PINGUINI NGA LIBANI DHE SATELITI I MIKUT TIM AGRONIT
___
Dua t’jua tregoj një histori të pazakontë, të veçantë dhe krejtësisht të papërsëritshme, që i ndodhi mikut tim Agronit më 28 nëntor 1994, në kafenenë e një spitali gjerman.
Në tavolinën përballë e vuri re një grua misterioze, të veshur si pinguin, por me një fytyrë aq të bukur, saqë për një çast mendoi se Zoti, pasi e kishte përfunduar projektin e shpendëve polarë, kishte vendosur ta vinte në provë talentin e Tij krijues edhe në modelimin e melaqeve.
Me sa dukej, gjatë projektimit kishte harruar t’ia vendoste krahët, ndaj këtë mangësi teknike ishte përpjekur ta kompensonte me veshjen bardhezi.
Ishte një sensacion i vërtetë zoologjik: gjysmë pinguin, gjysmë engjëll, me një bukuri që do të mund ta vinte seriozisht në pikëpyetje edhe teorinë e Darvinit.
Megjithatë, ajo nuk dukej aspak e shqetësuar për ngjashmërinë e saj me shpendin më elegant të Antarktidës. Përkundrazi, me një bujari që meritonte të përfshihej në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ia bëri mikut tim Agronit nderin e madh që të bëhej vëzhguesi dhe admiruesi i saj i zellshëm.
Ishte nga Libani. U njohën krejt rastësisht, në kafenenë e spitalit, në një vend ku njerëzit zakonisht shkojnë për të kërkuar shërim.
Agroni, megjithatë, pa dashje e zbuloi një sëmundje të re, deri atëherë të panjohur: alergjinë akute ndaj indiferencës femërore.
Një sëmundje e rrallë, për të cilën nuk ekziston as vaksinë, as terapi dhe, ç’është më e keqja, që shoqërohet me pasoja të paparashikueshme për shëndetin mendor të të prekurit.
Ajo rrinte ulur përballë tij, ndërsa ai bënte çmos të sillej si një njeri normal. Por fytyra e saj e kishte bërë këtë përpjekje pothuajse të pamundur.
Po të duhej të zgjidhte në atë çast midis dinjitetit të vet dhe së drejtës për të vazhduar ta shikonte, ai do të hiqte dorë nga dinjiteti pa u menduar dy herë, madje pa kërkuar as shtyrje afati.
Shikimet e tyre u kryqëzuan.
Sytë e saj, fillimisht kureshtarë e më pas disi të hutuar, nuk e përballuan gjatë ofensivën e tij vizuale. Ajo i uli drejt dyshemesë, sikur aty ta kishte zbuluar papritur ndonjë objekt me rëndësi të jashtëzakonshme arkeologjike.
Por Agroni nuk ishte njeri që kënaqej me kapitullime të parakohshme. Gjithmonë kishte pasur një prirje të rrezikshme për të luajtur me zjarrin, sidomos kur ai zjarr kishte buzë të bukura, sy misteriozë dhe vishej bardhezi si pinguin.
Prandaj, e lëshoi të lirë djallin e tij të vogël, atë tipin e dyshimtë që rri strukur brenda çdo mashkulli dhe zgjohet pikërisht atëherë kur arsyeja e këshillon të shkojë në shtëpi, ta bëjë një dush të ftohtë dhe të mos përzihet në punët e brendshme të universit.
Filloi t’ia ndiqte shikimin.
Ajo e shmangte.
Ai provonte përsëri.
Ajo i kthente sytë anash.
Ai priste.
Ajo i ngrinte sërish sytë.
Dhe ai ishte përsëri aty, si një doganier i palodhur që pret t’ia kontrollojë pasaportën një udhëtareje, ndonëse ajo nuk e kishte treguar as shenjën më të vogël se kishte ndërmend ta kalonte kufirin.
Ishte një duel i heshtur, pa armë, pa dëshmitarë dhe pa ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara. Për fat të mirë, asnjëra palë nuk kishte kërkuar ende anëtarësim në NATO, ndonëse marrëdhëniet midis tyre kishin filluar të tensionoheshin rrezikshëm.
Pas disa minutash, ajo më në fund lëshoi pe. Jo domosdoshmërisht para Agronit, por të paktën iu dorëzua faturës.
U ngrit, e pagoi kafen dhe i hodhi disa vështrime të kujdesshme përreth. Shikoi majtas, pastaj djathtas, sikur ta kërkonte ndonjë kamerë të fshehtë, ndonjë gazetar investigativ apo ndonjë komision parlamentar që mund ta merrte në pyetje për sjelljen e saj të pazakontë.
Pastaj i bëri shenjë me kokë.
Ishte një gjest i vogël, pothuajse i padukshëm, por në sistemin nervor të Agronit veproi si një urdhër për mobilizim të përgjithshëm.
Të gjitha shqisat iu aktivizuan. Truri ia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Jam i bindur se, po ta kishte pasur në atë çast një sirenë alarmi në spital, ajo do të ishte aktivizuar vetvetiu.
I dha shenjë që ta ndiqte.
Dhe, natyrisht, Agroni u nis pas saj.
Dëshira për të zbuluar se çfarë fshihej nën atë veshje prej pinguini kishte marrë përmasa që asnjë institut kërkimor nuk do të guxonte t’i financonte. E edhe sikur ndonjëri të merrte guximin, do ta bënte përmes ndonjë fondi sekret, për të mos e vënë në rrezik prestigjin e vet shkencor.
Por ajo që pasoi ishte edhe më e çuditshme.
Në vend që të ngjitej shkallëve drejt dhomës së saj, ajo bëri pikërisht të kundërtën.
Zbriti shkallët, kaloi nëpër oborrin e spitalit dhe mori drejt pyllit që rrethonte ndërtesën.
Për një çast, Agroni mendoi se ndoshta nuk po orientohej mirë. Ndoshta sapo kishte mbërritur në atë ndërtesë. Ndoshta ashensori nuk punonte. Ose ndoshta spitali kishte ndonjë rregullore të veçantë për takimet romantike, sipas së cilës ato nuk lejoheshin brenda ndërtesës, por vetëm në hapësirat e gjelbra përreth.
Nuk e përjashtoi as mundësinë që ishte bërë pjesë e ndonjë eksperimenti shoqëror, të financuar nga fondet evropiane, me synimin për të studiuar sjelljen e burrave në praninë e grave misterioze.
Megjithatë, nuk bëri asnjë pyetje.
Në situata të tilla, pyetjet e tepërta janë armiqtë më të mëdhenj të aventurës. Fundja, një burrë që ndjek një grua të bukur drejt pyllit nuk duhet të bëjë shumë pyetje. Mjafton të ketë këpucë të rehatshme dhe një dozë të shëndetshme dyshimi për mendjen e vet.
Ajo vazhdoi të ecte përpara tij, ndërsa Agroni e ndiqte, i bindur se po merrte pjesë në një ekspeditë të rëndësishme shkencore, ndonëse nuk kishte as hartë, as busull dhe, aq më pak, ndonjë ide se çfarë parashikonte protokolli i një ekspedite të tillë.
Kur u futën rreth njëqind metra në pyll, ajo e ngadalësoi hapin. E la të afrohej dhe vazhduan të ecnin krah për krah.
Tashmë nuk ishin më dy njerëz që kishin shkëmbyer disa shikime në kafenenë e spitalit. Ishin bërë bashkëpunëtorë në një komplot të vogël, për të cilin, me sa dukej, nuk kishin dijeni as drejtoria e spitalit, as policia lokale dhe as organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e pyjeve.
Por, para se t’ia zbulonte se çfarë synonte në të vërtetë me atë shëtitje në pyll, ajo vendosi t’ia mbante Agronit një ligjëratë të gjatë mbi moralin.
Dhe çfarë ligjërate!
I foli gjatë për pozitën e gruas myslimane, për kufijtë e sjelljes së hijshme, për modestinë, për përgjegjësinë morale dhe për mënyrën se si Kurani i përcaktonte rregullat e jetës së një gruaje myslimane të kohës së saj dhe marrëdhënien e saj me burrin.
Agroni e dëgjonte me vëmendje, si një student që kishte hyrë në provim pa e ditur se po testohej në teologji dhe që, për më tepër, nuk kishte asnjë mundësi të kërkonte transferim në një fakultet tjetër.
Ajo fliste seriozisht, me vendosmëri dhe me një përkushtim të admirueshëm. Herë pas here ndalonte për t’ia shpjeguar ndonjë parim fetar, pastaj vazhdonte me aq shumë zjarr, saqë Agroni filloi ta pyeste veten nëse kishte dalë në pyll për një takim dashurie apo, pa dijeninë e tij, ishte regjistruar në ndonjë kurs të posaçëm për edukimin moral të burrave.
Po të vazhdonte edhe pak, do të duhej t’i kërkonte një vërtetim për pjesëmarrjen në kurs.
Pastaj filloi t’i recitonte disa lutje.
Ishin lutje që, siç i shpjegoi, duhej ta mbronin njeriun nga tundimet, ta ndihmonin të ruante pastërtinë shpirtërore dhe ta orientonin drejt rrugës së drejtë.
Agroni e dëgjonte me respekt. Madje përpiqej ta mbante në fytyrë një shprehje sa më të përvuajtur, vetëm që të mos e prishte atmosferën. Kishte vendosur të mos e kundërshtonte as me fjalë, as me gjeste dhe, mbi të gjitha, të mos ia zbulonte se në çfarë gjendjeje alarmante ndodheshin instinktet e tij.
Problemi i vetëm ishte se trupi i tij nuk ishte gjithmonë i gatshëm të bashkëpunonte me synimet e tij morale.
Për herë të parë në jetën e tij, dikush po përpiqej ta bindte se duhej t’i vinte fre instinkteve.
Mirëpo instinktet e tij kishin ardhur në pyll pa asnjë kopje të Kuranit, pa dokumente personale dhe, ç’është më e keqja, pa e ditur fare nën juridiksionin fetar të kujt kishin përfunduar.
Ajo vazhdonte të fliste për shpirtin, ndërsa Agroni përpiqej të mos tradhtohej nga shikimet që mund t’ia dëmtonin seriozisht reputacionin si dëgjues i vëmendshëm dhe i përkushtuar.
Po të kishin mundësi të flisnin sytë e tij, me siguri do ta tradhtonin para ndonjë gjykate ndërkombëtare.
Kur më në fund e përfundoi ligjëratën, Agroni mendoi se kishte përfunduar edhe e gjithë konferenca.
Por fati kishte përgatitur një kthesë që asnjë teolog, sociolog apo komitet etik nuk do të mund ta parashikonte.
Sepse pikërisht atëherë në skenë doli Darvini.
Jo personalisht, por natyrisht.
Agroni nuk e pa të dilte nga ndonjë shkurre, me mjekrën e tij të famshme dhe librin „Mbi origjinën e llojeve“ nën sqetull. Por teoria e tij, me sa dukej, kishte vendosur t’i kërkonte të drejtat e veta në këtë pyll gjerman.
Morali sapo kishte përfunduar ligjëratën, por biologjia tashmë po bëhej gati të merrte fjalën.
Dhe, siç ndodh shpesh në historinë njerëzore, sapo morali e përfundon fjalimin e vet, biologjisë nuk i duhet shumë kohë për t’u dëgjuar.
Ajo u kthye nga Agroni dhe e pyeti papritur:
— Pse i ke sytë kaq djallëzorë? Pse shkëlqejnë si argjendi dhe më shpojnë si maja e gjilpërës?!
Agroni e vështroi seriozisht, si një profesor që sapo kishte zbuluar një planet të ri dhe përpiqej të mos e zbulonte entuziazmin e tij, që të mos e trembte.
— Sepse sytë e mi janë hulumtues të pandreqshëm. Nuk kënaqen vetëm me atë që shohin. Duan të zbulojnë edhe atë që është e fshehur. Sidomos kur ky mister është i veshur si pinguin dhe ecën përpara tyre. Përveç kësaj, kanë një dëshirë të parezistueshme që këtë mister ta vënë në zjarr, para se ta ftohin temperaturat polare.
Ajo nuk u përgjigj menjëherë.
Mori frymë thellë dhe pastaj lëshoi një psherëtimë aq të ëmbël, sa Agronit iu duk për një çast se edhe pemët përreth kishin filluar të merrnin frymë më ngadalë.
Dhe pikërisht atëherë ndodhi katastrofa.
Radari i brendshëm i Agronit, i cili deri në atë çast funksiononte me teknologjinë modeste të një antene të zakonshme televizive, papritur u shndërrua në një satelit të NASA-s.
Dhe jo në ndonjë satelit të dorës së dytë, të blerë për pak para në ndonjë panair teknologjie. Ishte një sistem i nivelit më të lartë për vëzhgim, i pajisur me sensorë të sofistikuar, kapacitet të jashtëzakonshëm për përpunimin e të dhënave dhe një prirje shqetësuese për ta interpretuar çdo sinjal të marrë sipas dëshirave të operatorit të tij.
Sensorët u aktivizuan. Ekranet u ndriçuan. Përpunimi i të dhënave filloi. Sistemi nervor i Agronit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa imagjinata e tij, pa kërkuar leje nga asnjë autoritet kompetent, mori kontrollin e plotë të operacionit.
Nuk e di nëse e gjithë kjo ishte pasojë e psherëtimës së saj të ëmbël, e bukurisë së saj të parezistueshme apo e ndonjë defekti të vjetër në instalimet elektrike të trurit të tij, por gjithçka që fshihej nën uniformën e saj bardhezi filloi të merrte në imagjinatën e tij përmasat e një misteri ndërkombëtar.
Hapësira midis kofshëve të saj iu shfaq si një port detar ekzotik, ku dallgët e kripura të detit përziheshin me mjaltin e shkrirë.
Ishte një port natyror me kushte aq të favorshme për ankorim, saqë edhe rojet kufitare të Bashkimit Evropian mund ta merrnin si model për reformimin e politikës së tyre të emigracionit.
Tri anije të mëdha mund të hynin njëkohësisht në atë ngushticë të ngrohtë, pa viza, pa doganë, pa kontrolle sigurie dhe, ç’është më e rëndësishmja, pa asnjë marrëveshje dypalëshe.
Ishte një zbulim gjeopolitik me përmasa të paimagjinueshme. Komisioni Evropian mund të thërriste një mbledhje të jashtëzakonshme, NATO-ja të aktivizonte mekanizmat e konsultimit, ndërsa NASA të kërkonte menjëherë të drejtat ekskluzive për mbikëqyrjen e atij territori.
Atëherë Agroni e kuptoi se kishte mbërritur në një zonë ku gjeografia i kishte humbur kufijtë, diplomacia i kishte pezulluar negociatat, ndërsa meteorologjia kishte mbetur pa asnjë mundësi për të parashikuar me siguri se çfarë mund të ndodhte në çastin e ardhshëm.
Po të kishte pasur NASA mundësi ta mbikëqyrte, me siguri do të dërgonte një ekip specialistësh për të hetuar origjinën e sinjaleve të pazakonta që vinin nga pylli pranë spitalit.
Madje, nuk do të çuditej aspak sikur në ndonjë raport sekret të NASA-s të shkruhej:
„Objektet e identifikuara: një burrë dhe një pinguin me moshë të panjohur. Gjendja mendore: e paqëndrueshme. Aktiviteti cerebral: jashtë parametrave normalë. Shkaku i incidentit: një femër me veshje bardhezi, me origjinë nga Libani. Rekomandim: ndërpriteni menjëherë çdo kontakt me objektin, para se situata të dalë plotësisht jashtë kontrollit.“
Por për rekomandime tashmë ishte tepër vonë.
Agroni nuk ishte më në gjendje të përcaktonte nëse po përjetonte një aventurë dashurie, një çrregullim të përkohshëm të imagjinatës apo ndonjë mision sekret hapësinor, të financuar nga një fond i posaçëm për studimin e universit femëror.
Nëse Don Kishoti kishte luftuar me mullinjtë e erës, miku im Agron u përball me një pinguine libaneze, me një arsenal të tërë instinktesh dhe me një satelit të NASA-s që kishte humbur orientimin në orbitën e tij.
Një gjë, megjithatë, ishte e sigurt: ajo që kishte filluar si një kafe krejt e zakonshme në një spital, ishte shndërruar në një incident ndërkombëtar me përmasa kozmike.
Klithmat e saj të ëmbla epshore filluan të përziheshin me lutjet kuranore, duke e krijuar një harmoni aq të pazakontë, saqë Agroni për një çast nuk e dinte më nëse po merrte pjesë në një mrekulli fetare apo po dëshmonte lindjen e një revolucioni të ri biologjik. Ajo i përgjërohej me aq ngulm, saqë nuk linte vend për asnjë keqkuptim, që ai t’ia fuste moralin sa më thellë midis kofshëve.
Në atë çast, Darvini do ta harronte teorinë e evolucionit, teologët do të kërkonin një përkthyes të ri të Kuranit, ndërsa NASA do të detyrohej të hapte një dosje të posaçme për një fenomen që nuk ishte parashikuar në asnjë manual shkencor. Sateliti i Agronit vazhdonte të rrotullohej në orbitën e trurit të tij, duke regjistruar thirrjet e saj si sinjale nga ndonjë planet i panjohur.
Dhe kështu, një takim krejt i rastësishëm në kafenenë e një spitali gjerman përfundoi si një incident ndërkombëtar midis biologjisë, fesë dhe agjencisë NASA.



