një ëndërr e madhe në një heshtje që ther ndërgjegjen
(Kërkesë publike drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës dhe për publikim në portale)
Në zemër të Rugovës, në Drelaj, rreth 20 km nga Peja, aty ku mali flet me qiellin dhe njeriu matet me shpirtin e vet, u ngrit një ëndërr që rrallë lind në kohë të zakonshme.
Një amfiteatër i malësorëve.
Një vend ku arti, kultura dhe krenaria shqiptare do të merrnin frymë nën qiellin e lirë të bjeshkëve.
Kjo ëndërr ka një emër:
Besnik Lajçi – ish-ushtar i UÇK-së, që la mërgimin për t’u kthyer në vendlindje dhe për të ndërtuar jo vetëm një kompleks, por një amanet kulturor kombëtar.
Ai ngriti Amfiteatrin “K O D R A”, pjesë e kompleksit “Arti në Kodër” – mbi 20 hektarë tokë ku arti, tradita dhe natyra u bënë një.
Ky nuk është vetëm një ndërtim.
Ky është një shpirt i vendosur në gur.
Në këtë vend kanë jehuar fjalë dhe zëra që nuk harrohen.
Me angazhimin tim personal, unë, Sak Muji (Sylë Mujaj), kam bërë të mundur pjesëmarrjen e qindra artdashësve, si dhe promovime nga artistë të mëdhenj si Çun Lajçi dhe Enver Petrovci.
Aty ka pasur jetë.
Aty ka pasur art.
Aty ka pasur shpirt.
SOT – HESHTJA QË FLET MË SHUMË SE ZËRI
Sot, ai vend që dikur gjallëronte, qëndron në heshtje.
Tri pushtete të njëpasnjëshme e panë – por nuk e njohën.
E dëgjuan – por nuk e kuptuan.
E lanë – dhe u larguan.
Asnjë dorë shteti nuk u shtri.
Asnjë përgjegjësi nuk u mor.
Mungon rruga.
Mungon infrastruktura.
Mungon menaxhimi.
Mungon kujdesi institucional.
Dhe mbi të gjitha – mungon vullneti.
Aty ku dikur duartrokitej arti, sot dëgjohet vetëm era.
Aty ku fliste kultura, sot flet harresa.
THIRRJE QË NUK MUND TË HESHTET MË
Ne i drejtohemi institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës:
• Dërgoni një ekip profesional për vlerësimin e këtij kompleksi unik
• Merreni këtë aset nën patronatin dhe mbikëqyrjen e shtetit
• Investoni në infrastrukturë dhe funksionalizim
• Krijoni një strukturë të mirëfilltë menaxhimi kulturor dhe turistik
• Riktheni në jetë Amfiteatrin “K O D R A” si simbol të artit dhe identitetit
Sepse kjo nuk është një kërkesë e zakonshme.
Kjo është një kërkesë për të mos humbur veten.
EPILOG – DINJITETI I NJË NJERIU
Në fund, kjo thirrje është edhe për drejtësi.
Që Besnik Lajçit t’i njihet ajo që i takon:
të jetë ciceroni, zëri dhe kujtesa e gjallë e “K O D R Ë S”.
Që ai vetë të tregojë historinë e këtij vendi.
Që ai vetë të udhëheqë vizitorët në këtë botë arti dhe shpirtërore.
Dhe që atij t’i sigurohet një e ardhur modeste, por e dinjitetshme, për të jetuar aty ku ka lënë jetën e tij në gur.
NËSE E HARROJMË “KODRËN”, HARROJMË VETEN
“K O D R A” nuk është vetëm një vend.
Është kujtesë.
Është identitet.
Është zëri ynë që pret të dëgjohet.
E kujtesa, kur lihet në heshtje, bëhet varr.
Kjo është një kërkesë publike.
Kjo është një thirrje për ndërgjegje kombëtare.
✍️ Sak Muji (smuji’26)
ish i burgosur politik 1981–1990
Dukagjin – Rugovë
Kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Aleksandër Moisiu”, Lugano CH

(1) Facebook

Bashkimi Kombëtar, amaneti që po e tradhëtojmë çdo ditë

1

Luljeta Pula, Tiranë

Të nderuar pjesëmarrës,

Të dashur miq,

Brezi im e ka jetuar bashkimin kombëtar si ideal jetik, që nga demonstratat e vitit 1968.

Unë jam rritur dhe kam frymuar me këtë ideal, edhe atëherë kur Atdheu ynë Shqipëria, ishte dashuri e ndaluar, edhe atëherë kur jetonim me zërin e Atdheut nga larg .. ‘’Ju flet Tirana…’’ , edhe atëherë kur fshehurazi dëgjonim këngën e lehtë shqipe. Edhe atëherë kur gëzoheshim si fëmija me arritjet e dheut mëmë, edhe atëherë kur nga dashuria për Atdheun, gabimisht identifikonim kombin, me ideologjinë e atëhershme komuniste.

Sepse Shqipëria për ne ishte Atdheu që duhet pa kushte, ishte dashuria që nuk ka mbarim, ishte toka që nuk falet e nuk harrohet, ishte historia jonë kreshnike, ishte dinjiteti ynë që na mbante në këmbë, ishte vetëdija dhe ndërgjegja jonë kombëtare dhe historike, ishte ëndrra jonë e fundbotshme për bashkimin tonë kombëtar që na mbante gjallë , ishte malli për atdheun e ndaluar dhe zjarri ynë patriotik që na lëvizte, na jepte shpresë, dhe na bënte të besojmë se një ditë, ne do bëheshim bashkë !

Ne jemi një Komb, një Zemër! Mos ta vrasim ëndrrën tone ! Sepse Bashkimi Kombëtar nuk pret më ! Sepse kur heshtim për Bashkimin, ne flasim kunër vetes tone ! Bashkimi Kombëtar, ideali I shenjtë apo frika jonë më e madhe ?

Është e shenjtë pra, sepse një Komb p ndarë është një plagë që gjakosë çdo ditë ! A do të zgjohemi më në fund ! Sepse Bashkimi Kombëtar, kërkon bijtë e vet ! Historia po na gjykon, dhe historia thërret, ku jemi ne përballë Bashkimit Kombëtar! Sepse Bashkimi Kombëtar nuk është një ëndërr, ai është një detyrim ! U nisëm nga sakrifica, përditë po arrijmë te harresa ! Kush e vrau idealin e Bashkimit Kombëtar !! Kemi një flamur, jemi një komb dhe dy realitete, dhe kemi një ndërgjegje të plagosur ! Por zëri i Kombit nuk bën të shuhet ! Jemi në prag të historisë , të bashkohemi ose të humbim si komb ! Ne duhet të zgjohemi ! Dhe të bëjmë ëndrrën tone shekullore ! Dhe ky ideal ishte burim I rezistencës sonë, ishte frymë mbijetese. Me shekuj ! Sot, ne nuk jemi aty ku ishim dhjetëvjetësha më parë. Sot ne kemi një tjetër realitet historik.

Por historia nuk rrënon idealet, nuk I zhdukë ato. Ajo detyron ndryshimin, ajo imponon një formësim më tjetër të tyre. Historia I detyron ato të marrin një tjetër formë ! Bashkimi kombëtar ishte ideal historik, ndërsa sot sfida jonë është, të bëjmë ç’është e mundur ta shëndrrojmë ate në një realitet funksional. Pa e dëmtuar stabilitetin dhe pa e humbur besueshmërinë ! Por ne nuk mund të heshtim se në këtë realitet të ri, kur ne kemi dy shtete shqiptare, kur digë e bashkimit janë integrimet evropiane dhe rendi global që nuk do ndryshime kufijsh, midis nesh ka edhe keqkuptime, edhe emocione të patrajtuara, edhe një mungesë të një strategjije reale. Dhe idealet tona nuk kanë humbur vlerën ! Përkundrazi ! Ato vetëm duhet të ndryshojnë formë ! Të bëhen më të mençura, më të qëndrueshme dhe më të realizueshme. Ne flasim për bashkimin kombëatr , si ideal dhe si dëshirë.

Flasim për bashkimin si emocion, si ndjenjë, si sentiment që nuk shuhet. Por rrallherë e mendojmë ate me një plan konkret. Dhe kur idealet nuk shoqërohen me hapa realë, ato rrezikojnë të mbeten vetëm fjalë boshe, të humbin besueshmërinë te populli, dhe të mbeten vetëm ëndrra. Dhe pikërisht kjo, duket se po na ndodhë ne tani. Plani nuk bëhet as me dekrete, e as me deklarata të forta politike, thirrje entuziaste e patetike ! . Ato bëhen me ndërtimin e një bashkimi funksional dhe të përditshëm. Ato bëhen me bashkimin ,si proces të ndërtuar me hapa konkretë, me bashkimin si strategji e përpunuar konform realitetit të ri ndërkombëtar, dhe me bashkimin si vistër taktikash, që të projektuara dhe të zbatuara mund të na çojnë në rrugën drejt objektivit. Askush nuk na ndalon sot, kur më nuk na ndajnë telat me gjemba, kur kemi dy shtete tona të pavarura , askush nuk na ndalon pra , të bëjmë, ndoshta akoma jo bashkim kombëtar, por pse jo, ta bëjmë bashkimin praktik, ate funksional. Askush nuk na pengon sot , të bëjmë edhe bashkimin kulturor ku arti , gjuha dhe identiteti ynë forcohen përtej kufijve administrative !Askush nuk na pengon sot të bëjmë bashkimin arsimor me tekste të përbashkëta dhe me një narrativë unike e të unifikuar !

Ashtu siç nuk na pengon askush të bëjmë një bashkim ekonomik ku bashkëpunimi konkret krijon interes të ndërsjellë dhe mirëqenie të përbashkët. Dhe në fund, askush nuk na ka penguar dikur e as nuk na pengon as sot të bëjmë, mbi të gjitha bashkimin shpirtëror. Bashkimin që rindërton besimin, dhe forcon respektin midis shqiptarëve, kudo të jenë ata. Sepse bashkimi kombëtar nuk është as dekret e as një akt politik ! Ai është një proces i gjatë afrimi, ndërtimi, besimi dhe krijimi të një realiteti përbashkues. Sepse , nëse këtë nivel bashkimi nuk e arrijmë, sejcili projekt I madh rrezikon të mbetet I brishtë. Ideali po, por tani mbi të gjitha urtësia në rrugën drejt tij. Sepse historia nuk I shpërblen vetëm ëndërrimtarët, por më shumë se ata ,vizionarët që ëndrrat dijnë t’ I përshtasin me kohën !

Ne nuk mund të heshtim se jetojmë në një rend ndërkombëtar, që nuk toleron ndryshime kufijsh. Dhe se çdo aventurë politike e pamenduar, mund të ketë kosto të lartë dhe pasoja të rënda për vetë shqiptarët . Prandej, duhet thënë, se s’ bën, se nëse sot do të shtrohej hapur çështja e bashkimit si akt politik imediat dhe I menjëhershëm, kjo padyshim se do të sillte dështim. Sepse ne nuk kemi as konsensus të brëndshëm, as përgaditje institucionale dhe sigurisht, padyshim nuk kemi as më të voglën mbështetje ndërkombëtare. Dhe kjo nuk është dobësi për ta fshehur. Ky ështe realitet për ta kuptuar. Dhe sot, nuk është rrezik mungesa e idealit !

Sot është rrezik, iluzioni se ai mund të realizohet pa përgaditje, pa strategji, pa taktikë dhe pa një bazë reale në shoqëri. Sepse po, idealet që nuk kanë bazë realitetin, humbin, treten, zhduken dhe sjellin vetëm dëshpërim dhe zhgënjim ! Prandej , është imperativ I kohës , një kthesë në mendim! Nga retorika emocionale në veprim dhe ndërtim konkret ! Nuk dua t’u besoj takimeve formale e zyrtare të Qeverive dhe Kuvendeve tona, që në letër nxitojnë të lidhin Marrëveshje, që kurrë nuk e panë dritën. E që janë teatro, shfaqje, shou , për konsum politik dhe elektoral. Dhe kjo punë duhet të jetë e menduar, e sinqertë, e programuar dhe e projektuar, dhe e dizajnuar për implementim praktik.

Nuk ka nevojë për demonstrime dhe ekspozime falso e teatrale, me pamje nga ato Konferenca , për të cilat flitet e përflitet duke I trajtuar si arritje. Që më pas ato të lënë shijen e hidhur të boshllëkut që vret. Unë nuk mbaj mend saktë, gjithë ato Marrëveshje të nënshkruara midis qeverive të dy shteteve. Sepse ato ashtu siç reklamohen e predikohen, humbin, treten dhe zhduken me shpejtësi të rrufeshme. Sepse nuk kanë bërthamë, nuk janë të sinqerta e nuk janë të menduara për zbatim.

Ato janë thjesht një farsë, ato janë thjesht në eksponim virtual, në ajër dhe të pa bosht. Kush na ndaloi neve që gjer tani nuk e bëmë unifikimin e plotë të teksteve, Kush na ndaloi neve të bëjmë dhe të aplikojmë në praktikë, tregun e përbashkët, kush na ndaloi ne gjer tani të dizajnojmë politikat kulturore të koordinuara, e kush na doli përpara që të mos bëjmë një bashkëpunim institucional jo formal, por të vërtetë institucional dhe përmbajtësor ! Askush ! A e bëmë? Jo ? Çfarë u realizua nga ato bagazhe letrash e Marrëveshjesh që gjoja u arrijtën, e nuk e pane dritën asnjëherë ! Sepse nuk ka seriozitet, sepse nuk ka sinqeritet, sepse nuk ka mjaft atdhedashuri e përkushtim për kombin, sepse ka interesa, interesa dhe vetëm interesa. Dhe lojë fjalësh, improvizime dhe hipokrizi ! Dhe historia sot më shumë se entuziazmin kërkon më shumë urtësi. Dhe shumë më pak retorikë boshe e zhgënjim masiv publik. Sepse kur idealet nuk shoqërohen me realizëm, ato padyshim rrezikojnë të humbin besueshmërinë.

Qytetarët e ndjejnë hendekun dhe boshllëkun mes fjalëve dhe realitetit. Dhe nëse këtë bashkim funksional nuk ararijmë ta ndërtojmë sa më parë, thirrja për bashkim politik mbetet vetëm farsë dhe mashtrim ! Unë nuk jam kundër idealit ! Është e kundërta, e kam , e dua dhe e respektoj ate ! Sepse jam rritur, jam formuar, dhe jam mishëruar me te. Dhe pikërisht për këte, ai nuk duhet banalizuar me slogane, e as të bëhet dekor në tryeza, dekor që nuk ka një ndikim, dhe veprim real. Sepse ideali i madh kërkon seriozitet të madh.

Më shumë urtësi e më pak emocion e iluzion ! Sepse historia nuk i fal popujt që nuk e kuptojnë ngatërresën midis dëshirës dhe mundësive ! Sepse emocioni është I rëndësishëm për të mbajtur gjallë idealin, por vetëm racionaliteti e bën ate faktik dhe të realizueshëm. Unë e di, ka shumë ideliastë që bashkimin e shohin të afërt. Afërsia në dëshirë nuk do të thotë afërsi në realitet. E fundja politika është ajo që duhet të merret me realitetin. Dhe kur mungesa e përgaditjes minimizohet, atëherë është e qartë se asnjë proces i madh historik, nuk mund të realizohet pa themel. Dhe ne tani, jemi në ndërtim e sipër të atij themeli. Dhe ka të tillë ,që thirren në deklarata politike.

E deklaratat nuk bashkojnë . Bashkojnë vetëm institucionet dhe mendjet që funksionojnë së bashku. Ka shumë entuziazëm. Entuziazmi është I bukur dhe I nevojshëm për suksesin. Dhe unë e respektoj shumë entuziazmin. Dhe vet kam qenë shumë entuziaste dikur. Por tani e kam kuptuar se përgjegjësia ime është të flas jo me eufori dhe entuziazëm , por me maturinë që kërkon koha. Flitet e përflitet referendumi. Por Referendumi është akti I fundit I një procesi të thellë, dhe jo zëvendësim për mungesën e tij. Flitet në mënyrë abstrakte për vullnetin e popullit. Por vullneti i popullit nuk ndërtohet me thirrje, por vetëm me besim. E besimi krijohet me rezultate konkrete ! Shumë nga ne idealizojmë të kaluarën. E kaluara na ka dhënë idealin, por e tanishmja kërkon përgjegjësi, për mënyrën si e trajtojmë ate. Dhe nëse, fundja ,debati rrezikon të bëhet përçarës, unë them se nëse për bashkimin nuk dijmë të flasim pa u përçarë mes vete, atëherë kemi akoma shumë rrugë përpara nesh. Dhe tani, them, se unë jam e bindur se bashkimi asnjëherë nuk mund të dështojë sepse është p pamundur.

Ai mund të dështojë vetëm nëse shpesh trajtohet pa seriozitetin e duhur dhe pa seriozitetin që ai kërkon ! Dhe unë them, të mos e mohojmë asnjëherë Bashkimin Kombëtar. Por ta ridefinojmë ate. Konform realiteteve të reja, pike së pari kombëtare. Dhe mbi të gjitha, është detyrë mbi detyrat të demaskojmë fuqishëm, ide antikombëtare, që predikohen kohët e fundit , në emër të modernitetit dhe kosmopolitizmit. E tillë ështe ideja perverse dhe antishqiptare , dhe propagimi e predikimi i të ashtuqujaturit Komb Kosovar. Është detyrë e inteligjencisë shqiptare në të dy anët e kufirit, të luftojë këto mbeturina të nostalgjisë jugosllave, që sot në emër të një inovacioni të trishtë nacional kosovocentrist, godasin pas shpine trungun tone të gjallë kombëtar.

Sot, gjithnjë e më shumë dëgjohen këta zëra që depërtojnë idenë e çmendur, për një të ashtuquajtur Komb Kosovar. Për një komb të ndarë nga trungu ynë shqiptar ! Me mbulesën e shtirur të gjoja tezës moderne, civile dhe evropiane ! Kjo sajesë që jehon çdo ditë në dyert tona, është një konstrukt I paqëndrueshëm historikisht dhe një rrezik real për identitetin tënë kombëtar dhe unitetin kombëtar shqiptar ! Që rrënon përfundimisht idealin tonë për bashkim kombëtar! Dhe shumë më tepër se kaq ! Kjo kuazitezë, është rrënuese e kombit vet !

Ky, i ashtuqujaturi Komb Kosovar është një rrezik biblik që sfidon historinë dhe vetëdijen tonë kombëtare ! Thonë, pa fije turpi e ndërgjegjeje kombëtare, se ‘’Identiteti Kosovar është gjithpërfshirës dhe I nevojshëm për shtetin multietnik ‘’. Dhe teza të tjera të çoroditura se ne, pra Kosova ‘’ duhet të largohet nga nacionalizmi shqiptar , për të ecur drejt Evropës ‘’. Këto teza, fund e krye anakronike, pa asnjë të vërtetë në konceptin e tyre, dhe tejet të rrezikshme për qenien tonë kombëtare, nuk do të duheshin të trajtoheshin e as të merreshin seriozisht. Por të shpërfilleshin e të injoroheshin me neveri ! Ama fakti që ato, sa vijnë e shtohen, sa vijnë e predikohen dhe propagohen me zë të lartë, sa vijnë e na bezdisin pa turp, dhe krijojnë mbështetje tek njerëzit, megjithate meritojnë përgjiigje dhe meritojnë demaskim e diskreditim të qartë.

Ndaj edhe nga ky vend, e nga ky organizëm I respektuar që në qendër ka Bashkimin tone Kombëtar, të ngrisim zërin fuqishëm kundër këtij anakronizmi e kësa mynxyre, që fyen dhe lëndon shpirtin e kombit, që fyen e lëndon ndjenat tona më të thella patriotike, dhe shkel mbi gjakun e bijve më të devotshëm të këtij kombi që dhanë jetën e tyre për këtë ideal të fundbotshëm të popullit tone!

Romani “Klasiku V”, pasqyrë e një epoke

0

Lekë Mrijaj, Klinë  

Gjatë leximit të romanit “Klasiku V” të shkrimtarit Ndue Dedaj, nuk e ndien veten thjeshtë si një lexues që kalon faqe pas faqeje për të ndjekur një rrëfim dhe për mësuar një histori, por si një njeri që hyn në një botë tjetër, në një kohë të zymtë, në një rend shoqëror ku jeta e njeriut nuk peshohej me dinjitetin e tij, por me heshtjen dhe frikën e regjimit që ai ishte i detyruar të mbante mbi supe. Kjo vepër nuk rrëfen vetëm fatin e disa personazheve, por ajo shfaqet si një pasqyrë e një epoke, si një hartë e dhimbshme e shpirtit njerëzor nën shtypje, si një dëshmi artistike për atë që ndodh kur pushteti e humb masën dhe kur njeriu detyrohet të jetojë jo sipas ndërgjegjes, por sipas frikës. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera kryesore e romanit “Klasiku V”, që Dedaj nuk e ndërton vetëm mbi ngjarjen, por mbi atmosferën.

Që në fillesë, lexuesi përballet me një skenë në dukje të zakonshme, me një mjedis urban, me të rinj që bisedojnë, qeshin, bëjnë ndonjë shaka, ndoshta jetojnë për pak çaste iluzionin e normalitetit. Por shumë shpejt kjo pamje e zakonshme thyhet dhe zbulohet e vërteta e kohës. Pra, aty ku mungon liria, asgjë nuk është vërtet e zakonshme. Edhe fjala më e lehtë mund të bëhet akuzë, edhe humori më i pafajshëm mund të shndërrohet në faj, edhe spontaniteti njerëzor mund të kthehet në shkak dënimi. Kjo hyrje është jashtëzakonisht domethënëse, sepse autori i këtij romani nuk na e shpjegon sistemin me parulla apo me fjalime ideologjike, por ai si një romansier na e jep atë përmes klimës së frikës. Dhe kjo është një arritje e mirëfilltë letrare. 

Liria si themel i qenies njerëzore dhe procedim letrar

Në këtë kuptim, romani del përtej kornizës së një rrëfimi linear dhe bëhet një lloj anatomie e rendit monist, ku pushteti nuk sundon vetëm mbi institucionet, por dhe mbi gjuhën, mendimin, marrëdhëniet dhe vetë frymëmarrjen morale të njeriut. Sistemi i paraqitur në këtë vepër nuk është i dhunshëm vetëm sepse arreston, dënon e internon, por ai është i dhunshëm sepse e fut frikën në përditshmëri, e bën njeriun të dyshojë në fjalën e vet, në mikun e vet, në heshtjen e vet. Pikërisht për këtë arsye, romani fiton një dimension të thellë analitik, i cili nuk flet vetëm për represionin si akt, por për represionin si klimë, si psikologji, si helm që shpërndahet në tërë trupin e shoqërisë.

Arsen Petrela, si figurë qendrore e rrëfimit, është ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos mbetet vetëm individ, por të marrë peshën e një simboli më të gjerë. Ai nuk është hero i ngritur mbi piedestal në mënyrë artificiale, por krejt njerëzor pikërisht sepse është i prekshëm, i cenueshëm, i hedhur në vorbullën e një realiteti që e tejkalon. Arrestimi i tij nuk ka rëndësi vetëm si kthesë narrative, por si moment zbulimi: nëpërmjet tij kuptojmë se sa lehtë një regjim i padrejtë mund ta këpusë fillin e jetës normale të një njeriu. Një ditë ai mund të jetë në një tavolinë, në bisedë, në një atmosferë rinore; ditën tjetër mund të gjendet i shkëputur nga bota, nga e dashura, nga familja, nga vetja e dikurshme.

Ky transformim i menjëhershëm nga jeta e zakonshme në fatin tragjik është një prej nyjeve më të forta të romanit. Pikërisht për këtë, romani të shtyn të mendosh jo vetëm për personazhin, por për natyrën e lirisë. Liria, në këtë vepër, nuk paraqitet si koncept abstrakt filozofik, por si nevojë themelore njerëzore. Lexuesi e kupton se liria nuk është vetëm e drejta për të lëvizur, por e drejta për të folur pa frikë, për të menduar pa u ndëshkuar, për të bërë një shaka pa e paguar me jetën nën pranga. Kjo e bën romanin të fuqishëm jo vetëm artistikisht, por edhe etikisht, sepse ai e rikthen lirinë nga niveli i sloganeve në nivelin e përvojës njerëzore konkrete.

Kur rrëfimi zhvendoset në Pirust, romani hyn në një nga shtresat më të dhimbshme dhe më të fuqishme të vetat. Pirusti, gjëgjësisht Karma si burg politik, nuk është thjeshtë hapësirë gjeografike apo kamp pune, por shndërrohet në figurë të materializuar të ferrit tokësor të kohës. Ai është vendi ku pushteti përpiqet ta zbresë njeriun në nivelin e mjetit, ku puna humb kuptimin e saj njerëzor dhe kthehet në mekanizëm ndëshkimi. Aty lodhja nuk është thjesht fizike; është rraskapitje e trupit, e shpirtit, e kujtesës dhe e shpresës. Por pikërisht në këtë hapësirë të errët romani zbulon bërthamën e vet më të ndritshme: edhe kur njeriut mund t’i merret liria e jashtme, nuk është e lehtë t’i merret krejt liria e brendshme.

Kjo është ndoshta një nga shtyllat më të forta analitike të romanit. Arseni nuk del si hero sepse përmbys me forcë mekanizmat e sistemit, por del si figurë e qëndresës, ngaqë ruan një bërthamë të papushtueshme brenda vetes. Kjo qëndresë është e heshtur, por e thellë. Nuk është qëndresë spektakolare, por qëndresë ontologjike. Ai vazhdon të mbetet njeri në një mjedis që është ndërtuar për ta zhveshur nga njerëzorja. Dhe në këtë pikë romani bëhet jo vetëm rrëfim historik, por edhe meditim mbi qenien njerëzore: çfarë e bën njeriun njeri kur gjithçka tjetër i merret? Përgjigja që vepra sugjeron është e qartë: kujtesa, ndërgjegjja, shpresa dhe aftësia për të mos u dorëzuar shpirtërisht.

Justina, gruaja me “qelinë” brenda vetes

Figura e Justinës është po aq e rëndësishme, ndoshta pikërisht sepse përfaqëson një trajtë tjetër të vuajtjes. Në shumë rrëfime të kësaj natyre, vëmendja përqendrohet kryesisht te ai që burgoset, internohet apo ndëshkohet drejtpërdrejt. Por ky roman e zgjeron fushën e dhimbjes dhe na tregon se sistemi nuk godet vetëm individin e përzgjedhur si fajtor; ai godet rrethin e tij, dashurinë e tij, pritjen e tij, shtëpinë e tij. Justina mbetet jashtë kampit, por jo jashtë vuajtjes. Në të kundërt, ajo bart një barrë të heshtur, të rëndë, të vazhdueshme. Ajo përfaqëson gjithë ata njerëz që nuk futen në qeli, por që jetojnë me qelinë brenda vetes; që nuk mbajnë pranga në duar, por mbajnë në zemër ankthin, pasigurinë dhe vetminë.

Analitikisht mund të them se kjo figurë është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse zbulon natyrën rrethore të padrejtësisë. Padrejtësia politike nuk është vijë e drejtë që shkon nga pushteti te viktima; ajo është valë që godet gjithçka përreth viktimës. Ajo hyn në familje, në dashuri, në pritje, në reputacion, në të ardhme. Justina, kështu, nuk është thjesht personazh mbështetës; ajo është një strukturë morale e romanit. Ajo shfaq forcën e heshtur, durimin e gjatë, martirizimin pa zë, që shpesh është edhe më i rëndë se vetë britma.

Në të njëjtën kohë, romani është i pasur me figura të tjera më anësore, por jo të parëndësishme, sikurse Bib’dod Orosi, për shembull, që del si figurë e arsyes së kthjellët dhe e ndërgjegjes së pamposhtur. Ai është nga ata personazhe që nuk mbajnë gjithë barrën e ngjarjes, por mbajnë një dritë morale brenda veprës. Nëpërmjet tij, lexuesi kupton se edhe në kohë errësire nuk shuhen krejt njerëzit e mençur, të drejtë dhe të kthjellët. Ky personazh dëshmon se njeriu, edhe kur nuk ka fuqi për ta ndryshuar tërë sistemin, prapëseprapë ka fuqi për të mos rënë moralisht. Dhe ky është një mesazh i madh i romanit: në kohë të padrejta, drejtësia e vogël personale ka një madhështi të veçantë.

Në një anë tjetër, romani paraqet edhe tipologjinë e atyre servileve që bashkëjetojnë me pushtetin, përfitojnë prej tij ose bëhen zgjatim i tij. Këta personazhe kanë rëndësi të veçantë, sepse tregojnë se e keqja historike nuk mbahet gjallë vetëm nga strukturat abstrakte, por nga njerëz konkretë, nga ata që zgjedhin të heshtin, të spiunojnë, të shtypin, të përshtaten me të padrejtën për interesa të vogla ose nga frika. Kështu, vepra nuk ndërton një botë të thjeshtëzuar në të cilën kemi vetëm viktima të pastra dhe xhelatë të dukshëm, por na paraqet një peizazh moral më të ndërlikuar, ku njeriu vihet vazhdimisht përballë zgjedhjes: të mbetet njeri apo të bëhet vegël.

Klasiku V si metaforë e pushtetit total

Figura e Klasikut V është një nga ndërtimet më domethënëse simbolike të romanit. Ajo nuk ka rëndësi vetëm si personazh, por si prani. Madje, forca e saj vjen pikërisht nga fakti se nuk ka nevojë të jetë gjithmonë në skenë për të sunduar skenën. Ai është simbol i pushtetit që është bërë sistem nervor i frikës kolektive. Nuk është thjesht njeri; është mekanizëm, emblemë, hijeshi e errët e autoritetit të pakontrolluar. Ai ndihet edhe kur nuk flet, shihet edhe kur mungon, imponon edhe kur nuk vepron drejtpërdrejt. Kjo e bën figurën e tij artistikisht të fuqishme, sepse autori e shndërron në simbol të një rendi që ka hyrë në vetë psikikën shoqërore. Pikërisht në aspektin analitik, kjo figurë na ndihmon ta kuptojmë një të vërtetë themelore: regjimet shtypëse nuk sundojnë vetëm me dhunë të dukshme, por edhe me prani të padukshme. Frika është armë më e qëndrueshme sesa dënimi fizik, sepse ajo vazhdon të jetojë brenda njerëzve edhe kur dera e burgut nuk është para syve. Klasiku V si figurë bëhet kështu jo vetëm portret i një njeriu, por metaforë e pushtetit total, që kontrollon jo vetëm trupin, por edhe imagjinatën morale të shoqërisë.

Një ndër vlerat e spikatura të romanit është se ai nuk mjaftohet të përshkruajë të keqen, por kërkon të depërtojë në mekanizmat e saj. Nuk pyet vetëm se çfarë ndodhi, por edhe si ndodhi, pse ndodhi dhe çfarë bëri kjo te njeriu. Kjo e bën veprën të ketë jo vetëm vlerë narrative, por edhe peshë reflektuese. Lexuesi del prej saj jo thjesht me emocione, por me pyetje. Dhe letërsia që lë pyetje është letërsi që vazhdon të jetojë. Një pyetje e tillë del sidomos në fundin e romanit, kur sistemi fillon të lëkundet dhe hapet mundësia e një ndryshimi historik. Këtu vepra nuk bie në thjeshtëzim triumfalist. Nuk thotë se me rënien e sistemit gjithçka shpëtohet menjëherë. Përkundrazi, ajo lë të hapur një problem shumë më të thellë: a ndryshon shoqëria vetëm kur bie pushteti, apo ndryshon vërtet vetëm kur shërohet njeriu nga frika, nga servilizmi, nga plagët morale që sistemi ka lënë në të? Kjo pyetje është e rëndë, por e domosdoshme. Ajo ia jep romanit një gravitet të veçantë, sepse e zhvendos reflektimin nga historia e jashtme te ndërgjegjja e brendshme.

Andaj këtu romani bëhet bashkëkohor, edhe pse flet për një kohë të kaluar. Ai nuk është i rëndësishëm vetëm si kujtesë historike, por si paralajmërim moral. Ai na kujton se çdo shoqëri që e nënvlerëson lirinë, çdo sistem që e sakrifikon të vërtetën për kontroll, çdo kohë që e kthen njeriun në mjet, rrezikon ta përsërisë errësirën. Prandaj kjo vepër nuk është vetëm për të kaluarën; është edhe për të tashmen, madje edhe për të ardhmen.

Raporti mes konkretes historike dhe domethënies simbolike

Nga pikëpamja letrare, “Klasiku V” fiton forcë të veçantë sepse ndërton një raport të qëndrueshëm mes konkretes historike dhe domethënies simbolike. Ngjarjet janë të rrënjosura në një realitet të njohshëm shoqëror e politik, por njëkohësisht ngrihen në nivel më të gjerë universal. Arseni nuk është vetëm një i dënuar i një kohe të caktuar, ai është njeriu i privuar nga dinjiteti. Justina nuk është vetëm e dashura apo gruaja që prêt, ajo është figura e dashurisë së plagosur nga historia. Pirusti dhe Karma nuk është vetëm kamp; është metafora e ferrit tokësor të ndërtuar nga ideologjia. “Klasiku V” nuk është vetëm personazh, por është emri i frikës që merr formë pushteti. Kjo ngritje nga konkretja te simbolikja është një nga shenjat e letërsisë së mirë. Ajo bën që romani të mos mbetet i lidhur vetëm me një kontekst, por të fitojë fuqi më të gjerë leximi. Pikërisht për këtë arsye, unë e shoh këtë vepër më shumë se një roman i kujtesës: e shoh si një roman të ndërgjegjes. Ai nuk kërkon vetëm të tregojë një kohë, por të zgjojë një kujtesë morale ndaj asaj kohe.

Në fund, ajo që mbetet më fort nga kjo vepër nuk është vetëm dhimbja, as vetëm errësira, as vetëm padrejtësia. Ajo që mbetet është ideja se njeriu, edhe kur shtypet, nuk shkatërrohet domosdoshmërisht në thelb. Brenda tij mund të mbetet një bërthamë drite. Kjo dritë mund të jetë e vogël, e fshehur, e drobitur, por mjafton për të mos lejuar zhdukjen e plotë të shpresës. Dhe pikërisht kjo është madhështia e romanit: ai nuk e mohon ferrin, por as nuk e lë njeriun pa qiell.

Prandaj, me plot kuptimin e fjalës e them se për mua, “Klasiku V” është një vepër me peshë të madhe njerëzore, shoqërore dhe letrare. Është një tekst që të mëson të kesh frikë nga padrejtësia, por edhe të besosh te qëndresa. Është një roman që të kujton se liria nuk është luks, por themel i qenies njerëzore. Është një rrëfim që e bën lexuesin të heshtë, të mendojë dhe të kthehet te vetja me më shumë përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është një vepër që dëshmon se, edhe në kohët kur errësira duket absolute, njeriu mund të mbajë brenda vetes një dritë që nuk shuhet. Pikërisht ajo dritë është kujtesa, është ndërgjegja, është dinjiteti, është shpresa. Dhe pa të historia do të ishte vetëm plagë; me të historia bëhet edhe mësim.

Lidhja ndërmjet arsimit dhe tregut të punës kusht për zhvillimin ekonomik

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Hyrje
Një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit ekonomik në vendet në tranzicion është mungesa e lidhjes reale ndërmjet sistemit arsimor dhe kërkesave të tregut të punës. Arsimi nuk duhet të jetë vetëm një proces formal i pajisjes me diploma, por një mekanizëm funksional që prodhon dije, aftësi dhe kompetenca të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Në shumë raste, zgjerimi i shpejtë i institucioneve të arsimit të lartë dhe rritja e numrit të studentëve nuk është shoqëruar me rritje të cilësisë së studimeve dhe as me planifikim të bazuar në nevojat reale të ekonomisë. Si pasojë, është krijuar një mospërputhje e theksuar ndërmjet profileve që prodhon arsimi dhe vendeve të punës që kërkon tregu.
Në vendet me ekonomi të zhvilluar, arsimi konsiderohet si një investim strategjik dhe jo si shpenzim. Ekonomia moderne kërkon punëtorë të kualifikuar, inovativë dhe të aftë për t’u përshtatur me ndryshimet teknologjike.
Kur sistemi arsimor është i lidhur ngushtë me tregun e punës:
● rritet produktiviteti ekonomik
ulet papunësia
● rritet konkurrueshmëria e ekonomisë
● përmirësohet cilësia e shërbimeve dhe prodhimit
● krijohen kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik
Në të kundërtën, kur arsimi funksionon i shkëputur nga ekonomia, krijohet një numër i madh diplomash që nuk përkthehen në aftësi praktike dhe nuk i shërbejnë zhvillimit  ekonomik.
Një nga problemet më të theksuara është prodhimi i profileve profesionale që nuk kanë kërkesë reale në tregun e punës. Shumë të rinj diplomohen në fusha që janë të mbingarkuara me kuadro, ndërsa sektorë të tjerë mbeten me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Kjo mospërputhje shfaqet në disa forma:

1. Mbiprodhimi i diplomave në disa fusha
Në shumë institucione të arsimit të lartë, sidomos në sektorin privat, janë hapur programe studimi kryesisht në fusha me kërkesë të madhe nga studentët, por jo domosdoshmërisht nga ekonomia.
Kjo ka çuar në:
● rritje të numrit të diplomave pa vlerë reale në treg
● ulje të cilësisë së studimeve
rritje të konkurrencës së pabarabartë për vende të pakta pune
Diploma pa kompetencë reale nuk krijon zhvillim ekonomik.

2. Mungesa e aftësive praktike
Shumë të diplomuar posedojnë njohuri teorike, por kanë mungesë të theksuar të aftësive praktike dhe profesionale.
Shkaqet kryesore janë:
● mungesa e praktikave profesionale
● laboratorë dhe pajisje të pamjaftueshme
● lidhje të dobëta ndërmjet universiteteve dhe bizneseve
● programe studimore të vjetruara
Në një ekonomi moderne, aftësitë praktike janë po aq të rëndësishme sa njohuritë teorike.

3. Papunësia e të rinjve si pasojë direkte
Mospërputhja ndërmjet arsimit dhe tregut të punës reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e papunësisë së të rinjve.
Si pasojë, shumë të rinj:
● mbesin pa punë për periudha të gjata
● punojnë në profesione që nuk lidhen me studimet
● emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira
Kjo situatë krijon humbje të kapitalit njerëzor dhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit.
Institucionet arsimore kanë për detyrë që të përshtatasin programet e tyre studimore me nevojat reale në tregun e punës.
Ato duhet të jenë aktorë aktivë në zhvillimin ekonomik dhe jo struktura të izoluara nga realiteti ekonomik.
Kjo kërkon:
● analizë të vazhdueshme të nevojave të tregut
● rishikim periodik të programeve studimore
● përfshirje të ekspertëve të industrisë në procesin mësimor
● zhvillim të programeve
profesionale dhe teknike
Universitetet moderne bashkëpunojnë ngushtë me sektorin privat për të krijuar programe që përgatisin studentët për tregun real të punës. Ndërkaq, shteti ka përgjegjësi kyçe në harmonizimin e sistemit arsimor me nevojat e ekonomisë.
Politikat publike duhet të bazohen në:
● planifikim strategjik të profileve studimore
● kontroll të cilësisë së institucioneve arsimore
● orientim të investimeve në sektorë prioritarë
● mbështetje për arsimin profesional
Pa një rol aktiv të shtetit, arsimi rrezikon të kthehet në treg diplomash dhe jo në sistem zhvillimi.

Arsimi profesional – një mundësi e nënvlerësuar

Një nga dobësitë kryesore karshi arsimit është nënvlerësimi i pakuptimt i arsimit profesional.
Ekonomitë moderne kanë nevojë për teknikë, zejtarë, specialistë të mesëm profesionalë dhe për operatorë të aftë teknikë
Forcimi i arsimit profesional mund të:
● ulë dukshëm papunësinë e të rinjve
● rrisë produktivitetin ekonomik
● plotësojë mungesën e fuqisë punëtore në sektorë teknikë
Arsimi profesional nuk duhet parë si alternativë e dobët, por si një rrugë dhe mundësi e rëndësishme zhvillimi.
Një sistem arsimor i harmonizuar me tregun e punës krijon bazën për një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese.
Pa kapital njerëzor të përgatitur mirë, zhvillimi ekonomik mbetet i kufizuar.

Rekomandime konkrete

Në funksion të përmirësimit të lidhjes ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, është e nevojshme të ndërmerren disa masa konkrete:

1. Hartimi i një strategjie kombëtare për lidhjen e arsimit me tregun e punës
Strategjia duhet të bazohet në analiza reale të nevojave të ekonomisë dhe perspektivave të zhvillimit.

2. Rishikimi periodik i programeve studimore
Programet duhet të përditësohen çdo disa vite, duke reflektuar zhvillimet teknologjike dhe ekonomike.

3. Kufizimi i hapjes së programeve pa kërkesë në treg
Duhet të shmanget mbiprodhimi i diplomave në fusha të mbingarkuara.

4. Zgjerimi i praktikave profesionale të detyrueshme
Çdo student duhet të kalojë një periudhë të konsiderueshme praktike gjatë studimeve.

5. Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe bizneseve
Bizneset duhet të jenë pjesë aktive në hartimin e programeve studimore.

6. Mbështetja e arsimit profesional dhe teknik
Duhet të rritet investimi në shkolla profesionale dhe pajisje moderne.

7. Monitorimi i punësimit të të diplomuarve
Institucionet arsimore duhet të përcjellin rrugëtimin profesional të studentëve pas diplomimit.

Përfundim
Lidhja ndërmjet arsimit dhe tregut të punës nuk është vetëm çështje arsimore, por një domosdoshmëri ekonomike dhe shoqërore. Pa një sistem arsimor që prodhon kuadro të afta dhe të përshtatshme për nevojat e ekonomisë, zhvillimi ekonomik mbetet i kufizuar dhe i paqëndrueshëm.
Investimi në cilësi, planifikim dhe bashkëpunim ndërmjet arsimit dhe ekonomisë është rruga më e sigurt drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Më 14 prill 2026

Apel drejtuar shteteve tona, intelektualëve, veprimtarëve dhe gjitha organizimeve shqiptare në vend e diasporë!

0

Në foto shihet mësimi për religjinionin islam në Zvicër

Ahmet Asani, Kumanovë

▪︎ Debatin për ndërtimin e një xhamie në St. Gallen, që këto ditë është aktual, nuk duhet shikuar as vetëm si çështje fetare e as si debat mes të majtës dhe të djathtës në Zvicër, por si debat për të ardhmen tonë si komb. Fakt është se liria fetare është e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme në një shtet si Zvicra, por pyetja të cilën do të duhej t’ia bënim vetes mendoj se është kjo: a mos jemi duke e tepruar me investime në objekte fetare, duke i lënë krejt anash objektet për nevoja kombëtare?
▪︎ Sot në diasporë kemi qindra objekte fetare, kemi qindra imamë, priftërinj e struktura fetare të organizuara, por nuk kemi asnjë Qendër Kulturore Kombëtare që i bashkon shqiptarët pa dallim feje!
▪︎ A është e pranueshme që në shekullin XXI, në epokën e inteligjencës artificiale dhe globalizimit, shqiptarët të investojnë miliona në objekte fetare që i ndajnë, e të mos investojnë fare në objekte kombëtare që i bashkojnë shqiptarët?
▪︎ A është e arsyeshme që një i ri shqiptar në Zvicër të mësojë më shumë për fenë sesa për gjuhën, historinë dhe kulturën e tij kombëtare?
▪︎ Më e keqja në vend se në diasporë të bëjmë varreza kombëtare, ne vazhdojmë të kërkojmë varreza fetare. A ka më trishtuese se sa fakti që një shqiptar i besimit të krishterë të varroset në varreza ku mund të ketë edhe sllavë të varrosur, ose një shqiptar i besimit musliman të varroset në varreza ku ka arabë, turq e boshnjakë të varrosur, në vend se të varroset bashkë në varreza shqiptare?
▪︎ A është kjo ajo që duam për brezat tanë? A është normale që një shqiptar të mos varroset pranë shqiptarit, por pranë një pjesëtari të një kombi tjetër vetëm për shkak të fesë? Kjo nuk është vetëm çështje emocionale. Kjo është çështje e mbijetesës së identitetit kombëtar!
▪︎ Ne shqiptarët, si pasardhës të Rilindasve që krijuan kombin shqiptar, nuk mund të jemi kundër besimeve fetare, por jemi kundër sistemeve klerikale që fenë po e vendosin mbi kombin. Feja është çështje personale, kurse kombi është çështje e përbashkët.
▪︎ Nëse vazhdojmë kështu, siç po kërkojnë klerikët fetarë, pas disa dekadash mund të kemi breza që e dinë se cilës fe i përkasin, por gjuhën shqipe nuk do të dinë më ta flasin dhe nuk do ta ndjejnë veten shqiptarë! Ky është rreziku real. Ky është alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve!
▪︎ Prandaj, detyrë e çdo intelektuali e veprimtari shqiptar është të bëjë thirrje që të bashkohemi, që bashkë t’i vendosim prioritetet, sepse kështu si jemi kemi humbur ekuilibrin.
▪︎ Shqiptarët në Zvicër nuk kanë nevojë vetëm për xhami, kisha apo objekte të tjera fetare, por kanë nevojë për Qendra Kulturore Kombëtare Shqiptare, për shkolla në gjuhën shqipe, për institucione që ruajnë identitetin tonë, për hapësira ku rinia mëson mbi gjithçka tjetër të jetë shqiptare, sepse vetëm të bashkuar mund t’i mbijetojmë asimilimit si komb në diasporë!
▪︎ Me këtë rast, nëpërmjet këtij shkrimi u bëj thirrje të gjithë intelektualëve, veprimtarëve, klerikëve dhe organizatave shqiptare që të ulemi bashkë, të mendojmë kombëtarisht dhe të veprojmë si komb, sepse në fund të ditës historia nuk do të na gjykojë për sa xhami apo kisha ndërtuam, por për atë nëse arritëm ta ruajmë apo ta humbim kombin tonë.
Të bashkohemi që ta shpëtojmë kombin!

Kontributin turk në luftën e Kosovës në pranverë e vitit 1999, ka qene minimal në të gjitha aspektet

0

Ushtarë të NATO-s u pritën si heronj dhe me entuziazëm të madh nga populli i Kosovës në Qershorin 1999

Nikolle Loka, Tiranë

KONTRIBUTI TURK NE LUFTEN E KOSOVES PERTEJ LEGJENDAVE URBANE
Disa njerez trumbetojne se “Turqia ishte shteti qe çliroi Kosovën”,; te tjere se “ne koalicionin e NATO-s, Turqia ka rolin me te madh”. Ne kuadrin e lirise se mendimit, facebook i krijon mundesi çdo njeriu qe nuk ia ka idene e kesaj pune, apo politikani abuziv te pohoje çfare te dojë, ndersa studiuesit jane te denuar te paraqesin dokumente arkivore dhe burime historike.
Duke kerkuar per kontributin turk ne luften e Kosoves, del se ai ka qene minimal per nje kompleks arsyesh. Çfare do te thote minimal: Turqia, jo vetem nuk mund te krahasohet me SHBA, siç e permendi dikush keto dite, por as me shtetet e Bashkimit Europian. Minimal do te thote qe roli i saj ka qene pothuajse i pandjeshem, pavaresisht se avokatet e turqizmit nuk do ta pelqejne kete pohim, madje jane te gatshem t’i fabrikojne faktet dhe t’i servirin si te verteta te padiskutueshme.
LGAR MAMEDOV, THE BALKAN POLICY OF TURKEY IN CONNECTION WITH THE KOSOVO CRISIS IN 1998–1999, Istorija 20. veka, god. 38, 1/2020, 185–202
Dilema e Kosovës
Në mes të viteve 1990, UÇK filloi të vepronte në Kosovë dhe shpalli më 28 shkurt 1998 fillimin e luftës së armatosur për pavarësinë e krahinës. Përmes kanaleve të fshehta, të operuara kryesisht nga CIA, gjatë periudhës nga fundi i vitit 1998 deri në fillim të 1999, u transferuan armë dhe fonde për të furnizuar UÇK-në. Agjentët e CIA-s raportuan më pas se kishin hyrë në Kosovë në vitin 1998, kur nis fillimi i krizës në Kosovë. Më 7-8 mars 1998, Ismail Cem, ministri i jashtëm turk, vizitoi Beogradin dhe zhvilloi bisedime me Presidentin e RFJ-së Sllobodan Millosheviç dhe Ministrin e Jashtëm Jovanoviç.
Një takim i përfaqësuesve ushtarakë nga Turqia, SHBA, Bullgaria, Maqedonia, Rumania, Shqipëria dhe Sllovenia u mbajt në Ankara më 16-18 mars 1998. Në rendin e ditës ishte çështja e krijimit të forcave shumëkombëshe të ruajtjes së paqes në Ballkan. Ministri i Jashtëm Cem mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës më 25 mars 1998 në Bon. Më 10 korrik 1998, ambasadori turk në RFJ, A. Kılıç, i përcolli Ibrahim Rugovës në Prishtinë një ftesë zyrtare nga ministri Cem për të vizituar Turqinë.
Turqia gjithashtu ofroi nisma për paqe. Në një fjalim në Parlamentin shqiptar, Presidenti Demirel – që ndodhej në Tiranë më 14-15 korrik 1998 me ftesë të Presidentit shqiptar Rexhep Meidani – i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë bashkërisht agresionin serb në Kosovë dhe të sjellë palët ndërluftuese në tryezën e negociatave menjëherë. Më 23 korrik 1998, Parlamenti turk i dha autorizim Këshillit të Ministrave të dërgonte një kontingjent ushtarak në Shqipëri, nëse do të lindte nevoja për shkak të përkeqësimit të situatës në Kosovë. Më 27 korrik 1998, S. Demirel i dërgoi një letër udhëheqësve të Grupit të Kontaktit dhe Presidentit të RFJ-së S. Millosheviç, duke i nxitur që të kërkonin një zgjidhje paqësore të konfliktit mes Beogradit dhe separatistëve shqiptarë në Kosovë. Më 8 tetor 1998, deputetët e Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë votuan unanimisht për t’i dhënë qeverisë autorizimin për pjesëmarrjen e forcave të armatosura turke në operacionet paqeruajtëse të mundshme të NATO-s në Kosovë.
Shqetësimi kryesor i Ankarasë ishte frika nga represionet ndaj turqve lokalë nga shqiptarët, dhe rreziku i përhapjes së konfliktit të Kosovës në të gjithë gadishullin. Skenari më i zakonshëm në Turqi ishte frika se, nëse shqiptarët në Kosovë fitonin pavarësinë, shqiptarët në Maqedoni do të ndiqnin të njëjtin shembull, duke nxitur ndarjen e Republikës së Maqedonisë dhe intensifikimin e konfliktit rajonal. Turqia e rriti menjëherë ndihmën ushtarake për Maqedoninë, ku kishte një komunitet të madh shqiptar të lidhur ngushtë me shqiptarët e Kosovës. Në qershor të vitit 1998, ishin duke u zhvilluar negociata për furnizimin e ushtrisë maqedonase me 20 avionë luftarakë F-5 dhe për trajnimin e pilotëve maqedonas në Turqi. Udhëheqësit turq mbetën të përkushtuar për ruajtjen e integritetit territorial të RFJ-së dhe treguan kujdes ekstrem në ndërhyrjen në punët e brendshme të Kosovës.
Pa ndërmarrë veprime praktike, udhëheqësit turq vazhduan formalisht të mbështesin “rivendosjen” e të drejtave të të gjitha grupeve etnike në Kosovë. Turqia tregoi mirëkuptim për qëndrimin e Shqipërisë lidhur me ngjarjet në ish-Jugosllavi dhe, mbi të gjitha, në Kosovë. Zyrtarët turq deklaruan vazhdimisht se në rast të ndërlikimit të situatës në Kosovë ose në Sanxhak, pozicionet e Turqisë dhe Shqipërisë do të ishin të njëjta. Turqia gjithashtu mbështeti vijën politike të Shqipërisë për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Turqia dhe Shqipëria mbështetën sanksionet e OKB-së ndaj Jugosllavisë dhe besonin se Kosova duhej shpallur një zonë e çmilitarizuar, me trupa të OKB-së atje për të parandaluar përhapjen e konfliktit. Objektivat strategjike të politikës së saj, faktorët etnikë dhe fetarë, si edhe interesat tregtare dhe ekonomike e përcaktuan këtë qëndrim të Turqisë.
Duke insistuar në rivendosjen e të drejtave për të gjitha grupet etnike në Kosovë, Ankaraja shmangu çdo krahasim të padëshiruar me kurdët. Për të hedhur poshtë çdo paralelizëm me situatën në juglindje të Anadollit, ata paraqitën dy lloj argumentesh: (1) shtypja në Kosovë ishte në një shkallë kaq të gjerë, sa nuk mund të bëhej asnjë krahasim. Presidenti Demirel madje e cilësoi atë si “gjenocid”; (2) natyra e konfliktit ishte krejtësisht e ndryshme. “Ata i quajnë një pakicë në Kosovë, por ne nuk kemi pakica në Turqi”, tha Demirel.
Në vitin 1999, Turqia vazhdoi aktivitetin e saj diplomatik mbi çështjen e Kosovës. Më 17 janar 1999, Ministri i Jashtëm turk I. Cem dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Kryesuesit të OSBE-së për nevojën që menjëherë të mblidheshin organet përkatëse të këtyre organizatave lidhur me masakrën ndaj shqiptarëve etnikë në qytetin Raçak të Kosovës. Më 22 janar 1999, fregata e Marinës Turke “Muavenet” u nis nga baza detare në Gjyllyk drejt Detit Adriatik për të marrë pjesë në operacionet e mundshme të NATO-s në krahinën serbe të Kosovës. Më 27 janar 1999, Cem u dërgoi kolegëve të tij në SHBA, Rusi, Francë, Britani, Gjermani dhe Itali një mesazh për çështjen e Kosovës. Ai gjithashtu mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore mbi situatën në Kosovë, që u mbajt më 19 mars 1999 në Bukuresht.
Përveç aktiviteteve diplomatike, Turqia ndërmori veprime humanitare. Më 4 prill 1999, Turqia filloi të ofronte ndihmë humanitare për refugjatët nga krahinat serbe të Kosovës. Ankaraja shpalli gatishmërinë për të pranuar dhe strehuar deri në 20,000 refugjatë nga Kosova. Kjo ka qenë një përbërës i qëndrueshëm i politikës turke ndaj komuniteteve turke dhe myslimane në rajon. Sipas OKB-së (UNHCR), në fund të majit 1999, në Turqi ndodheshin 16.200 refugjatë nga Kosova. Të gjithë këta shqiptarë u kthyen në Kosovë në verën e vitit 1999. Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithashtu ngriti dy kampe tentesh për refugjatët në Maqedoni (Bojanë) dhe në Shqipëri (Elbasan).
Në vitin 1999, si vëzhgues të OSBE-së përgjegjës për verifikimin e armëpushimit, iu dhanë militantëve manualë trajnimi ushtarak amerikanë dhe telefona satelitorë që komandantët e tyre të komunikonin me NATO-n dhe Uashingtonin. Si kundërpërgjigje, Beogradi vendosi forcat e tij të policisë dhe të armatosura në Kosovë dhe Metohi. Në korrik-gusht 1998, forcat e armatosura serbe arritën të shkatërronin pikat kryesore të UÇK-së, që kontrollonin deri në 40% të territorit të krahinës.
Edhe përpara shpërthimit të krizës në pranverën e vitit 1998, udhëheqësit turq ishin jashtëzakonisht të kujdesshëm në politikën e tyre për Kosovën. Kosovarët kishin kohë që i bënin thirrje t’i ndihmonin. Që në vitin 1992, Ibrahim Rugova udhëtoi në Turqi dhe kërkoi njohje. Bujar Bukoshi, kryeministri i “qeverisë në hije”, i kërkoi Turqisë të dërgonte vëzhgues në zgjedhjet e 22 marsit 1998. Adem Demaçi, shkrimtar dhe politikan shqiptar i Kosovës, i bëri thirrje Turqisë të ishte më aktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Si përgjigje ndaj heshtjes së Ankarasë, shumica e udhëheqësve të Kosovës shprehën zhgënjimin me këtë “politikë pasive”.
Kur shpërthyen përleshjet e armatosura në Kosovë në vitin 1998, siç kishte ndodhur në luftën e Bosnjës, Turqia e dënoi dhunën, bëri thirrje për dialog konstruktiv dhe ofroi pjesëmarrje në forcat ndërkombëtare paqeruajtëse. Por ndryshe nga reagimi i saj ndaj ngjarjeve në Bosnje, nuk tregoi veprim praktik përveç atij diplomatik. Turqia përballej me një dilemë. Bosnja ishte një republikë federale e RSFJ-së dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, pavarësia e saj u njoh ndërkombëtarisht. Por Kosova, ndryshe nga Bosnja, nuk ishte republikë federale; ishte një krahinë autonome brenda Serbisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ajo ishte pjesë e RFJ-së, integriteti territorial i së cilës u njoh nga komuniteti ndërkombëtar. Turqia nuk e mbështeti separatizmin e Kosovës, veçanërisht duke qenë se ajo vetë përballej me një separatizëm të ngjashëm në territorin e saj. Shumëkush ka vënë në dukje këtë analogji mes Kosovës dhe Kurdistanit. Ambasadori jugosllav në Ankara, për shembull, nuk e humbiste rastin për të krahasuar luftën ndaj PKK-së në Turqi, duke deklaruar: “Turqia duhet ta kuptojë më mirë se çdo vend tjetër Beogradin, pasi ndodhet në një situatë të ngjashme.”
Gjatë gjithë vitit 1998, qeveria e Yilmaz-it mbeti në fakt jashtëzakonisht indiferente ndaj zhvillimeve në Kosovë, veçanërisht gjatë operacioneve ushtarake serbe në verë. Turqia u përpoq vetëm të mbante një dialog. f.189-191

Poezi nostalgjike për Halime Muratin, vashen e Çetës së Llapit

0

Halime Murati – vasha e Çetës së Llapit

Poezi

Frikën ua fale liliputëve,
dëshpërimin pesimistëve,
urrejtjen fashistëve.

Ishe vashë e guximshme,
që s’njihte dorëzim.
Edhe pse ende fëmijë,
luftove me shpirt e zemër,
Kosovës për t’i dhënë emër.

Në ilegalitet të njohën
me nofkën e ëmbël “LIRIA”.
Me fjalën tënde të matur,e me peshë,
zemrat e rinisë llapjane i mbushje me shpresë —
për liri e ardhmëri.

Emri yt u bë betim,
që flamuri të valojë,
e kënga të jehojë,
derisa Kosova
të bëhet me Zot shtëpie.

Halime Murati — emblemë e guximit dhe krenarisë shqiptare!

Arif Ejupi
Gjenevë, 10 prill 2026

Europa nuk do të ketë lidhje me luftën, por do t’i diktojë Izraelit

0

Hans Rustad/ Document.no

Europa përballë Francës dhe Britanisë së Madhe thotë kategorikisht jo për të marrë pjesë në sigurimin e ngushticës së Hormuzit. Njëkohësisht, Gjermania ushtron presion mbi Izraelin për të përfunduar luftën në Liban. Hizbollah tallet me popullin libanez pa marrë parasysh. E njëjta bëjnë autoritetet në Teheran. Si Hizbollah ashtu edhe Garda Revolucionare kanë si qëllim shkatërrimin e Izraelit.

Megjithatë, Europa është kundër luftës së Izraelit dhe SHBA-së.

Kancelari gjerman Friedrich Merz i kërkon kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të ndalojë sulmet ndaj Libanit dhe të fillojë bisedimet e paqes me qeverinë e vendit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, 2089 njerëz janë vrarë dhe të paktën 6762 janë plagosur në sulmet izraelite që nga 2 marsi.

Merk në një bisedë telefonike me Netanyahu gjithashtu shprehu shqetësim të madh për zhvillimet në territoret palestineze, thotë një zëdhënës.

Kanselari gjerman gjatë bisedës e bëri të qartë se ‘nuk duhet të ndodhë një aneksim de facto i pjesshëm i Bregut Perëndimor’, thotë zëdhënësi.

Europa e ka bërë veten vëzhgues gjatë luftës kundër Iranit dhe Hizbollahit. Megjithatë, ata ndihen të thirrur të japin një mësim për Izraelin.

Qeveria libaneze sipas planit do të fillojë negociata direkte me Libanin në Uashington të martën. Hizbollah i bën thirrje qeverisë të anulojë takimin.

Ata mbështesin vazhdimin e luftës.

Europa vil ikke ha noe med krigen å gjøre, men vil diktere Israel

“Ejani ta bombardojmë Iranin”, vazhdim i analizës së Dritan Goxhajt nga Tirana

0

Dritan Goxhaj, Tiranë

Pjesa e gjashtë

Përpjekja e fundit e Amerikës për të ruajtur unipolaritetin.

Agresioni ushtarak amerikano-izraelit ndaj Iranit, pamvarësisht se po mundohen me të gjitha mënyrat nga ana e agresorëve, për ta paraqitur si një përshkallëzim dhe vetëm konflikt rajonal, nuk është një gjë e tillë, por në realitet ajo është një tentativë përfundimtare e një rendi, i cili nuk mundet më të riprodhojë vetveten përmes dominimit ekonomik dhe ushtarak.

Pra, në realitet është një luftë kundër multipolarizmit si një përpjekje ekzistenciale, për të parandaluar krijimin dhe konsolodimin e qëndrave alternative të pushtetit.

Aktualisht po shtrohet një tryezë / vendoset në politikën globale, një tryezë në të cilën nuk ka ftesa, një tryezë në të cilën nuk ulesh se je vasal i të fortit të rradhës, një tryezë në të cilën nuk mund të shpresosh të ftohesh, por një tryezë në të cilën vendin (karrigen) duhet ta vendosësh vetë me anë të forcës.

Shumë nga ju do thoni që po shtrohet një tryezë e re, por unë këmbëngul te ideja se për herë të parë po vendoset një tryezë, pasi më parë nuk kishte një të tillë.

Kishte vetëm një fron në të cilin ishte ulur Amerika dhe gjithë të tjerët qëndronin poshtë e të përkulur.

Një pjesë si vasalë nën pushtetin dhe arrogancën amerikane, e një pjesë si armiq të këtij pushteti.

Dhe në atë holl të politikës botërore, ku mbizotëronte vetëm froni amerikan, miqtë konsideroheshin e vazhdojnë të konsiderohen subjekte, ndërsa kundërshtarët konsiderohen armiq.

Ndërsa tashti, në dritën e zhvillimeve në Gjirin Persik gjërat po ndryshojnë.

Mjafton të shifni Eurpianët.

Për dekada të tëra aleatë dhe baza të sigurta të Perandorisë dhe vasalë të hegjemonisë Amerikane, shumica e tyre po hyjnë në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin për të manaxhuar kalimin e çisternave të tyre me naftë përmes ngushticës së Hormuzit.

Po kështu edhe Japonia, vasali nën protektorat i Amerikës.

Dhe kur një vasal fillon të negociojë direkt me armikun e hegjemonit nën të cilin ndodhet, kjo tregon se froni ka filluar të lëkundet dhe se nuk mundet më të proejktojë pushtet ndaj vasalit.

Kjo nuk do të thotë se fuqia nuk është e rëndësishme, por thjesht ajo nuk është absolute dhe se funksionon brenda kornizave që duhen kuptuar e respektuar.

Dhe se çdo lloj strategjie që injoron gjeografinë, si dhe dinamikën e përshkallëzimit, herët a vonë do të përplaset me realitin.

Kundërpërgjigja politike dhe ushtarake e Iranit ndaj kësaj dinamike përshkallëzimi, tregon efektivitetin e një planifikimi afatgjatë, bazuar mbi avantazhin gjeografik, duke treguar gjithashtu se durimi dhe integrimi mund të tejkalojnë avantazhin teknologjik dhe spektaklin ushtarak.

Dhe në këtë realitetin e ri nuk është dominimi ai mbi të cilin varet më stabiliteti, por manaxhimi i fuqive të tua dhe kapacitetet sovrane të një vendi.

Në këtë realitet të ri Irani po tregon se fitorja e një konflikti nuk varet më nga ato të konsideruara beteja vendimtare, por nga boshtet e alencave që formon, dhe nuk do të varet nga deklarat por nga qëndresa.

Dhe Irani duke rezistuar ka arritur të ndryshojë rolin e tij strategjik.

Ky ndryshim nuk erdhi bazuar mbi një moment dramatik, por bazuar mbi një qëndrueshmëri, mbi një presion dhe mbi kuptimin e luftës moderne, e cila solli riformatimin e manaxhimit të ngushticës së Hormuzit, duke sjellë implikime që do të shtrihen përtej Lindjes së Mesme.

Ajo çka e bën këtë moment të rëndesishëm është se nuk i përshtatet veprimtarisë politike tradicionale të deritanishme.

Nuk ka as fitore të qarta dhe as humbje vendimtare, ashtu si është mësuar bota të shohë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por në vend të saj kemi një ribalancim gradual, një ndryshim në atë që perceptohet si e mundur dhe si jo e mundur.

Në këtë konflikt, për herë të parë po kuptojmë se dukshmëria nuk është e njëjtë me rëndësinë, dhe njohja e këtij ndryshimi është hapi i parë drejt së ardhmes së këtij konflikti, ku tashmë e tutje kontrolli ushtrohet nëpërmjet aksesit, mohimit dhe kufizimit të kundërshtarit, e jo nëpërmjet pushtimit, i cili është një koncept i vjetër i luftërave të shekullit të kaluar.

Në këtë tavolinën e re gjeopolitike, suksesi matet me atë që kundërshtari nuk mund të bëjë, e jo me atë që kundërshtari arrin të demostrojë.

Dhe kjo përfaqëson mënyrën si ushtrohet ndikimi.

Dhe në këtë realitet të ri gjeopolitik rezultatet strategjike formohen jo vetëm nga transporti e nga inovacioni, por nga faktorë strukturorë përtej kontrollit të një fuqie të vetme.

Këtë e demostron roli i ngushticës së Hormuzit si një kalim strategjik detar jo i mbyllur përshkak të një beteje të humbur, por për shkak të një kontrolli të qëndrueshëm në distancë.

Dhe ajo që po ndodh në Gjirin Persik është një demostrim se si mund të luftohen jo vetëm dominanca ushtarake dhe politike rajonale, por edhe ajo globale.

Dhe ky mësim po shkruhet me zjarr e me gjak nga Irani, ku edhe të gjitha Monarkitë pro zioniste të Gadishullit Arabik, të gjitha vasale të nënshtruara dhe baza të sigurta të forcave amerikane në atë rajon, po goditen, jo pamvarësisht bazave, por për shkak të këtij qëndrimi të tyre pro zionist, nëpërmjet heshtjes së tyre përgjatë genocidit amerikano-zionist në Gaza.

Irani po u tregon se çadra e sigurisë së hegjemonit, nën të cilin janë rreshtuar monarkitë vasale të Gjirit, është e shpuar dhe e grisur, dhe nuk mund t’i mbrojë, dhe se garancia e saj ka skaduar, dhe tashmë është e pavlefshme.

Dhe në këtë tavolinën gjeopolitike globale që po vendoset, aktualisht gjënden të ulur Amerika si hegjemoni i fundit, Rusia dhe Kina, kjo për arsye se këto të treja, përveç që posedojnë fuqinë atomike, ato kanë edhe masën ekonomike dhe shtrirjen globale me anë të së cilës projektojnë fuqi politike dhe ushtarake.

Në këtë realitet të ri do të ndodhë dalja e qëndrave të reja të gravitetit politik dhe ushtarak rajonal, që do të ristrukturojnë, ashtu si Irani, lagjet e tyre, pa marrë leje.

Dhe këto qendra të reja graviteti nuk përcaktohen vetëm nga prodhmi i brendëshëm bruto, ose popullsia. Ato do të përcaktohen nga vullneti politik, nga qëmdrueshmëria ndaj agresionit dhe nga shtrirja.

Do të varen nga kapacitetet për të absorbuar goditjet dhe për tu kundërpërgjigjur.

Do të varen nga kapacitetet për të projektuar fuqi politike përtej kufijve të tyre, pa mbështetje nga jashtë.

Do të varen nga kapacitetet që kanë ose do kenë për t’i imponuar kosto politike dhe ushtarake hegjemonit, kosto e cila do e bëjë qëndrueshmërinë politike të brendëshme të hegjemonit të paqëndrueshme.

Irani i ka absorbuar goditjet agresive të hegjemonit dhe jo vetëm por ka treguar edhe kapacitete për t’u kundërpërgjigjur nëpërmjet fuqisë së raketave balistike, kapacitetin e të cilave ka arritur ta ruajë.

Irani ka arritur të projektojë fuqi politike në vende të tjera të rajonit dhe në pika kyçe nëpërmjet aleatëve të tij: Huthi, Hezbullah dhe Milicive Shiite në Irak.

Irani ka treguar se ka arritur t’i imponojë hegjemonit kosto politike dhe ekonomike, të cilat për momentin e kanë bërë qëndrueshmërinë politike të brendëshme të lëkundet e të shkoi drejt rrënmit.

Me këto të treja Irani po tregon se ka të gjitha kapacitetet që të dali nga ky konflikt si një superfuqi rajonale.

Irani po i tregon gjithë pjesës tjetër të botës se ekonomia, popullsia, forca ushtarake dhe fuqia industriale janë tarifa hyrëse në këtë tavolinë, por ama vetëm tarifa hyrëse, pasi vendi fitohet vetëm nga mënyra se si i përdor këto nën presion.

Irani po tregon se vetëm sovranizmi është rruga e vetme për të hyrë në kategorinë e superfuqisë.

Dhe se sovranizmi nuk ëshë një koncept abstrakt politik, ashtu si politika perendimore këto 35 vitet e fundit është munduar ta paraqesë.

Sovranizmi është një koncept fizik, ashtu si ka qënë në shekullin e shkuar.

Sovraniteti është siguria energjitike, siguria ushqimore, siguria industriale, siguria arsimore, siguria shëndetësore dhe siguria ushtarake.

Pa këto të gjashta nuk ka sovranitet dhe, si rrejdhojë, as pamvarësi, por vetëm vasalitet.

Në këtë rend të ri që po shkruhet, sovraniteti është monedha e vetme e mbijetesës.

Dhe në këtë rendin e ri, nuk shtrohet pyetja se kush dëshiron një vend në këtë tavolinë, por kush ka vullnetin që të rivendosë sovranitetin e tij në mënyrë që të kapi një karrige në këtë tavolinë, e cila do të quhet – Multipolare.

Tavolina është vendosur tashmë.

Vëndet e karrigeve janë të limituara.

Koha po ashtu është e limituar.

Dhe gjithë bota po sheh me kureshtje se kush tjetër, përveç Iranit, do arrij të ulet në këtë tavolinë.