Për Kosovën, pas deklaratës skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunović, nuk ekziston më asnjë arsye politike, morale apo juridike për të vazhduar procesin negociator me Serbinë sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Kur një ministre e Qeverisë së Serbisë deklaron publikisht se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998, ajo nuk flet vetëm në emrin e saj personal. Heshtja e institucioneve serbe, relativizimi i deklaratës nga pushteti në Beograd dhe mungesa e çdo distance zyrtare nga kjo gjuhë e urrejtjes tregojnë se Serbia ende nuk është shkëputur nga logjika politike që solli luftëra, krime dhe gjenocid në Ballkan.
Paralajmërimi i deputetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, se këto deklarata kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët e Luginës së Preshevës është një alarm që nuk mund të injorohet. Kur një zyrtare e lartë flet për spastrim etnik, çdo shqiptar ka të drejtë të ndihet i kërcënuar.
Prandaj, Kosova duhet të ndërpresë menjëherë dialogun me Serbinë deri në kërkimfaljen zyrtare të shtetit serb dhe distancimin e qartë nga këto qëndrime. Të gjitha marrëveshjet që cenojnë sovranitetin, funksionalitetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës duhet të shpallen të pavlefshme dhe të rishikohen në tërësi.
Ka ardhur koha që institucionet e Kosovës të zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës në plotni, pa kompromise dhe pa imponime të jashtme që bien ndesh me interesin shtetëror. Asnjë dialog nuk mund të ketë kuptim me një shtet që ende prodhon dhe toleron narrativa të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Paqeja ndërtohet mbi respektin, përgjegjësinë dhe pranimin e së vërtetës, jo mbi glorifikimin e politikave që kanë prodhuar krime kundër njerëzimit. Nëse Serbia vazhdon të flasë me gjuhën e Millosheviqit, atëherë Kosova nuk ka asnjë obligim të vazhdojë të sillet sikur përballë saj ndodhet një partner i sinqertë për paqe dhe normalizim.



