Sado që hulumtojmë dhe mbledhim informata, mbetemi të mahnitur nga qëndrimi stoik i disa familjeve shqiptare katolike në Shkup. Edhe kur u morën shtëpitë, tokat dhe bizneset e tyre, ata nuk u përkulën. Edhe kur u dëbuan me dhunë nga vendbanimet, kur iu mohua e drejta për të qenë vetvetja, dhe kur disa u detyruan të ndryshojnë jo vetëm emrin, por edhe kombësinë dhe fenë, ata ruajtën në heshtje thelbin e asaj që ishin. Kjo nuk është thjesht një histori dhimbjeje, por testament i një qëndrese që nuk pranoi të shuhet, pavarësisht çdo përpjekjeje për shuarje.
Disa familje shqiptare katolike në Shkup i mbijetuan kohës dhe stuhive të historisë. Vetëm pak prej tyre arritën të ruajnë mbiemrat shqiptarë brez pas brezi. U morën tokat dhe shtëpitë; u ndalua gjuha dhe arsimi në gjuhën amtare, dhe në disa periudha u ndalua edhe ushtrimi i fesë.
Persekutime, ndjekje, vrasje. Familje të ndara me forcë, fate të copëtuara. Kishte nga ata që u detyruan të braktisin emrin, fenë, gjuhën – madje edhe të martohen dhunshëm me kombësi apo besime të tjera. Këto nuk ishin thjesht vuajtje personale, por plagë kolektive që edhe sot mbeten të hapura në kujtesën tonë.
Sot përkujtojmë dy nga familjet më të njohura katolike shqiptare në Shkup. Familjet Ukajdari dhe Kurti, familje që i dhuruan ndër vite shumë komunitetit katolik dhe kombit shqiptar në të njejtën kohë e mbajtën gjallë besimin dhe traditën, në kohëra kur jeta e tyre ishte në rezik. LAVDI.

Në foto,familja Ukajdari dhe Kurti në Shkup në vitin 1943



