



Lufta e Çanakalasë ose beteja e Gallipolit u zhvillua nga 25 prill 1915 deri më 9 janar 1916 në Turqi. Kjo ishte një nga betejat më të madhe në luftën e parë botërore.

Nga: Fatmir Bajraj
Kujtesë historike dhe nacionale
Çanakalaja, është plagë e jona që kullon lot e gjak në mbi një shekull, dhe e tillë do mbetët deri sa t’ketë jetë mbi tokë. Vullnetarët shqiptarë në betejën e Çanakalasë luftuan për Fe, pra për Fe-në e “dhuruar” nga pushtuesi shumëshekullor, Perandoria Osmane, duke braktisur e kthye shpinën atdheut të tyre n’Gadishullin Ilirik, i cili po digjej flakë nga hordhitë serbo-sllavo-ortodokese.
Shqiptarët e mobilizuar me dhunë, u derguan në Çanakala drejt vdekjës, në mbrojtje të inegritetit të një perandorie e cila i kishte sunduar e shtypur për 500 vjet, duke u’a tjetërsuar Fe & Atdhe, madje edhe identitetin nacional deri n’palcë.
Shqiptarët n’këtë betejë t’përgjakshme ishin mish për top, ishin në një luftë e cila shqiptarëve të rënë në këtë arenë nuk u takonte të derdhnin gjakun rrëke, lënë gjymtyrët dhe jetërat e tyre për dhe të huaj, dhe pse jo edhe për armikun shumë shekullor, Perandorinë Osmane.
Sikur këta luftetarë shqiptarë, të t’gjitha viseve dhe trojeve tona etnike, të ishin organizuar në mbrojtje të Atdheut amë (Vilajetet shqiptare), nga luftërat ballkanike dhe lufta e parë botërore, s’do dilnim t’sakatosur dhe t’coptuar pikë e pesë nga armiqtë serbo-sllav, nga të cilët, edhe sot e kësaj dite, për pasojë vuajmë ; ndarjët dhe copëtimin edhe atë jo pa fajin e Perandorisë Osmane Perandoria Osmane, nuk meritoj gjakun tonë të derdhur në atë betejë, ngase jemi t’vetmin që i sherbyem e ajo n’a shiti lirë…!
Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët, të cilët janë mbi 7 milionë në Turqinë e sotme, nuk gëzojnë as të drejtat elementare, e t’mos flasim për ato kultorore & kombëtare ! Sot, Diktatorin Erdogan nuk përmend kontributin e shqiptarëve në atë betejë, madje as gjakun e derdhur të shqiptarëve në themelet e shtetit të Turqisë moderne të Kemal Ataturkut. I mallkoftë gjaku i shqiptarëve të rënë në Betejën e Çanakalasë, ata të cilët mohuan e nëpërkëmbën fatet tona ndër shekuj… !

Nga kjo betejë do duhej t’nxirrnim mësimin ; T’mos vdesim kurr për Fe & Atdhe të huaj, e lere më pë armikun, por për vete dhe tonin Atdhe.
Ngase vetëm aty dhe atëherë, rënja është sublime, është përjetësim, dhe të rënët janë deshmorë !



Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“ fton të gjithë shqiptarët që më 15 janar 2024 duke filluar nga ora 19:30, të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.
Të përkujtojmë se viti 2024 shënon një çerek shekulli i gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin e kanë zbatuar forcat serbe gjatë luftës së fundit.
Siç kemi bërë thirrje edhe më herët, shfrytëzojmë rastin që edhe njëherë të ftojmë institucionet qendrore e lokale të Kosovës, partitë politike, organizatat joqeveritare e të gjithë qytetarët, që këtë çerekshekull të gjenocidit mbi popullin tonë ta shënojmë në mënyrë sa më të dinjitetshme, duke treguar përgjegjësi të lartë shtetërore e qytetare.
Më 15 janar, pikërisht në ditën që Kuvendi i Kosovës e ka caktuar si ditën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, në sheshin „Skënderbeu“ në Prishtinë, aktivistët e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë eHapur” do të bëjnë ndezjen e qirinjve. Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet.
Qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave të tyre.
Organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë kufijve të Kosovës është i mirëseardhur, andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2024 nga ora 19:30.
Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre.
Po ashtu, ftojmë të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Ftojmë gjithashtu organizatat joqeveritare, veçanërisht ato që në fokus të aktivitetit të tyre e kanë çështjen e viktimave të luftës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet përkujtimi.
Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit!
Me respekt për të gjitha viktimat e gjenocidit në Kosovë dhe për familjarët e tyre.
Gjenevë, 9 janar 2024
Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Shkruan: Luan Dibrani
Dje me daten17.03.2024 në ora 14:00 në adresën Liederhalle (Silcher Saal), Berliner PL, 70174 në Shtuttgart, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, zhvillojë një bashkëbisedim me mërgatën në Gjermani.
Takimit i paraprinë këto pika të rendit të ditës ishin situata aktuale në Kosovë, regjistrimi i mërgatës, mësimi plotësues në gjuhën shqipe, votimi në Ambasada dhe Konsullata, rikthimi i nënshtetësisë së Republikës së Kosovës dhe tema të tjera te lira qe u debatuan nga pjesëmarrësit.
Mirëpo mos ta harrojmë ta përmendim aktivitetin dhe e radhës se këtij organizimi ishte nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Stuttgart, me kërkesën e veprimtarëve të Shoqatave, klubeve dhe shoqërive të Republikës së Baden-Württenberg-ut të Gjermanisë.
Nga Kosova kishin ardhur pos Zëvendës-kryeministreshës, njëherësh edhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zonja Donika Gërvalla-Schwarz, pjesëmarrës të këtij delegacioni ishin edhe Këshilltari i zonjës Donika Gërvalla ,Prof.Dr. Rexhep Gjergji dhe, Zonja Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Deputete e Parlamentit të Kosovës.

Kryekonsulli Z.Hamdi Bërbatovci, e hapi tubimin duke i përshëndetur të pranishmit nga e cila propozoj edhe me një minutë heshtje të përcillet himni i Kosovës dhe të rënët për liri!
Më pas folën, Zonja Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Prof.Dr. Rexhep Gjergji dhe Zonja Donika Gërvalla. Zoti Hamdi Berbatovci beri edhe një përshkrim te gjendjes aktuale te Mërgatës sonë ne raport me Kosovën dhe interesat tona shoqërore.
Stafi drejtues i Konsullatës, Konulli Z. Gramoz S. Berisha , Konsullja Zonja Nurije Lule Gajtani dhe, Zonja Hanife Statovci ,Sekretareshë i dhanë takimin një përshtypje të mirë dhe mbresëlënëse shumë e domosdoshme për Mërgatën tonë shqiptare. Ata publikuan të arriturat e Kosovës dhe dashurinë e Mërgatës ndaj atdheut me një kronologjie të shkurtër përmes një video rekorderi.

Pastaj zonja Donika Gërvalla theksoj se “Mërgata jonë është pjesë e barabartë e shoqërisë, atyre iu obligohemi që t’i trajtojmë me kujdes dhe nga ta të marrim mendimet, propozimet dhe idetë si e shohin ata zhvillimin e Republikës sonë”.

Pamje e zëvendëskryeministres dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla me Luan-Asllan Dibranin dhe Xhafer Lecin.
Pas fjalës se te lartpërmendurve u shtruan shumë pyetje të ndryshme nga veprimtarët e Mërgatës, të cilave ju përgjigj zonja Donika Gërvalla, por edhe duke i dhënë një shpjegim të gjerë edhe gjendjes aktuale politike në shkalle ndërkombëtare.
Zonja Gërvalla me këtë tubim na rikujtoj tubimet qe “Mërgata jonë” bëri shume vite aktivitete për tre pishtarët e lirisë së Kosovës dhe të trojeve tona etnike n’ish Jogosllavi, babait të Donika Gërvallesh, Jusufit, xhaxhait, Bardhosh Gërvalla dhe luftëtarit të pa ndashëm Kadri Zeka qe u vranë nga dora gjakatare e udbës jugosllave.
Sot Mërgata e Kosovës ka ndryshuar shumë ne avancimin dhe zhvillimin e saj si në arsim ,kulturë dhe afarizëm ,prandaj gjithmonë ne duhet qe t‘ja shtojmë vlerat e saj dhe të mbetet promotor për Kosovën ashtu siç ishte gjatë luftës, por edhe tash pas luftës le te mbetet promotor i zhvillimit dhe financimit të saj në Kosovë duke u mbështetur se kjo qeveri është duke e bërë maksimumin e sigurisë.
Ata po i sjellin ligj dhe rregull përmes luftës kundër parregullsive dhe korrupsionit qe ishte ne ish qeveritë e Kosovës. Para tredhjet vitesh u numëronin ne gishtërinjtë e dorës ,ato pak firma apo ndonjë qe kishte ndonjë banesë, apo shtëpi në emrin e vet,sot është e kundërta qe në shtetet e Evropës mund ti numrash ne gishtërinjtë e dorës ata shqiptarë qe nuk kanë krijuar kapital ,banese, shtëpi apo biznese afariste. E njëjta gjë është edhe në SHBA, prandaj Qeveria e tanishme dhe ato qe vijnë me pas duhet te bashkëpunojnë më shumë me Mërgatën tonë shumë të fuqishme për interesat tona kombëtare qe Kombi i ynë tani gjendet në një faze tranzitore drejt Evropës dhe ndryshimeve te pozicioneve te veta strategjike edhe ne arenën ndërkombëtare. Ketë ma së miri e pasqyron vendosja e Bazave amerikane dhe te NATO-s në Shqipëri dhe bazave amerikane ne Bonstill te Kosovës. Prandaj ftojmë qe këso tubimesh te mbahen ne te gjitha shtetet e Botës siç veproj zonja Donika Gërvalla.
Prishtinë, 17 mars 2024Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës vizitoi për ngushëllime familjen e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, Bajram Sefaj, i cili u nda nga jeta të martën e 12 marsit.
Duke shprehur ngushëllimet e tij, kryeministri Kurti, tha se z. Sefaj do të kujtohet përherë për punën e tij fisnike si gazetar dhe për krijimtarinë e tij të pasur letrare dhe publicistike.
“Një jetë e plotë që ia ka vlejtur fort. Për veten e tij dhe për neve që e njohëm, i lexuam e do t’i lexojmë përsiatjet dhe përvojat e tij të kthyera në libra për të tjerët. Me mall e nderime për Bajram Sefajn”, shkroi kryeministri Kurti, në librin e ngushëllimeve.

Shkrimtare udhëtimesh, përkthyese, aktive në Lëvizjen e Gruas Katolike, studiuese e Shqipërisë, lindi në mars të 1882-it në Mynih dhe vdiq në 22 shkurt 1956 në Mynih. Freiin Amelie ishte fëmija më i madh i Bernhard Karl Gottfried Freiherr Godin-it dhe e bashkëshortes së tij Juli Freiin Eichthal-it. Amelia u rrit në mënyrë strikte dhe merrte mësime private sipas traditës së familjes, ndërkohë që ndiqte mësimet fetare në shkollë publike. Për përsosjen e formimit të saj prindërit e dërguan në shkollën e manastirit të motrave “Sacre Coer” në Riedenburg ku duhet të përgatitej “për zonjë shtëpie”: përvetësimin e drejtimit të shtëpisë, në planin mësimor kishte edhe përvetësimin e manierave të sjelljes, gjuhëve të huaja (frëngjisht, anglisht) si edhe muzikë (violinë dhe pianio). Ajo ishte frymëzuar veçanërisht nga përshkrimet e udhëtimit dhe ekspeditat e princeshës Therese von Bayern. Pas përfundmit të shkollimit të zakonshëm të “Höhere Töchter” aristokratja donte të jepte provimin e pjekurisë dhe të shkonte në Zyrih, meqenëse atje gratë lejoheshin të ndiqnin studimet në të gjitha fakultetet qysh në vitin 1875. Megjithatë prindërit ishin kundër kësaj. Si ngushëllim i vetëm për Godinin mbeti aktivizimi i saj prej shkrimtareje, si bashkëpunëtore e “Kölnischen Volkszeitung” dhe e “Täglichen Rundschau” në vitin 1902. Në vitet 1905/1906 atë e kaploi mërzia dhe për të shmangur këtë gjë prindërit e dërguan bashkë me vëllain më të vogël për një udhëtim të gjatë drejt Athinës, Stambollit dhe Palestinës. Gjatë këtij udhëtimi për në Stamboll rastësisht ajo takon në anije një shqiptar fisnik, i cili e frymëzoi për vendin e tij dhe e ftoi Freiin që të vizitonte Shqipërinë. Godini e përmbushi ftesën në verë të 1908-ës. Ajo njohu shumë patriotë shqiptarë ndër to Eqerem Bej Vlorën me të cilin lidhi një miqësi të gjatë. Pas qëndrimit në Shqipëri asaj i kishte pëlqyer kaq shumë vendi saqë qysh nga ai çast ajo e konsideroi si atdheun e saj të dytë dhe gjysmën e vitit jetonte në shtetin e Ballkanit. Atë nuk e lidhi me Shqipërinë vetëm dashuria për Eqerem Bej Vlorën (i cili rridhte prej njërës nga familjet më fisnike të Shqipërisë së Jugut), me të cilin nuk mund të martohej për arsye fetare (ai ishte mysliman). Gjatë vizitës së parë në Shqipëri ajo u takua edhe me udhëheqësin e ri të rebelëve të Shqipërisë së ugut, me Çerçiz Topullin dhe me poetin e nacionalistin Mihal Grameno.

Marie-Amelie Freiin von Godin – Der Kanun
Në korrik të 1914-ës punon si sanitare në spitalin ushtarak të Durrësit. Përshtypjet e udhëtimit të saj dhe përvojat kulturore ajo i publikon në gazeta dhe revista të ndryshme ose në publikime të veçanta. Një arritje e rëndësishme shkencore-historike ishte përkthimi në gjermanisht, në bashkëpunim të ngushtë me mikun e saj që jetonte në mërgim Eqerem Bej Vlorën, i Të Drejtës Zakonore Shqiptare: “Kanuni i Lek Dukagjinit”. Këtu bëhet fjalë për “tërësinë e rregullave ligjore që vlenin në zonën e ngulmimit të popullit shqiptar, sigurisht që në periudhën pararomake. E drejta zakonore shqiptare përcaktonte jetën e popullit shqiptar, veçanërisht të zonave fshatare, pjesërisht deri në vitin 1939. Për përkthimin e veprës shqiptare Godini udhëtoi në prill të 1930-ës në Shkodër. Atje ajo qëndroi për shumë javë në Urdhërin Françeskan. Krahas kësaj Godini punoi më shumë se dy dekada për fjalorin e parë të gjuhës shqipe dhe gjermane dhe botoi disa romane me tematikë shqiptare.
Për shkak të jetës shumë jokonvencionale që bënte, ajo në Mynih ishte një “moderniste ekzotike” e njohur. Godini ishte në kontakt me personalitete të rëndësishme të politikës, kulturës dhe aristokracisë. Salloni i saj në Mynih ishte qendër për të gjitha synimet katolike, letrare, shkencore dhe kulturore. Ajo kishte mikeshë Ellen Ammann bashkë me të cilën themeluan “Lidhjen e Grave Katolike Gjermane”. Brenda kësaj Lidhjeje ajo përkrahu “arsimin shkencor” të vajzave dhe grave të “shtresave të ulëta dhe të larta”.
Që nga viti 1943, kur shqiptarët ngritën krye ndaj pushtimit gjerman, u rëndua në mënyrë të dukshme gjendja për Godinin. Ajo u dyshua për përkrahje të “Lëvizjes Nacional – Çlirimtare Shqiptare”. Si rrjedhojë u ndalua aktiviteti i saj publicistik, si dhe librat e shkrimet e saj me tematikë shqiptare.
Si eksperte për Ballkanin Godini ishte një bashkëpunëtore e vlefshme e Lidhjes së Grave. Deri në vdekje ajo u përpoq për të përkrahur e ndihmuar familjet shqiptare, si nga ana financiare ashtu edhe në mbrojtjen e të drejtave në zyra.
Pas një sëmundjeje të rëndë ajo vdiq në moshën 76-vjeçare në Mynih. Në varrimin e saj krahas personaliteteve të shquara të Lidhjes së Grave Katolike morën pjesë edhe shqiptarë të cilët qanë dhe thanë: “Sot ka vdekur nëna e Shqipërisë”.
Veprat:
“Nga vendi i skllavërisë. Novela shqiptare”, Vjenë 1913; “Nga Shqiprëia e re. Skica politike dhe kulturore-historike”, Vjenë 1914; “Vëllai ynë Kain”, Berlin 1919; “Çlirimi. Roman nga Shqipëria moderne”, Regensburg 1920; “Besa e Jakup Sharës. Tregime shqiptare”, Jenë 1921; “Fjalori i gjuhës shqipe dhe gjermane”, Pjesa I., Lajpcig 1930; “Ellen Ammann. Një jetëshkrim”, Mynih 1933 dhe shumë shkrime të tjera publicistike të botuara nëpër revista e gazeta lidhur me çështjen shqiptare dhe me aktivizimin e saj në “Lidhjen e Grave Katolike”.
Nën sundimin e jataganit dhe të Gjysmëhënës turke
Gjatë luftës heroike që Shqipëria e vogël bëri nën udhëheqjen e princit të saj të patrembur, Skënderbeut, kundër turqve që kishin depërtuar në Europë, ipeshkvit dhe fretërit françeskanë e kanë mbështetur në mënyrën më të vendosur princin dhe bëmat e tij heroike, kështu që Shqipëria, e shoqëruar gjatë më shumë se tridhjetë vjetësh nga bekimet e nxehta të Papës dhe tërë krishtërimit, u shndërrua në një bastion të Europës.
Në kishën e stërlashtë të Vaut të Dejës në Shkodër, atje, ku Drini zbret me tërbim nga malet dhe derdhet në fushën pjellore, pikturat murale gotike tregojnë Skënderbeun duke marrë shpatën nga duart e Virgjëreshës qiellore. Ai ishte vërtetë luftëtari i Maries dhe fitorja e tij, disfatat e tij vendosnin për fatin e të krishterëve!
Kjo luftë kaq e gjatë fitimtare e Shqipërisë katolike – qëndresë e shenjët e një grushti të vogël luftëtarësh të krahasuar me ushtritë e sulltanit – ka qenë kryesisht e mundur vetëm falë përkushtimit deri në vdekje ndaj besimit të tyre i tërë populli shqiptar, udhëheqësit heroik dhe të gjithë priftërinjtë shqiptarë! Në atë kohë Shqipëria ka merituar falënderimin e përjetshëm të krishtërimit, por që iu dha asaj aq pak. Në dhjetëvjeçarin midis vitit 1435 dhe 1475 vrulli i parë i dëshirës së turqve për të pushtuar Shqipërinë theu dhëmbët, atëherë kur, duke manovruar me shkathtësi midis një trekëmbëshi shkëmbor, ushtria e vogël e heronjve të Skënderbeut mundi të fitojë disa herë rresht kundër ushtrisë së Sulltanit. Të kishte mundur turku ta shpartallonte Shqipërinë, dhe përsa kohë që hordhitë e tij ishin të kapulluara ashtu nga dehja e parë e fitores, me siguri që Vjena dhe bashkë me të ndoshta edhe Europa e mbetur, do të kishin rënë në duart e tyre. Ndërsa kur Skënderbeu vdiq në vitin 1475 dhe pas vdekjes së tij shqiptarët e rraskapitur u lëkundën, edhe turku e kishte humbur ndërkaq forcën e tij goditëse. Por vetë Shqipërinë natyrisht që ai e nënshtroi nga cepi jugor deri në cepin verior.
Menjëherë pas fitores turke kleri shekullar dhe ai i Urdhrave e braktisën Shqipërinë; mizoria e hordhive të Profetit është shumë e njohur. Vetëm dishepujt e shën Françeskut qëndruan në vend. Gjatë katër shekujsh ata mbajtën barrën e llahtarshme të përndjekjeve të vazhdueshme e të përgjakshme. por aty ku disa vdisnin si martirë, të tjerët e merrnin menjëherë e pa u trembur kryqin nga dora që po shuhej.
Pjesa më e madhe e kuvendeve të françeskanëve u bë tym e flakë dhe kështu françeskanët e fushës dhe të viseve kodrinore u detyruan tu ngjiten maleve. Në Kosovë deri në vitin 1865 ata nuk mund të mbanin as veshjen e tyre të dashur. Atyre u duhej të shikonin me shumë dhimbje se si pjesë të grigjës së tyre, të cilës radhët e rralluara të fretërve nuk mund t’i jepnin asnjë ndihmë, binin në prehrin e Islamit. Megjithatë në Sebaste, Kepin e Rodonit, Lezhë, Rubik dhe Troshan, ndonëse fare të thjeshtë dhe shumë herë edhe të fshehtë, ata mundën ta ruanin shërbesën baritore. Në malësitë e Dukagjinit ata jetonin nëpër shpella.
Aty ku luginat e gjera të lumenjve mundësonin depërtimin e turqve në male, gjendja e kishës dhe e grigjës së saj ishte e pashpresë. Pothuajse që në shekullin e 17-të e tërë Shqipëria, deri në veri dhe në verilindje, duket se ishte bërë fushë e përndjekjeve të tmerrshme kundër priftërinjve katolikë. Braktisja e besimit nga ana e popullsisë së pafat, edhe aty ku, duke përballur shtypjen, ajo i kishte mbetur besnike deri atëherë, ishte tashmë një çështje kohe. Kur banorët e dëshpëruar nga jugu i vendit, si p.sh. nga zonat malore të mrekullueshme në jug të Vlorës, të cilëve për njëqind vjet u ishte dashur të hiqnin dorë nga përkujdesja baritore, i kërkuan ndihmë si Romës ashtu edhe françeskanëve shqiptarë në veri të vendit. Por Papa nuk mundi t’i ndihmonte, sepse në ato kohë kur zelli besimtar ishte zvogëluar, ai nuk kishte priftërinj të tillë, të cilët do të kishin qenë të gatshëm të përballonin edhe vdekjen prej martiri, por edhe françeskanët nuk mundnin, sepse numri i tyre i vogël në atë kohë vështirë se mjaftonte për të meshuar në Shqipërinë e Veriut. Këtë gjendje të pashpresë diti ta shfrytëzojë patriarkana greke; sepse që nga pushtimi i Kostandinopojës ajo ka gëzuar nga turqit në Perandorinë e Sulltanëve, privilegje dhe mbrojtje të cilat, në mënyrë të pakuptueshme, nuk iu dhanë kishës katolike; ajo mundi pra, të dërgojë, popët e saj dhe ta fusë nën ombrellën e vet Shqipërinë e Jugut për sa kohë që ajo ishte e krishterë.
Por në veri dhe në verilindje të Shqipërisë françeskanët vazhduan edhe më tej të përkujdesen dhe vijuan ta ngushëllojnë shpirtërisht popullsinë. Por shumë syresh iu desh ta paguanin përmbushjen e detyrës së tyre, veçanërisht në rripat bregdetarë dhe në fushat që ishin të arritshme për turqit, me vdekjen e tyre të tmerrshme; sidoqoftë disa të paktë prej tyre mundën tu shpëtonin përndjekjeve dhe të vepronin edhe më tej për shpëtimin e kësaj bërthame të zgjedhur, të paepshme dhe shumë të guximshme të krishterësh katolikë të maleve shqiptare.
Tek e fundit, kuptohet, që numri i françeskanëve shqiptarë ishte zvogëluar dhimbshëm, sidomos për shkak të pamundësisë për të përgatitur brezat të rinj pastorësh, aq sa disa françeskanëve u duhej të ushtronin shërbimin baritor në një zonë, e cila kërkonte ditë të tëra për të mbërritur.

Familiengrab von Godin & Varreza familjare e Godin
Kur, më në fund, në shekullin e 19-të nënshtetasit e krishterë të Portës në Ballkan shpalosën flamurin e lirisë dhe Austro-Hungaria mori të drejtën e mbrojtjes së nënshtetasve të krishterë të Portës, erdhën ditë më të mira. Në atë kohë numri i françeskanëve që vepronin në Shqipëri, numërohej me gishta. Por radhët e tyre u plotësuan nga anëtarë të provincës episkopale të Tirolit, në Shkodër u themelua një jetë e rregullt urdhtare në kuptimin më të plotë të fjalës dhe përkujdesja baritore në malësinë që vazhdonte të ishte katolike, u përtëri sërish.
Kishat, kuvendet dhe qelat u ngritën sërish nga gërmadhat e tyre
Dhe fiset katolike të malësisë, tw cilët duke qëndruar syhapur nëpër shtigjet pothuajse të pakalueshme të maleve të tyre të larta, e kishin ruajtur lirinë e tyre gjatë tërë kohës së pushtimit turk, i ndëshkonin myslimanët në Shkodër dhe Lezhë duke bërë sulme të guximshme apo plaçkitje të befasishme, sa herë që ata kërcënonin tu preknin qoftë edhe një fije floku qyteteve katolike apo françeskanëve të tyre të dashur.

Në shqip nga PhD. Elda GJANA-BORIÇI
Marrë nga libri: Shqipëria e re. Skica politike dhe kulturore – historike
Gazeta Rilindja 19 Mars 2004-shkrim Behlul Jashari – foto Behlul Jashari

Nga Behlul Jashari, Prishtinë
-Gazeta tradicionale Rilindja, që është histori e Kosovës, doli edhe në kushtet kur nuk mund të dilte, botim i jashtëzakonshëm për ngjarjet – trazirat e marsit 2004 në Kosovë… Në ballinë editoriali që kam shkruar me mbititullin MESAZHET E KOSOVËS e me titullin PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË/
-22 Mars 2004: Duke u përgjegjur në një pyetje nëse pas ngjarjeve të fundit, pavarësia e Kosovës është vënë në rrezik, Presidenti Ibrahim Rugova e mohoi këtë pikëpamje, duke thënë se shtypi ndërkombëtar dhe personalitetet e ndryshme pohojnë se është e domosdoshme dhe është urgjente pavarësia e Kosovës, por edhe vetë këtë e thekson vazhdimisht. “Këto ngjarje mund të dobësojnë imixhin e progresin e Kosovës, por të gjithë e kanë kuptuar se pavarësia është e domosdoshme”, nënvizoi Presidenti Rugova/PRISHTINË, 17 Mars 2024/ Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, para 20 viteve, në ditën e 19 Marsit 2004, në botim të jashtëzakonshëm në kryeartikullin në ballinë kishte mbititullin ZHVILLIME DRMATIKE E TRAGJIKE NË KOSOVË, DHJETËRA TË VRARË E QINDRA TË PLAGOSUR dhe kryetitullin APELE: VETËPËRMBAJTJA DHE QETËSIA JANË INTERESI MADHOR I KOSOVËS.
Kryelajmi në këndin lart ishte TRUPA SHTESË TË NATO-s ARRIJNË NË KOSOVË.
Tituj të tjerë në ballinë që paralajmëronin shkrime nga faqet e brendshme të gazetës ishin: HOLKERI: POLITIKA E UNMIK-ut NUK KA NDRYSHUAR; PRESIDENTI RUGOVA: PROTESTAT JANË KUNDËR PAVARËSISË; SHQETËSIM I THELLË I KUVENDIT TË KOSOVËS PËR ESKALIMIN E PROTESTAVE; QEVERIA FTON QYTETARËT QË MENJËHERË T’I NDALIN PROTESTAT.

Gazeta Rilindja 19 Mars 2004-shkrim Behlul Jashari – foto Behlul Jashari
Editoriali që kisha shkruar e botuar në ballinën e gazetës Rilindja me mbititullin MESAZHET E KOSOVËS e me titullin PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË i plotë është ky:
MESAZHET E KOSOVËS PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË
Behlul JASHARI:
Dhuna dhe destabiliteti janë tragjike për të gjithë në Kosovë, do të ishte mesazhi i parë i ngjarjeve të fundit të përgjakshme, që ishin edhe sinjal alarmi për mungesat në sigurinë e qytetarëve.
Tmerrin e mungesës së sigurisë e shpalosi në mënyrën më tronditëse mbytja barbare e tre fëmijëve shqiptarë, që si reagim u pasua me revoltën, me vrasjen e dhjetëra qytetarëve të tjerë të Kosovës, me plagosjen e qindra të tjerëve, si dhe me zjarrvënie.
Të gjithë ata që kujdesen në mënyrë të veçantë për sigurinë e serbëve në Kosovë tashmë duhet ta shohin e ta ndiejnë edhe më qartë mesazhin se nëse nuk ka siguri për shqiptarët nuk mund të ketë siguri as për serbët. Se, siguria dhe lëvizja e lirë duhet të mbretërojnë për gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk mund të arrihen me enklavizime e ndarje etnike, as duke paralizuar jetën me bllokimin e rrugëve.
Mesazhet u drejtohen atyre që sigurinë e kanë përgjegjësi të rezervuar, UNMIK-ut, KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, misionit aq shumë të dashur e të kërkuar nga kosovarët, veçmas nga shqiptarët, që nga koha kur goditeshin egërsisht nga gjenocidi dhe spastrimi etnik.
Por, ato mesazhe nuk drejtohen me djegien e veturave të UNMIK-ut dhe me plagosjen e ushtarëve të KFOR-it.
Shumica e kosovarëve, më shumë se të gjithë, e dëshirojnë një përfundim të suksesshëm të Misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Dështimi i Misionit të UNMIK-ut do të ishte edhe më shumë dështim për Kosovën.
Mesazhet iu drejtuan edhe liderëve e institucioneve të Kosovës, që të kryejnë punët që duhen kryer, e që të përmbushin obligimet që kanë marrë para elektoratit që i ka votuar. Disa liderë dhe institucione morën edhe mesazhin se duhet të reflektojnë edhe pse nuk kanë ndikimin që mendojnë se e kanë kur u drejtohen qytetarëve me thirrjet e tyre në rastet kur revolta shpërthen.
Zhvillimet e fundit në Kosovë, edhe për ndërkombëtarët, edhe për vendorët, kanë edhe mesazhin se nuk duhet të lejohen skenaret, manipulimet dhe dirigjimet nga Beogradi. As strukturat paralele, as organizimet e qendrat e shërbimeve të fshehta serbe, që janë vazhdimësi e një kohe e një regjimi që gjykohet në Hagë. As synimet e Beogradit për t’u futur me forca në Kosovë dhe për ta shfrytëzuar situatën më të re për ndarjen përfundimtare të Kosovës.
Për të gjithë, e në veçanti për ata që shohin ëndrra për rikthimin e Serbisë në Kosovë është mesazhi: E ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa vullnetin e kosovarëve.
Por, tash, mënyra më e mirë për përcjelljen e këtyre mesazheve dhe për të gjitha mesazhet e angazhimet e tjera për të mirën e Kosovës është: Rikthimi i qetësisë dhe paqes në Kosovë.
Dhe, është koha që të gjithë të jenë kundër dhunës. Asgjë nuk mund të arrihet me dhunë.
Dhuna nuk arsyetohet. Zgjidhjet e kërkuara do të gjenden në qetësi.
NË BALLINË ME SHKRONJA TË BARDHA NË TË ZEZËN BOTOHEJ EDHE KY REDAKSIONAL:
BOTIM I JASHTËZAKONSHËM, “RILINDJA” DEL EDHE NË KUSHTET KUR S’MUND TË DALË
“Rilindja” edhë në situatën që është dëshiron dhe është e përkushtuar t’i kontribuojë qetësisë, stabilitetit, demokracisë, tolerancës, orientimeve evroatlantike, aspiratave të Kosovës, të sotmes dhe të ardhmes më të mirë të qytetarëve të saj.
Është e përkushtuar për një informim të drejtë, profesonal, të jetë në nivel të proceseve e të standardeve për Kosovën.
Prandaj, “Rilindja”, që është histori e Kosovës qe 60 vjet, del edhe në kushtet kur nuk mund të dalë, botim i jashtëzakonshëm për ngjarjet e fundit në Kosovë. Ky numër u përgatit me llaptopë personalë, në mungesë të mjeteve për punë, e në shtëpi – në mungesë të lokaleve të punës, në një situatë të jashtëzakonshme, për të cilën opinioni është i njoftuar.
Besojmë e shpresojmë se së shpejti do t’i jepet fund mbylljes së gazetës tradicionale të Kosovës “Rilindja”, se do t’i krijohen kushtet për punë me kthimin në shtëpinë e saj në Pallatin e Rilindjes ose në lokale alternative. Presim të realizohen premtimet dhe zotimet e UNMIK-ut e të institucioneve të zgjedhura të Kosovës, realizimin e përkrahjes për të drejtën tonë të shprehur në një letër që na ka dërguar PSSP, Harrri Holkeri, që e vlerësojmë një ngjarje të madhe për “Rilindjen”.
SHËNIM NGA KRONIKAT E KOHËS – VITI 2004:
16 mars 2004: Në veri të Mitrovicës, tre fëmijë shqiptarë nga Çabra mbyten në ujërat e lumit Ibër, ndërsa pohimet e para të një fëmije tjetër që ka mbijetuar flasin se “ata janë ndjekur me qen prej serbëve dhe janë detyruar të hidhen në lumë”…Për tri ditë, 17-19 mars, Kosova përballet me ngjarjet më të rënda të pasluftës, të njohura si ngjarjet e marsit të vitit 2004…
NGA RAPORTIMET E MEDIAS – QENDRËS PËR INFORMIM TË KOSOVËS NË 20 E 22 MARS 2004:
PRESIDENTI RUGOVA, KRYEMINISTRI REXHEPI DHE KRYEPARLAMENTARI DACI KANË MIRATUAR MBRËMË NJË DEKLARATË TË PËRBASHKËT
Prishtinë, 20 mars 2004 – Tre udhëheqësit e institucioneve më të larta të Kosovës: Presidenti Ibrahim Rugova, Kryeministri Bajram Rexhepi dhe Kryeparlamentari Nexhat Daci kanë miratuar mbrëmë një deklaratë të përbashkët, me të cilën kanë vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë po përmirësohet.
Ata njëkohësisht kanë kërkuar që të shtohen përpjekjet për të kthyer gjendjen në suazat e normalitetit në Kosovë. Në një deklaratë të përbashkët të cilën e lexoi Presidenti Rugova thuhet se sulmet ndaj pjesëtarëve të pranisë ndërkombëtare janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, sikurse edhe akte të tjera të dhunës dhe të rrënimeve, që kanë ndodhur ditët e fundit në Kosovë.
“E përsërisim se sulmet ndaj pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake janë krejtësisht të papranueshme dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat jetike të Kosovës. Me këtë rast edhe njëherë theksojmë se shkatërrimet e objekteve fetare dhe kulturore, pasurisë publike dhe të shtëpive janë të papranueshme për popullin e Kosovës dhe të dënueshme”, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, kryeparlamentari Nexhat Daci tha se nuk do të ketë gjendje të jashtëzakonshme, që të shpallet nga dikush për shumë arsye. “Nuk mundet një vend që nuk i kontrollon vetë kufijtë, që nuk e ka ushtrinë e vet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, por këtë e kishim në shqyrtim”, ka thënë Daci. Ai shtoi se admirali Xhonson e bëri të qartë para gazetarëve që ngritet shkalla e masave të ndërmarra dhe ishim në pajtueshmëri të plotë.
PRESIDENTI RUGOVA KA ANULUAR VIZITËN E PARAPARË NË SHBA PËR SHKAK TË ZHVILLIMEVE TË FUNDIT NË KOSOVË
Prishtinë, 20 mars 2004 – Për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme të këtyre ditëve në Kosovë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka anuluar një vizitë të paraparë për javën e ardhshme në SHBA.
Presidenti Rugova ka pasur një ftesë nga guvernatori i Pensilvanisë për të vizituar këtë shtet, ndërsa qëndrimi i tij në SHBA përfshinte edhe takime të nivelit shumë të lartë në Uashington D.C. dhe takime të rëndësishme në Nju Jork, njofton Zyra e Presidentit të Kosovës.
NË KOSOVË MBËRRIJNË FORCA SHTESË TË NATO-s
Prishtinë, 20 mars 2004 – Në Kosovë po mbërrijnë përforcime për paqeruajtësit e NATO-s dhe aleanca është zotuar të vërë në kontroll dhunën që shpërtheu mes shqiptarëve dhe serbëve.
Më shumë se 2 mijë ushtarë amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë, italianë dhe finlandezë, u dërguan për të ndihmuar 17 mijë trupat e alenacës që ndodhen në Kosovë.
Ushtarët britanikë po vendosen në pikat strategjike për të ndihmuar në vendosjen e rendit, pas shpërthimiet të dhunës etnike që la të paktën 31 njerëz të vrarë dhe 500 të tjerë të plagosur, duke përfshirë edhe 61 paqeruajtës.
Komandanti i NATO-s për Evropën Juglindore, admirali Gregori Xhonson, i përshkroi përleshjet e përgjakshme jo shumë të ndryshme nga spastrimi etnik dhe tha se ato duhet të marrin fund sa më parë.
LDK NË NJU JORK: KONFRONTIMI ME FORCAT E KFOR-IT DHE TË POLICISË ËSHTË RREZIK PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS
Nju Jork, 20 mars 2004 – Çmimi, të cilin po e paguan Kosova nga zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat u kurorëzuan me mbi 30 të vdekur e mbi 600 të plagosur, si dhe me dëme të mëdha materiale e pronësore, është një çmim tragjik për Kosovën dhe për përpjekjet e saj në ndërtimin e demokracisë e të pavarësisë.
Apelojmë te qytetarët e Kosovës, – thuhet në një deklaratë të Degës së LDK-së në Nju Jork me rrethe, duke shtuar se po rrezikohet e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës dhe duke apeluar për gjakftohtësi dhe të përfillen kërkesat e institucioneve të Kosovës.
“E kuptojmë thellësisht shqetësimin dhe revoltën e qytetatëve të Kosovës pas ngjarjes tragjike të fëmijëve në lumin Ibër në Mitrovicë dhe solidarizohemi me dhembjen e tyre.
Poashtu e kuptojmë pakënaqësinë e tyre të thellë me bllokimin e rrugëve nga bandat e ekstemistëve serb dhe inskenimet e tyre të ndyta, por, në të njëjtën kohë, kërkojmë që pakënaqësitë e dhe protestat e qytetarëve me zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë të shqiptohen me rrugë paqësore dhe përmes institucioneve legjitime të Kosovës”, thuhet më tutje në këtë deklaratë dhe theksohet se “manifestimet e dhunshme, mbi të gjitha konfrontimi me forcat e KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut e të SHPK-së si dhe aktet e djegieve e të shkatërrimit të shtëpive e të pronave sjellin para rrezikut të ardhmen e Kosovës”.
“Këto ditë, kur Kosova është duke kaluar nëpër ethet e rënda të një gjendjeje të jashtëzakonshme, mbi të gjitha duhet të mbretërojë arsyeja dhe veprimet e matura, vetëpërmbajtja nga aktet dhe manifestimet e dhunës. Sepse veprimet e dhunshme krijojnë imazhin për Kosovën si për një vend të dhunës, imazh ky për të cilin mbi të gjitha janë të interesuar armiqtë e popullit shqiptarë”, thuhet në deklaratë.
Në fund të kësaj deklarate, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Nju Jork me rrethe, edhe njëherë i bëb apel qytetarëve tanë që të udhëhiqen nga udhëzimet e lëshuara nga institucionet legjitime të Kosovës, në krye mer Presidentin Ibrahim Rugova dhe që në bashkëpunim me organet e rendit e të sigurisë, me ato vendore dhe ndërkombëtare, t’i kontribuojnë normalizimit të situatës e të gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe që kërkesat e tyre t’i shqiptojnë me anë të rrugëve institucionale.
SOT DITË ZIE NË KOSOVË NË NDERIM TË QYTETARËVE QË HUMBËN JETËN GJATË TRAZIRAVE TË FUNDIT
Prishtinë, 22 mars 2004 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka shpallur ditën e sotme ditë zie në Kosovë për nderim dhe kujtim të qytetarëve që humbën jetën gjatë trazirave të fundit në Kosovë.
PRESIDENTI RUGOVA VLERËSOI SOT PARA GAZETARËVE SE GJENDJA KA FILLUAR TË NORMALIZOHET NË KOSOVË
Prishtinë, 22 mars 2004 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pati sot një takim me gazetarë të vendit dhe të huaj në të cilën foli për situatën aktuale në vend.
Pasi përkujtoi se sot është ditë zie në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar viktimat e trazirave të javës së kaluar, Presidenti Rugova vlerësoi se gjendja ka filluar të normalizohet, duke thënë se ishte më qetë gjatë këtyre ditëve në gjithë Kosovën.
“Ne do të fillojmë shqyrtimin e shkaqeve dhe të pasojave që u paraqitën në këto trazira.
Do t’i shqyrtojmë raportet me UNMIK-un që të jenë më produktive dhe më efikase”, tha më tutje ai. Presidenti theksoi se objektet e dëmtuara kulturore e historike, ato publike, si dhe shtëpitë e qytetarëve do të rindërtohen dhe në lidhje me këtë përkujtoi se Qeveria tashmë ka marrë një nismë në këtë drejtim.
Duke pasur parasysh progresin që ka arritur Kosova gjatë pothuajse pesë vjetëve të kaluara, Presidenti Rugova tha se vazhdimisht ka kërkuar të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar se pavarësia është një çështje vitale për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Pra një Kosovë e pavarur, demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, si dhe në marrëdhënie të mira me të gjitha fqinjët”, theksoi ai.
“Pavarësia i duhet Kosovës për të përshpejtuar zhvillimin e saj demokratik dhe ekonomik, sepse do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha Presidenti Rugova, duke shprehur optimizëm se do të kapërcehet gjendja e krijuar në vend pas trazirave.
“Jam optimist se do të tejkalojmë shpejt këtë gjendje dhe do të vazhdojmë progresin dhe afirmimin e Kosovës në botë”, u shpreh zoti Rugova.
Duke u përgjegjur në një pyetje nëse pas ngjarjeve të fundit, pavarësia e Kosovës është vënë në rrezik, Presidenti Rugova e mohoi këtë pikëpamje, duke thënë se shtypi ndërkombëtar dhe personalitetet e ndryshme pohojnë se është e domosdoshme dhe është urgjente pavarësia e Kosovës, por edhe vetë këtë e thekson vazhdimisht. “Këto ngjarje mund të dobësojnë imixhin e progresin e Kosovës, por të gjithë e kanë kuptuar se pavarësia është e domosdoshme”, nënvizoi zoti Rugova.
Në pyetjen tjetër në lidhje me përpjekjet për ndërtimin e një Kosove multietnike dhe nëse pas ngjarjeve të fundit mund të ketë reperkusione, Presidenti Rugova tha se Kosova është si çdo vend tjetër në Evropë. Është një vend ku ka shumicën shqiptare dhe grupet etnike, minoritetet…
Koncepti multietnik do të thotë komunikim brenda shoqërisë, kurrsesi një inxhiering i popullsië të një vendi, tha ai. “Pra, unë kam thënë shpesh se edhe sot Kosova është multietnike, ka shumicën shqiptare, ka minoritetet, ato që ekzistojnë në Kosovë, prandaj perspektiva është që do të ketë komunikim mes të grupeve etnike, popullit të Kosovës, qytetarëve të saj”.
Duke komentuar raportet me UNMIK-un dhe ndërkombëtarët, Presidenti tha se këto çështje shpesh i ka theksuar, dhe UNMIK-u është dakord që këto raporte të shyrtohen, për të pasur marrëdhënie më produktive, më efikase, siç tha, në kuptimin normal të fjalës dhe jo në kontekst të këtyre ditëve. “Pra çështja e kompetencave, pastaj e institucioneve dhe autoriteteve të Kosovës dhe çështjet e tjera që të kemi një efikasitet më të madh të dy palët”.

Mars 2004 , Kosove
I pyetur për 24 marsin, për bilancin e pesë vjetëve të kaluara në Kosovë, Presisdenti Rugova tha se është një bilanc pozitiv dhe është shënuar progres i madh në të gjitha fushat e jetës vazhdimisht. Pra 24 marsi është një datë e shënuar, tha ai, duke shtuar se të rinjtë e Kosovës e kanë quajtur “ditën e shpresës”. “Një respekt dhe një nderim i madh për NATO-n, për focat e KFOR-it, të cilat prej pesë vitesh që ndodhen në Kosovë po bëjnë sigurinë e vendit”, tha ai.

Rioters on Mitrovica – Bridge, March 2004
Në pyetjen tjetër, rreth pohimeve për ndarjen e Kosovës, dhe nëse bashkësia ndërkokmbëtare mund të bëjë ndonjë kompromis për pavarësinë dhe ta ndajë Kosovën, Presidenti Rugova u përgjegj:
“Këto janë spekulime të ndryshme, të cilat nuk vijnë në konsiderim as për bashkësinë ndërkombëtare as për ne.
Pra kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Dhe askund nuk janë prekur kufijtë e mëparshëm. Çdo lëvizje në këtë drejtim do të shkaktonte probleme të reja dhe çështje të reja”, tha Presidenti Rugova, duke ritheksuar se kufijtë janë të paprekshëm dhe të pandryshuar.
“INDIPENDET”: FUQITË E MËDHA DUHET PATJETËR TË CAKTOJNË DATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS
Londër, 22 mars 2004 – Gazeta “Indipendent” e Londrës ka botuar një koment në të cilin përkujtohen fjalët e Riçard Hollbrukut që kishte paralajmëruar serbët se duhet të zgjedhin Kosovën apo Evropën, duke konkluduar se nëse zgjedhin Kosovën do të humbin të dyjat.
Në tekstin e Markus Tanerit, i cili më herët ka qenë korrespondent nga Ballkani i kësaj gazete, e tani bashkëpunëtor i Institutit për Luftën dhe Paqen, theksohet se politikanët e Beogradit nuk po tregojnë publikisht kurrfarë shenje se ky paralajmërim i Hollbrukut ka arritur deri në veshët e tyre.
Të gjithë druajnë, shkruan “Indipendent”, madje edhe nëse paralajmëroni diçka të tillë, Kosova me të vërtetë do të jetë e humbur. Tani Serbia rrezikon sërish të karakterizohet si vend jostabil, ngapak tmerrues dhe i pasigurt për investime.
Dhe, siç pritet, nëse në zgjedhjet presidenciale në Serbi fiton partia ultranacionaliste, e cila angazhohet për kthimin e të gjitha territoreve serbe të humbura gjatë viteve nëntëdhjetë, atëherë sheqetësimi vetëm sa do të rritet.
Autori në “Indipendent” përfundon se fuqitë e mëdha duhet patjetër të caktojnë datën për pavarësinë e Kosovës dhe të punojnë në këtë drejtim se si të sigurojnë autonomi për bashkësinë serbe në Kosovë, ose të ofrojnë ndonjë alternativë madje edhe nëse do të nënkuptonte ndarjen në vija etnike.
NË PROTESTAT E FUNDIT NË KOSOVË KANË HUMBUR JETËN 24 PERSONA DHE 551 JANË PLAGOSUR
Prishtinë, 22 mars 2004 – Sipas bilancit më të ri të KFOR-it në Kosovë në protestat e fundit kanë humbur jetën 24 persona dhe 551 janë plagosur, prej tyre 22 në gjendje të rëndë. Në mesin e të plagosurve janë edhe 98 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së, si dhe 55 pjesëtarë të KFOR-it.
Ndërkaq, anembanë Kosovës janë djegur 27 makina të UNMIK-ut, 19 makina të SHPK-së dhe 24 makina të civilëve. Kështu kanë theksuar burimet e administratës së UNMIK-ut në Kosovë.
KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË ÇIKAGO APELON TË RUHET MIQËSIA E KRIJUAR ME MUND ME SHBA-të
Çikago, 22 mars 2004 – Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan i Illinois-it, me seli në Çikago, në bashkëpunim me partitë politike dhe organizatat që veprojnë në këtë shtet, denon ashpër përshkallëzimin e dhunës dhe prishjen e rendit dhe qetesisë publike në Kosovë, kurse familjeve të viktimave u shpreh ngushellimet më të thella.
Ky komunitet, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë me Kosovën dhe me popullin e saj. Prandaj, ai apelon te populli i Kosovës që të mos bjerë në provokimet dhe kurthat e sherbimeve të huaja të cilat gjatë kohe janë të përgatitura dhe planifikuara nga qeveria serbe në Beograd që me çdo kusht të pengohet Pavarësia e Kosovës.
Ky komunitet apelon te populli i Kosoves që institucioneve te saj dhe atyre ndërkombetare t’u japë përkrahje të plotë në zgjidhjen e problemeve dhe në normalizimin e situates.
Ky komunitet denon ashper sulmet ndaj forcave ndërkombetare te KFOR-it dhe te UNMIK-ut si dhe djegjet e monumenteve fetare ne Kosove dhe fton popullin e Kosoves të jetë me tolerant ne situata të vështira.
Ne i kuptojmë veshtiresitë dhe pengesat e popullit te Kosoves, por, jemi të bindur se ekzistojne forma tjera demokratike per realizimin e qellimeve kombetare, te cilat , nuk kane kurgje te perbashket me dhunen.
Populli i Kosoves është i vetëdijshem për kontributin e Shteteve te Bashkuara te Amerikes dhe të aleatëve të saj në çlirimin e Kosoves. Prandaj, ky popull duhet të jetë i përgatitur të sakrifikojë edhe durimin. Populli i Kosoves, me institucionet vendore dhe ndërkombetare duhet të bashkëpunojë maksimalisht me qëllim që të ruhet miqësia e krijuar me mund, sidomos me ShBA-të.

Presidenti Ibrahim Rugova – Prishtinë- 22 mars 2004
LAJMI QË KAM SHKRUAR NË 22 SHTATOR 2006: KOSOVË, ARRESTOHEN SHTATË VETA PËR NGJARJET E MARSIT 2004
Në Kosovë janë arrestuar dje shtatë persona të dyshuar për pjesëmarrje dhe kryerje të veprave gjatë trazirave të marsit 2004. Zyra për informim e Shërbimit Policor të Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi është kryer me autorizimin e prokurorit, ndërsa hetimet janë zhvilluar nga hetuesit e SHPK-së dhe ata ndërkombëtarë. Policia ka bërë të ditur se hetimet janë të mbikqyrura nga prokurori kompetent, pa dhënë hollësi të tjera.
Deri tash për ngjarjet e marsit 2004 janë gjykuar dhe kanë marrë dënime të ndryshme rreth 240 persona. Trazirat e marsit, ku humbën jetën 19 veta e pati qinda të plagosur, pasuan një ngjarje tragjike të mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në veri të Kosovës.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë ka publikuar emrat e 11 shqiptarëve e 6 serbëve të vrarë gjatë protestave më 17 e 18 mars, si dhe emrat e tre fëmijëve shqiptarë të mbytur në Ibër më 16 mars, në rrethana ende të pandriquara.
Sinan Kastrati, Suedi
Dy anekdota nga thesari i Turjakës së Zatriqit, mbledhur si student më 1976
Vazhdon nga numri i kaluar me titull ” Thuj ne ta knojnë edhe ni kângë! ”, publikuar më 15 Mars 2024
Pjesa e katërt (4) e Ditarit tim
Net kanë qaja shpi qi pa shkoj unë nuse!
Në Turjakë, deri në fillim të viteve 1970-ta, kur qikat rriteshin e bëheshin për martesë me shkua nuse, me kerr të kuq te burri, 3 ditë para dasmës, të enjteve, familja e dhëndërrit i qonin teshat që ia kishin ble nuses të baba i dhëndërrit dhe bakshishat. Po atë ditë, qika mbyllej e nuk dilte më nga dhoma e saj me e pa askush, as nga familja, përveç qikave, kusherira, mbesa e teze që mblidheshin dhe rrinin me te, tri ditë e tri netë, deri sa ajo shkonte në shtëpinë e burrit.
Qika që bëhej nuse e shkonte te burri, ia lyenin (ngjyrosnin) flokët me kanë. Ia lyenin edhe duart deri në brryla, honjët e duarve e të këmbëve. Ia ngjitnin vathët në vesh, unazat e bylyzykët e arit në duar. Shumica i qonin nuses edhe lira e qystekë të arit. Ato, qikat kundërshtonin dhe kapeshin për dyrek të shtëpisë se gjoja nuk duan të bëhen nuse e ta lënë shtëpinë e babës. Ishte më tepër një formalitet, adet i trashëguar se sa dëshirë e tyre sepse të gjitha qikat dëshirojnë të bëhen nuse, të shkojnë të burri e të martohen. Prej momentiti që i ngjitej kana (boja, ngjyra), qika konsiderohej se ishte nuse, prandaj edhe kante me zë e kundërshtonte. Nëse ndonjë i afërm hynte në dhomën ku ajo ishte, tash nuse, ajo qohej e ia merrte dorën, e merrte në ngrykë dhe kante.
Një qikë, kur ia ngjesin kanën, ajo nuk kante. Shoqet, qikat që ishin mbledhur për te e rrinin gjithë ditën e natën, deri kur ajo shkonte te burri (zakonisht të dielave, ishte Kanagjeqi të shtëpia e qikës e Dita e Dasmës, te dhëndërri), i thonin e iu lutshin që ajo të kan (qaj):
-Kaj! Kaj se është marre mos me kajt. Mendojnë burrat se ti pa gzohesh që po shkon te burri e qikat nuk duhët gëzua që po shkojnë të burri.
E ajo iu thonte:
-Jo tyben se kum njet njet me kajt, net kanë ajo shpi ku unë pa shkoj.
Ani t`zezat qi i kam mrena se?
Kur vinte nusja, nga kerri e zbriste gjyshi, baba i dhëndërrit, axha, mixha, vëllai i madh, daja ose ndonjë plak tjetër, i afërm i dhëndërrit. Kur zbriste nusja nga kerri i nuses që ishte i mbuluar me qilima të kuq e qejz (pajë), nusës ia afronte një plakë një djalë të vogël të mbuluar me një thes, adet që nusja të lind djem.
Ndërsa qikat e gratë e mahallës e të katundit mblidheshin dhe pritnin ta shihnin nuses. Duvakun ia hiqte baba i dhëndërrit. Vajzat e këndonin nusen. Ia shanin nënen e babën por, edhe vëllezërit ia këndonin, sidomos vëllain e vogël që nusja, si qikë e kishte kqyrë e kujdes për te, ia kishte la teshat …kjo ishte e përmallshme për nusen.
Dikush nga gratë besnike ia runte kamt, mos me shkel dasmorët e një një tjetër grue, shumë e afërme dhe besnike shkonte e ruante ”WC-enë” që askush të mos shkoj, sidomos ndonjë grua që dyshohej se është e keqe, që bënë sehir, ngji që nusja të mos bëj fëmijë e të mos ketë jetë të gëzueshme me burrin, jetë të rehatshme.
Një nuses kur ia hoqën duvakin, ajo kishte qenë e zezë. Zakonisht në Turjakë, dëshironin që nuset të jenë të mëdha, të shëndetshme, të bardha, qafën ta kenë të gjatë, sytë e mëdhenj e hunen e drejtë.
Kur qikat e shohin nusën e zezë, me trup të vogë e zeshkane, disa qika që ishin afër asaj thonë me zë, që ta nin edhe nusja:
-Uh sa e zezë tek âsht nusja. Kur nusja i nin shka thanë qilat, flet edhe ajo, për çka nusja nuk duhej të fliste e as ti qilte sytë me pa:
-Ani t`zezat qi i kmm mrena se.
Vazhdon
Malmö, 17 mars 2024