BUKËSHKALËT – KUNDËR GJYKATËS SPECIALE
Secili pjesëmarrës në protestat kundër Gjykatës Speciale (Dhomave të Specializuara) është bukëshkalë! Sigurisht, ka dallime mes tyre, nuk është grupim homogjen. Disa janë marioneta të agjenturës armiqësore serbe, BIA, e cila po e koordinon luftën diversioniste kundër Gjykatës Speciale. Grupimi i dytë janë matrapazë profiterë thaçistë, që kishin përfitime ekstra gjatë sundimit të Thaçit. Grupimi i tretë – më i madhi – janë patriotë e idealistë naivë, që shpesh bëhen pre dhe dëm kolateral i marionetave të agjenturave armiqësore dhe matrapazëve profiterë. Janë edhe disa politikanë që angazhohen për ta rritur afirmimin e tyre populist.
Që në fillim po shfaq dilemën: pse funksionarët e Shqipërisë – sidomos kryeministri Rama dhe ish-kryeshefi i SHISH-it, prof. Fatos Klosi – po angazhohen pothuajse vetëm për Hashim Thaçin, kur ata kanë pasur mundësi të informohen edhe nga agjenturat simotra perëndimore, se Hashimi moti është rekrutuar nga RDB-ja (pararendësja e BIA-s), e cila gjatë luftës sonë çlirimtare Hashimn ia kishte dhënë “hua” DGSE-së franceze – atëherë ekstremisht pro regjimit të Millosheviqit – që ta keqpërdorte për komplot në nivel ndërkombëtar (siç ndodhi gjatë Konferencës në Rambuje, ku, me urdhër të RDB-së dhe DGSE-së, Hashimi u imponua kryetar delegacioni dhe, po me urdhër të DGSE-së, Hashimi refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen më 23 shkurt 1999 në Rambuje, sepse gjatë gjithë Konferencës e komandoi “shoku” Denjean Arnaud)?!
[Përjetim personal: më 7 qershor 1999, kur po ndodhte Samiti Ndërkombëtar për Kosovën në Këln të Gjermanisë, gati sa nuk më ndodhi edhe një zënkë fizike me shefin e sektorit në DGSE, Denjean Arnaud, i cili u kontrabandua në hotelin “Maritim”, ku sapo po sistemohej Thaçi (i shoqëruar nga Bilall Sherifi). Ai më atë rast m’u prezantua sinqerisht si shef në DGSE, duke ma dhënë edhe kartëvizitën, por edhe si shok i Thaçit. Fatkeqësisht, kam pasur telashe edhe nga BKA-ja gjermane, e cila e menaxhonte sigurinë e Samitit, për shkak të penetrimit të atij kryeagjenti francez në hotelin që ishte rezervuar nga kancelari gjerman për t’i sistemuar vetëm delegacionet shtetërore, pjesëmarrëse në Samit.]
Pse janë bukëshkalë këta që protestojnë kundër Gjykatës Speciale? Sepse Gjykata Speciale është ideuar dhe imponuar nga DASH-i i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, DASH-i e ka bindur BE-në për ta formuar këtë gjykatë në kuadër të juridiksionit të Republikës së Kosovës, meqë donte të demantohej dhe diskreditohej raporti i Dik Martit, i miratuar nga Asambleja e Këshillit të Evropës më 25 janar 2011 (atëherë i dominuar nga shumica e parlamentarëve serbofilë).
DASH-i nuk ishte pajtuar me komprometimin e SHBA-ve nga raporti i Martit, sepse UÇK-ja në të ishte paraqitur si super-kriminale. Dhe për këtë arsye, ai raport komprometonte edhe vetë SHBA-të, sepse gjatë bombardimeve NATO kishte pasur bashkëpunim me UÇK-në.
Ky ka qenë motivi kryesor pse DASH-i e ideoi dhe imponoi krijimin e Gjykatës Speciale. Këtë e heshtin pisat, të cilët po simulojnë tifozëri ndaj Thaçit, por në fakt janë kundër SHBA-ve dhe kundër UÇK-së. Ata pisa janë instruktuar nga BIA për të dezinformuar se Gjykata Speciale po e gjykon UÇK-në dhe Luftën tonë çlirimtare. E kundërta po ndodh: procesi gjyqësor në Hagë po e fisnikëron UÇK-në dhe Luftën tonë çlirimtare, sepse po e demanton dhe diskrediton raportin e Dik Martit – i cili ishte një aktgjykim politik, shovinist dhe diskriminues!
Për më tepër, me këtë orkestrim të protestave kundër Gjykatës Speciale, BIA po i manipulon turmat injorante, që Kosova të përçahet edhe më shumë me shtetet që e kanë krijuar, po e financojnë dhe po e menaxhojnë Gjykatën Speciale. Këto shtete janë: SHBA-të, BE-ja, Anglia, Norvegjia, Zvicra…
Edhe të gjithë kuadrot që i përbëjnë këto institucione të juridiksionit të Republikës së Kosovës vijnë nga këto shtete. Prandaj është idiotike t’i difarmosh kuadrot e këtyre institucioneve si serbofilë apo marioneta të korruptuara nga Serbia! Po aq idiotike është që turlifarë juristi apo analisti t’i akuzojë prokurorët e ZPS-së dhe gjyqtarët e Gjykatës Speciale se nuk po zbatojnë ligjet kompetente dhe të drejtat e njeriut, apo se po zhvillojnë proces diskriminues dhe shovinist kundër “liderëve” të UÇK-së. Këta pisa bëjnë sikur nuk e dinë që këto institucione janë formuar për të hetuar dhe gjykuar të gjitha shpifjet që i përmban raporti i Dik Martit, prandaj edhe po zgjat kaq shumë procesi gjyqësor kundër Thaçit & Co. [Slobodan Millosheviqi qe mbajtur në paraburgim nga 1 prilli 2001, deri sa bëri vetëvrasje në burgun e Hagës, më 11 mars 2006…]
Gjithmonë i kam falënderuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që e kanë mirëkuptuar dhe aprovuar idenë dhe kërkesën e SHBA-ve për formimin e këtyre institucioneve në kuadër të juridiksionit të Republikës së Kosovës – edhe pse ishin ndër të akuzuarit kryesorë në raportin e Dik Martit. Kundërshtarët e formimit të atyre institucioneve, atëherë dhe sot, i kam diskualifikuar si marioneta të Beogradit fashistoid dhe si viktima kolaterale të tyre.
Uroj që kjo fushatë kundër Gjykatës Speciale, e orkestruar nga BIA dhe matrapazët profiterë, të ndalet, sepse në interes të shtetit tonë, të UÇK-së dhe të Aleancës NATO, por edhe në interes të akuzuarëve, është që ky proces gjyqësor të përmbyllet sa më shpejt, duke u bazuar në drejtësinë ligjore dhe pa qenë i ndikuar nga tërbimi i turmave injorante, të manipuluara nga Beogradi fashistoid!
(ibrahim kelmendi)
[Në foto protestuesit në Tiranë, më 17.10.2025.]



