ARKIVI:
21 Qershor 2026

A të mungon Tirana Ina? Të mungon Shqipëria? Heshtje…!

Shkrime relevante

Victoria Times (1975) / Udhëtim në Shqipërinë e izoluar, ku berberi i aeroportit shkurtonte flokët e turistëve meshkuj

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Qershor 2026 “Victoria Times (Australi)” ka botuar,...

“Snajperkat nga SHBA-të” dhe rrenat e Xhabir Zharkut

Reshat Sahitaj, Durrës * MERITAT E TJETËRKUJ –MOS I PËVETËSONI SA JEMI...

Kur kastraveci mendonte se ishte agronom

Shkruen e knon: Lirim Patrioti (Lirim Gashi, Prizren) Në një fshat ku çdo...

Ndërtimi i termocentraleve është mëse i nevojshëm

Agim Vuniqi, Vashington Ndërtimi i Termocentraleve është më se i nevoshëm që...

Nuk harrohen 10 marrëveshjet e turpit

Sak Muji, Rugovë 10 MARRËVESHJET E TURPIT – PSE POPULLI NUK HARRON Sot...

Shpërndaj

___
Ndodh që je duke biseduar me një kolege për gjëra pune, gjëra krejt normale që rutina e punës t’i ve përpara çdo ditë e për një çast biseda ndalet e ajo të pyet: a të mungon Tirana Ina? Të mungon Shqipëria?
Heshtje…. Mua më pushton një gjendje paralizuese ku çuditërisht vetëm një masë e lëngshme vërshon si rrjedha e pakontrolluar e një lumi të çmendur kur del nga shtrati, lotët. Gjithçka tjetër nuk lëviz. E tmerrshme, një grua e fortë që thyhet si syth pranvere i sapo çelur prej murlanit, për një pyetje të pafajshme. Çfarë dreqin është kjo? Turpërohem që lumi i lotëve merr kot dhe gëlltitem për t’u munduar të kapërcej një kockë të ngecur në fyt që ka përmasën e një këpuce. Asnjë gjymtyrë nuk më përgjigjet e kolegia ime habitet, ndoshta ndjehet dhe në faj e shton: mos thashë ndonjë gjë gabim? Në fund të fundit edhe unë vij nga një vend tjetër (Hungaria) e kam plot 20 vite që jetoj në Vjenë por kohët e fundit sikur ndjej mall për qytetin tim, për njerëzit e mi, për atë çfarë kisha dikur. Doja të dija nëse të ndodh edhe ty ndaj të pyeta, por ti….
Gjej forcën dhe e më në fund e kapërcej “këpucën” e ngecur ne grykë.
Unë, nuk kam ikur asnjë ditë, i përgjigjem. Nuk kam ardhur këtu apo diku tjetër asnjë ditë. Nuk e di nëse më kupton por është një gjendje e çuditshme ku njeriu duke mos ia dalë dot të luftojë me shpirtin vendos të bëjë pakt me të, krejt e dorëzuar e në heshtje. Unë fizikisht jam aty ku më shohin çdo ditë, aty ku punojmë bashkë, aty ku kemi shtëpinë e kthehemi çdo ditë pas pune por unë e jetoj si një film gjithë këtë gjë. Këtu asgjë s’më përket, asgjë s’është e imja, në të vërtetë unë jam aty ku kam shpirtin.
Fillimisht më mungonin njerëzit, të gjithë, të njohur e të panjohur. Pastaj dalëngadalë malli u ngurtësua, u bë i fortë dhe i qëndrueshëm si një masiv shkëmbor brenda meje. Filluan t’më mungojnë rrugët, shiu i çmendur që bie vetëm në Tiranë, dielli që si atje nuk përvëlon askund, aroma e agimit mëngjeseve kur zgjohesha si unë askush tjetër që në 4 të mëngjesit për të shijuar kafen në ballkon e për të kapur rrezet e para që lajmëronin ditën e re, rrëzë Dajtit. E di, dielli flet shqip atje, edhe qielli flet shqip. Këtu jo, është e çuditshme sa shumë mund të ndriçojë dielli këtu e të mos ngrohtë aspak…
Nuk e di nëse është më shumë mall apo dhimbje por një gjë e di me siguri, është një vuajtje që nuk ka kuptim e njeriu mbetet peng i shpirtit të tij përgjithnjë.
Largimet janë “gabimet” tona të domosdoshme për njëmijë arsye por që dhembin pafund.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu