Mirushë Musa, Gjermani
_
Unë dhe bilbili
_
Amanet, o bilbil, si të çelë lulja e mëngjesit,
këndoje këngën e lulëkuqes së Gjakovës,
melodinë e erës dhe mallin e mëmëdheut,
më sill pranverën e bjeshkëve të Rugovës.
_
Unë dhe bilbili këndojmë të njëjtën këngë,
me shqiponjat e flas të njëjtën gjuhë.
Një gjak kam me zanat që rriten në kodra,
rrënjët i kam në Shalë, e degët në Zogaj.
_
Në pëllëmbë i mbaj ato peizazhet e bukura,
lumenjtë që gjarpërojnë, të kaltër si perlë.
Shkëmbinjtë e gdhendur qëndrojnë si kulla,
të mbuluar me borë, si nuse me xhubletë.
_
Ato livadhet e mbuluara me duvak hënor,
që qielli i ka qëndisur me dorën e diellit.
Pranverave vishen me lule jelekun,
dimrave, fustan të bardhë me dëborë.
_
Në gjirin e atyre shkëmbinjve shekullorë,
petritët e moçëm rriten si strategë,
shqiponjat hyjnore u rrinë rreth kraharorit,
me flatrat e bardha si xhaketë kallnori.
_
Nga kurbeti i puthi syrin e shqiponjës,
hëna flakë e kuqe, si flamuri i Marigonës.
Të çmallem në kasollën ku lëshova shtat,
të ulem në sofër, ku buka piqet me saç.
_
Fshati im lumor që rrjedh nëpër burime,
ai magjeps yjet që rrinë për të në rrëfime.
Atje çdo grusht dheu është veç flori,
cep më cep, thesaret quhen Shqipëri.


