Kreu Blog Faqe 289

Kujtesa që bashkon: simboli i gjenocidit në Kosovë në Horën e Arbëreshëvet

0

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), të mbajtur më 28.01.2026, Kryetari i Bashkisë z. Rosario Petta, raportoi mbi vizitën e tij në Zvicër. Ai ishte i ftuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur” për të marrë pjesë në tubimin përkujtimor kushtuar viktimave të gjenocidit në Kosovë. Me këtë rast kryetari Petta ka mbajtu një fjalim përmbajtësor. Nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ai është nderuar me mirënjohje e cila është dhënë me këtë motivacion:

“Për kontributin e madh dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar arbëreshët e Italisë, duke strehuar të mbijetuarit e gjenocidit që kreu Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe duke këmbëngulur që shteti italian të jepte kontributin e vet në kuadër të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, për t’i dhënë fund këtij gjenocidi.

Shprehim mirënjohje të veçantë për Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëvet, z. Rosario Petta, i cili me përkushtim ka mbështetur Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe misionin e saj për ndiriçimin e krimit të gjenocidit. Përkrahja e tij e vazhdueshme ka forcuar zërin e kujtesës historike dhe ka ndihmuar në ruajtjen e dinjitetit të viktimave dhe të mbijetuarve.” – thuhet në mirënjohjen e dhënë për z. Petta.

Po ashtu atij i është dhuruar simboli i gjenocidit në Kosovë, të cilin ai e ka prezantuar në Këshillin Bashkiak dhe është pritur me emocione.

Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, z. Rosario Petta ka shkruar:

PIANA DEGLI ALBANESI

KËSHILLI BASHKIAK

E MËRKURË, 28 JANAR

Gjatë seancës së djeshme, të mërkurën më 28 janar, të Këshillit Bashkiak të Piana degli Albanesi, Kryetari i Bashkisë, Rosario Petta, me kërkesë të posaçme të Këshillit, raportoi mbi angazhimet institucionale të zhvilluara nga data 16 deri më 18 janar në Cyrih (Zvicër), në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dialogut ndërmjet komuniteteve.

Veçanërisht i ngarkuar me domethënie dhe me rëndësi të madhe ishte momenti kushtuar prezantimit, para Këshillit Bashkiak, të simbolit të dhuruar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Bëhet fjalë për një simbol të krijuar nga dizajneri Adnan Asllani, i cili paraqet një lulekuqe me katër petale, emblemë e viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ndryshe nga lulekuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera të botës, katër petalet e logos së projektuar prej tij përfaqësojnë katër format e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë:

  • vrasja;
  • dhuna seksuale;
  • spastrimi etnik;
  • shkatërrimi i pasurive të lidhura me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.

“Zemra e lulekuqes”, në vend të kokrrizave të zeza tradicionale, paraqet figura burrash, grashë, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e çdo moshe dhe gjinie që kanë qenë viktima të këtij gjenocidi.

Në përmbledhje, forma e petaleve dhe figurat njerëzore simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë ose të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe të të dy gjinive, më shumë se njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion persona të prekur nga spastrimi etnik dhe qindra mijëra shkatërrime të kryera gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.

Veprimtaritë e manifestimeve “NE NUK HARROJMË” (Ne nuk harrojmë) iu kushtuan kujtimit të gjenocidit në Kosovë: një thirrje e fortë për përgjegjësinë e institucioneve në ruajtjen e kujtesës historike, në mbrojtjen e të drejtave të popujve dhe në riafirmimin me vendosmëri të vlerave të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Kujtesa nuk është vetëm përkujtim, por edhe angazhim politik dhe moral ndaj së tashmes dhe së ardhmes.

Kryetari i Bashkisë

Rosario Petta

Gjatë vizitës së z. Rosario Petta në Zvicër ai është pritur nga Udhëheqësi i Misionit Konsullor në Zvicër, z. Vigan Berisha, si dhe ka zhvilluar një takim me shoqatat që kanë ndihmuar në vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve në vitin 2024.

  1. Petta dhe delegacioni i tij është pritur vëllazërisht e me shumë emocione nga i gjithë komuniteti shqiptar në Zvicër.

Postimi i z. Rosario Petta në Facebook:

https://www.facebook.com/share/p/1D7rcSDJ6V/

Ndërroj jetë Pjetër Ivezaj, atdhetari nga viset shqiptare në Mal të Zi që jetonte në SHBA

Nga Frank Shkreli

NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ

“Vetëtimë që paralajmëroi stuhinë” (Ismail Kadare)

Lajmin e hidhur për kalimin në amshim të Pjetër Lekë Ivezajt e lexova në portalin e Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali në Rochester Hills. Të shtetit Miçigan: “Me dhimbje të madhe dhe zemër të thyer, familja Ivezaj njofton komunitetin shqiptar se më datën 27 janar 2026, paqësisht në shtëpi, i rrethuar nga të dashurit e tij, në moshën 69-vjeçare, ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj”.

Në vitin 1986, Pjetër Ivezaj u arrestua në Mal të Zi—një akt ilegal që pasqyronte realitetin e zymtë të kohës për shqiptarët që guxonin të mendonin ndryshe dhe që kërkonin të drejtat e tyre legjitime, anë e mbanë trojeve shqiptare. Tani e dijmë se arrestimi i tij nuk ishte thjesht një çështje penale por ishte një përpjekje për ta heshtur zërin e një njeriu që refuzoi nënshtrimin, por edhe të shqiptarëve në përgjithsi.  Përvoja e tij e hidhur në duar të autoriteteve komuniste jugollave, siç ishte për shumë bashkvendas të tij, la plagë të thella, por edhe dëshmi të forta të  karakterit të një malësori që nuk u dorëzua, ndërsa shpalosi, njëkohsisht, para botës së qytetëruar fytyrën e kalbur të negjimit terrorist sllavo-komunist të ish-Jugiosllavisë.

Por qëllimi i këtij shkrimi të shkurtër me këtë rast morti nuk është historia e arrestimit, burgosjes as edhe e lirimit të Pjetër Ivezajt nga burgjet e ish-Jugosllavisë komuniste me ndihmën e autoriteteve më të larta amerikane të viteve 1980-ave se do kërkonte më shumë kohë e hapësirë. Por dihet se ai u arrestua nga autoritet jugosllave si përfundim i aktiviteteve patriotike të Pjetrit, përfshir pjesëmarrjen e tij në demonstratat anti-jugosllave të komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët e Kosovës. Për ata që janë të interesuar për rastin Ivezaj dhe për atë periudhë, kjo histori është e dokumentuar sumë mirë në librin “Klithma e një shqiponje”, shkruar nga vëllai i Pjetrit, Dr. Fran L. Ivezaj.  Një libër jo vetëm letrar e autobiografik, por njëkohsisht, edhe një dëshmi e dokumentuar, historike dhe morale e asja periudhe.  Një tregim i gjallë i vuajtjeve, qëndresës dhe dinjitetit të shqiptarit nën shtypjet shekullore të sllavëve të jugut.  Në thelb të këtij libri qëndron drama e një familjeje shqiptare — familja e madhe patriotike Ivezaj nga Malësia e Madhe, simbol i qendresës. Veçanërisht, pasqyrohet me dokumenta, përndjekja politike e malësorit shqiptaro-amerikan, Pjetër Ivezajt nga autoritetet sllavo-komuniste jugosllave, përndjekje që më në fund u shndërrua në një simbol të fatit të keq kolektiv shtypës për mijëra shqiptarëve nga të gjitha trojet iliro-arbërore, nën ish-Jugollavinë komuniste, përfshir Kosovën

Por, dua të kujtoj — me këtë rast të zi për familjen dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan — këtë simbol vuajtjesh e qëndrese në burgjet jugosllave të njërit prej atyre shqiptarëve të heshtur por edhe të palëkundur, siç ishte Pjetër Ivezaj, simbol i përndjekjeve politike dhe sakrificës personale. Duke e kujtuar atë si shembull të një qëndrese morale dhe kombëtare, i cili e pagoi shtrenjtë besnikërinë e tij ndaj Malësisë dhe shqiptarisë, lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave bazë të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo ishin.

Dua t’a kujtoj atë rast, që në atë kohë i referoheshim si, “Çeshtja Ivezaj” — si një sfidë e madhe që paraqitej atëherë për komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe për të gjithë shqiptarët, përball barbarive serbe kundër shqiptarëve, në adthe pore dhe këtu në Amerikë. Si sfidë po, por e kujtojmë edhe si shpresë: si një “vetëtimë që paralajmëroi stuhinë”, siç e ka cilësuar rastin e Pjetër Ivezajt, shkrimtari Ismail Kadare. Duke shtuar se, “Thyerja e tyre (autoriteteve jugosllave) përball Pjetër Ivezajt ishte shenja e parë e sigurtë se një epokë e re po afrohej në Ballkan. Për shqiptarët, në radhë të parë, por edhe për të gjithë të tjerët”, ka shkruar Kadare.  Ndërsa shkrimtari Dritëro Agolli ka komentuar rastin Ivezaj duke u shprehur se “Shteti komunist, që s’kishte prapsur as tanket para studentëve të Prishtinës me ’81-ën, detyrohet të tërheq dënimin e Pjetës Ivezajt”.  Dhe nëse, “Çeshtja Ivezaj” ose, “Fati i Pjetër Ivezajt po e paralajmëronte fatin e ndryshuar të shqiptarëve dhe të Kosovës”, siç ka thënë Rexhep Qosja, përfundimisht, kjo gjë u takon historianëve të ardhëshëm të thonë fjalën e vet, nëse fati i këtij malësori në duartë e barbarëve sllavë në vitin 1986, ishte vërtetë fillimi i triumfit përfundimtar të shqiptarëve mbi dehumanizimin serb në Ballkanin Perëndimor që eventualisht përfundoi me çlirimin dhe lirinë dhe pavarsinë që gëzon sot Kosova.

Dua të kujtoj gjithashtu në këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, duke shtuar se kjo “thyerje” e regjimit terrorist serb, vështirë se do kishte ndodhur pa interesimin dhe pjesëmarrjen e shumë faktorëve vendimtarë të politikës amerikane që, më në fund, çuan në lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgu jugosllav. Nuk kam asnjë dyshim se kryesori në këtë mes ishte angazhimi aktiv institucional i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “Çeshtjen Ivezaj”. Fillimisht, ishin përfaqsuesit e shtetit Miçigan në Kongres, të nxitur dhe të mbështetur fuqishëm nga diaspora shqiptaro-amerikane, fillimisht nga shqiptarët e Detroitit me rrethe, kryesuar nga biznismeni dhe aktivisti i dalluar i komunitetit tonë këtu në Amerikë, Z. Ekrem Bardha. “Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Washington nga Z. Ekrem Bardha nëpërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqësuesve të shtetit Michigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Z. William Broomfield. Kongresisti Broomfield kishte organizuar me kolegët e tij sesion-dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në tetor, 1986. Mos qofsha gabim e para e këtij lloji, ekskluzivisht, për t’u informuar për fatin e një personi – një malësori të arrestuar e keqtrajtuar në burgjet jugosllave – por edhe për gjëndjen e rëndë të shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e asaj kohe.

Ky presion nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, u shoqërua në atë kohë edhe me raporte periodike të Departamentit të Shtetit dhe të enteve të tjera qeveritare dhe jo-qeveritare amerikane, ku flitej për shkeljet sistematike të drejtave të njeriut në Jugosllavi, duke e rritur për Beogradin, koston politike dhe diplomatike të mbajtjes në burg të figurave si Pjetër Ivezaj.  Prandaj, lirimi i tij nuk ishte thjesht rezultat i rrethanave të brendshme jugosllave, por produkt i ndërhyrjes ndërkombëtare, ku Kongresi Amerikan luajti rol kyç. Duhet të kujtojmë se ky episod mbetet një dëshmi konkrete se si demokracitë perëndimore, kur vihen në lëvizje nga komunitetet e tyre dhe nga parimet e lirisë dhe të demokracisë, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e individëve të persekutuar dhe të kombeve të shtypur.

Dua të kujtoj. në këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, për të gjithë shqiptarët, por sidomos për diasporën shqiptaro-amerikane se figura e Pjetër Ivezajt ka një domethënie të veçantë për të gjithë ne edhe pas largimit të tij nga kjo jetë.  Historia e Pjetër Ivezajt dhe shumë shqiptarëve si ai, të fund shekullit të kaluar, është bërë tanimë pjesë e mozaikut të vuajtjeve dhe qëndresës kombëtare shqiptare — një histori që meriton të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi, këtu në mërgim dhe në atdhe.  Përvoja e hidhur e Pjetër Ivezajt na kujton sot të gjithë neve se pse u detyruam të largoheshim — me mijëra shqiptarë — nga trojet tona stërgjyshore, sidomos gjatë 1960-1970-ave.  Qe besa, duhet të na kujtojë të gjithëve këtu në Amerikë por edhe në Malësi, Shqipëri e Kosovë por dhe anë e mbanë trojeve shqiptare sot, se liria dhe demokracia sado e brishtë që është në trojet tona që gëzojnë sot shqiptarët, nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë, por për të cilat vlera duhet të luftohet çdo ditë, për t’I ruajtur e për t’i mbrojtur.

Me ndarjen e Pjetër Ivezajt nga jeta, humbëm një dëshmitar të gjallë të një epoke padrejtësishë, por fituam një obligim moral: që të mos harrojmë!  Kujtimi i Pjetër Ivezajt na fton të flasim hapur për të kaluarën, por edhe të kujtojmë dhe të nderojmë viktimat e asaj historie të hidhur dhe të mbrojmë të vërtetën historike nga heshtja dhe relativizimi.  Ndarja e tij nga kjo jetë, le të shërbejë gjithashtu si një kujtesë se liria dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve janë ruajtur edhe falë njerëzve të thjeshtë si Pjetër Ivezaj i Malësisë së Madhe, të cilët nuk u përkulën kurrë, përballë padrejtësive të historisë.

Kur ndahet nga kjo jetë një burrë si Pjetër Ivezaj, jo vetëm familja e ngushtë e familja më e gjërë, farefisi në mërgim dhe në Atdhe, por e gjithë mërgata jonë pëson një humbje të rëndë.  Kujtimi, vepra dhe dinjiteti i tij prej burrë-malësori mbeten trashëgimi të gjalla, jo vetëm në familjen e tij, por edhe tek të gjithë ata që e njohën, sidomos pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit. Pjetër Ivezaj pushoftë në paqë e Zoti i dhashtë forcë familjes dhe të afërmëve për të përballuar këtë dhimbje dhe humbje të rëndë.  Familjarëve dhe far-e-fisit kudo që janë nepër botë, disa prej të cilëve i kam njohur gjatë viteve, u paraqes ndjenjat e mia më të ndieshme dhe ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Pjetër Ivezajt. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

Botimi i Librit, “Klithma e një shqiponje”, një ndërmarrje bujare për të qitur në dritë të Vërtetën, siç e ka përjetuar vet Pjetër Ivezaj dhe familja e tij. Me mirënjohje të thellë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtij vendi të bekuar për të gjithë ne shqiptaro-amerikanët e vjetër e të rinj, për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Përfshirë historinë moderne të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan me përfaqsues të enteve më të larta qeveritare të Shteteve të Bashkuara, siç ishte, “Çeshtja Ivezaj”.

Pjetër Ivezaj me Kongresistin e Miçigenit, William Broomfield, një prej mbështetësve kryesorë të përpjekjeve për lirimin e tij nga burgjet jugosllave, n[ një pritje në sallën e Kishës Katolike Shqiptare, Shën paëi në Miçigan

Pjetër Ivezaj në krye të demonstratës anti-jugosllave për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Washington DC.  

Xhim Xhema, me origjinë nga Kosova — biznismeni dhe aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan i çeshtjes së Kosovës ndër dekada dhe biznismeni dhe aktivisti tjetër i çeshtjeve kombëtare, Ekrem Bardha nga Leskoviku, kanë dëshmuar se nga ditët e para të demonstratave anti-jugosllave në Washington dhe qytetet tjera amerikane, që në fillim të 1980ave, ishin malësorët të parët ata që morën pjesë në tubime për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës!

Pjetër Ivezaj në demonstratë në Washington, 2006 – “Të drejtat në Mal të Zi, ose bashkë me Shqypni”.

Pjetër Ivezaj majtas, me Ambasadoren e Presidentit Ronald Reagan pranë Kombeve të Bashkuara, Jean Kirkpatrick

Fotot: Nga libri “Klithma e një shqiponje” e autorit Dr Fran L. Ivezaj –Kërkoj ndjesë për kualitetin e forografive.

Paradoksi i figurës së errët të pushtetit

0

Isuf Bajraktari, Suedi

Ky shkrim nuk synon të analizojë një figurë apo ngjarje të veçantë politike, por të reflektojë mbi një model pushteti që po bëhet gjithnjë e më i pranueshëm në ndërgjegjen publike.

Letërsia na ka mësuar se jo çdo figurë e errët është e zbrazët dhe se jo çdo faj është i thjeshtë për t’u gjykuar.
Heroi letrar moralisht i diskutueshëm na tërheq, sepse na fut në labirintin e brendshëm të njeriut, aty ku ambicia,
frika dhe rrethanat përplasen me ndërgjegjen. Por kur i njëjti paradoks zbret nga faqja e librit në skenën e politikës,
ai ndryshon natyrë: humb funksionin reflektues dhe fiton rrezik shoqëror.

Në hapësirën publike të ditëve tona, veçanërisht në dekadën e tretë të shekullit XXI, shfaqet gjithnjë e më qartë një figurë politike problematike.
Ajo është pa emër të përveçëm, por me tipare të njohura. Flet me siguri, sundon me qetësi dhe mbijeton me mjeshtëri.
Nuk paraqitet si model virtyti, por si zgjidhje funksionale. Nuk premton moral, por stabilitet. Nuk kërkon admirim, por durim.

Këtu lind paradoksi.

Në jetën e përditshme, një sjellje e tillë do të refuzohej pa hezitim. Në politikë, përkundrazi, ajo tolerohet, relativizohet, madje edhe mbrohet.
Jo sepse është e mirë, por sepse perceptohet si e pashmangshme. Kështu, ajo shndërrohet në një hije të përhershme të pushtetit,
që ecën paralel me institucionet dhe i mbijeton çdo stuhie morale.

Ndryshe nga heroi letrar moralisht i diskutueshëm, i cili zgjon empati sepse na rrëfen brishtësinë e vet, figura politike e errët nuk rrëfen; ajo menaxhon.
Nuk kërkon mirëkuptim etik, por pajtim pragmatik. Nuk na fton të reflektojmë, por të përshtatemi.
Nuk na hap botën e saj të brendshme, por na imponon realitetin e saj të jashtëm.

Në këtë proces të heshtur, shoqëria fillon të humbasë ndjeshmërinë morale. Skandali nuk trondit më si dikur, fjala e rëndë nuk alarmon më,
shkelja e normës nuk përjetohet më si përjashtim, por si rutinë. Ajo që dikur do të ishte e papranueshme, sot pranohet si pjesë e peizazhit politik,
si një re e ulët që nuk largohet, por me të cilën mësohemi të jetojmë.

Këtu paradoksi bëhet i rrezikshëm.

Në letërsi, paradoksi na pasuron: na mëson të mos gjykojmë shpejt dhe të kuptojmë kompleksitetin e njeriut.
Në politikë, i njëjti mekanizëm prodhon të kundërtën – mpirje morale.
Qytetari nuk pyet më “a është e drejtë?”, por “a funksionon?”. Morali zëvendësohet nga kalkulimi, ndërgjegjja nga lodhja.

Figura politike problematike mbijeton pikërisht në këtë terren të rraskapitur etik.
Ajo nuk ka nevojë të jetë shembull; i mjafton të jetë më e fortë se zhgënjimi.
Sa herë që qytetari thotë “nuk ka alternativë”, ajo fiton një mandat të heshtur.

Në fund, paradoksi i saj është i thjeshtë dhe i ftohtë: ajo që e errëson moralin publik ushqehet nga mungesa e dritës morale.
Letërsia na mëson të kuptojmë njeriun. Politika, nëse heq dorë nga kërkesa morale, rrezikon të na mësojë diçka më të dhimbshme:
se mund të jetojmë edhe pa të. Dhe ky është paradoksi që nuk duhet pranuar si normalitet.

Ideologjia islamike dhe policia e moralit

0

Ky editorial shpreh një nga arsyet thelbësore pse Lëvizja për Rikthim është e domosdoshme sot në Kosovë, por edhe gjithandej trojeve shqiptare.

IDEOLOGJIA ISLAMIKE DHE POLICIA E MORALIT

Frika e shoqnisë kosovare për t’u përballë me islamin agresiv të pasluftës dhe shfaqjen e policëve të moralit në hapësirën publike dhe digjitale nuk është as e rastësishme, as e pashpjegueshme. Ajo është pasojë e një kombinimi faktorësh historikë, politikë, kulturorë dhe psikologjikë, që kanë krijue një klimë heshtjeje të organizueme, ku kritika perceptohet si rrezik, ndërsa dorëzimi si maturi.

Shoqnia në Kosovë ka dalë nga lufta me një ndjeshmëri të thellë ndaj përçarjes. Kjo ndjeshmëri, e kuptueshme në rrethana postkonflikti, me kalimin e kohës është shndërrue në refleks vetëcensurues.

Çdo temë që perceptohet si potencialisht konfliktuale shmanget, dhe në këtë kategori ka hy me shpejtësi ideologjia islamike, jo si besim, por si dogmë që kërkon rol normativ në shoqni. Kështu është krijue një tabu publike, ku përballja me një fenomen real shihet si kërcënim për stabilitetin, edhe pse mungesa e përballjes e ushqen vetë atë fenomen.

Një nga mekanizmat kryesorë që e ka forcue këtë heshtje ka qenë ngatërrimi i qëllimshëm mes fesë si përvojë personale shpirtërore dhe islamit politik si projekt ideologjik.

Çdo kritikë ndaj këtij të fundit etiketohet si sulm ndaj besimit, duke prodhue një klimë frike morale, ku individët, intelektualët dhe institucionet hezitojnë të flasin për të mos u damkosë si armiq të fesë ose të shumicës. Ky mekanizëm nuk është spontan, por i kultivuem me vetëdije, dhe ka rezultue jashtëzakonisht efektiv në neutralizimin e debatit racional.

Në këtë terren ka lulëzue figura e ashtuquajtur e “policit të moralit”, veçanërisht në rrjetet sociale. Këta aktorë nuk përfaqësojnë shumicën e besimtarëve, por një pakicë të zhurmshme, të organizueme dhe agresive, që përdor gjuhë fetare për presion shoqnor, linçim virtual dhe intimidim publik.

Ata veprojnë si instrument informal disiplinimi, duke e shty shoqninë drejt konformizmit përmes frikës, jo përmes argumentit. Shoqnitë e lodhuna nga krizat zakonisht nuk frikësohen nga e vërteta, por nga zhurma, dhe pikërisht këtë dobësi e shfrytëzon islami politik. Heshtja e elitave politike dhe kulturore e ka përforcue këtë gjendje.

Neutraliteti i shpallun institucional ka qenë në praktikë një oportunizëm i thellë, i motivuem nga frika e humbjes së kapitalit elektoral dhe nga mungesa e vizionit ideologjik. Në vend që të artikulohet qartë dallimi mes besimit dhe ideologjisë, është zgjedhë rruga e shmangies, e cila në realitet i ka lanë hapësirë të lirë strukturave islamiste për me u konsolidue pa kundërshtim serioz.

Kjo heshtje nuk është as neutrale, as e pafajshme; ajo është bashkëpërgjegjësi pasive. Në thelb të këtij fenomeni qëndron edhe një krizë identitare më e thellë. Shoqnia kosovare ende nuk e ka artikulue në mënyrë të qëndrueshme raportin e saj me historinë, trashëgiminë kulturore dhe përkatësinë evropiane. Kur identiteti kombëtar lihet i paqartë, ideologjitë fetare-politike ofrohen si zëvendësim.

Islami politik nuk po avancon sepse ka fuqi intelektuale superiore, por sepse po operon në një hapësirë bosh, të krijueme nga mungesa e një narrative të fortë shqiptare dhe qytetare. Përballja me këtë realitet kërkon guxim për me pranue të vërteta të pakëndshme: se radikalizmi nuk është vetëm import i jashtëm, se disa institucione kanë dështue në rolin e tyre rregullator, se disa figura fetare kanë kalu nga shërbim shpirtëor në aktivizëm ideologjik, dhe se heshtja kolektive e ka normalizue këtë devijim.

Kjo përballje nuk është sulm ndaj fesë, por mbrojtje e shoqnisë. Në këtë kontekst historik dhe shoqnor duhet kuptue edhe lindja e Lëvizjes për Rikthim. Ajo nuk ka ardhë si provokim ideologjik, por si reagim ndaj një vakuumi të rrezikshëm publik.

Lëvizja për Rikthim është përgjigje ndaj heshtjes, ndaj konfuzionit identitar dhe ndaj përpjekjeve për me e shndërrue fenë në instrument pushteti. Ajo afirmon dallimin thelbësor mes besimit si çështje personale shpirtërore dhe ideologjisë fetare si projekt kontrolli shoqnor, duke mbrojtë parimet e një shoqnie laike, evropiane dhe kombëtare.

Në fund, shoqnia kosovare gjendet përballë një zgjedhjeje që nuk mund të shtyhet pafundësisht. Ose do të artikulojë qartë kufijtë mes fesë dhe ideologjisë, duke mbrojtur lirinë e mendimit dhe identitetin e vet kulturor, ose do t’ia dorëzojë të ardhmen zërit më të zhurmshëm dhe më agresiv. Heshtja nuk është neutralitet; heshtja është zgjedhje. Dhe çdo zgjedhje ka pasoja historike. Lëvizja për Rikthim ekziston pikërisht për këtë arsye: jo për të përçarë, por për të mbrojtur shoqninë shqiptare nga heshtja që shndërrohet në dorëzim.

Lëvizja për Rikthim

Majlinda Nikçi, djegia e Kuranit nuk është nxitje e urrejtjes, ku i mësoni këto absurditete…?

2

Majlinda Nikçi, Prishtinë

1. Me kanë Kurani i shenjtë nuk e shesin me pare!
2. Ai zotnia ju a ka hedhur paret hundëve, e ka ble Kuranin me pare të veta, tash çka don ban me to.
3. Islamikët po shtiren, se kurkun s’osht tuj ju dhimtë që është djegur Kurani. Ata e dijnë që po e shfrytëzojnë rastin për propagandë kundër jo-muslimanëve – nuk e bëjnë pavetëdijshëm!
4. Djegia e Kurani nuk osht nxitje e urrejtjes; përse të urren dikush ty nëse të tjerët e djegin librin tënd? Ku po i mësoni këto absurditete!
5. Por nëse e urrejnë atë që e ka djegur librin, atëherë ka nxitje të urrejtjes. Në këtë rast nxitësit jeni ju!
6. Djegia e Kuranit është sfidim i autoritetit joligjor: një pushtet që ushtrohet ilegalisht. Këtë pushtet njerëzit e sfidojnë.
7. Çka është e shenjtë për ty nuk është për mua. Për ty dërgesë e Allahut – për mua letër e shpikur nga kinezët, e prodhuar në fabrikë, e shtypur në shtypshkronjën të shpikur nga Gutenbergu, një gjësend që blihet me pare.

E ardhmja e Kosovës nuk mbrohet duke e izoluar rininë nga drejtësia, por mbrohet duke e edukuar atë

0

Nga: Agim Vuniqi, Vashington

Kur frika nga drejtësia shitet si “mbrojtje e rinisë”

Zhurma politike dhe ligjërimi emocional kundër një ligjërate edukimi qytetar për Dhomat e Specializuara nuk është reagim spontan i shoqërisë – është prodhim i qëllimshëm i frikës. Ajo që po shohim nuk është mbrojtje e nxënësve, por përpjekje për ta mbajtur rininë larg njohjes së sistemit juridik.

Kjo është hipokrizi…

Dhomat e Specializuara janë pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ato nuk janë opinion politik, por realitet juridik. Kur një institucion është i sanksionuar kushtetutshmërisht, ai duhet të jetë edhe pjesë e edukimit qytetar. Çdo tentativë për ta trajtuar këtë temë si tabu është mohim i vetë parimit të shtetit ligjor.

Në shumë shkolla të mesme në Shtetet e Bashkuara, nxënësit jo vetëm që informohen për sistemin gjyqësor, por marrin pjesë edhe në seanca reale të gjykatave – përfshirë raste të zakonshme si shkeljet e trafikut. Qëllimi është i qartë: të rinjtë të kuptojnë se shkeljet zgjidhen në gjykatë, jo në rrugë; se drejtësia nuk është armik, por mekanizëm shoqëror. Kjo praktikë ka një efekt konkret: e çliron rininë nga frika e institucioneve dhe e pajis me kulturë juridike. Në Kosovë, përkundrazi, po ndërtohet narrativë se njohja me drejtësinë është traumë.

Kur shkolla hesht Politika flet, apo thënë më mirë kur arsimtarët tërhiqen, komentuesit marrin mikrofonin. Rezultati është një brez që di slogane, por jo parime kushtetuese.

Edukimi qytetar nuk ka për mision të mbrojë nxënësit nga realiteti. Përkundrazi: ai duhet t’i pajisë me mjete për ta kuptuar realitetin. T’u shpjegojë dallimin mes drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. T’u sqarojë pse ekzistojnë mekanizma të veçantë kur drejtësia vendase ka dështuar historikisht. T’u mësojë konceptet bazë: prezumimin e pafajësisë, të drejtën për mbrojtje, procesin e rregullt ligjor.

Këto nuk janë tema politike. Janë themele të qytetarisë.

Ata që sot bërtasin kundër një ligjërate informative, në fakt po i lënë të rinjtë peng të narrativave të gatshme. Po ua mohojnë mundësinë të formojnë mendim kritik mbi sistemin juridik të Kosovës dhe atë ndërkombëtar.

Frika nga debati nuk është ndjeshmëri. Është dobësi intelektuale. Nëse duam qytetarë që respektojnë ligjin, duhet së pari t’ua shpjegojmë ligjin. Nëse duam të rinj që i zgjidhin konfliktet në institucione, duhet t’i mësojmë si funksionojnë institucionet. Dhe nëse duam demokraci reale, duhet të pranojmë se edhe temat e vështira janë pjesë e edukimit.

E ardhmja e Kosovës nuk mbrohet duke e izoluar rininë nga drejtësia. Mbrohet duke e edukuar për të.

Anekdota për Mbretin Zog, malësorin nga Drenica Mursel Ahmetin, që në zyrën e tij kishte shkuar me Azem Bejtën dhe për mençurinë e shtetarit

Prof. Blerim Latifi, filozof nga Prishtina

Në kohën kur ende nuk ishin armiqësuar, Ahmet Zogu i kishte lënë një takim në zyrën e tij në Tiranë Azem Bejtës. Ky i fundit shoqërohej nga Mursel Ahmeti i Prekazit. Me të hyrë në korridorin e zyrës së Zogut, roja që ishte aty u tha se brenda mund të hynte vetëm Azemi, ndërsa burri tjetër duhej të mbetej jashtë. Burri dy metra i gjatë, shpatullgjerë dhe i pamësuar me protokollin shtetëror, nisi të fjalosej me rojën. Në një moment nervozizmi të papërmbajtur, ai e kapi rojën si leckë dhe e hodhi poshtë shkallëve.
U krijua një shamatë e madhe dhe burra të armatosur vrapuan drejt vendit të ngjarjes. Papritur, Zogu, krejt i qetë, doli nga zyra dhe, pasi mësoi shkakun e sherrit, iu drejtua rojes së tij:
“Po qysh i thuhet tanë ktij burri nuk ban me hy në konakun tem?”
Kjo anekdotë, e ruajtur veç në memorien popullore, është në të vërtetë shumë domethënëse për Shqipërinë e viteve ’20. Ajo nuk flet thjesht për temperamentin e një burri të fortë nga Prekazi, por për përplasjen mes dy rendesh: rendit të zakonit fisnor dhe rendit të shtetit modern.
Azem Bejta dhe shoqëruesi i tij, Mursel Ahmeti, vinin në Tiranë jo si qytetarë që kërkojnë audiencë tek një zyrtar i lartë i shtetit, por si burra nderi që hyjnë në konak. Për ta, zyrat e shtetit janë ende variante të zgjeruara të odës. Ato ende kuptohen si hapësira ku burri hyn me mikun e vet, sepse nderi nuk ndahet dhe shoqërimi është pjesë e identitetit. Refuzimi i rojes nuk përjetohet si zbatim protokolli, por si fyerje personale.
Reagimi brutal, i menjëhershëm dhe instinktiv i Murselit nuk është thjesht dhunë. Ai është shprehje e një etike ku autoriteti nuk buron nga uniforma apo rregullorja, por nga forca morale dhe fizike e burrit. Roja nuk shihet si përfaqësues i shtetit, por si një individ që po shkel rregullin e pashkruar të mikpritjes.
Ahmet Zogu, nga ana tjetër, shfaqet si figurë ndërmjetëse mes këtyre dy botëve. Qetësia e tij nuk është rastësore. Ai e kupton menjëherë se konflikti nuk është politik, por kulturor. Prandaj edhe fjalia e tij “Po qysh i thuhet tanë ktij burri nuk ban me hy në konakun tem?”, nuk është qortim ndaj Murselit, por kritikë ndaj rojes.
Me këtë fjali, Zogu bën dy gjëra njëherësh: e ruan autoritetin e vet si mikpritës dhe shmang dhunën e panevojshme për të. Ai flet gjuhën e malësorit për ta mbajtur nën kontroll shtetin modern që po përpiqet ta ndërtojë. Në këtë kuptim, Zogu nuk sillet ende si shtetar modern, por si kryeplak që e di se në Shqipërinë ende arkaike pushteti shtetëror pa njohje të zakoneve të moçme është pushtet i brishtë dhe mund të zhduket nga një kapriço e momentit.
Ai e di se si shtetar modern mund të ketë sukses jo duke përdorur dhunën e zhveshur e të drejtpërdrejtë kundër arkaikës që ia ka zënë rrugën, por duke negociuar me të me shumë kujdes. Ai është modernizues përmes reformimit të kujdesshëm, e jo revolucionar që beson se mund ta fshijë të kaluarën me një të goditur. Noli e humbi betejën me të pikërisht se përfaqësonte mënyrën e kundër të të bërit politikë. Me fjalë të tjera: kush ka aftësinë të negociojë me realitetin gjithëherë kompleks, mund t’ia dalë edhe ta ndryshojë atë në njëfarë mënyre; kush nuk do t’ia dijë për realitetin dhe do t’i imponojnë atij nga jashtë dogmat e veta idealiste, shpejt do të bjerë viktimë e hakmarrjes së realitetit.
Kështu, kjo anekdotë është një fragment i vogël i një drame më të madhe historike të shtetit shqiptar: drama e tranzicionit të dhimbshëm nga një shoqëri e nderit fisnor dhe e besës drejt një shoqërie të ligjit dhe institucioneve moderne. Dhe si çdo tranzicion i ngjashëm, ai ka kaluar përmes keqkuptimeve, shamatave dhe frazave që sot duken anekdotike, por atëherë ishin shumë serioze. Aq serioze sa mund të përmbysnin fate e shtete.

“Dy motrat” e hershme, lumenjt Prishtevka dhe Vellusha

0
Majlinda Nikçi, Prishtinë
____
DY MOTRA – PRISHTINA DHE VELLUSHA
____
Lumi Prishtevka (Prishtina) nuk ka qenë kurrë thjesht ujë që kalon. Ai ka qenë frymë, damar i qytetit, një rrjedhë e qetë që mbante brenda vetes kohë, emra dhe jetë njerëzish. Që në vjetërsinë e largët, kur këto troje ende flisnin gjuhën ilire dhe qytetet lindnin nga burimet, lumi mbante një emër që lidhej me tokën dhe me pushtetin e saj natyror. Emri i Prishtinës përmendej si kujtim i një kohe kur nga këto anë doli Justiniani, perandori ilir, biri i kësaj toke, që ngriti perandori por nuk e shkëputi kurrë lidhjen me burimin e vet.
Ujërat e këtij lumi kanë qenë të pasura dhe të gjalla. Në to lëviznin peshq të shumtë, guaca që ngjiteshin pas gurëve dhe gaforre që fshiheshin në brigje, shenja të një ekuilibri të lashtë mes njeriut dhe natyrës. Lumi ushqente jo vetëm tokën, por edhe jetën përreth tij. Pranë tij qëndronte mulliri i Lekës, që bluante pa pushim, ditë e natë, grurin dhe kallamoqin e fshatrave përreth. Zhurma e gurëve të mullirit përzihej me rrjedhën e ujit dhe bëhej pjesë e përditshmërisë së qytetit.
Në brigjet e lumit shiheshin djem të rinj me plisa në kokë, që hidhnin rrjetat në ujë me durim dhe mjeshtëri, siç ua kishin mësuar etërit. Pak më tej, tregtarë me varka të vogla prej druri bartnin mallra për t’i çuar drejt tregjeve, duke ndjekur rrjedhën e qetë të lumit si një udhë natyrore tregtie. Lumi ishte rrugë, ishte lidhje, ishte gjallëri.
Në pranverë, vajzat zbrisnin drejt ujit për festa, me këngë dhe ngjyra, ndërsa gratë lanin rrobat në brigje, duke biseduar e duke ndarë lajmet e ditës. Lumi i bashkonte brezat pa zhurmë, si një dëshmitar i heshtur i jetës së përditshme.
Dhe mbi të gjitha, qarkullonte një legjendë e vjetër, e thënë nga të moshuarit në mbrëmje: historia e dy motrave, Prishtina dhe Vellusha, që nga dhimbja dhe dashuria u shndërruan në lumenj për të mos u ndarë kurrë nga qyteti. Njëra rridhte më e qetë, tjetra më e fshehtë, por të dyja mbanin në vete shpirtin e vendit.
Sot, edhe kur rrjedha e tij është ndryshuar dhe zëri i tij është mbuluar nga betoni, lumi i Prishtinës vazhdon të jetojë në kujtesë. Sepse lumenjtë e vërtetë nuk zhduken; ata vetëm fshihen për një kohë, duke pritur që dikush t’i dëgjojë sërish.
Foto nga mbulimi i lumit Prishtina ne vitet 70 nga okupatori jugosllav

Majlinda Nikçi: Unë po mbroj të drejtën që asnjë ide, asnjë libër, asnjë simbol të mos ketë imunitet ligjor nga kritika apo refuzim

0
Majlinda Nikçi, Prishtinë
___
Zonja dhe zotërinj,
Unë nuk kërkoj privilegj.
Nuk kërkoj fyerje.
Nuk kërkoj dhunë.
Unë kërkoj barazi.
Nëse një shtet pretendon të jetë i lirë, atëherë liria nuk matet me librin që na pëlqen, por me librin që na shqetëson.
Sepse liria që vlen vetëm për mendimet e miratuara nuk është liri – është dekor.
Nëse një qytetar ka të drejtë të shkatërrojë një roman, një manifest politik, një ideologji apo një simbol tjetër, atëherë ligji nuk ka të drejtë të ndalet para një libri fetar dhe të thotë: “Këtu jo”.
Jo sepse libri është i shenjtë.
Por sepse ligji duhet të jetë neutral.
Kur shteti mbron një tekst për shkak të ndjeshmërisë fetare, por nuk mbron të tjerët, ai nuk mbron paqen — ai mban anë.
Dhe në çastin që shteti mban anë, ai pushon së qeni arbitër dhe bëhet palë.
Kjo nuk është mbrojtje e besimit.
Kjo është hierarki e ideve.
Dhe çdo hierarki idesh është armike e lirisë.
Unë nuk po sulmoj besimtarin.
Nuk po gjykoj fenë.
Unë po mbroj të drejtën që asnjë ide, asnjë libër, asnjë simbol të mos ketë imunitet ligjor nga kritika apo refuzimi, edhe kur ky refuzim është i ashpër.
Sepse sot është një libër fetar.
Nesër është një ide politike.
Pasnesër është fjala jote.
Liria nuk është e bukur.
Liria nuk është e rehatshme.
Por ose është e plotë, ose nuk është fare.
Dhe unë qëndroj këtu për të thënë:
ligji duhet të mbrojë qytetarin, jo idenë; njeriun, jo librin; barazinë, jo frikën.

Bandat gjithnjë thirren “në Kushtetutë”, kur u ikë kontrolli mbi krimin

0
BANDAT TONA POLITIKE THIRREN NË “KUSHTETUTË” SA HERË QË U IK NGA DUART KONTROLLI MBI KRIMIN
Deklarata e zonjës Valdete Dakaj se “në të gjitha zgjedhjet e pasluftës ka pasur manipulime të brendshme të votave – por kurrë në këtë përmasë si sot”, nuk përbën opinion.
Ajo është një pranim i vonuar dhe i pavetëdijshëm i një bashkëfajësie të heshtur.
Sepse ai që ka dijeni për krimin dhe zgjedh të heshtë, nuk është dëshmitar – por bashkëpunëtor i paligjshëm dhe imoral.
Në këtë rast, Dakaj na thotë hapur se vjedhja e votës ka qenë për të e pranueshme për aq kohë sa pushteti mbahej nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA – pra nga bandat politike të pasluftës.
Sipas kësaj logjike të kalbur, problemi për të kurrë nuk ka qenë krimi.
Problem për të paraqet fakti, se sot krimi nuk po u bindet më bandave politike që ajo i preferon.
Pra, ky është thelbi i mesazhit të saj tinzar dhe hipokrit.
Nga ana tjetër, për herë të parë që nga paslufta, gjatë qeverisjes VV–Guxo–Alternativa, në Kosovë po ndodh diçka që për sistemin tonë banditesk është anormale, por për demokracitë e zhvilluara është krejtësisht normale:
votat po rinumërohen,
manipulimet po zbulohen,
rezultatet po korrigjohen
dhe legjitimiteti po ndërtohet – edhe pse kjo po ndodh pas zgjedhjeve, e jo si dikur, kur vjedhja e votave brenda llojit mbahej sekrete në zyrat e errëta të partive banda.
Në çdo shtet normal, kjo do të ishte arsye për gëzim.
Në Kosovën e bandave që funksionojnë si korporata feudale afariste, kjo përjetohet si kërcënim ekzistencial.
Prandaj në studio televizive shfaqen humbës profesionistë, të veshur me “kostum kushtetues” – si “Llamarina Bojleri” – për të na shpjeguar se korrigjimi i padrejtësisë qenka shkelje e Kushtetutës.
Se rinumërimi i votave qenka grusht shteti.
Se drejtësia paska shkuar “tepër larg”.
Kjo është logjika e tij mafioze.
Sepse për Llamarinë Bojlerin, krimi është i ligjshëm vetëm kur fiton banda e tij e preferuar.
Ai shkon aq larg në mendësinë e tij hipokrite dhe mafioze, saqë e kërkon edhe dorëheqjen e Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, vetëm pse ajo ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në çdo shtet serioz, ky veprim do të konsiderohej si respekt ndaj rendit kushtetues.
Në Kosovë, ndërkaq, Kushtetuta trajtohet si kondom, sepse shpallet e shenjtë vetëm kur u shërben bandave politike dhe quhet antikushtetuese sapo ua cenon interesat.
Ironia tragjike është se e njëjta Gjykatë Kushtetuese, e cila për vite me radhë, përmes vendimeve bllokuese, ka ndihmuar Listën Serbe dhe projektin destabilizues të Vučićit, sot shpallet papritmas autoriteti suprem i demokracisë – vetëm sepse vendimi i saj përputhet me interesat e humbësve.
Ky nuk është besim në shtet.
Ky është keqpërdorim i shtetit si alibi.
RASTI KRSTIĆ: SKIZOFRENI POLITIKE E TRANSMETUAR LIVE
Branislav Krstić, në emisionin Politiko, arrin një rekord antilogjik:
Ai e quan me të drejtë Listën Serbe organizatë kriminale dhe instrument të Vučićit për terrorizimin, shantazhimin, plaçkitjen dhe vrasjen e serbëve të veriut.
Pastaj, në të njëjtën frymë, relativizon rastin Banjska – sikur arsenali ushtarak të ishte për gjueti lepujsh në një piknik, e jo për terror dhe ripushtim.
Në fund, ai pa e kuptuar se po e zhvishte veten nga maska e mashtrimit, e përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë ankesës së po asaj Liste Serbe.
Kulmi i absurditetit:
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese qenka institucioni i vetëm që po i mbrojka të drejtat e serbëve të Kosovës.
Këtu lind pyetja logjike:
Si po i mbron, kur po lejon që një strukturë kriminale t’i terrorizojë vetë serbët?
Si po i mbron, kur po e toleron shantazhin politik dhe bllokadën shtetërore?
Si po i mbron, kur po e legjitimon një organizatë kriminale dhe terroriste që i frikëson, shantazhon, plaçkit dhe vret – si serbët ashtu edhe shqiptarët?
Këtu nuk kemi mendim ndryshe.
Këtu kemi ose disonancë kognitive, ose aktrim të dobët politik.
Krstić duhet të zgjedhë:
ose është hipokrit i vetëdijshëm,
ose aktor i dështuar në rolin e “mendimtarit të moderuar”.
Sepse historikisht, çdo sistem i kalbur ka një simptomë të përbashkët:
krimi fillon të quhet stabilitet.
Psikologjikisht, humbësit nuk e urrejnë padrejtësinë – ata e urrejnë faktin që kontrolli mbi padrejtësinë po u merret nga duart.
Etikisht, ekziston një dallim i thellë mes vjedhjes së një çokollate në supermarket dhe vjedhjes së miliardave nga buxheti i shtetit.
Prandaj janë thellësisht hipokritë ata që thonë se krimi nuk matet me gramë, por me parim.
Pse ?
Sepse me një çokollatë nuk mund ta korruptosh as barkun tënd të uritur –
ndërsa me miliarda euro mund të korruptosh çdo prokuror, çdo gjykatës dhe çdo “monitorues” vendor apo ndërkombëtar.
Moralisht, heshtja përballë manipulimit është bashkëpunim, relativizimi i terrorit është bashkëfajësi, ndërsa frika nga zgjedhjet e ndershme është pranim i pafuqisë politike.
PSE HUMBËSIT E THELLË TË KËTYRE ZGJEDHJEVE KANË KAQ SHUMË FRIKË NGA FITORJA PLEBISHITARE E ALBIN KURTIT ?
Ata nuk kanë frikë nga Vetëvendosja e tij.
Ata kanë frikë nga precedenti.
Nga fakti se për herë të parë:
vota po korrigjohet,
krimi nuk po amnistohet,
dhe pushteti nuk po trashëgohet më si pronë private.
Prandaj ulërasin për Kushtetutën, por e shkelin etikën.
Prandaj flasin për minoritetet, por i keqpërdorin si mburojë mbi krimet e tyre.
Prandaj drejtësinë e quajnë destabilizim.
Sepse për ta, një shtet funksional është rrezik ekzistencial.
“U garantoj lexuesve të mi se këtë këndvështrim mund ta marrin vetëm nga unë, sepse analistët e tjerë e kanë shndërruar trurin e tyre në shtrat, vetëm për të fjetur ditë e natë mbi të.
Prandaj, cilido ‘analist i vetëshpallur’ që sonte, nesër mbrëma apo edhe pas një jave përpiqet ta shesë këtë pikëpamje si të vetën, pa më cituar mua si autor, nuk është gjë tjetër veçse një plagjiator i mjerë.”