▪︎ Debatin për ndërtimin e një xhamie në St. Gallen, që këto ditë është aktual, nuk duhet shikuar as vetëm si çështje fetare e as si debat mes të majtës dhe të djathtës në Zvicër, por si debat për të ardhmen tonë si komb. Fakt është se liria fetare është e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme në një shtet si Zvicra, por pyetja të cilën do të duhej t’ia bënim vetes mendoj se është kjo: a mos jemi duke e tepruar me investime në objekte fetare, duke i lënë krejt anash objektet për nevoja kombëtare?
▪︎ Sot në diasporë kemi qindra objekte fetare, kemi qindra imamë, priftërinj e struktura fetare të organizuara, por nuk kemi asnjë Qendër Kulturore Kombëtare që i bashkon shqiptarët pa dallim feje!
▪︎ A është e pranueshme që në shekullin XXI, në epokën e inteligjencës artificiale dhe globalizimit, shqiptarët të investojnë miliona në objekte fetare që i ndajnë, e të mos investojnë fare në objekte kombëtare që i bashkojnë shqiptarët?
▪︎ A është e arsyeshme që një i ri shqiptar në Zvicër të mësojë më shumë për fenë sesa për gjuhën, historinë dhe kulturën e tij kombëtare?
▪︎ Më e keqja në vend se në diasporë të bëjmë varreza kombëtare, ne vazhdojmë të kërkojmë varreza fetare. A ka më trishtuese se sa fakti që një shqiptar i besimit të krishterë të varroset në varreza ku mund të ketë edhe sllavë të varrosur, ose një shqiptar i besimit musliman të varroset në varreza ku ka arabë, turq e boshnjakë të varrosur, në vend se të varroset bashkë në varreza shqiptare?
▪︎ A është kjo ajo që duam për brezat tanë? A është normale që një shqiptar të mos varroset pranë shqiptarit, por pranë një pjesëtari të një kombi tjetër vetëm për shkak të fesë? Kjo nuk është vetëm çështje emocionale. Kjo është çështje e mbijetesës së identitetit kombëtar!
▪︎ Ne shqiptarët, si pasardhës të Rilindasve që krijuan kombin shqiptar, nuk mund të jemi kundër besimeve fetare, por jemi kundër sistemeve klerikale që fenë po e vendosin mbi kombin. Feja është çështje personale, kurse kombi është çështje e përbashkët.
▪︎ Nëse vazhdojmë kështu, siç po kërkojnë klerikët fetarë, pas disa dekadash mund të kemi breza që e dinë se cilës fe i përkasin, por gjuhën shqipe nuk do të dinë më ta flasin dhe nuk do ta ndjejnë veten shqiptarë! Ky është rreziku real. Ky është alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve!
▪︎ Prandaj, detyrë e çdo intelektuali e veprimtari shqiptar është të bëjë thirrje që të bashkohemi, që bashkë t’i vendosim prioritetet, sepse kështu si jemi kemi humbur ekuilibrin.
▪︎ Shqiptarët në Zvicër nuk kanë nevojë vetëm për xhami, kisha apo objekte të tjera fetare, por kanë nevojë për Qendra Kulturore Kombëtare Shqiptare, për shkolla në gjuhën shqipe, për institucione që ruajnë identitetin tonë, për hapësira ku rinia mëson mbi gjithçka tjetër të jetë shqiptare, sepse vetëm të bashkuar mund t’i mbijetojmë asimilimit si komb në diasporë!
▪︎ Me këtë rast, nëpërmjet këtij shkrimi u bëj thirrje të gjithë intelektualëve, veprimtarëve, klerikëve dhe organizatave shqiptare që të ulemi bashkë, të mendojmë kombëtarisht dhe të veprojmë si komb, sepse në fund të ditës historia nuk do të na gjykojë për sa xhami apo kisha ndërtuam, por për atë nëse arritëm ta ruajmë apo ta humbim kombin tonë.
Të bashkohemi që ta shpëtojmë kombin!



