
Mark Palnikaj, studiues, Tiranë
PESË JAVË NË ARKIVIN SEKRET TË VATIKANIT DHE TREGUESIT E NDRYSHIMIT
Arkivi Sekret i Vatikanit (Archivio Segreto Vaticano, ASV), tani i emërtuar Arkivi Apostolik i Vatikanit (Archivio Apostolico Vaticano, AAV), është një institucion i njohur në tërë botën për rëndësinë e dokumentacionit që ruan në brendësinë e tij. Në të njëjtën ndërtesë, as dhjetë metra larg derës së tij, ndodhet dera e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, edhe kjo e njohur për fondin e madh të librave dhe dorëshkrimeve që përmban.
Në dhjetë vitet e fundit që jam marrë me shkrimet dhe dokumentet mesjetare për qëllime studimore, në vazhdimësi në librat me karakter historik të studjuesve të kujdesshëm të historisë, kam ndeshur shumë herë citime të dokumenteve që ruhen në këto dy institucione me rëndësi mjaft të madhe për historinë.
Në arkivat e Italisë, për nevoja të punimeve të mija, kam studjuar në Fondin e Shkrimeve të Antike të Bibliotekës Kombëtare të Napolit e vendosur në Pallatin Mbretëror të këtij qyteti, në Arkivin e Shtetit në Napoli, në arkivin e Manastirit të San Nilos në Grotaferrata, në Arikivin e Propogandës Fide, në Arkivin Jezuit të Vatikanit, në Bibliotekën dhe Arkivin Dioqezan në qytetin e Fermos, në Arkivin Dioqezan të Loretos, në Arkivin e Shtetit në Venecie dhe në Bibliotekën e Librave dhe shkrimeve Antike në qytetin e Padovës.
Puna ime në këto institucione ka qënë modeste dhe e organizuar privatisht nga unë pa asnjë mbështetje nga ndonjë institucion privat apo shtetëror.Në të gjitha këto arkiva dhe biblioteka që përmenda ka me shumicë dokumenta të rëndësishme për historinë e kombit tonë.
Mbas publikimit të tetë letrave të letërkëmbimit të Skendërbeut me Sulltanët të cilat ruhen në Arkivin Apostolik të Vatikanit, vendosa të bëj kërkime në këtë institucion prestigjioz për të gjetur dokumenta të tjera për nevojat e shkruarjes së librave që kam nëpër duar.
Hyrja në këto dy institucione, Biblioteka dhe Arkivi, është një veprim që nuk mund të bëhet në çdo moment që të teket të shkosh por ka një proçedurë fikse e cila nuk mund të anashkalohet. Në arkiv, prenotimi i një karrikeje për një periudhë të caktuar mund të bëhet vetëm duke kërkuar me shkrim një vit përpara dhe duke dorëzuar aty dokumente që e justifikojnë hyrjen aty dhe që vërtetojnë aftësinë tuaj për të mundur të kryhen kërkimet e nevojshme.
Me datë 17 qershor 2021, më miratuan hyrjen aty për një muaj, nga data 15 maj deri me 15 qershor 2022 për të bërë kërkimet që kisha prezentuar në kërkesën time. Më erdhi mirë dhe u gëzova për këtë nderë që më bënë megjithse me zor po prisja të kalonte një vit për të shkuar aty.
Në muajin tetor të vitit 2021 shkova në Arkivin e Propogandës Fide në Vatikan për të marrë disa dokumente dhe mbasi Arkivi Apostolik është shum afër, as një kilometër larg, shkova aty dhe piva një kafe me miqt e mi, punonjës të këtij arkivi.
Gjatë bisedës ata më pyetën se përse nuk vjen tani për të bërë kërkime edhe tek ne mbasi tashmë je i miratuar si person që mund të bëni kërkime në arkivin tonë.
Unë ju thash që ju më keni miratuar hyrjen në muajin maj të vitit të ardhshëm. Menjëherë ata më thanë që të bëja një kërkesë me shkrim ku të shkruaja që, nëse hapet ndonjë vend i lirë si rezultat i mosardhjes së ndonjërit nga personat e planifikuar, të më jepnin të drejtën të vija para majit 2022.
Mbas pak ditësh, nga arkivi mora përgjigjen se unë mund të paraqitesha për kërkime aty nga data 13 deri 18 dhjetor 2021. Më erdhi mirë që më në fund mund të futesha për kërkime në këtë arkiv me emër të madh dhe të njohur në të gjith botën.
U paraqita me datën dhe orën e caktuar dhe u futa në sallat e studimit të këtij arkivi. Ishte një eksperiencë e veçantë por edhe një punë jo fort e kollajtë për të punuar aty dhe për të arritur deri tek dokumentet që të duhen. Qëndrimi pesë ditor aty më shërbeu më shumë si një trajnim për të punuar aty se sa për të studjuar dhe marrë materiale arkivore. U largova i kënaqur dhe i vendosur që kur të shkoj në muajin maj të vitit tjetër të shkoja i pregatitur për të punuar me seriozitet dhe për të mos e humbur kohën kot.
Me datën 16 maj 2022 u paraqita përsëri aty dhe fillova punë ku punova me seriozitetin dhe përkushtimin më të madh për aftësitë dhe mundësitë që kam pa humbur asnjë minut nga koha e çmuar që më ishte planifikuar aty. Është në nderin tim që të falenderoj Prefektin e këtij arkivi Dott. Sergio Pagano dhe personelin e tij për ndihmën pa rezerva që më dhanë duke më vënë në dispozicion çdo dosje dhe dokument që ju kërkova pa asnjë kufizim.
Prefekti Pagano mbas letrës së falenderimit që më dërgoi në dhjetor 2021, më priti në zyren e tij ku patëm një bisedë mjaft miqësore për kërkimet e mija dhe për punën në arkiv në përgjithësi. Ai shprehu kënaqësinë dhe gjith gatishmërinë e tij për të ndihmuar jo vetëm mua por çdo studjues që do të ishte i mundur që të vinte aty nga Shqipëria për kërkime.
Ai ishte në moshën shtatëdhjetë e katër vjeç dhe kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në këtë arkiv dhe kishte botuar më shumë se dhjetë volume me tregues dhe libra të ndryshëm që ndihmojnë studjuesit për të kryer studime aty. Ai u shpreh se këtu dhe në Bibliotekën Apostolike gjënden dokumenta me mjaft rëndësi për historinë e Shqipërisë që presin publikimin dhe përpunimin e tyre për të ndriçuar më mirë historinë tonë. Më dha edhe garancinë që nuk do të më nxirrej asnjë lloj pengese në punën time kërkimore aty.
Ky arkiv është i hapur për studjuesit e jashtëm, jo punonjës të Vatikanit, në vitin 1960, pra para 62 vjetësh. Ata kishin të regjistruar me saktësi të gjithë ata që kishin kryer studime aty nga të gjitha vendet e botës. Mbasi i pyeta se sa veta kishin bërë kërkime nga Shqipëria qysh nga hapja e këtij arkivi për publikun ata mu përgjigjën se nga vendi im unë isha i teti dhe i fundit që kisha hyrë aty. Lexuesi mund të pyes se cili ishte rezultati i punës tënde për pesë javë në këtë arkiv dhe çfarë mendoj unë për punën në të ardhmen.
Përgjigja ime është se unë në Vatikan kam shkuar me një qëllim të përcaktuar qartë dhe prerë, të marr maksimumin e mundshëm të dokumentave që ruhen në Vatikan për historikun e Kosovës. Kjo për faktin se për Shqipërinë nga Injac Zamputi dhe Instituti i Historisë janë pregatitur mbi 10 volume me dokumente, nga studjuesi gjerman Peter Bartl 5 volume në serinë Albania Sacra, në mënyrë modeste edhe unë kam botuar dy volume me dokumente në gjuhën shqipe. Por për Kosovën deri tani nuk ka asnjë volum.
Sa për zbulimet, më duhet të ju them se aty nuk ka asgjë të mbuluar ose që nuk e ka kaluar me dhjetëra herë nëpër duar dikush, por ka dokumente që nuk janë vënë në dispozicion të studjuesve shqiptarë. Edhe kur ndonjë studjues jo shqiptar ka bërë diçka për nevoja të studimeve të veta, e ka bërë në funksion të nevojave të tij, shpesh në mënyrë të pjesëshme dhe në qindra raste edhe me gabime të pa pranueshme.
I mëshoj fort kësaj pikës së fundit dhe ju tërheq vemendjen studjuesve shqiptarë që të jenë të vemendshëm kur citojnë dokumente të pregatitura nga studjues jo shqiptarë sepse në shumë raste kam vërtetuar gabime të palejueshme.
Për një muaj unë kam kërkuar të marr dhe të paguaj më shumë se 400 dokumente në Arkivin Apostolik dhe në Arkivin e Propagandës Fide ku bëhet fjalë kryesisht për Kosovën. Këto përmbajnë më shumë se 4500 faqe dorëshkrime të cilat kërkojnë të rishkruhen, përkthehen dhe publikohen.
Jam shumë i sigurtë se gjithë jeta ime që më ka mbetur të jetoj nuk mjafton për ta kryer këtë punë edhe nëse unë i përkushtohem tërësisht kësajë dhe nuk merrem me asnjë punë tjetër.Por unë jam i vendosur që të punoj pa u ndalur me të gjitha mundësitë dhe aftësitë e mija për të bërë aq sa mund të bëj.
Pyetja tjetër që ndonjë nga lexuesit mund të ketë është: “Çfarë zbulove në Arkivin Sekret dhe çfar mund të bëhet më vonë për këtë?”.
Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje do të më duhet të ndalem pak më gjatë dhe të jap disa spjegime të qarta se çfarë bëra unë dhe çfarë mund të bëjë cilido si puna ime, sado i aftë që të jetë për të zbuluar ato sekrete që mban ky arkiv për historinë tonë.
Gjatë orëve të mbasdites, duke pirë kafe me një mikun tim shqiptar i cili ka 30 vjet që punon në Vatikan, por jo në arkiva, edhe ai ma bëri këtë pyetje. Për ti dhënë një përgjigje sa më të qartë ja spjegova trashë e trashë me një shembull duke i thënë se në atë sallë më duket vetja i pafuqishëm para atij mali me dosje që presin te studjohen. Ai qeshi me të madhe dhe mbas një jave disa miq tonë më kujtuan duke qeshur me këtë thënje timen që ai e kishte përdorur për të qeshur me miqtë tanë. Kjo është në mënyrë metaforike metoda për të treguar se çfarë pune kreva unë aty për pesë javë, por tani po ndalem teknikisht për të prezantuar punën time dhe propozimin se çfarë duhet të bëjnë institucionet shtetërore dhe organizatat joqeveritare për të bërë atë që duhet në këto arkiva.
Së pari më duhet të tregoj se janë katër salla të mëdha, gati të barabarta midis tyre për nga madhësia, ku në njërën prej tyre janë të vendosur librat me skedarët e dosjeve ,ku tregohet për përmbajtjen e tyre dhe që pa ndihmën e punonjësve të arkivit askush nuk mund të gjejë se në cilën dosje ndodhet saktësisht dokumenti që të intereson.
Këtu janë vendosur mijëra libra me qindra faqe secili dhe nganjëherë të një madhësie dhe peshe të konsiderueshme ku studjuesit humbin një pjesë të madhe të kohës për të rënë në gjurmë të asajë që i duhet. Kjo quhet salla e treguesve ose “Sala Indici”. Tre sallat e tjera janë salla studimi të kompletuara me pajisje mbajtëse druri të librave shumë të mëdhaja që quhen “legio”, me karrike me rrota, me abazhure dhe me priza korenti për nevojat e studjuesve për kompjuterë dhe gjëra të tjera.
Njëra nga sallat është e kompletuar me kompjuterë ku studjuesit mund të lexojnë volumet e ruajtura në DVD bardh e zi ose me ngjyra. Një pjesë e dosjeve janë hedhur në DVD, kurse një pjesë jepen origjinale në sallë për studjuesit.
Gjatë një dite kërkimi, lejohet të marrësh deri në pesë dosje, tre para dite dhe dy mbas dite. Paradite konsiderohet para orës 12 dhe mbas dite mbas kësaj ore. Kërkesa bëhet me shkrim nëpërmjet kompjuterit i cili të ofron mundësinë të kërkosh vetëm tre ose më pak dosje. Ndonjë ditë, gjatë qëndrimit aty e shkelën këtë rregull dhe më vunë në dispozicion me shumë se pesë dosje. Atëherë llogaritë bëjini vetë: Një javë ka 5 dit pune ose një muaj 20 ditë gjithsej. Për njëzet dit maksimumi është 100 dosje të hapura për studim. Zakonisht një dosje është 5 ose 6 centimetra e trashë dhe rrallë ka edhe dosje të trasha deri edhe 50 centimetra të cilat sillen aty me karrocë.
Ju merreni një mesatare të trashësisë së dosjes sa të doni, nga pesë deri në dhjetë centimetra mesatarja. Nëse pranojmë se një dosje mesatarisht është pesë centimetra e trashë i bie që për 100 dosje të jenë 500 centimetra ose pesë metra dosje të konsultuara. Nëse trashësia në rastin më të mirë merret dhjetë centimetra, njëqind dosje që mund të konsutohen për një muaj bëjnë 1000 centimetra ose dhjetë metra.
Sipas deklaratës së arkivistëve, vetëm në Arkivin Sekret, janë 95 kilometra dosje. Pesë metra në nëntëdhjetë e pesë kilometra janë një gjë e papërfillëshme. I bie që studjuesi të ecë njëzet e pesë ose maksimumi pesëdhjetë centimetra në ditë për të kaluar nëntëdhjetë e pesë kilometra. Merret me mend se kur mund të arrijë një person të bëjë diçka që befasojë lexuesit ose studjuesit me ato që publikon.
E bëra këtë spjegim në mënyrë bindëse për të treguar që unë kam punuar me seriozitetin maksimal që kam patur mundësi por ajo që kam arritur është një arritje modeste fare e vogël, një pikë uji në oqean dhe duhet ndryshuar metoda.Atëherë cila është zgjidhja?!
Zgjidhja nuk vjen nga një person sado i zoti dhe i përkushtuar që të jetë, por nga institucionet zyrtare shtetërore siç mund të jenë, Akademia e Shkencave, Akademia e Studimeve Albanologjike, Katedrat e Historisë në Univeristete shtetërore dhe private, Arkivi Qëndror i Shtetit dhe Institucionet e specializuara të Kishës Katolike në Shqipëri dhe në Kosovë.
Asnjëra palë deri tani nuk i ka bërë një analizë shkencore të bazuar mbi fakte dhe dokumente historike por në mënyrë militante dhe partiakopolitike bëjnë shkrime që masa e studjuesve pak i merr në konsideratë. Ka rreth 30 vite që nuk pregatiten studjues për të punuar mbi dokumentet e vjetra dorëshkrime në gjuhët osmanishte, greqishte dhe latinishte. Studjuesit e rinj që mbarojnë shkollat në Shqipëri dhe jo vetëm këtu, nuk dinë të lexojnë asnjë rresht nga dokumente mesjetare të shkruara me dorë.
Publikisht kam propozuar që shteti duhet në mënyrë urgjente të hapin kursin pasuniversitar me kohëzgjatje minimumi dy vjeçare për degën “Paleografi, Arkivistikë dhe Diplomatikë” pranë Arkivit Qëndror të Shtetit, në të dy shtetet Shqipëri dhe Kosovë, në fillim me profesorë nga shtete të tjera pastaj më vonë, të vazhdohet me profesorë nga Shqipëria. Studimet të kryhen jo në mënyrë teorike, por direkt mbi dokumente arkivore dorëshkrime nga këto arkiva. Kjo është zgjidhja. Por kjo kërkon ndërgjegjësim të institucioneve kryesore të shtetit si Parlamenti dhe Qeveria në mënyrë që të jepen fondet e nevojshme dhe të ndiqet me seriozitetin më të madh pregatitja e këtyre njerëzve.
Pastaj këta njerëz, në mënyrë të organizuar dhe të paguar nga shteti të vazhdojnë kërkimet në arkivat që unë përmenda më sipër.
Nuk ka nevojë të bëhen shpikje shqiptare për këtë punë. Të merret modeli i Hungarisë e cila ka hapur Institute Kërkimore në disa vende për të bërë kërkime në këto arkiva. Shteti gjerman mban me rroga dhe me dieta me vite të tëra punonjës të vet në këto arkiva ku unë kam patur rastin të shoh shumë prej tyre.
Nëse nuk bëhet kjo gjë, do të na duhet të kryejmë studime në Bibliotekën Kombëtare mbi librat e studjuesve të huaj, shpesh edhe me tendenca nacionaliste e shoviniste ndaj vendit tonë dhe të bëjmë sikur po kryejmë studime. Gjatë 30 viteve në postkomunizëm qindra njerëz në Tiranë kanë marrë grada shkencore Profesora, Doktora dhe Akademikë me punime qesharake dhe në ndonjë rast edhe pa asnjë punim të publikuar. Publiku këto i di dhe i shpreh në mënyrën e vet nëpër biseda të lira në rrjetet sociale dhe në media, por institucionet zyrtare bëjnë gjumin e madh dhe as nuk shofin as nuk dëgjojnë. Mendjen e kanë tjetërkund dhe nuk ju mjafton koha të merren me këto probleme as atyre institucioneve të specializuara që zyrtarisht duhet të merreshin me këto punë. Është fakt i pamohueshëm se në mjaft institucione shkencore, personeli është marrë dhe vazhdon të merret në punë në bazë të kritereve partiake dhe jo mbi bazën e dijeve dhe përkushtimit ndaj shkencës. Kjo ndodh edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, thuhet dhe dihet hapur, por askush nuk e çan kokën. Përfaqësia Shqiptare pranë Selisë së Shenjtë nuk angazhohet fare në nxitjen e studiuesve shqiptarë për të kryer studime në Arkivat e Vatikanit. Asnjë nga punonjësit e saj tradicionalisht nuk futen në këto arkiva, madje dhe për kontributin shqiptar për krishterimin, apo marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Shqipërinë citojnë autorë të huaj…
Tiranë 6 korrik 2022


