
Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë
Duke përcjellë me vëmendje, por edhe me dro, protestat që po zhvillohen në Shqipëri, më ra në sy një slogan interesant që më shtyri të bëj edhe një interpretim sociologjik. Fjala është për sloganin “Ngrihuni o të munduar”, që në gjykimin tim flet mjaft për seriozitetin që kanë “arkitektët” e gjithë kësaj ngrehine në horizontin e proceseve që po ndodhin aktualisht në shoqërinë shqiptare.
Ky slogan apo kjo parullë, quajeni si të doni, në fakt është shumë më tepër sesa një thirrje publike për të protestuar denjësisht, sikurse veprojnë gjithë protestuesit evropianë. Megjithatë, ajo, përveç që është një simbol i fuqishëm i mobilizimit kolektiv të shtresave që ndihen të përjashtuara, të nënvlerësuara ose të pambrojtura nga sistemi politik dhe ekonomik, në gjykimin tim është edhe një “paralajmërim i hershëm“për një rrezik të ripërsëritjes së “apokalipsës” demokratike të viteve ’90, kur Shqipëria u nis definitivisht kah vlerat dhe sistemi i demokracisë neoliberale.
Dhe ajo që po më shqetëson dhe s’po mund ta kuptoj është qëllimi i saj! A është kjo parullë, që buron nga vargu i parë i himnit revolucionar “Internacionalja”: “Ngrihuni ju o të munduar…”, një këngë që historikisht ka qenë e lidhur me lëvizjet punëtore, socialiste dhe revolucionare në mbarë botën, një lloj rikthimi i njëmendtë i shoqërisë shqiptare kah vlerat e një diktature të re, ku shqiptarëti për dallim nga kombet tjera të ish-kampit socialist, e pësuan më së shumti të “zitë e ullirit”, apo këtu kemi të bëjmë vetëm me një simbolikë mobilizuese që shërben dhe është në funksion të shembjes së autokracisë dhe perandorisë së Edi Ramës?
Do të doja shumë që e vërteta të ishte kjo dilema e dytë. Dhe, duke besuar e shpresuar se opsioni i dytë është ai i vërteti, këtë simbolikë mobilizuese ekonomike, politike e demokratike do ta interpretoja në disa dimensione.
Nga varfëria materiale te lodhja morale e shqiptarëve
“Ngrihuni o të munduar”, e sidomos fjala “të munduar”, në gjykimin sociologjik nuk nënkupton vetëm varfërinë materiale që e shkaktuan të gjitha qeverisjet e pasuara nga vitet ’90, por edhe zhgënjimin me kastën politike shqiptare, ndjenjën e padrejtësisë, pastaj me papërspektivën e kontingjenteve të rinj që po ikin pa ia ndarë dhe sidomos me lodhjen nga krimi, korrupsioni dhe arroganca e pushtetit të Edi Ramës.
Pra, protestuesit shqiptarë nuk po “klithin” përmes kësaj dhe parullave të tjera vetëm për “vegjëlinë e xhaxhit Enver”, por për të gjitha shtresat e margjinalizuara që i “prodhoi” diktatura e re autokratike e establishmentit që nuk po e qeveris Shqipërinë, por po e sundon atë me dekada!?
Kur “vetmia qytetare” shndërrohet në lokomotivë ndryshimi në shoqëri
Ajo që kujtoj se është shumë e rëndësishme, këto protesta po prodhojnë edhe një lloj vlimi apo gjallërimi kolektiv shoqëror, ku qytetarët e deridjeshëm, që ishin përbuzur (në emër të demokracisë) e margjinalizuar tejskajshëm, sot, me bashkangjitjen e tyre në këtë demonstrim qytetërues, po e tejkalojnë izolimin e tyre të përditshëm dhe po shkrihen në një energji të përbashkët emocionale kombétare.
Them kështu, ngase të njëjtët qytetarë që kanë marrë guximin e demonstrimit publik dhe t’i bashkangjiten turmës, deri dje hallet dhe brengat e tyre ekzistenciale kanë guxuar t’i komentojnë vetë në “vetminë” e tyre periferike e jo edhe publikisht siç po veprojnë tani.
“Të munduarit” e Internacionales kundër rendit autokratik të Edi Ramës
Shprehur sërish me gjuhën e një sociologu me përvojë të gjatë në interpretimin e proceseve dhe zhvillimeve politike në shoqëritë andej e këndej kufirit, rikthimi i narrativës (“Ngrihuni o të munduar”)së konfliktit social, shikuar nga perspektiva e Karl Marksit e ringjalli sërish gjuhën klasike të konfliktit midis atyre që kanë pushtet (“klasa borgjeze”) dhe atyre që ndihen të nënshtruar (“klasa punëtore”) prej tij.
Mirëpo, në Shqipërinë e sotme “të munduarit” nuk janë ekskluzivisht vetë proletarët klasikë, por, ajo çfarë po shohim me sytë tanë gjatë këtyre dy javëve janë edhe protestues të kategorive të tjera sociale: të rinjtë pa perspektivë, emigrantët potencialë me arsimim dhe grada të larta meritokratike, pensionistët e shkërmoqur, shtresën e mesme tejet të varfëruar, si dhe qytetarë tjerë që po ndihen të papërfaqësuar si dhe sa duhet nga qeveritarët e kriminalizuar dhe të korruptuar deri në palcë!
Të gjithë këta njerëz po kërkojnë publikisht status dinjitoz social, politik e ekonomik. Po kërkojnë, po ashtu, edhe sundim dhe respektim të ligjit për të gjithë njësoj, si dhe një zgjim masiv shoqëror kundër rendit që perceptohet si i padrejtë dhe denigrues për shumicën absolute të shoqërisë shqiptare.
Thënë më thjesht, ata po kërkojnë, në gjykimin tim, një hapësirë shprese për një katarsis gjithëkombëtar në krejt trojet shqiptare, duke mos “amnistuar” as kosovarët, as shqiptarët e Luginës së Preshevës, as çamët, e as shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Sepse shqiptarët mjaft kanë vuajtur nga kulti i individit.
Tani u duhet kulti i institucionit!


