ARKIVI:
7 Mars 2026

Kali i Luftës, skicë e një mendimi politik shqiptar

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

Shkruan  NAFI  ÇEGRANI

( Ose: Hija e një krenarie në gjemë !)

E mbaj mend, shpesh gjyshi më thoshte: “Biro, nuk duhet të hahet mishi i kalit, sepse kali me nxitim shkon në linjën e parë të Frontit të luftës, dhe vdes në beteja si një heroi.” Kjo fjali më është ngulitur në kujtesë që nga fëmijëria, një mësim i dhënë me zërin e urtë të një burri që kishte parë luftë, vuajtje dhe sakrificë.

… Në mes të rrënojave të një mendimi që zhurmon por nuk mendon, ku fjalët janë më të shpejta se veprat, e veprat më të zbrazëta se shpresat, shfaqet ai — Kali. i zi, i lyer nga pluhuri i historisë, me sytë që kanë parë më shumë se burrat që mendojnë se udhëheqin.

Apo, si një krijesë fisnike, është edhe si  ai kali i bardhë i legjendave të arbërit, si ai që i printe flamurit në ditët e ngritjes. Tani ecën në një fushë me baltë të re, përballë stuhive të betejave të Ballkanit, ku idealet janë zëvendësuar nga interesa, dhe beteja zhvillohet jo për liri, por për pushtet të përçudnuar. Dhe prapë, ai ecën. I heshtur. I palodhur.

Kalë lufte, jo për luftëra të reja, por si kujtim i lavdisë që kemi humbur.

Në shpinë nuk i qëndron më një Skënderbe. As një njeri me barrën e një populli. Mbi shpinën e tij ngjiten e zbresin njerëz që flasin për kombin si për një ndërmarrje që duhet menaxhuar. Ndërsa ai, kali, e ndjen çdo peshë të pabesë, çdo mashtrim që ngjitet e zbret mbi të si mbi një truall të duruar.

E si të mos qe ky,  simbol i fisnikërisë së harruar!?!

Në këtë cep të Ballkanit, ku gurët flasin më shumë se parlamentet, ku rrugët shpien gjithnjë rrotull dhe kurrë përpara, kali është një kujtim i gjallë i dinjitetit. I asaj kohe kur fjala “burrë” kishte peshë, dhe nderi nuk ishte vetëm një fjalë për fjalime festive.

Tani kali vrapon, por nuk ka më një drejtim. Ai është liria që s’e gjejmë dot, krenaria që nuk e mbajmë dot në shpinë. Kali është pasqyra që na rrëfen dhe tregon për të kaluarën dhe të tashmentur,  na tregon atë që kemi qenë — dhe çfarë s’jemi më.

Kali, pra, siç thash edhe më lartë,  kjo krijesë fisnike, ka qenë gjithmonë pjesë e pandarë e historisë sonë si shqiptarë. Që nga kohërat e lashta, gjatë perandorive të ndryshme, në epokën e Skënderbeut e deri në ditët e sotme, kali nuk ka qenë vetëm një mjet transporti, por një bashkëluftëtar, një dëshmitar i betejave, një simbol i qëndresës dhe i sakrificës. Në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës, gjatë gjithë veprimtarisë së UÇK-së dhe veçanërisht në Operacionin “Shigjeta” në Pashtrik, kali bartte municionin, bukën dhe shpresën. Ai ecte nëpër male, pa u ankuar, pa u ndalur, i bindur vetëm thirrjes së luftës për liri.

Sot, në kohën e “paqes” së zhveshur nga ndjenja dhe vlera, kjo krijesë po zhduket. Kombi shqiptar gjendet në pragun e një vdekjeje simbolike – jo vetëm të kuajve, por të vetë kujtesës sonë historike dhe shpirtërore. Nëse nuk jemi të aftë të mbrojmë një krijesë kaq të lidhur me identitetin tonë, atëherë nuk jemi të aftë as të mbrojmë vetë identitetin.

Duhet të ngrejmë zërin kundër indiferencës së shtetit dhe të shoqërisë. Duhet të sigurojmë kullota, shtigje dhe kushte jetese që kuajt të mbijetojnë dhe të jetojnë me dinjitet. Kjo është më shumë se një kërkesë ekologjike apo rurale – është një detyrë morale dhe kombëtare.

Kur shkruaj për kalin e luftës, shkruaj për vetveten. Për trungun tim, për fjalët e gjyshit me flokë të bardhë si bora mbi Korab. Balli i tij me rrudha fliste më shumë se një libër historie. Ai ishte një kujtesë e gjallë e një kohe kur fjala kishte peshë, kur ndershmëria ishte virtyt, kur tradhtia ndëshkohej nga ndërgjegjja.

Sot, në një botë të rrëmbyer nga mashtrimi, politika është kthyer në një tregti të fëlliqur. Shqipfolës gjysmë-analfabetë, që vetëquhen politikanë, harrojnë se janë shërbëtorë të popullit dhe jo pronarë të tij. Ata nuk dinë për kalin e luftës, për djersën e malësorit, për gjakun e derdhur në emër të lirisë. Ata dinë vetëm për interesa, pazare, tradhti dhe zhvatje.

Kombet nuk rrezikohen vetëm nga armiqtë e jashtëm, por më shumë nga tradhtarët e brendshëm. Ata që shesin interesin kombëtar për karrige, për tenderë dhe për heshtje. Ata duhet të japin llogari. Duhet të dëbohen nga ndërgjegjja jonë kolektive.

Shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe kudo në diasporë, nuk duhet ta konsiderojnë këtë një çështje periferike. Lufta për vlerat nuk është një betejë e kaluar. Ajo është gjithmonë aktuale. Dhe kur themi “luftë”, nuk nënkuptojmë armë – por mendim, fjalë, ndjenjë, qëndrim.

Shqipëria natyrale nuk është një ideologji, por një e drejtë e mohuar dhe një e ardhme që kërkon ndërgjegjësim dhe veprim. Bashkimi nuk bëhet me flamuj, por me mendje të ndritura, me zemra të pastra, me veprime konkrete që nderojnë të kaluarën dhe garantojnë të ardhmen.

Kritika është e shëndetshme. Portalet dhe mediat duhet ta lejojnë fjalën e lirë, sepse kjo është baza e çdo demokracie të vërtetë. Duhet të guxojmë të flasim, të tregojmë të vërtetat tona, sepse heshtja është armiku më i madh i përparimit.

Kali i luftës është një metaforë për të gjitha vlerat që po shuhen. Është nderi, është sakrifica, është besnikëria, është guximi. Nëse lejojmë që kali të zhduket, lejojmë që këto vlera të na braktisin. Dhe atëherë, do të mbetemi pa kujtesë, pa rrënjë, pa drejtim.

Prandaj, ta nderojmë kalin e luftës siç nderojmë dëshmorët, sepse ai është dëshmitari i heshtur i gjithë lavdisë sonë. Ta shkruajmë këtë histori, ta rrëfejmë me krenari, ta trashëgojmë brez pas brezi.

Në emër të nderit, të lirisë dhe të jetës me kuptim. Në emër të kalit të luftës, që vrapon drejt historisë me kokën lart dhe me shpirtin e lirë.

Në udhëkryqin e historisë: Mendimi politik dhe filozofik shqiptar përballë furtunave të kohës, të shtjelluar me një ton filozofik, historik dhe politik, që trajton mendimin shqiptar përballë regjimeve të errëta dhe sfidës së ekzistencës kombëtare.

Në faqet e trazuara të historisë shqiptare, mendimi politik dhe filozofik ka lindur jo në qetësinë e akademive, por nën trysninë e burgjeve, internimeve, shfarosjeve, heshtjes dhe flakëve të përvëlimit kombëtar. Ka qenë një mendim që nuk është ushqyer me luksin e teorive të huaja, por me gjakun e të rënëve dhe me frymën e mbijetesës.

Shqiptarët, si një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, e kanë mbajtur të gjallë qenien e tyre kombëtare përmes një filozofie të heshtur që përzihej me qëndresën, me nderin dhe me etjen për liri. Në çdo fije bari të kësaj toke, në çdo gur të kalave të lashta, ka zëra që flasin për përballjen e përhershme me pushtime dhe dhunë, me asimilim dhe mohim.

Nëpër shekuj, furtuna të egra ideologjike frynë mbi këtë tokë: otomanizmi me errësirën e tij shekullore, sllavizmi shfarosës me etjen për tokën tonë, e më pas komunizmi, një diktaturë ideologjike që ndaloi mendimin e lirë dhe e ktheu njeriun shqiptar në një vegël të bindur të partisë. Por asnjë regjim nuk mundi ta shkundë rrënjën e thellë të ndërgjegjes shqiptare, të përftuar nga historia, gjuha dhe gjaku.

Mendimtarët shqiptarë, nga Sami Frashëri te Ukshin Hoti, nga Faik Konica te Pashko Vasa, nga Noli te Migjeni, ishin jo vetëm përkthyes të ideve perëndimore në kontekst shqiptar, por edhe krijues të një filozofie autentike, që e ndërtoi vizionin për kombin mbi drejtësinë, dijen dhe dinjitetin.

Në vend të fatalizmit, ata predikuan veprimin; në vend të përuljes, krenarinë; në vend të urrejtjes, njerëzinë. Ata e panë kombin si një projekt etik, si një bashkësi që duhet të ndërtohet mbi kujtesën, por që gjithmonë duhet të shikojë nga e ardhmja.

Sot, mendimi filozofik-politik shqiptar është ende i plagosur nga padrejtësitë e së shkuarës, por nuk është i mposhtur. Ai është ftesë për ringjallje, për një vetëdije të re kombëtare që nuk kërkon vetëm mbijetesë, por drejtësi, zhvillim dhe bashkim shpirtëror.

Sepse kombi ynë, në të gjitha stinët e errëta të historisë, ka ditur të mos përkulej përpara erës me ngrica akulli. Ai ka marshuar përpara, me shikimin nga drita – nga liria.

 

 

 

 

============================

Rreth autorit:

Nafi Çegrani është një nga figurat më të veçanta që ka nxjerrë trualli i Çegranit – bir i një vendi me rrënjë të thella atdhedashurie, ai përfaqëson më shumë se një intelektual: është zë, është kujtesë, është simbol qëndrese.

Në jetën dhe fatin e tij përplasen epokat më të errëta të historisë moderne shqiptare – periudha të mjegullta, të përndjekjeve politike, të dhunës ideologjike dhe të hakmarrjes së sistemit ndaj ndërgjegjes njerëzore. I rritur me ndjeshmërinë e drejtësisë dhe me idealet e një brezi që besonte në të vërtetën, Nafi Çegrani nuk zgjodhi heshtjen as kompromisin.

Por pikërisht për këtë, do të përballej me makinerinë më të egër të shtetit jugosllav: Shërbimin famëkeq të UDB-së. I akuzuar padrejtësisht në një proces të inskenuar në Zenicë të Bosnjës në vitin 1981 – sipas modelit stalinist të “gjyqeve popullore” – ai u shndërrua në “kokë turku”. E burgosën. E torturuan. E dënuan me vdekje. Në ballin e tij u përplasën stuhi erërash me ngrica akulli… por ai mbeti gjallë për të dëshmuar.

Sot, ai është një kujtesë historike dhe një rrëfimtar i veprimtarive të padukshme të spiunazhit në Ballkan. Nafi Çegrani është zëri i një brezi që nuk u dorëzua. Ai mbetet dëshmitari i gjallë i një lufte të heshtur, një memorie e hapur për rreziqet e harresës dhe një thirrje për ndërgjegjen shqiptare – për të vërtetën dhe për lirinë.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu