ARKIVI:
6 Maj 2024

Kur abstragimi teorik i vendoset përbri reales

Shkrime relevante

Shqiptarët e festuan në Prishtinë ditëlindjen e Kryeheroit Gjergj Kastrioti

Xhevat Gjini, Viti ___ Sot, në Prishtinën e Shqipërisë, kishin ardhur shqiptarë nga...

Orteku gjergjkastriotas i nisur dy vjet më parë, po merr përmasa të një lëvizjeje mbarëkombtare

Nga: Selatin Retkoceri, Llugagji, Lipjan ___ Sikur sot dy vite më parë, një...

Begaj pritet në një audiencë të veçantë nga Papa Françesku

Nga: Almarina Gegvataj TIRANË, 6 maj/ATSH/- Presidenti Bajram Begaj u prit sot në...

Pedagogu dhe sportisti i njohur kosovar Fazli Llugaliu në kujtimet e mia

Arif Ejupi  Javën e kaluar në fshatin Surkish të Podujevës, ka ndërruar...

Shpërndaj

Shkruan: ABD Grid S. Rroji

[Recension i librit “Rikthimi i Gjeopolitikës” nga Dr. Sadri Ramabaja]

Një ndër problemet më të rëndësishme të studimeve shqiptare është përshtatja e agjendës kombëtariste dhe avancimi i saj në kushte të caktuara të ndryshuara historike. Shpesh argumentet nuk mbajnë parasysh ndryshimet gjeopolitike dhe ndikimin që ato kanë mbi problemin shqiptar. Libri i fundit i Dr. Sadri Ramabaja “Rikthimi i Gjeopolitikës” është një analizë tejet e vlefshme, e cila kontribuon ndjeshëm për avancimin teorik të studimeve gjeostrategjike shqiptare në kushtet e ndryshuara të përplasjes midis fuqive të mëdha që janë shtrirë edhe në Ballkan. Kjo përmbledhje është e argumentuar me qartësi të thellë ideologjike dhe teorike, e dokumentuar bollshëm, dhe cek me cilësi të qartë profesionale problemet politike të të gjitha trevave ku shqiptarët janë të organizuar në bashkësi politike në kohën e tanishme.

Dr. Ramabaja përfaqëson ato grupime intelektualësh kombëtarë disa prej të cilëve “kanë lënë rininë e vet nëpër burgjet jugosllave, për një ideal të vetëm: Shqipërinë e bashkuar, sot krahas kësaj, kanë ideal funksionalizimin e Republikës së dytë dhe krijimin e shtetit të së drejtës, si parakushte për të kontirbuuar në krijimin e Republikës së Iliridës nesër dhe bashkimin e tyre në një Federatë Shqiptare në një të ardhme të afërt” (Ramabaja, 2022, fq.30). Ai renditet si një nga politologët më të arrirë të traditës së mendimit politik kombëtar shqiptar e cila ka nxjerrë mendimtarë dhe eseistë si Ukshin Hoti, Rexhep Qosja, Enis Sulstarova, Arbër Zaimi, Ambasador Shaban Murati dhe të tjerë. Kjo shkollë mendimi politik e sheh kombin si barazuesin e madh shoqëror dhe mëton të krijojë struktura institucionale të llojit social-demokrat të cilat i sheh si të domosdoshme për mbarëvajtjen e shoqërisë shqiptare.

Kjo përmbledhje studimore ku janë përmbledhur, risistematizuar dhe plotësuar disa shkrime të botuara në organe të medias dhe revista profesionale, është produkt i dhjetëra viteve eksperiencë në fushën e studimeve kombëtare shqiptare dhe përfaqëson një analizë autoritative të çështjeve dhe problematikës që përshkojnë hapësirën politike shqiptare aktualisht.

Argumenti qendror i librit është se shqiptarët duhet ta drejtojnë veprimin e tyre politik në të gjitha shtetet ku sot ka komunitete politike të shqiptarëve, përfshirë këtu edhe diasporën, për të mbërritur objektivin madhor të bashkimit kombëtar nëpërmjet krijimit të kushteve për një federatë shqiptare. Kjo federatë duhet të bazohet në nji ideologji kombëtariste duke pranuar kushtëzimet ideologjike liberal-progresive që imponon Evropa e bashkuar. Kjo sintezë, thotë autori arrihet nëse “Federata Shqiptare duhet shikuar si faktor koheziv në procesin e rikthimit të plotë të kombit në shtratin e tij autokton të selitjes së ndërgjegjes nacionale në frymën e qytetërimit perendimor.” (Ramabaja, 2022, fq.30).

Si duhet të vihet në jetë kjo sintezë? Politologjia na mëson se teorizimi është një proçes mendor më tepër se sa një akt fizik apo eveniment kohor, e megjithatë mbetet i lidhur ngushtësisht me praktikën e politikës. Siç thotë Prof. Stefani Lloson e Universitetit të Mekuejri në Kanada “abstragimi teorik i duhet vendosur përbri reales dhe jo të pozicioniohet në kontradiktë të saj”1. Interesat e një kombi pra duhen parë nga këndvështrimi i të mundshmes, përveçse nga pikëvështrimi i ideales.

Siç shprehet vetë autori “shqiptarët përderisa kanë pjesë të Atdheut nën pushtim klasik, përderisa me Serbinë vazhdojnë të jenë në gjendje lufte të pa deklaruar … pozicioni prej vasali u është imponuar, ndërkaq pretendimet dhe gjakimet e ligjshme që ta ngrejnë këtë nivel raportesh në pozitat e partneritetit varen shumë nga qeveritë e dy Republikave tona, nga gadishmëria e këtyre qeverive që këtë partneritet ta shohin në dritën e interesave tona nacionale, gjithnjë duke marrë në konsideratë edhe interesat gjeopolitike të SHBA-ve.” (Ramabaja, 2022, fq.8). Federata shqiptare sipas këtij argumenti do të ishte zgjidhja e duhur për shqiptarët për shkak se bashkon aspiratat shekullore për bashkim kombëtar me ato më të rishta të integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas Ramabajës këto aspirata pasqyrohen edhe nga përparësitë që kanë përzgjedhur paritë përkatëse të shteteve shqiptare: “Elita jonë, ajo kulturore e politike e krijuar kryesisht në Perendim (fillimisht në Itali, Austri, Francë e gjetkë) dhe së fundmi në Gjermani, në Angli, në SHBA etj., në përputhje me sistemin e vlerave autentike, ishte gjithashtu në harmoni të plotë me vetëdijen dhe formimin e brendshëm familjar e nacional, të selitura mbi tabanin autokton.” (Ramabaja, 2022, fq.33).

Dhe këtu hyn nevoja e kuptimit të duhur të ndryshimeve të rëndësishme gjeopolitike që po kalon bota. Dr. Ramabaja argumenton se ndryshimi i situatës gjeostrategjike përbën një mundësi për shqiptarët në rajonin e Ballkanit Perëndimor e më gjerë. Kjo është një mundësi që duhet t’a përqafojnë paritë kombëtare për të realizuar një projekt afatgjatë politik në kuadrin e BE-së, por me mbështetjen e SHBA-ve. Konflikti gjeostrategjik ka krijuar nevojën për t’ju “përgjigjur qartë dhe pa ekuivoke, me vendime konkrete që përshpejtojnë integrimin e dy Republikave tona…ashtu si edhe me masa të reja, e në koordinim të plotë me Tiranën dhe Prishtinën do të duhet të reagonte edhe blloku politik shqiptar në Maqedoni.” (Ramabaja, 2022, fq.17). Autori paraqet disa masa konkrete të politikave të shteteve shqiptare si: heqjen e doganave, krijimin e një tregu të përbashkët shqiptar, integrimin e sistemeve arsimore dhe shëndetësore, përbashkimin valutor dhe hartimin e një strategjie mbrojtëse të përbashkët. Këto politika autori i parasheh në afatin e gjatë edhe si përmbushëse të detyrimeve të shqiptarëve, (ku nënkupton jo vetëm shtetin shqiptar si anëtar i Aleancës, por edhe Kosovën si shtet de facto nën ombrellën e NATO-s) ndaj aleancës së Atlantikut tek e cila, sipas tij, bazohet sot strategjia e mbrojtjes dhe siguria e territoreve shqiptare.

Libri ju referohet realiteteve me të cilat përballemi. Autori evidenton me shumë qartësi, problemet dhe zgjidhjet alternative, si për shembull vullnetin panevropian për një zgjidhje pro-jugosllave në Ballkan vis-à-vis zgjidhjeve që do të pranoheshin nga bashkësitë politike shqiptare. Bie në sy se njëra nga arritjet më të thukëta të këtij libri studimor është pa dyshim cilësia e hollë e vëzhgimit, njohja teorike e rrethanave historike të shqiptarëve dhe kurajoja që tregon autori për të dhënë rrugëzgjidhje të vështira kombëtare në një terren gjeostrategjik sa vjen e më të pasigurtë e të pavolitshëm për shqiptarët. Autori e lidh këtë me pasigurinë që buron nga konflikti në Ukrainë, dhe roli i metëjshëm i Rusisë në Ballkan. Ramabaja nuk druhet të vejë gishtin mbi plagë duke evidentuar edhe dobësitë strukturore të shteteve të shqiptarëve, veçanërisht ndër paritë përkatëse të cilat duhet të përqafonin projektin e federatës, që edhe pse nuk dukej i realizueshëm deri pak më parë, në kushtet aktuale duket më i pranueshëm. Po ashtu, ky projekt kërkon një thellim më të madh në situatat e brendshme dhe një punë më të madhe sqaruese me strukturat brenda parive shqiptare të cilat do të ishin kundër një bashkimi të tillë. Megjithatë, përcjellja e argumentit, përveçse e shtron problemin në kontekstin e duhur për ne shqiptarët, kontribuon thelbësisht dhe qartësisht në vazhdimin e debatit mbi zgjidhjen e çështjes shqiptare e cila sot e kësaj dite mbetet e pazgjidhur në Evropën Jugperëndimore.

Libri ka një strukturë të qartë argumentative dhe është i ndërtuar në mënyrë që secili kapitull i jep përgjigje një problemi të përveçëm dhe shumë kompleks për shqiptarët. Të shtatë kapitujt ndjekin një linjë të qartë ideologjike, logjike dhe strukturore. Ndërsa ideja e Federatës Shqiptare nuk është risi, duke qenë se se Dr. Ramabaja ka botuar më herët librin përkatës dhe më tutje ka vazhduar të shkruajë analiza gjeo-strategjike në kuadër të Institutit Gjeopolitik Shqiptar (ISHGJ) me seli në Prishtinë, trajtimi që paraqitet në këtë libër paraqet interes të veçante për shkak se është më i plotësuar teorikisht dhe i përditësuar, duke analizuar edhe zhvillimet e fundit në Evropën Lindore e më gjerë.

Ndër çështjet themelore që paraqiten nga autori në këtë studim për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Ballkan, do veçoja tri syresh: 1) raportin e arealit shqiptar përballë politikave Serbe në veçanti, si për shembull projekti i “botës Serbe”, por edhe atyre të fuqive rajonale si Greqia dhe Turqia, i cili ceket në mënyra të ndryshme në kapitujt e parë, të dytë, dhe të tretë;
2) problemi i këndvështrimit Evropian për rajonin dhe zgjidhjet e preferuara nga fuqitë evropiane, në veçanti për sa i përket raporteve serbo-shqiptare, i cili shtjellohet në kapitullin e tretë, dhe pjesërisht në atë të pestë dhe të shtatë; dhe 3) konteksti dinamik gjeo-strategjik që përshkon të gjitha zgjidhjet e mundshme për shqiptarët në këtë fillim shekulli të XXI-të, i cili trajtohet në kapitujt e pestë, gjashtë dhe shtatë.

Për sa i përket çështjes së politikave të fqinjëve përkundrejt interesave shqiptare, njëri nga argumentat më të qarta të autorit është shtjellimi i projektit serb të sabotimit të çdo lloj mundësie në rrafshin diplomatik, politik dhe rajonal që Kosova të ketë një shtet funksional. Këto politika ravijëzohen nëpërmjet këmbënguljes së Serbisë për kushtëzime të bisedimeve dypalëshe dhe projektet paralele për integrim rajonal të diplomacisë Serbe. Ramabaja shpjegon shumë qartë pse Asosacioni i Komunave Serbe (Zajednica) dhe mungesa e vullnetit nga ana e Serbisë për një dialog midis të barabartësh, tregon se Serbia ka adoptuar një doktrinë afatgjatë të ngjashme me atë të adoptuar në Bosnjë dhe e cila çon në përfundimin logjik se, Serbia kërkon së paku të aneksojë Veriun e Kosovës dhe në afatin e gjatë, të minojë shtetin në Kosovë. Sipas Ramabajës “asociacioni rrjedhimisht mbetet si vetë nocioni “bota serbe” — një lloj fjalëkalimi strategjik i Beogradit drejt aneksimit të veriut të Kosovës dhe krijimit të të ashtuquajturës “Botë Serbe”. (Ramabaja, 2022, fq.25). Po ashtu, autori e trajton çështjen e Ballkanit të Hapur si një zgjatojcë e ideve serbe për supremaci në Ballkan, e cila gjen mbështetje në qarqet e Parisë së Tiranës, si alternativë ndaj politikave antikorrupsion të mbështetura nga Uashingtoni dhe Brukseli dhe një ide e mbështetur nga interesa anti-shqiptare në rajon, përfshi këtu ato greke.

Duke shpjeguar situatën e shqiptarëve në Maqedoni, Ramabaja argumenton se në asnjë rast nuk mund të anashkalohet elementi etnik në zhvillimet politike të Maqedonisë dhe roli i shqiptarëve në atë shtet duhet të jetë pjesë e strategjisë kombëtare shqiptare të hartuar nga qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës.

Një vend të veçantë në këtë studim ze trajtimi i qasjeve të vendeve Evropiane, dhe ai i institucioneve të BE-së përkarshi interesave shqiptare dhe fuqive të mëdha, veçanërisht interesave amerikane. Dr. Ramabaja argumenton se institucionet e BE-se kanë paqartësi të mëdha në lidhje me Kosovën, ndërsa pasqyrojnë interesat e ndërthurura të shteteve anëtare të BE-së, të cilat nuk përputhen detyrimisht as ndërmjet vedi e as me agjendën amerikane në rajon. Sipas autorit, “këmbëngulja e vazhdueshme për terminologjinë që asocion “unitet” mes aleatëve euroatlantikë rreth epilogut të këtij dialogu, tregon qartë kompleksitetin dhe mosmarrëveshjet për të ardhmen e Kosovës dhe shqiptarëve në BE, që mund të jenë, pas rastit të Ukrainës, fatale për të ardhmen e vetë Evropës. Këtë fakt, duket tashmë e ka të qartë sidomos Uashingtoni.” (Ramabaja, 2022, fq.26).

Duke ju referuar BE-së autori argumenton bindshëm se “mungesa e strategjisë së Brukselit për ta përfshirë më shpejt Evropën Juglindore (Ballkanin Perendimor, si e ka pagëzuar ndërkohë këtë dimension të gjerë gjeopolitikë), brenda BE-së, i ka lëshuar terren veprimi Moskës”. (Ramabaja, 2022, fq.28). Më tej, Ramabaja thekson se agjenda anti-korrupsion e SHBA-ve në Ballkan, lidhet drejtpërdrejt me interesat e Uashingtonit për të ruajtur sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe për të mos lejuar ndërhyrjen e zbatimin e agjendave alternative ruse apo turke në rajon.

Njëri nga aspektet më interesante të librit është trajtimi i situatës gjeostrategjike duke përfshirë rirreshtimin për shkak të luftës që nisi në Ukrainë, interesat e fuqive evropiane si Gjermania, Franca dhe Britania, por edhe ndikimin e këtyre interesave në qasjet e veçanta të këtyre shteteve dhe si pasojë edhe të BE-së për Ballkanin. Autori shpreh qartë qëndrimin e vet se, Ballkani është “sferë e interesit Perëndimor” dhe nxjerr në pah vendin kyç që ze rajoni në rirreshtimin gjeopolitik që po ndodh në dekadën e fundit. Njëherazi, Ramabaja denoncon ato që i quan “taktika të dështuara” të BE-së dhe dështimin e diplomacisë evropiano-perëndimore për t’ju avitur me qartësi veprimi situatave në Ballkan. Veçanërisht politika e integrimit europian, që po bëhet e zhbëhet si pëlhurë e Penelopës e shqetëson autorin : “Nëse krahas këtyre problemeve konceptuale e strukturore, shtojmë faktin se sistemi i dobët juridik, në masë i kapur nga oligokratët krejt ngjashëm me atë ekonomik e social tek vendet e Ballkanit Perendimor, që janë të papajtueshme me standardin e BE-së, perspektiva e Ballkanit Perendimor drejt BE-së duket më shumë si një përrallë e mirë.” (Ramabaja, 2022, fq.70).

Më tej, Ramabaja evidenton mungesën e vendosmërisë së politikave të BE-së në Ukrainë dhe duke e krahasuar me Ballkanin, vëren se “mungesa e agjendës evropiane” përbën një mangësi substanciale e cila nuk mund të tejkalohet me deklarata diplomatike standarte. Kësisoj, autori ngre alarmin se nëse lufta në Ukrainë ka rindezur tek disa shtete evropiane ato që ai i quan aleanca të vjetra, “natyrisht agjenda të kësaj natyre janë të destinuar të dështojnë, meqë ato, jo vetëm që nuk do të gjejnë mirëkuptimin e Berlinit zyrtar, por para së gjithash as të popujve, interesat e të cilëve vihen sërish në rrezik.” (Ramabaja, 2022, fq.90). Njëherazi, argumenti i Ramabajës evidenton qartë se “rikthimi tek Tuqididi” e risjell vëmendjen e Perëndimit drejt Ballkanit dhe ky është zhvillim pozitiv për shqiptarët.

Përplasja midis interesave të Perëndimit dhe aksit Ruso-Kinez ze vend të veçantë në trajtesën gjeostrategjike të Ramabajës. Autori e sheh këtë transformim të sistemit ndërkombëtar si një përplasje midis qytetërimeve me qasje demokratike të Perëndimit dhe atyre me prirje fashiste të Lindjes. Ky është një argument i cili meriton të trajtohet edhe më gjerësisht dhe autori me të drejtë ngre problemin se “në dy Republikat tona, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite, pak kush çanë kokën lidhur me këto pyetje esenciale.” (Ramabaja, 2022, fq.216).

Duke përfunduar, “Rikthimi i Gjeostrategjisë” është një libër i cili ka vlera të pakundërshtueshme dhe besoj fort se do të zerë një vend të spikatur ndër studimet gjeostrategjike shqiptare. Si një studim që përmbledh një argument të dallueshëm dhe me tipare të qarta kombëtare, projekti i Federatës Shqiptare që paraqet Dr. Sadri Ramabaja është një kontribut i qartë dhe fort i vyeshëm për politologjinë shqiptare, çështjen kombëtare dhe për brezat e ardhshëm. Ky libër e shtjellon me shumë autoritet rrugën që duhet të ndiqet për të avancuar këtë projekt në kushtet aktuale të një përplasje gjeostrategjike që me siguri do të krijojë si probleme ashtu edhe mundësi për shqiptarët. Kjo është një mëritë e madhe që sugieron se ky libër duhet të merret në konsideratë nga vendimmarrësit në kryeqytetet e shteteve ku jetojnë shqiptarët.

_____________________

1 Theories of International Relations: Contending Approaches to World Politics by Stephanie Lawson. Cambridge: Polity, 2015, faqja 1.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu