







Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
Hyrje
Urbanizimi dhe emigrimi në Kosovë, krahasuar me Shqipërinë dhe Europën dhe pyetja publike se “A po zbrazen fshatrat dhe po ndryshon struktura e popullsisë në Kosovë?”
Në diskursin publik shpesh dëgjohet pohimi se “fshatrat në Kosovë po zbrazen”. Ky perceptim lidhet kryesisht me emigrimin e të rinjve jashtë vendit dhe me zhvendosjen e familjeve nga zonat rurale drejt qyteteve.
Megjithatë, për të kuptuar realitetin demografik, është e domosdoshme të analizohen të dhënat statistikore dhe trendet reale të lëvizjes së popullsisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, struktura e popullsisë në Kosova ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë dy dekadave të fundit, duke kaluar nga një shoqëri kryesisht rurale në një shoqëri pothuajse të balancuar mes qytetit dhe fshatit.
Urbanizimi në Kosovë: nga shoqëri rurale drejt balancimit urban
Në vitin 2011, sipas regjistrimit të popullsisë: rreth 61–62% e popullsisë jetonte në fshatra rreth 38–39% në qytete.
Ndërsa sipas regjistrimit të fundit të popullsisë (2024): rreth 50% jetojnë në zona urbane rreth 50% jetojnë në zona rurale popullsia rezidente e Kosovës është rreth 1.6 milion banorë.
Ky ndryshim tregon se nuk kemi vetëm zbrazje të fshatrave nga emigrimi, por edhe një lëvizje të fuqishme brenda vendit, kryesisht nga zonat rurale drejt qyteteve më të mëdha si Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Peja.
Urbanizimi është një proces natyror në çdo shoqëri moderne.
Ai lidhet me:
– mundësitë më të mëdha për punësim
– qasjen më të mirë në arsim dhe shëndetësi
– zhvillimin ekonomik të qyteteve
Megjithatë, urbanizimi i shpejtë krijon edhe presion mbi infrastrukturën urbane dhe çon në dobësimin gradual të ekonomisë rurale.
Emigrimi jashtë vendit: faktori i dytë i madh i ndryshimeve demografike
Një faktor tjetër vendimtar në ndryshimin e strukturës së popullsisë është emigrimi. Sipas të dhënave zyrtare:
– gjatë vitit 2024, rreth 37,000 persona u larguan nga Kosova rreth 9,000 persona u kthyen ose imigruan
– bilanci migrator ishte negativ me mbi 28,000 persona
Kjo tregon qartë se emigrimi mbetet një sfidë serioze për vendin. Më së shumti largohen: të rinjtë e moshës 20–35 vjeç persona me aftësi profesionale familje që kërkojnë kushte më të mira jetese.
Ky fenomen ndikon drejtpërdrejt në:
– plakjen e popullsisë
– zvogëlimin e fuqisë punëtore
– uljen e lindshmërisë
Në shumë raste, largimi i të rinjve krijon përshtypjen e zbrazjes së fshatrave, edhe pse një pjesë e madhe e tyre fillimisht zhvendosen drejt qyteteve brenda vendit.
1. Lëvizjet brenda vendit: fshat–qytet
Përveç emigrimit jashtë vendit, një numër i madh qytetarësh ndryshojnë vendbanimin brenda Kosovës. Në vitet e fundit: mbi 20,000 persona në vit kanë ndryshuar vendbanimin brenda vendit shumica e këtyre lëvizjeve janë nga fshatrat drejt qyteteve-
Kjo tregon se procesi i urbanizimit është pothuaj aq i rëndësishëm, sa emigrimi jashtë vendit. Në disa komuna rurale, popullsia po zvogëlohet jo vetëm për shkak të emigrimit, por edhe për shkak të zhvendosjes drejt qendrave urbane të së njëjtës komunë.
2. Krahasimi me Shqipërinë
Proceset që po ndodhin në Kosovë nuk janë të veçanta. Fenomene të ngjashme janë vërejtur edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT: rreth 64–65% e popullsisë në Shqipëri jeton në zona urbane rreth 35–36% jeton në zona rurale.
Në Shqipëri, urbanizimi ka qenë më i shpejtë se në Kosovë, sidomos pas viteve 1990. Qytete si Tirana dhe Durrësi kanë përjetuar rritje shumë të madhe të popullsisë, ndërsa shumë fshatra malore janë zbrazur ndjeshëm. Emigrimi nga Shqipëria ka qenë edhe më i lartë në përmasa historike, sidomos drejt Italisë dhe Greqisë.
3. Krahasimi me Evropën
Në nivel evropian, urbanizimi është një trend i përgjithshëm. Sipas të dhënave nga Eurostat: rreth 74–75% e popullsisë në Evropë jeton në qytete vetëm rreth 25% jeton në zona rurale.
Kjo tregon se Kosova dhe Shqipëria janë ende më pak të urbanizuara se shumica e vendeve evropiane. Në këtë kuptim, zhvendosja drejt qyteteve nuk është fenomen negativ në vetvete, por pjesë e një procesi normal zhvillimi. Megjithatë, emigrimi i madh i të rinjve është sfidë më e theksuar në Ballkan sesa në shumë vende të Evropës Perëndimore.
4. Pasojat kryesore të këtyre trendeve
Ndryshimet demografike sjellin pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike. Në zonat rurale:
– zvogëlim i popullsisë aktive braktisje e tokave bujqësore
– mbyllje e shkollave në disa fshatra
– plakje e popullsisë Në qytete:
– rritje e kërkesës për banim
– mbingarkesë e infrastrukturës
– shtim i trafikut dhe ndotjes
– nevojë për më shumë shërbime publike
5. A po zbrazen vërtet fshatrat?
Përgjigjja nuk është e thjeshtë. Nga njëra anë:
– emigrimi i të rinjve është real dhe i konsiderueshëm
– disa fshatra po humbin popullsinë
Nga ana tjetër:
– shumë familje nuk po largohen jashtë vendit, por po zhvendosen në qytete
– popullsia rurale ende përbën rreth gjysmën e popullsisë së Kosovës
Prandaj, më saktë do të ishte të thuhej se përveç se po zbrazen fshatrat, po ndryshon edhe struktura e popullsisë.
6. Përfundim
Urbanizimi dhe emigrimi janë dy procese që po e formësojnë të ardhmen demografike të Kosovës. Të dhënat statistikore tregojnë se vendi po kalon nga një shoqëri tradicionale rurale drejt një strukture më urbane, një proces i ngjashëm me atë që ka ndodhur në Shqipëri dhe në shumicën e vendeve evropiane.

Megjithatë, sfida më e madhe mbetet emigrimi i të rinjve. Nëse ky trend vazhdon me ritmet aktuale, pasojat mund të jenë afatgjata për ekonominë, arsimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Prandaj, analiza e këtyre trendeve duhet të vazhdojë mbi baza statistikore dhe jo vetëm mbi perceptime, në mënyrë që politikat publike të ndërtohen mbi realitet dhe jo mbi supozime.
Gjilan, 2. Prill 2026

Selatin Retkoceri, Llugagji, Lipjan
Sjellja e Albin Kurti karshi opozitës dhe vetë shtetit ka kaluar prej kohësh kufijtë e një qeverisjeje demokratike. Ajo që po shohim sot nuk është politikë, por një projekt i rrezikshëm për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme. Ndërkohë që vendi përballet me kriza institucionale të njëpasnjëshme, kryeministri zgjedh heshtjen dhe kalkulimet elektorale. Afatet kushtetuese po digjen një nga një, por nuk shihet asnjë përpjekje serioze për zgjidhje. Kjo nuk është paaftësi por është strategji. Opozita nuk trajtohet si partner në demokraci, por si pengesë që duhet anashkaluar ose thyer. Në vend të dialogut, kemi arrogancë. Në vend të bashkëpunimit, kemi izolim. Dhe kjo qasje nuk e dëmton opozitën e dëmton vetë shtetin. Ideja e manipulimit të skenës politike përmes pazareve të ulëta, joshjes së partive apo eliminimit të rivalëve brenda përmes posteve “të arta”, e zhvesh plotësisht nga parimet një qeveri që dikur pretendonte reformë dhe drejtësi. Nëse pushteti përdoret për të neutralizuar kundërshtarët dhe jo për të ndërtuar institucione, atëherë kemi hyrë në një rrugë të rrezikshme. Edhe më shqetësues është tentimi për të shfrytëzuar vakumet institucionale për të kapur hallka kyçe të shtetit: drejtësinë, prokurorinë, komisionet e pavarura dhe vetë sistemin zgjedhor. Kjo nuk është më qeverisje, kjo është arkitekturë e kontrollit total. Në një kohë kur qytetarët presin stabilitet dhe siguri, u ofrohet pasiguri dhe kalkulim elektoral. Shpërndarja e buxhetit si mjet për të blerë mbështetje është fyerje për çdo qytetar që jeton me ndershmëri dhe punë. Nëse vazhdohet me këtë logjikë, Kosova rrezikon të rrëshqasë nga një demokraci funksionale në një sistem ku institucionet ekzistojnë vetëm në letër, ndërsa vendimmarrja reale përqendrohet tek një individ. Shteti nuk është pronë e askujt. Demokracia nuk është vegël për pushtet personal. Dhe qytetarët nuk janë numra për manipulim elektoral.
Koha për përgjegjësi është tani. Në të kundërtën, pasojat do t’i paguajë i gjithë vendi.


Dritan Goxhaj, Tiranë
HEZBOLLAH – KUR REZISTENCA E ARMATOSUR ËSHTË MBIJETESË
Shteti pushtues kolonizator i Izraelit ka dekada që përpiqet të pushtojë jugun e Libanit, herë duke përdorur justifikime histrorike, e herë mbi arsye të sajuara sigurie.
Forcat pushtuese izraelite kanë tentuar dhe vazhdojnë të tentojnë të kalojnë me tanket dhe mjetet e tyre të blinduara përgjatë të njëjtave akse të ngushta, duke tentuat të ngjiten nëpër të njëjtat shpate, ku luftutëtarët e rezistencës së armatosur të Hezbollah kanë përgatitur në vazhdimësi, ashtu si edhe në luftërat e mëparshme, prita të vazhdueshme e sulme që sa vinë e sofistikohen si nga ana taktike, ashtu dhe operacionale e teknologjike.
Edhe sot ushtria pushtuese dhe genocidiale izraelite po tenton të hyjë sërish në të njëjtat fushë beteja, që nuk arriti asnjëherë t’i kontrollonte, as në 1978, as në 2000, as në 2006, as në 2024, e sërish edhe tashti në 2026.
Katër luftëra të mëparshme në të njëjtin e për të njëjtin territor, katër luftëra të humbura, e sërish asnjë mësim i nxjerrë nga to.
Dhe tashti, për herë të pestë, po përpiqet sërish, jo sepse e ka nevojë operacionale, por thjesht për të çuar në fund një doktrinë kolonialiste, e artikuluar për herë të parë në vitin 1919 nga sionisti Chaim Weizman (Kaim Ueizman), para kryeminstrit Britanik të kohës, David Lloyd George, se kufijtë e atdheut të ardhshëm sionist hebre duhet të shtrihen thellë në Liban, si nevojë strategjike e burimeve hidrike, ku lumi Litani duhet të ishte kufiri verior i këtij shteti kolonialist.
Dhe për këtë arsye, çdo pushtim i Libanit është paraqitur si jë operacion i kufizuar sigurie, dhe tashti sërish po i njëjti koncept është rishfaqur si një zonë e propozuar si “zonë tampon”.
Tashmë bëhet një muaj nga fillimi i agresionit izraelit në Liban, dhe luftimet vazhdojnë të intesifikohen dita ditës, duke krijuar një fushëbetejë komplekse.
Aktualisht, po zhvillhet një përballje asimetrike midis pushtuesve izraelitë, të cilët përfaqësojnë një forcë shtetërore me epërsi ajrore dhe teknologjike kundrejt një force që nuk është një aktor shtetëror dhe që vepron sipas logjikës së rezistencës guerrile, dhe jo sipas doktrinave tradicionale ushtarake.
Ndërkohë që, pushtuesit izraelitë e bazojnë suksesin e tyre vetëm mbi kontrollin territorial dhe vendosjen e linjave lineare të pozicionimit; Hezbollah nuk e mbështet fitoren e vet mbi kontrollin e territorit dhe vendosjen e linjave lineare të mbrojtjes.
Hezbollah i cili e ka bazuar strukturën e vet ushtarake mbi një fleksibilitet operacional, është duke përdorur metoda të luftës guerile me anë të pritave dhe sulmeve të përqëndruara, të shpejta e të shpeshta, duke goditur pikat e grumbullimit dhe përqëndrimit të pushtuesit, dhe duke e detyruar atë të tërhiqet nga ato territore, duke mos e lejuar që të stabilizojë linja lineare pozicionimi që do t’i jepnin mundësinë e kontrollit dhe posedimit të territorit.
Aktualisht forcat pushtuese Izraelite po mundohen që të përparojnë drejt 5 akseve të ndryshme, por të njëjtat si në 4 luftërat e para të lartpërmendura.
Edhe pse forcat izraelite kanë një muaj që po tentojnë një përparim të tilë, Hezbollah nëpërmjet rezistencës dhe teknikave të tija të luftimit dhe sulmit, duke e dobësuar vazhdimisht prezencën ushtarake izraelite, i ka imponuar pushtuesve izraelit nguljen në pozicionet e tyre të vijës së parë, që janë vetëm fshatrat kufitare ku është edhe vija e drejtpërdrejtë e kontaktik.
Ka shpesh raste ku Hezbollah u lejon forcave pushtuese izraelite një përparim të imponuar në ndonjë aks, duke kryer luftëtarët e rezistencës tërheqje të koordinuar, për t’i futur pushtuesit në kurth, ku më pas i sulmon ata me gjithë fuqinë e vet të zjarrit të vazhdueshëm, si dhe me anë të angazhimit me zjarr të drejtpërdrejtë.
Më 2024, për 65 ditë luftime në të njëjtat akse kalimi, Hezbollah i shkatërroi pushtuesve izraelit 55 tanke; ndërsa tashti, në 25 ditë luftimi në të njëjtat akse dhe territore, u ka shkatërruar pushtuesve izraelitë 100 tanke.
Kjo tregon se rezistenca e Hezbullah po vepron sipas një doktrine të veçantë të një lufte popullore, ku çdo formacion i tij ka fleksibilitet taktik dhe operacional, por që shpesh sulme të koordinuara të disa njësive njëkohësisht në disa drejtime të ndryshme, tregojnë se pamvarësisht këtij fleksibiliteti, Hezbollah vazhdon të ketë në terren një strukturë komanduese kohezive me linja të qëndrueshme, si komandimi edhe furnizimi.
Goditjet e Hezbollah janë si kundërgoditje dhe kundërlëvizje asimetrike për të parandaluar konsolidimin e manovrimit të forcave izraelite, në kuadër të një doktrine tradicionale ushtarake, kryesisht amerikane, për të fragmentuar frontin e rezistencës, duke tentuar që të rrethojnë zona të caktuara; si dhe duke tentuar të krijojnë xhepa taktikë, ku më pas, me anë të fuqisë së zjarrit të artilerisë dhe të aviaviacionit të arrijnë të asgjësosjnë forcat e Hezbollah.
Kjo lloj taktike e ndjekur nga Hezbollah tregon se forcave pushtuese Izraelite ju mungonë totalisht kapacitetet e zbulimit mbi veprimtarinë dhe lëvizjet e Hebollah, pasi të gjtiha këto tentativa të tyre për krijimin e këtyre xhepave taktik, kanë dështuar.
Gjatë këtij muaji përleshjesh Hezbollah ka demostruar rritje të kapaciteteve të tij rraketore, e reflektur kjo me anë të goditjeve preçize dhe sasisë të rraketave të lëshuara, të cilat në këtë luftë kanë arritur të godasin objektiva ushtarakë në thellësi të territorit izraelit, deri në 200 km nga vija e kufirit.
Gjithashtu Hezbollah ka treguar edhe rritje të kapaciteteve të tij në fushën e mbrotjtjes kundërajrore, ku për herë të parë në këtë luftë ka mundur të godasë helikopterë të forcave izraelite, si dhe të detyrojë aviacionin izraelit që të largohet nga qiejt e Bejrutit ku deri dje kishte supermaci ajrore, sot kan vetëm një superioritet të pjesëshëm.
Gjithashtu, Hezbollah ka treguar aftësi të mëdha në luftën kundër-tanke si me anë të goditjeve me armë raketore kundr-tanke, por edhe me anë të goditjeve me anë të dronëve.
Pamvarësisth se pushtuesi ka superioritet në ajë, dhe kjo do të thotë që arrin të kontrollojë terrenin në aspektin e zbulimit, sërish Hezbollah ka treguar se ka kapacitete të fuqishme të zbulimit si dhe aftësi të mëdha manovrimi të forcave të veta, pa u diktuar nga pushtuesi.
Dhe, pamvarësisht kësaj lufte çlirimtare, Hezbollah po vazhdon edhe një kooperim të nivelit strategjik dhe operacional me Iranin, në kuadër të goditjes së koordinuar të objektivave të karakterit strategjik në Izrael.
Ky kooperim po shërben jo vetëm për dobësimin ushtarak të koloniziatorëve izraelitë, por edhe për izolimin e tyre politik.
Çdo përpjekeje për pushtimin e Libanit dhe zgjerimin territorial të shtetit kolonialist genocidial të Izraelit ka treguar se mungon një plan i mirëfilltë strategjik ushtarak, pasi edhe këtu pushtuesit po ndjekin të njëjtën metodë shkatërrimi që ndoqën në Gaza.
Kjo tregon totalisht një paaftësi ushtarake për të bërë një luftë konvencionale, dhe kur kjo paaftësi prevalon, atëherë shkatërrimi total mbetet opsioni i vetëm i tyre.
Por edhe ky shkatërrim nuk po bën gjë tjetër, ashtu si në Gaza po legjitimin më shumë rezistencën e armatosur.
Rezistencë kjo që po përdor mjeshtërisht, si kamuflim dhe pika mbështetëse, rrënojat e krijuara nga bomabardimet në luftën e tyre kundër forcave pushtuese.
Dhe sërish, lumi Litani, i përcaktuar nga pushtuesit si një objektiv strategjik vazhdon të mbetet jashtë kontrollit të tyre, duke treguar se kapacitetet ushtarake nuk mund të plotësojnë çdo lloj ambicje, dhe duke legjitimuar rezistencën e armatosur, si e vetmja formë e mbijetesës që të çon drejt fitores së sigur.


Prof. Dr. Luljeta Pula, politikane e shkrimtare nga Prishtina
Ka diçka që rëndon shumë mbi ndërgjegjen tonë kolektive, është kjo harresa. Kjo nuk është harresë e zakonshme. Është më shumë se kaq! Është një neglizhencë, një shpërfillje, një injorim , një mosmirënjohje. Ndaj atyre që na ndihmuan të mbijetojmë si komb. Edhe atëherë kur të tjerët nuk çane kokën për ne !
Si mund të harrohet ndihma fisnike, bujare dhe e përkushtuar e pedagogëve nga Tirana, Universitetit tone të posalindur të Prishtinës në to 70-tat. Kur ne vuanim për kuadro në gjuhën shqipe. Dhe kur alternativa ishte, Beogradi dhe mësimi në sërbisht, i studentëve tanë.
Dhe në këtë errësirë erdhi drita! Dhe drita erdhi nga Shqipëria mëmë ! Dhjetëra pedagogë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, pedagogë të jashtëzakonshëm, të ngritur intelektualisht, të jashtëzakonshëm profesionalisht në fushat e tyre, brilantë si pedagogë, të afërt e dashamirës si me studentët ashtu edhe me kolegët, erdhën në Kosovë për ta ta mëkëmbur Universitetin e sapolindur të Prishtinës. Ata mbollën farën e dijes e cila më pas do të bëhet shtyllë e rezistencës sonë për liri. Nga ato auditore ,dolën njerëzit, që më pas do të ishin në ballë tërezistencës politike, kulturore dhe kombëtare të viteve 80 dhe 90. Në shumë fakultete të Universitetit të Prishtinës, lëndët kryesore, profesionale dhe fundamentale I mbanin profesorë nga Tirana. Kishte fakultete, siç ishte Fakulteti I Gjeologjisë, në Mitrovicë , I cili mbahej në këmbë vetëm e vetëm me profesorë nga Tirana. Deri më 1981 kur pushteti sërb me urdhër politik ndaloi ardhjen e profesorëve nga Shqipëria në Kosovë ! Dhe atëherë, pikërisht atëherë, Universiteti ynë ndjeu peshën e braktisjes, dhe dhembjen e humbjes ! Sepse atëherë, studentët duhet të dëgjonin mësimin në sërbisht !
Askush gjer më sot, nuk e pa të arësyeshme ti thojë një falemnderit Shqipërisë, për këtë ndihmë të përkushtuar, të veçantë e të jashtëzakonshme në nivelet më të larta shkencore e pedagogjike, të krahasueshme me universitetet më të dëgjuara qindravjeçare të Europës! Dhe të shprehë qoftë edhe një mirënjohje verbale për ndihmën ! E lëre më institucionale për këtë ndihmë të pakursyer në kohërat tona më të vështira. Nuk e bënë këte as organet legale të Universitetit asnjëherë në këto 50 vjet, nuk e bënë as institucionet politike dhe as shtetërore të Kosovës, as para e as pas luftës.
E mosmirënjohja nuk është mungesë falenderimi. Mosmirënjohja është një varfëri e thellë shpirtërore. Sepse një popull që nuk di të nderojë ata që e ndihmuan në kohët më të vështira, ai humbet busullën morale ! Nuk duhet një diçka e madhe ! Mjafton të thuhet e vërteta dhe të ngjallet kujtesa !
Sepse Shqipëria ishte aty, kur ne kishim më së shumti nevojë !
Dhe unë dua të them tani, se ka një të vërtetë që nuk thuhet me zë ! Pa Shqipërinë, edhe rruga e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë së saj, do të ishte edhe më e gjatë, edhe më e dhimbshme, ndoshta edhe e pamundur !
Por kjo e vërtetë sot nuk ka vend në institucionet tona.
A duhet përmendur tani se para luftës kur Kosova rronte nën shtypjen e egër të regjimit sërb, ishte Shqipëria , pra ishte ajo që lobonte anekend globit, si shtet e në mënyrë institucionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në kancelaritë më të fuqishme të globit. Ishte Shqipëria pra, ajo që ngriste zërin në forume, në institucione shtetërore në botë, në organizma ndërkombëtarë të drejtave të njeriut, në Konferenca të ndryshme ndërkombëtare, dhe në zyrat më të fuqishme diplomatike të botës, duke argumentuar me fakte se Kosovës i takon e drejta e vetëvendosjes ! Edhepse vet në rrethana tranzicioni ! Ishte Shqipëria, dhe askush tjetër, ajo që e mbajti gjallë çështjen e Kosovës, natyrisht së bashku me Lëvizjen politike të Kosovës! Sepse Kosova , rrezikonte të mbetej çështje e brëndshme e Jugosllavisë dhe Sërbisë. Sepse Shqipëria ishte shtet. Dhe fjala e shtetit ka një tjetër peshë !
A duhet përmendur tani se stërvitjen e luftëtarëve tanë të lirisë e bëri Shqipëria. Në mënyrë gjysëmlegale apo edhe jolegale. Se armët për luftën e UÇK—së na i siguroi Shqipëria. Dhe se shumë luftëtarë nga Shqipëria iu bashkuan UÇK-së , dhe ranë në mbrojtje të lirisë së Kosovës.
Dhe a duhet përmendur tani, atë më të rëndën, pra luftën në Kosovë. Kur mbi gjysmë milioni shqiptarë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre. Ishte Shqipëria ajo, e cila i bëri konak popullit të sfilitur të Kosovës. Ishte Shqipëria pra, ajo e cila hapi votrat e saj, hapi zemrën dhe shpirtin vëllazëror e të gjakut ! Në varfërinë dhe mjerimin e saj, ishte ajo që strehoi qindra mijëra shqiptarë me bujari, mikëpritje dhe fisnikëri të pashoqe ! Dhe si mund të harrohet kjo ? Si mund të heshtet kjo sakrificë sublime e Shqipërisë dhe popullit të saj ?
Dhe si është e mundur që institucioneve tona, asnjëherë nuk u shkoi ndërmend të bëjnë një falenderim publik e të shprehin një mirënjohje të thellë në emër të popullit të vuajtur të Kosovës? Si është e mundur që Presidenca e Kosovës, që dekoron kë bën e kë s’ bën , të mos kujtohet të dekorojë me Urdhërin dhe Medaljen Presidenciale për Merita të Jashtëzakonshme , Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë , Akademik Rexhep Meidanin për kontribut të jashtëzakonshëm në kohën e luftës, për strehimin e qindra mijëra refugjatëve?
Dhe natyrisht, së fundmi , duhet përmendur sigurisht, edhe mbështetjen konsistente dhe të vazhdueshmë të Shqipërisë, dhe lobimin e saj për mbarimin e duhur të shtetndërtimit të Kosovës, në të gjitha kancelaritë botërore, në të gjitha zyrat diplomatike, për lobimin e saj të palëkundur për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare përfshirë OKB-në, për koordinimin rajonal dhe për vetë procesin e njohjeve ndërkombëtare, në takime bilaterale dhe multilaterale në tërë botën.
Sepse Shqipëria është shtet ! Dhe ky është fati ynë! Fati, që nuk dijtëm t’a vlerësojmë si duhet e sa duhet ! Dhe sepse Shqipëria u bë zëri ynë, atëherë kur zëri ynë nuk mjaftonte !
Dhe sot heshtje institucionale ! Apstinencë e rëndë mirënjohjeje institucionale.
Dhe kjo nuk është thjesht harresë ! Është më shumë se kaq ! Është deformim i kujtesës historike !
Dhe në fund dua të them se s’ bën ! Mosmirënjohja nuk e zvogëlon madhështinë e të bërit ! Mosmirënjohja, na bën ne të vegjël ! Dhe shpirtngushtë !
Sepse mosmirënjohja rrezikon të na humbë sensin e drejtësisë dhe së vërtetës !
Shqipëria nuk është fqinji ynë! Ajo është mbështetja ynë, ajo ëshë streha jonë, ajo është krahu jonë, ajo është zëri ynë që nuk ndaloi asnjëherë!