ARKIVI:
7 Mars 2026

Safet Sadiku: Glauk Konjufca është shansa e dytë për Vetëvendosjen!

Shkrime relevante

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi ___ Mall i kotë për një atdhe të lodhun ___ Me vetveten...

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Shpërndaj

Nga: Safet Sadiku

Tashmë vendimi është marrë nga Vetëvendosje, (dhe është mandatuar nga Presidentja e vendit), se Glauk Konjufca është zyrtarisht mandatar për formimin e qeverisë, dhe gjendja politike në Kosovë duhet të reflektojë këtë realitet politik të ri, jo si mundësi hipotetike, por si aftësi për vendimmarrje…

Pas vendimit të Vetëvendosjes për ta mandatuar ish Kryetarin e Kuvendit, si kandidat për Kryeministër, skena politike e Kosovës hyn në një fazë të re, pak më të qetë në tonin mediatik, por ende të ndërlikuar në llogari.

A do të arrijë Konjufca ta bindë opozitën për një marrëveshje të re institucionale? Vendimi i këtyre ditëve i Vetëvendosjes (VV) për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë, vjen si një përpjekje për të rifituar terrenin politik dhe besimin qytetar pas disa muajsh tensioni dhe bllokadash.

Në pamje të parë, është një rotacion brenda partisë, por në thelb, ky është një ndryshim edhe strategjik, dhe një kalim nga qasja përjashtuese drejt një oferte bashkëpunuese. Vendimi i djeshëm i Vetëvendosjes për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë shënon një kthesë të rëndësishme në skenën politike të Kosovës. Në një moment kur Albin Kurti përballej me konsum të dukshëm politik dhe mungesë hapësire për kompromis, partia vendosi të dalë me një fytyrë të re, por nga e njëjta rrënjë, pra me njeriun që prej kohësh shihej si zëri i arsyes brenda VV-së.

Faktori ndërkombëtar, poashtu ka bërë presion për gjetjen e një marrveshje për tejkalimin e situatës së brishtë politike në Kosovë, që vendi të mos shkon në zgjedhje, gjë që do të rriste shpenzimet për Kosovën dhe aq më tepër që Kosova ka ngecur mbrapa dhe duhet edhe aprovimi i buxhetit etj…? Ka shumë arsye më të mëdha për themelimin e qeverisë para vendimit për shkuarje në zgjedhje të parakohëshme!

Një figurë e urtë në kohë turbulente!

Glauk Konjufca, që prej vitit 2021 në krye të Kuvendit, ka ndërtuar reputacionin e një politikani institucional, të matur dhe dialogues. Ai është ndoshta ndër të paktët brenda VV-së që ka ruajtur marrëdhënie korrekte me opozitën dhe që ka ditur të gjejë zgjidhje kompromisi në momente të vështira.

Në politikën e Republikës së Kosovës, ku gjuha e ashpër shpesh zëvendëson argumentin, prktikisht z. Konjufca përfaqëson një stil të rrallë, të qetë, por të qëndrueshëm.

Glauk Konjufca, si ish Kryetar i Kuvendit që nga viti 2021, ka ruajtur profilin e një politikani të përmbajtur, racional dhe komunikues. Ndryshe nga retorika shpesh përjashtuese të disa të tjerëve, Konjufca ka preferuar dialogun, edhe në momente kur Kuvendi ishte në kufijtë e bllokadës. Kjo e ka bërë atë më të pranueshëm për opozitën, por edhe për një pjesë të opinionit publik që kërkon stabilitet më shumë sesa konfrontim. A do të bashkohen dy subjektet VV dhe PDK ose VV do t’ia kthen elektoratin përsëri LDK-së?

Në horizontin politik të Kosovës, ideja e një bashkimi mes Vetëvendosjes dhe PDK-së ende tingëllon më shumë si një konstrukt hipotetik sesa si një mundësi reale. Dy subjektet përfaqësojnë dy botë të ndryshme politike, që për vite me radhë janë ndërtuar mbi kundërshti thelbësore, qoftë në mënyrën e qeverisjes, qoftë në raportin me shtetin dhe me të kaluarën e tyre.

Një afrimitet i tillë, përtej ndonjë bashkëpunimi teknik apo momental, do të kërkonte një transformim të thellë ideologjik, që aktualisht nuk duket i mundshëm. Në anën tjetër, LDK-ja, megjithëse e zbehur në disa cikle të fundit zgjedhore, mbetet një adresë natyrore për elektoratin e zhgënjyer nga Vetëvendosja, sidomos për ata që kërkojnë një ton më institucional, më të përmbajtur dhe më pak konfrontues.

Nëse VV do të humbte pjesë të mbështetjes për shkak të ngurtësisë politike ose lodhjes qeverisëse, është pikërisht LDK-ja që mund ta përthithte atë pakënaqësi, me kusht që të arrijë ta përditësojë identitetin e vet dhe të ndërtojë besim të ri te publiku. Në këtë mozaik të lëvizshëm politik, figurat si Glauk Konjufca duken si ura të rralla mes tensionit dhe arsyes, si kujtesë se politika mund të mbetet art i maturisë, edhe në një kohë kur fjala e qetë shpesh humbet nën zhurmën e retorikës së përditshme.

Bindja e opozitës Tashmë sfida e tij e parë është të sigurojë votat për formimin e qeverisë. Pa mbështetjen e opozitës, veçanërisht të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), procesi do të mbetet vetëm simbolik.

Megjithatë, burime politike dhe sinjale joformale flasin për një gatishmëri të kujdesshme në kampin opozitar. Kjo për faktin se Konjufca ka mbajtur të ndezura “dritat jeshile” të komunikimit, jo vetëm me PDK-në, por edhe me LDK-në dhe AAK-në. Në këtë drejtim, mandatimi i tij shihet si test i pjekurisë politike, si për VV-në që duhet të hapet ndaj kompromisit, ashtu edhe për opozitën që duhet të tregojë sens shtetëror për stabilitet institucional.

Tashmë pyetja kryesore mbetët se Konjufca a do të arrijë të formojë qeverinë?

Për këtë, do t’i duhet të marrë mbështetje nga opozita, e para së gjithash nga PDK-ja, e cila mban çelësin e numrave në Kuvend. Sipas disa burimeve politike, sinjalet për “dritë jeshile” nuk janë shuar. Përkundrazi, ato janë mbajtur të hapura nga vetë Konjufca, që prej kohësh ka kultivuar marrëdhënie më të buta me opozitën.

Në rolin e ish Kryetarit të Kuvendit, ai ka treguar se e kupton rëndësinë e kompromisit dhe ka ditur të manovrojë në situata delikate, shpesh në pozitën klasike “tërhiq e mos e këput”. Kompromiset e menaxhuara me kujdes Gjatë mandatit të fundit, në krye të Kuvendit, Konjufca shpesh është gjendur në situata delikate, ku ka ditur të mbajë ekuilibrin midis mazhorancës dhe opozitës. Në shumë raste, ai ka luajtur rolin e ndërmjetësit të heshtur, duke shmangur përplasjet që mund të paralizonin institucionet.

Për këtë arsye, brenda dhe jashtë Kuvendit, është perceptuar si njeri që e kupton përgjegjësinë politike dhe di ta menaxhojë krizën pa e thelluar atë. Nëse PDK, dhe me gjasë edhe LDK, vendosin të mos e kundërshtojnë haptazi mandatin e tij, kjo do të lexohej si një moment i ri i përgjegjësisë politike. Jo domosdoshmërisht si aleancë, por si një marrëveshje për ta shmangur ripërsëritjen e krizës institucionale.

Konjufca mund të jetë figura që e mundëson këtë tranzicion të qetë, dhe e paraqet një VV më të moderuar, që kërkon të rifitojë besimin përmes bashkëpunimit. Nëse edhe ky kompromis nuk arrihet, atëherë bëhet e qartë, se partitë e opozitës kanë rrëshqitur në hendekë të padukshëm, ku llogaritë partiake kanë zëvendësuar plotësisht interesin e Republikës së Kosovës. Në vend të përgjegjësisë shtetërore, fatkeqësisht ende po mbizotëron instinkti i përjashtimit, dhe politika humbet kuptimin e saj si mjet për të ndërtuar, duke u kthyer në arenë për të rrënuar.

Nga Kurti te Konjufca është evolucioni i VV-së

Ky zhvillim shënon një pikë kthese për Vetëvendosjen. Partia që dikur ngriti pushtetin mbi protestë dhe ideal, sot po përpiqet të rikonvertohet në një subjekt institucional, që pranon se qeverisja kërkon më shumë se vetëm bindje politike, kërkon bashkëpunim dhe kompromis.

Glauk Konjufca përfaqëson pikërisht këtë transformim: nga lëvizje në sistem, nga përballje në bashkëqeverisje. Ky zhvillim nuk është thjesht ndërrim emrash, por test për Vetëvendosjen si organizëm politik. Por, a do të pranojë partia të transformohet nga një lëvizje ish-opozitare, (që edhe në mandatin e fundit katërvjeçarë të pushtetit e shoqëruan shumë sjellje të së kaluarës duke ngatrruan pushtetin me ish rolin e saj në opozitë) në një strukturë qeverisëse, tani më të hapur për kompromis?

Nëse po, Konjufca është ndoshta shpresa më reale për ta mbajtur VV-në në pushtet dhe për të rikthyer dialogun politik në binarë institucionalë! Drita jeshile në fund të ngërçit gjithësesi është e pranishme. Nëse Konjufca arrin të formojë qeverinë me mbështetje të pjesëshme ose të plotë të opozitës, kjo do të nënkuptojë fillimin e një kapitulli të ri në politikën e Kosovës, me më pak retorikë, më shumë përgjegjësi. Nëse dështimi përsëritet, atëherë kriza e besimit mes palëve vetëm sa do të thellohet. Por për momentin, VV ka gjetur mënyrën për të ndezur dritën jeshile, dhe ajo dritë mban emrin e Glauk Konjufcës një figurë që mund ta rikthejë dialogun në zemrën e institucioneve.

Mandatimi i Glauk Konjufcës është fakti i ri politik që mund të hapë një kapitull tjetër në Kosovë, më pak emocional, më shumë racional. Tani topi është plotësisht në anën e opozitës. Ndonëse, mbështetja e opozitës nuk do të vijë lehtë, por deri më tani ai është i vetmi pushtetar nga VV që i ka mbajtur “dritat jeshile” të ndezura, duke lënë të kuptohet se rruga e bashkëpunimit mbetet e hapur. Nëse ky hap do të shndërrohet në qeveri, atëherë historia do ta shënojë si momentin kur Vetëvendosja mësoi, më në fund të qeverisë me kompromis, dhe jo vetëm me bindje, pas një kosto të gjatë në vendnumrim, duke rrezikuar humbjen e mbështetësve. Por, prapa këtyre marrëveshjeve qëndrojnë shumë detyra për politikën, të cilat Kosovën e mbajtën peng gjer më tani. Një nga këto janë marrëveshjet e shumëpërfolura në raport me Serbinë, të calat siç është e ditur, partitë politike nuk janë të unifikuara në qëndrimet e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për kërkesa të Serbisë, e cila ende dëshiron që të në mënyrë ekstreme të kënqen epshet e saj në emër të minoritetit serb në Kosovë?

Raportet me Serbinë dhe rikthimi i dialogut mbeten ndër çështjet më të ndjeshme politike, veçanërisht kur merret parasysh se kushtet e kompromisit ende nuk janë të qarta, ndërsa qëndrimet politike të subjekteve kryesore nuk janë të përafruara.

Në anën tjetër, Glauk Konjufca ka një shans të variantit të dytë për të formuar qeverinë, përmes grumbullimit të shumicës së deputetëve, prej 61 votash sa kërkohen, pa mbështetjen e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, (nëse këto ende nuk janë ngopur me krizën), por me përfshirjen e Nismës dhe komuniteteve jo-serbe.

Ky do të ishte varianti më ekstrem i keq, dhe i mundshëm! Megjithatë, një tension i padukshëm politik vazhdon të mbetet i pranishëm deri në themelimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. …

Në mbrëmjen e ftohtë të Prishtinës, ndërsa dritat e Kuvendit fiken njëra pas tjetrës, në ajër ndjehet diçka më shumë sesa një vendim formal politik, ndjehet pesha e një epoke që lëviz ngadalë, e një ndryshimi që s’ka ardhur ende, por që po përpiqet të lindë. Vendimi i Vetëvendosjes për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë nuk është vetëm një rotacion i brendshëm. Është një përpjekje për të rimarrë frymën e një ideali që kohëve të fundit dukej i lodhur nga vetvetja. Në pamje të parë, ky ndryshim mund të lexohet si manovër politike, por në thelb ai është një përpjekje për të rikthyer ekuilibrin e humbur ndërmjet moralit dhe pushtetit, ndërmjet idealizmit dhe realpolitikës. Pas disa muajsh tensioni, përplasjesh dhe heshtjesh që rëndonin si pluhur mbi shpresën qytetare, VV kërkoi të gjejë një fytyrë të re, jo për ta ndërruar rrugën, por për t’i dhënë asaj frymëmarrje. Emri i Glauk Konjufcës, në këtë kontekst, vjen si simbol i maturisë që e kërkon koha. Ai përfaqëson një kalim të butë, një përpjekje për të zbutur dallgët pa braktisur anijen.

Një fytyrë që përpiqet të japë mesazhin, se ndryshimi mund të vijë jo me tronditje, por me qetësi, jo me përjashtim, por me dëgjim. Dhe ndoshta, ky është momenti kur Vetëvendosje, pas viteve të idealizmit të zjarrtë, po mëson mësimin e parë të pjekurisë politike, se ndonjëherë, forca më e madhe nuk është rezistenca, por aftësia për kompromis. Por, nën sipërfaqen e këtij vendimi që duket administrativ, fshihet një realitet më i thellë. Kosova ndodhet në një udhëkryq të brishtë, ku çdo gabim mund të kushtojë vite zhvillimi. Faktorët ndërkombëtarë, me durimin e tyre të gjatë e me gjuhën e ftohtë të diplomacisë, kanë kërkuar stabilitet. Jo si shpresë, por si domosdoshmëri. Sepse vendi nuk mund të përballojë më një zgjedhje tjetër, as ekonomikisht, as politikisht, as moralisht. Buxheti pret miratim, institucionet kërkojnë funksion, ndërsa qytetarët, të lodhur nga krizat, kërkojnë vetëm pak normalitet, pak qetësi, një shenjë, se shteti i tyre ende ka puls…!

E megjithatë, nën këtë qetësi të ndërtuar me kujdes, fshihet një dilemë e madhe që prek gjithë klasën politike shqiptare në Gadishullin Ilirik: kryeneqësia si një plagë e vjetër që e ka bërë politikën tonë më shumë arenë se bashkëbisedim. Është ajo ndjenjë që e përzien krenarinë me inatin, dhe idealin me përjashtimin. Është një gjendje shpirtërore që i ka bërë liderët tanë të mendojnë se tërheqja është dobësi, ndërsa bashkëpunimi është vetëm nënshtrim!…

Në fakt, ky është rrënimi i vërtetë i komunikimit politik në Kosovë: paaftësia për të dëgjuar, jo për të folur.

Sepse shumë prej atyre që sot mbajnë titujt e kryetarëve, ministrave apo deputetëve, nuk flasin më me qytetarin, por me jehonën e vetvetes. Ata e kanë harruar se pushteti, pa dialog, është një dhomë pa dritare. Dhe në atë errësirë, fillojnë të përplasen jo idetë, por egot. Kjo është arsyeja pse institucionet tona shpesh duken si struktura pa shpirt, sepse mungon gjuha e përbashkët, fryma e bashkëpunimit, kultura e përgjegjësisë së ndërsjellë. Pushteti është shndërruar në një arenë numrash, jo vlerash!

Në një garë për karrige, jo për ide. Dhe kështu, derisa një pjesë e shoqërisë ecën drejt dijes e inovacionit, politika mbetet e ngujuar në spiralen e vjetër të përçarjes. Por edhe në këtë terr, ekziston një dritë që s’mund të shuhet, drita e vetëdijes qytetare që po lind ngadalë. Sepse brezi i ri, ai që nuk njeh frikën e së kaluarës, po kupton se politika nuk është pronë, por detyrë, se demokracia nuk është premtim, por kujdes i përditshëm. Dhe ndoshta, ky është fillimi i një kthese më të madhe sesa ajo e djeshmja, një kthesë që nuk ndodh në zyrat e partive, por në ndërgjegjen e njerëzve të zakonshëm.

Gjithësesi, historia dëshiron të mos e kujtojë këtë ditë për emrin e një lideri, por për momentin e rëndësishëm që po vjen, kur Kosova filloi të kuptojë se pushteti nuk është qëllim, por mjet, se ndërtimi i shtetit fillon jo me fjalët e mëdha, por me aktet e vogla të përgjegjësisë.

Dhe se ndoshta, pas gjithë këtyre viteve të kryeneqësisë gjatë tranzicionit, vendi po mëson më në fund artin e rrallë të dëgjimit. ​​​​​​​​​​​

Nëntor 2025

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu