Ilir Canhasi, Suedi
Deri sa të vritemi të gjithë
”Tills alla dör”, në shqip ”Deri sa të vritemi të gjithë”, quhet libri i Diamant Salihut që u botua në vitin 2021. Libër ky që u prit shumë mirë nga opinioni në Suedi, ku në të njëjtin vit ai u nderua me Çmimin e Madh të Gazetarisë ”Zëri i Vitit” mbi luftën dhe dhunën e bandave në Suedi.
Diamanti është një gazetar investigativ ku përmes librit tregon konfliktin mes grupeve të ndryshme kriminale në disa paralagje të Stockholmit.
Gjithçka filloi nga viti 2015 ku dy adoleshentë vriten mes veti nga shokë të tyre.
Këto vrasje bënë që shokët, që deri dje ishin rritur së bashku u ndanë në dy grupe kriminale duke filluar vrasjen e tyre mes veti.
Vrasje këto që tronditën jo vetëm Suedinë por edhe botën. Sipas të intervistuarve Suedia ka dështuar me integrimin e të huajve në shoqërinë suedeze.
Por ka edhe të tjerë që thonë se nga e njëjta familje fëmijët kishin zgjedhur rrugët e ndryshme, motra kishte marrë diplomën e universitetit ndërsa vëllau kishte marrë rrugën e kriminalitetit.
Një kriminel tregon se një herë kishte dëgjuar dikë të thoshte:
“Të jesh kriminel është si të urinosh mbi veten tënde, në fillim është e ngrohtë dhe e këndshme, por më pas bëhet ftohtë dhe bezdisshme”!
Diamanti, është shumë i kujdesshëm ndaj këtyre konflikteve që kryesisht janë të huaj me prejardhje nga Somalia, ai asnjëherë nuk drejton gishtin se kush mban përgjegjësi për këto vrasje, vrasje këto që edhe Presidenti Trump, i përmend disa herë kur ka të bëjë me politikën ndaj të huajve për qëllime të veta.
Por, ai gjithnjë në libër i drejtohet lexuesit me frazat si; ”me të gjithë që kam biseduar më kanë thënë se…” apo ”me shumicën që kam folur…”,
duke mos anuar nga asnjëra palë, për tu munduar të jetë sa më objektiv.
Citim nga libri;
Në varrimin e një të riu nga 15 të vrarë deri në vitin 2021, një prind i lagjes thotë:
>> Ne erdhem në këtë vend për hirin tuaj. Për t’ju shpëtuar. “Nuk kemi ardhur këtu për t’ju varrosur”.<<
Ai tregon se shumë nga të intervistuarit nga shoqëria somaleze, tregojnë se atyre ju mungon edukimi kolektiv. Kur u rritën në Somali, i gjithë komuniteti lokal ndihmoi me fëmijët. Përveç prindërve, kishte edhe familjarë të ngushtë, mësues të Kur’anit dhe fqinjë.
Ndërsa në Suedi, përballen me një shoqëri më individualiste në krahasim me shumë pjesë të tjera të botës, familjet tradicionalisht jetojnë vetëm. Fëmijët i dërgojnë në çerdhe, shkolla dhe shërbime sociale. Kjo ka bërë që shumë të rinjë kanë përfunduar në rrugën e gabuar.
Shumë nga të rinjë që janë në konflikt kanë lindur në Suedi ose janë rritur këtu. Ata nuk e kuptojnë as kulturën somaleze dhe as suedeze. Ata janë jashtë kontrollit të të rriturve.
Por e tëra kjo bjen poshtë kur kemi të bëjmë me motrat e tyre, ato dhe vëllezërit e tyre janë rritur në të njëjtat rrethana por këto kanë zgjedhur shkollimin, e jo rrugën e gabuar të vëllezërve të tyre.( shënim i imi)
Në fund kur gazetari – Dianant Salihu, pyet një kriminel se si e shifni zgjidhjen e këtij konflikti, ai përgjigjet;
>>Nuk ka asnjë zgjidhje.<<
>>Mendoni se duhet të vazhdojë?<<
>> Po<<
>>Deri kur?<<
>>Deri sa të vritemi të gjithë.<<
Dhe me të vërtetë vrasjet ende nuk kanë pushuar, ku shumë nga ta janë burgosur e të tjerë kanë ikur në shtete të ndryshme nëpër botë. Një problem që ende është aktual ka të bëj me kriminelët që për shërbime të tyre kriminale bëjnë rekrutimin e fëmijëve ku fëmijët shfrytëzohen për vrasje, shpërndarje të drogës duke mos i kapur ligji për dënime të larta.
Për fund dua të shtoj se edhe pse unë jetoj vetëm 60 km nga këto paralagje të Stockholmit, edhe pse kisha dëgjuar lajmet mbi këto vrasje, unë vetëm pas leximit të këtij libri kuptova më shumë se çfarë në të vërtetë po ndodh në vendin tonë, prandaj unë dua ta falënderoj për guximin, vështirësitë dhe rreziqet e punës së tij si gazetar hulumtues për botimin e këtij libri.
Në janar 2025, Diamanti ishte i ftuar si ligjërues në një takim të shoqatës ”Jehona” në Stokholm, ku foli për luftën kundër krimit dhe për karrierën e vet si gazetar hetues. Ky takim me yllin e gazetarisë mbushi një sallë me shikues shqiptarë e suedezë. Të hyrat nga ky event Diamant Salihu i dhuroi te Library Project Kosovo, një projekt i mërgimtarëve në Stokholm që mbështet bibliotekat shkollore në Kosovë.
Disa fjalë mbi autorin:
Diamant Salihu, është i lindur më 1 dhjetor 1983 në Gjakovë, Kosovë. Është gazetar dhe autor suedez. Në vitin 2006 Diamant Salihu u punësua në gazetën Expressen ku punoi si reporter dhe në mënyrë periodike ishte edhe korrespondent i gazetës në Londër dhe Nju Jork. Në vitin 2017, ai u punësua si gazetar në redaksi të lajmeve në televizionin publik suedez.
Ka të botuar dy libra, në vitin 2021 ”Tills alla dör”, shqip ”Deri sa të vritemi të gjithë”, dhe në vitin 2023 ”När ingen lysnar”, shqip ”Kur s’të dëgjon kush”.
Çmimet
Çmimi i Madh i Gazetarisë, 2021
Lopata e Artë, 2022
Çmimi i Bernës, 2022
Çmimi Raoul Wallenberg, 2023
Gazetar i vitit 2024
Foto nga takimi në Stockholm i ftuar si ligjërues nga ”Shoqata Jehona”.









