U SHOFTE kombi anglezl !
“Minjtë s’kanë një vendbanim të caktuar gjeografik. Miku im i vjetër A. Tenisoni ka thënë, dhe e ka thënë me vend:
Profet, mallko gjuhën e gjatë,
Dhe mallko miun e ndyrë britanik.
(O’HENRY “Qyteti pa ngjarje’ faqe 4)
Ajo ishte vieneze. Në moshën e rinisë kishte kënë grua fort e bukur. Masandej, vitet, rrethanat, dhëmbja për atdheun e humbun, malli pë gjinden e saj, shtypja e komunistëve etj, e kishin thinjë para kohe.
I shoqi, Gasperi, djalë shkodran, kishte shkue për studime në Austri.
Ishin njohë në universitetin e Vienës. Ai dallohej mes tanë studentave, si për pamjen, zgjuarsinë, shkathtësinë, humorin e kandshëm. Dhe ajo e deshi marrëzisht.
– Po a do vish me mue në Shkodër ? – e kishte pyetë ai.
– Deri në fund të botës, – ishte përgjigja e prerë e saj.
U martuan në Vienë dhe masandej u kthyen në qytetin që i fillonte historia në kohët e pashkrueme.
Gjithçka u shkonte për së mbari. U lindi një djalë dhe e pagëzuen Gaspar. Shkurt e thirrshin Gac.
Masandej erdhi koha e kurveleshokomunistave. Çdo andërr, çdo projekt, gjithçka u rrokullis nan kambët e tynë me tërsëllime e tmerr.
Me shumë zori e përpjekje ajo mundi të mbetej profesoreshë në gjimnaz. Gaci rritej e i ngjante aq shumë të atit. Po, ky i fundit u dha mas gotës, dhe u katandis pijanec.
Profesoresha, nuk shkonte dot me pa prindët. Edhe letrat nuk u shkonin. Ndoshta edhe letrat që ata i shkruanin përfundonin në degën e punëve të mbrëndshme.
Dhe ajo u mbyll në vetvete. E gjithë përkushtimi dhe dashtunija e saj ishin tek i biri, dhe lutej për të gjithë kohën si katolike e devotshme.
Gaci, Gac Sharkaxhia, i kishte tre shokë. Vetë i katërti luanin, shetisnin, e argëtoheshin deri vonë me sa u lejonte koha. Shokët e tij, e donin fort. Ishte kanakari i grupit. Gjoka ishte i gjatë e krenar, përherë i qeshun e zgjidhës i çdo situate. Ademi, nuk shquhej vetëm për dashamirësine dhe korrektësinë. Beqiri ishte lojcak, tanë humor e fantazi. profesoresha i donte fort, por me Beqirin bisedonte veçanarisht.
Djemte rrinin deri natën vonë dhe ajo shqetësohej. Kur Gaci kthej ajo i thosh:
– Gac, zëmra e nanës, m’banë marak, mos kah shkove.
– Nanë m’zuni bulluri, – përgjigjej ai.
– Tanë kohës bulluri ma mban djalin, – mendonte ajo.
Dhe një ditë ajo i thote Beqirit:
– Beqo, o bir, ma sill pash Zotin, ta shoh i herë atë “bullurin”, kush asht. Se po ma vonon çdo natë Gacin deri vonë.
Kur binte në mendime i thosh Beqirit gati tuj folë vet me veti:
– Ndij mor bir: U ndava me njerëzit e mi për së gjalli. Tash unë për ata e ata për mue kanë dekë. Burri m’u ka ba gjysë njeri. Por, desht Zoti e kam i kyt djalë. Po t’baj be, se edhe kët djalë e jap t’kish me u shue kombi anglez.


