“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë të njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja”, thuhet në letër.
Viktima tutje kishte shkruar se uron që institucionet përgjegjëse të mos detyrohen të japin llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta e saj, derisa letrën e dërguar e kishte quajtur “shpresën e saj të fundit”.
“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, përfundon letra.
Gjithashtu sipas Policisë, ditën kur u vra në orën 19:00 në Stacionin Policor në Pejë viktima kishte njoftuar për dhunë në familje, ku ishte arrestuar bashkëshorti i saj e ishte ndaluar më pas për 48 orë. E më vonë, sipas njoftimit, viktima “me vullnetin e saj” ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomericë. Rreth orës 21:10 Policia ishte njoftuar se e njëjta ishte gjetur pa shenja jete.
I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili sipas Policisë është ende në arrati. Viktima thuhet se ka vdekur pas goditjeve me mjet të fortë.
E pas publikimit të letrës së viktimës në media, në orët e para të së hënës ka reaguar Prokuroria Themelore në Pejë.
Prokuroria ka njoftuar se më 22 tetor, “kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., përmes së cilës ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor”.
“Me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, parashtresa u regjistrua për trajtim nga prokurori kompetent. Njëkohësisht, ajo iu përcoll për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që të shqyrtohen pretendimet dhe të verifikohen lëshimet e mundshme apo veprimet e zyrtarëve përkatës, brenda kompetencave të tyre institucionale”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.
Sa i përket ekzekutimit të vendimit gjyqësor, i cili kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ky vendim ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Lidhur me rastin ka pasur reagime nga ku është kërkuar dorëheqje dhe llogaridhënie nga personat kompetent në organet të cilat konsideroheshin që mund ta mbronin jetën e viktimës.
Prokuroria në Pejë: Janë iniciuar hetime ndaj zyrtarëve të përmendur në parashtresën e Arlinda Zekajt
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se janë iniciuar hetime ndaj zyrtarëve të përmendur nga Arlinda Zekaj. Siç ka thënë ai viktima në një parashtresë ka pretenduar se një zinxhir zyrtarësh e kishin neglizhuar rastin e saj.
Nikçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se parashtresa ishte pranuar nga kryeprokurorja. Në paragrafin e parë, Zekaj kishte ngritur pretendime për neglizhencë institucionale, për të cilat, sipas tij, janë iniciuar hetime.
Duke folur për pjesën tjetër të parashtresës, ai ka thënë se viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës. Sipas Nikçit, vendimi gjyqësor përfshinte edhe urdhrin që bashkëshorti të mos i afrohej brenda distancës prej 2 metrash.
Ai ka deklaruar se vendimi ishte ekzekutuar të enjten, në praninë e policisë, ndërsa disa orë më vonë kishte ndodhur një konflikt.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, viktimës i ishte kërkuar të mos shkonte në atë shtëpi, pasi mund t’i rrezikohej siguria.
Nikçi ka shtuar se ishin ftuar edhe 2 vëllezërit e saj, që ta bindnin të qëndronte në shtëpinë e tyre derisa të gjendej një zgjidhje.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të bëra publike, ndodhet ende në arrati.
Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Në letrën që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej dhe kishte shprehur shqetësimin se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të merrej një jetë njerëzore./KP
QIKA me aksion simbolik, mbishkrimi “Shteti e vrau Arlindën” vendoset në ndërtesën e Qeverisë
Organizata QIKA ka realizuar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Aktivite të kësaj organizatë kanë vendosur mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës së Qeverisë, ndërsa kanë hedhur ngjyrë të kuqe në shkallët e ndërtesës, siç kanë thënë si simbol i jetëve të humbura dhe i përgjegjësisë që, sipas tyre, duhet të mbajë shteti.
Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, ka thënë se Arlinda Zekaj kishte ndjekur procedurat ligjore për të kërkuar mbrojtje, por, pavarësisht kësaj, nuk ishte arritur të parandalohej vrasja e saj.
“Arlinda Zekaj kërkoi mbrojtje nga shteti. Ajo iu drejtua institucioneve, ndoqi procedurat ligjore, siguroi urdhër mbrojtjeje dhe paralajmëroi qartë për rrezikun që i kanosej. Institucionet ishin të njoftuara. Rreziku ishte i dokumentuar. Megjithatë, pak minuta më vonë, Arlindën e vranë”, tha ajo.
Asllani ka ngritur pikëpyetje për efektivitetin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e grave nga dhuna, duke theksuar se ndjekja e procedurave ligjore nuk duhet të mbetet pa rezultat.
“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet, të kërkojnë urdhra mbrojtjeje dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet?”, tha ajo.
Ajo ka kërkuar hetimin e të gjitha hallkave institucionale përgjegjëse, duke theksuar se askush nuk duhet t’i shmanget llogaridhënies përmes procedurave apo kompetencave institucionale.
“Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë përballë dhunës, edhe kur ato kërkojnë ndihmë dhe paralajmërojnë për rrezikun që u kanoset. Të gjitha hallkat institucionale përgjegjëse duhet të hetohen. Askush nuk mund të fshihet pas procedurave dhe kompetencave për t’iu shmangur përgjegjësisë”, tha Asllani.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që të gjithë personat, veprimet apo mosveprimet e të cilëve mund të kenë kontribuar në dështimin për ta mbrojtur Arlindën, të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.
“Të gjithë ata që, përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, kontribuuan në dështimin për ta mbrojtur Arlindën, duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”, tha ajo.
Duke shpjeguar simbolikën e aksionit, Asllani ka thënë se ngjyra e kuqe e hedhur në shkallët e Qeverisë përfaqëson një akuzë dhe një kujtesë për jetët e humbura, si dhe për përgjegjësinë institucionale.
“Ngjyra e kuqe që hodhëm sot në shkallët e Qeverisë është akuzë. Është kujtesë e jetëve të humbura dhe e përgjegjësisë që shteti duhet të mbajë”, tha ajo./EkonomiaOnline
Policia e shpall në kërkim të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Albert (Sylejman) Sylaj i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Përmes publikimit të një fotografie të të dyshuarit, Policia ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për gjetjen e të dyshuarit.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftim.
Prokuroria: Viktima kishte urdhërmbrojtje për gjashtë muaj – “ajo kishte kërkuar të kthehej në shtëpi te djali”
Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.
Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës, Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.
“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.
“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit. Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.
Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.
Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.
Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.
“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.
Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.
Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.
Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.
Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.
Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.
Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.
Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.
“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.
Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Arbërie Nagavci ka thënë se sot në orën 16:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Nagavci në një deklarim për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se personat të cilët nuk kanë vepruar në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbahen përgjegjës.
Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës dhe i dyshuar për rastin është kunati i saj i cili ende gjendet në arrati.
Thirret protestë kombëtare pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se protesta “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare” do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Tutje, në thirrjen për protestë thuhet se kjo javë është thirrja e fundit për revoltë kombëtare për ta mbrojtur jetën e grave në Kosovë.
“Duhet t’i lëmë shtëpitë, punët, klasat e mësimit për t’i mbushur sheshet e dyert e institucioneve që po shpërfillin totalisht jetën dhe sigurinë e grave cep më cep Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë një normalitet të sforcuar kur gratë po dhunohen, rrihen e edhe vriten para syve tanë”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se vrasja me sëpatë e një gruaje nga kunati është alarmi për luftën që u është shpallur grave.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka deklaruar se Arlinda Zekaj e kishte lutur për ndihmë një shtet që, sipas tij, është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave.
“Sikurse rastet e tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila e kishte lutur për ndihmë një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave. Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësimin e shtetit, i cili nuk u beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shohë ato kryesisht si prona të burrave. Na është treguar vazhdimisht që ky shtet nuk është edhe shtet për gratë. Na është treguar po ashtu që kjo shoqëri i urren dhe i dhunon gratë deri t’ua marrë frymën e fundit. Ne e kemi mësuar këtë përgjakshëm. E kemi mësuar dhunshëm se ne luftën tonë duhet ta bëjmë në disa fronte, si kundrejt shoqërisë patriarkale, ashtu edhe ndaj patriarkisë shtetërore që po na mban nën frikë, terror e dhunë, e disa prej nesh edhe po ua merr jetën me sakicë, plumb a grushte”, thuhet në njoftim.
Në thirrje thuhet se nga e mërkura e në ditët e tjera do të dalin rrugëve dhe do të bllokojnë çdo institucion.
“Andaj, të mërkurën, të enjten, të premten e ditët në vijim, ne do të dalim rrugëve e do të bllokojmë institucione, sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari. Nisemi prej sheshit Zahir Pajaziti, te Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e deri te Qeveria. Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla e drejtësi për gratë e vrara. Na u bashkoni”, thuhet në njoftim.
Gashi paralajmëron masa “nëse konstatohet neglizhencë nga zyrtarët përgjegjës” në rastin e vrasjes në Pejë
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka kërkuar raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt dhe ka autorizuar analizimin e veprimeve institucionale lidhur me këtë rast.
Në një njoftim për media thet se nëse konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar
Tutje në njoftim thuhet se Gashi ka ndërmarrë veprime për të shqyrtuar trajtimin institucional të rasteve të raportuara nga e ndjera Zekaj, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës dhe i dyshuar për rastin është kunati i saj.
“Kryeprokurori i Shtetit ka autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve, në të cilat viktimë ka qenë e ndjera Arlinda Zekaj”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, thuhet se është kërkuar raport i detajuar me shkrim lidhur me kronologjinë e trajtimit të rasteve të së ndjerës, duke përfshirë identitetin e personave të raportuar dhe cilësimin juridik të rasteve; të dhënat për prokurorët kujdestarë dhe prokurorët që i kanë trajtuar rastet; veprimet procedurale të ndërmarra dhe kohën e ndërmarrjes së tyre; vendimet e nxjerra dhe arsyetimin përkatës; vlerësimin e rrezikut dhe masat e kërkuara ose të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës; komunikimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante; si dhe trajtimin e shkresës së viktimës të datës 22.10.2026 dhe çdo informacion tjetër me rëndësi për vlerësimin e plotë të veprimeve të Prokurorisë.
Gjithashtu, Inspektoratit Policor të Kosovës thuhet se i është kërkuar që, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, të ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore dhe verifikuese lidhur me trajtimin e të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera në Policinë e Kosovës.
“Këto veprime përfshijnë shqyrtimin e mënyrës së pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të raportimeve të saj, si dhe të veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë së tyre dhe identifikimit të përgjegjësisë eventuale individuale dhe institucionale”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se pas pranimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe raporteve përkatëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale, në përputhje me kompetencat përkatëse.
“Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”, thuhet në njoftim.
VV-ja nis mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se janë duke mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për ditën e sotme, pas vrasjes së një gruaje një Vitomiricë të Pejës.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se si hap të parë do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast dhe për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e institucioneve.
“Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, e cila tri ditë më parë kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, është një tragjedi që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar ajo.
Nagavci ka shkruar se Arlinda Zeka kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë.
“Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Përgjegjësia matet me aftësinë për ta parandaluar dhunën dhe për të reaguar me kohë. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar ajo.
Shiroka-Pula: Rrethanat në të cilat ndodhi vrasja në Pejë kërkojnë hetim urgjent e të paanshëm
Ajo ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte.
“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj. Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka shkruar Shirka-Pula.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që siç ka shkruar, çdo rrethanë e këtij rasti të hetohet dhe drejtësia të vihet në vend.
“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të gjithë të afërmve të saj. Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, ka shkruar Shiroka-Pula.
Sipas Policisë vrasja e Arlinda Zekajt ka ndodhur të dielën në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar është kunati i viktimës. I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa viktima dyshohet se është vrarë pas goditjeve me një mjet të fortë.
Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen Arlinda Zekajt
Ajo ka thënë se hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj.
“Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje. Tri ditë më parë, ajo i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë: ‘Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime’. Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkojë që komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me theks të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkërendimi ndërinstitucional.
“Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ligjet që miratojmë të zbatohen dhe që mangësitë të trajtohen para se të kushtojnë jetë të tjera”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu për rastin ka folur edhe në një deklarim për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo ka thënë se vrasja e Arlinda Zekajt është alarm për shoqërinë.
Sipas saj nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por se ato duhet edhe të zbatohen nga institucionet përgjegjëse.
Haxhiu ka thënë se “Vetë institucionet e drejtësisë dhunuesin po e shndërrojnë në vrasës”.
“Veprimet institucionale në kuptim të adresimit te mekanizmave … i kemi ndërmarrë me kohë. Nuk janë ndërmarrë asnjëherë më shumë veprime për të mbrojtur gratë … problemet që ne i kemi janë se ligjet dhe mekanizmat nuk zbatohen”, është shprehur Haxhiu.
Ajo ka thënë se femicidi duhet të trjetohet me vigjilencë.
Gjini: Nëse kjo vrasje kalon pa arrestime e shkarkime, institucionet s’janë më mbrojtëse të ligjit
Në një postim në Facebook ka shkruar se tetë gra të vrara brenda këtij viti, janë tetë dëshmi që sistemi i drejtësisë në vend nuk e mbron askënd.
“’Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime’. Kjo fjali nuk u shkrua si letër. Kjo fjali u shkrua si testament. Arlinda Zekaj e kishte kuptuar saktësisht. Tetë gra të vrarë brenda vitit janë tetë dëshmi se sistemi ynë nuk mbron askënd. Këtu po flasim për një shtet që thjesht nuk ekziston për njerëzit e vet”, ka shkruar ai.
Gjini ka thënë se nëse kjo vrasje kalon pa arrestime, pa shkarkime dhe pa dorëheqje të menjëhershme të atyre që e injoruan alarmin e saj, atëherë institucionet nuk janë më mbrojtëse të ligjit, por spektatore të krimit.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arlindës dhe të gjithë atyre që e njohën”, ka shkruar ai.
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka kërkuar përgjegjësi nga organet e drejtësisë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomericë të Pejës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se rastet e vrasjeve po ndodhin shpesh në Kosovë, duke shtuar se është tejkaluar çdo limit njerëzor.
“Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryejë punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Mbi të gjitha, është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre”, thuhet në njoftim.
Abdixhiku për vrasjen në Pejë: Kërkojmë llogari, përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur të rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet e papërmbushura.
Sipas tij, përgjegjësia për vrasjen e saj duhet të ketë emër dhe mbiemër.
“Arlinda kërkoi të jetonte. Kërkoi mbrojtje nga shteti. Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj. Sot, letra e saj është këtu. Arlinda nuk është më. Ajo u vra mbrëmë. Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj. Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar. Një grua kishte frikë për jetë dhe u la vet”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se viktimës i detyroheshin t’i ofronin mbrojtje sa ishte gjallë, por pasi ajo nuk iu ofrua, tani i detyrohen të vendosin drejtësi për vrasjen e saj.
“Për këtë rast LDK kërkon hetim të plotë dhe të pavarur të çdo veprimi e mosveprimi në mbrojtje të saj. Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur. Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arlindës. Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë. Për të gjallë, mbrojtje nuk pati! Tani i detyrohemi drejtësi; me gjithë zhvlerësimin paralajmërues që në letër na e dha. Dhe çdo gruaje tjetër që sot jeton me frikë, i detyrohemi veprim. Sot, para se një tjetër kërkesë për ndihmë të na mbetet në duar si dëshmi e një jete që nuk e mbrojtëm”, ka shkruar ai.
Çitaku për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë: Llogaridhënie e dorëheqje nga ata që kishin detyrë ta mbronin
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetja Vlora Çitaku, ka thënë se për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë duhet të kërkohet llogaridhënie dhe dorëheqje, “nga secili në zinxhirin e përgjegjësive, roli dhe veprimet e të cilit duhet të shqyrtohen”.
“Kërkohen llogaridhënie dhe dorëheqje. Nga ata që kishin detyrë ta mbronin”, ka theksuar Çitaku.
Ajo ka thënë se jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional.
“Tetë gra. Tetë jetë të humbura. Familje të shkatërruara. Dhe pyetja që nuk mund të shmanget: kush mban përgjegjësi? Konferencat, seminaret, ligjet dhe strategjitë mbeten vetëm një copë letër, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete, me mbrojtje reale për gratë në rrezik dhe me përgjegjësi për ata që dështojnë t’i mbrojnë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Sipas Policisë vrasja e Arlinda Zekajt ka ndodhur të dielën në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar është kunati i viktimës. I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa viktima dyshohet se është vrarë pas goditjeve me një mjet të fortë(sopatë).



