Kreu Blog Faqe 41

“Kufijt e Arbërit” në përkrahje të Kishës së re katolike në Zogaj

0

Nga “Kufijtë e Arbërit”

Ka momente kur një gurthemel nuk shënon vetëm fillimin e një ndërtese. Ai mund të bëhet shenjë kujtese, vazhdimësie dhe përgjegjësie ndaj brezave që vijnë.

Nisma për ndërtimin e Kishës së re Katolike Shqiptare në Zogaj të Vushtrrisë është një moment i tillë.

Ne, në emër të “Kufijve të Arbërit”, e përkrahim këtë nismë si një të drejtë të ligjshme të besimtarëve dhe si pjesë të trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe historike shqiptare.

Kjo kishë nuk ndërtohet kundër askujt. Ajo ndërtohet për njerëzit që duan të ushtrojnë besimin e tyre në liri, në tokën e tyre dhe në respekt të plotë ndaj bashkëqytetarëve të besimeve të tjera.

Arbëria jeton në kujtesën e saj

Historia shqiptare është më e vjetër se ndarjet dhe përplasjet e kohëve moderne. Brenda saj gjenden kishat e vjetra, kuvendet, traditat, zakonet, gjuha dhe figurat që i dhanë Arbërisë identitetin e saj.

T’i ruash këto gjurmë nuk do të thotë të mohosh askënd tjetër.

Do të thotë të mos e harrosh veten.

Për ne, Kufijtë e Arbërit nuk janë vetëm kufij gjeografikë. Ata janë kufij të kujtesës, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë sonë.

Prandaj një kishë shqiptare në Zogaj është edhe një gur më shumë në mozaikun e kësaj kujtese.

Respekt për dhuruesit dhe nismëtarët

Një mirënjohje e veçantë u takon atyre që kanë vënë pronën e tyre në shërbim të kësaj nisme.

Dhurimi i tokës nga Musë Musa dhe znj. Pllana për Kishën, Qendrën Pastorale dhe varrezat përbën një kontribut që do të mbetet përtej një brezi.

Sot dhurohet toka.

Nesër mbi të do të ngrihet kisha.

Pas shumë vitesh, aty do të qëndrojë kujtesa e njerëzve që patën vullnetin të lënë diçka për komunitetin dhe brezat pas tyre.

Një mesazh nga Zogaj për të gjithë shqiptarët

Ne dëshirojmë që nga Zogaj të dalë një mesazh i thjeshtë:

Besimi i një shqiptari nuk duhet të jetë arsye që shqiptari tjetër ta shohë si të huaj.

Shqiptarët kanë jetuar me përkatësi të ndryshme fetare dhe pikërisht aftësia për ta ruajtur lidhjen kombëtare përtej këtyre dallimeve është një vlerë që duhet mbrojtur.

Kisha duhet ta ketë vendin e saj.

Xhamia duhet ta ketë vendin e saj.

Çdo besimtar duhet ta ketë lirinë e vet.

Ndërsa mbi të gjitha duhet të qëndrojë respekti për njeriun, gjuhën, kulturën, atdheun dhe historinë tonë të përbashkët.

Prandaj “Kufijtë e Arbërit” e përkrahin publikisht ndërtimin e Kishës së re Katolike Shqiptare në Zogaj të Vushtrrisë dhe u bëjnë thirrje institucioneve, intelektualëve, krijuesve, mërgatës dhe qytetarëve që këtë nismë ta mbështesin në frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës.

Le të ngrihet kjo kishë si shtëpi besimi për ata që i përkasin asaj.

Le të jetë njëkohësisht dëshmi se shqiptarët mund t’i kenë lutjet e ndryshme, por nuk duhet ta humbin kurrë gjuhën, kujtesën dhe respektin për njëri-tjetrin.

Sepse Arbëria nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar. Arbëria është edhe ajo që dimë t’ua lëmë brezave që vijnë.

“KUFIJTË E ARBËRIT”
Në përkrahje të ndërtimit të Kishës së re Katolike Shqiptare në Zogaj të Vushtrrisë

Kisha në Zogaj, një gur në themelet e bashkëjetesës dhe kujtesës sonë kombëtare

0

Nga Prof. Avdi Gjata

Në mbështetje të nismës për ndërtimin e Kishës së re Katolike Shqiptare në Zogaj të Vushtrrisë

Ka nisma që maten me gurë, tulla e metra katrorë, por ka edhe nisma që peshojnë shumë më tepër, sepse prekin kujtesën, identitetin dhe ndërgjegjen e një shoqërie. Nismën për ndërtimin e Kishës së re Katolike Shqiptare në Zogaj të Vushtrrisë e shoh pikërisht në këtë frymë.

E përkrah këtë nismë sepse Kosova që kemi dashur dhe për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë duhet të jetë një Kosovë ku askush nuk ndihet i huaj për shkak të besimit të vet; një Kosovë ku xhamia, kisha dhe çdo objekt tjetër i ligjshëm fetar nuk shihen si kërcënim për njëri-tjetrin, por si dëshmi e lirisë së qytetarit.

Ndërtimi i një kishe katolike shqiptare në Zogaj nuk duhet të interpretohet si veprim kundër dikujt. Përkundrazi, ai duhet të kuptohet si ushtrim i një të drejte elementare: të drejtës së njeriut për të besuar, për ta ruajtur traditën e vet dhe për ta ushtruar besimin në paqe.

Zogaj – një mesazh që mund të shkojë përtej një fshati

Në historinë shqiptare, besimet kanë qenë të ndryshme, por gjuha, prejardhja, kultura dhe fati historik na kanë bashkuar. Shqiptari katolik, mysliman, ortodoks apo i një bindjeje tjetër nuk duhet ta shohë tjetrin si kundërshtar.

Pikërisht këtu qëndron edhe vlera e kësaj nisme.

Nëse në Zogaj ndërtohet një kishë dhe pranë saj kultivohet respekti ndaj fqinjit të besimit tjetër, atëherë nuk kemi ngritur vetëm një objekt. Kemi ngritur një shembull qytetarie.

Kosova ka nevojë për shembuj të tillë.

Ajo ka nevojë që dallimet fetare të mos shndërrohen në mure ndërmjet shqiptarëve. Ka nevojë për një shoqëri që identitetin e saj kombëtar, kulturor dhe evropian e ndërton duke respektuar lirinë individuale.

Një falënderim për dhurimin e tokës

Një nismë e tillë nuk mund të kalojë pa vlerësuar njerëzit që kanë hapur rrugën konkrete për realizimin e saj.

Dhurimi i tokës për Kishën, Qendrën Pastorale dhe varrezat është një akt që meriton respekt, sepse prona private vihet në dispozicion të një nevoje të komunitetit.

Në këtë kuptim, kontributi i Musë Musës dhe znj. Pllana, si dhurues të tokës së paraparë për këtë kompleks, duhet parë si një përgjegjësi e marrë ndaj brezave që do të vijnë.

Guri që vendoset sot mund të mbetet për një shekull.

Prandaj përgjegjësia jonë është që mbi atë gur të mos ndërtojmë përçarje, por mirëkuptim, kulturë dhe respekt njerëzor.

Feja nuk duhet të na ndajë nga kombi

Historia shqiptare na ka dhënë një mësim të madh: kemi mbijetuar kur kemi ditur të qëndrojmë bashkë.

Nga koha e Gjergj Kastriotit–Skënderbeut, te rilindësit tanë, te humanizmi botëror i Nënë Terezës dhe deri te lufta e popullit të Kosovës për liri, shqiptarët kanë dëshmuar se përkatësitë fetare nuk duhet të bëhen pengesë për përkatësinë dhe solidaritetin kombëtar.

Prandaj duhet të kundërshtojmë çdo përpjekje për ta kthyer fenë në instrument urrejtjeje, përjashtimi apo përçarjeje.

Besimi është çështje e ndërgjegjes.

Atdheu është shtëpia jonë e përbashkët.

Dhe këto dy gjëra nuk kanë pse të luftojnë njëra-tjetrën.

Zogaj duhet të japë mesazh paqeje

Unë dëshiroj që dita e vendosjes së gurthemelit të kësaj kishe të mos jetë ditë triumfi të një pale mbi një tjetër.

Le të jetë ditë e qytetarisë shqiptare.

Le të vijë aty katoliku me kryqin e tij, myslimani me besimin e tij, besimtari tjetër me bindjen e vet dhe qytetari që nuk praktikon asnjë fe – dhe secili të ndihet i respektuar.

Sepse një kishë e ndërtuar ligjërisht nuk ia merr askujt lirinë.

Një xhami nuk e zvogëlon kishën.

Një kishë nuk e zvogëlon xhaminë.

Ajo që i zvogëlon të dyja është urrejtja.

Ndërsa ajo që i lartëson është respekti për njeriun.

Përkrahje e qartë për ndërtimin e Kishës

Prandaj, si profesor, intelektual dhe qytetar shqiptar, e mbështes publikisht nismën për ndërtimin e Kishës së re Katolike Shqiptare në Zogaj të Vushtrrisë.

U bëj thirrje institucioneve, intelektualëve, krijuesve, njerëzve të kulturës, mërgatës dhe qytetarëve të vullnetit të mirë që këtë çështje ta trajtojnë me maturi dhe përgjegjësi.

Mos ta lejojmë askënd ta shndërrojë një objekt besimi në arsye konflikti.

Përkundrazi, le ta shndërrojmë në një dëshmi se shqiptarët dinë ta respektojnë njëri-tjetrin edhe kur luten në mënyra të ndryshme.

Në Zogaj nuk duhet të ngrihet vetëm një kishë.
Duhet të ngrihet edhe besimi se shqiptari mund ta respektojë shqiptarin.
Duhet të ngrihet kultura e dialogut.
Duhet të ngrihet kujtesa.
Duhet të ngrihet dinjiteti.

Dhe mbi të gjitha, duhet të mbetet një porosi për brezat:

Besimet mund t’i kemi të ndryshme, por atdheun, gjuhën, historinë dhe të ardhmen duhet t’i ndërtojmë së bashku.

Po çahet muri i islamizimit politik – revolta po vije edhe nga brenda xhamive

0

 

Luan – Asllan Dibrani

PO ÇAHET MURI I ISLAMIZMIT POLITIK – REVOLTA PO VJEN EDHE NGA BRENDA XHAMIVE

Kur imamët shqiptarë ngrenë zërin kundër radikalizmit, denigrimit të Skënderbeut dhe keqpërdorimit të fesë, maskat fillojnë të bien

Diçka e madhe po ndryshon në botën shqiptare.

Dhe këtë herë nuk janë vetëm publicistët, intelektualët, historianët apo veprimtarët kombëtarë që po ngrenë alarmin.

Zëri kundër radikalizmit po vjen edhe nga brenda xhamive.

Po vjen nga imamë shqiptarë.

Po vjen nga besimtarë myslimanë që nuk pranojnë t’u merret peng feja.

Po vjen nga njerëz që thonë hapur se Islami nuk mund të përdoret kundër Shqipërisë, Kosovës, flamurit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe bashkëjetesës sonë shekullore.

Kjo është goditja që islamizmi politik nuk e priste.

Sepse është e lehtë ta quash një publicist “armik të Islamit”.

Por çfarë do të thuash kur kundër ekstremizmit ngrihet vetë hoxha?

Çfarë do të thuash kur nga minberi dëgjohet thirrja për atdhe, tolerancë dhe respekt ndaj figurave kombëtare?

Atëherë propaganda fillon të shembet.

YLLI GURRA: ALARMI PO VJEN NGA BRENDA

Një prej shembujve më domethënës vjen nga Shqipëria.

Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, ka folur publikisht për rrezikun e radikalizmit. Në vitin 2025 ai deklaroi se disa xhami ishin shndërruar, sipas tij, në “filiza të ekstremizmit”, duke kërkuar pikërisht ndarjen ndërmjet besimit të sinqertë mysliman dhe manipulimit ideologjik.

Kjo deklaratë ka peshë.

Sepse nuk vjen nga një kundërshtar i Islamit.

Vjen nga një imam mysliman.

Gurra kishte folur edhe vite më parë për domosdoshmërinë e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Dhe për Skënderbeun ka mbajtur një qëndrim që duhet dëgjuar shumë më fort në trojet shqiptare: figurat kombëtare, nga Teuta te Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Fan Noli e të tjerë, janë figura përbashkuese të shqiptarëve.

Pra mund të jesh hoxhë dhe ta nderosh Skënderbeun.

Mund të jesh mysliman dhe ta duash flamurin kuqezi.

Mund të besosh në Islam pa e shndërruar fenë në luftë kundër historisë sate.

Kjo është përgjigjja më e fuqishme ndaj ekstremistëve.

OSMAN MUSLIU: RADIKALIZMI NUK MUND TË FSHIHET NËN QILIM

Edhe në Kosovë kemi zëra nga brenda komunitetit mysliman.

Hoxhë Osman Musliu ka folur prej vitesh ashpër për ekstremizmin islamik.

Ai ka deklaruar publikisht se në Kosovë kishte organizata që rekrutonin të rinj për Siri dhe ka ngritur akuza të rënda ndaj mënyrës se si institucionet fetare dhe shtetërore e kishin trajtuar fenomenin.

Deklaratat e tij mund të debatohen.

Por një gjë nuk mund të mohohet:

alarmit kundër radikalizmit po i binte një hoxhë.

Kjo rrëzon propagandën sipas së cilës kushdo që diskuton ekstremizmin islamik qenka automatikisht kundër myslimanëve.

Jo.

Problemi nuk është myslimani.

Problemi është ekstremisti.

PSE KJO PËRPLASJE ËSHTË HISTORIKE?

Sepse për shumë kohë është tentuar të na imponohet një zgjedhje artificiale:

Ose hesht përballë radikalizmit, ose shpallesh armik i fesë.

Kjo kohë po përfundon.

Myslimanët shqiptarë kanë të drejtë t’u thonë predikuesve radikalë:

Mos flisni në emrin tonë!

Mos na e përdorni fenë kundër kombit.

Mos na e përdorni xhaminë kundër flamurit.

Mos na e përdorni Zotin kundër Skënderbeut.

Mos na e përdorni besimin për të prodhuar armiqësi ndërmjet shqiptarit mysliman dhe shqiptarit katolik.

Dhe mbi të gjitha:

Mos na i dërgoni fëmijët në luftëra që nuk janë luftërat e Shqipërisë dhe Kosovës!

SIRIA DUHET TË MBETET PLAGË DHE MËSIM

Dhjetëra familje shqiptare e kanë paguar shtrenjtë radikalizimin që çoi njerëz drejt luftërave në Siri dhe Irak.

Prandaj pyetjet duhet të vazhdojnë.

Kush predikoi?

Kush rekrutoi?

Kush financoi?

Kush organizoi?

Kush e dinte?

Kush heshti?

Dhe kush i kundërshtoi?

Nuk kërkojmë linçime.

Kërkojmë dokumente.

Nëse ekzistojnë financime të paligjshme nga organizata të huaja, le të hetohen.

Nëse ekzistojnë lidhje me struktura ekstremiste, le të dokumentohen.

Nëse dikush ka kryer vepër penale, le të përgjigjet para drejtësisë.

Por askush nuk duhet shpallur “agjent” vetëm sepse nuk pajtohemi me të.

E vërteta kombëtare nuk ka nevojë për shpifje. Ka nevojë për prova.

FLAMURI NUK ËSHTË PËR T’U PËRDHUNUAR ME FJALË

Në trojet shqiptare kemi dëgjuar deklarata publike që e zhvlerësojnë identitetin kombëtar, Kanunin, Skënderbeun apo vetë përparësinë e përkatësisë shqiptare.

Këtu duhet reaguar.

Por jo duke djegur xhami.

Jo duke sharë myslimanët.

Jo duke krijuar luftë fetare.

Përgjigjja duhet të jetë shumë më e fuqishme:

argumenti.

Nëse dikush thotë se Sheriati duhet të qëndrojë mbi rendin kushtetues shqiptar, pyeteni publikisht:

A e njeh Republikën?

A e njeh Kushtetutën?

A e njeh flamurin?

A e njeh barazinë e qytetarëve?

Nëse po, atëherë jemi qytetarë të së njëjtës republikë.

Nëse jo, atëherë kemi problem politik dhe kushtetues, jo debat teologjik.

SKËNDERBEUN NUK MUND TA NXIRRNI NGA HISTORIA

Gjergj Kastrioti nuk është kandidat në zgjedhje.

Nuk kërkon votën e hoxhës.

Nuk kërkon miratimin e priftit.

Nuk kërkon lejen e Erdoganit.

Nuk kërkon lejen e Romës.

Nuk kërkon lejen e askujt.

Skënderbeu është histori shqiptare.

Mund ta analizosh.

Mund ta kritikosh.

Mund të studiosh çdo vendim të tij.

Por përpjekja për ta shndërruar heroin kombëtar në armik fetar të shqiptarëve myslimanë është një nga manipulimet më të rrezikshme që mund t’i bëhet unitetit shqiptar.

Dhe pikërisht një imam si Ylli Gurra e ka thënë qartë se shqiptarët myslimanë nuk duhet të kenë kompleks ndaj figurave kombëtare.

Kjo është përgjigjja.

MOS NA E SILLNI ANKARANË, RIADIN APO TEHERANIN NË MES TË TIRANËS DHE PRISHTINËS

Shqiptarët duhet të kenë marrëdhënie të mira me të gjithë.

Me Turqinë.

Me vendet arabe.

Me Amerikën.

Me Evropën.

Me botën.

Por miqësia ndërmjet shteteve nuk nënkupton dorëzimin e identitetit.

Asnjë qeveri e huaj nuk duhet të përcaktojë se cilët heronj duhet të nderojnë shqiptarët.

Asnjë organizatë e huaj nuk duhet të blejë me para orientimin kulturor të një populli.

Asnjë kapital fetar nuk duhet të jetë mbi transparencën.

Prandaj çdo financim i huaj për institucione fetare – myslimane, katolike, ortodokse apo të tjera – duhet të jetë transparent.

Kush paguan?
Sa paguan?
Kujt ia jep?
Për çfarë?

Kaq.

Një demokraci serioze nuk ka frikë nga këto pyetje.

HOXHA PATRIOT NUK ËSHTË ARMIKU YNË

Kjo është ndoshta fjalia më e rëndësishme e këtij shkrimi.

Hoxha që mbron atdheun është bashkëkombësi ynë.

Hoxha që nderon flamurin është bashkëkombësi ynë.

Hoxha që respekton Skënderbeun është bashkëkombësi ynë.

Hoxha që mbron katolikun nga urrejtja është bashkëkombësi ynë.

Prifti që mbron myslimanin nga urrejtja është po aq bashkëkombësi ynë.

Sepse Shqipëria nuk është pronë e një feje.

Kosova nuk është pronë e një feje.

Shqiptaria është shtëpia jonë e përbashkët.

KËTU NDAHEN RRUGËT

Prandaj sot duhet bërë një ndarje historike.

Jo:

mysliman kundër katolikut.

Por:

myslimani dhe katoliku kundër ekstremistit.

Jo:

xhami kundër kishës.

Por:

xhami dhe kishë kundër fanatizmit.

Jo:

besimtar kundër ateistit.

Por:

qytetar kundër kujtdo që kërkon t’ia imponojë tjetrit bindjen me dhunë, kërcënim apo urrejtje.

Kjo është Shqipëria evropiane që duhet të ndërtojmë.

PO ÇAHET MURI

Dhe tani vijmë te pyetja që shumëkush nuk dëshiron ta dëgjojë:

Pse po nervozohen ekstremistët?

Sepse koha po ndryshon.

Sepse shqiptari po pyet.

Sepse myslimani po pyet.

Sepse edhe hoxha po pyet.

Sepse nuk mjafton më të bërtasësh “fe” për ta mbyllur diskutimin.

Sepse nuk mjafton ta shpallësh kundërshtarin armik.

Sepse brezi i ri kërkon argument.

Dhe mbi të gjitha sepse po lind një vetëdije që thotë:

Besimin tim nuk ta jap.
Por as kombin tim nuk ta jap.

Mund të jem mysliman dhe shqiptar.

Mund të jem katolik dhe shqiptar.

Mund të jem ortodoks, bektashi, protestant apo ateist dhe shqiptar.

Dhe askush nuk ka të drejtë të më kërkojë ta urrej shqiptarin tjetër për shkak të mënyrës se si ai i drejtohet Zotit.

KJO ËSHTË BETEJA QË DUHET FITUAR

Jo luftë kundër Islamit.

Jo luftë kundër xhamive.

Jo luftë kundër besimtarëve.

Por një përballje demokratike, intelektuale dhe institucionale kundër:

radikalizmit,
ekstremizmit,
fanatizmit,
instrumentalizimit politik të fesë,
financimeve të paligjshme,
urrejtjes ndërfetare
dhe çdo ideologjie që kërkon ta vendosë shqiptarin kundër shqiptarit.

Në këtë front duhet të qëndrojë profesori pranë hoxhës së moderuar.

Gazetari pranë priftit.

Myslimani pranë katolikut.

Besimtari pranë jobesimtarit.

Sepse kur rrezikohet bashkëjetesa kombëtare, nuk pyetet se në cilën faltore lutesh.

Pyetja është vetëm një:

A qëndron me Shqipërinë dhe Kosovën, me lirinë, demokracinë dhe bashkëjetesën – apo me ekstremizmin që kërkon të na përçajë?

Koha po ndryshon.

Maskat po bien.

Dhe kur kundër radikalizmit fillon të flasë edhe vetë hoxha shqiptar, atëherë islamizmi politik humbet armën e tij më të madhe: pretendimin se flet në emër të të gjithë myslimanëve.

Jo.

Shqiptarët myslimanë nuk janë pronë e islamizmit politik.

Shqiptarët katolikë nuk janë pronë e ndonjë partie.

Shqiptarët nuk janë pronë e Ankarasë, Beogradit, Moskës, Riadit apo kujtdo tjetër.

Shqiptarët janë zotër të shtëpisë së tyre.

Dhe ajo shtëpi quhet:

ATDHE.

Autor:

Luan – Asllan Dibrani 
Gazetar, publicist, piktor dhe skulptor, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Gjermani, ish i burgosur politik dhe veprimtar shumëvjeçar i çështjes kombëtare shqiptare. Me veprimtarinë e tij publicistike, kulturore dhe artistike ka trajtuar vazhdimisht çështje të identitetit kombëtar, historisë dhe kulturës shqiptare, diasporës, bashkëjetesës fetare dhe mbrojtjes së vlerave kombëtare shqiptare.

Ambasada e Hungarisë në Prishtinë, e përkujton heroin John Huniadin, bashkëluftëtarin e Gjergj Kastriotit

Foto e publikuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë

Ambasada e Hungarisë në Kosovë përkujton gjeneralin Hunyadi Janos: Kishte aleat Gjergj Kastriotin Skënderbeun

Sot, në historinë hungareze, përkujtohet vdekja e Hunyadi János, i cili, sipas legjendës, vdiq në këtë ditë të vitit 1456 nga një epidemi murtajeje që shpërtheu pas fitores së tij të madhe në Betejën e Nandorfehervar (Beograd).

“Eshtrat e Hunyadit u varrosën në Katedralen e Shën Mihalit në Gyulafehervar, e ndërtuar në periudhën e dinastisë Arpad. Megjithatë, varri i tij u dëmtua vazhdimisht nga plaçkitësit osmanë, tatarë të Krimesë dhe vllehë gjatë shekullit XVII, në periudhën e trazirave të historisë së Transilvanisë.

Me vdekjen e Hunyadi Janos, Hungaria humbi një nga gjeneralët e saj më të mëdhenj, i cili ia kushtoi pothuajse tërë jetën, pasurinë dhe aftësitë e tij politike e ushtarake mbrojtjes së kufijve jugorë të Hungarisë.

Përveç një shtatoreje në Prizren, Hunyadi paraqitet edhe në një prej vitrazheve të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. Fytyra e tij shihet mbi supet e aleatit të tij, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, thuhet në njoftimin në Facebook të Ambasadës së Hungarisë në Kosovë.

Doli nga shtypi libri “Ku është besimi juaj?”

0

Lekë Mrijaj, Klinë

Sapo ka dalë nga shtypi libri “KU ËSHTË BESIMI JUAJ?”, i autorit Reinhard Kittl, i përkthyer nga gjermanishtja, i përgatitur dhe i përshtatur në gjuhën shqipe nga Dom Fran Sopi, meshtar i Kishës Katolike “Shën Katarina e Aleksandrisë” në Pejë.

Libri është botuar nën ISBN e Shtëpisë Botuese HIERONYMUS, Klinë, 2026, ndërsa shtypjen e ka realizuar FAB Advertising – Pejë. Botimi origjinal i veprës mban titullin “WHO IST EUER GLAUBE” dhe është botuar në vitin 2012. Vepra trajton, në mënyrë biblike, teologjike dhe shpirtërore, çështjen e besimit, duke e ftuar lexuesin të reflektojë mbi marrëdhënien personale me Hyjin, jetën e lutjes, përvujtërinë, Eukaristinë, dashurinë dhe dëshminë e krishterë.

Për Dom Fran Sopin, përkthimi i këtij libri nuk është vetëm kalim i fjalëve nga një gjuhë në tjetrën, por një urë ndërmjet dy brigjeve shpirtërore, përmes së cilës mendimi i autorit i përcillet lexuesit shqiptar me qartësi dhe ndjeshmëri baritore. Vetë titulli “Ku është besimi juaj?” përbën një ftesë për shqyrtim të ndërgjegjes dhe për rikthim te thelbi i jetës së krishterë.

Libri nuk synon vetëm të informojë, por ta ndihmojë lexuesin të ndalet, të meditojë dhe ta jetojë më thellë besimin e vet. Ky botim përbën një kontribut të ri në literaturën shpirtërore në gjuhën shqipe dhe u drejtohet meshtarëve, rregulltarëve, katekistëve, familjeve, të rinjve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë ta njohin dhe ta jetojnë më thellë misterin e besimit të krishterë. “Ku është besimi juaj?” është një pyetje që nuk kërkon vetëm përgjigje me fjalë, por dëshmi me jetë.

Më 13 gusht 2026

Psudogazetari apo Sadria Show !

1
Sadria Show!
____
A mund t’i thotë dikush këtij pseudo-gazetari, Sadri Imerit, se shqiptari që është shqiptar, kur e ha me dikë bukën, nuk ia dhjen sofrën! Pra, aq shqiptar është ky pseudo-gazetar, saqë jo vetëm që ia dhjen sofrën shqiptarit, por mundohet madje edhe ta presë në besë! Këtë do ta tregojë vetë Luigji me kohë.
Dhe fjala e tij, drejtuar mysafirit të tij të fundit e të çuditshëm, i cili është i besimit katolik, por që, siç duket, është i manipuluar, kur i thotë: „Ti qenke i mirë, si me qenë mysliman“, (nuk ka të bëjë me shqiptarinë) sepse e paskan programuar katalikun se si të flasë. Kjo ta kujton atë “shqiptarin e ndershëm”, që ishte “si serb” në kohën e Slobodan Milosheviqit! Kjo qasje nuk ka të bëjë me shqiptarinë, Sadri deshtaku! Ka të bëjë me dredhinë manipulative që, e përdor Islami politik, me një mendësi jugosllave.
A mund t’i thotë dikush këtij pseudo-gazetari se tash e tutje mund të bëni edhe 20 emisione kundër Luigjit, mund t’i shndërroni edhe në „diss tracks“ emisionet, si diss-at e atij Hysenit, i cili e pati urinuar bustin e Gjergj Kastriotit (dhe sot nuk e shkelë dot Kosovën) në mes të Prishtinës, e i cili është dërrmuar prej Unikkatilit. Njësoj, edhe emisioni ku ishte i pranishëm Luigji ju ka lënë me pasoja të mëdha psikologjike. Ju ka dërrmuar komplet!
Nuk po mundeni t’ia hidhni poshtë fjalët Luigjit dhe tash bëni intriga, intrigantë!
Sado që të mundoheni ta njollosni Luigjin, e keni humbur debatin, bashkë me hoxhën që gjuante grushta, si grushtat e grave të liga.
Dy fjalë për pseudo-katolikun që paska marrë mision prej këtij amatori mediatik dhe islamit politik: A je ti ai që më ke thënë mua personalisht se myslimanët ma kanë sëmurë djalin?
Kaq, sa për këtë „katolik“ tradhtar, që paska njollosur edhe mbiemrin Gashi, të njëjtin mbiemër që e ka edhe fisi im.
PS: Zagarët që i shërbejnë Islamit politik do të demaskohen me kohë. Qofshin edhe pseudo-katolikë të shitur te djalli.
Seriozisht,
Blerim Nika
13.08.2026

Mendime që bëjnë dritë tërë jetën

0
Ismet Hasani, Suedi
MENDIME TË BËJNË DRITË TËRË JETËN (3)
U R T I  P O E T I K E (3) 
 
 
DREJT E SHTRËMBËR
Njëni drejt,
tjetri shtrëmbër
paraja e bën
Drejtësinë* të vërbër!              *O drejtësi! Sa padrejtësi bëhën në emrin tënd.
Për t’ia qëlluar
nuk është zor!
Ai që nuk është i drejt’
është edhe mizor!
Njëni për tjetrin
nuk duhet të janë armiq,
Mos e nevrikos mikun,
se të shndërrohet në armik!
Si nalt në odë
si të dera,
të shkruarat mbesin
fjalët i merr era!
Kur të qeshësh,
gjithkush të sheh!
Kur të qajsh,
askush s’të njeh!
PLAGËT MORALE
Plagët morale mund të dihën,
Dhëmbin shumë kah të lyhën,
Qesin gjak kah të lidhën,
therrjet n’zemër fare nuk shihën!
Duhet duruar çdo fatkeqësi,
duhet shpresuar,
se shpërblimi arrihet
vetëm me drejtësi!
Pas pikëllimit,
vjen gëzimi,
vetëm me ilaçe
nuk shërohet mjerimi!
*
K O H A
Qëndron kjo urtësi:
“Koha* të përshëndet,
ikën, shpejt kalon,
nuk pret  ta përshendesësh ti.
Tash dëgjoni
të vërtetën:
Shfrytëzoni kohën
ndaçit ta jetoni jetën!
*Tri gjër nuk kanë kthim mbrapa:
   1. Fjala e folur,
   2. Fisheku i zbrazur nga gryka e armës, dhe
   3. Koha e kaluar (humbur). Koha është gjëja më e rëndëshme për njeriun.
      Ajri për frymëmarrje na është dhuruar falas. Merreni me mend sikur
        të ishte me pagesë!!!???
*VEPRAT FLASIN
Mos të kishte jeta
çaste të pikëllimit
nuk do ua dijshim vlerën
çasteve të gëzimit.
Nuk janë të rrallët,
ata që thonë:
“VEPRAT flasin
më shumë se fjalët!”
Nuk është urti e vjetër,
por e ré,
kur nuk ké atë që do’
duaje atë që ké!
Trupi lahet e pastrohet,
kur zemra
është mirë
çdo gjë tjetër përmirësohet!
*
I lum ai që vdes i qetë e
pas vetitt lën vepra të mira!
***
PAK TË ÇUDITSHME
Ajo që ti e mendon,
të gjithëve ju takon!
Ajo që ti e ndjen,
vetëm ty të takon!
Ata që nuk dijnë
të gënjejnë
besojnë se të gjithë
të vërtetën e rrëfejnë!
E vërtetë,
po qebesa,
mos i beso derës
me shumë çelësa.
*
PËR KREJT JETËN
Para se të lutësh – BESO!
Para se të besosh  – DITURI FITO!
Para se të flashësh – DËGJO!
Para se të shkruash – MENDO!
Para se të publikosh – KORRIGJO!
Para se të harxhosh – FITO!
Para se të dorëzohesh – LUFTO!
Para se të vdesësh – JETO!
*
Tua lëmë të gjallëve – DASHURINË E PAVDEKSHME!
Tua lëmë të vdekurve – DASHURINË E PËRJETSHME!
*
LOGJIKA – GJYKIMI
Gjykimet
që për të tjetërët i ké
tregojnë në fakt
se cili jé!
Asnjë krim i pazbuluar,
asnjë kriminel i padënuar,
mbetët populli i qetësuar.
mbetet Ligji i zbatuar.
Të vërtetën mos e fsheh
më në fund del në pah
e çdo kush do ta njeh
si gjuetari që del në gjah.
Me dashuri  shpirtërore
qëndro si burrë,
femrën që e ke dashur,
mos e harro kurrë!
Trupi në gjumë
do të çlodhej,
Zemra pa shpresën
do të lodhej.

Reforma territoriale apo elektorale

0

Nail Draga, Ulqin

Diskursi politik

Reforma territoriale apo elektorale

Gjatë kësaj vere më vapë krahas protestës së qytetarëve në Tiranë në Shqipëri  kemi edhe një çështje tjetër e cila ka të bëjë organizimin administrativ  përkatësisht me Projektligjin për reformën territoriale, e cila është bërë temë dite për opinionin e gjerë, sepse parashihet që numri i bashkive nga 61 sa janë aktualisht të zvoglohët në 46, ku ka pasur reagime si nga opozita, shoqëria civile por edhe nga pjesëtarë të shumicës aktuale

Në sajë të reformës territoriale  në Shqipëri në vitin 2014 numri i njësive të qeverisjes vendore u reduktua nga 373 komuna dhe bashki në 61 bashki; u ruajtën 12 qarqet si niveli i dytë i qeverisjes vendore; ish-komunat u shndërruan në njësi administrative brenda bashkive të reja. Duhet cekur se kjo reformë ishte  rezultat i Partisë Socialiste,  për të eliminuar  numrin e lartë të komunave dhe bashkive, por të punohet përseri në këtë drejtim pas 12 viteve hap dilema së cilët janë shkaqet për një ndarje të re territoriale në nivel vendi nga e njëjta forcë politike.

Reforma si çështje partiake 

Opinioni i gjerë është informuar më herët se për  çështjet e reformës administrativo-territoriale(Reforma Territoriale 2.0), Kuvendi i Shqipërisë ka formuar komisionin përkatës i përbërë nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike me dy  bashkëkryetar, por nga mospajtimi i qendrimeve mazhoranca socialiste ka dalur  me propozimin e tyre, duke harruar se nuk kemi të bëjmë me çështje partiake, por të nivelit shtetëror.

Ndonëse nga viti 2014 nuk janë shumë vite   mazhoranca socialiste  argumenton se  harta aktuale nuk i përgjigjet më realitetit demografik dhe ekonomik të vendit. Sipas tyre analiza bazohet në pesë tregues që janë në: funksionalitetin e bashkive, performancën ekonomike, masën urbane dhe demografike, distancën nga qendra më e afërt administrative dhe kohezionin social e kulturor.

Në sajë të tyre parametrave Raporti  i prezantuar konstaton se problemi nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por me pabarazinë e madhe mes tyre. Kështu, Tirana përqendron rreth një të katërtën e popullsisë së vendit dhe afro 40 për qind të të ardhurave vendore, ndërkohë që 47 bashki gjenerojnë secila më pak se një për qind të të ardhurave. Gati gjysma e bashkive rezultojnë nën nivelin mesatar të funksionalitetit, ndërsa shumë njësi të vogla shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit për administratë dhe paga, duke lënë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.

Demagogjia e shumicës

Por, cekim me këtë rast se hartuesit e kësaj reformë territoriale   në vitin 2014, kanë  thënë se si shkak është numri i lartë i administratës në qeverisjën vendore,  ku ajo  do shkurtohet  dhe do reduktohen buxhetet dhe shpenzimet e panevojshme. Por një konstatim i tillë është demagogji, sepse nga 17 mijë punonjës në vitin 2015, sot në njësitë e qeverisjes vendore  janë  rreth  37 mijë punonjës. Madje këto njësi janë kthyer në subjekte elektorale,  ndërsa  nuk janë të paktë ata të cilët deklarohen se kjo reformë territoriale më tepër është elektorale, sepse në maj të  vitit 2027 në Shqipëri do të mbahën zgjedhjet vendore.

Qendrimi arrogant i qeverisë

Njohësit e rrethanave  në Shqipëri cekin se reforma e tillë është konceptuar në mënyrë të gabuar. Sepse njësitë e qeverisjës vendore u konceptuan  në mënyrë të gabuar si njësi vetëqeverisëse  në këndvështrimin financiar. Ato njësi që nuk gjeneronin të ardhura do të dështonin. Qeverisja qëndrore do të merrte përsipër vetëm garantimin e fondit të pagave dhe investimet në ndonjë projekt kombetar. Nga një qasje të tillë zonat pa të ardhura u braktisën. Qëndrat e ish komunave që mbanin akoma aktive disa banorë, disa shërbime sikurse arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet e tjera të karakterit bujqësor, u braktisën. Popullsia ra në mënyrë drastike. Kjo rënie dhe ky dështim u përshpjetua nga qëndrimi arrogant i qeverisjes qëndrore.

Propozohet të shkrihen 15 bashki

Si në vitin 2014, edhe tash Partia Socialiste ka dalur me propozim për të reduktuar numrin e bashkive, ku nga 61 bashki sa janë tash, ai numër do bie në 46, nga del se do të shkrihen 15 bashki, duke i bashkuar ata me bashkitë tjera që janë afër tyre.

Kështu drafti i tillë parashikon shkrirjen e Fushë-Arrëzit me Pukën; Klosin me Matin;Rrogozhinën me Kavajën; Dimalin dhe Poliçanin me Beratin; Patosit me Fierin; Divjakës me Lushnjën; Selenicës me Vlorën; Maliqit me Korçën; Këlcyrës me Përmetin; Memaliajt me Tepelenën; Libohovës me Gjirokastrën; Cërrikut  dhe Belshit me Elbasanin dhe Përrenjasit me Librazhdin.

Reagimi i qytetarëve

Ndaj këtij propozimi kanë reaguar nga opozita, shoqëria civile por edhe nga pjesëtarë të mazhorancës politike, duke refuzuar një propozim të tillë, sepse nuk është në favor të qytetarëve por të kalkulimeve politike të mazhorancës aktuale. Nga bashkitë aktuale që drejtohen nga Partia socialiste kundër këtij propozimi pakënaqësinë e tyre e kanë shprehur  duke protestuar, ndërsa e veçantë ishte  nga bashkia e Poliçanit ku qytetarët mbeshtetës së socialistëve në mënyrë publike i kanë djegur librezat e tyre partiake, dukuri e cila ka ndodhë për herë të parë në Shqipëri.

Kundër këtij propozimi janë deklaruar edhe nga bashkia e Memaliajt, Maliqit, Belshit, Përrenjasit, Selenicës etj. Bëhet me dije se protesta të tilla do të ketë ditëve në  vijim  madje duke përgatitur peticione kundër një propozimi  të tillë  drejtuar  insitucioneve shtetërore por edhe atyre ndërkombëtare(BE).

Fshatrat-  më të goditura

Të gjithë pjesëmarrësit në këto  protesta pa dallime partiake kanë  shprehur  zhgënjimin e tyre në mazhorancën aktuale sepse qytetarët e bashkive të tilla do të humbin funksionet e qytetit, sepse ata do të zhvendosën gjetiu, ndërsa procesi i shpopullimit të popullsisë do të jetë proces i pandalshëm. Në këtë aspekt me të goditur janë fshatrat të cilët pa investime në infrastrukturë  nuk mund të qendrojnë pasiv, por do të migrojnë në qendrat e ndryshme urbane,   ku përvoja e deritashme është dëshmi e një konstatimi të tillë.

Përfundim

Çështja e organizimit territorial përkatësisht të hartës së re të bashkive e cila është në procedurë nuk duhet trajtuar si çështje eskluzive partiake, në rastin konkret nga shumica parlamentare, por si çështje kombëtare sepse kemi të bëjmë e organizimin e përgjithshëm administrativ të vendit. Kemi të bëjmë me një çështje shumëdimensionale  që meriton qasje analitike, duke respektuar mendimin e qytetarëve të cilët ballafaqohen  me realitetin qeverisës në nivelin vendor  në raport me ate qendror.

Por, pasi kemi të bëjmë me çështje hapësinore-territoriale krahasimet me vendet e ndryshme evropiane  janë të nevojshme, pa marrë parasysh se organizimi territorial është çështje autonome e çdo shteti.

Nuk ka dilemë se në këtë drejtim mund të paraqiten  propozime të reja, madje edhe për ta zvogluar numrin e bashkive  por asgjë nuk duhet të jetë definitive, pa konsultuar  qytetarët në formë të diskutimit publik, sepse duhet shmangur centralizimin por duhet shkuar nga decentralizimi i pushtetit, sipas standardëve demokratike evropiane.

Edhe reagimi i këtyre ditëve  nga ana e opozitës, shoqëria civile e sidomos nga ata bashki që janë të rrezikuara sepse humbin statusin  aktual dëshmon në mënyrë transparente se propozim ligji për organizimin e ri administrativ  me tepër i gjason një reformë  elektorale se sa asaj territoriale. Megjithate duhet të presim vjeshtën kur për këtë propozimligj do të diskutohet dhe do  të vendoset me vota në parlament.

(Gusht 2026)

Gjenevë — Tempull i Paqes dhe Humanizmit

0

Gjenevë — Tempull i Paqes dhe Humanizmit

Poezi 

Gjenevë, vend i humanizmit,
mbrojtëse e të drejtave të njeriut,
strehë e të pastrehëve,
sofër e të uriturve,
shëruese e plagëve të atyre
që lindën të pafat
dhe të cilëve lirinë e tokën
ua rrëmbyen agresorët lakmitarë —
në ndihmë u dole
në orën më të ligë.

Me ta ndave gjithçka që pate.

Gjenevë,
në shtratin tënd
lindi drejtësia
dhe bamirësia.

Zoti t’i fali
bukuritë përrallore:
Lemanin
dhe fushat pjellore.

Me orët e ustave të tu,
planeti mat kohën.

Në pallatet e tua
mbahen kuvendet,
u bëhet thirrje të pashpirtëve
dhe gjakësorëve
të ndalin dhunën
e masakrat
ndaj të pafuqishmëve,
që nuk kërkojnë gjë tjetër,
veçse të jetojnë të lirë
në tokën e tyre.

Me ujin e kristaltë
të lumenjve Ron e Arv,
çdo ditë
shuan etjen e gjallesave
dhe, qetësisht, ujit livadhe e kopshte
që mahnitin
me bukurinë e tyre.

Gjenevë,
me ujëvarën që, pa pushuar, nga agimi në mbrëmje
fërfëllon ujin lart në qiell,
dhe parqet magjike që kundërmojnë erë
të këndshme trëndafilash dhe tulipanësh,
ishe dhe do të mbetesh
simbol i paqes
dhe solidaritetit.

Arif Ejupi, Gjenevë, 20 gusht 1998

Shërbimi spanjoll i inteligjencës paralajmëroi qeverinë tetë ditë para hyrjes masive në Ceuta

0

Ceuta në ditën e fronit të mbretit të Marokut.

Arnt Jensvoll / Document.no

Ka shpërthyer një debat mes Ministrisë së Brendshme të Spanjës dhe Ministrisë së Mbrojtjes për atë se kush dinte çfarë dhe reagimi i qeverisë ndaj informacionit para shkeljes masive të kufijve spanjollë më 30–31 korrik kur 70–80 mijë njerëz hynë në Ceuta.

Mosmarrëveshja mes ministrive ka krijuar aq shumë tension brenda qeverisë sa që kryeministri Pedro Sánchez thuhet se ka planifikuar takime krize me ministrat e përfshirë.

Shërbimi i inteligjencës paralajmëroi për rrezikun e një aksioni të koordinuar.

Shërbimi kombëtar spanjoll i inteligjencës, Centro Nacional de Inteligencia (CNI), kishte identifikuar tashmë më 22 korrik disa grupe WhatsApp që mobilizonin masat përpara kalimit masiv të kufirit drejt Ceuta-s. Ndër grupet ishte «Hijma Kiraj Sebta» që kërcënonte me «Ceuta ose vdekje».

Sipas CNI-së, e cituar nga mediat si La Razón dhe The European Conservative, departamenti i brendshëm ishte «paralajmëruar me kohë». Shërbimi i inteligjencës thuhet se kishte përgatitur shënime mbi rritjen e aktiviteteve në rrjetet sociale dhe riskun e një aksioni të koordinuar. Edhe inteligjenca ushtarake thuhet se ka dërguar paralajmërime, përfshirë tre ditë para shkeljes së kufirit, ku vlerësuan që një sulm masiv ishte «shumë i mundshëm» në lidhje me ditën e fronit të Marokut (Fête du Trône) që festohet më 30 korrik, një ditë që «shënon lidhjet midis familjes mbretërore dhe popullit maroken».

Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska ka mohuar disa herë se ata janë informuar. Ai thekson se përmasat e situatës nuk mund të parashikoheshin dhe pretendon se asnjë raport ose paralajmërim nuk kishte lajmëruar një aksion të këtij madhësie, ndërsa Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, e cila ka përgjegjësi për CNI, mbron shërbimin e zbulimit që këmbëngul se mbrojtja e kufirit ishte nëndimensionuar.

Shërbimi i zbulimit ka theksuar se një vendim i Gjykatës së Lartë në korrik të këtij viti ka kufizuar mundësinë e rikthimit të menjëhershëm të personave që vijnë duke notuar. Vendimi thuhet se ka krijuar një “efekt të tërheqjes” që fushata e mobilizimit e ka shfrytëzuar. Në javët para hyrjes masive, shërbimi i zbulimit raportonte një numër në rritje të atyre që notonin nga Maroku drejt Ceutës. Ata më pas kanë raportuar për autobusë që transportonin njerëz drejt qytetit kufitar Fnideq/Castillejos.

Shumica e atyre që hynë janë kthyer në Marok, por gjashtë deri në tetë mijë persona thuhet se ende janë në Ceuta – dhe banorët po protestojnë me forcë ndaj situatës në qytet.

– Një grua 29-vjeçare nga Ceuta ka shprehur para policisë kombëtare dhe kamerave sa të lodhur janë nga situata. Gruaja ka thënë: «Jam shumë e frikësuar. Nuk mund të jetosh kështu. Në dy të natës mora policinë sepse nuk ndalonin së bëri zhurmë dhe të rrihnin, është frikësuese. Realiteti është shumë më keq se ajo që tregojnë: Normalitet? Është gënjeshtër. Le të vijnë njerëzit nga kontinenti dhe të shohin vetë. Deri sa ta shohësh në rrugë, nuk kupton se çfarë është»:

Spansk etter­retning advarte regjeringen åtte dager før masse­inntreng­ningen i Ceuta