Shkruen e knon: Lirim Patrioti
(Lirim Gashi, Prizren)
Apo si e shërova një patriot profesional nga iluzioni se populli ende i beson
Një ditë më ndali në Sheshin “Nënë Tereza” një funksionar i lartë i PDK-së – një krijesë politike aq e rrallë, sa biologët ende nuk kanë arritur ta klasifikojnë me saktësi: gjysmë patriot, gjysmë investitor, me instinktin e grabitqarit ndaj buxhetit publik dhe me një ndjenjë të thellë romantike për pronat e paluajtshme.
Me sy të përlotur më pyeti:
— Lirim, si mund të shërohem nga lakmia kronike dhe nga kleptomania e tepruar?
— Përveç kësaj, kam edhe një problem të vogël: gënjej pa pushim se gjatë luftës kam qenë çlirimtar heroik, ndërsa në paqe patriot i paarritshëm. Çfarë terapie më rekomandon?
E shikova me dhembshuri.
— Së pari, — i thashë, — duhet ta pranosh se nuk je patriot.
— Si nuk jam patriot?! — u revoltua ai. — Unë e dua Kosovën aq shumë, sa kam ndërtuar shtatë vila, katër kulla dhe dy komplekse turistike!
— Pikërisht aty qëndron problemi, — iu përgjigja. — Njerëzit e zakonshëm, kur e duan Kosovën, mbjellin pemë. Ti, sa herë që të kap dashuria për Kosovën, e ndërton nga një vilë të re për vetveten.
Ai e uli kokën.
— Po me kleptomaninë çfarë të bëj?
— Për këtë ekziston një metodë shkencore. Çdo mëngjes dil para pasqyrës dhe thuaj tri herë: “Jo çdo gjë që nuk më përket mua është duke pritur të bëhet e imja.”
— Po me gënjeshtrat heroike?
— Edhe më lehtë. Merr pjesë në një maratonë prej pesë kilometrash. Nëse arrin deri në fund pa kërkuar veturë zyrtare, eskortë policore apo ekip televiziv që ta dokumentojë heroizmin tënd inekzistent, atëherë e ke bërë hapin e parë drejt shërimit.
— Po patriotizmi im?
— Për patriotizmin ta rekomandoj një analizë laboratorike. Dorëzoje në institutin e forenzikës ndonjë provë për ndonjë çetnik të armatosur që e ke vrarë gjatë luftës, ose të paktën ndonjë faturë tatimore që e ke paguar me dëshirë.
Ai u zverdh menjëherë.
— Nuk e kam asnjërën.
— Atëherë, për fat të keq, patriotizmi yt rezulton të jetë vetëm një alergji sezonale që aktivizohet pak para zgjedhjeve.
Në fund më pyeti me zë të dridhur:
— A ka ende shpresë për mua?
— Sigurisht që ka, — i thashë. — Por trajtimi do të jetë i gjatë. Fillimisht duhet t’i kalosh 30 ditë pa e përmendur fare luftën tënde heroike, 60 ditë pa e përmendur patriotizmin tënd legjendar, 90 ditë pa e vizituar varrin e ndonjë heroi të vërtetë dhe gjashtë muaj pa e inauguruar ndonjë pronë të re private në emër të popullit.
— Dhe pastaj?
— Pastaj do të jesh plotësisht i shëruar.
— Nga lakmia?
— Jo.
— Nga kleptomania?
— Jo.
— Atëherë nga çfarë?
— Nga iluzioni se ende ka njerëz që të besojnë.
Atëherë ai tha:
— Lirim, qenke vërtet i pamëshirshëm.
— Unë të kërkova mbështetje morale, e jo udhëzim për trajtim gjithëpërfshirës në Spitalin Neuropsikiatrik të Shtimes te dr. Luan Ibrahim Gacaferi.


