
Nga: Isuf Bajraktari
Kuvendi nuk mund të funksionojë mbi mite historike e retorikë ideologjike, por mbi institucione dhe përgjegjësi konkrete.
Në seancën e fundit të Kuvendit, dështimi nuk u mbulua me argumente institucionale, por me retorikë të ngarkuar ideologjikisht dhe me simbole historike të keqpërdorura. Demokracia nuk ndërtohet mbi mitologji, por mbi institucione funksionale, përgjegjësi dhe transparencë ndaj qytetarëve.
Në lexim të kujdesshëm të deklaratave të bëra pas seancës, vërehet qartë se nuk kemi të bëjmë me analiza të fakteve politike apo institucionale, por me tekste të mbushura me ngarkesa ideologjike dhe me përpjekje për ta veshur realitetin me mite historike, duke shmangur qëllimisht esencën e debatit shoqëror e parlamentar.
Përdorimi i figurave të lavdishme kombëtare dhe i emrave me peshë historike për ta justifikuar dështimin e sotëm politik nuk është gjë tjetër përveçse një tentativë për të maskuar mungesën e përgjegjësisë dhe të transparencës. Është një metodë e vjetër, kur mungon argumenti real dhe kur mungon llogaridhënia konkrete, zëvendësohet me simbolikë dhe akuza të përgjithshme.
E vërteta është se bllokimi i konstituimit të Kuvendit nuk ka të bëjë as me emrat e nderuar që përmenden, as me figurat e historisë së lavdishme. Ka të bëjë thjesht e vetëm me qasjen aktuale të forcave politike, të cilat kanë detyrim t’i shërbejnë interesit të qytetarëve dhe jo të fshihen pas narrativave të ndërtuara mbi frikëra apo mitizime.
Demokracia nuk matet me përdorimin e figurave kombëtare në fjalime, por me aftësinë për të respektuar proceset, për të ndërtuar institucione funksionale dhe për t’i shërbyer interesit publik. Sovraniteti, integriteti dhe barazia para ligjit nuk afirmohen me akuza të shpërndara pa bazë, por me vepra konkrete dhe qeverisje të përgjegjshme.
Çdo përpjekje për ta portretizuar opozitën si armike të lirisë, të sovranitetit apo të popullit, është tentim i rrezikshëm për ta polarizuar opinionin dhe për ta fshehur mungesën e kapaciteteve qeverisëse. Në demokraci, opozita nuk është as armiqësi dhe as pengesë e kombit, por është instrument i domosdoshëm i kontrollit dhe balancës institucionale.
Prandaj, e vërteta nuk qëndron në tekstet e mbushura me ngarkesë ideologjike. Përmes retorikës së tillë, kërkohet të fshihet realiteti politik dhe t’i largohet qytetarit vëmendja nga problemet reale të vendit. Kosova ka nevojë për institucione që funksionojnë, për demokraci substanciale dhe për një qeverisje që respekton të gjithë qytetarët – jo për mitologji që e ndajnë shoqërinë dhe kthejnë debatin politik në retorikë të zbrazët.


