147 vjetori i Kongresit të Berlinit, ngjarjes që e ndryshoj kahun e politikës së Europës
Këneta e besimit dhe oqeani i shkencës
Lirim Gashi, Prizren

Dr. Rugova ishte vizionar i pakontestueshëm (Pjesa II)

Shna Ndou – Shenjti i botës

Don Lush Gjergji, Prishtinë
Edhe pas shumë vitesh dhe shekujsh, Shna Ndou i Padovës është gjallë, shumë aktual, i dashur dhe i nderuar nga të gjithë, të krishterë, besimtarë dhe jo besimtarë, si Shenjt ndërkombëtar, edhe më shumë: Shenjt i botës.
Këtë e dëshmon përshpirtëria popullore, do të thoja plebiscitare, ju, prania dhe nderimi, dashuria në shumë kisha, shenjtërore, trupore, figura, altarë. Ndër ne në Kosovë në katër kisha: në Prishtinë, Gjakovë, Binçë dhe në Gllogjan.
E nëse i mbarë botës, atëherë edhe i yni, i popullit tonë Shqiptar, sidomos me shenjtëroren e tij të njohur në Shqipëri, ndër Shqiptarë, në Laç.
Fernando Bulioni, ashtu quhej Shën Ndou, lindi në Lisbonë të Portugalisëmë 15.VIII.1195, në festën e të Ngriturit të Zojës në Qiell, datë shënjuese dhe paralajmëruese se do të jetë Shenjt me përshpirtëri mariane.
Prindërit e tij ishin Martin dhe Maria Bulioni, ndërsa Ferdinandi ishte fëmija i tyre i parë. Emri i tij Fernand në gjuhën vizigote d.m.th luftëtar i paqes. Fernando u rrit praktikisht në katedrale, në prehrin e dy nënave: nënës Mari dhe Virgjërës Mari.
Urata dhe shembulli i mirë familjar, ndihmuan Fernandon të rritej në paqe dhe qetësi, në mirësi dhe dashuri. Babai i tij ishte kalorës i njohur, luftëtar I dalluar. Dëshira e tij ishte që edhe Fernando të bëhej kalorës.
Mirëpo Fernandon e tërhiqte urata, më tepër se arma, jeta luksoze, lojërat dhe ahengjet e ndryshme të kohës. Prindërit e tij ishin të shqetësuar përse dhe si Fernando i tyre nuk tregonte interesim për punët familjare dhe dëshirat e tyre.
Ferdinando – njeri në kërkim
- dëshirën e prindërve dhe të rrethit ishte kjo: që ai të vazhdonte traditën familjare: jetën e kënaqësive, zbavitjeve, begative materiale, të traditës, lavdisë dhe sukseseve familjare, ushtarake…
- dëshirën e tij ishte që të mësonte te etërit Augustinian, ku ishte shkolluar (1201-1210), të lutej, të jetonte një jetë të tërhequr dhe të përkushtuar.
- Cila ishte dëshira e Zotit? Ishte në kërkim dhe në pritje. Së pari iu bashkëngjit etërve Augustinian, dhe për tetë vite qëndroi Koimbra, kryeqyteti i atëhershëm portugez, ku edhe ishte shuguruar meshtar, pas përgatitjes solide filozofike dhe teologjike, në vitin 1220.
Ferdinando meshtar
Mendonte kështu: tashmë vullneti i Zotit është plotësuar, jam meshtar dhe rregulltar augustinian, merrem me shkrime dhe lexime, me uratë dhe meditime. Mirëpo kjo kënaqësi zgjati shumë pak kohë.
Tash i lindi një dëshirë tjetër, më e madhe, me e vështirë, më e rrezikshme: martirizimi, të vdiste për Krishtin! Thoshte: Ai ka vdekur për mua, për ne, e unë çka bëj për Të, për shëlbimin tim, të mbarë njerëzimit?
Shoqëria, edhe meshtarët i thonin: lëri këtë “ëndërrime”, ti ke flijuar për Krishtin dhe për Kishën jetën, çdo gjë, çka të nevojitet tashmë edhe martirizimi? A nuk martirizohesh çdo ditë nga pak?
Kjo dëshirë i lindi kur, nga Maroku, i sollën pesë françeskanë të cilëve myslimanët iu kishin prerë kokën, për t’i varrosur në Portugali, dhe pas varrimit madhështorë në të cilin mori pjesë edhe Don Fernando (Shna Ndou).
Ata martirë, si t’i thoshin personalisht atij: ne e kryem misionin tonë, e vulosëm fenë dhe dashurinë për Krishtin dhe Kishën e Tij me gjakun tonë, e ti çka je i gatshëm për të bërë në këtë drejtim?
Prapë një vendim i çuditshëm, nga ana njerëzore edhe absurd, por me frymëzim hyjnor: Dua t’i zëvendësoj ata për të zbutur urrejtjen ndërfetare dhe për ta dëshmuar dashurinë e dyfishtë, ndaj Jezu Krishtit dhe ndaj vrastarëve.
Për realizimin e kësaj dëshire kishte nevojë të jetë tërësisht i varfër, pa asgjë, si françeskanët, për të qenë vërtet ilirë, i “pasur” vetëm me Krishtin.
Fra Ndou – martir i dështuar
Mu për këtë ishte larguar nga rregulli Augustinian, ku kishte fituar dijen dhe përshpirtërinë, dhe iu kishte bashkuar Shën Françeskut të Asizit dhe rregullit të tij të varfër.
Së fundi, i dukej se e kishte qëlluar udhën e Zotit. Ishte i lirë, i lumtur.
Mbetej dëshira për martirizim në Maroko, ku ishin vrarë pesë françeskanët. Arriti t’i bindte eproret për këtë hap, por jo edhe Zotin. Gjatë një viti në Maroko (1220-1221) ishte i sëmurë, prandaj edhe martir i dështuar.
Më vonë shkruante kështu: Maroko, predikimi dhe martirizimi atje, nuk ishte plani i Zotit, por dëshira ime. Mu për këtë dështova.
Jeta – sfidë në vazhdimësi: Të kthehej prej Marokos në Portugali, por valët e detin e bartin në Itali, ku pati një veprimtari të bujshme si predikatar i palodhshëm (1222-1231), epror françeskan (1227-1230), rrëfyes, edukator, mrekullibërës deri në vdekje (1231).
Shna Ndou qëndroi në Padovë, si një lloj selie për atë, aq sa quhet Shna Ndou i Padovës.Aty derdhi fuqitë e fundit të jetës së vet në dobi të Kishës çdo njeriu, me synimin kryesor: SHËLBIMI I AMASHUAR.
Pas predikimeve të përditshme të kreshmëve, pendesës së rëndë, punës baritore, rrëfime, shkrim lexim, Fra Ndou ishte i lodhur, shpesh i molisur. Gjendja e tij shëndetësore keqësohej çdo ditë e më tepër. Për të pushuar pak tërhiqet tek një bujar meemrin Tiso, jo larg Padovës. Edhe pse i kishte kushtet optimale për të pushuar dhe shëruar, kjo nuk ndodhi.
Dëshira e tij e fundit tokësore: ishte e premte, më 13 qershor 1231. I tha dy vëllezërve françeskanë që ishin gjithnjë me të: Sa bukur do të ishte të vdesë sot! Dhe duke folur mbi Zojën e Bekuar, kryeveprën e dashurisë së Zotit, diku në mesditë, humbi vetëdijen. Kur u këndell pak, i shpreh dy dëshira:
Të kthehet tek Ati në qiell, por para se të shkonte atje, dëshiron të kthehet në Padovë. Kështu, edhe pse në gjendje kritike,nisen për Padovë me dy vëllezër françeskanë. Pasi që ishte i lodhur, e nuk mund as të fliste mirë,u ndalen në Arcella, në një kuvend françeskan. Pasi mori sakramentet, vdiq në këtë kuvend më 13.VI.1231 rreth orës 16,në moshën 36 vjeçare.
Varrimi i të ndjerit u bë në Padovë të martën më 17.VI.1231 në kishën e Shën Marisë, i udhëhequr nga ipeshkvi i vendit. Pas hulumtimeve të parapara për shenjtërim, jetës së tij, mrekullive të shumta, 34 të aprovuara nga autoriteti kishtar, u shpall shenjt nga Papa Gregori IX (30.V.1232).
Sot varrin e Shenjtit dhe Bazilikën e tij në Padovë e vizitojnë rreth 4 milion shtegtarë në vit.
Populli i krishterë ia ka dhënë Shna Ndout katër emërtime: postieri i Zotit, ndihma e shpejtë apo e parë, specialisti për gjëra të humbura dhe “ekonomi” i Kishës dhe i të varfërve.
Porosia për ne
Po ta pyesim sot Shna Ndoun, si arriti të gjitha këto virtyte, shkallë të larta shenjtërie, vetëm pas 36 viteve të jetës tokësore? Përtgjigja e tij do të ishte shumë e thjeshtë dhe bindëse:
Nëpërmjet uratës, pendesës dhe bamirësisë! Përcjellësja e jetës së tij ishte Virgjëra Mari, ndërsa shtylla, ushqimi, siguria, ishte Eukaristia.
Thoshte shpesh kështu: qysh tash jam tejet i lumtur, me tri katedra:
Për mësim: nëpërmjet Biblës – Kishën, për gjetjen e porosisë dhe vullnetit të Zotit;
Për predikim: nëpërmjet jetës së virtytshme dhe dëshmisë së krishterë;
Për shijim: të mëshirës, dashurisë dhe faljes – nëpërmjet rrëfimit apo pajtimit.
Shna Ndou na mëson dhe udhëzon kështu: “Feja pa dashuri s’ka dobi. Dashuria është shpirti i fesë, sepse asaj ja jep jetën. Feja dhe shpresa janë dy krihet e zogut për të fluturuar”.
Shna Ndou ishte i dashuruar në Krishtin, Kishën, çdo njeri, dhe donte Atë t’ia dëshmonte, tregonte dhe dhuronte gjithë botës. Si? Nëpërmjet fesë, shpresës dhe dashurisë, që dëshmohen me përsosmëri dhe shenjtëri.
Jeta vazhdon. Mrekullia vazhdon. Shëlbimi vazhdon!
Shna Ndou i Padovës – lutu për ne!
12 Qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Ronald Regan: “Zoti Gorbachov, shembe këtë mur”

Nga Frank Shkreli
Më 12 qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij në Berlinin Perëndimor i ka bërë thirrje, ish-udhëheqësit komunist të Bashkimit Sovjetik: “Z. Gorbaçov, shëmbe këtë mur!” Ishte kjo një kërkesë e një Presidenti amerikan që hyri në historinë botërore. Por sot, fatkeqësisht, agresioni ushtarak i Rusisë putiniste në Ukrainë na kujton në mënyrë të dhimbshme, se paqja e shpresuar asokohe duket edhe sot një mundësi e largët për Evropën dhe për botën. Po sjell në kujtesë këtë fjalim historik të ish-Presidentit Reagan nëpërmjet një shkrimi që kam botuar në qershor, 2012, por me disa përditësime për ta bërë më aktual.
Ditët e fundit në median shqiptare përflitet për një raport të Bashkimit Evropian(BE)mbi Shqipërinë – ndërsa thuhet se ky raport që pritet të botohet, zyrtarisht, brenda disa ditësh — më në fund – i thotë gjërat pa dorëza, ashtu siç janë aktualisht në Shqipëri. Ndër të tjera, raporti i BE-së paralajmëron edhe për rrezikun e ndikimeve të huaja në Shqipëri, me lloj-lloj mënyrash e ndërhyrjesh, të dukshme të padukshme. Një fenomen për të cilin, në mënyrën time modeste, jam munduar të sjell vëmendjen ndaj këtij rreziku për Shqipërinë e Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithsi, pothuaj 15-vite më parë. Fjala është për ndikimet dhe ndërhyrjet e Rusisë e të Kinës, por edhe të autoritarëve të tjerë ballkanas e botërorë. Këto ndikime të huaja kanë gjetur livadh për të kullotur dashakeqsit e interesave të Kombit shqiptar – një një hapësirë ku rreziku i brendëshëm – mos funksionimi i shtetit në përgjithësi dhe mungesa e lirive bazë dhe vlerave demokratike në veçanti, përfshirë zgjedhjet e lira — krijon vetvetiu një atmosferë të favorshme për ndërhyrje të dëmshme nga regjime absolute të huja.
ZGJOHU O SHQIPTAR!
Kujdes klyshët e Rusisë dhe ndikimet e tjera të huaja në trojet iliro-arbërore shqiptare!
Ndërsa isha duke shkruar këtë rreshta, vura se se në median shqiptare nuk u përmend fare përvjetori i fjalimit të Presidentit Reagan në Belirn më 12 qershor, 1987 – fjalim që konsiderohet si fillimi i mbarimit që çoi në shembjen e Murit të Berlinit. Përveç Ambasadës gjermane në Tiranë, as ndonjë përfaqësi tjetër dkjpomatike në Tiranë nuk e përmendi fare këtë datë e këtë fjalim.
“Tear down this wall!
Në fjalimin e tij më 12 qershor 1987 përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, Presidenti Reagan i bëri thirrje liderit sovjetik Gorbaçov të hapte portën dhe të shembte murin. Ai deklaroi: “Vetëm liria të çon në prosperitet. Liria zëvendëson urrejtjen mes popujve, me konsensus dhe paqe”.. (Ambasada e Gjermanisë në Tiranë) 12 qershor, 2025
Sa shpejt harrojmë!

Më 12 qershor, 1987 Presidenti Reagan duke mbajtur fjalimin e tij historik drejtuar banorëve të Berlinit Perëndimor, Gjermanisë dhe gjithë botës.
Kur Z. Ronald Reagan filloi nga detyra e presidentit të Shteteve të Bashkuara në janar 1981qindëra miliona njerëz nga perandoria komuniste e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Evropa Lindore, vuanin nën diktatura të ndryshme regjimesh komuniste. Regjimi komunist sovjetik kërcënonte botën me mijëra armë bërthamore dhe ndihmonte lëvizjet komuniste anë e mbanë botës, të cilat përpiqeshin që, me forcë, të vendosnin në fuqi regjime komuniste edhe në shtete të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Me 12 qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan viziton Berlinin dhe para portës Brandenburg mbajti fjalimin historik, ndoshta, sipas disa ekspertëve më i rëndësishmi i presidencës së tij, me të cilin sfidoi botën komuniste dhe udhëheqësin e atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov duke iu drejtuar me fjalët: “Zoti Gorbaçov, nëqoftëse kërkon paqë, nëqoftëse dëshiron begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëqoftëse kërkon liberalizim, eja tek kjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë. Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur.”
Presidenti Reagan, në atë fjalim, që sipas gazetës më të madhe gjermane Bild, ishte një fjalim që “ndryshoi botën”, ka shtuar gjithashtu se “Krushovi më 1950-at kishte parashikuar se do të ‘varroste’ Perëndimin. “Por”, ish-presidenti amerikan ai që ka theksuar në atë fjalim se, “në Perëndim sot ne shohim një botë të lirë e cila ka realizuar një nivel begatie dhe mirëqënjeje për popujt e vetë, e pashëmbullt në histori. Në botën komuniste, ne shohim dështime, prapambetje teknologjike, rënie të standardeve në shëndetësi, madje edhe mungesë ushqimi. Sot, Bashkimi Sovjetik gjithnjë nuk mund të ushqejë popullin e vet. Kështuqë, para botës, sot shpaloset një e vërtetë e pashmangshme dhe e pamohueshme: se liria të çon drejt begatisë, se liria zëvendëson armiqësitë e vjetra midis shteteve. Liria është triumfuesja’’, ka thënë, ndër të tjera, Presidenti Reagan, 38 vjetë më parë në Berlin.
Parë, historikisht, në të vërtetë, ky fjalim ishte në vazhdimësi të politikës së jashtme anti-komuniste të Presidentit Reagan, tonin e së cilës ai e kishte përcaktuar në një fjalim tjetër, që kishte mbajtur pesë vjet më parë në Pallatin Uestminstër të Londrës, ku kishte deklaruar para botës shpresën e tij: “Për marshimin e lirisë dhe të demokracisë”, duke thënë se bota gjëndej në një pikëkthesë historike, se komunizmi si ideologji politike dhe ekonomike, ka devijuar. Kishte dështuar, pikërisht, sepse shtypte lirinë dhe nuk respektonte të drejtat e popujve që sundonte. Fjalimi historik i Presidentit Reagan në Berlin 38 vjet më parë, nuk i drejtohej, vetëm Berlinit dhe Gjermanisë, por gjithë botës komuniste, duke venë në pyetje legjitimitetin e regjimit sovjetik dhe të gjitha regjimeve komuniste të Evropës Lindore e Qëndrore.
Nga fundi i vitit 1989, pothuaj të gjitha diktaturat komuniste në Evropën Qendrore e Lindore ishin përmbysur dhe më 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërnda dhe shumica e vendeve të reja të pavarura ish-sovjetike, filluan të marshonin drejt demokracisë. Fjalimi i Presidentit Reagan, që për kohën konsiderohej si një sfidë e guximshme dhe serioze ndaj ish-udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov –një thirrje që të provonte me vepra — se ai ishte serioz për zbatimin e politikës reformiste të “Perestrojkës’’ dhe “Gllasnost-it’’ — që predikonte në atë kohë udhëheqësi sovjetik.
Sipas shumë historianëve, ky fjalim shikohet gjithashtu edhe si një pikëkthesë në periudhën e luftës së ftohtë, sepse nxiti dhe rriti moralin dhe shpresat, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por dhe anë e mbanë Evropës Lindore dhe Qendrore, pasi, sipas tyre, kjo ishte një thirrje për t’u zgjuar dhe për të rivendosur ndërgjegjen dhe besimin në vetvete. Fjalimi, që disa e patën konsideruar si provokues për kohën, dihet tani se kishte shkaktuar mosmarrëveshje madje edhe në radhët e zyrtarëve të administratës së Presidentit Reagan, disa javë para se të mbahej në Berlin. Fjalimi ishte shkruar nga një shkrimtar në moshë të re i Shtëpisë së Bardhë i quajtur Peter Robinson. Por këshilltarët e lartë të mbrendshëm dhe diplomatë të Presidentit Reagan kundërshtonin përdorimin, pikërisht të thirrjes, tanimë të famshme: “Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur…’’. Sepse mendonin ata, një thirrje e tillë publike nga Presidenti Reagan do të dobësonte pozicionin politik të Zotit Gorbaçov, brenda në Kremlin. Por sipas ish-ndihmësit të tij, Ken Duberstinë, megjithë kundërshtimet nga këshilltarët e tij më të lartë, Zoti Reagan, më në fund, vendosi vetë që kjo thirrje të mbetej pjesë e fjalimit, ndonëse ishte shprehur se, “do të ç’mendë diplomatët e Stejt Departmentit, por megjithë këtë, unë do ta përdor’’, u kishte thënë Reagan këshilltarëve të tij të ngushtë.
Presidenti Reagan dhe para se të bëhej president i Shteteve të Bashkuara ishte shprehur se Muri i Berlinit nuk duhej të ishte ndërtuar kurrë. Si governator i Kalifornisë ai kishte mbajtur qëndrimin se telat me gjëmba që komunistët kishin vendosur fillimisht për të ndarë Berlinin perëndimor nga ai lindor, duhej të ishin hequr menjëherë. Ai kishte shprehur gjithmonë neveritjen e tij me ndërtimin e Murit të Berlinit dhe ishte i vendosur të bënte çdo gjë të mundur për ta rrëxuar atë mur megjithëse skeptikët ishin të shumtë si në Evropë ashtu edhe në Amerikë — se shëmbja e atij muri nuk mund të sillte ndonjë ndryshim të madh në Berlin ose në Evropë. Por në këtë 38-vjetor të fjalimit, mund të thuhet se të gjithë skeptikët ishin gabim dhe se Presidenti Reagan kishte të drejtë. Ish-këshilltari i Presidentit Reagan për çështje të sigurimit Kombëtar, Frank Carluçi është cituar të ketë thënë para se të mbahej fjalimi në Berlin, se thirrja që Presidenti Reagan i ka bërë ish-udhëheqësit sovjetik për të shembur Murin e Berlinit, “Është një fjali shumë e mirë, por një gjë e tillë nuk do të ndodhte kurrë.” Megjithkëte, ky fjalim sot konsiderohet si njëri ndër më të rëndësishmit në historinë e Amerikës e ndoshta edhe në historinë e botës.
38- vjetë pas fjalimit të Presidentit Reagan në Berlin, bota përballet sot me probleme të reja politike, ekonomike dhe të sigurimit. Në mungesë të udhëheqsve botërorë si Reagan dhe Gorbachov, madje, madje këto sfida, në krahasim me ato të shekullit të kaluar, mund të jenë edhe më të mëdha e më të rrezikshme dhe më të pa-parashikueshme. Për t’u ballafaquar me këto sfida, Shtetet e Bashkuara dhe bota kanë nevojë për një udhëheqës si Ronald Reagan, i cili me optimizmin dhe vendosmërinë e tij, me besimin në vlerat, aftësitë dhe fuqinë e këtij vendi, do të mund të përballen dhe të përballojnë sfidat e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kisha e Leshkës së Pollogut, ku mendohet se janë kurorëzuar prindërit e Gjergj Kastriotit
Gonxhe Bojaxhiu, Shkup
“Ndërkohë që procesi i verifikimit të plotë të vërtetësisë është ende në zhvillim, bazuar në të dhënat dhe burimet që kemi deri më tani, ne besojmë se kjo është kisha ku janë kurorëzuar prindërit e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Kjo kishë ndodhet në fushën e Pollogut, një rajon me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e hershme të familjes Kastrioti.”

Edhe pse ishe erudit e atdhetar i kulluar, pafajshëm të goditi kometa ogurzezë

Nga: Arif Ejupi
Ymer Adem Llugaliu, ai djali njëzetvjeçar që i hipi krahut të ëndrrës dhe fluturoi në Krujën e Kryeheroit të Arbanisë, duke pandehur parajsën, befas ra në kthetrat e djajve të kuq, ku edhe vetë Dante do t’ia kishte zili ferrin nëpër të cilin kishte kaluar.
Edhe pse i zhytur deri në fyt në llucën e galerive të thella dhe të errëta të Spaçit, e më pas në rrëshirën katran të Ballshit, dashurinë e akumuluar në thellësitë e zemrës për Budin, Bogdanin, Bardhin, Fishtën e veçanërisht Migjenin, e ruajti pa e dridhur qerpikun nga gardianët trushpërlarë e pansllavistë.
Kur ngadhënjeu demokracia mbi diktaturën dhe shqiptarët u çliruan nga thundra e Faraonit, fuqishëm brohoriti:
“Rroftë Shqipnia natyrale!
Vdekje pushtuesve dhe tradhtarëve!”
Sytë i shkëlqyen!
Fytyra i shndriti porsi rrezet e diellit në agim!
Kraharori iu mbush me forcë dhe vullnet rinor!
Hapi iu shpengua!
Pas tridhjetë e katër vjetësh u kthye në Llap, ngjashëm me Ago Ymerin e baladave tona, ku rininë njomështake e pati lënë të ndryme. I madh e i vogël i bënë pritje madhështore.
Kur, Kosovës deshi me ia përkëdhelë shtatin dhe me i thur vargje trimërie, njëthundrakët shumadianë, me pranga në duar, e dëbuan përtej Bjeshkëve të Nemuna, ku pati hequr të zitë e ullirit.
Mirëpo, çdoherë i këndellur dhe i gatshëm me u flijua për Dardaninë dhe Flamurin me Shqiponjën dykrenore të ngritur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, me tërë qenien u dha pas Rilindjes Demokratike.
Edhe pse e shigjetuan nga të gjitha anët paranojakët diktatorialo-proletarë, asnjëherë nuk u gjunjëzua e as nuk u zhgënjye me vetveten.
Ymer Adem Llugaliu, identik me Sokratin e vuajtur, nuk u nënshtrua, as nuk kërkoi lëmoshë nga “Derri i kënaqur“ gjirokastrit, vëlla ideologjik i kuco-sllavëve Stalin e Popoviq.
Vdiq në moshën 86-vjeçare në Besianën e tij të dashur, në mbrëmjen e 13 qershorit të vitit 2022, me fjalën në gojë:
“Mirditë, hallall mundi dhe djersa ime, se edhe Ti, së bashku me mua, ishe e persekutuar dhe e burgosur!”
Me shpirt dhe dashuri të papërshkruar kontribuoi në arsimimin e shqiptarëve, andej dhe këndej Atdheut të ndarë në dysh.
Andaj, përherë do të kujtohet si mësues i kombit, me lapsin pushkë dhe fjalën shpatë!
Gjenevë, 13 qershor 2025
Mbahet takimi i parë i Bordit të Përbashkët të Mitrovicës
Mitrovicë e veriut, 12 qershor 2025
Në objektin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Mitrovicë të veriut sot u mbajt takimi i parë i Bordit të Përbashkët të Mitrovicës me përfaqësues dhe anëtarë nga Komuna e Mitrovicës së jugut dhe Komuna e Mitrovicës së veriut.
![]()
Në këtë takim të parë, i cili u kryesua nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njëherësh përfaqësues i kryeministrit, i pranishëm ishte edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri tha se është kënaqësi dhe nder për të që jetë aty me rastin e formalizimit të një të detyre të rëndësishme siç është Bordi i Përbashkët. Ai falënderoi Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza dhe Kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq për propozimet e tyre për anëtarë të këtij Bordi. Anëtarët, kryeministri Kurti i uroi për detyrën e re dhe u dëshiroi shumë suksese dhe punë të mbara e të mira, teksa u zotua për mbështetje të plotë përballë sfidave që mund të kenë.
Bordi i Përbashkët Funksional ka një rëndësi të veçantë për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy komunave. Ai parashihet në Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave.
![]()
Përmes bashkërendimit në fusha kyçe si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet komunale, ky Bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe ndërtimin e besimit reciprok.
![]()
Me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe nën kryesimin e përfaqësuesit të Kryeministrit, ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim.
![]()
Kur vota kthehet në mashtrim: Kosova mes shpresës dhe tekeve politike
![]()
Nga: Arif Ejupi
Pakkush do të kishte besuar se Republika e Kosovës ,do të mbetet kaq gjatë pa Kuvend dhe Qeveri.
Krahasuar me vitet e kaluara, këtë herë kushtet për të krijuar këto dy institucione jetike të shtetit ishin mjaft të favorshme. Me mirëkuptim dhe gatishmëri, që në muajin mars do të duhej të kishim institucione funksionale.
Moskonstituimi i tyre mbetet papërgjegjësi politike dhe tradhti ndaj votuesve të Republikës së Kosovës, përfshirë mërgatën tonë kudo në botë. Gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët për deputetë u paraqitën si engjëj dhe ëngjëllesha.
Vizituan edhe ata që edhe Zoti i kishte harruar. Folën ëmbël. Dhanë premtime. Garantuan parajsën. Por, sapo siguruan mandatet, shumica prej tyre u shndërruan në lakmitarë pushteti. Interesi personal dhe ai partiak u vendosën mbi gjithçka tjetër. Nuk është thënë kot: “Kur nuk ka harmoni dhe dinjitet në shprehje, vijnë të pamerituarit dhe hipokritët.”
Mosmarrëveshjet e tri partive kryesore po shfrytëzohen në mënyrë të paskrupullt nga disa parti të vogla që mezi e kaluan pragun zgjedhor.
Kjo indiferencë totale ka bërë që në këtë lojë të paskrupullt të përfshihen edhe përfaqësues të komuniteteve.
Madje, ata po luajnë një lojë të shëmtuar e me kushtëzime aq të ndyta, sa të vije për të vjellë. E gjitha kjo po ndodh për shkak të servilizmit dhe pengesave të partive të mëdha dhe liderëve të tyre.
Ai që të ka tradhtuar një herë, apo dy herë, do të tradhtojë gjithmonë. Shpresojmë që në të ardhmen, votuesi do të jetë syçelë dhe i kujdesshëm për cilin voton dhe kujt i jep besimin.
Deputetët tanë të papërgjegjshëm që shohin vetëm xhepat e tyre dhe interesat e klaneve në të ardhmen duhet t’i ndëshkojmë nëpërmjet votës. Kjo e vetmja mundësi jona.
Teket e tyre të çuditshme dhe të paarsyeshme tash pesë muaj po i paguajnë qytetarët e pafajshëm të Republikës së Kosovës.
Fjalimi i Don Lush Gjergjit, biografit të nobelistes Nënë Tereza, dje, në Ferizaj
Nga: Don Lush GJERGJI
Të dashur pjesëmarrës, miq, vëllezër dhe motra,
Kjo mbledhje përkujtimore e dëshmorëve dhe martirëve tanë të vegjël, shtron disa pyetje për ne, si dhe për mbarë njerëzimin.
Për ne: kush jemi, prandaj, identiteti ynë njerëzor, familjar, shoqëror, kulturor, gjithë njerëzor, gjeneza dhe rrënjët tona, me ftesë dhe klithmë: T’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës si ilirë, arbërorë dhe tani shqiptarë, për t’i lidhur hallkat historike dhe aktuale, sepse pa histori nuk ka as ardhmëri.
Fëmijët tanë, të vrarë, të djegur, të zhdukur dhe të masakruar, janë dëshmorë, pa fjalë, fëmijë të pafajshëm dhe të pambrojtur, të martirizuar, çka ne ndoshta sot na duket e pamundshme, bile edhe e tepërt, e padobishme, por mos të harrojmë një gjë, që ata kishin vetëm një “faj”, si ishin të gjallë në një kohë pa “kohë”, mbi të gjitha ishin e tashmja dhe e ardhmja jonë, sidomos ishin shqiptarë, në synim të jetës, që nuk e kanë jetuar; të lirisë, që nuk e kanë njohur dhe shijuar, të dashurisë dhe të jetës, për të cilin kishin lindur dhe ishin në lulëzimin e fëmijërisë.
Prandaj historia e tyre është e shkruar me gjakun e tyre të pafajshëm dhe me dashurinë familjare, që gjithnjë qorton, bërtet, thërret, kërkon zgjidhje që deri me sot nuk erdhi, ndërsa ne shpesh jemi kronistë të pashpirt, flasim me numra, ndërsa jeta e tyre, pra, ata janë dhe duhet të jenë pjesë, gjymtyrë e jona.
Këtu duhet cekur që trupi i njeriut përbëhet prej shumë gjymtyrëve, ashtu edhe Populli dhe Shteti. Sa ne jemi të vetëdijshëm që tjetri – tjerët janë për mua, për ty, për ne, pjesë e jona, vëlla apo motër, birë apo bijë e jona? Pa ndjenjën e përkatësisë së përbashkët, jemi një si në të mira, ashtu edhe në vështira, nuk ka bashkim, bashkësi, Shtet, Popull.
Çmimi i lirë sonë është gjaku, flijimi, martirizimi, mbi të gjitha e mira, e vërteta, e drejta, jeta, dashuria, të cilat ende presim ndonjë kohë apo rrethanë më të mirë për t’u zbatuar dhe realizuar.
Çka duam sot dhe nesër, gjithnjë: dihet që duam një familje të shëndoshe dhe të gjallë, mbi të gjitha duam t’i realizojmë ëndërrtat tona për një Popull dhe Shtet i lirë dhe demokratik, sa më të mirë, njerëzor, ku vlerat dhe virtytet tona të lashta dhe aktuale do të zbatohen. A e arrijmë ne këtë, ose së paku a jemi në rrugë dhe drejtim të mirë për ta arritur këtë? Gjaku i tyre i pafajshëm pret dhe thërret për drejtësi, mbi të gjitha një vëllazëri gjithshqiptare,
Si duket na ka robëruar lakmia, materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, aq sa nuk po njohim më as vetveten, e jo më tjetrin si vëlla – motër, sidomos ata që kanë pësuar dhe janë flijuar për ne, për të tashmen dhe të ardhmen sa më të mirë. Çka ka ndodhur me ne në histori, e dimë deri diku, ndoshta edhe nuk duam më ta dimë. Çka po ndodh me ne sot, është pyetja jetësore dhe qenësore.
Pyetja e tretë do të ishte kjo: si duam të realizojmë atë çka duam? Nëpër koka, shpina, “shkallë” njerëzore, duke anashkaluar, shkelur, keqtrajtuar dhe mënjanuar njëri – tjetrin, në stilin e “qeve” që e mbysin njëri – tjetrin për eshtra dhe kalbësira, duke e objetivizuar apo vegëlsuar subjektin, njërin, njëri tjetrin, vetëm e vetë që unë të kam, të jam, të pasurohem, të jam i suksesshëm, i famshëm, me emër….
Po i them vetvetes, ty, neve: sot mungojnë idetë, edhe më shumë idealet e flijimit, dhurimit, shërbimit, mbi të gjitha mungon e Vërteta, Jeta, Gëzimi, Lumturia, me një fjalë mungon Dashuria dhe vëllazëria.
Dikush e vrau jetën e pafajshme dhe të pambrojtur, duke menduar dhe shpresuar që kështu do ta vrasë të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ne sot po e vrasim vetveten, njëri – tjetrin, me mospërfillje të historisë sonë të lashtë dhe të afërt. Ky, mendoj unë, është rreziku ynë dhe sfida mes jetës dhe vdekjes, të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.
“Pa Dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim. Vetëm Dashura do ta shpëtojë botën. Veprat e dashurisë janë vepra të Paqes”, na porosit dhe frymëzon Shën Nëna jonë Tereze.
Veprimtaria dhe botime e dr. Nusret Pllanës e mbajnë ende të gjallë kujtimin e historisë sonë, sidomos pësimet e fëmijëve të pafajshëm: 1432, që dhanë jetën e tyre për të sotmen – lirinë tonë, shpresoj edhe për të ardhmen më të mirë dhe më njerëzore.
Ferizaj, Biblioteka e Qytetit, 11 qershor 2025





