Gjenevë — Tempull i Paqes dhe Humanizmit
Poezi
Gjenevë, vend i humanizmit,
mbrojtëse e të drejtave të njeriut,
strehë e të pastrehëve,
sofër e të uriturve,
shëruese e plagëve të atyre
që lindën të pafat
dhe të cilëve lirinë e tokën
ua rrëmbyen agresorët lakmitarë —
në ndihmë u dole
në orën më të ligë.
Me ta ndave gjithçka që pate.
Gjenevë,
në shtratin tënd
lindi drejtësia
dhe bamirësia.
Zoti t’i fali
bukuritë përrallore:
Lemanin
dhe fushat pjellore.
Me orët e ustave të tu,
planeti mat kohën.
Në pallatet e tua
mbahen kuvendet,
u bëhet thirrje të pashpirtëve
dhe gjakësorëve
të ndalin dhunën
e masakrat
ndaj të pafuqishmëve,
që nuk kërkojnë gjë tjetër,
veçse të jetojnë të lirë
në tokën e tyre.
Me ujin e kristaltë
të lumenjve Ron e Arv,
çdo ditë
shuan etjen e gjallesave
dhe, qetësisht, ujit livadhe e kopshte
që mahnitin
me bukurinë e tyre.
Gjenevë,
me ujëvarën që, pa pushuar, nga agimi në mbrëmje
fërfëllon ujin lart në qiell,
dhe parqet magjike që kundërmojnë erë
të këndshme trëndafilash dhe tulipanësh,
ishe dhe do të mbetesh
simbol i paqes
dhe solidaritetit.

Arif Ejupi, Gjenevë, 20 gusht 1998


