ARKIVI:
9 Mars 2026

Romani i Muharrem Blakaj “Tri vija të kuqe”, vepër me cilësi dalluese artistike

Shkrime relevante

A është Kosova republikë, apo juristokraci, pyetja është tani…?

Agim Vuniqi, Vashington “Juristokracia i referohet një sistemi qeverisjeje ku gjyqtarët e...

Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi

Leonora Bruçaj - Keka _____ Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi _____ N’kët ditë...

Politika është mandat dhe jo vend për ata që nuk kanë bërë kurrë asgjë jashtë saj

Prof. Dr. Sabri Tahiri Në shoqëritë demokratike politika konsiderohet një formë e...

“Kopilhanja” pseudopolitike që iu hodh në qafë Albin Kurtit

Nga Sak Muji, Rugovë-Zvicër, i përndjekur politik (1981) 11 “KOPILËT” POLITIK QË...

Ky është udhëheqësi i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei

Mojtaba Khamenei Foto: Zyra e Udhëheqësit të Lartë Iranian / Reuters...

Shpërndaj

Ditë më parë, pata kënaqësinë të marr me postë romanin “Tri vija të kuqe”, dhuratë me përkushtim nga bashkëvendësi im, Muharrem Blakaj – veprimtar i çështjes kombëtare, ish-i burgosur politik, shkrimtar dhe publicist, si dhe autor i tetë veprave letrare.
Përshtypjet e para pas leximit:
Romani “Tri vija të kuqe” është një vepër me cilësi dalluese artistike dhe tematike. Ai shquhet për stilin ekspresiv, fjalorin e pasur, ndërtimin e kujdesshëm të fjalive, narracionin e qartë dhe dialogun e natyrshëm. Gërshetimi i realitetit historik me elementet e imagjinatës, ironia që shkon deri në sarkazëm dhe tensioni i vazhdueshëm që mban lexuesin në ethe, e bëjnë këtë roman tërheqës dhe artistikisht të fuqishëm. Dhe, të gjitha këto janë tregues të talentit dhe të punës së përkushtuar të autorit.
Ngjarjet e romanit zhvillohen në kontekstin e viteve ’80 në Kosovë, duke e vendosur në qendër familjen Mali, e sidomos birin e saj, Xhe-Malin, një aktivist i vendosur, i akuzuar dhe i ndjekur nga regjimi serb për veprimtarinë e tij patriotike. Si student i brumosur me idealet e kohës, Xhe-Mali, i betuar para Jusuf Gërvallës se do të luftojë për lirinë e popullit shqiptar, anëtar i grupit ilegal “Lëvizja Popullore për Çlirimin e Trojeve Shqiptare”, përballon ndjekjen, spiunazhin dhe akuzat e sajuara nga UDB-ja, derisa arrestohet dhe dënohet në bazë të një procesi të montuar politik, duke përfunduar me vrasje nga torturat e argatëve të sigurimit shtetëror në lokalet e Sigurimit në Pejë.
Romani pasqyron me realizëm mekanizmin monstruoz të UDB-së, i cili funksionon mbi bazën e shpikjes së armiqve politikë. “Jemi në dijeni se shkresat e lëndës mbi hetimin e ngjarjeve nuk përputhen fare me veprimet e të përgjuarve, por, siç tha më parë shoku Baboviq, armiqtë i krijojmë këtu. Armiku është përzgjedhur. Detyra e parë për ju është krijimi dhe përpunimi i tij. Mbështetu në ato pak dyshime që kemi, hiperbolizoji, përshtati dhe vendosi në krye. Nëse nuk mjaftojnë, sajoji. Sajesën përpunoje me finesë, derisa ta marrë formën e së vërtetës.”- thuhet në faqe të romanit. Është ky parimi thelbësor i mbrojtësve të regjimit, është ky urdhër i pa kthim i kryeshefit të Sigurimit. Dhe, ndaj atyre që nuk kalojnë në anën e regjimit, Sigurimi ka vetëm një vendim: S’je me regjimin, je kundër regjimit! Dhe, fundi i kundërshtarëve të regjimit është i prerë: burg ose varr.
Mesazhi i romanit: Ashtu si në jetë, edhe në roman, Xhe-Mali është pasqyrim i figurës së rezistencës së palëkundur dhe heroizmit, në kundërbalancë me aparatçikët e sistemit shtypës, që paraqiten si injorantë, sadistë dhe kriminelë.
Xhe-Mali mishëron shpirtin e sakrificës për lirinë kombëtare, duke u kthyer në një simbol të qëndresës.
Romani “Tri vija të kuqe”, me 160 faqe, është botuar nga SHB “Rozafa”, Prishtinë, në vitin 2024. Redaktor i veprës është Prend Buzhala, lektor Sulejman Dërmaku, ndërsa kopertina është realizuar nga Ekrem Gërvalla.
Duke e falënderuar për këtë dhuratë të çmuar, autorit Muharrem Blakaj i uroj shëndet dhe suksese të reja në krijimtarinë letrare!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu